STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (4)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
PJESA E DYTË
Mësimet historike dhe nevoja për Strategjinë Kombëtare
Interesat kombëtare të popullit shqiptar
KAPITULLI – 2
Çështja kombëtare shqiptare
Kreu 12 – Periudhat historike të popullit shqiptar shfaqen interesante. Në trajtimin e tyre nevojitet koha dhe hapësira e nevojshme për akademizmin dhe institucionet universitare të kërkimit shkencor, për t’i përfshirë ato në sistemin e vlerave historike të kombit, (Historia e Popullit Shqiptar), i cili ka kaluar në mbijetesë të mençur përmes tragjedive që nuk do të dëshironim të përsëriteshin më.
Çështja kombëtare është sa historike dhe reale, kundër kritikës dhe kundërvënies përmes teorisë së integrimit evropian. Ajo është lëvizje e karakterit historik, që synon bashkimin e kombit shqiptar në shtetin – komb. Marrëdhëniet midis koncepteve dhe realitetit të kaluar në kohë, përpjekjeve për shpjegimin e siituatës, përballen me ndërveprime komplekse që lidhen me ngjarjet dhe realpolitikën. Ato janë përpjekur të ideojnë vizione dhe koncepte të reja mbi ardhmërinë kombëtare. Në fakt nuk ia kanë dalë.
Sot kërkohet vizion politik që mund të sjellë qëndrime të reja, duke gjeneruar koncepte në interes të lëvizjes kombëtare shqiptare. Çdo përpjekje për ta deformuar procesin me programe të vjetra me lëkurë të re, do të jetë dështimi i radhës. Mbulimi i zinxhirit të ngjarjeve 30 vjeçare në Republikën e Shqipërisë dhe në 20 vite në Republikën e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, nuk mund të dalin përtej analizës përmbledhëse të interesave shqiptare. Analiza dhe vlerësimi përqëndrohen në hapat e dobishëm të planifikimit të përbashkët sipas koncepteve të reja të trajtimit të çështjes shqiptare.
Përpjekjet drejt organizimit mbarëkombëtar mbështeten në alternativa relativisht të pavarura dhe të përparuara në raport me të kaluarën, duke ndryshuar mënyrën e të menduarit, kundër gabimeve historike. Brenda sistemeve politike, populli shqiptar në troje dhe në Botë duhet të ketë një fillim të ri të përbashkët dhe ndryshe.
Kauza e bashkimit kombëtar do të përfundojë në muze, vetëm atëherë kur kombi shqiptar të mos ketë nevojë të kthejë kokën prapa në rrugëtimet e vështira dhe tragjike të historisë së tij.
Njëmbëdhjetë momentet kulmore politike të shekullit të fundit të Historisë së Popullit Shqiptar, (11:Traktati i Shën – Stefanit-1878, Kongresi i Berlinit – 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit -1 878, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë – 1912, Konferenca e Londrës – 1913, Kongresi i Lushnjes – 1920, Mbretëria Shqiptare – 1928, Komunizmi në Shqipëri – 1945, Demokracisa Perëndimore – 1991, Ngjarjet e vitit 1997, Çlirimi i Kosovës, Akti i Shpalljes së Pavarësisë – 1999), janë “pikat kritike” në memorien historike të kombit.

Ngjarjet historike kulmore nuk mund të harrohen apo anashkalohen pa iu nënshtruar lidhjeve kauzale mes tyre, të hapura dhe të fshehta, pa zhvilluar mr gjakftohtësi kritikën dhe analizën historike për t’i vënë gurët kilometrik të historisë kombëtare në vendin e tyre. Mes pikave kulmore të historisë mbulohet e vërteta e shkatërrimit dhe coptimit të padrejtë të kombit shqiptar, e cila sot tentohet të mbulohet nën pluhurin e harresës.
Idetë e mira nuk kanë vlerë pa guximin për të vepruar prej njerëzve idelaistë të kombit. Idea e bashkimit kombëtar mbetet dëshira në zemrën e njerëzve patriotë atdhedashës. Ajo mund të japë me kohë shkëndija shpërthimi mes popullit për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ka rëndësi vlerësimi i gjithçkaje të mirë që ushqehet në mendje dhe në zemër për këtë çështje, për t’i shërbyer me mençuri dhe dinamizëm mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar në të dy anët e Drinit.
Kreu 13 – Analiza shkencore dhe kritika historike shmangin gabimet në trajtimin politik të çështjes kombëtare. Nuk mund të tejkalohen dimensionet reale të mundësive që ekzistojnë sot, por as nuk duhet të sajohen pengesa artificiale për t’u mbyllur rrugën mundësive të reja të së ardhmes. Nuk mund të ketë kohë pa kufizim për dështime në rrugën e zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Çështjet e integrimit gjithëshqiptar, shkrirjes dhe bashikimit nuk janë e njejta gjë në kohë dhe hapësirë. Fundi i procesit të shtetit – komb është integrimi gjithëshqiptar dhe shkrirja brenda kombit, krijimi i një organizmi të vetëm në unitet mendimi dhe veprimi, me një qëndrim ndaj të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, me një qëndrim ndaj aleatëve strategjik dhe armiqve strategjik të kombit shqiptar.
Kompromisi i brendshëm politik krijon stabilitet në qëndrimin ndaj aleatëve strategjik të kombit shqiptar. Problemet meritojnë trajtimin e faktorit politik dhe patriotik në realitetin e prekshëm, pa eufori dhe vetëkënaqësi, me tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendimmarrjes së drejtë politike për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Në kontekstin e qëllimit, mendimi filozofik shqiptar jashtë luftës politike duhet të orientohet në mbrojtjen e interesave kombëtare, duke realizuar bashkimin në ideologjinë kombëtare dhe pajtimin kombëtar në funksion të çështjes kombëtare. Qëllimi nxjerr në dritë gjenialitetin e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, idetë dhe sakrificën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vlerat e luftrave për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
Brenda historisë tragjike të shkaktuar dhe deformuar nga armiq të egër të popullit shqiptar, vetëdija duhet të ngrihet në nivelin e lartë të qytetarisë dhe tolerancës për të fituar paqen brenda kombit. Paragjykimet ideologjike janë sot varrëmihëset e pajtimit dhe të unitetit kombëtar, pengesa kryesore kundër zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Kreu 14 – Mungesa e ideologjisë kombëtare ka lënë hapësira abuzimi dhe deformimi të historisë, duke ushqyer separatizmin mes popullit shqiptar. Lufta ideologjike që zhvillojmë brenda njerëzve që e sollën deri këtu çështjen shqiptare, është antishkencore, antipatriotike, është shërbimi që i bëhet separatizmit dhe thërrmimit kombëtar. Pjesa më e keqe e politikës së një kombi janë psudo – neoliberalët, të cilët mund të bëjnë gjithçka për të shitur interesat e vendit dhe për të mbrojtur interesat e tyre.
Idea drejt shtetit – komb duhet të jetë e qartë, e përpunuar shkencërisht dhe e pranuar. Tek populli shqiptar veprimi i parë nuk është propoganda dhe këmëngulja për ta binduar atë të bashkohet në mënyrë mekanike në trojet shqiptare, por integrimi gjithëshqiptar drejt shkrirjes, e cila i çon elementet kombëtar unifikues në natyrën e tyre të vërtetë. Bashkimi kombëtar është kompromis mes popullit shqiptar, ndërsa integrimi gjithëshqiptar dhe shkrirja është unifikimi i të gjithë vlerave të përbashkëta në të gjithë fushat e ndërveprimit të shqiptarëve në të dy anët e Drinit.
Faktori patriotik nuk duhet të lëkundet në bindjen mbi realizimin e kauzës kombëtare. Bashkimin kombëtar dhe shtetin – komb e dëshiron populli shqiptar në të dy anët e Drinit. Kjo bindje dhe aspiratë të nxisë organizimin e referendumit popullor, me vullnet patriotik dhe politik, në një kohështrirje optimale dhe të mjaftueshme, brenda të cilës shqiptarët në troje dhe në Botë të votojnë për mbështetjen e aspiratës shëkullore.
Kundër çdo orvajtje antikombëtare që tenton të bindë opinionin se brenda kombit shqiptar ekzistojnë dallime të mëdha, vetëm populli është ai që vendos për fatin dhe të ardhmen e tij. Ky problem kërkon shpjegimin shpirtëror dhe pragmatist në arritjen e qëllimit. A është real mendimi se populli shqiptar nuk e do bashkimin kombëtar apo kjo është një gënjeshtër e madhe e mirëmenduar për ta mbajtur kombin ende të coptuar dhe në errësirën e historisë? Ta vërtetojmë jo me fjalë, por me bindjen dhe veprën tonë.
Konteksti historik, Sindromi “Shën – Stefan”
Kreu 15 – Ndoshta kur të dalë e vërteta për historinë e popullit shqiptar, Europës nuk do t’i mjaftojë fryma për të kërkuar falje.Vendimmarja eFuqive të Mëdha shkaktoi tkurrjen e territoreve, shpërnguljet dhe asimilimin, coptimin territorial me stratagjemën më të rrezikshme për zhdukjen e kombit më të vjetër në Evropë. Analiza historike vlerëson momentet kulmore, të cilat fshehin thellë të vërtetën mbi tragjedinë dhe masakrën e realizuar mbi kombin shqiptar. Kjo stratagjemë mban emrin “Sindromi Shën – Stefan”.
Sindromi ”Shën – Stefan” është fenoment psikopolitik, që shfaqet si rezultat i trasmetimit të frikës, efekteve shkatërruese të dhunës, presioneve, luftës dhe pushtimeve të shtrira në hapësirë dhe në kohë, me efekte psikologjike raskapitëse, që çojnë drejt shterrimit të energjive dhe kapitullimit. Një reagim psikopolitik i Europës kundër ekspansionit të Perandorisë Cariste, më pas të ish – Bashkimit Sovjetik dhe sot të Federatës Ruse, përballë kërcënimit ushtarak për realizimin e synimeve, për dominimin e Ballkanit dhe hapësirave detare të Mesdheut, Maltës dhe Gjibraltarit, duke cënuan rëndë interesat e BE në juglindje të Europës.
Këmbëngulja e Rusisë për arritjen e synimeve të saj drejt Adriatikut dhe Mesdheut, ka mbajtur gjatë nën presionin psikologjik dhe ushtarak Evropën Perëndimore. Në 75 vjet Evropa e ka harruar luftën, por asnjëherë nuk i ka shpëtuar frikës prej efekteve të Sindromit “Shën – Stefan”.
- Traktati i Shën – Stefanit. Përmes tij Perandoria Ruse gjymtoi rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë, duke vështirësuar luftën e popullit shqiptar për shtetin kombëtar. Territoret shqiptare u aneksuan prej shteteve sllave. Tek shqiptarët për 35 vjet më pas mungoi shteti i domosdoshëm, që nuk u mungoi serbëve, grekëve, bullgarëve, malazezëve. Lakmia shovene u vërsul mbi vetëmbrojtjen popullore. Shqiptarët u braktisën nga Evropa. Territoret shqiptare u përdorën mall këmbim interesash të përplasjes Lindje – Perëndim. U ndryshuan pikpamjet politike, ushtarake, administrative dhe ekonomike mbi popullsinë dhe territoret shqiptare, duke krijaur aleancat e reja ruse-bullgare-serbe-greke për asimilimin, coptimin dhe zhdukjen demografike me zjarr dhe hekur të kombit shqiptar.
- Kongresi i Berlinit:Më 13 qershor 1878 me këmbënguljen e Anglisë dhe Austro – Hungarisë u mblodh Kongresi i Berlinit për rishikimin e kushteve të Traktatit Shën – Stefan; për rivendosjen e ekuilibrit të forcave, duke respektuar legjitimitetin. Vendimet e tij nuk u respektuan nga fuqitë e kohës për qëllime ekspansioniste, me interesa mbi vendet e Ballkanit. “Traktati i Shën – Stefanit, ishte akti i parafundit i ndarjes së Turqisë, në dobi të sllavëve“. Problemi mes Fuqive të Mëdha u shtrua thjeshtë; kujt do t’i takonte toka shqiptare pas shpërbërjes së Perandoria Osmane!
- Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 10 – 12 qershor 1878; Synoibashkimin e tokave shqiptare mbi 4 vilajetet shqiptare. Organizoi në 3 vjet të ekzistencës shtetin shqiptar me elementet veprues politik, diplomatik, arsimin shqip, traditën, simbolet, sigurinë. Dha modelin shtetit – komb duke lënë amanet programin e Bashkimit Kombëtar. Agresioni i fqinjëve gjakatarë e përballi patriotizmin shqiptar me nacionalizmin agresiv, i cili me zjarr dhe hekur lakmoi territoret shqiptare për të dalë në Adriatik. U mbyt në gjak nga forcat ushtarake të Perandorisë Osmane dhe të shovinizmit ballkanik.
- Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë – Vlorë, 28 nëntor 1912;Krijoi shtetin e parë Shqiptar pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, të përfaqësuar nga Qeveria e Parë e Përkohëshme, e kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora.
- Konferenca e Londrës, (Konferernca e Ambasadorëve) Londër 1913;Vendimi për coptimin e trojeve shqiptare ne 5 shtete dhe në 8 pjesë, duke e lënë shtetin shqiptar në një sipërfaqë 28.687 km2.
- Kongresi i Lushnjes, 21 – 31 janar 1920. Miratoi me akt kushtetues Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Zgjodhi Këshillin e Lartë dhe Këshillin Kombëtar. Vendosi Tiranën për kryeqytet të Shqipërisë. Suksesi i Luftës së Vlorës bëri realisht Shqipërinë shtet të pavarur, duke u pranuar në Lidhjen e Kombeve. Një vit më vonë, Konferenca e Ambasadoreve në Paris hodhi poshtë kërkesat greke mbi Korçën dhe Gjirokastrën.
- Mbretëria Shqiptare, 1shtator 1928 – 7 Prill 1939. Miratoi Kushtetutën e Parë të Shtetit Shqiptar, Kodin Penal dhe Civil, Ligjin për Besimet Fetare, Platformën Kombëtare të Arsimit Shqiptar, Mbrojtjen Kombëtare. Për herë të parë i dha shtetit shqiptar një natyrë tjetër në jetën politike të Ballkanit.
- Sistemi komunist në Shqipëri. 29 nëntor 1944 – 22 mars 1991. E rreshtuar në krahun e Lindjes, Shqipëria ndoqi kursin e ideologjisë komuniste, duke trasformuar jetën social – politike dhe ekonomike në kshtet e izolimit. E orientuar mbi sovranitetin e plotë dhe fuqinë ushtarake synoi përqëndrimin e energjisë kombëtare dhe mbajtjen gjallë të shpresës së popullsisë jashtë trungut amë për identitet kombëtar. Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropën Juglindore që përmbysi sistemin komunist dhe i hapi rrugën demokracisë perëndimore.
- Sistemi i Demokracisë Perëndimore. 22 mars 1991 – kthesa historike e daljes së Shqipërisë nga sistemi komunist. Në kushte të reja të orientimit euroatlantik dhe të forcimit të marrëdhënieve dhe miqësisë me shtet e fuqishme perëndimore, antare e NATO, Republika e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë në rrugë demokratike të realizojë integrimin gjithëshqiptar dhe formalizimin e kufijve politikë të coptimit të padrejtë të kombit shqiptar.
- Rebelimi i vitit 1997 – 24 janar – 24 korrik 1997.Enjohur ndryshe si “kriza piramidale, anarki dhe luftë civile në Shqipëri”. Një lëvizje antiqeveritare. Shkaktoi rrebelimin e popullit për shkak të falimentimin të firmave piramidale, të cilat grabitën rreth 1,2 miliardë $ kursime të shqiptarëve. Shteti u gjunjëzuar dhe Siguria Kombëtare mori goditje fatale. Një akt i turpshëm shkatërrimi në historinë shqiptare.
- Çlirimi i Kosovës, Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Nëntor 1997 – 12 qershor 1999. Çlirimi i Kosovës nga sundimi shekullor i Serbisë, shpallja e Pavarësisë 8 shkurt 2008 dhe orientimi i saj euroatlantik drejt shtetit në fortë e të begatë, me synimin antarësimin në NATO dhe integrimin drejt shkrirjes me trungun kombëtar.
Nëse duam të lemë gjurmë dhe të bëjmë Historinë e Re të Shqipërisë dhe të Kombit, të mos presim gjithçka nga jashtë, por të ngrihemi në këmbë për të rilindur, duke u mbeshtetur në vullnetin e kombit tonë. Nëse do ta dinim se çfarë force gjenerojmë brenda vetes, nuk do të rrinim kaq urtë, të diskriminuar, të zvarritur dhe nëpërkëmbur pas ngjarjeve të historisë, por do të rizgjonim shpirtin jetëdashës brenda vetes.
Ta fillojmë reflektimin dhe mbështetjen e kësaj fryme me atdhedashuri nga vetëvetja dhe familja jonë, duke ndryshuar me kurajo patriotike bindjet dhe qëndrimin për të mbrojtur me çdo çmim Interesat Kombëtare të Popullit Shqiptar. Të gjithë sëbashku ne mundemi të bëjmë shumë për kombin dhe Shqipërinë tonë.
Të ngremë në nivelin më të lartë frymën e patriotizmit, të përmbysim praktikat e politikave të vjetra diskriminuese dhe vrasëse, për t’u organizuar në forumin më të lartë kombëtar. T’i kundërvihemi me vullnet tentakulave sllave të nxitura nga Sindromi “Shën – Stefan”. Në rrugë pragmatiste të kërkojmë dhe realizojmë rrugët e integrimit dhe të shkrirjes gjithëshqiptare, të bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet – komb, nën emrin Shqipëri.
Armiqtë tradicional të Kombit Shqiptar
Kreu 16 – Fuqitë e Mëdha e coptuan kombin shqiptar në Konferencën e Londrës të vitit 1913, në 5 shtete dhe ne 8 pjesë, duke realizuar masakrën më të madhe në historinë e Europës kolonialiste të kohës. Situata tragjike vazhdon sot të shkarkojë mbi popullin më të vjetër të kontinentit pasoja të rënda me efekte të pariparueshme.
Kombi shqiptar ndodhet në periferinë ekstreme perëndimore të synimeve ruse dhe ai asnjëherë nuk do të ndihet i qetë, përballë tendencave të blerjes së influencës dhe luftës hibride kundër interesave kombëtare. Çështjen kombëtare shqiptare e analizojmë në rrethanat konkrete, sipas interesave dhe detyrave që ajo shtron në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, trojet shqiptare nën Serbi dhe Greqi, si dhe për Diasporën, Emigracionin apo detyrimet e shtetit amë.
Çështja kombëtare kudo ku vepron synon faktorizimin e elementit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke u kthyer në subjekt i dobishëm në vendin ku vepron, si faktor stabiliteti dhe integriteti në trojet shqiptare, në rajonin ballkanik dhe kudo në botë.
Ndryshe nga mbijetesa, sot filozofia e veprimit kërkon përshtatjen me realitetin gjeopolitik të rajonit, në kërkim të rrugëzgjidhjeve dhe larg kurthit të historizmit të çështjes. Në konceptin politiko – historik dhe etnik, ka vetëm një SHQIPËRI, e cila brenda saj përfshin trojet etnike, si shtrati i jetesës dhe mbijetesës së Kombit Shqiptar.
Përfundimet pozitive të pjesëshme të luftës së viteve 1997 – 2001, treguan se aktet normative antishqiptare janë akoma në fuqi dhe diktojnë kundër bashkimit kombëtar. Sjellja në vëmendje e procesit është detyrë, gjetja e rrugëzgjidhjeve është detyrim individual dhe institucional me përgjegjësi kombëtare.
Politika shqiptare sipas interesave gjeopolitike, rreziqeve dhe kërcënimeve, duhet të ruajë në mënyrë të dobishme marrëdhëniet me shtetet miq të kombit shqiptar. Klientelizmi për interesa të ngushta është krim kombëtar. Qëndrimet gjeopolitike marrin vlera historike për të ardhmen e kombit, me trasformimin e thellë politik dhe diplomatik. Përcaktimi i aleatëve strategjikë dhe të natyrshëm, mbështetja e tyre në raport me interesat shqiptare në rajon dhe më gjerë, janë zgjidhja më e mirë në interes të sigurisë. Trajtimi shkencor i tyre i takon Strategjisë Kombëtare dhe të Sigurisë të Popullit Shqiptar.
Rusia, prapavijë e rrezikshme e armiqve të kombit shqiptar
Kreu 17 – Strategjia ruse shfrytëzon nostalgjinë e lavdisë së dikurëshme të ish – Bashkimi Sovjetik për ringritjen graduale të fuqisë së saj. Ajo synon armatimin strategjik për të mbrojtur territoret dhe është e ndikuar nga rreziku i shpërbërjes. Si aleate historike e Serbisë, Rusia depërton në Ballkan duke synuar depërtimin financiar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes ndikimit politik dhe spiunazhit diplomatik, ajo nxit luftën hibride, duke sfaqur agresivitet në qëndrimet e saj politike e diplomatike.
Përballja me ndryshimin e natyrës së luftës duke i dhënë përparësi efektivitetit të elementeve hibride dhe teknologjisë së informacionit në konflikte, duke synuar “sterilizimin” e luftës për të arritur suksesin me më pak viktima, kanë sjellë në skenë doktrinën e re ruse, e cila në bazën e saj metodologjike vlerëson ndërthurjen e përparësive shkencore me diversionin politik dhe agjenturor në të gjithë drejtimet, sipas natyrës së tyre të fshehur “kadife“, të frikëshme, të dhunshme, intensive dhe të shpejta.
Kjo situatë po nxit një tjetër lloj “lufte të ftohtë” në shekullin e ri, e cila politikisht dhe ekonomikisht do të ishte shkatërruese për popujt dhe kombet. Doktrina e re ruse në politikën e saj mbështet rolin unik shekullor të Rusisë, “si një faktor balancues në çështjet ndërkombëtare dhe çështjet e civilizimit botëror”.
Sipas teoricienëve ushtarakë rusë, doktrina ushtarake e Rusisë nuk e përcakton NATO si një kërcënim ushtarak; përkundrazi, ajo përcakton thjesht “zgjerimin e saj duke krijuar infrastruktura ushtarake në vendet anëtare pranë kufijve të Federata Ruse, si një risk rreziku ushtarak”, që ka potencialin për të “çuar në një kërcënim ushtarak në kushte të caktuara”. Për këtë arsye ajo i bën jehonë teorisë së luftës së brezit të ri, duke sugjeruar që luftëra të tilla do të përfshijnë “një pjësmarrje komplekse të fuqisë ushtarake, mjeteve politike, ekonomike, informuese dhe mjete të tjera jo – ushtarake”.
Ngjarjet më të spikatura në marrëdhënien e Perëndimit me Rusinë kanë bindur opinionin se kompromiset po bëhen pa kurfarë lëshimesh. Një rrjedhojë që “trimëron” Serbinë në qëndrimin e saj antishqiptar. Pavarësisht natyrës jo – ushtarake, doktrina paraqet një kërcënim aktual kundër interesave të popullit shqiptar në rajon.
Nuk mohohet ëndrra ruse për daljen në Adriatik, në Maltë për të dominuar Mesdheun. Me strategji të organizuar ajo nxit përçarjen midis kombeve, vendeve të NATO në rajonin Ballkanik dhe demostron forcën gjeostrategjike për të ushqyer krizat brenda BE. Ndikimi rus është i pranishëm në Serbi, duke syniuar kontrollin pjesë – pjesë të rajonit. Lufta hibride parasheh masa shtrënguese për nënshtrimin politik të kombit shqiptar.
Ajo ndjek synimet aq sa e ka lidhur Serbinë pas qëndrimit të saj, edhe pse kjo e fundit është e rrethuar nga vende të NATO dhe formalisht aspiron për t’u antarsuar në BE. Prapa çështjes së Kosovës, më shumë sesa Serbia qëndron Rusia. Vendi që e pengon njohjen e Kosovës në fakt është Rusia dhe politika e Serbisë është një pasojë e qëndrimit rus. Analiza ndihmon për të kuptuar se ku shfaqen interesat shqiptare në raport me qëndrimet armiqësore ndaj tyre.
Në një mjedis gjeostrategjik ku lufta e ftohtë dhe ajo ideologjike nuk ekzistojnë për shkak të përfshirjes së këtyre vendeve në sistemin kapitalist, duhet të vlerësohet fakti që Rusia nuk është vend antar i NATO dhe nuk aspiron antarësimin në BE. Kjo situatë sjell ndarjen gjeostrategjike në politikë dhe diplomacinë shqiptare për ta vlerësuar qëndrimin ndaj Rusisë duke mos shkuar përtej marrëdhënieve që Republika e Shqipërisë dhe kombi shqiptar ka me aleatët strategjikë të natyrshëm dhe Aleancën Veriatlantike.
Situata në qendër të Ballkanit për Rusinë duhet të mbetet e tensionuar, një zjarr i ndezur që ajo të jetë e pranishme dhe faktor në vendimmarjen ndërkombëtare, duke e mbajtur rajonin të tensionuar për një kohë të gjatë dhe nën presionin psikologjik të goditjeve të mundshme. Me këtë qëndrim ajo synon faktorizimin dhe rritjen e kredencialeve në arenën ndërkombëtare.
Qëndrimi armiqësor i Greqisë ndaj çështjes shqiptare
Kreu 18 – Greqia dhe Serbia në Ballkan janë shtete multietnike. Ato janë “federata në hije” duke mos deklaruar nacionalitetet brenda tyre. Greqia tenton t’i ngjaj Bizantit por ajo është një federatë pa lidhje të brendshme organike strukturore. Autoriteti i Kishës Ortodokse në Greqi shfaqet i fortë në raport me institucionet politike. Kjo marrëdhënie institucionale rrit influencën e partriarkanës së Moskës mbi jetën politike greke. Për shtetin grek duhet të dalë studimi politik specifik mbi faktin që, ajo “nuk përfaqëson një komb, por i është nënshtruar vetëdijes fetare”. Nëse ai është i tillë, si mundet shteti të drejtohet dhe udhëhiqet nga autoriteti më i lartë fetar? I vetmi shtet në Europës që zyrtarisht udhëhiqet nga feja, ku Presidenti dhe të tjerë në vend që të betohen para kushtetutës, betohen para Partriarkut të Lartë!
Politika europiane nuk dëshiron konflkte dhe vatra zjarri brenda saj. BE ndjek situatën në Ballkan dhe nuk dëshiron të prishë marrëdhëniet me asnjë shtet. Greqia ka mbetur prapa evolucionit demokratik të Europës, duke mbajtur qëndrim armiqësor ndaj kombit shqiptar. Ajo si antare e NATO dhe BE ende fle në një jastëk me to, por mendon ndryshe. Greqia nuk e njeh shtetin e ri të Kosovës.
Politika greke duhet të dijë ku e ka vendin e saj në raport me kombin shqiptar. Çështjet delikate të mbartura nga historia nuk mund ti zerë pluhuri i harresës. Agresiviteti politik dhe diplomatik për “ligjin e luftës”, Çështjen Çame dhe pretendimet territoriale tokësore e detare, kalojnë përtej qëndrimit të të qenit aleat brenda NATO. Mosnjohja e shtetit të Kosovës e shfaq Greqinë kundër politikave të BE.
Doktrina e vjetër e “Vorioepirit” është vetëvrasja për shtetin grek. Presioni ndaj kombit shqiptar vazhdon i maskuar me zhargonin e demokracisë. Pasojat e aneksimit të tokave shqiptare nga Greqia zënë sipërfaqen prej 11. 800 km2. (Çamëria 2550 km2, Janina 4890 km2, Preveza 1077 km2, Kosturi dhe Follorina 1685 km2, Arta 1612 km2). Dokumentacioni që kanë shqiptarët mbi pronësinë në këto territore është pika e dobët, e cila duhet ta detyrojë Greqinë të ekspozohet përpara presionit të qëndrueshëm dhe konstant të politikës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar.
Krizat politike që shoqërojnë Greqinë dhe marrëdhëniet e ndera me Turqinë, qëndrimi armiqësor kundër interesave të kombit shqiptar, pretendimet e saj për të marrë rolin e sigurisë në Ballkan, janë vdekja në substancë e filozofisë megallomane të konsumuar nga qarqet ultranacionaliste agresive greke me ndikime mbi politikën. Pretendimet e Greqisë mbi ortodoksinë shqiptare janë fytyra e vërtetë e mëgallomanisë bizantine, duke e barazuar besimin fetar me kombësinë.
Objektivat gjeopolitik të strategjisë kombëtare duhet të gjejnë rrugët e ndryshimit të raportit të forcave në marrëdhënie me Greqinë, duke forcuar lidhjet dhe mbështetjen e shteteve që kanë të njejtat probleme me shtetin grek, si Turqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
- A mund të pretendohet se Greqia në mënyrë të vullnetëshme mund të heq dorë nga pretendiemt mbi “Vorio – Epirin”?
- A mundet Greqia të heq në mënyrë të vullnetshme “ligjin e luftës” me Shqipërinë?
- A mund të pranojë Greqia gjenocidin mbi popullsinë shqiptare dhe veçanërisht mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë?
Nësë do të ndodh kjo, atëherë ajo duhet të pranojë se i ka aneksuar padrejtësisht territoret shqiptare të Epirit të Jugut. Kushtëzimet greke ndaj antarësimit të Republikës së Shqipërisë në BE, kanë synuar greqizimin e territoreve shqiptare në jug. Për shkak të antarësimit, politika shqiptare ka lëshuar terren duke cënuar interesat kombëtare. Ky është qëndrim kriminal.
Ajo nuk mund të kundërshtojë aktin e mosratifikimit të kufijve me shtetin shqiptar që prej vitit 1918, për shkak të aneksimit të padrejtë të territoreve shqiptare. Heqja e “ligjit të luftës” rrëzon pretendimet edhe në kufijtë detarë jugorë me Shqipërinë. Politika greke është përherë në sulm ndaj çështjes shqiptare për të mbrojtur interesat e saj aneksioniste. Si vend antar i NATO, nuk ka asnjë rast të ankesës apo denoncimit nga politika në Republikën e Shqipërisë kundër Greqisë për këto absurd me karakter historik!
Greqia shfaq frikën e saj sepse përherë brezat dhe gjeneratat e reja do ta dinë se trevat e coptuara nën shtetin grek kanë qenë tokë dhe pasuri e tyre. Politika greke e di se këto hapësira nuk janë tokë e tyre dhe popullsia nuk është greke. Për t’i dalë të keqes përpara në Greqi i është dhënë përparësi besimin ortodoks si një element që mund të bashkojë shtetasit e saj. Strategjia Kombëtare duhet të denoncojë qëndrimin e Greqisë në mosnjohjen e Republikës së Kosovës, e cila i trembet fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan. Greqia përherë ka ndjekur politikën idioteske, djallëzore “të topit në fushën e kundërshtarit”. Ajo pretendon me djallëzi për Epirin e Veriut, në të njejtën kohë që Epiri i Jugut është shqiptar.
Institucionet politike shqiptare ende nuk planifikojnë përgatitjen e materialeve studimore shkencore, të mbështetura në fakte, dokumente, dëshmi për ngjarjet tragjike mbi popullsinë shqiptare?! Pretendimet për t’i kaluar në heshtje këto çështje delikate është nënshtrim politik kundër interesave shqiptare. Ky detyrim duhet të funksionojë për institucionet politike shqiptare edhe në Prishtinë, për të denoncuar ndërkombëtarisht gjenocidet dhe spastrimet etnike të territoreve shqiptare në veri të Shqipërisë nga shteti i Serbisë.
Këto gjenocide duhet të ishin demakskuar dhe denoncuar me kohë në zemër të Parlamentit Evropian dhe ndaj tyre duhet të kërkohet drejtësi në Gjykatën e Krimeve Kundër Njerëzimit.
Gjenocidi i Serbisë mbi popullsinë shqiptare
Kreu 19 – Qëndrimi i politikës dhe diplomacisë shqiptare në marrëdhënie me Serbinë duhet të ndryshojë kursin gjeopolitik. Serbia i ka borxh të madh historik kombit shqiptar. Ajo ka kryer luftra, krime dhe gjenocide kundër tij deri në luftën e fundit të vitit ’99. Serbia duhet të kërkojë falje ndërkombëtarisht popujve dhe shteteve në Ballkan.
Në vlerësimin gjeostrategjik, Serbia përbën kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe paqen në rajon. Ajo synon t’i hapë rrugën depërtimit rus dhe shfaqet një aleate besnike e saj. Oazet serbe brenda Republikës së Kosovës dhe hapësira të tjera të vertikalizuara në Beograd, janë precedent i mjatueshëm për incidente, përplasje dhe shpërthim krizash, të cilat mund të kërkojnë angazhime ndërkombëtare.
Serbia është shtet me rol të rëndësishëm në Ballkan. Çështjet ballkanike nuk zgjidhen pa praninë e saj, por ajo nuk jep kontribut në balancimin dhe normalizimin e problemeve të sigurisë në rajon. Për këtë ajo sot ndjen “përkëdheljen” evopiane për të ndryshuar kursin politik, në të kundërt politika amerikane mund t’i rezervojë Serbisë goditje në kohën e duhur.
Serbia duke mos pranuar të futet në NATO, duke pasur ngarkesa të afërta armiqësie në proces me popujt dhe shtet rreth saj, duke qenë fuqi ekonomike dhe ushtarake, e lidhur me një kundërshtar jo vetëm hipotetik por real anti – NATO, kundër BE dhe kombit shqiptar si Rusia, në të ashtuquajturin nismë dhe bashkësi të “Ballkanit të Hapur”, ajo do të synojë të rrisë ndikimin në të gjitha drejtimet. Kjo do t’i shërbente maksimalisht rritjes së influencave të politikës ruse në Ballkan. Nisma e politikës serbe mbi “Botën Serbe” e mbështetur në frymën e nacionalizmit ekstrem, është një intrigë e rrezikëshme politike, e cila në thelb e inkurajuar nga nisma e “Ballkanit të Hapur”, mund të kthehet në precedent për destabilizimin e rajonit. Serbia duhet t’i largohet ëndrrës së “Serbisë së Madhe” duke kërcënuar me presione ushtarake.
Kreu 20 – Politika qëndrore e BE duhet të shkul nga koka mendimin se, “Serbia është faktori i stabilitetit në Ballkan”!! Kjo po merr përmasat e marrëzisë kolektive europiane. Nuk mund të jetë një shtet faktor stabiliteti që ka qenë faktor i luftrave dhe gjenocideve. Cili parim i shkencave politike do ta vërtetonte këtë? Serbia është futur në rrugën e mashtrimit politike, duke e zvarritur për 20 vite çështjen e njohjes së Kosovës. Ajo do ta zvarritë atë edhe 20 vjet të tjera, për ta përdorur procesin e paërfunduar për interesat e saj dhe të Rusisë. Serbia nuk kupton me këtë gjuhë, duke e marrë me të mirë për të ndryshuar kursin e saj. Ajo është e ndërvarur nga spina ekonomike e Europës. Ky është çelsi i politikës europiane, e cila ashtu siç ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, në këtë mënyrë është e aftë të rrëzojë pretendimet e nacionalizmit serb dhe ti hapë rrugën demokratizmit të saj. Nëse këto masa nuk do të funksionojnë për mungesë të vullnetit politik në BE dhe mosmarrëveshjet brenda tij, atëherë faktori shqiptar në Republikën e Kosovës duhet ta çojë Serbinë në Gjykatë të Hagës për gjenocid dhe krime kundër njerezimit.
Serbia historikisht e ka pushtuar Kosovën, por ajo kurrë ska qenë tokë e saj. Kosova ka qenë dhe është tokë shqiptare. Loja politike e Beogradit mbështetet në strategjinë e përfitimit maksimal të territoreve dhe popullsisë. Kompromisi politik i Serbisë nuk ka të bëjë me tre komunat në veri të Kosovës, por me hapjen e portave për të bërë bashkimin me të gjitha territoret jashtë saj, të banuara me popullsi serbe. Me këmëngulje ajo tenton të imponojë kriterin historik, duke e deformuar atë. Me arrogancë politike dhe duke viktimizuar vetëveten, Serbia synon të ndryshojë tablonë sinoptike të politikës ballkanike. Klasa drejtuese politike në Serbi duhet të demaskohet.
Serbia sot është në pozitat e mbrojtjes dhe jo të sulmit. Garancinë për ta kapërcyer situatën ajo i kërkon tek politika shqiptare, kundër konfuzionit të brendshëm dhe dilemës, “me Rusinë, apo me BE dhe NATO”. Nën presionin ndërkombëtar për ndërrimin e pushtetit politik prorus, Serbia mund të orientohet në kursin politik dhe të deklarojë qëndrimin antirus. Orientimi perëndimor mund ta afrojë atë me Malin e Zi, duke siguruar daljen në Adriatik. Serbia e ka të qartë qëndrimin e popullit shqiptar (Kosovë – Shqipëri – Maqeedonia e Veriut), miqësinë me aleatin strategjik SHBA. Me popullin shqiptar nuk mund të luhet më me politika kërcënuese.
Kreu 21 – Strategjia Kombëtare dhe akademizmi shqiptar duhet t’i rrëzojnë me argumente shkencore Serbisë pretendimet “historike”, kundër pretendimeve mbi popullsitë serbe në Republikën e Kosovës si element “federativ”. Pretendimi për ndërrimin e territoreve, është ndërrimi i një toke shqiptare me një tokë shqiptare. Nëse kjo mund të ndodhë për shkak të elementit demografik, kushtëzimet e politikës shqiptare duhet të jenë të palëkundëshme dhe të panegociueshme.
Në marrëdhënie me Serbinë politika shqiptare duhet të mbajë qëndrim të unifikuar dhe korrekt për mbrojtjen e interesave kombëtare të popullit shqiptar, duke denoncuar përpjekjet e saj për radikalizimin dhe kriminalizimin terrorist të popullsisë shqiptare që jeton në territoret e saj. Serbia duhet të heq nga kushtetuta e saj evidentimin e Kosovës si territor të saj.
Politika e Serbisë duhet të denoncohet si luftënxitëse dhe destabilizuese. Ajo pretendon për antarësim në NATO dhe në BE, (në fakt ajo nuk e ushqen këtë opsion në diplomacinë e saj), në të njejtën kohë që armatoset maksimalisht nga Rusia dhe mban qëndrim të dyshimtë në marrëdhënie me Perëndimin.
Strategjia Kombëtare mund të ndikojnë mbi politikën shqiptare për ndërtimin e modelit demokratik të përfaqësimit unik të faktorit politik shqiptar brenda Serbisë. Përfaqësimi shqiptar me dinjitet brenda institucioneve të shtetit serb është më shumë sesa patriotizëm, është niveli më i lartë i civilizimit në përfaqësimin e vlerave të demokracisë.
Strategjia Kombëtare duhet të jetë e qartë në qëndrimin e saj përballë armiqve të kombit shqiptar, veçanërisht përballë Greqisë dhe Serbisë. Atyre duhet t’u bëhet “rrethimi demokratik”. Strategjia duhet të njohë mirë armiqtë e tyre, të cilët mund të kthehen në kushte e rrethana të caktuara aleatë të çështjes shqiptare. Strategjia duhet të promovojë rolin dhe mbështetjen e Kroacisë, Malit të Zi, shtetet që mbështesin Bosnje – Hercegovinën, mbështetjen e Turqisë dhe të Bullgarisë. Kjo përcakton frymën e qëndrimit ndaj armiqve të Serbisë dhe Greqisë. Kështu duhet të ndodh në marrëdhënie me Hungarinë, e cila ka popullsinë e saj brenda Serbisë.
Strategjia mund të shtrojë probleme interesante për t’iu kundërvënë Serbisë në rrugë demokratike. Ajo nuk mund të vazhdojë pafundësisht me mosnjohjen e Kosovës. Për gjithçka që ka bërë Serbia më parë, tani është vonë për të reflektuar përballë qëndrimit të administratës së re amerikane, e cila i ka vënë kufijtë në raport me çështjen e Kosovës.
Strategjia mund të japë alternativa të dobishme për Serbinë për ta njohur Kosovën. Varjante ka, por nuk mund të tejkalohen marrëdhëniet me Serbinë, kur mes dy shteteve shqiptare ekziston një klimë e ftohtë bashkëpunimi. Situata të tilla nuk i shërbëjnë integrimit gjithëshqiptar. Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se, pretendimet e saj mbi Kosovën dhe qënia në një shtet me shqiptarët i jep fund vetë Serbisë. Kundër tyre shqiptarët mund të bëhen shumicë, duke synuar qeverisjen. Naiviteti politik shpesh anashkalon faktorët kryesore që diktojnë mbi vetë politikën. Serbia nuk ka si të pranojë që, shteti i Kosovës mund t’i japë asaj tre fshatra në veri të Ibrit (Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Patok) dhe në lindje t’i marrë asaj tre qytete të rëndësishme, (Preshevë, Bujoanc, Medvegjë), të përfshirë në rrugëkalimet strategjike drejt Luginës së Vardarit dhe Egjeut.
Varjanti i shkëmbimit të territoreve është një “as nën mëngë” dhe një intrigë politike e Serbisë drejt “Botës serbe”, i përkrahur nga politikanë të korruptuar shqiptarë. Askush nuk mund të përfshihet në negociata të tilla “për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për njohjen e Kosovës”, pa miratimin e politikës amerikane. SHBA mbajtjën peshën kryesore në çlirimin e Kosovës dhe kanë përgjegjësinë e perspektivës dhe të shtetndërtimit të saj. Ajo që është fituar me luftë dhe gjak, nuk mund të falet në tavolinën e bisedimeve.
Qëndrimi ndaj Serbisë duhet te jetë i qartë, i palëkundur. Ajo mban përgjegjësi për gjenocidet historike dhe të kohës së sotme mbi popullsitë e Ballkanit Perëndimor. Ajo duhet të kërkojë falje ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit. Ajo duhet të kthejë eshtrat e të zhdukurve në kohën e luftës. Ajo duhet të dëmshpërblejë ekonomikisht shtetin e Kosovës për dëmet e shkaktuara nga lufta.
Ndryshimi i kursit të saj politikë në Ballkan është i diskutueshëm dhe aspak i besueshëm në fushën e sigurisë. Përpjekjet paqësore europiane për gjunjëzimin e nacionalizmit agresiv serb do të jenë përherë të dështuara. Për shumë arsye dhe për shumë kohë, shteti i Serbisë do të mbetet një armik i pakorrigjueshëm dhe i rrezikshëm ndaj kombit shqiptar dhe sigurisë në Ballkan.
Antishqiptarizmi, armiku që godet pas shpine interesat e kombit
Kreu 22 – Një armik i vazhdueshëm, i ushqyer dhe nxitur më djallëzi nga filozofia lindore e shkatërrimit dhe asgjësimit të popullit shqiptar dhe interesave të tij. Lufta kundër blerjes së influencave brenda politikës shqiptare, është lufta më e egër, të cilën populli shqiptar duhet ta fitojë me çdo kusht për mbijetesën e tij. Ku e gjejnë veten politika, shtetet shqiptare dhe kombi brenda strategjisë armiqësore antishqiptare dhe a ekzistojnë studime shkencore mbi shkaqet, pasojat dhe rrugëzgjidhjet për kapërcimin e situatës historike?
Të ç’rrënjosim me çdo mjet dhe me çdo çmim frymën antishqiptare të nostalgjisë mbi të kaluarën komunisto-titiste me ndikime ideologjike mbi jetën tonë. Mbi popullin shqiptar synohet të nxitet përçarja e brendshme dhe armiqësia me aleatët strategjikë, si etapa e parë e veprimit hibrid. Armiqtë e kombit shqiptar nxisin përpunimin e mendimit politik kundër demokracisë perëndimore përmes sistemit agjenturor dhe mediatik.
Shërbimet inteligjente të Lindjes punojnë për blerjen e influencave brenda politikës shqiptare, përmes mediave, propogandës dhe kompromentimit të politikanëve dhe këshilltarëve politik shqiptar. Ato synojnë këshillimin politik të tyre kundër miqësisë së popullit shqiptar me SHBA, strukturave të NATO dhe BE. Një problem delikat për të cilin Strategjia Kombëtare nuk është e përgatitur ta përballojë.
Nën ndikimin e efekteve të globalizimit në rajon dhe shtetet shqiptare, të mbështetura nga teknologjia dhe informacioni, strukturat jo – shtetërore dhe jo – profesioniste (pa uniformë ushtarake) janë kthyer në rrezik serioz kundër sigurisë dhe sovranitetit. Ato shfaqin egërsi dhe rrëzikshmëri të lartë përballë strukturave shqiptare të sigurisë. Format hibride ushtrojnë presion mbi politikën, ekonominë, ushtrinë, kulturën, diplomacinë dhe besimet fetare, duke i mbivendosur këto mbi njera-tjetrën me forma të reja lufte të hapur dhe të fshehtë përmes dezinformacionit, luftës financiare, tregëtare, psikologjike, të cilat në fund të fundit në planet e tyre të goditjes, arrijnë të kombinojnë nivelet e konflikteve të brendshme në një pikë; destabilizimin dhe kapitullimin e shtetit.
Kreu 23 – Tezat mbi “Shqipërinë e Madhe, të Bashkuar, Natyrale” (mund të pranohet termi Shqipëri Etnike), janë paradoktrina që pengojnë procesin e bashkimit kombëtar, duke vështirësuar zgjidhjen e çështjes shqiptare. Koha vërtetoi se ato konsumuan kohën dhe energjitë, mbajtën pezull patriotizmin duke zhvilluar ide të përtypëshme organizative. Ato nxitën dhe fabrikuan organizata patriotike dhe liderë të dështuar.
Asnjë paradoktrinë nuk siguroi udhëheqjen në lëvizjen kombëtare, duke nxitur separatizmin në emër të patriotizmit, simpatitë individuale të padobishme, i shërbyen kundërshtarëve për përçarjen e përpjekjeve mbarëshqiptare, të dominuara nga niveli i ulët, egoizmi, nevoja për personalitet fallco, separatizmi dhe militantizmi partiak. Në asnjë rast në krye të tyre nuk u shfaqën figura të shquara në nivel kombëtar.
Kreu 24 – Shtetet shqiptare e kanë përcaktuar kursin e tyre euroatlantik, politik, ekonomik dhe ushtarak. Ato janë pjesë e politikës rajonale dhe globale, për aq sa kanë fuqinë dhe mbrojnë interesat e tyre. Ato kanë të drejtë të mbrojnë interesat kombëtare të popullit shqiptar në çdo vend dhe kryeqytet të botës, atje ku ato gjejnë hapësira përfitimi dhe maturi në respektimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Strategjia Kombëtare vlerëson: Rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në ekzistencën e kombit dhe shtetit shqiptar. Në mbështetje të saj, përkrahja amerikane është e ligjëshme, si mundësi dhe mbështetje për bashkimin në perspektivë të kombit shqiptar. Populli shqiptar nuk harron rolin e SHBA për pranimin në Lidhjen e Kombeve; nuk harron mbështetjen e pakursyer në çlirimin e Kosovës, antarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO dhe sigurinë shqiptare në rajon.
Sot pas 140 vjetësh, me fuqinë e saj të lartë morale dhe kombëtare, është aktuale nevoja e Platformës së Bashkimit Kombëtar, e cila buron nga ideologjia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ajo është Amanet, që përfaqëson anën heroike të kohëve të vështira në mbijetesë, kundërvënia e fuqishme kundër vendimeve të Traktatit të Shën – Stefanit dhe Konferencës së Londrës, të cilat ende shkarkojnë pasoja të rënda mbi jetën e popullit shqiptar.
KAPITULLI – 3
Aleatët strategjik dhe të natyrshëm të kombit shqiptar
Kreu 25 – Aleat i natyrshëm strategjik për kombin shqiptar janë SHBA. Brenda kombit ka përputhje natyrale të qëndrimit proamerikan në një kurs me gjeostrategjinë amerikane, sipas vullnetit të lirë të popullit shqiptar. Interesat e përbashkëta në planin gjeopolitik motivojnë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës të kryejnë misionin historik, si mbështetje e sigurtë e interesave të SHBA në rajon. Interesat gjeostrategjike të SHBA synojnë rigrupimin e kombin shqiptar, si popullsi kompakte homogjene antisllave, me marrëdhënie të pastabilizuara me Evropën.
Sovraniteti, është burim i sigurisë kombëtare. Shqipëria ka dorëzuar një pjesë të sovranitetit në NATO dhe BE. Rrugëtimi i Republikës së Shqipërisë nga sovraniteti i plotë, në sovranitetin e kufizuar dhe atë të kontrolluar, është pasojë e politikave të padobishme, të cilat në kushte të veçanta historike e detyruan kombin shqiptar të vërëizolohej dhe të mbrohej.
Strategjia Kombëtare vlerëson mjedisin e sigurisë dhe mbrojtjen, përballë mundësitë së konflikteve dhe të destabilizimit të rajonit. Ajo udhëhiqet nga koncepti i nevojës së pakthyeshme për të ndërtuar shtete shqiptare të forta politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht me sistem sigurie të garantuar. NATO për kombin shqiptar është i vetmi aleat strategjik në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
Kreu 26 – Interesat Kombëtare të Popullit Shqiptar si institucion i diktuar nga historia tragjike dhe coptimi gjeografik, janë të shtrira në dimensionin e tyre të nevojave dhe veprimit, të shtrira në hapësirë dhe në kohë. Ato imponojnë politikës shqiptare rivendosjen e balancave në objektivat e saj gjeopolitikë, për të ruajtur kompaktësinë kombëtare dhe territorin.
Mbështetja tek aleatët strategjikë dhe të natyrshëm, është domosdoshmëri jetike, për shkak të fuqisë së munguar.
Gjermania si “lokomotiva ekonomike” e Europës, është aleate e natyrshme dhe mbështetje e rëndësishme europiane ndaj interesave të kombit shqiptar. Vjena ka qënë përherë paradhoma e politikave të Berlinit, mbështetëse historike e kombit shqiptar. Roli i Perandorisë Austro – Hungareze dhe shteteve brenda Mbretërisë së Hasburgëve, si aleatë të natyrshëm, kanë ndikimet e tyre politike në historinë shqiptare.
Kujdesi i politikës dhe diplomacisë shqiptare duhet të rritet në forcimin e marrëdhënieve me Anglinë, si aleate strategjike e SHBA. Brenda BE, Italia vlerësohet si aleate strategjike e mbështetjes së interesave shqiptare. Gjithashtu, Polonia vlerësohet si aleate e natyrshme e Republikës së Shqipërisë, e po kështu Hungaria si derivat i natyrshëm në mbështetje të interesave të popullit shqiptar. Me shtetin Zvriceran duhet të mbahen marrëdhënie të ngushta, për shkak të emigracionit dhe lidhjeve të fuqishme që ai krijon me trojet etnike. Kroacia ka qenë dhe do të jetë avokatja e shtetit shqiptar për pranimin e saj në BE. Në Ballkanin Perëndimor Mali i Zi vlerësohen si aleatë strategjik i kombit shqiptar në rajon.
Kreu 27 – Shtete të tjara brenda strukturës së BE si, Franca, Spanja, Hollanda, Belgjika, Sllovakia, Danimarka, Greqia, Qipro dhe ndonjë shtet tjetër, nuk janë aleatë të natyrshëm të kombit shqiptar. Qëndrimi i tyre i lëkundur në respektimin e të drejtave të mohuara të kombit shqiptar, është tregues i influencave negative gjeopolitike, të cilat nuk orientohen sipas interesave europiane të proceseve të integrimit, madje u kundërvihen atyre.
Kreu 28 – Marrëdhënie me Turqinë trajtohen kundër koncepteve antishkencore me ndikime nga e kaluara. Prurjet e historisë vazhdojnë të përbëjnë material për diskutim dhe spekulim. Ato nuk vlerësohen nga pozita e “vëllait të madh”, por me shpejtësi mendimi sipas interesave gjeopolitike shqiptare në rajon. Jemi kundër koncepteve arkaike që vlerësojnë kombin shqiptar si, “mbetje osmane”, sepse shteti turk edhe pse një fuqi e madhe në rajon, ka nevojë për mbështetjen e shteteve shqiptare. Në rrethana të caktuara politika shqiptare mund ta zbeh ndikimin turk në Ballkan. Përballë qëndrimin agresiv të Serbisë dhe Greqisë, Turqia është aleati strategjik ushtarak i kombit shqiptar në Ballkan.
Kreu 29 – Populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut për shkak të ndarjes në kufijtë politikë, është pjesë e kombit dhe vlerësohet si pjesë e pandashme jetike brenda kompaktësisë dhe homogjenitetit, me potenciale të fuqishme për mbështetjen dhe realizimin e interesave të kombit shqiptar drejt bashkimit më trungun kombëtar.
Faktori politik shqiptar në këtë shtet duhet të synojë federalizimin, paralelisht me kontributin e pazëvendësueshëm të shtetendërtimit për mbrojtjen e interesave publike dhe kombëtare të popullsisë shqiptare.
Kreu 30 – Kosova nuk është aleate e Shqipërisë, por pjesë e trungut shqiptar. Në vlerësimin gjeopolitik ajo ka lidhje të historisë së përbashkët, simboleve kombëtare dhe gjuhës shqipe, traditave etno – kulturore, interesave territoriale dhe demografike. Brenda tyre marrin fuqi interesat dhe siguria e shtetit të ri shqiptar për shkak të bazës më të madhe ushtarake të SHBA në Evropë. Republika e Kosovës është në kontakt territorial me Serbinë. Fuqizimi i saj në të gjitha fushat me rëndësi strategjike, ndërtimi i shtetit të fortë dhe të begatë, me ekonomi dhe siguri të lartë, është garanci për krijimin e kushteve dhe rrethanave në të ardhmen në integrimin dhe shkrirjen graduale në normalitet me Republikën e Shqipërisë.
Kreu 31 – Ndryshe nga më parë, Strategjia duhet të ndërtojë marrëdhënie me simotrat në botë, për të kombinuar dhe bashkërenduar informacionin e dobishëm institucional. Politika shqiptare duhet të dijë çfarë mendon bota për çështjen shqiptare, deri në nivelet me të larta, nga lindja dhe perëndimi, opsionet që jepen nga kanceleritë e mëdha të me ndikime strategjike, por dhe të armiqve të kombit shqiptar.
Është koha e bashkërendimit të frymës së idealizmit me pragmatizmin politik dhe patriotik. Në zgjidhjen e çështjes shqiptare politika ka shumë pak gjëra në dorë. Nismat që nuk kanë në bazën e tyre studimet shkencore me karakter politiko – historik, janë të destinuara të dështojnë. Në kohë brenda tyre, mjaft individë janë përpjekur të faktorizohen përmes personalizimit të vetëvetes. Ata kanë penguar ndryshimin dhe perspektivën. Mbështetja e SHBA, miqësia me shtetin e Turqisë, të Austrisë, Italisë, marrëdhëniet normale me Anglinë dhe Francën, politikat objektive bashkëkohore joarmiqësore me Rusinë dhe Kinën, i japin mundësi diplomacisë shqiptare në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Është e nevojshme të paracaktohen qëndrimet në analizën kombëtare, përballë qëndrimit që mban faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe bashkimin e kombëtar. Cilët janë miqtë, kombet indiferente, armiqtë? Influencat e vjetra antishqiptare duhen demaskuar.
Edhe tek kundërshtarët e ëështjes shqiptare duhet të punohet shumë. Mund të mos i bëjmë dot mbështetës të interesave tona, por kemi nevojë t’u ulum nivelin e agresivitetit kundër tyre. Ndërhyrjet duhet të jenë të institucionalizuara.
Strategjia duhet të ndërtojë marrëdhënie të drejtëpërdrejta me Kongresin, Senatin dhe Departamentin e Shtetit Amerikan. Të gjenden njerëzit që kanë autoritet funksional me ndikim pozitiv në hapjen e rrugëve të mbështetjes së çështjes shqiptare. Kjo duhet bërë edhe në marrëdhënie me Gjermaninë, Anglinë, Italinë, Austrinë, Turqinë, Francën, Kroacinë, atje ku shtetet shqiptare kanë interesa në mbështetje të çështjes kombëtare.
(VIJON)
© Pashtriku.org
————————————
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (5)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
https://pashtriku.org/strategjia-komb%d1%91tare-e-popullit-shqiptar-5/
Wow! Your blog keeps getting better and better. Reading it is as refreshing as enjoying a bottle of jam monster disposable on a sunny day. Keep shining!