PROF.DR.NUSRET PLLANA: ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE (KUMTESË)

Pashtriku.org, 4 maj 2017: (Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor)
Përkufizimi/
Vepra e studiuesit të pasionuar, Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, shqyrton, analizon, trajton dhe nxjerrë përfundime interesante për problemin e Çamërisë nga lashtësia deri në ditët tona. Qasja e këtillë i ka dhënë dorë autorit, jo vetëm të shfrytëzojë një literaturë të gjerë nga Fjalorët enciklopedikë e deri te vepra monografike autorësh të ndryshëm, por edhe të mbaj qëndrim kritik në punë të shqyrtimit shkencor të Çamërisë, si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Vepra studimore e Prof.dr.Selman Shemes, mjaft e vëllimshme, është shtrirë në dymbëdhjetë (XII) kapituj dhe përmbyllet me një përfundim prej 26 faqesh, në gjuhën angleze, mjaft dëshmues në aspektin e informacionit shkencor. Vepra ka 372 faqe brenda të cilave merr frymë jeta historike e një pjesë të madhe të popullit shqiptar, i cili duke u përballuar padrejtësive historike ka dëshmuar jo vetëm identitetin e tij kombëtar, por edhe lashtësinë e ekzistencës së tij. Duke u mbështetur në dëshmi arkeologjike, studiuesi zë fillin e të dhënave që nga parahistoria e deri te prania e dëshmive të Kulturës së Komanit, në trevën e Çamërisë, të cilat i ka sistemuar në kapitullin e parë.
Lashtësia historike e jetës së Çamërisë
Kur lexon veprën madhore të studiuesit Prof.dr.Selman Sheme, nuk mund të kapërcesh pa marrë me vete atë barrën e ankthit të njeriut me vetëdije kombëtare, se si është e mundur, të zhbëhet një krahinë e tërë, si është e mundur të zhvendosen një numër aq i madh i fshatarve me popullatë shqiptare, nëpër tronditjet historike të kohëve të ndryshme, në njërën anë, por edhe të marrësh me vete dhembjen e humbjeve njerëzore që shkakton kjo vetëdije për asimilimin e një pjese shumë gjallnore të popullit shqiptar, në anën tjetër. Vetëm lista e fshatrave që autori i ka sistemuar në kapitullin e dytë nuk të lë indiferent për humbjen e madhe që i ka shkaktuar historia popullit shqiptar nëpër tronditjet e shekujve, siç do të shprehej akademik Rexhep Qosja. Një humbje po kaq e madhe popullit tonë i është shkaktuar gjatë viteve 1877/1878, siç na është e njohur të gjithëve, edhe me gjenocidin serb mbi shqiptarët në Toplicën shqiptare dhe, zhbërjen e 714 fshatrave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, këtë krahinë shqiptare të cilën kurrë askush nuk e zë në gojë, as pushtetarët e as opozita e Republikës së Kosovës.
Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, kapitullin e parë e ka mbështetur kryesisht në dëshmitë arkeologjike, jo vetëm për të risjellë në kujtesën tonë dhe të kohëve ekzistencën dhe praninë në këto hapësira të elementit iliro-arbëror, siç thotë ai, por edhe përkatësinë e identitetit të këtyre dëshmive.

 

Do të thotë, një kronologji e mirëfilltë e pranisë së elementit arbëror që nga lashtësia e këndej, por një prani që është zhbërë nga ideologji fashiste të pushtuesve grekë, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ku prania çame vjen e zbehet deri në mosqenie.
Dilema e parë që ngacmon vetëdijën e lexuesit, në raste të këtilla, është ajo e pamundësisë për ta kuptuar përmasën e këtij gjenocidi dhe heshtjen e madhe të botës demokratike, sidomos kur është fjala për shqiptarët, apo për drejtësinë historike që u është mohuar shqiptarëve në vazhdimësi. Bëhet fjalë për 620 fshatra, pra 620 vendbanime, që nuk janë më pjesë e realitetit historik në jetën e shqiptarëve, por janë e do të jenë pjesë e dhembjes së përjetshme për humbjen e tyre, siç janë edhe pjesë e kujtimit të përjetshëm të brezave të tërë të shqiptarëve. Prania e këtyre vendbanimeve, nuk ishte në kohën e para Krishtit, pra para epokës së re, po ishin dëshmi të shekujve XIV-XV, siç i ka sistemuar të dhënat autori në Kapitullin e dytë.
Fakte që flasin për përkatësinë shqiptare të Çamërisë
Autori i veprës Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi i nderuar Prof.dr.Selman Sheme, ka qëmtuar me durim dhe me kujdes, thuajse shumicën e burimeve shkencore për të dëshmuar përkatësinë tjetër, të ndryshme nga ajo greke të popullatës çame, ose, siç thotë autori dhe studiues të tjerë të banorëve të Epirit.
Duke mbështetur mendimet e albanologëve të shquar gjermanë, studiues, që i kanë bërë nder jo vetëm shkencës albanologjike, por dijes evropiane në përgjithësi, sidomos për shqiptarët dhe Shqipërinë, siç janë Johan Tunman, i cili që më 1774 ka konstatuar se maqedonët e lashtë, epirotët dhe ilirët janë popuj të një trungu dhe flasin të njëjtën gjuhë.
Më tutje, këto dëshmi i çon më tej albanologu më i njohur gjerman, Johan Han, faktet e të cilit, studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, i konsideron të arriturën më të bindshme shkencore, jo vetëm për lashtësinë, por edhe për origjinën e përkatësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.
Studiuesi i tretë gjerman, Jakob Fallmerayer, i cili që në vitin 1857 deri më 1861 tri herë e boton veprën e tij shumë të veçantë, e sidomos të rëndësishme për studimin e çështjes së pranisë së popullatës çame në ato vise, Elementi shqiptar në Greqi, i kanë dhënë dorë autorit që të trajtojë bindshëm problemin e madh historik të Çamërisë.
Numri i autorëve të huaj dhe shqiptarë, arbëreshë dhe të tjerë që janë marrë me çështjen shqiptare, rrjedhimisht edhe me problemin çam, është i madh, që zë fill nga albanologët gjermanë të cilët i zumë në gojë e deri te Sami Frashëri ynë, që ishte edhe hartues i Programit të ideologjisë kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, janë dëshmi e mjaftueshme për të hetuar karakterin hulumtues të studiuesit Selman Sheme, si dhe të dhënat e shumta që ka sjellë në këtë vepër.
Këtu janë interesante të dhënat që ka marrë në shqyrtim nga folkloristi dhe entografi i njohur arbëresh, Antonio Bellushi, i cili studimin e tij për kulturën dhe venbanimet çame e ka botuar më 1994 në Kozencë të Italisë.
Autori i këtij studimi ka shkruar edhe vepra të tjera, që në taban kanë padrejtësitë historike që i janë bërë popullatës çame, siç është vepra e tij e botuar në Tiranë më 2005, Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike, (monografi), apo vepra tjetër, Hyrje në gjeografinë regjionale, botuar në Tiranë, më 2012, e kështu me radhë.
Struktura e veprës dhe ndërtimi i jetës çame
Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, siç është theksuar më sipër, veprën e tij e ka ndërtuar në 12 kapituj. Çështjet që janë trajtuar janë të shumta, për të mos thënë se kapin të gjithë përbërësit e ndërtimit të jetës së Çamërisë, që nga lashtësia deri në ditët tona. Duke ndërtuar strukturën e studimit të tij, autori ka pasur kujdes që të ndjek, siç thuhet, kronologjinë e rrjedhës historike të pranisë së Çamërisë në jetën shqiptare.
Mund të thuhet prandaj, në shtrirjen e saj, studimi i autorit Selman Sheme, ka përthekuar të gjitha periudhat kohore, duke e vënë theksin në përbërësit që janë dëshmi e mjaftueshme, historike, kronologjike, arkivore, shkrimore për praninë e Çamërisë në jetën historike të popullit shqiptar.
Kur thuhet në jetën historke, është marrë parasysh faktori i tërësisë gjeografike, gjuha dhe doket, trashëgimia e tërë nëpër periudha të caktuara kohore, nëpër kapërcylle shekujsh, që janë të përbashkët me ato çame.
Në secilin prej kapitujve, autori ka shtruar, ka analizuar dhe e ka mbështetur me fakte të burimeve të shumta të informacionit shkencor, çështje të caktuara të jetës së Çamërisë, duke filluar nga lashtësia e deri në ditët tona, por ato duke i shqyrtuar edhe me kritere të mirëfillta shkencore, pa ato animet folklorizuese, që aq shpesh e dëmtojnë mendimin e mirfilltë shkencor, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësitë e mëdha historike që i janë bërë popullit shqiptar nëpër shekuj.
Në të vërtetë, shumë çështje që ka trajtuar autori i këtij studimi të mirëfilltë, Selman Sheme, nuk e durojnë as anën folklorizuese të çështjeve, por as indiferencën që mëtojnë një dorë historianësh, gjoja në emër të paanësisë dhe të modernitetit.

Përfundim
Në veprën e tij të vëllimshme Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi Prof.dr.Selman Sheme ka shqyrtuar bindshëm edhe një aspekt të jetës së çamëve, doemos si të të gjithë popujve të tjerë që kanë pasur fatin e tyre. Aspekti që ka shqyrtuar autori, është mundësia e integrimeve rajonale, e cila ka vënë para dilemës së madhe shtetet kombëtare, për mënyrën e ruajtjes së përkatësisë së tyre. Por, kjo mundësi, siç është dhënë në kapitullin e njëmbëdhjetë të këtij studimi, ruan edhe kujtimet për vendin e të parëve, për vendin ku kanë qenë autoktonë, andaj kërkesat e tyre, sot (për fat të mirë) të përfillshme ndërkombëtarisht, përkufizojnë edhe mundësinë e shtrimit për zgjidhje të problemit të Çamërisë, sidomos në planin e integrimeve globale.
Duke vërejur me kujdes burimet e shumta që i kanë hyrë në punë autorit, Prof.dr.Selman Sheme, lexuesi bindet edhe për një fakt tjetër të madh, që është e kundërta e asaj që quhet veprim politik të shteteve që historia u ka bërë padrejtësi të këtilla, duke u dhënë të tjerëve pjesë të gjeografisë kombëtare të një populli, vetëm për të krijuar qetësinë e lëkurës së tyre, për të cilën askush nuk e di saktë se sa do të duhej të ishte e tillë. Përmbysjen e kësaj mendësie, të Evropës së djeshme e ka dëshmuar edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përmbysi robërinë dhe kolonializimin e fundit në Evropë, edhe Lufta Çlirimtare në Kosovën Lindore, e cila i dëshmoi botës se ato pjesë të gjeografisë sonë kombëtare janë të pushtuara, edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninën e sotme, e cila dëshmoi praninën e shqiptarëve në ato hapësira që nga lashtësia e këndej.
Si do të jetë e nesërmja e Çamërisë?
Sa kam kuptuar unë, nuk është shumë qartë, siç nuk është qartësuar edhe në të gjitha ato studime, historike, gjuhësore, etnografike, folklorike, gjeografike, gjeopolitike e të tjera, të cilat i ka shfrytëzuar për burime në veprën e tij, edhe autori i këtij studimi që po e përurojmë sot, studiuesi i mirënjohur Prof.dr.Selman Sheme.
Por, derisa gjumi i rrit fëmijët, siç ka thënë Plaku i Urtë i Pavarësisë sonë, Ismail Qemali, gjumi për popujt është vdekjeprurës. Shqiptarët, nëse u besohet veprimeve historike, në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzet e një, më në fund e kanë mësuar këtë shkollë të madhe të historisë – mosharresën e kujtesës historike!
Jufaleminderit për vëmendjen Tuaj!

Prishtinë, 3 maj, 2017
Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’ – Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SOLIDARNOSTI DHE LPK

SOLIDARNOSTI DHE LPK NGJASHMËRITË, DALLIMET DHE NDËRTHURJET NDËRMJET LËVIZJES SOLIDARNOST NË POLONI DHE LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS…