SKËNDER SADRI KAPITI: LETËR NR 2: SHQIPTARË, NDËSHKONI TRADHËTINË DHE MPOSHTNI EGOIZMIN

Durrës, 30 Nëntor 2018: Kjo është letra dytë me të cilën i drejtohem publikut. Ideja të cilën unë e trajtoj në ketë ftesë të radhës që i bëj publikut për ta lexuar është ajo që del nga realiteti i përvuajtshëm ku ndodhet shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, ku shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar është i tradhëtuar nga ata të cilët janë lart në kupolën politike, qeverisëse dhe në atë të drejtësisë. Tjetra plagë e trashëgueshme për shqiptarët janë egoizmi negativ, nihilizmi dhe antivlerat, të cilat vetëm sa pengojnë, bllokojnë dhe përjashtojnë vlerat, kompetencën, intelektualizmin dhe egoizmin pozitiv si dhe patriotizmin real.
Që të arrijë shoqëria dhe kombi shqiptar zhvillimin, mirëqënien, progresin, emancipimin dhe garancinë e rrugëtimit të sigurt drejt të ardhmes, ai komb duhet të ndëshkojë tradhëtinë; të mposhtë egoizmin negativ dhe mendjemadhësinë; ta çlirojë intelektualizmin, patriotizmin dhe kompetencën nga prangat e injorancës dhe të antivlerave të tjera si pandershmëria, krimi e korrupsioni.
Tradhëtia është edhe hipokrizi, edhe gënjeshtër, edhe mashtrim.
Ajo mbulohet dhe fshihet pas patriotizmit fals, sepse tradhëtia është shumë frikacake dhe pabesia më e madhe e cila nuk guxon të dalë hapur. Por te shqiptarët tradhëtia nuk ndëshkohet , por madje është mëkati më i vogël ndaj të cilit shoqëria dhe drejtësia e politika e saj nuk reagojnë as si duhet dhe as edhe sa duhet. Dhe kur tradhëtia është mëkati që nuk ndëshkohet, dhe prandaj tradhëtarët bëjnë gjithmonë tradhëtinë ndaj shoqërisë dhe kombit kundër interesave kombëtare. Tradhëtia si krim i cili nuk ndëshkohet, ajo bëhet guximtare e madhe për të bërë dëme të rënda sociale, ligjore, ekonomike, krim të çdo lloji, korrupsion dhe papëgjegjshmëri morale dhe sidomos kombëtare. Sot tradhëtitë më të mëdha janë gënjeshtra dhe mashtrimi publik i politikës; janë edhe premtimet mashtruese të saj.

Kombi i cili nuk ndëshkon tradhërinë, antarët e saj më pastaj bëjnë tradhëtinë dhe pabesinë edhe ndërvete dhe humbasin edhe ndjesinë, edhe dashurinë, edhe solidaritetin ndërvete, dhe bien edhe pre e nënshtrimit, servilizmit dhe pajtimit me tradhëtinë, pra infektohen nga antivlera e tradhëtisë.
Tradhëtia trembet sidomos nga guximi intelektual. Guximi intelektual është autori i lindjes dhe i nxitjes së reformave të mëdha epokale të modernitetit, të cilat i kanë dhënë shtysë zhvillimit të shkencës, qytetërimit dhe demokracisë.
Sëmundje e rëndë për shoqërinë janë edhe egoizmi negativ dhe mendjemadhësia, që të dyja nuk pranojnë tolerancën, virtytshmërinë dhe as patriotizmin real; dhe janë armiq të mëdhenj të pjekurisë morale, ku me pjekuri morale kuptohet respekti ndaj mendimit të lirë të tjetrit; respekti, pranimi e gjykimi duke marrë në konsideratë edhe këndvështrimin e të tjerëve. Egoizmi negativ dhe mendjemadhësia janë tipare të intelektualizmit që vuan nga fanatizmi dhe nga frika ndjenjës së inferioritetit.
Te shqiptarët egoizmi nuk është karakter vetëm i fanatizmit injorant, i cili ka frikë nga e reja dhe nga më e mira.
Te shqiptarët ka një egoizëm të theksuar negativ madje edhe nga inteligjenca dhe nga intelektualët shqiptarë, ka një inat dhe intolerancë, një mohim e xhelozi deri në urrejtje patologjike kundër talentit, aftësisë dhe kundër profesionalizmit e patriotizmit të vërtetë.
Kjo është sëmundje e Unit jo vetëm në politikë e pushtet që është shumë agresiv por edhe pothuajse kudo tjetër. Egoizmi negativ është një tjetër antivlerë shumë e dëmshme e cila pengon intelektualizmin e mirëfilltë, e izolon dhe e përjashton atë duke mos e lënë atë të lirë që të arrijë lartësinë ku ai e meriton. Egoizmi negativ intelektual është në aleancë edhe me injorancën dhe me pushtetin injorant dhe të keq , dhe ai e nxit dhe e përdor injorancën si aleat për ta rivalizuar, kërcënuar dhe mposhtur egoizmin tolerant dhe pozitiv, konkurencën e lirë intelektuale, politike, shoqërore, profesionale, patriotike dhe zhvillimore gjithpërmasore.
Egoizmi negativ ka aleat edhe fanatizmin dhe nihilizmin, pra mohimin e dhuntisë dhe të meritës së dikujt tjetër, deri edhe duke shpifur, intriguar dhe deri edhe duke komplotuar tejet korruptivisht e pandershmërisht në mënyrë deri edhe kriminale kundër egoizmit pozitivist.
Egoizmin duhet ta mposhtë shoqëria shqiptare.
Kjo sepse duke e ndëshkuar si tradhëtinë dhe duke u ndarë përfundimisht prej saj e cila historikisht dhe fatkeqësisht nuk na është ndarë as deri tani, si dhe duke u pastruar shpirtërisht prej egoizmit, duke i larguar të dyja ato: si tradhëtinë dhe egoizmin, kështu pastrojmë vullnetin dhe shterojmë burimin e të këqijave që u kanë ardhur shqiptarëve prej tradhëtive dhe egoizmave.
Ne nuk kemi humbur gjithçka, por të luftojmë për t’i fituar ato të cilat na mungojnë dhe që janë jetike për ne: shtetin modern, të lirë, të drejtë e të bashkuar dhe të një jete të lumtur dhe me mirëqënie. Vazhdon me letrën nr 3…
Durrës, 26 Nëntor 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura