SI U ARRATISË MBRETI ZOG DITËN E 7 PRILLIT 1939 – NË GREQI

Pashtriku.org, 10. 04. 2014 – (Nga shënimet e Mbretit Zog) Tiranë, 7 prill 1939: Ora 7 e mëngjesit – Këshilli Ministror, së bashku me përfaqësinë e Parlamentit, të mbledhur në Pallat nën kryesinë e Mbretit Zog vazhdojnë bisedimet. Protestat iu dhanë të gjithëve, Shteteve të Botës dhe Lidhjes së Kombeve. Po tani po na vihet në qarkullim të madh propaganda jugosllave, si në Shkodër, Kosovë, Dibër dhe Çermenikë të Elbasanit, që nuk durojnë lëvizje ushtarake. Kjo i ashpërsoi thirrjet e fuqive civile për t’i armatosur. Ishte një shqetësim i madh ndër këto prefektura. Dhe kjo natyrisht vjen nga ndërhyrja e Italisë pranë Jugosllavisë, ku flitet se si shpërblim do t’i jepet Shkodra Jugosllavisë.
Kjo na shqetësoi së tepërmi. Por, turp për Jugosllavinë që nuk po na lejon të mbrojmë vendin tonë.
Fuqitë bregdetare janë tërhequr në bazat e dyta, sipas lajmërimit të Komandës Mbrojtjes Kombëtare.
Saranda në lartësirat e Muzinës, është okupuar nga forcat armike, se armiku përparon nën mbrojtjen e aviacionit, e fuqitë tona janë urdhëruar të grumbullohen e të sistemohen në rrethet e Delvinës, ku do të ndërlidhen me kolonel Ali Rizanë në Sevaster.

Mbreti Ahmet Zogu me mbretëreshën Geraldine – 1939…

 Vlora qyteti, Karaburuni dhe vise në afërsirat e Vjosës, janë okupuar prej armikut. Forcat ajrore armike manovrojnë duke zbuluar të gjitha viset dhe sidomos Llogaranë, Sevasterin, Grykat e Këlcyrës, Libohovën, etj.
…Mesdita e 7 prillit e gjen Shqipërinë gati të okupuar. Aviacioni bombardon gjithandej. Mbreti e shikon dobësinë e formacioneve të tij mbrojtëse dhe shikon se është e pamundur që të kundërsulmohet. Megjithatë Mbreti insiston në atë që forcat vullnetare do të bëjnë të paktën një kundërsulm mbi armikun në zonën Shkumbin-Milot.
Tiranë, 7 prill 1939: Ora 7, pasdite
Në këtë kohë, Parlamenti, duke studiuar mirë gjendjen, vendosi të tërhiqet nga Tirana në krahinat e Korçës. Kjo pasi vendimi i parë qe marrë për Shkodër e Homeshë, u anulua nga sjelljet e Jugosllavisë, që ishin shumë të dëmshme. Kjo bëri që të përkrahej me çdo lloj propagande fashizmi. Jo për tjetër vetëm sot për të keqen tonë e nesër për të zezën e Jugosllavisë nuk na lejojnë. Që tani kanë filluar duke qarkulluar propagandat se Shkodrën do ta okupojnë jugosllavët, që i qenka dhënë si shpërblim prej fashizmit. Gjithashtu, fashizmi, në të gjithë anët e botës, lajmëronte se në Shqipëri ka shpërthyer një kryengritje e madhe kundër qeverisë e kërkojnë pa masë ndërhyrjen e ushtrisë italiane.
Pas gjithë këtyre, Parlamenti bashkë me Këshillin e Shtetit, në orën 7.oo të mbrëmjes, porsa u err, nisëm për Pogradec në drejtim Kërrabë-Elbasan-Librazhd-Qafëthanë-Pogradec.
Pogradec, 8 prill: Ora 10
Aty nga ora 10 e datës 8 Prill 1939, arritëm në Pogradec bashkë me Qeverinë. Mbreti menjëherë urdhëroi Komandantët që aty të ndërlidhen me Tiranën, Shkodrën, Burrelin dhe Dibër, Kukës, Bejlikë, Elbasan dhe Këlcyrë me anën e radios. Ndërsa Kryeministrin, bashkë me kolonel Husein Selmanin i dërgoi në Korçë për të hyrë mundësisht në kontakte me kryeministrin grek Metaksai, me anën e Konsullit Grek në Korçë.
Qeveria Greke shumë e frikësuar, jo që nuk na u përgjigj kërkesave tona për një ndihmë armësh, por me këmbëngulje insistuan që brenda 10 orëve do mbyllin kufirin. Si shkak nga një notë shumë e ashpër italiane, e të tjera gjëra që na treguan se në asnjë mënyrë prej grekëve nuk priteshin kurrgjë. Pastaj shkuam në Prefekturë. Aty ishte Prefekti V. Vasjari. Qetësia e Korçës ishte e mirë, megjithëqë nuk kishte xhandarë. Por, menjëherë urdhëruam kolonel Preng Previzin që me garnizonin e Korçës si edhe batalionin e kufirit, që nuk kishte shkuar për Këlcyrë, të ishin në dispozicionin e Prefektit dhe u kthyem.
Pogradec- Korçë, 9 prill 1939: Ora 2 pasdite
Mbreti Zog I, në orën 2 pasdite, bashkë me Qeverinë dhe Parlamentin dhe një shumicë e madhe oficerësh e nëpunësish, u nisën nga Pogradeci e shkuan në Zëmblak. Aty qëndroi një kohë mjaft të gjatë. Ai kishte urdhëruar për të bërë çmos për të hyrë në kontakt me forcat ushtarake, sidomos ato të Bejlikut të Elbasanit, të Beratit, si edhe të Ali Rizasë. Ndërkohë, po të tërhiqeshin këto forca në Vithkuq, Skrapar, Ternovë e Mokër do kishim 3 batalione me ushtarë dhe 2 bateri mali 65/17, si dhe dy stacione radio R.3. Dy batalione xhandarësh, ai i Major Mahmut Golemit dhe i Major Xhafer Shkëmbit, po të kenë mundësi për t’u lidhur me këto forca duhet të urdhërohen me shpejtësi për t’u tërhequr në këto vija. Përsa i përket kolonel Ali Riza Topallit, ai është i gatshëm me dy batalionet e Rojes së Kufirit.
Mbreti e shpjegoi këtë plan dhe tha: “E, në qoftë se keni për të pasur këtë mundësi, për t’u siguruar me këto reparte, e të bini dakord për t’u tërhequr në këto vende, unë nuk kam për t’u ngutur për të lënë sot tokën shqiptare. Se po të siguroj këto vende, që këtu mundemi për të formuar një vijë qëndrese. Me anën e këtushme jemi në gjendje të bëjmë rezistenca edhe në vende të tjera si p.sh. në Mat, Dibër. Kështu dërgojmë kolonel Husein Selmanin, kolonel Fiqri Dinen me një shumicë të oficerëve dhe kreshnikët, megjithëse një pjesë e madhe kanë kaluar në Jugosllavi, po kjo nuk na ndalon. Njëkohësisht, Kryeministri Kota, të flasë edhe një herë me Kryeministrin Grek Metaksain, mbi këtë plan rezistimi, i cili është edhe tepër në favorin grek. Po të rregullohen këto ne, hë për hë mbetemi këtu. Ministri i brendshëm mundësisht të marrë kontakt me Prefekturat që ende funksionojnë”.
Follorinë, 10 prill 1939: Ora 2 e mëngjesit.
…Në orën 4 pasdite, të datës 9 prill, u kthye Kryeministri Kota me të gjithë të tjerët nga Korça, pa asnjë rezultat. Ata nuk kanë mundur të hyjnë në kontakt me asnjë repart gjithashtu edhe Kryeministri Grek Metaksai, tepër i shqetësuar i lajmëronte se:
”Siç ju kemi bërë të ditur, sot, në orën 12 të natës mbyllet kufiri. Dhe sa për këtë radhë nuk mundemi në asnjë mënyrë t’u vijmë në ndihmë, as morale”.
Pas kësaj, në një bisedë të gjatë me Asamblenë Kombëtare, vendosëm hë për hë të linim tokën shqiptare dhe u nisën për në Kapshticë, Mbreti Zog, Qeveria, Parlamenti, një shumicë oficerësh si edhe një shumicë nëpunësish.
Kur mbërritëm në postën e Kapshticës, Lartmadhëria e Tij, Mbreti Zog I, u ngrit në këmbë dhe i lëshoi sytë me plot mallëngjim drejt tokës shqiptare.
Ai urdhëroi për të ulur Flamurin Kombëtar me nderime dhe e puthi. E mori me vete e, në këtë kohë, kaloi kufirin shqiptar…
Kur hymë në kufirin grek, aty pritnin një kolonel dhe një major grek me një kompani ushtarësh në nderim. Ata menjëherë i prinë automobilit të Mbretit Zog, me automobila e motoçikleta për Follorinë. Por, rruga e mbushur me borë, megjithëqë e kishin zbuluar mjaft me punëtorë. Aty mezi marshonin automobilat, jo më tepër se 20 kilometra në orë. Kur arritën në Follorinë ishte ora 1 pas mesnate. Në Follorinë ishte shumë ftohtë, por Nënprefekti i Follorinës, me gjithë autoritetet civile e ushtarake, si edhe një pjesë e madhe e popullit prisnin aty ku fillonte hyrja e qytetit Lartmadhërinë e Tij, Zog I, Mbretin e shqiptarëve.
Menjëherë sa erdhi mbreti, populli thirri: “Rroftë Mbreti Zog” e “Poshtë Italia fashiste”, etj. Nënprefekti u paraqit tek Mbreti e ju vu në dispozicion. Mbreti pati zbritur nga automobili e po ecte në këmbë duke falënderuar popullin, i shoqëruar nga Nënprefekti dhe koloneli, që ishte dhe ne. Qeveria e Parlamenti, pothuajse i gjithë personeli, bëhej me mbi 2000 vetë. Ata shkuan në sallonin e hotelit, ku ishte Mbretëresha. Natyrisht, ishte një hotel i vogël dhe Mbreti hyri në sallonin e Hotelit, bashkë me Qeverinë dhe një pjesë e deputetëve dhe Nënprefekti Follorinës. Pasi e falenderoi atë, Mbreti i tha Kryeministrit Kota që të bisedonte me të që të angazhojë një tren për në Selanik që menjëherë të niseshim. Pasi Nënprefekti bashkë me Prefektin e Korçës, Veli Vasjarin ikën për të rezervuar një tren për Selanik, që të ishte gati në orën 10 të ditës 10 Prill 1939, Mbreti la Kryeministrin në sallon dhe hipi pak për të parë Mbretëreshën dhe Princin. Mbretëresha ishte mjaft e lodhur. Ajo nuk qëndroi as 20 minuta dhe erdhi në sallon.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura