SHERADIN BERISHA: PRANVERA E VITIT 1981 DHE INTELEKTUALËT E REGJIMIT!

Pashtriku.org, 17 mars 2017: Në 36 vjetorin e demonstratave të vitit 1981/ Dihet mirëfilli se politika zyrtare jugosllave, demonstratat e pranverës 1981 i shpalli si «Kundërrevolucionare» dhe për disa muaj rresht të gjitha nivelet e pushtetit federativ, republikan dhe krahinor me qëllim të ‘sanimit’ të gjendjes në Kosovë, finalizuan një dokument me titull »Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë» që shkurtimisht njihet si «Platforma për Kosovën». Ky dokument u miratua në Mbledhjen e XXII të Komitetit Qendror të LKJ’së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i politikës antishqiptare në planin afatgjatë.
Në këtë platformë antishqiptare ndër të tjera analizohet gjithashëm përmbajtja «reaksionare dhe kundërrevolucionare» e parullës ‘Kosova Republik’ duke u definuar qartë edhe masat për «qërimin e hesapeve» me forcat e «errëta të nacionalizmit shqiptaromadh…», përmes gjykimit dhe diferencimit të shqiptarëve në çdo segment të jetës politike e shoqërore.
Dhe në këtë drejtim strukturat e regjimit, me kohë ndërmorën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh kundër organizatorëve të demonstratave, ndërsa në institucionet publike, e veçanërisht në institucionet shkencore – akademike të Kosovës, kishte nisur diferencimin ideo – politik ndaj të gjithë atyre që në forma të ndryshme përkrahën kërkesat e studentëve.
Në shënjestër të këtij diferencimi gjithëpërfshirës ishin padyshim tri institucionet më të rëndësishme akademike: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës. Prandaj, jo rastësisht KQ i LKJ’së dhe strukturat tjera pushtetore të këtij regjimi në Kosovë, këto institucione, e veçanërisht Universitetin e Prishtinës e patën cilësuar si“Bastion të nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”.

Akademik Rexhep Qosja, në një intervistë për «Epokën e Re» (4 Maj 2006), kujton bashkëpunimin e intelektualëve të shumtë me regjimin e kohës dhe vënien e tyre në shërbim të diferencimit. Qosja me këtë rast thotë: «Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtuar demonstratat… Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politikë dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th në shërbim të atij procesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera. Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e «shtrigjve» janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar dhe të favorizuar!…Një numër i intelektualëve ishte kundër demonstratave, kurse një numër tjetër i shikonte me simpati…Në bisedat me njëri tjetrin disa intelektualë i përkrahnin demonstratat, por në mbledhjet e partisë apo në mbledhjet e bashkësive punuese kjo nuk ngjante. Kam marrë pjesë në mbledhje në institut (Institutin Albanologjik – Sh.B) në Fakultetin Filozofik, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Janë mbajtur jo një a dy, por më shumë mbledhje në të cilat flitej: në fillim për demonstratat pastaj për kinse për pasojat e demonstratave, pastaj për detyrat në lidhje me këto pasoja, etj. Kam parë shumë intelektualë që çoheshin në këmbë dhe lëshonin breshëri dënimesh për demonstratat duke i quajtur armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë! Disa prej këtyre, më vonë, janë bërë patriotë të mëdhenj dhe kanë përparuar në punën profesionale dhe në punën politike! Disa e bënin këtë me gojë e ndonjëri, besoni apo mos besoni, me shkrim ishin përgatitur përpara! Në dënimin e demonstratave në mënyrë të veçantë janë shquar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve. Në këtë institucion janë dënuar demonstrata shumë herë, por njëra prej mbledhjeve të Akademisë, në të cilën janë dënuar demonstratat është dhënë në tërësi në televizion, si mësim për popullin se si duhet të sillet ndaj armikut të bashkim’vëllazërimit, të socializmit vetëqeverisës dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë Socialiste Federative! Ishte kjo mbledhje e turpit në nivel më të «lartë» të shkencës sonë».
Madje, në vazhdën e procesit të diferencimit është botuar edhe një libër (Shqip – serbisht) me fjalimet dënuese të «akademikëve» kundër demonstratave të pranverës 1981. «Për shkak se nuk jam diferencuar, më kanë qitur para komisionit të Universitetit bashkë me Ali Hadrin dhe Fehmi Aganin dhe na kanë shqiptuar dënimin…» – ka thënë në fund akademik Qosja. (…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura