DORINA KURTAJ: NJË KAFE TURKE PËR PRIZRENIN

Prizren, 16. 10. 2013 – Në zgjedhjet e para, pas luftës Prizrenin e fitoi Eqrem Kryeziu i LDK-së. Me jehonën e një “veprimtari” me moshën që premtonte eksperiencë dhe pjekuri atëherë edhe mund të mendohej se ishte një zgjedhje e kuptueshme që zgjati plot dy mandate. Për t’ia lënë rradhën Ramadan Mujës së PDK-së. Por Kryeziu tashmë do sërish postin e tij të dikurshëm… Zëra “dashakeqës” thonë se edhe filxhani i kafesë turke, që ai rishtaz e rrufit para se të shkojë në punë i thotë kurrë nuk do rikthehet… Ndërsa Ramadan Muja shfaqet edhe më i (pa)lodhur. Betohet se gjatë 6 viteve të mandatit energjitë vetëm sa i janë shtuar, edhe pse pamja e tij tregon të kundërtën. Por, nuk do t’ia prishë qejfin kryetarit të tij Thaçit…. Ai nuk i ka treguar Thaçit se edhe kafja turke që pi mëngjes për mëngjes i thotë se nuk do ta fitojë më Prizrenin.
Nuk ka të bëjë shumë me stinën e dimrit që po afron, por në Prizren po fryn një erë e re, e ftohtë madje. Dhe është pak çudi pasi situata është e nxehtë, gati përvëluese. Këto ditë, qyteti im më i dashur është nën ethet e fushatës elektorale. Njerëz që mblidhen, të tjerë që premtojnë dhe ata më indiferentët që fantazojnë se ku do të përfundojnë miliona eurot që do të investohen menjëherë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Në mos nga njëra palë nga tjetra medoemos. Qyteti këto ditë është trasnformuar në një pasarelë gjigande, të paktën mua nga larg kështu më duket. Politikanë të ndyshëm, aspirantë për të qenë të tillë, liderë të vërtetë që duan apo s’duan po bëjnë historinë e këtij qyteti. Mes tyre ka nga ata që kanë zhgënjyer jo pak, por dhe nga ata që ankohen se janë të zhgënjyer, heronj të së kaluarës dhe së ardhmes që ndër vite janë zgjedhur nga votat e “farës dhe të fisit”. Fytyra të vjetra aq sa dhe Prizreni mund të ndihet i ri para tyre, e këtu dua të ndalem pak!

– Muja i PDK-së dhe Kryeziu i LDK’së – 

Sa për kujtesë, në zgjedhjet e para, pas luftës Prizrenin e fitoi Eqrem Kryeziu i LDK-së. Me jehonën e një “veprimtari” me moshën që premtonte eksperiencë dhe pjekuri atëherë edhe mund të mendohej se ishte një zgjedhje e kuptueshme që zgjati plot dy mandate. Për t’ia lënë rradhën Ramadan Mujës së PDK-së. Por Kryeziu tashmë do sërish postin e tij të dikurshëm. I mungon, ka lënë gjëra pa bërë, dhe Muja sipas tij, ka bërë shumë gabime. Prandaj ai mendon se ka të drejtë të pretendojë për më tepër! O tani o kurrë! Por ka shumë nga ata që mendojnë se do të ishte më mirë kurrë!!! Zëra “dashakeqës” thonë se edhe filxhani i kafesë turke, që ai rishtaz e rrufit para se të shkojë në punë i thotë kurrë nuk do rikthehet. Por Kryeziu nuk e jep veten dhe për të marrë kurajë, merr një express në zyrë, sepse ky nuk është filxhan që flet, pastaj është edhe në modë.
Ndërsa Ramadan Muja shfaqet edhe më i (pa)lodhur. Betohet se gjatë 6 viteve të mandatit energjitë vetëm sa i janë shtuar, edhe pse pamja e tij tregon të kundërtën. Por, nuk do t’ia prishë qejfin kryetarit të tij Thaçit. Ky i fundit ka besim që me ndihmën e minoriteteve Muja do zgjidhet sërish kryetar. Muja nga ana tjetër po i mban një sekret shefit të tij. Ai nuk i ka treguar Thaçit se edhe kafja turke që pi mëngjes për mëngjes i thotë se nuk do ta fitojë më Prizrenin. Vetëm dy ditë më parë nënkryetari i partisë që e mbështet, Kadri Veseli në entuziazmin e prezantimit për mandatin e rradhës, i harroi emrin. Fundja, ndoshta janë gjëra që ndodhin, edhe pse ai ka vite, vite që kontibuon për partinë e tij, për Prizrenin e tij, për kolegët, fqinjët, e në fund, në fund fare për veten. Por ndoshta janë gjëra që s’duhet të ndodhin. Dhe Muja si njeri i sprovuar me jetën, nuk e dha veten, mori të flasë, dhe posteri i madh që kishte mbrapa nga kureshjta për të dëgjuar ç’do thoshte “të re” u afrua shumë, gati i ra në kokë, dhe plakat e mëhallës, ato që e kanë aq qejf kafen turke u shqetësuan. Është shenjë e keqe, thanë. Po fryn erë fortë. Dhe këtë erë presin të rinjtë e Prizrenit, por jo vetëm ata, edhe prindërit e tyre, që ndodh të jenë më të rinj se dy “doktorët tanë”. Por mosha është dhe s’është problem.
E nisim nga fundi. S’është problem, se të qeverisësh një qytet të rëndësishëm, të bukur dhe të lënë pas dore, të pashfrytëzuar si Prizreni, nuk duhet të jesh vegël, t’i shërbesh klaneve. Por do pjekuri, përgjegjshmëri. Mbi të gjitha dashuri për kalldrëmin ku shkel, për historinë, kulturën dhe atë që të jep, bashkë me ajrin e pastër që të deh, dhe të bën të ndihesh në shtëpi. Por në rastin e “dy doktorëve” tanë, pjekuria nuk ka dhënë fryte, madje as të papjekura. Ndërsa sa i përket dashurisë, mënyra se si është trajtuar Prizreni e tregon më së miri sa “e fortë është”. Pse mosha është problem, pa harruar ndërkohë karakteret, akuzat, proçeset gjyqësore në zhvillim, skandalet. Sepse Muja dhe Kryeziu nuk shohin dot larg xhepit dhe të tryezës së tyre, por s’kanë faj, vitet e dobësojnë shikimin. Teksa po shkruaj, mora edhe unë një kafe turke, dhe pse nuk e pi shpesh dhe më thanë që në Prizrenin tim, po fryn një erë e re, e fortë që po e pastron edhe më shumë ajrin. Dhe kjo s’ka shumë lidhje me dimrin!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura