“ÇETA E LLAPIT – 1989” DHE GËNJESHTRAT E XHAVIT HALITIT

“ÇETA E LLAPIT – 1989“ DHE GËNJESHTRAT E XHAVIT HALITIT

„Bërthama kryesore ishte Komiteti Drejtues i OMLK-së në Kosovë, anëtar i së cilës isha edhe unë, ndërkaq mbuloja edhe postin e sekretarit organizativ për rrethin e Llapit, gjithnjë duke iu referuar vitit 1989.  Pastaj ekzistonte edhe Dega e OMLK-së jashtë vendit, në periferinë e të cilit organizim ka qenë i lidhur mbase edhe Xhavit Haliti.“ Gani Hoxha, Lugano, 25 mars 2003 (*)

Pashtriku, 6 shkurt 2023

Për organizimin e ushtarak të “Çetës së Llapit” nuk kanë të drejte të merren matrapazët e përfituesit e luftës e gjakut të dëshmorëve të tipit të Xhavit Halitit.

Reagim përkitazi me fejtonin “Pesë vjetori i luftës në Kosovë”, botuar në gazetën “Zëri”, në intervistën e Xhavit Halitit, vazhdimi i parë, botuar me 24 mars 2003, meqenëse janë shkruar të pavërteta të mëdha ose janë heshtur të vërtetat, ndiej obligim që të jap këto sqarime.

Xhaviti, duke iu referuar ngjarjeve të vitit 1989 në Kosovë, flet për veprimtarinë e LPRK-së, përkatësisht për “Çetën e Llapit”. Atëbotë LPRK-ja ishte Organizatë e gjerë e masave popullore në kuadër të OMLK-së.

Ndonëse ishte paraparë si e këtillë nga OMLK-ja, LPRK-ja nuk arriti kurrë të bëhet organizatore e masave të gjera popullore.

OMLK-ja atëherë shtrihej në nja dhjetë rrethe, si mbas komunave të Kosovës, mirëpo shumica e këtyre rretheve ishin pasive dhe me tepër ekzistonin vetëm në letër pa bërë as më të voglën veprimtari antijugosllave apo duke u kënaqur me ndonjë parullë të tipit “KR” dhe shpërndarjen e ndonjë trakti a fletushke të kësaj organizate.

Përjashtim bënte rrethi i Llapit, në të cilin zhvillohej e gjithë veprimtaria kundër regjimit serb të asaj kohe, në të cilin ishin prezentë të gjitha format e rezistencës, duke përfshirë këtu edhe sabotimet e ndryshme falë guximit e vendosmërisë së veprimtarëve të kësaj ane, gjë që mungonte në rrethet tjera në atë kohë.

Bërthama kryesore ishte Komiteti Drejtues i OMLK-së në Kosovë, anëtar i së cilës isha edhe unë, ndërkaq mbuloja edhe postin e sekretarit organizativ për rrethin e Llapit, gjithnjë duke iu referuar vitit 1989.

Pastaj ekzistonte edhe Dega e OMLK-së jashtë vendit, në periferinë e të cilit organizim ka qenë i lidhur mbase edhe Xhavit Haliti.

Për vrasjen e dëshmorëve Ali Ajeti, Ahim Zhitia, Fahri Fazliu e Fadil Vata, e kam njohur unë Xhavit Halitin…

Të vjen të vjellësh kur Xhaviti mbllaçit për dëshmorët Ali Ajetin, Afrim Zhitinë, Fahri Fazlinë e Fadil Vatën e ndjerë, meqë Xhavit Haliti me këta njerëz nuk ka pasur të bëjë asgjë dhe për ta ka mësuar vetëm pas rënies së tyre heroike. Nuk përjashtohet mundësia ta ketë vizituar Fadil Vatën e ndjerë pas shtrimit të tij në një spital të Bazelit.

Ditën e vrasjes se Afrim Zhitisë e Fahri Fazlisë, lajm ky që e mora nga një komunikatë e medieve ndërkombëtare, në të cilën flitej për dy të vrarë në Kosovë, kam thirrur në telefonin e një aktivisteje tonë, me ç’rast m’u përgjigj Xhavit Haliti (Zeka i atëhershëm). Kur thirra kisha dyshimin se janë vrarë Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, ndërsa Zeka m’u përgjigj pa as më të voglën dhembshuri se “nuk dinte se kush është vrarë, por dinte se “janë vrarë dhe dekë krejt” për (të vazhduar se “po, po, ata i kishin vrarë dhe se nuk e dimë kush janë“. 

Bardhyl Mahmuti është arrestuar në vitin 1989 para se të krijohej rezistenca e armatosur në Kosovë (“Çeta e Llapit”). Me sa di unë ai kishte dalë të shpërndante trakte në Komunën e Lipjanit bashkë me Shukri Bujën, ky i fundit i arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërkaq Bardhyli arrin të ikën duke shkëputur çdo kontakt me ne dhe duke na krijuar probleme të rënda organizative.

“Çeta e Llapit” është e vërtetë se në mars të vitit 1989, pas demonstratës masive në Podujevë, konfliktit të parë të armatosur me policinë serbe gjatë kësaj demonstrate, dhe daljes se mëvonshme në ilegalitet, është emëruar kështu nga mediet serbe dhe folkloristët shqiptarë me këtë emër, ndonëse ne nuk e njihnim veten në te.

Thjesht ishim njerëz të rrezikuar dhe të kërkuar nga ana e regjimit serb si organizatorë të asaj demonstrate.

Xhavit Haliti nga mosdia apo qëllimi i mbrapshtë i tij i përmend 4 emra të përveçëm (Bajram Ajeti, Ali Ajeti, Sabri Kiçmari e Nazmi Llapashtica). Nga këta të katër Bajram Ajeti nuk i ka takuar asnjëherë kësaj strukture të organizimit, por ka pasur kontakte miqësore dhe sporadike me ne. Deri me 30 maj 1989, kur është vrarë Ali Ajeti, Bajrami ka qëndruar i vetëm në ilegalitet tek të afërmit e tij, ashtu si edhe vëllai i tij Safeti, i cili qëndronte me ne.

Nazmi Llapashtica ndërkaq është krejtësisht i panjohur për organizimin tonë të asaj kohe dhe është e çuditshme se pse ai e fut në këtë mozaik. 

Do të ishte e ndershme nga ana e Bajram Ajetit dhe Nazmi Llapashticës të distancohen nga këto gënjeshtra dhe të mos stolisen me pupla të huaja, të cilat mbajnë erë sakrifice e gjaku të pastër.

Bajram Ajeti do të bënte po ashtu mirë të sqaronte se si menjëherë pas arratisjes në Zvicër, bashkë me dy shokë të tjerë dhe një shoqe, është ekspozuar në publik përkundër marrëveshjes sonë që kjo të mbetej sekrete deri në arratisjen e të gjithë grupit.

Kjo gjë u bë vetëm me qëllim që t’u shitej trimëri e guxim grupeve të tjera komuniste aktive në Zvicër rreth gjoja aktivitetit të LPRK-së. Kjo për pasojë pati botimin e menjëhershëm të fotografive të pjesës se grupit që kishte mbetur në Kosovë, në shtypin jugosllav, duke e vështirësuar së tepërmi arratisjen tonë, për të mos thënë duke e bërë gati të pamundur.

Kjo është e vetmja “ndihmë” që na ka dhënë Dega jashtë vendit e LPRK-së. Armët për të cilat ai flet janë dërguar pas majit 1989, nga një shok imi e jo nga organizata.

Ndërkaq ndihmë në të holla nuk kemi marrë asnjëherë, përkundër asaj se ato janë mbledhur vazhdimisht që nga viti 1981 e tutje. Bile – bile në vitin 1989 pas ikjes sime para një komisioni i kam dorëzuar 12. 000 DM, para të mbledhura në Kosovë, nga nxënës, studentë, fshatarë e ish të burgosur shqiptarë.

Xhaviti do të ishte mirë të tregonte përse në vitin 1981 u rrah keq nga demonstruesit studentë të Prishtinës dhe si ka dëshmuar në gjyqet serbe kundër shokëve të vet në procese të montuara politike?

Me përpjekjet e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës, neve që ishim ilegalë, janë këta të tre të cilët na kanë ndihmuar me së shumti për dallim nga shokët tjerë të pa dekonspiruar të kësaj organizate, të cilëve u kishte hyrë frika në palc dhe nuk guxonin të na ndihmonin në asnjë formë, duke gjetur një mijë arsyetime nga më të ndryshmet me përjashtim të këtyre treve tek të cilët kemi mundur të llogarisim gjithmonë.

Kontaktet me ta i kam mbajtur vetëm unë dhe Sabri Kiçmari. Kjo rezistencë jona nuk ishte rezultat i ndonjë strategjie organizative të organizatave të ndryshme me vulë komuniste në atë kohë, por ishte një përpjekje jona dëshpëruese për të penguar pushtimin e mëtejmë të Kosovës dhe në atë moment edhe ka ndodhur ajo kthesë e madhe në vetëdijen tonë dhe të popullit të Kosovës. Se kundër okupatorit serb, nëse ishte e pamundur të luftohej në nivel politik dhe institucional, për shkak të koniukturave të atëhershme politike, alternativë e vetme mbetej ballafaqimi ushtarak nëse do të ishte e domosdoshme.

Kjo u vërtetua edhe në ngjarjet e mëvonshme tashmë të njohura gjerësisht.

Është tejet e guximshme sjellja e Xhavit Halitit… për të mjegulluar ngjarjet dhe personat e asaj periudhe kur dihet se rreth “Çetës se Llapit” një penë më e njohur se ajo e tij është përpjekur t’i shtjellojë ato ngjarje në mënyrë korrekte dhe në një kohë kur të tjerët nuk kanë guxuar as të na përmendin.

Bëhet fjalë për shkrimtarin e njohur Azem Shkreli, që në rrethana të një pushtimi total të Kosovës botoi librin e tij “Ata të shtatë”, libër ky i bazuar ekskluzivisht në rrëfimet autentike të vet anëtarëve të “Çetës se Llapit”.

Rreth organizimit politik e ushtarak të asaj kohe do të ishte e ndershme të merreshin studiues, historianë e njerëz të shkencës shqiptare, duke e respektuar autenticitetin e ngjarjeve e jo matrapazë e kalkulantë politikë, përfitues të luftës dhe gjakut të dëshmorëve … Se si para se të fusnin hundët aty ku asnjëherë nuk kanë qenë, do të ishte e ndershme të rrëfente se përse në vitin 1981 është rrahur keq nga demonstruesit studentë të Prishtinës, se si ka dëshmuar në gjyqet serbe kundër shokëve të vet në proceset e montuara politike.

Të flasë për ndonjë teh thike që e ka marrë në trupin e tij të tultë në konflikte të natyrës ordinere e po ashtu të tregojë se si një ish – azilant në Zvicër pa as edhe një ditë të vetme pune në këtë shtet, duke qenë barrë e përhershme e shtetit që e ka strehuar dhe e diasporës shqiptare që e ka mbajtur, në emër të fatkeqësisë së Kosovës, ia del të blejë gjysmën e Kosovës së tij të dashur.

Po ashtu do të ishte me e rrugës të fliste për të pabërat e tij në Perëndim dhe në Shqipëri e Kosovë, para, gjatë dhe pas luftës, t’i shpjegonte Parlamentit të Kosovës dhe Kryesisë, e cila e ka fatkeqësinë për ta pasur në mesin e saj, për prejardhjen e pasurisë së tij të tundshme e të patundshme e të mos ua lëvizë eshtrat njerëzve që në këtë luftë hynë me ideale të tjera, të kundërta me ato të tij.

Unë në vorbullën e këtyre ngjarjeve kam hyrë si i ri, me ideale nga me të pastrat dhe pa asnjë frikë. Frika ime e vetme ka qenë ajo se ndoshta kam mund të bie i gjallë në duart serbe e jo vdekja si diçka që na ka përcjellë të gjithëve në këtë veprimtari.

Me vjen keq që m’u desh edhe një herë t’i mbrojë ato ngjarje para dikujt që veten e quan themelues i UÇK-së, në themelet e së cilës qëndrojnë njerëz krejt të tjerë nga ata të cilët Xhavit Haliti do të turret t’i përmendë në vazhdimet e ardhshme. Këtë herë do të mjaftohem me kaq.

Lugano, 25 mars 2003

Gani Hoxha, sekretar organizativ për rrethin e Llapit i “Çetës se Llapit”

_______________

Hajnat e Fondeve 3% dhe Vendlindja thërret – Gani Hoxha flet me shifra dhe fakte (VIDEO)

***

InDoks | Intervistë me Gani Hoxha, Aktivist i Fondit “3%”

https://www.facebook.com/watch/?v=226702117934077

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura