SKICA – ESE

SKICA – ESE

Nga Rexhep Kasumaj

Vjeshtë, 2025 Berlin

Skicë-ese

Mall për paqen e verës së ikur…

(Një vegëzim i habitshëm)

Ishte muzg. Aherë kur dielli tek perëndon dhe llampat në udhëkryq takohen për të këmbyer pushtetet e tyre.

Nipi im katërvjeçar, Alvi,

qëndronte i vetmuar në dritare. I vajta pranë dhe, me përqafim ju bashkova botës së tij. Pasi heshti një grimë, mori frymë thellë e njëj toni të ngadaltë tha: Stille Nacht! Flet dhe shqip, por i erdhi vetishëm t’a pëshpëriste gjermanisht, që do të thotë: Natë e qetë!

Kështu, në fakt, fillon kënga e Krishtlindjeve (teksti nga prifti J. Mohr, e muzika e mësuesit L. F. Gruber, viti 1828, Kishë e Shënkollit, Salzburg). E Natës së shenjtë të shpresës dhe, njëkohësisht, të prerjes së madhe të kohëve…

Por Alvi i vogël e kish kujtuar, mbase, nga librat e shumtë për fëmijë që ka në dhomën e vet.

Ishte, pra, një zë që sikur vinte nga një moment i munguar. Ndaj dhe vështronte përtej. Diku larg. Matanë ndriçimit të udhëve dhe autove që përftonin rravgimesh njerëzore.

Atje ku errësira mbulonte gjithçka…

Thuase trishtohej që vera e gjallërishme kishte ikur, e, më pas, vjeshta e pikëllimit të bukur mbaronte shpejt stinën e saj.

I thashë eja të ulemi. Na prisnin për darkë.

Mirëpo tërë mbrëmjen më mbeti në kujtesë.  Ndërsa u zhyta në përsiatje, më bëhej se ende dëgjoja fjalët e ministrit gjerman të mbrojtjes, Pistorius, që para pak ditësh, i mërzitur, do të pohonte: kaluam verën e fundit në paqe!

Që këtej, dukej se ndodhte një vegëz e habitshme mes parandjenjës së Vogëlushit dhe vizionit prej Delfi të dinjitarit shtetëror Boris.

E, thoshja më vete: kushedi, të jenë dhe Kërshëndellat me “Natën e qetë” që janë afruar tashmë, të fundmet në paqen e Europës?

Kam bërë shkollën e mësuesisë në Gjakovë (pastaj kisha studiuar Drejtësinë në Prishtinë, por nuk do t’punoja ndonjëherë as mësues, e as jurist). Po, megjithse duhej të mësoja psikologjinë fëminore, s’mund të thoshja dot: vallë të kenë një lidhje të padukshme apo transcendente, intuita e një fëmije dhe pohimi parathënës i njeriut nga rrethi i lartë politik?

Sidoqoftë, një “Stille Nacht” kishte rënë atë mbrëmje si e virgjëra vesë dhe qeveritari gjerman ndiente mall për verën e ikur…

***

Avion, diku mbi Dhéun Kosovë…

(2025, Nëntor 15)

Skicë-ese

I PAFTYRI…

(Mbi llojsinë e tyre)

Ishte një orë mësimi dhe dritaret vështronin në parkun e artë vjeshtor.

Nxënësit e prisnin të rëndomtë. Meqë java mësimore mbaronte, besonin të ishte më pak e lodhshme.

Kur dëgjuan temën që profesori do të hapte, pëshpëritën mes vete: ah, kjo s’është asgjë. Dukej  sikur dinin mjaft për kurorën e saj. Kujtonin rrëfenja në familje, në rreth miqsh dhe, shpesh, këtu në shkollë.

Dhe u kurajuan shumë.

Por, doli të ishte e vështirë.

Sa fytyra mund të ketë njeriu i keq?

Dy, zotëri, tha një nxënës kurajoz që ulej përherë në tavolinën e parë. Duke qenë më afër profesorit, ai kishte fituar një lirshmëri të veçantë.

Po thua?

Ka dikush një mendim ndryshe?

Natyrisht, u përgjegj një tjetër, pak më i drojshëm, nga mesi i klasës. Ka më shumë se dy, madje tre ose dhjetëra…

Në klasë zotëronte heshtje. Shumësia e fytyrave s’paskësh fund dhe, ndaj, përballja thua s’kishte asnjë kuptim.

Mirëpo, pas një qetësie shurdhe, kur pritej që profesori të thoshte fjalën e tij, një vajzë flokëbukur, tha: Njeriu i keq, profesor, nuk ka asnjë ftyrë!

Pikërisht, shtoi Profesori, sepse të tjerët më dy-tre ftyra, jemi mësuar t’i njohim pak. Natyrën, vesin, lojën, mënyrën, mjerimin, pabesinë dhe ngjyrën e tyre.

Kurse të paftyrët ngjajnë  më të palexueshëm. Të tillë, duke mjegulluar kufijtë mes të mirës e të keqes (si do t’na thoshte Kundera), ata janë tinzarë e të pavërejtshëm pas krahëve të dëlirë!

Këtu Profesori përfundoi shpjegimin dhe biondina, floknajën e së cilës ledhatonte një rreze dielli, mori vlerësimin më të lartë…

Por ajo, një lule e hershme paralajmëtare, akoma nuk e dinte se më i ziu prej tyre është i Paftyri i Arenës politike. Aq më tepër atje ku liria sython vonë e me ngurrim…

Sepse, teksa të tjerë ndër skuta përditshmërie

gënjejnë e mashtrojnë,

godasin e helmojnë disa qytetarë të mirë, i Paftyri i Arenës, prototipi i tij ndërkaq, marshon përtej tyre.

I palodhshëm në karrierën  Paftyrësisë, ai rrënon një popull të tërë dhe vetë shpresën e brezave që pafajshëm vijnë në Tokën e Zgjedhur…

***

Shënime metropolitane

Prishtinë, në 2025

Kultura e paardhshme e mirënjohjes

1.

Askush s’e kish parë t’qante ndonjëherë James Blaine, këtë politikan të rryer e kryesues i Kongresit amerikan.

As të pranishmit e asaj dite nuk do t’vërenin lotët e tij, sepse u përlotën dhe vetë e, madje, nuk përpiqeshin të fshihnin currilin e tyre. Nuk ishin veç fjalët a toni që i përcyste, por poaq personi që i deklamonte me naltësi njerëzore.

Charles Summer, kongresist tashmë i vdekur i Massachusettsit, ishte armiku më idhnak i Jugut. Dhe, papritur, Lucius Lamar që vinte pikërisht nga shteti jugor i Mississipit, në kuvendimin e paharruar, nuk hezitoi të fliste me përulje e pietet të thellë për të. Për reflektimet e tij pajtestare në fundjetë.

Kongresistët u përmbytën emocionesh dhe njëri prej tyre, Kelly i Pennsylvanisë, pohonte me admirim se fjala e jashtëzakonshme e Lamarit do të bredhë si referencë okulte nga goja në gojë e nga zemra në zemër…

Kjo skenë plot dhimbje e hir, ndodhte njëj dite të denjë për kujtesë, viti i largët 1874, kur ndjeshmëritë negative Veri-Jug gëlonin akoma ndër shpirtërat amerikanë.

2.

Berlin. 143 vjet më vonë.

Kohë e vend tjetër. Por atmosferë dhe emocione të ngjashme në Reichstagun e ftohtë.

Kancelari i posakurorëzuar Schröder i drejtohet përulshëm Helmut Kohl-it që gatitej të linte punët e epërme të shtetit: Zotni kancelar federal, njerëzit në Gjermani kurrë nuk do të harrojnë atë që ju keni bërë për ta…

E atij, i përmalluar e prekur thellë, do t’i rridhnin lotët.

Ishin xyfur si kundërshtarë në kampe zgjedhjesh, kishin këmbyer fjalë të rënda dhe kontestuar alternativat e tyre programore, por tani secili ndihej i konsideruar në pozicionin e vet. Schröder që vinte me elan e vizion të rinuar dhe Kohl që hynte madhërisht drejt e në legjendë.

Në fakt, nuk ishte vetëm fituesi që e pati të lehtë për t’vlerësuar të mundurin. Po këtë takt të fismë gjentilence do t’a përshfaqte dhe i mposhturi prej tij.

E kisha menduar provincial, theksonte Helmut Schmidt-i virtuoz për Kohlin që do t’a pasrendte energjishëm në Republikën e Bonnit, mirëpo tash, në aktin e bashkimit gjerman, shoh mjeshtrinë e tij prej burrështeti të madh.

3.

Kohë më pas. Viti 2016.

Në një tavolinë të vogël, tashmë në Gadishullin ilirik, pret, jo pa ankthin e dëshirimit, patriarku i letrave shqipe, Kadare.

Pas pak, shoqëruar nga e shoqja, ecën ngadalë e me flokët e gjatë që i shpupuriste era, ardhësi i rrallë.

Ishte poeti kombëtar Dritëro Agolli.

Të çmoj mbi veten, i thotë ai gati me intonim testamenti, mikut të penës q’e priste, teksa lamtumirej në mbarim t’këtij takimi në muzgun e jetës.

Si për të bekuar

takimndarjen e paharruar, rrezedjelltat binin të arta mbi sfondin që shkelte pragun e historisë.

4.

Këto fragmente leximesh do të trokisnin si pikëza shiu në dritare mendimi, për të parathënë diç, një kumt, një shpresë…

A mund t’a imagjinojmë, ndaj, me sytë e së ardhmes, një të tillë etikë njerëzore, mësimnxënje politike apo vetëmohim atdhetar në një mot të dytë arbnor?

Europa e re e filozofisë libertare posa është ngjizur dhe, pra, krejt e natyrshme të ngjajë e turbullt në horizont. Veçse po përceptuam këtë si të vërtetë, aherë ç’do t’i bënim pyetjes që rrëzon lehtësisht komoditetin ngushëllues të përgjigjes: a s’dëshmuan kulturën e mirënjohjes amerikanët tepër herët, shekuj përpara në vorbën ende të tymtë të luftës civile?

Vështirë, që këtej, të jetë shpejt i pritshëm trollëzimi i kësaj qytetnie, sepse, kushedi, ndoshta është vetë Dhéu, tradita e errtë robnore a rrezja e faktorit otoman që keqfrenon.

Megjithatë, një shkëndijë do fekste shkurt si xixëllonjë në ferrin e deshpërimit. Ishte Agolli, mbrothësia e tij, që shqiptoi fjalët historike…

E tash na vjen si shenjë besimi se ai s’ka zbritur i vetmuar e për pak kohë nga qielli, njëj misioni të bukur, porse ende të vështirë për të tjerë..!

***

Triptik fundjave

Dhimbja që tërheq…

(Më i bukur udhëtimi apo mbërritja në fund…)

1.

Shpenzimi i frymës…

E shterrojnë vallë dashuria, urrejtja, xhelozia e smira frymën njerëzore?

Përgjigja nuk ngjan aq e vështirë, por pyetja do t’më vinte vetishëm ndërsa lexoja shkrimësi të vjetër larglindore.

Kinezët mendonin herët se emocionet sundojnë e, kështu, përdorin sasinë burimore të frymës që i caktohej njeriut qysh në lindje dhe që përbënte shpirtin e tij.

Dhe, meqë askush s’mund të rrojë pa ansamblin e tyre, aherë cila ndjesi do soste më bukur frymën e jetës?

Mësimet e shenjta udhëzojnë: është pjalmi i dashurisë! 

Por kjo shtegësi duket, disi, e pamjaftë. Sepse a s’është Akti hyjnor i krijimit që do vënte në lëvizje çelësin e dialektikës, e pra harmoninë e të kundërtave të kësaj bote? Terrin e dritën, dashurinë e urrejtjen, lindjen e vdekjen?

Ndaj dhe urtaku i lashtësisë sërish thotë: për t’u përmbushur, ji pra i zbrazët…

Dashurinë, që këtej, e mban ekzistenca e shemrës së saj. Ndërkaq, vetë gjakimi i dashurisë është i bukur, ashtu siç është i tillë udhëtimi më shumë se mbërritja në fund!

2.

Tërheqje

Ndërsa lexoja Tunelin, një personazh i Sabatos, rr’fimtari vetë, do t’më pjalmonte magjie të epërme krijuese.

Ndërsa dielli tretej i kuqëlimtë në horizont, ai fliste ende me të dashurën e vështirë e me naze shumë. Dhe, një çast, kur iu bë se ajo pëshpëriti sikur ai s’është tipi i saj, i mërzitur, i thotë: as vdekja nuk është tipi im, por më tërheq…

Mirëpo unë, disi vetishëm, do t’bëja një inverzion piratesk. E, në vend të vdekjes, më erdhi një fjalë në heshtje: as dhimbja nuk është tipi im, por më tërheq shpesh.

Madje, vjen krejt lirshëm, pa pyetur, si në votrën e saj të vjetër e besnike…

Gjithnjë brenda një kohe të njëjtë, që m’ngjan të ketë ndaluar përtej Orës së saj…

3.

Prehje ezoterike…

Ka një legjendë të Swedenborgut (Borges, “Qeniet imagjinare”) që thotë: nëse dy vetë do t’kenë dashuruar shumë, shumë njëri-tjetrin, ata shndërrohen e bëhen një Ëngjëll i vetëm në trajtë të përsosur njerëzore, që rron n’limonti kopshtijesh të Qiellit…

Ah, i pamëshirë ky Swedenborgu!

E ç’t’iu bëhet atyre që nuk tjerrin kurrësesi fijet e udhës së mëndafshtë drejt harmonisë së ëngjëllt naltësore?

Kur karroja merr teposhtë, njeriut i vjen të këlthasë kot si Terzani i thyer (në “Fundi është fillimi im”): ndaleni botën, dua të zbres!

Në gjurmë të revoltës së tij, si një dësh’rim i vogël xixëllonjash, dhe unë ndonjëherë thërras heshtur: ndaloni fatin…

Mirëpo, nëse ashtu si botën, as fatin s’mund t’a ndalosh për të zbritur, aherë gjakimi për një trup të vetëm dashnorësh ëngjëllor – del të jetë shtegmbyllur!

Mandej, kur ora troket, gjithçka mbaron në zonën e ndërmjetme çifute (sërish Borges me besimet e vjetra) midis kurmit të humbur dhe frymës së paarrirë!

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

UNË

UNË Nga Prof.Argjira (Ari) Ukimeri Sikur fjala e vetmueme Parajs e imja e papremtueme Veç n’ty un` gjej…