SHERADIN BERISHA: QËNDRESA E REXHEP MALËS – PËRBALLË TORTURAVE TË UDB’ës JUGOSLLAVE

Pashtriku.org, 11. 01. 2014: (Në 30 vjetorin e rënies së heronjëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha) – Rexhep Mala, u lind me 29 mars 1951 në Hogosht të Dardanës – nga i ati Mehmeti dhe e ëma Fahrije. rrjedh nga një familje me kushte mesatare ekonomike por me traditë atdhetare. Shkollën fillore e kreu në Hogosht, ndërsa Shkollën e mesme e ka nisur në gjimnazin e Gjilanit, por për shkak të organizimit të demonstratave të 27 nëntorit 1968 në këtë qytet, ai përjashtohet nga shkolla dhe dënohet për kundërvajtje, dhe pastaj detyrohet që Shkollën ta vazhdoj në gjimnazin e Preshevës, së bashku me Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj. Në vitin shkollor 1970/71 punoi si mësimdhënës në fshatin Marec, ndërkohë që ka vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Në vitin 1973 burgoset për herë të dytë, së bashku me Sami Dërmakun dhe Isa Kastratin, por kësaj radhe për kalim ilegal të kufirit Kosovë-Shqipëri. Me këtë rast Gjykata për kundërvajtje e Gjilanit, e dënon me 28 ditë burgim. Në vitin 1974, dënohet për herë të tretë, po ashtu për kalim ilegal të kufirit Jugosllavi-Austri. Ndërsa për herë të katërt arrestohet më 23 maj të vitit 1975 dhe denohet në grupin e Adem Demaçit me 9 vjet burg të rëndë. Rexha dënimin e mbanë në: Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë e në Mostar dhe më 23 maj 1983 lirohet nga burgu së bashku me disa shokë. Atë vitë ai kontakton me atdhetarin Nuhi Berisha, i cili në qershor (1983) ishte kthyer nga Zvicërra në Kosovë, dhe menjëherë e vazhdojnë aktivitetin e përbashkët kombëtar. Më 8 tetor 1983 (pasi bien në gjurmë të UDB’ës) kalojnë në ilegalitet deri në rënien (vrasjen) e tyre nga policia speciale, në natën e 11/12 janarit 1984 në një shtëpi – në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Përmbajtja e lëndës:
– Rexhep Mala truri i lëvizjes kombëtare;
– Kush mori pjesë në përgatitjen e gjykimit të intelektualëve patriotë, në vitet 1975 – 1976 ?!
– Cilët udbashë morën pjesë në torturimin e intelektualëve patriotë?!
– Përpara ekzekutimit të denimit në gjykatë, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli i bënë gjyqin politik Adem Demaçit me shokë!
– Kush mori pjesë në gjykimin e grupit të Adem Demaçit?
– Në vazhdën e këtij gjykimi mbahen edhe tri gjykime tjera
– Fahredin Gunga: ”Grupit irredentist, i vërtetuar si armik I popullit dhe i rendit tonë kushtetues, iu shqiptuan denime të merituara” (!!!)
– Çfarë torturash përdorte UDB-a në hetuesi ndaj të burgosurve shqiptarë ?!
– Si u torturua truri i lëvizjes kombëtare – Rexhep Mala nga udbashët gjakpirës?!
– Më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia.
– Rexhep Mala: „Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit Serbë jeni kriminelë…“
– Takimi i Rexhep Malës me nënë Fahrien në mes grilash!

***
(“Para së gjithash po ju them se ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit serbë jeni kriminelë dhe do të dënoheni herëdo kur në gjyqin e popullit! Gjithashtu po ju them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë!” – Rexhep Mala)

Rexhep Mala truri i lëvizjes kombëtare

Nuk është thënë rastësisht se Rexhep Mala ishte truri i aksioneve të lëvizjes kombëtare. Në vitin 1974 ai së bashku me Xhafer Shatrin dhe Xhavit Dërmakun formojnë celulën “treshe” në kuadër të organizatës “Grupi Revolucionar”, të cilën e drejtonte Kadri Osmani. Rexhepi me celulën e tij në vitin 1974 merr pjesë në shpërndarjen e trakteve në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Edhe pas burgosjes së Kadri Osmanit, Xhafer Shatrit, Binak Ulajt, Jashar Aliajt dhe të Metë Shatrit, Rexhep Mala nuk do të ndalet dot, vazhdon aktivitetin me përkushtim edhe më të madh. Kështu, më 6 e 7 korik 1974 Rexhepi së bashku me Hilmi Ramadanin do të shpërndajë trakte në fshatrat Topanicë dhe Hogosht. Në prag të mbajtjes së gjykimit kundër Kadri Osmanit me shokë, në dhjetor 1974 Rexhepi mori pjesë aktive në shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave kundër regjimit titist, në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Konkretisht Rexhep Mala me Hilmi Ramadanin, do të shpërndajnë afishe dhe do të shkruajnë parulla në konviktin nr.1 të qendrës studentore të UP. Aktivitetin e Rexhep Malës do ta ndërpresë vetëm arrestimi dhe burgosja e tij më 23 maj 1975.
Kush mori pjesë në përgatitjen e gjykimit të intelektualëve patriotë, në vitet 1975 – 1976 ?!
Dihet mirëfilli se nga maji deri në tetor 1975 regjimi i egër titist ndërmori një fushatë të gjerë arrestimesh në Kosovë dhe me këtë rast u burgosën dhjetëra intelektualë patriotë, dhe në mesin e tyre ishte edhe simboli i qëndresës kombëtare Adem Demaçi. A.Demaçi u arrestua me 6 tetor 1975 dhe kjo ishte burgosja e tretë e tij. Në organizimin e burgosjeve, hetimeve dhe në fund të procesit gjyqësor, kanë marrë pjesë të gjitha strukturat e pushtetit në Kosovë, duke filluar nga Komiteti i Lidhjes Komuniste të Kosovës e deri te mediumet në gjuhën shqipe dhe serbe /TV-të dhe gazetat), të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të UDB-së.

Trinomi komunist: Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe Xhavit Nimani me J.B.Titon.

Në këtë proces kundër intelegjencës atdhetare drejtpërdrejtë morën pjesë:
1. Fadil Hoxha, zyrtar i lart i LKJ-së;
2. Mahmut Bakalli, kryetar i Komitetit të LKK-së;
3. Mehmet Shoshi, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës;
4. Hasan Mehmeti, kryeshef i Sigurimit shtetëror (UDB-së) në Prishtinë;
5.Nazmi Juniku, sekretar Krahinor i Jurisprodencës dhe Administratës së Përgjithshme
6. Durak Jasharaj, gjykatës hetues;
7. Halil Kelmendi, prokuror publik;
8. Durmish Koçinaj, kryetar i trupit gjykues;
9. Shefqet Bytyqi, gjykatës;
10. Fehmi Gashi, gjyqtar porot;
11. Mileva Grujiqi, gjyqtare porot;
12. Hasan Berisha, gjyqtar porot;
13. Nazmije Krasniqi, procesmbajtëse në gjykim;
14. Fahredin Gunga, kryeredaktor i Radio Televizionit të Prishtinës;
15. Ali Olloni, gazetar i ”Zërit të rinisë”;
16. Isak Hasani, gazetar i “Rilindjes”.

– Cilët udbashë morën pjesë në torturimin e intelektualëve patriotë?!
Hetimet torturuese në këtë proces të montuar politikë i kanë kryer këta udba’shë:
1. Jusuf Karakushi
2. Pavle Jelisaviq
3. Mehmet Haskaj
4. Ibush Kllokoqi
5. Drago Dragojeviq
6. Muharrem Dana
7. Sllobodan Mijoviq
8. Asllan Sllamniku
9. Shefqet Hashani
10. Bafti Jakupi,
11. Svetisllav Dollasheviqi
12. Zenun Shala
13. Naip Hoxha
14. Refik Tashi
15. Metush Sadiku
16. Zejnullah Shala
17. Hasan Mehmeti
18. Shefqet Obria
19. Faik Nura
20. Rajko Çalloviqi
21. Metë Kuqi
22. Ramçe nga Prizreni ….etj

Përpara ekzekutimit të denimit në gjykatë, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli i bënë gjyqin politik Adem Demaçit me shokë!
Para se të nis gjykimi, fillimisht atdhetarëve në krye me Adem Demaçin i bëhet një gjyq politikë.
– Fadil HOXHA – ish-zyrtar i lartë i LKJ-së, pak ditë para se të fillonte procesi i gjykimit kundër Adem Demacit dhe dhjetra veprimtarëve të tjerë, do të deklarojë:”…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar,e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh,Veç për të keq e hajni”. (Rilindja, 23.12.1975, fq.5)
– Ndërkaq Mahmut BAKALLI – kryetar i atëhershëm i Komitetit Krahinor të LKJ-së, në një mbledhje në Kaçanik më 13 janar 1976, thotë: ”Irredentizmi shqiptar në versionin e tij të ri përpiqet të paraqitet në petkun e ideologjisë dogmatike staliniste, por karakteri reaksionar dhe qëllimet e tij mbeten të njejta. Sikurse nuk ka mundur të depërtojë në masat shqiptare atëherë kur u paraqit në formë balliste – fashiste shqiptaromadhe, irredentizmit shqiptar nuk do t´i shkojë për dore të depërtojë as tash kur përpiqet të mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist. (…) Në këtë baza irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin denime shembullore”. (Rilindja, 14 janar 1976)

Kush mori pjesë në gjykimin e grupit të Adem Demaçit?

Dhe vërtet porosia e Mahmut Bakallit shkojë në vend. Më 7 shkurt 1976 (pas shtatë ditë gjykimi) Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në procesin gjyqësor të kryesuar nga gjyqtari i deleguar nga Prizreni Durmish Koçinaj (pikërisht i deleguar nga Mahmut Bakalli): me gjykatësit:
– Shefqet Bytyqi,
– Fehmi Gashi,
– Mileva Grujiqi dhe
– Hasan Berisha, me pjesëmarrjen e
– Nazmije Krasniqit si procesmbajtëse, në çështjen penale të ngritur nga prokurori publik:
– Mr.Halil Kelmendi,

në bazë të nenit 117 al.1 e 2 të KP dhe nenit 100 e 101 al.1 të KPJ-së, në «emër të popullit» shpalli aktgjykimin P.nr.239/75 prej 89 faqesh.
Me këtë rast u denuan:
1. Adem Demaçi, me………………….15 vjet burg të rëndë,
2. Skënder Kastrati, me………………12 vjet burg të rëndë,
3. Hetem Bajrami, me……………….. 7 vjet burg të rëndë,
4. Hasan Dërmaku, me…………….. 10 vjet burg të rëndë,
5. Osman Dumoshi, me……………. 7 vjet burg të rëndë,
6. Rexhep Mala, me…………………. 9 vjet burg të rëndë,
7. Selatin Novosella, me…………… 7 vjet burg të rëndë,
8. Ilaz Pireva, me…………………….. 7 vjet burg të rëndë,
9. Fatmir Salihu, me………………… 7 vjet burg të rëndë,
10. Xhavit Dërmaku, me………….. 9 vjet burg të rëndë,
11. Sherif Masurica, me…………… 7 vjet burg të rëndë,
12. Sami Dërmaku, me……………. 6 vjet burg të rëndë,
13. Zijadin Spahiu, me…………….. 5 vjet burg të rëndë,
14. Isa Kastrati, me…………………. 6 vjet burg të rëndë,
15. Ahmet Hoti, me ………………… 6 vjet burg të rëndë,
16. Njazi Korça, me………………… 6 vjet burg të rëndë,
17. Irfan Shaqiri, me……………….. 7 vjet burg të rëndë,
18. Hilmi Ramadani, me ………….. 5 vjet burg të rëndë,
19. Nazim Shurdhani, me………….. 4 vjet burg të rëndë.

(Nga aktgjykimi: P.nr.239/75, 7 shkurt 1976)

Në vazhdën e këtij gjykimi mbahen edhe tri gjykime tjera:

Pas këtij gjykimi, mbahen edhe tri gjykime tjera, të cilat padyshim konsiderohen si vazhdimësi e këtij procesi gjyqësor…
( I )
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me trupin gjykues të përbërë nga gjyqtari Shefqet Bytyqi, kryetar i trupi dhe gjyqtarëve porot Dushan Dimitrije e Ajet Fazliu, anëtarë të trupit gjykues, me pjesëmarrjen e Xhemajl Sahitit, si procesmbajtës …, për shkak të veprës penale propagandë armiqësore nga neni 118 al.1 të KP në bashkëveprim, duke vepruqar sipas aktakuzës së prokurorit publik të qarkut në Prishtinë PP-nr.91/75 të datës 28 gusht të vitit 1975, pas seancës kryesore publike të mbajtur më 18, 19, 20, 21 e 22 shkurt të vitit 1976, në pranin e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre si dhe përfaqësuesit të akuzës publike – zëvendësprokurorit publik të qarkut Mr.Halil Kelmendit, muar dhe me 23 shkurt 1976 publikisht në «emër të popullit» shpalli Aktgjykimin, dhe u denuan:
1. Adem Rukiqi, me……………………..9 vjet burg të rëndë,
2. Bektesh Rudhani, me……………….. 6 vjet burg të rëndë,
3. Tafë Rukiqi, me………………………6 vjet burg të rëndë,
4. Ymer Rukiqi, me……………………..2, 6 muaj burg të rëndë,
5. Arif Rukiqi, me……………………….1, 6 muaj burg të rëndë,
6. Zydi Bilalli, me……………………….3 vjet burg të rëndë,
7. Bislim Bajraktari, me…………………4 vjet burg të rëndë,
8. Xhevdet Nasufi, me…………………. 2, 6 muaj burg të rëndë,
9. Idriz Mehmeti, me……………………1, 6 muaj burg të rëndë,
10. Sadullah Zeqiri, me……………….. 2, 6 muaj burg të rëndë,
11. Ajet Rukiqi, me……………………..4 vjet burg të rëndë,
12. Adem Pavataj, me…………………. 2, 6 muaj burg të rëndë,

(Nga aktgjykimi P – nr.183/75, më 23.II.1976, fq. 6 dhe 7)
( II )

– Më 16/17 mars 1976 në Gjyqin e Qarkut në Vranjë të Serbisë, nën kryesimin e gjykatësit Radomir Gjorgjeviq dhe prokurorit publik Radisav Stojanoviq, në bazë të nenit 117 al.1 në lidhje me nenin 100 dhe 101 të kodit penal të Jugosllavisë, «në emër të popullit» denohen:
1. Jetullah Arfi, me………………….. 12 vjet burg të rëndë,
2. Fazli Abdullahu, me……………….. 6 vjet burg të rëndë.
(Nga aktgjykimi K.nr.101/75, më 17.III.1976, fq.3)
( III )
– Dhe në gjykimin e tretë, të mbajtur poashtu në Vranjë, nën kryesimin e gjyqtarit Dushan Mitroviq dhe prokurorit Radisav Stojanoviq, në bazë të nenit 118 al.1 të KPJ-së, « në emër të popullit » denohen:
1. Qamil Nuhiu, me…………………… 4 vjet burg të rëndë,
2. Selajdin Nuhiu, me……………….. 1, 6 muaj burg të rëndë.
(Nga aktgjykimi K.nr.4/76, më 19.III.1976, fq.2)

Fahredin Gunga: ”Grupit irredentist, i vërtetuar si armik I popullit dhe i rendit tonë kushtetues, iu shqiptuan denime të merituara” (!!!)
Pas shpalljes së aktgjykimit kundër grupit të Adem Demaçit dhe dhjetra atdhetarëve tjerë, RTP-ja gjegjësisht kryeredaktori i këtij mediumi Fahredin Gunga bëri një Koment televiziv me titull “Dënime të merituara”:
(Një fragment i komentit)
”Siç u pa nga aktgjykimi i Gjyqit të Qarkut të Prishinës, grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetutar,iu shqiptuan denime të merituara.Opinioni ynë, klasa punëtore dhe të gjitha kombet dhe kombësitë e Kosovës, e posaçërisht kombësia shqiptare, i dha këtij aktgjykimi përkrahje të plotë,i dënoi dhe do t´i dënojë vazhdimisht, duke shprehur indinjatën dhe urrejtjen, ashtu siç i ka gjykuar, denuar dhe mposhtur të gjitha llojet e tjera të veprimtarisë armiqësore dhe bartësit e tyre. Pas shqiptimit të denimeve të merituara, ky grup as që meriton të mirret ngojë, sepse u pa haptas se e përbën një grup nacionalistësh dhe shovinistësh, të cilët popullit të vet deshtën t´ia çelin humnerën e re të mashtrimit historik. Është fjala për pozitat reaksionare të grupit të përmendur, të veshur demagogjikisht nën petkun e ideologjisë, gjoja marksiste – leniniste. Ai duke e shpërdoruar pikërisht lirinë e plotë dhe barazinë në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse, u përpoq t´i paraqitet popullit shqiptar gjoja dishepull shpirtëror kombëtar. Kjo na bëri që të zbërthejmë edhe një herë se ç´është në të vërtet irredentismi shqiptar dhe çka kërkon ai në mesin tonë. Esenca, pretendimi dhe qëllimi i parë i irredentizmit tek ne është shkatërrimi i Jugosllavisë si shtet, si sistem marrëdhëniesh socialiste vetëqeverisëse, si bashkësi e kombeve dhe kombësive, (…) Petku i tij dogmatiko-stalinist, frazat në emër të gjoja marksizëm-leninizmit, aspak nuk i vuri perde esencës dhe qëllimit të tij thellësisht reaksionar antimarksist, antisocialist dhe antishqiptar. (…) Prandaj, çdo tentativë e armikut, sikurse edhe e këtij irredentist, do ta luftojnë si thellësisht reaksionare imperialiste dhe hegjemoniste, të ngarkuara me orekse për thyerjen e unitetit,integritetit dhe pavarësisë së Jugosllavisë socialiste.”

Një artikull i ngjashëm me komentin e z.Gunga, por me titull tjetër: ”U denua grupi armiqësor irredentist” u shkrua nga Isak Hasani në gazetën ”Rilindja” dhe Ali Olloni në gazetën ”Zëri i Rinisë” të datës, 14 shkurt 1976, fq.7.
Çfarë torturash përdorte UDB-a në hetuesi ndaj të burgosurve shqiptarë ?!
UDB-a gjatë procedurës së hetimeve ndaj të burgosurve politik shqiptarë ka ushtruar tortura të tmerrshme fizike dhe psikologjike.
Cilat ishin ato tortura?!
Torturat fizike
Nga metodat e torturës fizike u aplikuan:
1. Rrahja sistematike ose falanga – Gjatë tërë kohës viktima torturohet me shkopinj gome, shufra hekuri ose tela etj në shputat e këmbëve etj.
2. Tortura seksuale – është ushtrim i dhunës së dtrejtpërdrejtë në organet gjenitale me anë të goditjeve elektrike në këto organe.
3. Tortura elektrike – ishte një nga llojet e torturave më të tmerrshme. Elektrodat vendoseshin në pjesët më të ndjeshme të trupit, si: në veshë, në gjuhë, në mish të dhëmbëve, në mollëza të gishtrinjëve, në organe genitale etj.
4. Djegia – bëhej me anë të cigares apo me hekur të nxehtë. Përveç kësaj ekzistonte edhe një metodë tjetër e djegjes që quhej ”Pjekja”, kur i burgosuri vishej me një skarë hekuri dhe me anë të rrymës elektrike nxehej gradualisht.
5. Tortura e mbytjes – Koka e viktimës zhytej në ujë të ndotur me jashtëqitje, urinë dhe ndytësira tjera, derisa të fillonte mbytja, apo humbja e ndjenjave dhe reflekseve fizike….!!!
6. Gjymtimi – si torturë mund të kishte disa forma. Të tilla ishin: Viktimës i shkuleshin flokët, mjekra, i hiqeshin thonjtë, i preheshin pjesë të ndryshme të trupit si prerja e veshëve e gjuhës etj
7. Tortura dentare – Udbashët me godtije të rënda ose më dana dhe teknik joadekuate viktimës ia thenin ose nxirrnin dhëmbët e shëndoshë.
8. Tortura farmakologjike – Torturuesi e detyronte viktimën të gëlltiste barna ose i jepnin injeksione të rrezikshme për shëndetin e tyre.
9. Varja palestineze – ishte një formë torture kur viktima mbahej me krahët prapa me orë ose ditë të tëra. Gjatë kësaj torture përdorej edhe tortura elektrike (elektroshoku) në pjesët e ndjeshme të trupit.
Torturat psikologjike

– Tortura psikologjike ishte një metodë që shkatërronte personalitetin dhe dinjitetin e të burgosurit. Gjatë torturës, sipas shumë deklaratve të të burgosurve, udbashët kanë përdorur disa lloje metodash të troturës psikologjike, si:
1. Privimi ose rraskapitja – Viktima privohej nga gjumi, kontaktet me njerëz tjerë (siç ishte rasti me Skënder Kastratin i cili 11 muaj u izolua nga çdo gjë), nga drita, nga tingujt e muzikës, nuk e linin të pastronte trupin apo të shkonte në toalet etj; Me ditë të tëra e linin pa gjumë etj.
2. Kërcënimi – Të burgosurit kërcënoheshin se do t´i torturonin, do t´ua kidnaponin familjen, do t´ua masakronin fëmijtë… Shumë të burgosur nga burgjet kërkonin që të distancohej familja nga ata,ose nga gratë e tyre kërkonin që të shkurorëzoheshin (siç ishte rasti me Adem Demaçäin e shumë të tjerë).
3. Tortura kolektive – gjatë hetuesisë udbashët shpeshherë e përdorinin këtë lloj metode. I fusnin me një dhomë shumë të burgosur dhe i rrahnin deri në alivanosje para të tjerëve. Ashtu të rrahur ka ndodhur t´i ekspozonin edhe para anëtarëve të familjes (siç ishte rasti me Hydajet Hysenin…). Qëllimi i torturuesit ishte përkulja apo thyerja e dinjitetit njerëzor të viktimës; Gjatë hetuesisë ndajt të burgosurve e sidomos ndaj Metush Krasniqit (të cilit edhe pse ishte në qeli ia vunë prangat e herkurta 25 kg. të rënda), kohë pas kohe i lëshonin minjë të mëdhenj për ta kafshuar trupit dhe për ta tmerruar e thyer psiqikisht.
4. Poshtrimi – Të burgosurit fyheshin rëndë nga udbashët, i fyenin të dashurit e tyre. I detyronin të flisnin gjëra poshtruese për të afërmit e tyre etj.

Si u torturua truri i lëvizjes kombëtare – Rexhep Mala nga udbashët gjakpirës?!
Torturuesit e atdhetarit dhe trurit të Lëvizjes kombëtare Rexhep Malës me shokë, në vitin 1975/76 ishin udbashët gjakpirës:
– Asllan Sllamniku,
– Muharrem Dana,
– Faik Nura e shumë të tjerë që u përmendën më lartë.

Në ballafaqimin e parë në ambientet e UDB-së, udbashi Asllan Sllamniku e pyet Rexhep Malën (Shpëtim Gurin-pseudonim i i tij):
– ”Ti je Shpëtim Guri a?”
– “Po” – i thotë Rexhepi.
Duke u zgërdhirë si qenë Asllan gjakëpirësi i thotë:
– ”Nëna në shtëpi e bënë miellin bukë, e ne këtu e bëjmë bukën miell! Mbaje mend këtë!”
Dhe vërtet udbashët e sojit të Sllamnikut përdorën torturat më të tmerrshme ndaj Rexhep Malës dhe shokëve të tij, mirëpo Rexhepi nuk u dorëzua për asnjë moment para xhelatëve, ai qëndroi stoik dhe i pathyeshëm.
Rexhep Mala: “Më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia”.
Rexhep Mala, torturat e udbashëve të pamëshirshëm, gjatë procesit hetimor – i përshkruan si vijon: –
“Në përgjigjen time të parë ”nuk e di” kërciti grushti në barkun tim, më ranë me shqelm, filloi njëri të më bjerë duarve e pastaj trupit. Pasi u lodh, punën e tij e vazhdoi tjetri. Nga të rënat fytyrës, m´u qanë buzët dhe më shpërtheu gjaku për hunde e goje. Nuk më linin as të merrja frymë. Më çuan shpejt e shpejt në tualet të ma pastronin gjakun nga fytyra e rrobat dhe më kthyen prapë. Më rrëzuan në dysheme, më urdhëruan të zbathi këpucët dhe çorapet. „Ta shohim tash në fallak se si do të përdridhet“ – tha hetuesi. Menjëherë e kuptova. E dija se ç´është falllaku. Këtë metodë e kishin përdorur që në kohërat e lashta dhe inkuizicionet e Kishës. Filluan të më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia. Kjo ishte edhe për atë punë e vështirë fizike edhepse e bënin me ëndje të posaçme. Lodheshin dhe shkumbinin si kuajt. Por, ata kishin një përparësi, sepse sa lodhej njëri, menjëherë e zavendësonte tjetri dhe kështu me radhë. Në dy mënyra më goditni shputave, ndonjëri më binte vetëm në njërën këmbë nga 15-20 ”pendrek” e pastaj po aq në tjetrën, e prapë këmbës tjetër dhe kështu gjersa lodheshin.

– Punim i ish të burgosurit Sylë Mujaj –

Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova. Donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çerlura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, grushtave e kërbaçeve dhe bërtima e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët tjerë, 6 – 7 vetë, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri dhe të gjithë me radhë ose edhe bashkarisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese se sa kur dëgjoheshin gjëmat e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri,duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre personal mbi ne. (…) Shtazaraku Asllan Sllamniku, bëhej gjoja human, dhe i thoshte atij që më përplaste kokën për muri: ”Mos kokën, kij kujdes se mos po e lëndon”, kuptohet me sy ia bënte të më godas edhe më shumë. Dhe ky përgjigjej: ”Pse kujdes? Këtyre duhet t´ua çajmë kokën”dhe më përplaste kokën edhe më tepër. Më kapnin për organe gjenitale dhe më bërtisnin në fytyrë: ”Kemi me të tredhë dhe më shtërngonin gjersa alivanosesha. Ujin e mbanin çdo herë gati, që kur të më binte të fikët të më hidhnin ujë fytyrës dhe trupit, dhe menjëherë do të vazhdonin punën. Më fyenin me sharjet më të ndyta, më ofendonin, më përqeshin, më pështynin. Ishin këto poshtrime të rënda, por e dija se duhej t´i duroja.
Rexhep Mala: „Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit Serbë jeni kriminelë…“
Pas shumë torturave, ditë e netë me radhë, duke qenë i bindur se mund ta mbysnin, Rexhep Mala u thotë udbashëve se ka vendosur t´i pranojë të gjitha, me kusht që ta lënë dy – tri ditë të pushojë në qeli. Këtë kohë e kërkon për ta marrë sadopak veten, në mënyrë që të jetë në gjendje t´i përballojë më lehtë torturat e radhës. Pas tri ditëve e marrin Rexhepin nga qelia, tubohen shumë hetues dhe tashmë presin rrëfimin e tij. Rexhepi u thotë katilëve udbash se do t´i tregojë të gjitha, me kusht që të mos e pengonin gjatë rrëfimit të tij. Me këtë rast sypatremburi Rexhep Mala ju drejtohet me fjalët: “Para së gjithash po ju them se ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit serbë jeni kriminelë dhe do të dënoheni herëdo kur në gjyqin e popullit! gjithashtu po ju them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë!” Pas këtyre fjalëve udbashët gjakatarë rexhepin e lidhin dhe e torturojnë deri në alivanosje. Jo rrallë të burgosurit e torturuar mizorisht ashtu sikurse është torturuar Rexhep Mala, nuk kishin mundësi që të shkonin me këmbët e veta nga zyrat e UDB-ës deri në qeli, dhe tërhiqeshin zvarrë nga hetuesit barbarë.
Takimi i Rexhep Malës me nënë Fahrijen në mes grilash!
Edhe pse i rrahur e i dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht nga udbashët e pashpirt, Rexhep Mala në takimin e parë me nënën e tij…,në mes grilash (i përcjellur nga udbashët), nuk tregoi as ligështinë më të vogël, përkundrazi qëndroi stoik, dinjitoz e i pathyeshëm. Ja si e përshkruan Rexhep Mala këtë takim mjaftë prekës,me nënën dhe anëtarët tjerë ta familjes.
“Të gjithë të burgosurit tjerë kishin të drejtë nga 10-15 minuta vizitë një herë në dy javë. Por unë dhe shokët e mi jo. Neve nuk na lejonin të na vizitonte askush. Na i lejonin vetëm rrobat dhe ca gjëra ushqimore. (…) Pas disa muajsh nga presioni dhe këmbëngulja e familjes për të më parë,më në fund ma lejuan vizitën. Kur më thirrën nuk e dija se ku më çonin. Për vizitën më njoftuan vetëm kur më futën në vendin e caktuar për takime me anëtarët e familjes. Ky vend ishte i ndarë me rrjetë të hekurt e të lartë gjer në tavan. (…) Aty ishin disa udbash dhe gardianë. Një udbash dhe dy gardian më rrinin anash që të kenë mundësi të shihnin sa më mirë se çka do të flasin dhe si do të sillen ata që kishin ardhur në vizitë. Nëna posa më pa, u zgjatë mbi hekurin dhe i futi gishtrinjtë në rrjetin që së paku t´i prekë gishtrinjtë e mi. Por nuk mundja t´ja zgjas dorën,jo pse frikohesha, por pse nuk doja që nëna të m´i shohë duart e mia të enjtura e të bëra çivit nga torturat. Shpejt e shpejt i vura duart në hekurin para vetes, gjoja të them se është e ndaluar. U përshëndetëm kështu përmes rrjetit, i pyeta si janë të shtëpisë dhe pa u bërë një minut e gjysmë na urdhëruan të përshëndetemi, se vizita ishte kryer. Nuk arrita as t´i shoh mirë dhe as t´i pyes për të gjithë njerëzit e shtëpisë. Megjithatë ishte i sigurt se të mitë (familjen) nuk i ka befasuar kjo egërsi fashiste, sepse ata qysh herët e kanë mësuar dhe e kanë përjetuar në kurrizin e tyre urrejtjen shoviniste të serbomëdhenjëve”.
___________________
Literatura e shfrytëzuar:
– Selatin Novosella: “Kosova ´75”, Prishtinë 1995;
– Dr.Sabile Keçmezi – Basha: “Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë (1981 – 1989), Prishtinë 2003;
– Rexhep Mala: “Qëndresa” Kujtime, Gjilan 2002.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura