SHERADIN BERISHA: ROLI I SHTYPIT SHQIPTAR NË BASHKIMIN KOMBËTAR

(Pashtriku.org, 20. 10. 2012) – Idetë përparimtare e demokratike të shtypit luajtën një rol të madh për përgatitjen ideologjike e politike të popullit shqiptar në luftën për bashkimin dhe për çlirimin kombëtar të vendit. Hapat e parë shtypi shqiptar i hodhi me daljen e organit mujor “Fiamuri i Arbërit” që filloi të botohej në Kalabri në vitet 1883-1887, në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës? Një rëndësi të madhe në jetën politiko-kulturore të vendit pati botimi në Stamboll, me nismën e Sami e Naim Frashërit, i revistës mujore “Drita” e më vonë “Dituria” (1884-1885).

JERONIM DE RADA (1814-1903)

…………………………………………..

Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX botohen organe të reja të shtypit shqiptar, që luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Në kushtet e regjimit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, gazetat dhe revistat shqipe nuk mund të botoheshin në Shqipëri, prandaj nxirreshin jashtë në kolonitë shqiptare të mërgimit. Shumica e tyre nxirreshin në gjuhën shqipe, disa ishin dygjuhëshe. Nga këto më të rëndësishme ishin: “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços; “Shqipëria” (Bukuresht, 1897-1898), nën drejtimin e Visar Dodanit dhe Jorgji Meksit, si organ i shoqërisë “Dituria”; “Albania” (Bruksel e më vonë në Londër, 1897-1909), nga Faik Konica; “Kalendari kombiar” (Sofje, 1897-1915), që botohej si organ i shoqërisë “Dëshirë”, në fillim nën drejtimin e Kristo Luarasit e Kosta J. Trebickës dhe më pastaj të Mithat Frashërit (Lumo Skëndos); “Drita” (Sofje, 1901-1908), nën drejtimin e Shahin Kolonjës; “Besa-Besën” (Kajro, 1900-1904), nga Milo Duçi; “Albania” (Beograd, 1902-1905), nga Jashar Erebara; “Shpnesa e Shqypnisë” (Raguzë, Trieste e Romë, 1905-1908), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt; “Kombi” (Boston, 1906-1908), nga Sotir Peci; “Shqipëria” (Kajro, Magaga, 1906-1908); “Pellazgu” (Kajro, 1907); “Shkopi” (Kajro, 1907-1908) etj. Megjithëse nuk botoheshin në Shqipëri, ato me rrugë e me mjete të ndryshme përhapeshin edhe në atdhe, ku kalonin dorë më dorë e lexoheshin me etje të madhe. Një popullaritet të veçantë gëzonte gazeta “Drita” e Sofjes, e cila më 1904 kishte një tirazh prej 670 kopjesh. Kjo i detyrohej në radhë të parë përmbajtjes atdhetare të artikujve që botoheshin në këtë gazetë. Gazeta “Shkopi” kishte një tirazh edhe më të madh, 900- 950 kopje në vitet 1907-1908.

…………………………………………

Duke çmuar rolin e organeve të shtypit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, disa nga Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht Austro-Hungaria, që u tregua më aktive në këtë drejtim, duke shfrytëzuar edhe vështirësitë financiare të botuesve të tyre, u premtuan shoqërive atdhetare të mërgimit dhe personaliteteve kombëtare që drejtonin organet e shtypit shqiptar subvencione financiare, me kusht që veprimtaria e tyre të mos shtrihej në fushën politike, të mos cenonte status quo-në në Perandorinë Osmane dhe pushtetin e sulltanit në Shqipëri.
Shumica e organeve të shtypit shqiptar e botuesit e tyre i qëndruan këtij presioni të shteteve të huaja e sidomos të Vjenës dhe, megjithëse hiqnin vështirësi të mëdha financiare, e vijuan veprimtarinë e tyre të pavarur politike. Ndërkaq, Faik Konica e pranoi ndihmën financiare të Vjenës, me kushtet e vendosura prej saj dhe në pajtim me to hyri, në dhjetor të vitit 1897, në një lloj marrëveshjeje me Ministrinë e Jashtme të Austro-Hungarisë. Faik Konica e bëri këtë, sikurse e pohon edhe vetë, i nisur nga vështirësitë financiare, por edhe pse mendonte se Shqipëria nuk mund të zhvillohej pa ndihmën e jashtme, se kjo do të ishte një rrugë për të përballuar rrezikun italian që e quante më real dhe më në fund për ta bërë Vjenën “të palëkundur në përkrahjen e Shqipërisë”. Megjithatë, ky qëndrim i Faik Konicës u kritikua atëherë nga një pjesë e mirë e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare që mendonin ndryshe nga ai.
Pas katër numrave të parë të revistës “Albania”, që Faiku i nxori në mënyrë të pavarur, pa ndonjë subvencion, në shkrimet e mëpasshme u ndje ndikimi i kësaj “marrëveshjeje”, si në përkrahjen nga ky organ të politikës së Vjenës, ashtu edhe në zbutjen e qëndrimit ndaj sulltan Abdyl Hamitit e Perandorisë Osmane. Megjithatë, Faik Konica me revistën e tij përgjithësisht u gjend edhe pas kësaj në të njëjtën hulli si rilindësit e tjerë, iu kushtua luftës për përparimin kulturor të popullit shqiptar, për ngritjen e ndërgjegjes së tij kombëtare, duke pasur si synim ta përgatiste atë në të ardhmen për t’u çliruar nga robëria osmane. Revista “Albania” ruajti karakterin atdhetar, mbeti një nga organet kryesore të shtypit shqiptar të Rilindjes dhe me botimet e saj letrare, publicistike e enciklopedike dha një ndihmesë të çmuar në pasurimin e kulturës shqiptare në tërësi dhe veçanërisht në lëvrimin e gjuhës letrare shqipe, në njësimin e shkrimit të saj.
Në kushtet kur botimet e tjera ishin ende të kufizuara, organet e shtypit u bënë tribuna kryesore të mendimit politik e shoqëror shqiptar. Në to gjetën pasqyrim në radhë të parë lufta e popullit shqiptar për autonominë e vendit, që ishte kërkesa themelore e lëvizjes kombëtare dhe, lidhur me këtë, qëndrimi i forcave të ndryshme politike për mjetet e rrugët për arritjen e saj. Pjesa më e përparuar e atdhetarëve, e sidomos intelektualët me ide radikale, mbronin nëpërmjet organeve të shtypit programin e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë dhe shpreheshin për përmbushjen e tij me anë të kryengritjes së armatosur.

……………………………..

Tribuna të kësaj rryme u bënë sidomos gazetat “Shqipëria”, “Drita”, “Albania” (Beograd), “Kombi”, “Shpnesa e Shqypnisë” etj., ku botonin shkrimet e tyre Shahin Kolonja, Dervish Hima, Jashar Erebara, Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fan Noli, Asdreni, Çajupi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Visar Dodani, Sotir Peci etj. “Shqipëria” e Bukureshtit, në një varg artikujsh, botuar në vitin 1897, duke e vënë theksin në kërkesën e njohjes së kombit shqiptar dhe të autonomisë së vendit, shkruante se “duamë të na njohë (Turqia) për komb, të na bënjë autonominë administrative, të qeverisemi vetë…” (“Dëshirë e shqiptarëve” dhe “Shqipëri e shqiptarëve”, 1897).
Por atdhetarët më radikalë, në shkrimet e botuara në këto gazeta, shkuan edhe më tej, shtruan domosdoshmërinë e formimit të një Shqipërie të pavarur ose, siç shpreheshin ata, të veçimit e të ndarjes së plotë të saj nga Perandoria Osmane. Ata kishin formuar tanimë bindjen se Porta e Lartë nuk mund t’u siguronte shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare, se vetë Perandoria Osmane ishte e destinuar të shkatërrohej dhe se politika e bashkëjetesës së shqiptarëve me turqit brenda kufijve të saj është e gabuar dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e Shqipërisë; e vetmja rrugë shpëtimi, theksonin ata, është shkëputja e plotë dhe e menjëhershme e Shqipërisë nga kjo Perandori, pavarësia e saj (“Albania”, Beograd, artikujt “Drejtudhësia e shqiptarit”, “Përçmimi i shqiptarëve”, më 1902-1904; “Drita”, Sofje, artikujt “Turqia dhe shqiptarët”, “Si do të bëhet puna e Maqedonisë”, më 1903-1904 etj.).
Në vitet 1902-1907, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte marrë një karakter të organizuar, kur qëndresa e armatosur kundërosmane kishte shpërthyer, thuajse, në çdo anë të vendit dhe kishte filluar lufta e çetave të drejtuara nga komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, mjaft nga organet e shtypit shqiptar përkrahën këtë qëndresë dhe u bënë propaganduese e idesë së luftës së armatosur, duke e parë atë si mjetin kryesor për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane.

……………………………

Por në shtypin shqiptar, sidomos në revistën “Albania” (Bruksel-Londër), në gazetën “Shqiptari” (Bukuresht), “Dashamiri” (Trieste) dhe në ndonjë organ tjetër u shfaqën edhe pikëpamje të tjera, që shprehnin më shumë qëndrimin e elementëve më të moderuar, të cilët e kufizonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare vetëm me kërkesa kulturore dhe ekonomike, si “ngritja e shkollave shqipe, përhapja e librave kombëtare dhe e udhëve të hekurta”, të cilat mendonin t’i siguronin me ndihmën e qeverisë turke. Këto ishin, padyshim, masa të rëndësishme e të domosdoshme, që do të ndikonin në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare e politike të popullit, por nuk qenë të mjaftueshme për çlirimin e tij nga zgjedha osmane. Në këto organe u botuan edhe artikuj, në të cilët kundërshtohej lufta politike e posaçërisht kërkesa e autonomisë dhe e shkëputjes së Shqipërisë nga sundimi osman, nuk pranohej nevoja e luftës së armatosur. Autorët e artikujve të tillë, duke i bërë thirrje popullit shqiptar që të përpiqej t’i fitonte të drejtat kombëtare me rrugën e reformave, shkruanin: “Të lëshojmë mënjanë politikën…, të marrim të drejtat tona nga duart e mbretit suprem Hamitit”, “pa trazime dhe luftëra…, vetëm me butësi dhe urtësi”; “ne duam të pushojë lëvizja kryengritëse, e cila kërkon të bëjmë copë-copë të shtrenjtin tonë atdhe, Mbretërinë Otomane” (“Ca të tjera”, në “Albania”, Bruksel, 1897; “Fjalë për lëçitësit”, në “Shqiptari”, Bukuresht, 1903).
Mjaft nga organet e tjera të shtypit i quanin këto mendime të dëmshme për lëvizjen çlirimtare, sepse, siç theksohej në to, ngjallnin te populli shqiptar “shpresa të reme” dhe iluzione në “mirëbërësinë” e sulltan Abdyl Hamitit. Në shkrimet e botuara në këto organe thuhej se “nuk na pëlqejnë idherat e atyre që thonë se duhet të mbahetë dhe të jetë Turqia, për të mirën e Shqipërisë”, se “Turqia nuk bën asnjë reformë që t’u ap të drejta popujve…”.
Në mendimin politik të shtypit shqiptar gjeti pasqyrim edhe Revolucioni rus i viteve 1905-1907. Në shkrimet e botuara, sidomos në gazeta të tilla si “Drita” e Shahin Kolonjës, “Shpnesa e Shqypnisë” e Nikollë Ivanajt etj., atdhetarët shqiptarë e shihnin luftën e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë Osmane, si edhe atë të popullit rus, si një luftë të përbashkët çlirimtare që drejtohej kundër të njëjtëve armiq, “dy mbretërive të fëlliqura, që quhen Rusi dhe Turqi…, që kanë përmbi krye dy njerëz gjakatarë e të poshtër që nuk u ngopën së thithuri gjak njeriu” (“Drita”, Sofje, 1905).

……………………………………………

Në shtypin shqiptar kanë gjetur pasqyrimin e vet, megjithëse në një masë më të vogël, edhe çështjet ekonomiko-shoqërore, si ato të luftës kundër shtypjes ekonomike, të rolit të forcave të ndryshme shoqërore në lëvizjen kombëtare etj. Në artikujt e korrespondencat nga Shqipëria, të botuara në gazetën “Drita”, “Kombi”, “Shkopi” etj., në vitet 1901-1907, përshkruhet me ngjyra të forta e në mënyrë rrëqethëse gjendja e mjeruar ekonomike e kulturore e popullit, sidomos e fshatarësisë që ishte zhytur në padije. Kjo gjendje shpjegohej me sundimin osman e politikën shtypëse të sulltanit dhe në ndonjë artikull me ndarjen e padrejtë të tokave, me zotërimin e pronës së madhe të çifligarëve e të shtetit osman.
Mendime të ndryshme u shprehën në shtypin shqiptar lidhur me rolin e parisë feudalo-çifligare ose, siç shprehej shtypi, të oxhakësisë, në lëvizjen kombëtare. Ndërsa atdhetarët e moderuar mendonin se lëvizja çlirimtare duhej të mbështetej te kjo pari, të cilën e quanin “shpresa e shpëtimit dhe e lirisë s’atdheut”, përfaqësuesit më radikalë të Rilindjes Kombëtare e shihnin atë si pjesë të elitës politike sunduese të Perandorisë Osmane. Ata i bënin thirrje popullit që të ngrihej jo vetëm kundër pushtetit të sulltanit, por edhe kundër parisë shqiptare, e cila, siç thuhej në shkrimet e tyre, ishte bërë “vegël e guvernës turke për t’shtrydhur gjakun e varfërisë dhe për të rrjepur njerëzinë” (“Drita”).
Të ndryshme ishin mendimet e grupimeve politike shqiptare, të shprehura në shtyp, për rolin e popullit të thjeshtë në lëvizjen kombëtare. Ndërsa atdhetarët e moderuar e quanin popullin një turmë, “që s’ka siguri veçse tek oxhaksia”, te paria, elementët radikalë e quanin popullin e thjeshtë, “vegjëlinë”, siç cilësohej atëherë, “bartës të vërtetë të patriotizmit” dhe luftëtar të vendosur për çlirimin e atdheut nga zgjedha osmane.

……………………………………..

Por problemi i trajtuar më gjerësisht në faqet e të gjitha organeve të shtypit shqiptar ishte ai i luftës për lirinë e gjuhës dhe të shkollës shqipe, të cilat të gjithë atdhedashësit, pa përjashtim, i vlerësonin si një mjet shumë të rëndësishëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, për konsolidimin e tij kombëtar dhe për bashkimin në luftë kundër pushtuesve të huaj. Por atdhetarët më largpamës e trajtonin luftën për shkollën e shkrimin shqip si pjesë të pandarë të lëvizjes politike për njohjen e kombit shqiptar dhe për autonominë e tij.
Nëpërmjet shtypit, rilindësit kundërshtonin përpjekjet e qendrave të huaja klerikale për të përçarë shqiptarët sipas besimeve fetare, për të mbjellë dasinë midis popullsisë myslimane, nga njëra anë, dhe asaj krishtere, nga ana tjetër. Kjo veprimtari, që shtypi e quante antikombëtare, bëhej më e dëmshme për kombin, sepse gjente përkrahës edhe te klerikë të veçantë të lartë, konservatorë e fanatikë shqiptarë, myslimanë e të krishterë, të lidhur me interesa ekonomike e shpirtërore me sundimtarët osmanë, me sulltanin Halif si edhe me Patrikanën greke të Stambollit. Në artikujt e botuar në organet e shtypit gjatë viteve 1907-1908 nga Fan Noli, Mihal Gramenoja, Hilë Mosi dhe atdhetarë të tjerë theksohej se këto kategori të klerikëve u shërbenin të huajve dhe ishin bërë “vegla politike” në duart e tyre.
Duke qenë edhe vetë besimtarë dhe duke respektuar ndjenjat fetare të të gjithë shqiptarëve, rilindësit i veçonin nga kleri e shumica e klerikëve të të tria besimeve fetare këta përfaqësues të caktuar të qarqeve klerikale, që vepronin në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, duke i quajtur “armiq po aq të rrezikshëm për kombin, sa edhe qeveria turke”, dhe arritën në përfundimin se shqiptarët nuk mund të siguronin as bashkimin e as çlirimin kombëtar pa kapërcyer veprimtarinë e tyre përçarëse.
Një vend të rëndësishëm në organet e shtypit kanë zënë edhe artikujt e thirrjet e drejtuara kundër politikës shoviniste të shteteve fqinje ballkanike dhe kundër qëndrimit mospërfillës të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Në shkrimet e thirrjet e botuara në shtypin shqiptar në vitet 1902-1908 nga Asdreni, Fan Noli, Shahin Kolonja, Çerçis Topulli dhe nga mjaft autorë të tjerë anonimë, goditet veçanërisht politika shoviniste e qarqeve politike të Athinës, të Beogradit, të Sofjes e të Malit të Zi, të cilat në synimet e tyre për të përgatitur pushtimin e tokave shqiptare nuk ndaleshin para asgjëje, përdornin të gjitha mjetet, nga përçapjet për asimilimin e shqiptarëve nëpërmjet shkollave dhe kishës e deri tek organizimi në tokat shqiptare të bandave të armatosura, që terrorizonin popullsinë. Ata dënonin gjithashtu politikën e disa prej Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë, që përkrahnin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje ndaj tokave shqiptare, si edhe ndërhyrjet që ato ndërrmorën në vitet 1902-1907 për zbatimin e reformave në Turqinë Evropiane, të cilat çonin në copëtimin e territoreve shqiptare.
Idetë përparimtare e demokratike të shtypit luajtën një rol të madh për përgatitjen ideologjike e politike të popullit shqiptar në luftën për bashkimin dhe për çlirimin kombëtar të vendit. (Botuar fillimisht te Shqipëria.com)


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura