IBISH NEZIRI: NË VEND TË PËRKUJTIMIT PËR DËSHMORIN E KOMBIT XHEMAJL FETAHAJ

(Pashtriku.org, 31. 05. 2012) – U bënë 13 vite nga rënia në fushë të nderit. Ndërkaq, unë ka vite që e ndjej në shpirt si një borxh, si një detyrim që para bashkëkohanikëve të mij ta nxjerr dhe për gjeneratat që vijnë ta lë të ndriquar figurën e një veprimtari të paepur të çështjes kombëtare, që ishte më shumë se veprimtar dhe anëtar i organizatave ilegale i viteve të 80’ta dhe 90’ta që vepruan në Kosovë e jashtë saj, i një pajtuesi gjaqesh dhe të një ushtari që ishte më shumë se ushtar, XHEMAJL FETAHAJT.
Kaluan disa vite që unë përpiqem ta ndriçoj këtë figurë madhore të historisë sonë më të re dhe edhe përkundër përpjekjeve të mia ende nuk ia kam dalur. Kam kontaktuar shumë shokë të Xhemajl Fetahajt. Diken drejtëpërdrejt e dike për mes telefonit. Ndonjëri syresh ka dhënë pjesë nga kujtimet e veta e ndonjëri ka premtuar. Kam shkruar edhe shumë E-Maile me lutjen që t’i shpalosin kujtimet e veta për Xhemën dhe të m’i përcjellin. Kam bërë edhe shumë telefonata dhe kam shkruar mesazhe të shumta me kërkesën e njëjtë. Nuk kam dashur asnjërin ta përjashtoj. Asnjëri syrësh nuk më ka thënë jo. Që të gjithë më kanë thënë: „Gjithësesi!“

__________________________

Do t’i kesh për një javë, për dy apo për tri javë dhe këto premtime janë shoqëruar edhe nga shumë lëvdata „për punën e mirë“ që po e bëkam. Unë për të mos iu bërë presion iu kam thënë se keni edhe më shumë kohë. Por koha kalonte. Disave madje për të dytën herë iu kam telefonuar dhe shkruar. Diken që më ka kërkuar vetëm 7 ditë kohë, pas tre muajsh e kam pyetur se sa ditë i ka java dhe kanë qenë dhjetëra arsyetime për vonesën dhe gjithnjë telefonatat kanë përfunduar me: „Shumë shpejt do t’i kesh“ Kam pritur dhe kam pritur.
Punën e kryer njëherë përsëri e kam marrë nëpër duar, e kam lexuar e rilexuar. Diku e kam rregulluar ndonjë pikë e diku ndonjë presë. Të shumtën edhe ndonjë fjali. Dalja në terren për t’i takuar drejtpërdrejtë ata që iu kam shkruar, për mua ishte e pakapshme, ndërkaq E-Mailat që i prisja nuk vinin që nuk vinin. Ata as sot nuk kanë ardhur në adresën time. Madje edhe jam pyetur nëse kam autorizim nga familja për të shkruajtur për Xhemajl Fetahajn, dhe unë, si unë…
Unë nuk i marrë leje kujt për të shkruajtur për dëshmorët e atdheut, për dëshmorët e kombit. Dëshmorët nuk janë më të familjeve, ata janë pasuria jonë e përgjithshme, janë tonët, të gjithë neve, janë nderi jonë, por unë nuk e dij sa ne jemi të tyre.
Xhemajl Fetahaj nuk është më në mesin tonë.
Ai është flijuar për të gjithë neve, për ATDHEUN, për KOMBIN…
Kurse ne çfarë bëjmë për të?
Na dhimbsen t’i sakrifikojmë qoftë edhe dhjetë apo 15 minuta kohë nga ajo që e kalojmë me muhabete në Facebook apo në MSN, për t’i shpalosur kujtimet për Xhemajl Fetahajn. Për t’i shpalosur kujtimet të cilat mbase edhe nuk i kemi.
Nganjëherë më duket se vetëm sa për të thënë shumë veta kanë thënë „e kam shok“, apo „kam qenë shok i Xhemajl Fetahajt.“ Ca të tjerë pasi e kanë hapur telefonin dhe janë njoftuar për qëllimin e thirrjes kanë filluar: „Unë e Xhema….“ dhe gjithësesi uni në vend e në rend të parë, e pastaj Xhema dhe biseda shumë shpejt ka përfundur përsëri me „shumë shpejt do t’i kesh!“

Familja e Xhemajlit : Besa me fëmijtë Erzën dhe Arianin.

_____________________________________

Gjatë punës sime për ta ndriçuar këtë figurë shpeshherë kam bëlbëzuar mes dhëmbësh: „Sa njeri me fat Xhemajl Fetahaj! Njeri me fat sepse është dëshmor i atdheut, dëshmor i kombit“, por shumë shpejt dëshmorët e kombit i quaja njerëz fatkëqinjë, njësoj sikur i pat quajtur gjatë bisedës pikërisht për Xhemën edhe një gjeneral gjirokastrit, i cili luajti rol të madh në luftën e UÇK’së. „Janë njerëz fatkëqinjë dëshmorët e kombit sepse nuk mund të ngriten nga varret dhe t’u thonë shumë vetave: „Oreeee, për ty nuk e kam qitur as hapin më të vogël. Nuk kam lëvizur fare vendit, por kam lëvizur dhe kam rënë për atdheun!“ T’u thotë shumëve që sot thirren si shokë të tyre: „Ti as nuk ke qenë e as nuk je shok imi, ti po gënjen…!“
Libri për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj do të shkruhet dhe figura e tij do të ndriçohet, por ndoshta këtë herë jo e tëra, sepse po na dhimbsen vetëm pak nga minutat që i kalojmë kafeneve, FB’ve dhe MSN’ve, apo në bisedat rrahagjokëse, për ta thënë atë që kemi për ta thënë për Xhemën. Do të mbetet shumëçka pa u thënë. Madje do të mbeten edhe kapituj të pashkruar, kapituj që do të shkruhen më vonë, kapituj të cilët Xhemajl Fetahaj i shkroi me punën e vet, me jetën e vet, me gjakun e vet… E pastaj… përsëri Xhemajl Fetahaj do të jetë shok i aq shumë „shokëve.“ Ai do të jetë shok yni!
Dhe unë deri sa punoj në librin për Xhemajl Fetahajn, ndihem pothuajse tërësisht i vetmuar. As Xhema dhe dëshmorët tjerë hiq më pak nuk janë të vetmuar, por ata janë shumë dhe janë bashkë. Të gjithë së bashku gjenden në çdo pëllëmbë të atdheut, në palën e flamurit, krahë shqiponje, në rreshtin e gjatë të të pavdekshmëve, në kujtesën e popullit si roje të përjetshme të atdheut, në këngët dhe baladat që populli i krijoi për ta dhe i ruan me shumë kujdes, me shumë dashuri!

 – Autori Ibish Neziri, përkundër vështirësive të shpërfaqura në këtë shkrim, ka arritur ta ndriçoj figurën emblematike të Dëshmorit të Kombit Xhemajl Fetahaj. Libri i tij tashmë është në procesin e finalizimit dhe brenda një kohe pritet të botohet. (Pashtriku.org)

_________________________________

SHIKONI DOKUMENTARIN:

______________________________________

DËSHMORI I KOMBIT XHEMAJL FETAHAJ

_________________________________________
 (ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura