(Pashtriku.org, 11. 03. 2013) – Ndoshta ndonjë lexues mund të më cilësojë pak të vonuar me këtë shkrim, por unë po bëj një përpjekje të vogël për t’u arsyetuar. Jo këto tri javë, por as tre muaj, as tre vjet, as tridhjetë të tjera, nëse do të përdridhen në vorbullën e jetës sime, nuk do ta zbehin asnjë fije kujtimin për dajën Zenun dhe veprën e tij, mbi të gjitha jashtëzakonishtë njerëzore. Prandaj ky shkrim do të jetë vetëm fillimi.
I lindur në prillin e vitit 1943 në Gjocaj, fshat që i dha letërsisë shqipe edhe poetin e njohur Dinë Mehmeti, Zenun Gjocaj shkollën fillore e kreu në Junik – fshati më i madh i Kosovës ku “bashkëjetojnë” dymbëdhjetë fiset dhe me Kuvendin e Majit të 1912 tës hyri në analet e historisë kombëtare. Në vitin shkollor 1959 / 60 të shkollimin e mesëm e filloi në Normalen e Prishtinës, por pas dy muajsh u kthye në Pejë dhe u regjistrua në gjimnazin e këtij qyteti – drejtimi pedagogjik.
Zenun Gjocaj 1943 – 2013
Në vitin shkollor ‘63/4 u emërua mësues në Jasiq, fshat afër vendlindjes së tij. Aty përherë të parë vijonin mësimin nxënësit nga klasa e parë në të katërten. Ishte mësuesi i parë në këtë vatër të re arsimore.
Pas një viti Zenun Gjocaj regjistrohet në shkollën e lartë pedagogjike në Prizren – dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Ndër të tjerë, të gjeneratës e pat edhe prof Fadil Sylejmanin i cili pak ditë para tij, po ashtu, u nda nga jeta. Pasi që kreu studimet punoi katër vjet në shkollën fillore të Carrabregut, tash” Lidhja e Prizrenit”, duke vazhduar njëkohësisht edhe studimet në fakultetitn filozofik dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, të cilat i kreu dhe në vitin shkollor ‘72/3 filloi të punojë në gjimnazin “ Vëllezërit Frashëri” në Deçan si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në të njejtin vit u regjistrua në studimet pasuniversitare në Prishtinë në Degën e Gjuhësisë. I përcuell me përkushtim ligjeratat e emrave më të shquar të albanistikës siç ishin Çabej, Domi, Kostallari, Demiraj etj.
Në vitin shkollor ‘76/7 punoi në Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Veprimtarinë arsimore në këtë institucion ia ndërpresin organet policore në pranverën e vitit 1981. Atë vit pas dy muajsh që mbahet në burg lirohet për mungesë provash. Ndërkaq, në vitin tjetër ia vunë sërish prangat dhe e dënuan me disa shokë si pjesëtar të Lëvizjes ilegale. Ishte ndër të burgosurit e rrallë me gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.
Siç dihet, pas demonstartave të vitit 1981 rrethanat politike në Kosovë përkeqësoheshin gjithnjë e më tepër. Ato i përjetonte mbarë populli e në veçanti intelegjencia shqiptare, të cilën pushtuesi dhe argatët e tij përpiqeshin ta gjunjëzonin me çdo kusht. Edhe Zenun Gjocaj, i liruar nga burgu në gjysmën e dytë të asaj dekade, s’kishte si të mos përballej me ato rrethana. Qëndroi i palëkundur si edhe bashkëveprimtarët e tjerë.
Pak muaj pasi doli nga burgu u martua me mësuesen Remzie, meqë fejesen e kishte zyrtarizuar kur ishte prapa grilave. Ajo ishte nga fshati Novolan i Vushtrisë. Intelektual me sjellje e vyrtyte të rralla, Zenun Gjocaj u ambientua shpejt në atë mes, gati të panjohur deri atëherë. Përveç të tjerëve, ai u njoh edhe me Ramadan Pllanën e Nebih Sejdiun, dy të burgosur politk të asaj ane, të cilët e njoftonin, ndër të tjera, edhe për shokët që i kisshin lënë në kazamatin famëkeq të Nishit. Përveçse për të nipin, Hasan Ukëhaxhaj, lidhja e gjakut e të cilëve qe shëndërruar në lëgurë në saje të idealit të përbashkët që nga bankat e shkollës së mesme, prandaj edhe të pandashëm edhe në demonstratën e një prillit të vitit 1981 në Prishtinë. Ata e njoftonin edhe për shokë të tjerë si Berat Luzhën, Hysen Gegen, Muhamet Rogovën e ndonjë tjetër. Këtë të fundit Zenuni e njihte nga afër që nga viti 1979. Ai takohej edhe me të burgosurit e Deçanit ndër të cilët mund të përmenden Avdullah Hasanmetaj, Dinë Ahmetaj, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha e ndonjë tjetër. Ato takime e kishin dëmëthënjen e vet të padiskutueshme: Dëshmonin se ata kishin dalë të pathyeshëm dhe ishin të gatshëm të vazhdonin rrugëtimin e mëtjmë për çlirimin e Kosovës, siç edhe u provua.
Zenun Gjocaj, pat botuar disa artikuj nga fusha e gjuhësisë edhe para se të burgosej. Në dhjetorin e tetëdhjetës ai e mbrojti temën e magjistraturës “ Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike”. Tani, vazhdoi të punojë me përkushtim në këtë fushë. Ishte një fillim i ri dhe frytet nuk munguan. Kështu, përveç temës së doktoratës, të cilën e mbrojti me 1997, i la të botuara mësë tridhjetë punime me tematikë nga fusha e gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Së fundi, profesor Zenun Gjocaj e provoi veten edhe në fushën e poezisë; arriti ta botojë veprën në tri vëllime me titullin “ Rilindjet e orës arbërore”, në të cilën e pasqyron heroizmin e popullit tonë gjatë shekujve. Zenun Gjocaj punoi, gjithashtu, me përkushtim, bashkë me shokët dhe veprimtarët tjerë, për përgatitjen dhe botimin e veprës në disa vëllime “ Feniksët e lirisë – Dëshmorët e UÇK-së”. Përveç të tjerave ai i shkroi edhe biografitë e dhjetëra dëshmorëve, kryesisht të anës së Dukagjinit.
Siç po shihet profesor Zenun Gjocaj eci në tri shtigje: në fushën e arsimit i ka të rrallë shokët që haproi në të gjitha shkallët e tij: mësues i cili u mësoi voglushëve ABC – e shqipes, arsimtar e profesor i gjuhës shqipe në shkollat fillore e të mesme për të arritur në auditorët e botës akademike në Fakultetin e Edukimit ku punoi rrafsh dhjetë vjet. Kjo veprimtari shtrihet në harkun kohor prej një gjysëm shekulli, 1963 – 2013. Për veprimtarinë patriotike si pjesëtar i Lëvizjes ilegale u tha më lart, ajo çka mund të thuhet në këtë shkrim, por kësaj mund t’i shtohet veprimtaria e Zenun Gjocit me nxënësit e shkollave të mesme, të cilëve ndër të tjera u lexonte tekste që s’ishin të parapara në programin zyrtar, u shpërndante edhe revista si “Shqipëria e re”, “Ylli” edhe ndonjë tjetër, me qëllim që ta ngrisë sa më lart vetëdijën e tyre kombëtare. Në fushën e shkencës asaj që u tha pak më sipër po i shtoj edhe këto: shumica e artikujve të botuar kanë për tematikë kulturën e gjuhës, çështjet të ndryshme të morfologjisë dhe leksikologjisë. E mbrojti gjithkund njësimin e gjuhës letrare shqipe dhe në këtë aspekt polemizoi me të gjithë ata të cilët i morën kazmat për ta shembur të arriturën më të madhe në kulturën shqiptare. Ndërkaq, me temën e doktoratës “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe” dha një kontribut të padiskutueshëm në këtë fushë të gjuhësisë shqiptare. Me këtë vepër profesor Zenun Gjocaj, mund të thuhet pa ngurim se është një nga nxënësit më të denjë të demiurgut të kësaj fushe në gjuhësinë shqiptare – akademikut Jani Thomaj.
Dajën Zenun vdekja e gjeti në punë, ajo ia ndërpreu atë edhe jetën, por gjurmët që i la do ta përballojnë kohën. E thashë në fillim por po e përsëris: në këtë rast s’po mund t’i them ato që ndjej – sa e kam dashur dhe çmuar, sa e vlerësoj dhe e kam vlerësuar, prandaj nuk po mund t’i them as lamtumirë…
==============================
Akademi përkujtimore kushtuar veprimtarit Zenun Gjocaj