SHTETI I BURRAVE ME POLITIKANË FËMIJË!

SHTETI I BURRAVE ME POLITIKANË FËMIJË!

Nga Prof Enver N. Rexhaj – Prizren, më 15 mars 2026

Është thënë dhe shkruar shpesh se Kosova është vend i burrave të fortë. Historia jonë është plotë me tregime për sakrifica, rezistencë dhe guxim.

Në letër duket sikur kemi prodhuar breza të tërë njerëzish të pjekur nga përvoja dhe nga historia. Por kur e kthen kokën nga politika, të krijohet përshtypja se në krye të këtij vendi burrash shpesh gjenden… fëmijë politikë.

Jo fëmijë në moshë, sigurisht.

Sikur Kosova të shtrihej në divanin e psikanalistit, me shumë gjasë terapisti do të shënonte në bllok: “pacienti vuan nga një rreth i gjërë simptomash politike, ndërsa përfaqësuesit e tij shfaqin shenja të forta të Peter Pan syndrome”.

Në këtë histori kolektive, politikanët tanë ngjajnë pak me Peter Panin; energjikë, plot aventura me ego të brishtë, me nevojë të vazhdueshme për vëmendje dhe me një talent të habitshëm për t’u grindur dhe gjithmonë të bindur se nesër do të ndërtojnë një botë të re, por me një problem të vogël: askush nuk dëshiron të rritet.

Sigurisht, nuk është se vendi ynë është unik në këtë fenomen. Shumë demokraci të reja kalojnë një periudhë adoleshence politike. Por tek ne duket se kjo adoleshencë ka një sharm të veçantë: gjithmonë dramatike, shpesh patetike dhe herë pas here komike.

Në këtë kuptim, metafora e Peter Pan nuk është thjesht një figure letrare është pothuajse një përshkrim sociologjik. Në Neverland-in e tij askush nuk rritet kurrë. Në politikën tonë, askush nuk duket se dëshiron të rritet. Problemi është se në Neverland gjithçka është lojë, ndërsa në shtet pasojat janë reale.

Kështu krijohet paradoksi ynë: një shoqëri që pret pjekuri dhe përgjegjësi, por një politikë që shpesh funksionon si oborr shkolle. Njëri bën deklaratë, tjetri kundërdeklaratë; njëri shpallë fitore morale, tjetri shpallë tradhti kombëtare. Në fund të ditës, drama është e madhe, ndërsa rezultatet zakonisht janë modeste.

Çdo palë zgjedhje fillojnë me një optimizëm të ri. Partitë premtojnë revolucion ekonomik, drejtësi të hekurt dhe një shtet që do të funksionojë si një orë zvicerane. Fjalimet janë plotë patos, posterët plotë buzëqeshje dhe rrjetet sociale plotë patriotizëm.

Për disa javë krijohet përshtypja se vendi është vetëm një hap larg transformimit të madh.

Pastaj zgjedhjet përfundojnë dhe fillon sezoni i vërtetë politik: sezoni i arsyetimeve.

Në parlament hapet një kapitull i ri i serialit tonë politikë dhe kombëtar.

Episodi i parë zakonisht titullohet “Kush e ka fajin”. Episodi i dytë “Pse nuk mund të bëhet kompromisi”.

Episodi i tretë “Zgjedhjet e reja si zgjidhje universale”.

Ndërkohë këtu shohim një fenomen interesant: politikanët tanë janë jashtëzakonisht të guximshëm kur flasin dhe jashtëzakonisht të kujdesshëm kur duhet të marrin përgjegjësi. Është një ekuilibër i rrallë politik, pothuajse një art më vete.

Kosova nuk ka nevojë për më shumë spektakël politik as për heronj të fushatave. Ka nevojë për politikanë që janë gati të rriten dhe të marrin përgjegjësi. Sepse nëse ata nuk e bëjnë këtë, qytetarët nuk kanë rrugë tjetër veçse ta bëjnë vetë pa ta, dhe kjo nuk do të jetë një komedi, por një realitet i pamëshirshëm.

Në fund të fundit, një shtet mund të mbijetojë edhe me gabime politike. Por ajo që e lodh më shumë është një klasë politike që sillet sikur të rritesh është zgjedhje, jo detyrim.

Kosova ka nevojë për disa politikanë që më në fund e kuptojnë se Neverlandi është një histori për fëmijë, jo një model qeverisjeje.

________

FUQIA E REFLEKTIMIT

https://pashtriku.org/fuqia-e-reflektimit/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura