SOKOL BYLYKBASHI: BASHKIM PËR BASHKIMIN

(Prishtinë, 19. 11. 2012) – Vullneti i qytetarëve shqiptarë për bashkim kombëtar në masë të madhe është i pa përfaqësuar politikisht. Projekti për bashkimin kombëtar është hendeki më i madh politik që i ndanë politikanët prej qytetarëve. Shumica e politikanëve shqiptarë po orvaten që kërkesat për bashkim kombëtar t’i mbajnë sa më larg institucioneve shtetërore. Mirëpo, këto përpjekje të këtyre politikanëve gjithnjë e më shumë po bëhen deshpëruese. Organizata politike dhe intelektuale në trojet shqiptare janë duke u organizuar në forma të ndryshme për një qëllim të njëjtë. Dhe ky qëllim është bashkimi i trojeve autoktone shqiptare në një shtet të vetëm.
Në këtë vit dhe në këtë muaj bëhet një shekull i plotë i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shqiptar padrejtësisht u coptua territorialisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Fuqitë e mëdha para një shekulli për interesat e tyre e përligjen një pjesë të madhe të pushtimit të shteteve fqinjë që i kishin bërë Shqipërisë në atë botë. Që nga ajo kohë, përpjekja dhe rezistenca sistematike e shqiptarëve ka rezultuar vetëm me çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Tash duhet që Kosova dhe Shqipëria t’i bashkojnë shtetet e tyre në mënyrë që ta bashkojnë kombin tonë. Ky bashkim nuk mund të bëhet kurrë, nëse nuk kemi politikanë me moral dhe ideal të lartë në të dyja qeveritë shqiptare.

Qendrat politike ndërkombëtare, sikurse në shekujt e kaluar, janë të interesuara për ruajtjen e stabilitetit dhe gjendjës ekzistuese në rajon në kurriz të shqiptarëve. Duke u nisur nga ky fakt, çdo nismë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mbase edhe mund të prodhojë deklarata mospajtuese nga ndërkombëtarët. E drejta dhe vendosmëria e dy shteteve për bashkim, do t’i detyronte ndërkombëtarët që se paku të mos e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk ka ligj me karakter ndërkombëtar që i ndalon dy shtete të pavarura të bashkohen në një shtet, sigurisht nëse ato e duan një gjë të tillë. Prandaj, çdo vendim i dy vendeve tona, duhet të respektohet nga secili vend i botës.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të garantonte faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan. Një shtet i bashkuar shqiptar do të kthente dinjitetin dhe respektin e munguar në raport me vendet e rajonit dhe më gjërë. Bashkimi i resurseve të dy shteteve tona do të krijonte mundësi reale për zhvillim ekonomik. Me kapacitetet e dy vendeve që kanë në fushën ekonomike, kulturore dhe intelektuale, pashmangshëm do të kishim një zhvillim të hovshëm dhe stabil. Një zhvillim i përbashkët do të na dërgonte shumë më shpejtë në Bashkimin Evropian.
Politikanët shqiptarë, mosgatishmërin e tyre për bashkim kombëtar, po e justifikojnë me integrimet e mundshme evropiane. Shumë herë i kemi degjuar frazat e njëjta nga politikanët e ndryshme, se ne shqiptarët do të bashkohemi në Bashkimin Evropian. Nëse ne nuk kemi nevojë që të bashkohemi ndërmjet vete, atëherë pse po u dashka të bashkohemi me të tjerët. Bashkimi kombëtar nuk mund zëvendësohet asnjëherë me Bashkimin Evropian, sepse ne kemi shumë nevojë edhe për njëren e edhe për tjetrën. Bashkimi kombëtar do ta bënte më të fuqishëm dhe më konkurrues kombin tonë, ndërsa Bashkimi Evropian do ta bënte të barabartë kombin tonë me kombet e tjera evropiane.
Politikanët shqiptarë që po i udhëheqin shtetet shqiptare, kanë dëshmuar që janë pengesë për bashkimin kombëtar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është mbërthyer në negociatat me Serbinë për ndarjen e Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë, e cila ia fal asaj një pjesë të ujërave detare të Shqipërisë. Përveç këtyre, të dy kriministrat janë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive. Me kryeministra shqiptarë që janë skajshmërisht inferiorë në raport me ndërkombëtaret dhe thellësisht të korruptuar në qeverisje, nuk mund të ketë as bashkim dhe as zhvillim për kombin tonë. Këta kryeministra janë pikërisht e kundërta e politikanëve dhe atdhetarëve shqiptar të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përvjetori i 100-të i pavarësisë së Shqipërisë duhet të na frymëzoj edhe më shumë për të punuar në realizimin e plotë të këtij projekti gjithëkombëtar. Ky përvjetor jubilar nuk duhet që të kaloj vetëm me festime e zbavitje. Data historike e 28 Nëntorit duhet të shërbej si ngjarje e bashkimit të të gjitha strukturave shoqërore dhe koordinimit të hapave të tyre të mëtutjetshëm për bashkim kombëtare.
Paraardhësit tanë nuk rreshtën kurrë së vepruari për ta bërë Shqipërinë dhe shqiptarët të lirë dhe të bashkuar. Ata sakrifikuan gjithçka që ne të kemi një komb dhe një jetë më të mirë. Tash është koha që edhe ne të bëjmë më të mirën për vendin tonë dhe për pasardhësit që do të vijnë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura