SHPËTIM GOLEMI: VETERANI, KOMANDANTI DHE PROKURORI

Tiranë, 24. 05. 2012 – (“Thaçi mban nofkën gjarpër. Ai, në korrent me modën, e ndërron shpesh lëkurën dhe ka një metabolizëm të jashtëzakonshëm. E ka shumë të zhvilluar mekanizmin e mbijetesës dhe përshtatjes”. – BEHXHET SHALA – Prishtinë, 22. 05. 2012, Pashtriku.org)
– Alo, Shpëtim, Ademi jam. A ke kohë me pi një kafe?… E po, mirë, takohemi atje ku ishim herën e fundit.
Komandant Ademi, këto ditë pat qenë me punë në Prishtinë dhe e mora me mend se duhej të kish habere të mira rreth shokëve tanë të luftës. Pasi u përshëndetëm, Ademi filloi të më jepte të falat e gjithë atyre që pat takuar dhe më së fundi qëndroi në bisedën që pat bërë me Lirim H.

Eprori Adem Shehu, gjatë luftës ishte Komandant i Brigadës 153 të UҪK-ës.

_____________________________________

– Dëgjo, Shpëtim, se çfarë më tregoi, mes të tjerave, Lirimi. Edhe ty komandant Ademi i poshtën paske kenë. Pse kam qenë i poshtën? Ke qenë i poshtën, o komandant, se gjatë luftës nuk na ke lanë me pre as nji pulë, asnji kingj, asnji del dhe asnji motak. Pse s’m’i ke thanë atëherë këto, por m’i thu tash? T’i them tash, o komandant, se atëherë ti na vritshe. Ke qenë shumë i keq, o komandant. Tashti kemi të drejtë me t’i thanë, sepse tash e kuptum se po të na kishe lanë me pre e me vjedh atëherë, sot do të ishim në mos ministra, deputetë në Parlament ose në komuna. Boll me kenë pak hajn dhe ma leht bahesh ministër se sa shef zyre, o komandant. Po shyqyr Zotit na vjen ka i herë në Kosovë dhe shmallemi, se te ty kena besim, o komandant. Me dëgju hallet që kemi ne, o komandant, hallet e tuja i gjujm deri në Shkup. Por ty Zoti ta shpërbleftë se ne nuk jemi mirënjohës ndaj jush. A më ni, o komandant, a më kupton ça po të them? Ça po thu, o Lirim? Eh mor komandant. Ti e din se para nji viti, ne fillum grevën e urisë para portave të qeverisë, në Prishtinë, dhe ditën e 61-të, besoj se e ke marrë vesh, na thirri Hashimi në zyrën e vet, në kryeministri, bre.

__________________________________
Greva e urisë para portave të qeverisë…

___________________________________________________

Shkum 7 veta, nga nji përfaqësues për zonë. Në atë shtatëshe isha edhe unë. Pasi foli kryeministri fillum me fol të gjithë ne me radhë. Më erdhi radha edhe mu me fol. Dhe a ta merr mendja se çfarë i thashë Hashimit, o komandant? Fol, pra, çfarë i the? Eh, çfarë i thashë? Ja çfarë i thashë: O Hashim, unë e kuptoj që për ne ty nuk të bien mendja fare. Por, po për ata të Shqypnisë, që erdhën me luftue bashkë me ne, a të ka ra mendia no i herë. A e din ti që unë komandantin tem e kam pas prej Shqypnie dhe quhet Adem Shehi. (Adem Shehu gjatë luftës ishte Komandant i Brigadës 153 të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës – plotëm i SH.B) A të ka ranë ndonjiherë ndër mend që ata lanë lirinë, familjen dhe punën dhe erdhën, tybe, të vriteshin me ne, ndërsa ne lamë Kosovën e shkum atje? A e ke ditë se kanë kenë disa prej tyne dhe vetëm tre kanë met gjallë?
Po, i njoh dhe i di problemet e tyne, ma kthevi Hashimi, por mundësitë e tyne ekonomike do të zgjidhen kur të miratojmë ligjin edhe për ata edhe për ju. Sot nuk kemi mjete financiare që t’i ndihmojmë.
Jo mor zotni Hashim, e ndërpreva unë, nuk asht e vërtetë se nuk kini mjete finaciare. Mjete financiare ka, se vetëm xhipi jot kushton njëqidmijë Euro e leni ma të tjerat. Por ti nuk ta nin as për ata në Shqypni e as për ne këtu në Kosovë. Ty lyp për ta kajt nanën. Po njëzet Euro në muj, sa me i kujtu, si shenjë respekti, nuk ekziston mundësia me ua dhanë? Po me i thirr nji herë e me i pyt se si janë me shënet, edhe për këtë nuk keni mjete financiare? Po me u dërgu të fala me ndonji vozist prej Kosove që shkon për plazh në Durrës a për biznes, nuk ke pas me ua dërgu? Po me i thanë ambasadorit tat atje, me i thirr e me u dhanë nji kafe, edhe për kaq gja nuk keni mjete financiare, a? Turp, pasha zotin, se na marrut e na lat pa fytyrë, bre Hashim. Kështu i thash, o komandant. A më ni, o komandant?
Po, hë si vazhdoi puna e grevës më tej?, e pyeta unë.
E pastaj, Hashimi na lexoi ligjin që kishin përgatit për me e miratu në qeveri, me gjasë se donte edhe mendimin tonë. Ligji, o komandant, ishte sikur e kishim ba ne. Pasi ramë dakort me ligjin, ai na bindi që ne ta lijshim grevën e urisë. Dhe ne i besum Hashimit. Nesret, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte miratimi i projektligjit për veteranët e UÇK-së, pas miratimit të këtij projektligji nga ana e saj, ne si kryesi e këshillit të grevës patëm marrë vendim për t’i dhënë fund grevës së veteranëve me shpresë se përfundimisht ky problem do të zgjidhej. Mirëpo, parlamenti e shtyvi, si i thonë o kamandant, se tybe nuk e di mirë, e shtyvi për kalatë greke. Kalendat greke. Qashtu, o komandant. Dhe, që thu ty, o komandant, që s’the asgjë, sot e një vit nuk ka ndodhur asnji gja pozitive për ne veteranët, o komandant. Përkundrazi, po ndodhë e kundërta, gjendja jonë po vazhdon të shkoi keq e ma keq. Rasti i fundit ishte në Rahovec, besoj e ke marrë vesh o komandant, ku veterani i luftës bëri vetëvrasje, i pa kënaqun me lirinë që kishte luftuar dhe i dha fund jetës. Është i njëzetenjëjti!, o komandant. Po ashtu, bëjnë me dije se të tjerë veteranë do të ndjekin rrugën e tij. Kot që jetojmë.
E që thua ty, o komandant, kur e pamë se Hashimi me qeverinë e tij na rrejti, vendosëm me ba nji protestë. Ishim gati 2000 vetë. U thashë shokëve, a marrim të gjithë ka nji automatik dhe i mësyjmë qeverisë e ta shujm, se do shpëtojmë popullin nga hajnat, por s’më dëgjun. Kur shkum para ndërtesës së qeverisë ne që kishim qenë në grevë nuk kishim fuqi me hudh gurrët as deri në dritaret e katit të parë.
Mirëpo Hashimi, me sa duket, nuk ma kish harru çka i pata thanë në zyrë, ndaj edhe më kanë ngrit akt-padi. Dhe një ditë prej ditësh më thirri prokurori i EULEX-it. Ishte amerikan. Përkthyese ishte një çikë e jona. Prokurori, pasi hapi një dosje më lexoi se akuzohesha për organizim grupesh me synim goditje të institucioneve me mjete të dhunshme; rrezikim të jetës së personaliteteve me përgjegjësi dhe popullatës përreth; prishje e qetësisë së rendit publik e të tjera, o komandant, që tybe nuk i mbaj mend sa ishin. Dhe në fund më pyeti: A je dakort me akt-akuzën?
Oj ti çikë, i fola përkthyeses, a përkthen mirë ti, a? Kështu është shkruajtur, sikundër të tha prokurori, m’u përgjigj çika. E po përkthe, oj çikë.
O zoti Prokuror, kjo nuk është gjë fare, dhe i tegova gjithë bisedën që pata ba me Hashimin në zyrën e tij, e që ta tregova edhe ty, o komandant. Dhe vazhdova duke i thanë: këto nuk janë gja fare, o zoti Prokuror. Unë u kërkova shokëve që të gjithë sa ishim në demostratë të merrshim automatikët e t’i mëshonim qeverisë që të mos frymojë ma as ajo e as Thaçi. Por ça me ba, zoti Prokuror, shokët nuk më mbështetën. Lene këta radhë, ma kthyn ata, le të luftojmë me gurrë e tulla e herë tjetër bajmë si thu ty.
Po ke parë ty, o komandant? Kur unë pushova për me u ngop me frymë, prokurori pyeti çikën, tuj ba edhe me dorë, se a jam në regull, mos ka vallë raport mjekësor që po flet kështu? Jam sakllëm, zoti Prokuror, por nuk e di se sa më dënon ligja për këto çka lexove ty? Rreth 25 vjet burg, ma kthevi Prokurori. Po pas 25 vjetësh a mund me ia kajt nanën përsëri Hashimit, pasi tash jam veç 30?
Prokurori stepi. Pas nji heshtje të shkurtër i tha asaj çikës për mos me shkrujt ma dhe m’u drejtu mua. Çika përkthente. Kaluam në bisedë shoqnore.
Dëgjo mor ti, i pandehuri Lirim. Edhe unë që po të marr ty në pyetje jam bir i një luftëtari amerikan i Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtën rrugë si ju ndoqën edhe babai im me bashkluftëtarët e tij veteranë, ku një pjesë e tyre kishin humbur gjymtyrët e trupit dhe të gjithë ishin ekonomikisht të varfër si dhe ju. Ky kalvar i vuajtjeve të tyre mori kohë, sa disa prej tyne kryen edhe vetëvrasje, ndërsa të tjerë kryen krime në popullatën civile nga dëshpërimi dhe për mbijetesë. Por e veçanta e veteranëve amerikanë të Luftës së Dytë Botërore me tuajën është se ata u mbështetën nga ish komandantët e tyre në pushtet dhe me pushtet ndaj dhe i fituan të drejtat që i gëzojnë edhe sot, jo vetëm ata, por të gjithë veteranët e luftrave të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, që kanë luftuar për interesat e Amerikës. Më la pa tekst, o komandant.
Dhe komandant Ademi nuk vijoi ma, nga lotët.
– Emri i vërtet i autorit është Dilaver Goxhaj, ndërsa ‘Shpetim Golemi‘ është pseudonimi i luftës. Ishte pjesëmarrës aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ishte zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, fillimisht i Bislim Zyrapit, ndërsa pas 28 prillit 1999 i Agim Çekut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura