STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (2)

STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (2)

Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021

PJESA E PARË

Kombi shqiptar përballë gjeopolitikës rajonale e globale

HYRJE

Kreu 1 – Nuk po mallkojmë errësirën shekullore që na detyroi të mbijetojmë përmes tragjedive të mëdha, por po synojmë të ndezim një dritë qiriri dhe shprese për të dallë nga errësira në dritën e diturisë dhe të shpëtimit. Mjaft vepruam si individë. Kombi ka nevojë për mendësi të reja pragmatiste që zgjidhin problemet.

Situata kaotike në mbrojtjen e interesave kombëtare na ka dhënë shumë pak çelsa në dorë për të kuptuar dhe hapur dyert e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të përcaktuar saktë bazën ideologjike të rrugëve të bashkimit kombëtar, të organizimit të vetëdijes kombëtare, patriotizmit të vërtetë dhe zgjidhjeve pragmatiste drejt shtetit – komb.

Jemi përballë ndikimeve të forta të globalizimit, çështjeve të pazgjidhura etnike, terrorizmit ndërkombëtar, rrezikut bërthamor, rrezikut bakterologjik (pandemive) dhe krizës financiare botërore, duke nënvleftësuar efektet negative të tendencave botërore dhe rajonale; luftën për pasuritë, burimet e energjisë dhe territoret. Synim tinzar drejt tronditjes së bindjeve dhe vetëdijes kombëtare të popujve, për t’iu nënshtruar ankthit, frikës, agresivitetit luftnxitës, luftës hibride për të hequr dorë nga aspirata e shtetit – komb.

Patriotizmi është vënë përballë neoliberalizmit, antikombëtarizmit dhe mungesë së kurajos së klasës politike shqiptare për t’u përfshirë pa lëkundje në proceset kombëtare, përballë luftës hibride dhe kurthit të shërbimeve inteligjente, presioneve psikologjike dhe politike të shteteve që shkaktuan tragjedinë e coptimit të kombit shqiptar në vitin 1913. Ata sot duan ta detyrojnë patriotizmin të heshtë.

Ndodhemi nën presionin e fuqishëm psikologjik të goditjes në front me anë të luftës hibride të shteteve sllave të Lindjes për të raskapitur dhe ç’kurajuar përpjekjet kombëtare, duke tentuar ta shtyjnë politikën dhe patriotizmin në rrugë të gabuara, për të shpezuar pa efektivitet energjitë dhe fuqinë kombëtare, për të hequr dorë nga aspirata e popullit për bashkim kombëtar.

Lufta Hibride kundër kombit shqiptar po nxit mosbesimin dhe kapitullimin duke ngritur barriera të fuqishme, për ta mbajtur kombin të coptuar dhe të nëpërkëmbur. Kështu ka ndodhur, kështu po ndodh, në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. Shtetet rajonale në kufijtë e kombit shqiptar armatosen përditë, duke u kthyer në kërcënim serioz kundër çështjes shqiptare dhe ardhmërisë kombëtare. Jemi kombi më i paarmatosur në Evropë.

Jetojmë në një mjedisi gjeopolitik me shumë probleme, ku nuk mund të flitet për paqe, siguri dhe bashkëjetesë, por të kërcënuar me rrezikun e ballafaqimeve hibride dhe ushtarake, që synojnë nëpërkëmbjen e kombit shqiptar. Në rivalitetin global dhe rajonal jemi nën ndikimin e fortë të vatrave të nxehta të luftës, të emigracionit të pandalshëm, të cilat shtojnë rrezikun ndaj kombit shqiptar në konflikte të mundshme ushtarake me synime goditjen dhe “pushtimin në paqe”.

Me përmirësimin e kursit të politikës në administratën e re amerikane, në ndryshimin e raporteve të marrëdhënieve me BE, NATO, Rusinë dhe Turqinë, kemi detyrimin akademik dhe patriotik të vlerësojmë me idealizëm dhe pragmatizëm kontributet në tre dimensione të zhvillimit strategjik;

Të vëzhgojmë në mënyrë konstruktive brenda dhe jashtë trojeve veprimtarinë e armiqve të kombit shqiptar kundër interesave të tij kombëtare;

Mbi analizën shkencore gjithpërfshirëse, të evidentojmë ndikimet pozitive dhe negative të krizave rajonale mbi popullsinë dhe territoret shqiptare, duke shmangur pasojat mbi popullin shqiptar;

të shpalosim koncepte të qarta intelektuale dhe akademike pragmatiste që garantojnë rrugë të sigurta për organizimin mbarëshqiptar në troje dhe në Botë për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe ndërtimin e rrugëve drejt bashkimit kombëtar.

Kreu 2Jemi përballë konceptit globalist kundër ribërjes së shtetit – komb, të synimeve për rindarjen dhe grabitjen e pasurive kombëtare, të ekspozuar ndaj rrezikut të intrigës politike të “karentinave rajonale” të emërtuara “minishengen ballkanik” dhe “Ballkani i Hapur”, për të nëpërkëmbur fuqinë, vendin dhe rolin e kombit shqiptar në jetën ballkanike. Hidhen firmat për marrëveshjen dhe shtrëngohen duart, pa e kuptuar dështimin e tyre, sepse pa vullnetin e popullit, pa Republikën e Kosovës dhe shtetet e tjera këto organizime nuk mund të funksionojnë.

Politika shqiptare e kompromenton veten. Dështimi është i pashmangshëm pa Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Nëse këto shtete mbeten jashtë organizimit (siç janë në fakt), sistemi nuk do të funksionojë për shkak të shkëputjes gjeografike. Republika e Kosovës nuk mund të përfshihet në nisma të tilla pa normalizim të marrëdhënieve politike me Serbinë. Mali i Zi nuk mund të futet në këtë organizëm përballë pretendimeve që e konsiderojnë atë si krahinë të “Serbisë së Madhe”.

Minimizimi i zgjidhjes së çështjeve të rajonit vetëm në aspektin ekonomik është i pabazuar, pasi janë njerëzit ata që shfaqin mendimet dhe qëndrimet dhe zhvillojnë ekonominë. Nuk mund të anashkalohen faktorët e tjerë shumë të rëndësishëm, që ndikojnë fuqishëm në jetën e popujve.

Shembull: Kujtojmë periudhën e hidhur të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me ish – Jugosllavinë pas çlirimit deri në vitin 1948, e cila me anë të dinarit si monedhë e përbashkët, rënoi ekonomikisht Shqipërinë dhe u kthye në rrezik potencial për sigurinë dhe sovranitetin e saj. Historia përsëritet. Nëse do të hapen shluzet sasia e madhe e ujërave do të vërshojë mbi boshllëkun shqiptar. Si mund të pranohet kaq lehtë liberalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të armatoset rëndë me armët më të sofistikuara ruse dhe nuk pranon të futet në NATO? Kundër kujt do ta përdorë Serbia arsenalin e saj ushtarak në rrethana të favorizuara?!

Mungesa e trasparencës mbi efektet politike, ekonomike, ushtarake dhe raportet me BE dhe Rusinë, nxisin kundërshtimin. Brenda nismave të tilla mund të ushqehen në të ardhmen qëndrime antieuroatlantike. Sëmundja e “nobelizmit” nuk mund të prekë jetën e një populli. Kjo është gjysma e të keqes. Përballë qëndron një e keqe më e madhe, filozofia e mirëmenduar për të ruajtur indirekt ose dhe drejtëpërdrejtë influencat sllave mbi Ballkanin Perëndimor drejt Adriatikut.

Natyra e konflikteve të diktuara nga ndikimi i interesave të fuqive të mëdha dhe shumëpolaritetit të politikës botërore, kufiri midis taktikave, operacioneve, strategjisë dhe strategjemave sot ende janë të paqarta për kombin shqiptar. Neoliberalizmi dhe diktati autokratik politik kërcënon sigurinë kombëtare. Ku e gjejnë veten shtetet shqiptare në këto raporte?

  • Nuk jemi të imunizuar për sigurinë mbi jetën shqiptare dhe ardhmërinë kombëtare të diktuar  vetëm nga përfaqësimi politik i interesave shtetërore!
  • Në psikologjinë e popullit nuk jemi të përgatitur të përballojmë ndikimet negative të dimensioneve informuese virtuale, të cilat sot zhvillojnë aktivitet të pandalshëm antikombëtar!
  • Nuk jemi të imunizuar nga goditjet e luftës hibride, të terrorizmit ndërkombëtar dhe rajonal, nga situata kriminogjene, efektet e emigracionit dhe ndikimet negative të ekstremizimit fetar!
  • Kemi një situatë të sigurisë dhe asaj eknomike që nuk përputhet me mënyrën sesi duam të mbrojmë interesat kombëtare të popullit shqiptar.

Në analizën e diskursit gjeopolitik dhe rritjes së nivelit të sigurisë kombëtare, nuk është e drejtë të mbështetemi vetëm tek akuzat që mund t’u bëjmë me të drejtë të tjerëve, por në rëndësinë që merr harmonizimi dhe kontrolli i situatës brenda faktorit politik dhe patriotik shqiptar, i cili vazhdon të goditet nga brenda duke përdorur njerëzit tanë.

Në mungesë të stabilitetit dhe hera herës të krizave politike, jeta social – politike përballet me rritjen e propagandës antishqiptare, efekteve të spiunazhit, dhunës sociale dhe sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë. Ato lëkundin rendin kombëtar dhe shtetëror, paqen dhe sigurinë brenda kombit, duke synuar shkatërrimin e urave të ndërveprimit euroatlantik me trojet shqiptare. Çfarë duhet më shumë sesa kaq?!

  • Jemi përfshirë brenda interesave të fuqive të mëdha në synimet e riformatimit të zonave të reja të interesave politike dhe ekonomike, të cilat synojnë t’i çojnë shtetet shqiptare drejt nëpërkëmbjes dhe konfliktit me shtetet fqinje;
  • Jemi ekspozuar përballë rrezikut të ndarjes dhe përplasjes fetare, duke cënuar rëndë traditën dhe forcën e besimit mbi të ardhmen;
  • Jemi të ekspozuar përballë terrorizmit rajonal dhe transnacional, duke tentuar kriminalizimin e mjedisit shqiptar, për të hequr dorë nga aspirata dhe interesat kombëtare;
  • Ndjejmë rrezikun e goditjes prej filozofisë së mbrapshtë të dekurajimit, duke nxitur konfliktin e brendshëm mbi motive politike, kulturore, etnike, racore, fetare, kundër vlerave të përbashkëta të vetëdijes kombëtare dhe shtetërore;
  • Jemi përfshirë në situata kaotike në mendim dhe veprim, duke ngrënë çdo ditë vetëveten dhe duke rritur shkallën e rrezikshmërisë kundër unitetit dhe pajtimit kombëtar.
  • Ndjejmë rrezikun e luftës hibride drejt dështimit politik dhe ekonomik, të rritjes së varfërisë dhe korrupsionit, të largimit pa kushte të rinisë, duke nxitur krizën e besimit politik dhe zbrazjen e trojeve shqiptare nga popullsia;
  • Ndjejmë pasojat e përfshirjes në kthetrat e mafies politike europiane, ballkanike dhe vendore, të mbështetura nga “kolona e pestë” brenda shteteve shqiptare dhe lëvizjes patriotike, kundër  interesave kombëtare të popullit shqiptar.
  • Përballemi me pasojat e çrregullimeve dezintegruese brenda BE të nxitura nga ekstremi i djathtë, nën presionin e mendësive të vjetra konservatore, të cilat kanë ndryshuar pamjen, duke ua përplasur derën në fytyrë shteteve shqiptare që aspirojnë antarësimin.

Kreu 3Epoka e fillimshekullit të ri po hedh vështrimin drejt trasformimit të radhës…. historia po përsërit fytyrën e saj të pamëshirëshme. Elementet dezintegrues brenda BE dhunojnë të drejtat shqiptare me standarde të dyfishta. Sulmohet identiteti kombëtar, memoria historike, trashëgimia dhe kriteret përcaktuese mbi kombin, kulturën për të shmangur aspiratën shqiptare drejt shtetit – komb.

Ndodhemi përballë racizmit të vjetër dhe te ri evropian mbi kombet dhe racat, i patolerueshëm në çështjet nacionale dhe përbuzës përballë pasojave të tragjedive kundër kombeve të vegjël. Koncepti ushqen nacionalizmin ballkanik pa valvula shkarkimi, të përfaqësuar nga ultranacionalizmi serb, maqedon dhe grek, ende me pretendime territoriale dhe historike. Politika e vjetër ballkanike vazhdon karrierën, duke ia faturuar krizat varfërisë ekonomike dhe psikologjisë së pandryshuar ballkanase.

Ndoshemi përballë dimensionit të luftës virtuale, duke pësuar dëme brenda lëvizjes kombëtare shqiptare. Të ndikuar prej hapësirës së trazuar destruktive të informacionit të shekullit të XXI, njerëzit tanë janë bërë më pak respektues dhe më shumë dyshues ndaj patriotizmit dhe vlerave kombëtare, duke shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën.

Ndodhemi përballë tensioneve rajonale dhe fushatave antikombëtare nga shtetet armiqësore. Mungojnë dimensionet etike të politikës dhe diplomacisë, përballë lëvizjes me shpejtësi mendimi dhe veprimi të proceseve politike në rajon.  

Mbështetur në konceptet që i kundërvihen formave hibride të luftës së sotme, kemi detyrimin t’i sugjerojmë aleatëve strategjikë çështje konkrete mbi përmirësimin e vendit dhe rolit të shteteve shqiptare për rritjen e sigurisë euroatlantike të rajonit, me masa të domosdoshme për forcimin e sigurisë dhe paqes. Në situata shpërqëndrimi e ardhmja është e pasigurtë në misionin dhe qëllimin.

Rrudhosja morale dhe politike është kthyer në rrezik të pakthyeshëm, duke mbajtur peng mundësitë e zgjidhjes së çështjeve historike dhe aktuale. Qëndrimet politike janë kthyer në shtojca dështimi dhe nëpërkëmbje për shtetet shqiptare dhe interesat kombëtare.

Kreu 4Përballë ndikimeve të situatës gjeopolitike globale dhe rajonale, vlerësimi i çështjeve të sigurisë kombëtare janë detyrim kushtetues dhe kombëtar. Rreziqet dhe kërcënimet e jashtme si faktorë negativ, synojnë t’u kundërvihen opsioneve strategjike për kthimin e situatës së brendshme të shteteve shqiptare në urë lidhëse euroatlantike. Dhuna psikologjike mbi interesat kombëtare janë burim pasigurie për kombin dhe shtetet shqiptare. Mungesa e stabilitetit politik e ka kthyer rajonin në burim të konflikteve. Shtetet dhe kombi shqiptar mund të përballet me kërcënime të drejtpërdrejta.

Sot i jemi nënshtruar efekteve të luftës hibride, e cila në thelb nuk na tërheq më drejt një ballafaqimi ushtarak me armiqtë tradicional, por me strategjemë organizon shkatërrimin e energjive kombëtare përmes një përzierjeje ideologjike, informuese, financiare, politike dhe metodave të sabotimit ekonomik, duke tentuar shpërbërjen e mëtejshme strukturore e socio – kulturore drejt kopalsit të plotë shoqëror dhe falimentimit të shteteve shqiptare. Kjo është shumë e rrezikshme.

Të jemi më konkretë në këtë çështje. Sipas teorisë së luftës së pakufizuar që funksionon, sot po rritet roli i strukturave, mjeteve dhe metodave jo – ushtarake, duke përfshirë luftën, aktet e terrorizmit, krimet kibernetike, manipulimet mediatike dhe financiare të kombinuara në planin kombëtar dhe ndërkombëtar. Konflikti modern e ka kapëcyer kufirin e shtetit – komb apo të hapësirës së përbashkët kombëtare, si në rastin e kombit shqiptar. Ai po godet egërsisht identitetin dhe nevojën e organizimit kudo ku jetojnë shqiptarët në botë. Kjo lloj lufte e pabesë përpiqet të depërtojë brenda jetës së popullit shqiptar me mënyra të ndryshme, për të depërtuar, luftuar dhe goditur nga brenda me aftësitë konvencionale, taktikat dhe formacionet e parregullta, aktet terroriste, ç’rregullimin kriminal, dhunën dhe detyrimin pa kriter për kapitullimin shtetëror. 

Kërcënimet dhe rreziqet e luftës hibride të Rusisë, Greqisë, Serbisë, terrorizmi dhe radikalizmi shfaqen në dimensionin real të goditjes së interesave të kombit shqiptar, të nxitura nga rekrutimet e shërbimeve inteligjente. Ato janë “kollona e pestë” brenda politikës, shteteve dhe jetës shqiptare dhe shfaqen ndërvepruese kundër ekuilibrit të forcave dhe raporteve në marrëdhëniet ndërshtetërore me NATO. Veprimet ruse përmes luftës hibride edhe pse janë të kufizuara në territoret shqiptare, janë të pranishme. Aktorë të ndryshëm politik, ushtarak, eknomik e mediatik përpiqen të manipulojnë situatën për t’iu nënshtruar presioneve të tyre. Sulmet ndaj unitetit kombëtar, agresioni kulturor dhe tjetërsimi i vlerave të  identitetit kombëtar, përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Rrezik i jashtëm për kombin shqiptar shfaqet nacionalizmi agresiv serbo – sllav, sllavo – maqedon dhe grek. Ai do të nxitet për sa kohë Serbia dhe Greqia do të synojnë rolin primar të sigurisë në rajon, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare. Situata delikate nxit shtetet ballkanike të shtojnë pa kufi aftësitë e tyre ushtarake.

Shtetet shqiptare të papërgatitura mirë ushtarakisht, ndjejnë nevojën e ndryshimeve të thella, drejt rritjes së kapaciteteve dhe standardeve të larta që imponon situata. Ato synojnë dimensionin e komunikimit rajonal strategjik për përballimin e akteve të përcaktuara si luftë informacioni dhe ekuilibri.

Kjo vërteton edhe një herë tezën kërcënuese se, rruga në mjedisin e trazuar ballkanik është e bashkëshoqëruar nga shumë aktorë politikë, të cilët përpiqen të përmbysin situatat dhe të krijojnë konflikte për interesat e tyre.

Kreu 5Për Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës, ndihet nevoja e domosdoshme për një filozofi pragmatiste të veprimit në kushte të reja, e cila duhet të imponojë rregulla të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi brenda doktrinës ushtarake të NATO, përballë rreziqeve dhe kërcënimeve, administrimit të fuqisë kombëtare duke përfaqësuar qoftë dhe formalisht shtetin – komb. Ka arsye madhore për t‘u sjellë politikisht si të tillë.

Kombi shqiptar historikisht i ndoshur në “vijën e zjarrit“, u bë forca e qëndresës kundër invazionit sllav ortodoks drejt Adriatikut, Mesdheut, Maltës dhe Gjibraltarit. Situata mbart brenda saj lidhjet historike nën pushtimin romak, osman, dy luftrat botërore dhe “luftën e ftohtë“.

Mbijetesa e shtetit shqiptar në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, përballë tre varjanteve makiaveliste, “varjantit Ho Shi Min”, “varjantit të modelit titist” dhe “varjantit të ballancimit”, preferoi këtë të fundit, duke u bërë armik më të dy palët “lindje dhe perëndim”, duke dhënë garancinë për të mos qenë “as lindje e as perëndim”, nëse do ta linin Shqipërinë të qetë. Politika ruse mendonte ta rikthente Shqipërinë drejt Moskës pas vdekjes së Enver Hoxhës, ndërsa pragmatizmi amerikan duke respektuar vendimmarjen Tripëlëshe të pas Luftës së Dytë Botërore, nuk i prishte punë një udhëheqës komunist antirus në Shqipëri, sesa një trashëgimtar që mund ta rikthente atë aleate të Rusisë.

Republika e Shqipërisë largoi me kurajo nga harta gjeostrategjike Europiane dhe Euroatlantike bazën më të fuqishme ushtarake sovjetike në Detin Mesdhe, duke lehtësuar dhe hapur rrugën perpspektivës së zhvillimeve demokratike perëndimore. Me sakrilficë historike dhe mbështetjen indirekte të Perëndimit, populli shqiptar i shpëtoi pushtimit sovjetik të planifikuar nga shtabi i Traktatit të Varshavës në vitin 1962, duke u orientuar drejt forcimit të shtetit amë, ruajtjes së sovranitetit përmes një mbrojtje të fortë. Në planin kombëtar shteti shqiptar u orientua në ruajtjen e homogjenitetit etnik dhe kompaktësisë kombëtare përmes forcimit të ndërgjegjes kombëtare në kushtet e Mbijetesës së Mençur.

Jemi kombi që pësuam më shumë coptime e grabitje, gjenocide, luftra, pasoja shkatërrimtare dhe shpërngulje nga agresiviteti i shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. Dëmshpërblimi moral dhe material ndaj tij kap nivele të larta. Të ndodhur në vijën e zjarrit midis Lindjes dhe Perëndimit, kombi shqiptar mbijetoi i mbështetur në të drejtën humanitare e njerëzore, mbi të drejtën e tij jurdike dhe sot i kërkon me kurajo botës demokratike korrigjimin e padrejtësive historike, dëmshpërblimin dhe bashkimin e trojeve në një shtet – komb.

Kreu 6Në këto kushte, me vizionin e ri të zhvillimit kombëtar politika shqiptare duhet të orientohet dhe të dominohet nga patriotizmi. Organizimi kombëtar duhet t’i drejtohet një modeli të ri të përfaqësimit, ndryshe nga më parë, duke pranuar rolin dhe misionin e Strategjisë Kombëtare dhe të Kuvendit Kombëtar, të programeve shtetërore për mbrojtjen e interesave kombëtare, mbështetur në vullnetin e shqiptarëve kudo në botë, në burimet e pashtershme të popullit brenda dhe jashtë trojeve etnike.  

Midis patriotizmit, interesave kombëtare dhe politikave shtetërore ekziston një vijë e hollë shumë delikate, e cila duhet të mos preket në mënyrë të njëanshme dhe për brishtësinë e saj të ruhet me fanatizëm nga të gjithë faktorët që mund të diktojnë mbi jetën e popullit shqiptar. Për shkak të ndërhyrjeve të jashtme, shkelja e kësaj vije ka nxitur brenda kombit diversitetin e mendimit dhe të qëndrimit të popullit ndaj politikës dhe të politikës mbi interesat kombëtare.

Përballë kësaj vije delikate, ushtron presionin e tij mjedisi gjeopolitik ballkanik i dominuar nga kontradikta të thella politike dhe etnike, me kufij politik shtetëror të kundërshtuar. Ballkani hesht në mënyrën e tij, duke konsumuar siguri dhe duke goditur interesat e popullit shqiptar për bashkim.

Duke bërë përmbledhjen e raporteve të kombit shqiptar me gjepolitikën globale dhe rajonale dhe ndikimet e saj mbi interesat kombëtare, të mos dominohemi tërësisht nga mendimi mbi garancitë që kemi nga faktori i jashtëm në çështjet e sigurisë dhe të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Bindja mbi këto garanci duhet të tërheq vëmendjen mbi vendin dhe rolin e SHBA si aleati i vetëm strategjik i kombit shqiptar.

Në  gjeostrategjinë e saj politika amerikane nuk luan në Ballkan për popullin shqiptar. Përputhja e interesave të saj me interesat që aspiron populli shqiptar edhe pse mund të jetë rastësi, mund t’i japë kuptim të vërtetë aleancës me natyrën e saj të shfaqur botërisht, me ngjarjet që kanë nxitur dhe forcuar më tej këtë miqësi.

Situata përballë përplasjes së interesave gjeostrategjike amerikane në Ballkan me BE dhe Rusinë, duhet të na lejojë të arsyetojmë politikisht në mënyrë pragmatiste. Jemi të përfshirë brenda pasojave të luftës hibride, e cila mund të konsiderohet thjeshtë “një luftë e dytë e ftohtë” ose në fakt diçka krejt e re. Për ta përballuar me sukses, ajo kërkon shumë më tepër përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare në orientimin strategjik të politikës shqiptare.

Lufta hibride e Lindjes synon dobësimin e Perëndimit, duke depërtuar si pykë në aleancat e të gjitha llojeve të komunitetit perëndimor, veçanërisht kundër rolit të SHBA-ve dhe NATO-s në traun e ekuilibrit botëror, për të mbjellë mosmarrëveshje midis aleatëve, për të dobësuar SHBA në opinionin eurpoian dhe ballkanik, duke përgatitur terren të favorshëm në rast se përplasja mes tyre mund të ndodh vërtet. Kjo luftë tenton të ushqeje mosbesimin dhe zëmërimin e popullit shqiptar kundër SHBA-ve dhe NATO-s.

Situata globale dhe rajonale sjell përballë popullit shqiptar një seri ndërveprimesh komplekse, të diktuara nga ngjarjet reale politike. Ato prodhojnë vizione të reja konceptuale strategjike që duhet të formojnë diskurse të reja politike, të cilat më pas krijojnë veprime të reja politike, të cilat më pas gjenerojnë koncepte më të reja, e kështu me radhë e kështu me radhë.

Shqetësimi mbi këto raporte është i ligjshëm. Edhe për sa kohë çështja shqiptare brenda Europës do të mbahet e mbyllur dhe në heshtje? Në kushtet kur shumë faktorë kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë në rrugën e fuqizimit të shteteve dhe popullsisë shqiptare në të gjithë mënyrat, Evropa është e detyruar ta rishikojë qëndrimin dhe vendimin e saj ndaj mohimit që vazhdon t’i bëjë çështjes shqiptare në Ballkan.

Brenda këtij konteksti, Strategjia Kombëtare duhet t’u drejtohet shteteve si Franca, Anglia, Gjermania, Austria, Polonia, Spanja, Italia etj. që ato të mos e lënë të ngrirë procesin. Ngrirja e çështjes shqiptare dhe i njohjes së Kosovës, nuk është as në favor të shtetit të Serbisë, as të Kosovës dhe as të vetë BE. Ajo do të mbetet një “minë e mbetur aktive e Luftës së Dytë Botërore”, e cila në çdo moment mund të shpërthejë. Nuk mund të vazhdohet kalvari i bisedimeve pa fund për të krijuar iluzionin ndërkombëtar se procesi po zgjidhet, në të njejtën kohë që nuk bëhet asgjë. Politikat e dështuara të BE në Kosovë duhet të reformojnë vetëveten.

Strategjia Kombëtare duhet t’ia sjellë në vëmendjen BE se, faktori i stabiliteti në Ballkan është vetëm populli shqiptar, sepse është populli shqiptar ai që është coptuar padrejtësisht dhe ka pësuar gjenodide e shfarosje mbi trupin e tij. Në rrugë institucionale populli shqiptar mund të mbahet i coptuar, por në rrugën e afirmimit të vetëdijes kombëtare, të synimeve që aspirojnë individët dhe kombi, kjo përherë do të kundërshtohet. Brezat përherë do ta dinë se trevat e coptuara kanë qenë tokë dhe pasuri e tyre. Për aq kohë sa e drejta do të mohohet, ajo do të bëher romantike në bindjen e saj dhe do të kërkohet nga populli shqiptar.

Çdo përpjekje për të shqyrtuar këtë marrëdhënie të politikës shqiptare me gjeopolitikën rajonale kërkon prizmin e ngushtë të analizës strategjike, e cila të jetë në gjendje të kapë dhe të analizojë këtë lidhje në anët e saj të padukshme, duke reformuar qëndrimet në planin kombëtar. Deri tani koncepti i masave aktive të ndërveprimit kombëtar mbetet i largët dhe i injoruar, si përgjegjësi e politikës. Ndikimet e fuqishme teknologjike dhe progresi i proceseve të globalizimit, ka zbehur ndërveprimin e faktorit patriotik, duke krijuar hapësira boshe për lëkundjen e besimit të popullit në kauzën e tij kombëtare.

Politika shqiptare e ka domosdoshmërisht të nevojshme të ndryshojë konceptin mbi përcaktimin dhe vlerësimin e interesave shtetërore dhe atyre kombëtare.

Ajo duhet të përcaktojë qëndrimet në raport me aleancat strategjike, vendin dhe rolin e shteteve shqiptare, detyrimet institucionale në mbrojtje të interesave kombëtare.

Kombi për njerëzit atdhetar dhe institucionet nuk është thjeshtë propogandë, por është dhe do të mbetet guri i themelit historik e kulturor të shtetit kombëtar, të atij shteti të munguar, i cili sot është më i domosdoshmëm se kurrë.

Mbulimi i gjithë këtij zinxhiri të interesave të bazuara mbi ngjarjet, kapërcen qëllimet e një trajtimi teorik, duke u përqëndruar në nevojën e analizës strategjike në planin kombëtar (jo vetëm shtetëror), për t’u përshtatur dhe përgatitur në radhë të parë në mënyrë konceptuale, e më tej në hapin e fundit, sesi këto koncepte teorike të formojnë sjelljen dhe veprimet praktike të politikës shqiptare në palnifikimin e zhvillimit ekonomik dhe të mbrojtjes kombëtare.

Në kapitujt e mëposhtëm, studimi në mënyrë konkrete i përmbahet me korrektësi argumentimit të kërkesave mbi politikën, diplomacinë dhe shtetin e së drejtës. Ato janë bazuar në trajtimin e interesave kombëtare të popullit shqiptar, si faktori më i rëndësishëm për konceptimin e vizionit strategjik të politikës.

Trajtimi me seriozitet mbështetur në bindjet për sukses, i hap rrugët kombinimit të përparësive strategjike mbi aftësitë, mundësitë, mjetet dhe metodat, të harmonizuara brenda potencialeve kombëtare dhe shtetërore, sipas konceptit strategjik të përcaktimit dhe planifikimit të objektivave dhe përdorimit racional të burimeve të fuqisë kombëtare për sukses.

(VIJON)

© Pashtriku.org

———————————————–

STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (3)

Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021

https://pashtriku.org/strategjia-komb%d1%91tare-e-popullit-shqiptar-3/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura