STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (5)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
KAPITULLI – 4
Interesat kombëtare të popullit shqiptar në të dy anët e Drinit
Kreu 32 – Përcaktimi i interesave kombëtare është përgjegjësi historike, juridike dhe shkencore. Ato i japin legjitimitetin Strategjisë Kombëtare, Kushtetutës së shteteve shqiptare dhe Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Brenda tyre pasurohet përmbajtja mbi vlerat historike, morale, tradicionale, politike, juridike, kundër padrejtësive dhe respektimit të të drejtës për vetëvendosje. Përgjegjësia politike rrit vlerat e interesave, për atë që ato përfaqësojnë në gjithpërfshirjen e interesave të popullit shqiptar në rajon dhe botë.
Përcaktimi dhe vlerësimi i interesave kombëtare, është baza mbështetëse filozofike dhe juridike e Strategjisë Kombëtare. Ato përbëjnë thelbin e objektivave strategjikë, të cilat synojnë përmes insitucioneve, rrugët e zgjidhjes së çëshjtes shqiptare, drejt realizimit shkallë – shkallë të tyre.
Në orientimin strategjik gjithçka duhet t’i nënshtrohet dinamikës së zhvillimeve gjeopolitike. Interesat gjejnë vendin e tyre në dokumentin e Kushtetutës, të Strategjisë Kombëtare dhe të Sigurisë, si pikat e orientimit për individët që marrin përgjegjësi në administrimin e pushtetit në shtetet shqiptare. Vlerësimi i tyre nuk mund të zbresë në nivelet e panevojshme ku dëmtohet dhe dekonspirohet vizioni i zhvillimit strategjik të shtetit dhe të kombit.
Sëbashku me entusiazmin që shfaq prania e Strategjisë Kombëtare, qëndrimi ndaj saj parasheh detyrimin drejt programeve të zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë, detyrat e të cilëve janë norma orientuese zbatimi për institucionet ligjvënëse. Një nevojë jetike në shmangien e ndërhyrjeve hibride kundër planifikimit strategjik të zhvillimit kombëtar. Strategjia duhet t’i shërbejë politikës dhe interesave kombëtare të popullit shqiptar.

Mungesa e kulturës strategjike dhe vizionit tek individë që kanë drejtuar Shqipërinë dhe Kosovën në këto dekada, shkarkojnë pasojat mbi shtetet, kombin dhe interesat e tyre. Mungesa e lidhjes së interesave kombëtare me shtetendërtimin dhe zhvillimin, të ndërvarura nga ndikimet negative të historisë, nuk justifikon mungesën e Strategjisë Kombëtare.
Mendimet autoritare dhe autokrate nuk janë shkencore, por reflektimi që buron nga fuqia e pushtetit. Udhëheqësit shqiptarë janë të rrezikuar nga vetëvetja. Ata nuk mund të vlerësohen si strategë. Politikan vizionar mund të konsiderohet ai njeri që mendon pozitivisht se çfarë do të bëhet me shtetin dhe kombin edhe pas 20 apo 30 vitesh kur ai të mos jetë në pushtet.
Vizioni strategjik i mbrojtjes së shtetit dhe kombit është pjesa më e dobishme filozofike dhe kockore e Strategjisë Kombëtare. Mendimi i filozofëve, politekonomëve, ekonomistëve konkretë, juristëve, ushtarakëve të nivelit të lartë, diplomatëve me përvojë, historianëve apo gjeografëve, mund të krijojnë instrumentin e domosdoshëm dhe të dobishëm në shërbim të programimeve studimore shkencore të realizimit të interesave kombëtare.
- Strategjia Kombëtare është niveli më i lartë i mendimit të organizuar politik dhe shtetëror, të cilin udhëheqësit duhet ta zbatojnë në mënyrë të programuar në funksion të mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare.
- Strategjia Kombëtare në përcaktimin dhe mbrojtjen e Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar, vlerëson dimensionet politike dhe ushtarake në kohë të ndryshme të Historisë së Popullit Shqiptar, prejardhjen dhe rrënjët e forta Ilirike, shkëlqimin e shtetit të Arbërit, periudhën e Gjergj Kastritit Skënderbeut, shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, luftën kundër pushtimit italo – gjerman, luftën e Lavdishme të UÇK, përpjekjet e nacionalizmit patriotik shqiptar në mbrojtje të interesave kombëtare.
- Ajo denoncon me urtësi dhe në mënyrë shkencore deformimet historike, në interes të forcimit të vlerave të identitetit kombëtar dhe shtetndërtimit. Për shumë arsye historike, nuk mund të pranojmë të rreshtohemi përkrah shteteve dhe popujve të padobishëm që rënojnë sigurinë dhe paqen.
Dështimet në rrugën e zhvillimit kombëtar ushqehen nga ndikimi i fuqishëm autokrat i njerëzve mendjengushtë, të kapur dhe të nënshtruar. Në jetë njeriu shpesh orientohet më shumë nga rastësistë sesa nga domosdoshmëritë. Koeficienti midis tyre si metodologji, mund të anojë nga rastësistë. Udhëheqësve politik shqiptar mund t’u rekomandohet këshilla e sinqertë; të rrijnë më aftër njerëzve idealistë, të mbështesin dhe pse jo të dëgjojnë njerëzit që mund të vlerësohen të thjeshtë, por që angazhohen dhe e duan kombin dhe atdheun pa grada dhe ofiqe, pa rroga e shpërblime. Asgjë nuk lind nga hiçi. Jemi produkt i brezave paraardhës. Në aktin e Mbijetesës së Mençur është dashur punë, sakrificë, është luftuar dhe derdhur shumë gjak. Ende sot vazhdojnë të sakrifikohen interesat e popullit shqiptar përballë mospajtimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kjo mënyrë trajtimi i kthen ato në institucione të gjalla dhe dinamike. T’i shmangemi me mençuri rrezikut të përhershëm, të teorisë për teori, duke respektuar vizionin strategjik që lind nga praktika e historisë kombëtare, si domosdoshmëri dhe për domosdoshmëritë që kërkojnë zgjidhje.
Kreu 33 – Strategjia Kombëtare përcakton shkencërisht Interesat Kombëtare të Popullit Shqiptar. Trekëndëshi Tiranë–Prishtinë–Shkup, në harmoni me objektivat strategjike të orientohet drejt gjithpërfshirjes shqiptare në rajon. Në dimensionin e kërkuar, interesat shtetërore nuk mund të zëvendësojnë dhe shmangin interesat kombëtare. Ajo legjitimon dhe propogandon idetë e bashkimin kombëtar, kërkesat për rindërtimin e institucioneve përfaqësuese të popullit shqiptar, duke marrë përgjegjësitë e kohës. Strategjia vlerëson pozitivisht marrëdhëniet me SHBA, Gjermaninë, Anglinë, Austrinë, Turqinë, Italinë, Poloninë dhe Kroacinë, si faktor mbështetës në zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Strategjia Kombëtare nën kujdesin e SHBA, respekton strukturën politiko – ushtarake të NATO, larg simpative dhe reflektimit të interesave të politikave të vjetra në dëm të interesave shqiptare dhe amerikane. NATO është i vetmi aleat strategjik ushtarak i shtetit dhe kombit shqiptar.
Strategjia Kombëtare e mbështetur në energjitë e kombit dhe të popullit, kërkon me vullnet politik individëve dhe institucioneve shqiptare të përfshihen me patriotizëm dhe saktificë në rrugën pa kthim për realizimin e misionit historik të bashkimit kombëtar.
Në brendi të këtij materiali janë të përcaktuara në radhën e tyre 18 interesat kombëtare madhore të popullit shqiptar, si pika orientimi të planifikimit, organizimit dhe të ndryshimit të domosdoshëm të situatës së zhvilluar mbi çështjen shqiptare në rajon.
Mbi konceptet bazë, Strategjia Kombëtare nuk merr natyrën e një libri, por ajo është një forcë e gjallë, e cila si “salamandra” adoptohet në bazë të kushteve dhe rrethanave të imponuara nga gjeostrategjia dhe gjeopolitika rajonale e më gjerë.
Synimi strategjik orientohet drej forcimit politik, institucional, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak i shteteve dhe faktorit shqiptare, drejt mundësive të ndërtimit të shtetit – komb. Nevoja jetike e mbrojtjes së interesave kombëtare, e ka vendosur popullin shqiptar përballë sulmeve të armiqve tradicionalë duke ndjerë ashpërsinë e ndëshkimit shekullor të pamerituar.
Interesat Kombëtare të Popullit Shqiptar, janë institucion. Ato përbëjnë thelbin politiko – ideologjik të Strategjisë Kombëtare dhe Kuvendit Kombëtar. Në perpsketivë, politika, shteti dhe shoqëria duhet të dinë çfarë kërkojnë. Populli shqiptar është faktor kyç në demokratizimin e rajonit dhe sigurinë e tij. Interesave kombëtare ju duhet baza juridike dhe shkencore të mbështetura nga legjitimiteti dhe besueshmëria në jetën politike kombëtare e ndërkombëtare. Pa respektuar interesat kombëtare do të sundojë anarkia në mendim, planifikim dhe organizim, e cila do të zbehë funksionet e shtetit demokratik dhe institucioneve vendimmarrëse, ligjzbatuese në veprimtarinë strategjike.
- Kompromisi historik në interes të bashkimit kombëtar
Kreu 34 – Nevoja e arritjes së kompromisit kombëtar është elementi jetik i mbijetesës së Kombit. Ende nuk po kuptohet mesazhi dhe amaneti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sesi një vllazëri shqiptarësh nga trevat veri – jug, lindje – perëndim i dhanë besën njeri – tjetrit dhe krijuan shtetin – komb shqiptar. Suksesi i saj tre vjeçar ka zenë vendin në Historinë e Popullit Shqiptar.
Studimi i metodologjisë së arritjes së këtij suksesi, është sot refleksioni i domosdoshëm mbi historinë tonë, analogjia historike dhe sa ajo lejon suksesin e aspiratës shekullore të popullit shqiptar në kushte të reja.
Patriotizmi shqiptar ka humbur kohë duke sajuar mbledhje, kuvende, liderë formalë, platforma të palosura njera mbi tjetrën, çdo individ me një progam në kokë, pa strategji kombëtare, të ekspozuar ndaj goditjeve të brendshme e të jashtme etj. Më përpara sesa t’i drejtohemi organizimit mbarëshqiptar, duhet të arrihet kompromisi për të sheshuar dhe unifikuar mendimet. Ky kompromis duhet të jetë i palëkundur, duke lënë të hapur diskutimin në të ardhmen, jo thjeshte për kompromis, por për pranimin e varjanteve optimale të rrugëzgjidhjeve, që çojnë në zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Nevoja e pajtimit kombëtar bën lëshime reciproke mbi bindjet, të cilat përcaktojnë qëndrimet ndaj çështjes kombëtare. Nuk mund të ketë kompromis ku të ketë të fituar dhe humbës, apo të gjithë të dalin të kënaqur! Kompromisi i vërtetë përputhet me qëndrimin kur palët janë kundërshtuese, por ato bien dakort për të zgjidhur çështjen, duke bashkuar mendimin dhe qëndrimin, përballë problemeve me karakter politik, ideologjik apo shoqëror.
Baza mbështetëse dhe funksionale e kompromisit është parashtrimi i nevojës për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe bashkimit kombëtar, pavarësisht argumenteve që mbështesin apo kundërshtojnë atë.
Objekti kryesor i kompromisit duhet të jetë ëndërra e Rilindasve shqiptarë kundër coptimit të kombit, për krijimin e shtetit – komb. Të argumentojmë kundërshtimin e alternativës mbi “bashkimin e kombit shqiptar brenda Europës së Bashkuar”, kur në fakt askush nuk di se çfarë bëhet sot me BE, kur tendencat e largimit prej saj trokasin fortë. Fenomeni i dezintegrimit vazhdon.
Në parashtrimin dhe pranimin e argumenteve mbi rrugëzgjidhjet më të mira dhe bashkëkohore në raport me rrethanat dhe faktorët e jashtëm dhe të brendshëm, do të krijojnë mundësitë e evidentimit të faktorëve që e çojnë çështjen shqiptare përpara, të atyre që e frenojnë dhe atyre që çojnë në përballje kundërshtuese me faktorin ndërkombëtar.
Opsioni i zgjidhjes së çështjes shqiptare drejt shtetit – komb, duhet të jetë i qartë dhe i pranuar. Trojet shqiptare nuk mund të bashkohen në mënyrë mekanike, por shkrirja gjithëshqiptare, e cila i çon elementet unifikues në natyrën e tyre të vërtetë. Bashkimi kombëtar është një kompromis mes popullit shqiptar, ndërsa integrimi mbarëshqiptar dhe shkrirja janë unifikimi i të gjithë vlerave të përbashkëta në të gjithë fushat e ndërveprimit të shqiptarëve në të dy anët e Drinit.
- Pastrimi i politikës nga e kaluara dhe influencat e huaja
Kreu 35 – Koha e rindërtimit të hipotezës mbi shtetin – komb, rendin dhe sigurinë në trojet shqiptare ende nuk është kapërcyer. Niveli i kërkimit shkencor mbi zgjidhjen e çështjes shqiptare po përballet me prirjen e gabuar të orientimit kundër patriotizmit dhe pro rrugëve të integrimit evropian, të imponuar nga koha. Struktura drejt zgjidhjeve strategjike kërkon bindje mbi objektivat, organizimin patriotik, mundësive shtetërore, njohjen e historisë shqiptare, ndikimet botërore dhe rrugëzgjidhjet, si pjesë e kulturës formuese strategjike të kombit dhe vetëdijes së tij.
Politika shqiptare është peng i të shkuarës. Asaj i mungon vizioni strategjik për forcimin e shtetit të së drejtës, me mundësi për shkrirje drejt bashkimit shpirtëror, demografik dhe gjeografik. Ajo qëndron larg strukturës (mendimit) dhe infrastrukturës politiko – diplomatike të dobishme, e përfaqësuar nga njerëz të korruptuar dhe kriminalizuar, përgjegjës për dështimet e shtetit shqiptar. Në krizë besimi, jeta sociale dhe ekonomike e shoqërisë shfaqet në gjendje reanimacioni. Përgjegjëse për goditjen e memories historike, rënimin moral të shoqërisë, ekonomisë dhe sigurisë, ndodhet në pamunësi të ripërtëritjes dhe daljes nga kriza.
Kreu 36 – Politika është arti i administrimit të filozofisë dhe mendimit, të ideve të cilat kanë interesin që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të kenë të ardhme, të mos zvarriten në hullitë e të kaluarës dhe pas ngjarjeve.
Sot kërkohet integrimi gjithëshqiptar për të nxitur frymën e bashkimit të popullit në të dy anët e Drinit, në një hapësirë të përbashkët, për të fituar dhe shfaqur fuqinë kombëtare. Jeta e popullit dhe interesat kombëtare përballen me mafien politike dhe financiare, të frymëzuar dhe mbështetur nga jashtë. Sipas filozofisë shkatërruese, mafia politike shqiptare (e përfaqësuar nga 4 klane kryesore), shfaqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe shtetndërtimin. Si filozofi mendimi, doktrinë e mendimit dhe veprimit, ajo është gjithçka dhe asgjë, kudo dhe askund, e cila godet pas shpine në mënyrë të heshtur interesat shqiptare.
Ajo vazhdon të operojë sipas mendimit për të humbur gjurmët e fajeve dhe përgjegjësive. Ajo vazhdon të zbulojë dhe të korruptojë njerëz të talentuar për t’i përdorur në veprimtarinë e saj kundër të vërtetës. Këta njerëz e paraqesin mafien si organizëm të frikshëm dhe të pamposhtur, për të nxitur psikologjinë e krimit, të frikës dhe të nënshtrimit dhe kapitullimit.
Ajo tenton të kap institucionet shtetërore atje ku veprojnë interesat e saj. Përvoja e hidhur ka vërtetuar që, baza ligjore dhe demokracia e brishte në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës po ndërtohen dhe zhvillohen sipas interesave të tyre. Kjo është kriminale dhe goditje fatale kundër orientimit euroatlantik të popullit shqiptar.
Politika dhe shtetet shqiptare janë venë përballë presionit në rritje të strategjive të armiqve tradicionalë të kombit, duke synuar që Republika e Shqipërise si shteti amë, të merret me vetëveten.
- “Misionarët” e ngritur në pushtet të përzgjedhur nga shërbimet inteligjente, mbajnë peng jetën shqiptare;
- Jemi ende me dy shtete shqiptare të dobët dhe të nëpërkëmbur, të cilët nuk mund t’i dalin për zot çështjes shqiptare në rajon;
- Kombi shqiptar nuk ka institucionin e pavarur strategjik të balancimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare;
- Në mungesë të autoritetit të shtetit, abuzimeve dhe korrupsionit, dhunës së padrejtësisë, sektori shtetëror është kthyer në burim të grabitjes së pasurisë kombëtare dhe varfërisë;
- Pushteti politik sipas interesave, shkatërron vlerat morale, arsimin, jetën qytetare, drejtësinë, mediat, duke shtrirë korrupsionin në çdo qelizë të shoqërisë;
- Buxheti shtetëror rezulton i lidhur fort me kapitalin privat, me preferenca, duke sjellë në jetën aktive të vendit ngritjen dhe diktatin e oligarkisë faktike;
- Buxheti ushtarak i dobët nuk përballon nevojën për rritjen e shpenzimeve ushtarake, duke i renditur shtetet shqiptare me mbrojtjen më të dobët në rajon. Në mendimit shkencor të doktrinës ushtarake shfaqen mundësi të paqarta zhvillimi;
- Dualizmi në ekonomi ka përqëndruar kapitalin në pak duar. Nuk ka demokratizim të kapitalit, sepse mungon demokratizimi i shoqërisë.
Kreu 37 – Antarësimi në NATO mbetet garancia për Republikën e Shqipërisë, por në rrethana të caktuara kombit do t’i duhet të vetëmbrohet. Përballë situatave, vendimmarrja strategjike në mbrojtjen e interesave shqiptare është relativisht e paqartë. Synimi strategjik, interpretohet thjeshtë si drejtim politik në mbrojtjen e interesave shtetërore.
Vlerësimi i drejtë politik i aftësive strategjike shërben si urë lidhëse për përsosjen në politika konkrete të objektivave të Strategjisë Kombëtare dhe asaj të Sigurisë. Politika shqiptare nuk justifikon mungesën e Strategjisë Kombëtare, si shprehje e përqëndruar e rritjes së fuqisë kombëtare për zhvillimin e suksesshëm të ekonomisë dhe të sigurisë.
Duhet të vlerësohen elementet e luftës hibride kundër shteteve shqiptare, të cilat nxisin psikologjinë e frikës, duke u mbështetur në përdorimin e informacioneve, veprimin e shërbimeve inteligjente dhe teknologjinë e luftës. Duke shfrytëzuar përparësitë teknologjike, ajo godet ashpër situatën ekonomike, mpirjen e mekanizmit shtetëror, nxit krizat politike, destabilizimin shoqëror, godet kulturën, arsimin, edukatën qytetare, nxit kaosin dhe konfliktin shoqëror, etnik dhe politik, blen sistemin mediatik, prish funksionin harmonik të rritjes së fuqisë kombëtare, nxit depërtimin e dyshimtë financiar, blen influencat politike mes shqiptarëve etj. Këto ndikime negative janë të pranishme në territoret me popullsi shqiptare.
Kreu 38 – Populli po tkurret në energjitë e tij për jetën. Këtu, asgjë nuk është në rregull. Në shtresat shoqërore mungojnë pikat e takimit mes krahëve të politikës. Ekuilibri social dhe morali kombëtar marrin çdo ditë goditje, duke thelluar ndasitë, ideologjizimin dhe rënimin e unitetit kombëtar.
Marrëdhëniet e shtetit shqiptar me kombin janë të ndera dhe të paqarta. Ato kërkojnë analiza specifike të dobishme, në kohë dhe sipas drejtimeve ku jeton popullsia shqiptare. Nuk janë të njejta marrëdhëniet e shtetit shqiptar si me Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Veçoritë trajtohen nga Strategjia, e cila domosdoshmërisht zbulon pikat e dobta të politikave shtetërore, duke dhënë radiografinë reale për shtetin amë dhe shtetin e Kosovës.
Ballafaqimi sipas 18 interesave kombëtare me vlera strategjike, do të vërtetojë edhe një herë që kjo klasë politike nuk ka raporte të drejta me çështjen kombëtare shqiptare dhe në shumë veprime që janë realizuar në tre dekadat e fundit kundër interesave kombëtare, mjaft politikanë shqiptare vetëm një hap i ka ndarë nga tradhëtia kombëtare.
Koncepti strategjik i marrëdhënieve ndërshtetërore bie ndesh me paternalizmin politik. Republika e Shqipërisëme atdhedashuri duhet të mbështes shtetndërtimin në Republikën e Ksovës, duke respektuar përpjekjet politiko – ekonomike për ta bërë atë shtet të fortë dhe të begatë. T’i ofrohet asaj ndihma dhe mbështetja mbarëshqiptare, njerëzit profesionistë për ndërtimin e platformës së suksesit, pa krijuar probleme tek miqtë e kombit shqiptar me bashkëpunimin e ngushtë.
Në mënyrë selektive të respektohen vlerat më të larta intelektuale produktive të politikës, kulturës, arsimit dhe biznesit. Si hap i parë mund të paisen mbi gjysëm milioni shqiptar të Republikës së Kosovës me pasaportën shqiptare. Kjo do të detyronte BE të hiqte kufizimin e lëvizjes së popullsisë shqiptare në Republikën e Kosovës. Këtë bëjnë shtetet e botës, këtë mund ta bëj edhe shteti shqiptar.
Në konceptin strategjik të frenohen veprimtaritë antikombëtare të lidershipit politik shqiptar, kudo ku ai shfaqet. Fenomeni është i thjeshtë për t’u kuptuar. Antikombëtarizmi i politikanëve është i njohur në mbështetjen dhe përkrahjen individëve dhe strukturave që pengojnë integrimin gjithëshqiptar dhe sulmojnë hapur idenë e bashkimit kombëtar.
Përmes kundërshtarëve të luftës antifashiste dhe luftës së UÇK, dhunimit dhe deformimit të programeve partiake, diktatit mbi institucionet vendimmarrëse kushtetuese, arrogancës mbi opinionin shqiptar duke shfaqur frikën e kapitullimit ekonomik të shtetit, financimi i mediave të frontit antikombëtar, si avokat të të keqes kundër interesave kombëtare, i bëjnë ata bashkëpërgjegjës në synimet për të thyer qëndresën e Republikës së Kosovës ndaj Serbisë. Ata duan të ç’kurajojnë besimin e popullit në të ardhmen.
Për çdo veprimtari antikombëtare që dhunon interesat kombëtare, ndëshkimi duhet të saksionohet dhe penalizohet me ligj specifik.
Zvarritja e zgjidhjeve dhe kaosi politik është abuzim i hapur ndaj besimit të popullit. Ato rrezikojnë objektivat strategjik të aleancës, duke e goditur atë nga brenda. Të bashkëpunosh dhe bashkëjetosh me korrupsionin, nuk është e këshillueshme. Stragjia Kombëtare mbështet pa rezerva shtetet shqiptare, si garanci për sigurinë njerëzore dhe të ardhmen. Dinjitetin e kombit dhe shpalosjen e të vërtetës historike mbi të, nuk mund ta denoncojnë dhe mbrojnë askush më mirë sesa bijtë e tij.
Kreu 39 – Rrënjët e së keqes brenda shoqërisë duhen kërkuar shumë më thellë. Situata ka imponuar historinë e montuar keq e mos më keq me pasoja të rrezikëshme, shpesh të pariparueshme për sigurinë kombëtare. Politika vuan mungesën e vizionit, duke mbajtur elitën politike rob të mendësive të vjetra konservatore, jashtë vizionit integrues të kohës.
Populli shqiptar përballet me një armik të rrezikshëm që i ka shkaktuar dëme të pallogaritëshme kombit dhe shtetit. Fryma e antishqiptarizmit kundër shtetit – komb është fenomen i njohur, i vjetër dhe i ricikluar në kohën e sotme, duke synuar separatizmin politik brenda popullit shqiptar. Politika neoliberale shfaqet kundër idesë së bashkimit kombëtar, duke injoruar faktin se, “çfarë mendojnë shqiptarët që jetojnë në kasolle”!
Bashkimi kombëtar politikës së korruptuar shqiptare nuk i ofron asgjë, përveç humbjes së privilegjeve të pushtetit dhe keqpërdorimit të shtetit. Nxitja e filozofisë së përçarjes mes politikës dhe popullit ka ndjekur rrugën shekullore, e mbështetur me mjete financiare dhe agjenturat inteligjente, të cilat kanë kapur majën e piramidës së shoqërisë.
Ky është rreziku më i madh për popullin shqiptar dhe interesat e tij, duke goditur dhe deformuar të vërtetën historike. Akoma nuk kuptohet dhe ç’montohet filozofia e shpërberjes kombëtare. Akoma nuk është studiuar dhe zbërthyer me fakte sesi nxitet separatizmi i kthyer në një “coronavirus”.
- Udhëheqja strategjike në Republikën e Shqipërisë po zhytet në situata pa rrigëzgjidhje duke krijuar precedentë të rrezikshëm në ndërveprimin vertikal Tiranë – Beograd, duke anashkaluar Republikën e Kosovës dhe dëmtuar sigurinë dhe interesat kombëtare.
- Ajo që ndodh me popullsinë shqiptare nën Serbi, është fytyra e vërtetë politike kriminale e Beogradit. Lidhjet dhe bashkëpunimi pa kushtëzime dhe duke mohuar të kaluarën e historisë tragjike, përballë politikës serbe kokëforte dhe të pareformuar, është qëndrim antikombëtar.
Dështimi i klasës politike në periudhën e ndryshimeve, ka përjashtuar rolin e saj në plotësimin e misionit të çështjes kombëtare. Nëse ata që kontrollojnë politikën duan ta bëjnë historinë sipas interesave, duke luajtur me fatet e kombit, me jetën, kulturën dhe civilizimin, me identitetin dhe dinjitetin kombëtar, atëhere për të gjithë popullin shqiptar shtrohet detyra të shpall misionin dhe të imponojë vetëdijen qytetare e kombëtare.
Brenda vizionit patriotik dhe qytetar, të gjejmë mekanizmat për të ndaluar urrejtjen nacionale dhe ndarjen politike e shoqërore, që po shkatërron unitetin e kombit. Kemi nevojë për udhëheqje politike solidare dhe paqësore, që ta bashkojë dhe socializojë shoqërinë, kundër mentaliteteve separatiste, që çojnë kombin dhe shtetet shqiptare në rënim. Lufta politike në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës po tjetërson ç’rregullimin gradual të ligjësive jetësore. Njeriu shqiptar po humbet traditat morale, shpirtërore dhe këtë po e paguan shtrenjtë jetën e tij me shqetësimin dhe ç’thurjen që mbretërojnë në territoret shqiptare.
Të denoncojmë me kurajo politikat liberale dhe totalitare, duke ruajtur ekuilibrin brenda kombit, për t’i hapur rrugën dijes dhe programeve shkencore të planifikimin strategjik të drejtimit të vendit. Koha i kërkon njeriut shqiptar të përcaktojë vendin e respektuar në shoqëri, kundër poshtërimit dhe nënshtrimit. Përmirësimi i jetës politike të popullit shqiptar është përgjegjësi dhe detyrim strategjik për të justifikuar përkrahjen dhe mbështetjen e aleatëve strategjikë dhe të natyrshëm të kombit. Ende vazhdojmë të ecim mbi “fushë të minuar”.
Klasa politike shqiptare duhet ta ketë kushtëzim shkëputjen nga e kaluara, në të kundërt ajo duhet të largohet nga skena politike. Eshtë detyrim kombëtar, të gjykojmë sëbashku për ditë më të vështira në kushte mbijetese. Në rastin më të keq, nëse do të mbetemi pa miq e aleatë, çfarë do të bëjmë, do të dorëzohemi? Jo, duhet të jemi të përgatitur të luftojmë për mbijetesën tonë, drejt momentit më të përshtatshëm për të fituar.
- Ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare
Kreu 40 – Akti moral, historik, politik dhe juridik me vlera aktuale për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në botë, buron nga padrejtësia më e madhe historike e realizuar me dhunë dhe gjenocid mbi kombin shqiptar, të coptuar në 5 shtete dhe në 8 pjesë.
Ai buron nga vetedija e dhunuar dhe diskriminuar, e cila shfaq reagimin dhe urrejtjen kundër padrejtësisë historike. Në çdo kohë reagimi ushqen vetëdijen për hakmarrje dhe rikthimin në identitetin kombëtar politik, demografik dhe gjeografik të hapësirës shqiptare.
Administrimi i situatës është detyrë parësore e patriotizmit shqiptar, duke u bëre pjesë e lëvizjeve të fuqishme politike dhe siguruar mbështetjen shtetërore dhe akademike. Kemi një shekull që përballemi me vetëveten, duke u ankuar dhe kërkuar përgjegjësitë jashtë vendit dhe jetës tonë. Kjo është rrugë e gabuar.
Nëse ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare nuk e bën politike, atë duhet ta bëj patriotizmi përmes Kuvendit Kombëtar. Ky institucion merr vlera fundamentale të pazëvendësueshme në plotësimin e misionit. Ky akt fundamental do të nxisë vizionin strategjik për zgjidhjen e saj, duke i shërbyer sigurisë rajonale, parandalimit të konflikteve dhe gjakderdhjeve të reja në rajon.
Përgjegjësia kombëtare e misionit synon plotësimin e detyrimeve kombëtare e ndërkombëtare, duke respektuar kriteret bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputje të plotë me kërkesat e Kartës Universale të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, Kartës së Parisit për të Drejtat e Kombeve, Aktit Final të Kartës së Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Ato i përmbahen konceptit politik dhe gjeopolitik të kundërvënies paqësore ndaj injorimit të historisë, mbështetur në qëndrimin paqësor të popullit shqiptar për siguri dhe stabilitet.
Në realizimin e objektivit strategjik, populli shqiptar shpreh vullnetin e tij pranë Agjensive të OKB, Kongresit, Senatit dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, BE, institucioneve ndërkombëtare, për drejtësi kundër padrejtësive historike mbi kombin shqiptar.
Në denoncimin e coptimit të padrejtë të territoreve shqiptare, të shpërnguljeve masive, shpopullimit etnik dhe krimeve të lufës ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, me argumente mbi të vërtetën historike të gjenocidit të Greqisë dhe Serbisë mbi popullsinë shqiptare. Politika serbe dhe greke duhet të kërkojë falje ndërkombëtare për pasojat e rënda historike që kanë shkaktuar tragjedi mbi kombin shqiptar.
Drejtësi për viktimat e gjenocidit grek mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të drejtat e trashëgimtarëve të tyre. Ushtrimin e aktivitetit për zgjidhje ligjore, lëvizje të lirë dhe rikthimin gradual të popullsive shqiptare në pronat e tyre.
Koncepti strategjik i ndërkombëtarizimit synon përfshirjen e mbështetjes së pakufishme të popullsisë shqiptare kudo ku jeton, duke hapur rrugët drejt vizionit strategjik të integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare.
Koncepti mbështetet në fuqinë e ndërgjegjes kombëtare, pranimi i pikpamjeve të drejta politike mbarkombëtare për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të popullit shqiptar, i sigurtë dhe i mbështetur në rrugën e tij.
Denoncimin e ngrirjes së procesit të njohjes së Republikës së Kosovës, si një proces politik i dështuar nën përgjegjësinë e politikës europiane. Shteti i Kosovës është pjesë gjeografike e territorit të Ballkanit dhe Europës.
Në këtë çështje kërkesat e popullit shqiptar nuk kërcënojnë interesat e popujve të tjerë jashtë kufijve të kombit.
Ato përfaqësojnë bashëkpunimin dhe partneritetin e sigurtë drejt paqes dhe stabilitetit, kundër situatave të gjendjes së jashtëzakonëshme në trojet shqiptare dhe rajon.
Kërkesat mbështeten në ruajtjen e qëndrueshmërisë morale dhe organizimit politik të popullit shqiptar kundër kërcënimeve dhe rreziqeve. Përgjegjësia kombëtare është burimi i motivimit për qëndrime të drejta politike dhe juridike për interesat kombëtare.
Kombi shqiptar ka nevojë jetike të organizojë Kuvendin Kombëtar dhe të ndërtojë Strategjinë Kombëtare. Sot këto institucione funksionojnë dhe veprojnë ngadalë në mënyrën e tyre në praktikën kombëtare, brenda vetëdijes së popullit.
Mungesa ka lejuar verbërinë politike, politikëbërjet dhe qeverisjet e këqia antikombëtare. Pa vizion dhe objektiva strategjike, shtetet shqiptare ecin në padije dhe errësirë, duke e ekspozuar kombin përballë rreziqeve, kërcënimeve dhe ndryshimeve të papritura.
Mungesa e vullnetit politik për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, ka lejuar hapësira të rrezikëshme strategjive antishqiptare të fqinjëve agresivë, të cilat veprojnë me forcë dhe organizim kundër interesave kombëtare. Populli shqiptar ka humbur besimit tek politika. Ngjarjet e viteve ‘97, ‘98, 2011 në Shqipëri dhe mars 2004 në Kosovë, shkarkuan pasojat mbi jetën dhe ekonominë shqiptare. Populli i tradhëtuar nga politika, u mor me vetëveten pa i zgjidhur problemet.
Ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare mundëson frenimin dhe shkatërrimin e stratagjemave antishqiptare. Kombi shqiptar ka kaluar nëpër dyert e tragjedive të mëdha, duke marrë mbi vete mërinë e vjetër koloniale dhe neokoloniale. Në rrugët e ringritjes, populli po përballet me mjedisin kombëtar të lodhur, por jo shpresëhumbur.
Mesazhi politik për faktorin ndërkombëtar duhet të jetë i qartë: Lufta për çlirimin e trojeve shqiptare nuk ka mbaruar. Ajo sapo ka filluar duke zhvilluar disa beteja, të cilat janë fituar, si gurë tregues “kilometrik” të historisë së kombit. Pësimet nuk duhet të përsëriten dhe kështu duhet të ndodhë. Nëse këtë mision nuk e merr përsipër politika shqiptare, atë duhet ta bëjë populli i përfaqësuar nga njerëzit e tij më të mirë.
- Ndërtimi i Strategjisë Kombëtare
Kreu 41 – Sot ende vepron paradigma e fundit të ideologjisë, e ndikuar nga e kaluara. Kjo paradigmë nuk përcjell entusiazëm, sepse ajo përplaset me paradigmën e tretë, atë të poshtërimit, frikës dhe vrasjes së shpresës, kundër lidhjes kauzale historike për shkak të coptimit të pamerituar, të braktisjes në kushtet e pasigurisë, duke mbështetur shpresat vetëm tek NATO dhe SHBA. Kjo është rrugë e gabuar!
Forcimi i shtetit amë përmes ndërtimit të Strategjisë Kombëtare, rrit sigurinë e popullit shqiptar drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe shtetit – komb. Sipas parimeve dhe metodologjisë shkencore të vendimmarjes politike, Strategjia Kombëtare, Kushtetuta dhe ajo e Sigurisë, kthehen në pika detyrimi për politikën dhe diplomacinë në ushtrimin e përgjegjësive me disiplinë kombëtare e shkencore në mbrojtje të interesave kombëtare.
Populli shqiptar do të ndihej më mirë në shtetin e tij të bashkuar. Në këtë proces Strategjia Kombëtare kalon përmes kontrollit: nga drejtimi, tek vizioni, planifikimi dhe perspektiva.
Strategjia Kombëtare është mënyra e mendimit dhe veprimit sipas realitetit politik, ekonomik, kulturor, të sigurisë, elementeve demografik dhe gjeografik, duke përcaktuar kursin e lëvizjes historike drejt ardhmërisë kombëtare.
Strategjia Kombëtare orienton shtetet shqiptare drejt Rilindjes së Dytë Kombëtare, mbështetur në arritjet e dekadave të fundit, duke marrë përsipër misionin e vështirë të bashkimit kombëtar.
Ajo vepron duke rekomanduar programet perspektive pragmatiste, ushtron fuqinë mbi hapësirat kritike në trojet etnike, sipas metodologjisë gjithëpërfshirëse si disiplinë shkencore, për të rritur fuqinë kombëtare.
Brenda saj gjeopolitika dhe gjeostrategjia sipas koncepteve moderne, kapërcejnë kontradiktën midis idesë së integrimit, shkrirjes gjithëshqiptare dhe rrugëve drejt bashikimit kombëtar. Metodika e ndërtimit të saj siguron informacionin dhe ndërton qëndrimet politike në shumë plane. Në mungesë të saj kombi detyrohet të lëviz në historinë e tij pa pika orientimi.
Kreu 42 – Projekt – programi i ndërtimit të Strategjisë Kombëtare duhet të përfshijë njerëz me koncepte ideologjike, politike, shkencore, me mendim shkencor të përpunuar, vendimmarrës, arkitekt të mendimit, të aftë të ndryshojnë me kurajo situatën. Ajo realizon hap pas hapi shkrirjen drejt bashkimit shpirtëror, demografik, ekonomik dhe gjeofizik, duke paracaktuar rrugët drejt shtetit – komb.
Të bashkojmë mendimet, qëndrimet, kokat, kundër paradigmës shkatërruese, “të gjithë kundër të gjithëve, Shqipërinë do ta mbrojë Zoti”.
Interesat kombëtare dhe burimet e fuqisë kombëtare, shprehin thelbin e strategjisë kombëtare. Baza e koncepteve të Strategjisë Kombëtare janë natyra, kombi, shteti, ligji dhe shoqëria. Ajo është instrumenti i zhvillimit të fuqisë kombëtare, drejt arritjeve të dobishme të burimeve dhe mjeteve në dispozicion, duke u kthyer në artin e mirëpërdorimit të fuqisë së kombit me interes kombëtar.
Unifikimi i qëndrimit kombëtar mes dy shteteve shqiptare do të kërkojë kohë. Koncepti i nxitur nga jashtë mbi paaftësinë shtetformuese të shqiptarëve, është filozofia më e egër që po ndëshkon sakrificën njerëzore.
Thelbi i programit për ndërtimin e Strategjisë Kombëtare:
- Misioni i popullit shqiptar në këtë kohë, fati apo e thëna e të vërtetës mbi historinë e tij, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar në vendin e quajtur Shqipëri, i popullit të saj kudo në Botë që mban emrin Shqiptar.
- Kur populli natyrshëm arrin të kryej misionin ndaj problemeve që e mundojnë, ai e ka kryer atë edhe ndaj Njerëzimit.
- Strategjia Kombëtare synon objektivat strategjik të zhvillimit kompleks dhë të rritjes së fuqisë kombëtare, sipas prioriteteve politike, ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë.
Strategjia Kombëtare përmes mekanizmave shtetëror dhe patriotik krijon frontin e jashtëm, kundër xhelozive të pushtetit politik në shtetet shqiptare, kundër forcave dhe grupimeve politike në krizë dhe në vështirësi politike, të cilët kapërcimin e situatës së dështuar dhe të kompromentuar e kërkojnë me djallëzi tek mbështetja dhe ndërveprimi me kundërshtarët politik brenda dhe jashtë kombit shqiptar. Koha e tyre ka përfunduar. Qarkullimi i elitave në politikën shqiptare është rruga e drejtë për frymën e re dhe ndryshimin, sipas shembullit të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Kosovës. Përfaqësimi me dinjitet kombëtar në jetën ndërkombëtare është më shumë sesa profesional, ai është patriotizëm politik.
Strategjia Kombëtare përmes mekanizmave shtetëror krijon frontin e brendshëm, ku të sundojë ligji dhe drejtësia, kundër situatës korruptive me motive antishqiptare, qëndrimeve politike të dështuara dhe separatizmit politik, kundër barrierave frenuese që i kushtëzojnë shtetet shqiptare në rolin dhe përgjegjësitë e patjetërsueshme që kanë në rrugën e shtetendërtimit, të zhvillimit ekonomik dhe të sigurisë për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Struktura politike e Strategjisë Kombëtare:
- Synon bashkimin institucional të popullit shqiptar në një hapësirë të përbashkët demokratike (shtetëror apo federativ), sipas programit adekuat afatmesëm dhe afatgjatë të shtetndërtimit, në ndërvarësi me respektimin e vlerave të dobishme kushtetuese me vizion strategjik, të mbështetur në të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Ajo do të sjellë projekt – programin perspektiv për fazat dhe rrugët e zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe të ndërtimit të shtetit – komb, duke përpunuar kontradiktën themelore kombëtare dhe ndërkombëtare të mospajtimit dhe kundërshtimit, që mban peng idenë e bashkimit kombëtar.
Kreu 43 – Strategjia Kombëtare shpalos ndërkombëtarisht interesat jetike të kombit, filozofinë kombëtare nga ku burojnë konceptete dhe qëndrimet politike për të sotmen dhe të ardhmen, qartësinë dhe vullnetin e popullit, inteligjencës, rinisë në rrugën e pavarësisë kombëtare. Ajo përfshin në mënyrë shkencore shqetësimet madhore historike të çështjes shqiptare, përvojën historike për krijimin e frontit të mendimit të organizuar në mbrojtje të interesave kombëtare.
Strategjisë Kombëtare përcakton aleatët strategjikë dhe të natyrshëm të kombit shqiptar, mbështetjen prej tyre të interesave shqiptare në rajon, në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë, si zgjidhja më e mirë për të merituar mbështetje ndërkombëtare të dobishme për shtetin dhe kombin.
Strategjia Kombëtare programon shkencërisht detyrat kushtetuese për politikën, institucionet shtetërore, akademike e universitare, civile e private, për konsolidimin e demokracisë me objektiva të zbatueshme drejt shteteve të konsoliduara shqiptare, si garant në rrugën e shtetit-komb.
Strategjia Kombëtare synon forcimin gradual të ekonomisë përmes projekteve strategjike mbi përparësitë gjeografike, lidhjeve portuale, rrugore, hekurudhore, energjetike, duke rritur aftësitë konkurruese të bazuar në kapacitetet njerëzore, investimet, rritjen e vlerës së burimeve natyrore. Një ekonomi e qëndrueshme rrit burimet e sigurisë dhe garanton zbatimin e Politikave të Mbrojtjes.
Strategjisë Kombëtare përmes vizionit në përqëndrimin e energjive kombëtare demografike, shkencore, arsimore, artistike, tradicionale, ekonomike e financiare dhe ushtarake, sipas kritereve shkencore të funksionimit të tyre, kthehet në një dokument fundamental me vlera gjithpërfshirëse për mbrotjen e interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Strategjia Kombëtare duhet të kanunizohet në institucionet kushtetuese të shteteve shqiptare, jashtë ndikimit politik, e detyrueshme për vendimmarjen shtetërore dhe patriotike, në përputhje me mbrojtjen e interesave kombëtare. Parrulla, “Zoti e bekoftë Shqipërinë” do të mbetet e largët, përsa kohë faktori shqiptar nuk do të dijë të organizojë vetëveten. Zoti e ka bekuar Shqipërinë, të pasur dhe të çmuar. Atë duhet ta shpëtojmë duke mbrojtur me çdo çmim atdheun, jetën dhe familjet tona.
- Forcimi i shtetit amë, përgjegjësi dhe detyrim
Kreu 44 – Objektivat strategjik të zhvillimit kombëtar synojnë fillimisht forcimin e dy shteteve shqiptare në rajon, si trase e sigurtë mbi të cilën mbështen interesat kombëtare. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës ende përjetojnë tranzicion e vështirë, i cili konsumon kohën e çmuar të demokratizimit të shoqërisë, duke shkaktuar erozion në përqëndrimin e energjive kombëtare. Forca të jashtme e të brendshme janë të interesuara kundër interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Trajtimi me përgjegjësi mundëson evidentimin e urave lidhëse mes strategjisë dhe interesave që burojnë prej saj. Është detyrim shtetëror, rishikimi i dokumenteve kushtetuese për unifikimin e Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar. Ato janë institucioni që zhvillohen sipas interesave gjeopolitike. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet të bëhen shtete moderne, ura lidhëse të Europës me Mesdheun dhe rajonin Ballkanik, të kthehen shpresë e pashuar për shqiptarët kudo në botë në rrugën e unifikimit të vlerave të identitetit kombëtar.
Kreu 45 – Republika e Shqipërisë, është vendi ku mund dhe duhet të realizohet koordinimi i veprimtarisë kombëtare në shërbim të interesave të popullit shqiptar. Shqipëria është shteti amë dhe ka përgjegjësi të madhe për gjenerimin dhe mbështetjen e nevojave të kombit drejt bashkimit, duke respektuar orientimet bazë të Strategjisë Kombëtare.
Ajo ka përgjegjësinë kryesore në realizimin e procesit të integrimit gjithëshqiptar. E ndodhur nën presionin dhe diktatin e një klase politike pa frymë patriotike, roli i shtetit shqiptar po injoron komponentët politik, ideologjik, historik, tradicional dhe material, duke mos u bërë pjesë e procesit të zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Ajo përfaqëson trungun kombëtar, që ushqen shpresat për pjesën tjetër të kombit, vendin e përpunimit të mendimit shkencor për planifikimin e objektivave dhe interesave kombëtare, sëbashku me institucionet shqiptare në rajon. Si vend antar i NATO dhe faktor stabiliteti në Ballkan, Republika e Shqipërisë ka mision strategjik për krijimin e urave të bashkëpunimit për t’i hapur rrugën proceseve të integrimit brenda kombit.
Ajo siguron veprimtaritë shtetformuese, drejt rrugëve të integrimit dhe të shkrirjes gjithëshqiptare. Për hir të së vërtetës, sot shteti shqiptar shfaqet i dobët, duke përfaqësuar një Shqipëri të tkurrur dhe të paaftë t’i shërbej zgjidhjes së çështjes shqiptare në rajon. Në situata të ndërlikuara politike ajo mund ta luajë me vështirësi rolin e prapavijës së fuqishme të zhvillimeve kombëtare.
Tek populli shqiptar dashuria për shtetin amë është një ndenjë pozitive. Forca dhe stabiliteti i saj nuk do të thotë udhëheqja dhe drejtimi me dorë të fortë, por një shtet me ide të qarta dhe institucione të pavaruara demokratike, që lëviz me vizion në kursin strategjik kombëtar.
Zhvillimit kombëtar i duhet matrica shkencore mbi dobitë e organizmit të shëndetshëm shtetëror, mbështetur në vetëdijen e individit, familjes dhe shoqërisë. Politikëbërja mbi interesa qytetare dhe shtetërore, hap rrugën dhe garanton realizimin e qëllimit strategjik. Sot Republika e Shqipërisë nuk ka bërë mjaftueshëm për reformat e domosdoshme në mbylljen e periudhës së tranzicionit, duke trashëguar çështje të pazgjidhura.
Republika e Shqipërisë lëviz me sforcime politike, pa u mbështetur në Strategji Kombëtare. Aspiratat e popullit shqiptar përballen me qëndrime politike spontane të pamotivuara. Qëndrimi asfikson veprimin nën servilizmëm ndërkombëtar, duke lëkundur besimin në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Politika në Republikën e Shqipërisë bëhen pak përpjekje për zhvillimin kombëtar. Ideja e orientimit euroatlantik nuk mjafton. Problemet e brendshme pengojnë qëndrimet. Patriotizmi folklorik dhe militantizmi partiak nuk ofrojnë zgjidhje në marrëdhëniet ndërshqiptare. Mungesa e qarkullimit të elitave shoqërore dhe akademike, ka sjellë ndikime negative në përfaqësimin e vlerave në drejtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Figurat “e lodhura” në politikë janë fatkeqësi për shtetin dhe kombin. Me ndikimin negativ ata ia kanë arritur të ushqejnë konfliktin politik, urrejtje, diskretitimin, nëpërkëmbjen, duke humbur orientimin për t’i shërbyer me ide dhe organizim zhvillimit të vendit. Ndryshimet e parashikuara në objektivat e Strategjisë Kombëtare do të sjellin ndryshime cilësore në rritjen e rolit të Republikës së Shqipërisë në zhgjidhjen e çështjes kombëtare.
Strategjia Kombëtare forcimin e Republikës së Shqipërisë e shikon tek nevoja e rikthimit të patriotizmit të munguar tek klasa politike. Rrëfimi i sinqertë është thirrje për besim, marrëdhënie, komunikim, larg urrejtjes dhe përçarjes, brenda frymës së shkrirjes gjithëshqiptare dhe bashkimit kombëtar. Ai nuk është kthim prapa, as thirrje për hakmarrje, por për të mos përsëritur bëmat e këqia të historisë tonë. Ai është thirrje e zëshme së brendëshmi për paqe dhe zhvillim, thirrje për forcimin e ndërgjegjes njerëzore, kundër abuzimit me shtetin, të drejtën dhe ligjin, me ndjenjat dhe virtytet, kundër abuzimit me besimin e popullit, me dinjitetin dhe ndërgjegjen e tij.
- Republika e Kosovës, drejt shtetit të fortë dhe të begatë
Kreu 46 – Republika e Kosovës – Problemi kryesor: Ndërtimi i shtetit të begatë dhe të fortë, njohja juridike e sovranitetit në OKB dhe antarësimi në NATO. Vizioni strategjik kërkon objektiva dhe qëndrime në mbrojtje të interesave kombëtare dhe prgatitjen e kushteve politiko – juridike drejt integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare, për bashkimin në të ardhmen me Republiën e Shqipërisë. Çlirimi i saj nga Serbia në vitin “99, është akt klasik në përmasa globale i SHBA dhe NATO me vlera historike.
Republika e Kosovës ka rol të veçantë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, si trungu i atdhetarisë. Pavarësia e saj u ble shtrenjtë, ashtu siç duhet të vazhdojë të paguajë shtrenjtë në përputhje me interesat amerikane për arritjen e stabilitetit të rajonit dhe mbylljen e konfliktit me Serbinë. Realizimi i objektivit strategjik ekuilibron rajonin.
Ende sot në Republikën e Kosovës nuk është zgjidhur çështja kombëtare. Ajo mbahet peng i marrëveshjeve ndërkombëtare. Ngjarjet e dekadave të fundit po realizojnë bashkimin shpirtëror të popullit shqiptar në të dy anët e Drinit, kundër rrymave politike që dëshirojnë të shkatërrojnë shtetndërtimin në Republikën e Kosovës. Kundër ricoptimit dhe kantonizimit të saj, Strategjia Kombëtare parashikon orientimin drejt shtetit të fortë, të njohur ndërkombëtarisht, me prioritet të largët; antarësimin në NATO dhe përgatitjen e kushteve për ribashkimin me trungun amë, Republikën e Shqipërisë.
Populli në Republikën e Kosovës zgjodhi ndryshimin. Kjo ka sjellë në mendimin dhe qëndrimin politik një fenomen të ri, duke ndërthurur brenda vetëvetes frymën e idealeve kombëtare me pragmatizmin, duke përfshirë në spektër të gjerë interesat qytetare. Ky është fenomen i ri në politikën shqiptare, në harmoni me interesat e aleatëve të popullit shqiptar, veçanërisht qëndrimin e SHBA dhe raportet me BE. Kontributi në rritjen ekonomike, të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit përmes investimeve amerikane, do të jenë rruga e sigurtë drejt shtetndërtimit, larg ndikimeve negative të së kaluarës. Nuk mund të ketë politikbërje të mirë, nëse ekziston frika ndaj pushtetit.
Për sa kohë një alternativë politike nuk do të konsumohet shpejtë, ajo do të mbijetojë dhe do të fitojë, gjithmonë me idenë e artitjeve, sukseseve, qëndrimeve atdhetare, me dëshirën e mirë të shtetndërtimit të fortë e të begatë, për t’u bërë shembulli i politikës dhe politikanëve që dëshiron populli në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Fenomeni është në proces dhe duhet të shtrihet më tej. Në alternativën e re politike kërkohet ndryshim, sepse ajo ende lundron midis ekstremit të majtë dhe qendrës. Rrethi gjithpërfshirës është i paplotësuar, sepse jashtë tij shfaqen interesat e kapitalit, oligarkëve, pronarëve të tokave, bizneseve të fuqishme, veçanërisht hapësira jetike e përfshirjes së kontributeve të emigracionit dhe diasporës, të cilat mbajnë aktive jetën social – politike dhe ekonomike në Republikën e Kosovës. Orientimi i alternativës politike djathtas qendrës, duhet të synojë bashkëpunimin në interes të fuqizimit politik dhe ekonomik të vendit.
Kreu 47 – Republika e Kosovës është një shtet – territor nën kujdesin amerikan. Me mbështetjen e faktorit amerikan po fiton çështja shqiptare dhe Shqipëria. Politika e re ka prishur korrnizat e imponuara në mënyrë të njëanëshme nga Evropa. Në Republikën e Kosovës është fituar liria dhe pavarësia, por ende shteti shfaqet pa praninë e ligjëruar të simboleve të identitetit shqiptar.
Idea e zhvillimit mbështetet fuqishëm në kursin e ri euroatlantik. Alternativa politike si fenomen i ri, është një qasje jo vetëm për politikën shqiptare, por shëmbull i rinovimit hap pas hapi të politikës tradicionale konservatore në Ballkanin Perëndimor.
Lufta për forcimin e sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës synon praninë e shtetit në çdo pjesë të territorit, përmes fuqizimit të institucioneve të sigurisë në harmoni me rolin, misionin dhe detyrat e Misioneve Ndërkombëtare. Me programe konkrete të integrimit qytetar, shteti duhet të asfiksojë Asosacionin, si shpresa e vetme e Beogradit për të shkatërruar Aktin e Pavarësisë dhe“federalizimin” e mundshëm të Republikës së Kosovës në të ardhmen.
Situata në perspektivë dikton në Republikën e Kosovës, formimin hap pas hapi të konceptit shtabovik ushtarak shqiptar, shumëdimensional, ndërveprues në interes të sovranitetit të vendit, për lirimin gradual të misioneve të huaja ushtarake nga përgjegjësitë e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Konceptet ushtarake që burojnë nga Doktrina e NATO, duhet të gjejnë terren zbatimi në territoret shqiptare. Hapësirat dhe mundësitë janë të shumta. Në konceptin strategjik planifikimi i veprimtarive të përbashkëta nuk kërkon shkrirjen mes dy shteteve, por unifikimin programor me përfitime të dyanshme në fusha bashkëpunimi, me marrëveshje nën kujdesin e NATO dhe të SHBA për stërvitje të përbashkëta ushtarake mes Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile.
- Strategjia Kombëtare shtrin synimin në plotësimin e objektivave strategjik për rishikimin e marrëveshjeve të deritanishme me Serbinë; në organizimin e referendumit për t’i risjellë asaj emrin Dardani, drejt shtetit të fortë e të begatë, i aftë të ribashkojë pjesët e shkëputura nga trungu amë.
- Në kushte të reja dhe bashkërendim me aleatët strategjikë pas pranimit të Republikës së Kosovës si antare e OKB, Kuvendi i Republikës së Kosovës mund t’i drejtohet rrugëve politiko – diplomatike për shfuqizimin ndërkombëtar të “Pakos Ahtisaari” dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB.
- Ndërtimi i shtetit të fortë me komponentë të stabilizuar ekonomik dhe ushtarak, mështetur në sovranitetin e vendit, mund të krijojë kushte për përfundimin e përgjegjësive të misioneve ushtarako – civile ndërkombëtare, duke liruar kontributet financiare ndërkombëtare.
Çështja e Kosovës nuk është vetëm çështje e brendshme e politikës shqiptare, por një problem që prek interesat globale. Me papërgjegjshmëri tentohet të vritet shpirti liridashës i Kosovës dhe patriotizmit të saj. Kjo është tallja që funksionon sot me vlerat historike kombëtare, të cilat nuk bëhen rastësisht. Cili komb dhe populli civilizuar i bën këto gjëra? Shkaku është i nxitur dhe mbështetur nga kontrolli që duan të huajt ndaj Republikës së Kosovës. Nuk është e tepërt të pranohet se, politika shqiptare është një subjekt madhor që kontrollohet dhe sundohet nga të huajt.
Ndryshimi është një revolucion që ka sjellë një metalitet të ri politik, i cili nuk pajtohet me klasën politike që ka drejtuar me korrupsion dhe kompromise e kriza politike jetën në Kosovë. Klasa politike e korruptuar duhet të pranojë ndryshimin, ose duhet të “dorëzojë armët” dhe në Tiranë të fryjë erë e re politike si në Prishtinë. Alternativa e re dha mesazhin e qartë: “Ju që fituat luftën, e zhytët Kosovën në korrupsion dhe pasiguri, prandaj duhet të largoheni. Ju e keqpërdorët pushtetin politik, ekonomik dhe juridik të shtetit. Mjaft më”.
- Kushtetutat shqiptare rrëzojnë vetëveten
Kreu 48 – Dy shtete shqiptare nuk mund të shkojnë përpara pa rishikimin e plotë të Kushtetutave, nën kujdesin e politikës, akademizmit dhe kontributit të grupeve të interesit dhe Shoqërisë Civile. Analiza shkencore e faktorëve gjeopolitik në mjedisin e sigurisë dhe nevojat e zhvillimit ekonomik, imponojnë ndryshimin e modelit kushtetues, ndarjen e pushteteve midis parlamentarizmit, presidencës dhe qeverisjes.
Shtetet shqiptare në synimin për administrimin e fuqisë kombëtare u duhet modeli funksional, unifikues, shkrirës dhe gjithpërfshirës, me efekte prapaveprimi për të paktën në 50 apo 100 vitet e ardhëshme. Nëse nuk vlerësohen në kohë ndryshimet për strukturën kushtetuese demokratike, shumë shpejtë këto kushtetuta do të shembin vetëveten.
Modeli kushtetues në Republikën e Shqipërisë ka dëshmuar dështimin nën diktatin politik, duke nxitur kaosin dhe autokracinë, ka asfiksuar demokracinë funksionale, në mungesë të pavarësisë së pushteteve, rënimin e ekonomisë dhe problemeve të stabilitetit politik të vendit.
Pluralizmi politik i mendimit dhe veprimit si traditë e demokracisë perëndimore, duhet të harmonizohet në bashkërendimin e interesave të jetës social – politike në Republikën e Shqipërisë. Kodi Zgjedhor si reflektim modelit kushtetues të dështuar dhe formave të imponuara, ka krijuar situatën qesharake në zbatimin praktik, duke dhunuar kushtetutën në “formën ekzekutive”. Për shumë arsye të tjera është krijuar bindja se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka rrëzuar vetëveten.
Situata në Shqipëri shfaqet sipas skenarit të anarkisë së menduar në interes të forcave që sabotojnë funksionet e pushtetit legjitim të zgjedhur nga populli. Forma zgjedhore nuk garanton votën e qytetarëve në institucionet e larta politike. Mbi vullnetin qytetar dominon përfaqësimi i votës nga njerëzit – listë.Historitë e vitit 2008 dhe 2020 për Kodin Zgjedhor, duhet t’i mbeten të kaluarës, si shkaku i kaosit politik në Shqipëri. Qytetari voton për Parlamentin si militant politik dhe partiak, nën influencën e korrupsionit dhe interesave.
Politika zgjedhore përfaqëson natyrën e pushtetit autokratik dhe ajo duhet të ç’montohet për rrezikshmërinë e lartë që akumulon në sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Qytetari duhet të votojë drejtëpërdrejtë për Deputetin dhe Presidentin e vendit.
Ndryshimi kërkon rishikimin e zonave zgjedhore, sepse praktika ka çuar në ndarjen Veri – Jug, duke lëkundur unitetin kombëtar. Presidenti në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë pushtet ekzekutiv dhe legjislativ si Kryetar Shteti. Kujt i intereson një “noter” i parlamentit dhe qeverisë në krye të shtetit? Shqipërisë i duhet një President Komandant i Përgjithshëm i F.A. dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si garant i pavarësisë politike, duke ushtruar kontrollin mbi SHISH, Prokurorinë, Gjykatën, Policinë, Shtabin e Përgjithshëm kundër ndërhyrjeve politike mbi këto institucione. Me autoritetin e votës së popullit mbi politikën, diplomacinë dhe sigurinë kombëtare, ai bëhet garant për shmangien e anarkisë politike dhe sociale.
Kreu 49 – Reformimi i Kushtetues mbyll rrugët e mbijetesës së klasës politike të korruptuar, e cila nuk heq dorë nga privilegjet e pushtetit politik. Në zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë, populli vlerëson demokracinë dhe politika dikton. Rivlerësimi i modelit kushtetues mbështetet në analizën shkencore të kritikës historike të periudhës 20 – 30 vjeçare, e cila ka sjellë dështime në vendimmarjen strategjike. Modeli ekzistues nuk përputhet me psikologjinë e popullit shqiptar.
Në modelin e mundshëm “Parlamentar – Presidencial”, Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, duke marrë përgjegjësitë kryesore në politikën e Jashtme dhe të Sigurisë. Përgjegjësitë para Parlamenteve Shqiptare dhe popullit, diktohen nga nevoja e trasparencës në vendimmarje dhe përkushtimin në mbrojtje të interesave kombëtare.
Reformimi i Kushtetutës duhet të sjellë Modelin e Republikës Parlamentare – Presidenciale (Qeveria të jetë në shërbim të popullit), e cila hap rrugën e reformimit të Kodit Zgjedhor, krijimit të Qendrës së Studimeve Strategjike, reformimit të Dokumentit të Sigurisë Kombëtare, krijimit të AKI (Agjensia Kombëtare të Inteligjencës), reformimit të Diplomacisë, Drejtësisë, vendosjen e raporteve të drejta me Diasporën dhe Emigracionin dhe drejtime të tjera me vlera fundamentale në përsosjen e jetës social – politike të popullit. Ndryshimi kushtetues thjeshton drejtimin ekzekutiv, decentralizimin dhe delegimin e kompetencave dhe rrit pavarësinë e pushteteve. Specialistët mund të sjellin programe dhe argumente për nevojën e këtij ndryshimi.
- Qendra e Studimeve Strategjike të kombit shqiptar
Kreu 50 – Programimi i objektivave strategjikë nxit funksionimin e shtetit ligjor nga qendra në bazë. Nevoja për studime të thelluara strategjike në interes të politikës, sigurisë, ekonomisë, kundër kërcënimeve dhe rreziqeve, është domosdoshmëri. Politika duhet të krijojë mundësinë kushtetuese të ngritjes dhe funksionimit të pavarur të Qendrës së Studimeve Strategjike, e aftë të rekomandojë bazën konceptuale dhe strukturore të Strategjisë Kombëtare jashtë ndikimit politik, si organ parësor këshillimor në vendimmarrjet strategjike të drejtimit të shteteve shqiptare. Mungesa e saj në nivel kombëtar është përgjegjësi historike.
Qendra e Drejtimit Strategjik Kombëtar duhet të ketë varësi nga Parlamenti, kjo e përcaktuar në kushtetutë. Ajo ndikon në analizën politiko–historike, pa shmangur rolin e Akademisë së Shkencave, duke zhvilluar me trasparencë “kritikën historike”. Ndikimi pozitiv rikthen sovranitetin mbi politikën, ekonominë dhe sigurinë. Ajo mbështet me ide Sigurinë Kombëtare, mendimin strategjik të politikës, diplomacisë, interesit ekonomik me rekomandime dhe zgjidhje alternative, për çështjet themelore të interesave kombëtare.
Sipas përvojës ndërkombëtare, struktura e Qendrës së Drejtimit Strategjik mund të përbëhet nga Departamenti i Sigurisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare; Departamenti i Studimeve të Mbrojtjes; Departamenti Ekonomisë dhe Financave; Departamenti i Zhvillimeve Teknologjike; Departamenti i Bashkëpunimit dhe Publikimeve; Departamenti i Çështjes Kombëtare.
Drejtimi i Qendrës duhet të përfaqësohet nga një autoritet i lartë në Republikën e Shqipërisë, figurë publike me integritet moral dhe shoqëror, që ka kryer funksione shtetërore të suksesshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prania e saj mund të sjellë ndryshime cilësore në vendimmarrjen politike për problemet strategjike në dobi të zhvillimit kombëtar dhe çështjes shqiptare. (Ekziston në institucionet shqiptare materiali i plotë studimor mbi këtë çështje)
- Agjensia Kombëtare e Inteligjencës
Kreu 51 – Struktura e mbingarkuar dhe jofunksionale e SHISH, po deformon misionin e zbulimit dhe kundërzbulimit në shërbim të shteteve shqiptare. Reformimi konceptual dhe strukturor është prioritet për Sigurinë Kombëtare në përqendrimin e informacionit në shërbim të interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Situata shtron nevojën e ngritjes së Agjencisë së Inteligjencës Kombëtare, (AKI), duke përfshirë brenda saj shërbimet ekzistuese (5 të tilla), si dhe Institutin e Parandalimit; Qendrën Studimore; Agjencinë e Investigimit.
Republika e Shqipërisë si vend antar i NATO dhe Republika e Kosovës nën monitorimin e misioneve ndërkombëtare, janë aleatë të sigurtë për SHBA dhe BE. Shkeljet e kushtetutës dhe ligjeve kërcënojnë rendin kushtetues, sigurinë e brendshme dhe të jashtme, cënojnë elementet e sigurisë dhe të besimit të aleatëve strategjik të popullit shqiptar. (Ekzistojnë studime të ndryshimit. Specialistët e fushës mund të sjellin programe të detajuar për këtë çështje).
- Rritja e fuqisë së ekonomisë kombëtare
Kreu 52 – Zhvillimi ekonomik përfaqëson interesin strategjik kombëtar si bazë mbështetëse kryesore e Sigurisë Kombëtare. Në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës janë prekur interesat kombëtare të zhvillimit ekonomik. Prioriteti ekonomik është kthyer në fasadë politike, pa mundur të ndalojë rënien ekonomike dhe varfërinë. Keqtrajtimi i pasurisë kombëtare, privatizimet, grabitja konçensionet, bazuar në modele eksperimentale, kanë cënuar rëndë procesin e sigurisë kombëtare.
Sistemi “çentaur” çoi në mbylljen e jetës ekonomike së shteteve shqiptare, duke dëmtuar ekonominë dhe mbyllur rrugët për informacione dhe teknologji të reja. Ekonomia kërkon anën objektive të analizës dhe anën subjektive të veprimit. Në shtete shqiptare industria është parë si një mallkim, pa investime.
Prona private, nuk është përdorur si energji dhe si fuqi magjike, për produkt pozitiv. Dëshirat për qëndrueshmëri ekonomike, nuk krijuan panoramë makroekonomike të dobishme. Liberalizimi i treguat dhe nevojat për eksporte, thithjen e investimeve të huaja, u përball me mangësitë në legjislacionin mbi pronën private dhe mjedisin e sigurisë. Privatizimet janë kryer pa strategji dhe objektiva zhvillimi, pa transparencë, me afera korrupsioni, me raporte të përmbysura ristrukturim – privatizim, ku në pjesën dërrmuese ristrukturimi ka rezultuar i dështuar.
Ekonomia informale dhe korrupsioni, asfiksojnë ritmet e zhvillimit, ligjshmërinë, duke e detyruar ekonominë kombëtare të mbetet e brishtë. Eksperimentimi i privatizimit ekstrem brenda fazës kalimtare të ndryshimit dhe politikat fiskale po shkatërrojnë shtresën e mesme, duke e çuar popullin drejt varfërisë ekstreme dhe përqëndruar kapitalin në pak duar.
Diktati i oligarkisë së faktit mbetet ende i pashmangshëm. Ajo nuk dallohet për patriotizëm në sipërmarrje në raport me shtetin, por është kthyer në rrezik për sigurinë kombëtare, si makth tragjik që reflekton në nivelin e jetesës së popullit shqiptar. Në shumë raste, është vërtetuar mungesa e fuqisë financiare të shtetit, i mbytur në borxhin e jashtëm dhe atë publik. Në shtete shqiptare ky mbetet tregues delikat dhe i dobët, që nuk garanton realizimin e programeve të perspektivës për sigurinë.
Kreu 53 – Nxitja e interesit të përbashkëtekonomik brenda territoreve shqiptare, fuqizon shtetet shqiptare, bindjen dhe besimin për të qenë në krah të njeri – tjetrit si pjesë e një kombi. Të kapemi pas gjërave të prekshme që funksionojnë. Të ndërtojmë rrjetin e përbashkët energjitik, të zhvillojmë tregëtinë ku të ketë ndarje ndërkombëtare të punës. Në zhvillimin ekonomik, alternative e re politike ka nevojë për një vështrim tërësor në përcaktimin e saktë të rrugëve fitimprurëse me minimumin e shpenzimeve dhe maksimumin e arritjeve.
Situata kërkon një studim të thelluar të gjendjes së ekonomisë, e cila nuk u arrit të bëhej në asnjëherë pas shëmbjes së sistemit komunist. Nëse nuk ushtrohet kontroll i programuar mbi ekonominë në tërësi, atëherë do t’i hapet rruga korrupsionit dhe pasurimit të pamerituar kundër zhvillimit ekonomik. Biznesi synon fitimin si kategori objektive, dhe qeverisja e mirë ka nevojë për mbështetjen e tij. Thithja e investimeve (veçanërisht atyre amerikane në fushën e energjitikës), rregullon imazhin e shteteve shqiptare mbi stabilitetin politik dhe mjedis të sigurtë.
Orientimi nga rritja e burimeve të energjisë është hapi i parë që e shkëput Republikën e Kosovës nga varësia e jashtme. Pa fitim ekonomik dhe pa zhvilluar luftën kundër korrupsionit, nuk ka shoqëri demokratike. Brenda interesit ekonomik ka mjaft hapësira integrimi, të cilat nuk krijojnë përlasje me filozofinë e sotme europiane. Me ndikimin e grupeve të interesit dhe mbështetjen e Diasporës dhe Emigracionit Qendra e Studimeve Strategjike duhet të rekomandojë planin strategjik të zhvillimit ekonomik kombëtar, duke vlerësuar potencialet demografike dhe në natyrë në të dy anët e Drinit.
- Siguria Kombëtare, kërcënimet dhe rreziqet
Kreu 54 – Ekuilibri i forcave ushtarake ushqen stabilitetin në Ballkan. Kontributi i shteteve shqiptare në stabilitetin e rajonit sipas konceptit doktrinar “mbi kontrollin dhe ekuilibrin e fuqisë ushtarake në rajon”, si dhe vlerësimet për rritjen e masave të mbrojtjes së vendit, duhet të kthehen në burime të fuqisë kombëtare të sigurisë. Raportet mes kërcënimeve rajonale dhe mbrojtjes kombëtare kanë marrë dimensione të reja. Kjo është sfida që shoqëron kombin shqiptar.
Në kushte të veçanta kombit shqiptar do t’i duhet të mbrohet. Siguria përfaqëson nivelin shkencor politiko – filozofik, ekonomiko – ushtarak të shtetit, sipas standardeve, kryesisht dhe domosdoshmërisht. Individi, teknologjia dhe besimi përcaktojnë fuqinë strategjike të shtetit. Reformimi i koncepteve mbi Sigurinë Kombëtare, është sipërmarrje e dobishme e vizionit strategjik, bazuar në planifikim shkencor perspektiv. Antarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO dhe prania e KFOR në Republikën e Kosovës janë garanci të besueshme për sigurinë. Mbrojtja kombëtare duhet të mbështetet në mundësitë e brendshme, të cilat rezultojnë të kufizuara. Kjo është sfida jonë.
Arritjet në Republikën e Shqipërisë janë përpjekje modeste mbi sigurinë. Rajoni ballkanik është në konflikt të hapur dhe të fshehur. Shteti shfaqet si mekanizëm burokratik i pamanovrueshëm përballë nevojave për armatosjen e Forcave të Armatosura përmes forcimit të logjistikës, llojeve të forcave, drejtimit dhe mbështetjes në hapësirat gjeografike. Siguria si energji dhe territor duhet të reformojë konceptet drejt ristandardizimit të masave ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve për parandalimin e tyre, për të kuptuar “fuqinë reale dhe seriozitetin” e politikës së sigurisë të shteteve shqiptare. Siguria Kombëtare mbështet objektivat në planin shtetëror ndaj reagimeve strategjike, në kufijtë ku shteti shqiptar kufizohet me popullsi shqiptare. Ky dokument merr vlera të dobishme pas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Kreu 55 – Fenomenet diktojnë ndryshime cilësore. Strategjia e Sigurisë të Republikës së Shqipërisë nuk është e orientuar sipas interesave kombëtare. Vështrimi kritik i shërben përmirësimit për mbrojtjen e interesave kombëtare, përcaktimin e burimeve të sigurisë dhe pasigurisë, kërcënimeve, rreziqeve, përtej interesave shtetërore. Përgjegjësia kombëtare është qasja e re për përballimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të dukëshme e të padukëshme.
Është detyrim akademik, intelektual dhe patriotik, gjetja e rrugëve drejt mundësive ku gjeneron fuqia kombëtare, duke i përshtatur ato në funksion të qëllimit. Jetojmë në Ballkanin e trazuar dhe duhet të bindemi me besim në opsionet politike të mundëshme, diplomatike dhe ushtarake edhe pse problemet e sigurisë dhe përballimit të rreziqeve dhe kërcënimeve nuk sjellin optimizëm. Territoret shqiptare janë ekspozuar prej ndërhyrjeve direkte dhe tërthore të efekteve “rikoshetë dhe të efekteve hibride” të cilat kanë lidhje me vatrat e nxehta në rajon e më gjerë. Në strukturat politike dhe patriotike ekziston hija e dyshimit dhe frikës, të cilat kthehen në kërcënim serioz kundër sigurisë dhe unitetit kombëtar. Popullsinë shqiptare që nuk e mundi dot lufta, është duke e mundur fitorja dhe paqja.
Kreu 56 – Burimi kryesor i sigurisë janë shteti, baza juridike dhe qytetari. .Çështjet kryesore kanë të bëjnë me Tokën, Sigurinë Njerëzore, Mjedisin, Ekonominë, Mbrojtjen dhe Burimet e Akumulimit. Toka dhe hapësira ujore po nënçmohen. Raportet midis forcimit të mbrojtjes dhe përgatitjes për luftë, ndryshimeve në psikologjinë pacifiste të individit, kanë sjellë fenomene social – psikologjike të pastudiuara. Siguria publike nuk mbështet sigurinë shtetërore dhe kontrolli i territorit shfaqet me probleme.Popullsia shqiptare jeton në disa shtete. Për këtë arsye, politikën e jashtme dhe diplomacinë duhet t’i kthejmë në burime të sigurisë. Situata është e mjaftueshme për të vlerësuar kërcënimet dhe rreziqet përballë përvojës së hidhur të agresivitetit hibrid me motive etnike dhe fetare. Forcimi i unitetit kombëtar kundër diversitetit psiko – social dhe politik, është rrugë e sigurtë për integrimin gjithëshqiptar dhe forcimin e sigurisë kombëtare.
Njerëzit, Toka, deti, uji, pasuritë mbitokesore e nëntokësore dhe hapësira ajrore janë elementet jetike të shenjta për kombin. Ato janë thesari i vazhdimësisë së jetës. Tre standarde të sigurisë, burimin, shfaqjen dhe efektet, evidentojnë pasojat e rrezikëshme për sigurinë kombëtare, të cilat kthehen në shkaqe për pasoja të reja, të evidentuara brenda tre kategorive të rreziqeve dhe kërcënimeve me ndikim direkt ose indirekt mbi Sigurinë Kombëtare; rreziqet dhe kërcënimet e brendshme, terrorizmi transnacional, trafiqet, krimi i organizuar deri tek krimi “gri”. Në mënyrë të përmbledhur, ato shfaqen në disa drejtime dhe dimensione të jetës shqiptare:
- Presioni i nacionalizmit agresiv është burim i kërcënimeve dhe rreziqeve, i cili rrezikon bashkëjetesën dhe sigurinë në rajon.
- Goditja e identitetit historik të pronësisë mbi to, është rreziku që do të shoqërojë gjatë jetën dhe sigurinë e brendshme të vendit.
- Konflikti politik është rrezik për sigurinë kombëtare.
- Mosrespektimi i të drejtave të njeriut, shfaqet kërcënim për sigurinë njerëzore dhe atë publike.
- Lëvizjet demografike të pakontrolluara, konflikti i pronave, janë kërcënim për sigurinë publike.
- Mungesa e zhvillimit ekonomik të qëndrueshem, rrezik për sigurinë.
- Dezinformacioni mediatik nxit rikthimin e konflikteve të brendshme.
- Veprimtaria e shërbimeve inteligjente të huaja nxit urrejtjen racore dhe prishjen e ekuilibrave fetarë.
- Konformizmi i drejtësisë me pushtetin politik ka sjellë krizën e besimit, duke u kthyer në kërcënim për rendin kushtetues.
- Korrupsioni dhe padrejtësia sjellin rreziqeve të mëdha kundër sigurisë.
- Rreziqet nga lagështia e ambjentit dhe radioaktiviteti, të kultivuar dhe të pakontrolluar, veprues, shumë të dëmshëm me efekte të ngadalta.
- Mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar, e ka kthyer vendin në çerdhe për kriminelë dhe fshehje të individëve shqiptarë që kërkohen nga drejtësia.
Sot në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare “të urtët” e së ardhmes, janë vënë përballë “të fortëve” të së shkuarës. Përplasjet e brendshme politike zhvlerësojnë parimet strategjike. Mbas bindjeve politike, në çdo kohë janë shfaqur qëndrimet. Ç’rrënjosja e korrupsionit dhe pavarësia e pushteteve, janë sfida për sigurinë dhe të ardhmen. Korrupsioni, oligarkët dhe terrorizmi shtetëror janë fenomene të spikatura që kërcënojnë demokracinë dhe shtetin ligjor të së drejtës. Oligarkia e faktit sot ka hedhur rrënjët e së keqes në shtete shqiptare, e cila me fuqinë e parasë dikton mbi politikën.
Procesi i vendimmarrjes strategjike në jetën e brendshme politike shfaqet relativisht i paqartë. Dy shtete shqiptare ende konsumojnë siguri, duke shtuar kërcënimin dhe rreziqet për rendin publik. Jemi vendi më i pambrojtur dhe kjo nuk është diçka e re. Synimi dhe konteksti strategjik janë ende larg analizës shkencore të gjendjes së mjedisit të brendshëm dhe të jashtëm. Ai nuk po shërben si pikë referimi për të mbështetur vendimet e ardhshme strategjike në fushën e sigurisë kombëtare.
Kreu 57 – Republika e Shqipërisë udhëhiqet nga parime të përshtatëshme për sigurinë, duke respektuar ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare sipas standardeve të NATO, duke e kthyer atë në faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajon. Rrugëkalimet tregëtare rajonale, duhet të orientohen me maturi drejt bregdetit shqiptar, duke ndikuar fuqishëm në sigurinë rajonale, me ndikime të dobishme në rritjen e fuqisë kombëtare. Planifikimi i drejtuar duhet të shtrihet mbi hapësirën tokësore, me rrugëkalimet e ndikuara nga portet detare dhe plotësimi i infrastrukturës në brendi të gadishullit, të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive në mbështetje të koncepteve taktiko – operative dhe strategjike drejt territoreve të banuara me popullsi shqiptare.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës përfitojnë në çështjet e sigurisë nga angazhimi i fuqishëm ushtarak i SHBA. Shtetet shqiptare janë plasdarm i sigurtë i SHBA në Evropë, si vende të rreshtuara kundër tendencave sllave në rajon, të deklaruara në qëndrimin e tyre euroatlantik.
Me vendosjen në disopozicion të NATO të bazës ushtarake ajrore të Kuçovës, bazës logjistike të Malit me Gropa, aerodromit ushtarak të Gjadrit, prania e bazës ushtarake amerikane “Bon Still” në Ferizaj dhe bazës ushtarake detare të Pasha Limanit, pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, shtetet shqiptare vazhdojnë të përmbushin me sukses detyrimet në partneritetin strategjik me SHBA dhe Aleancën Veriatlantike.
- Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Kreu 58 – Të dhënat e situatës në këtë shtet janë në funksionin perspektiv të federalizimit të tij. Territori i banuara nga popullsia shqiptare zë rreth 40 për qind (10.133 km2) dhe një popullsi rreth 1.3 milion banorë (në vitin 2002 rezultojnë 802. 296 shqiptare, 35% e numrit të përgjithshëm të popullsisë). Prej vitit 2020 Republika e Maqedonisë së Veriut është antare e NATO. Në rajon ajo ende mbetet problemi i problemeve. Perspektiva kushtëzohet nga stabiliteti që ofron faktori shqiptar. Marrëveshja e Ohrit është kufomë politike, e dështuar në misionin e saj.
Perspektiva sjell nevojën e federalizimit, duke ruajtur strukturën institucionale, me raporte të drejta politike, ekonomike dhe etno – kulturore për bashkëjetesë. Shteti duhet të përgatitet për ndarjen e mundshme. Diskriminimi i popullsisë shqiptare dhe pakicave të tjera, ushqen shpërbërjen. Në këro kushte institucionet shqiptare duhet të kenë të qartë vijat e federalizimit. Për arsye të diktuara nga rrethanat politike dhe demografike, qyteti i Shkupit duhet të jetë me “status kalimtar të veçantë”, sipas konceptit “i askujt dhe i të gjithëve”. Zgjidhja e drejtë e çështjes së tij i takon perspektivës.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk funksionon demokracia. Shteti shfaq modelin dhe fytyrën e BE në raport me bashkëjetesën, multikulturalizmin dhe respektimin e të drejtave njerëzore, si një integral faktorësh interesant për shkak të shumëetnicitetit. Edhe pse nuk është shtet i veçantë, për shtetet ballkanike ajo është shtet shumë i rëndësishëm, për shkak të nevojës së sigurisë.
Kreu 59 – Tensionet i hapin rrugën radikalizimit të çështjes shqiptare. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet rregjistrimi real i popullsisë, sepse ndarja etnike tenton të ulë artificialisht numrin e popullsive, duke shpërfillur realitetin demografik. Modeli i shtetit nuk përkon me realitetin shumëetnik dhe standarded për shoqëritë e hapura multikulturore.
Ngjarja e Kumanovës i bë pika e kthesës në jetën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo vuri në lëvizje mekanizmin ushtarak për të sjellë ndryshime sasiore dhe cilësore të përfaqësimit të pushtetit politik dhe orientimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt kursit euroatlantik. Koha do të zbardh të vërtetën mbi këtë sakrificë njerëzore në interes të çështjes shqiptare.
Pavarësisht ndryshimeve politike, pushteti i ndikuar nga nacionalizmi ushqen qëndrime proserbe dhe antishqiptare. E kaluara historike e kompromenton qëndrimin politik. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk iu nënshtrua agresionit ushtarak të Serbisë siç ndodhi me Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnje Hercegovinën. Rusia dhe Serbia dolën në mbrojtje të emrit të vjetër të këtij shteti.
Pavarësisht pranimit të saj në NATO dhe kontrolli nga SHBA përmes faktorit shqiptar, Serbia vazhdon ta shikojë atë si zonën e saj të influencës nën ndikimin e Rusisë. Paaftësia e elementit shqiptar brenda pushtetit politik, ka lënë hapësira që të drejtat ligjore parlamentare të mos zbresin me efektet e tyre pozitive në jetën e popullsisë shqiptare. Ligjet formale mbi gjuhën, simbolet dhe çështje të tjera të mbetura pezull, nuk justifikojnë përgjegjësitë e politikanëve shqiptarë. Përballë tyre politika nacionaliste dikton duke demostruar një prapavijë të fuqishme antishqiptare deri në Urale!
Ende nga politika europiane nuk po kuptohet se, qendra e kofliktit të fjetur në Ballkan ushqehet brenda shtetit të Maqedonisë së Veriut. Nxitja e korenteve të ndryshme nga ndërhyrja hibride ruse dhe qëndresa e faktorit shqiptar përballë nacionalizmit maqedon, mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Në kushte të tjera nuk mund të dalin në skenë “politikanë që i hedhin ujë zjarrit”, por do të kërkohen të drejtat e mohuara në shekuj. Kjo situatë mund ta detyrojë edhe Republikën e Shqipërisë që të përfshihet në luftë dhe jo vetëm atë.
Kreu 60 – Heshtja e politikës shqiptare ndaj diskriminimit është krim politik. Shteti maqedon është i ekspozuar nga rreziku i luftës hibride të nxitur nga depërtimi rus. Pesha bie mbi faktorin politik shqiptar, i cili mban shtetin në këmbë duke kërkuar minimumin e domosdoshëm, pa e ditur dhe pa qenë i ndërgjegjshëm për forcën dhe fuqinë reale që ka.
Populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut e kupton që politika shtetërore ka në qëndrimin e saj formalizmin dhe jo zgjidhjet konkrete. Brenda shtetit shfaqet federalizmi i padeklaruar i dy popujve, të cilët kanë territoret dhe shtrirjen demografike të tyre. Bashkimi politik i potencialeve shqiptare, është kushti kryesor i patolerueshëm kundër separatizmit. Mbijetesa politike pa dinjitet ka shkarkuar mbi interesat e çështjes kombëtare. Udhëheqja politike shqiptare duhet të pranoj mbështetjen politike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për unifikim e qëndrimeve strategjike në interes të vendimmarrjes në funksion të çështjes kombëtare shqiptare.
Strategjia Kombëtare mbështet në dinamikë mbrojtjen e të drejtave të popullsisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e identitetit kombëtar, si popullsi shtetformuese, partnere e barabartë me status federativ. Përmes vetëdijes kombëtare dhe përftimit prej marrëveshjeve mbi të drejtat njerëzore, të synohet shkrirja në të gjithë fushat e ndërveprimit të mundshëm, duke krijuar kushte të favorshme për orientimin e interesave të shtetit drejt Tiranës.
Republika e Maqedonisë së Veriut nga rezultati i rregjistrimit të fundit të popullsisë duhet të kalojë në sistemin e federatës. Ky është një gravitacion kombëtar që të tërheq vëmendjen drejt ndryshimit. Nësë ky shtet nuk do të pranojë federalizimin, është i destinuar të shpërbëhet. Koha për t’u shërbërë nuk mund të jetë në këtë periudhë. Kundërshtarët e cështjes shqiptare në këtë shtet i drejtohen “Ballkanit të Hapur”, pikërisht për ta sulmuar orientimin federativ të Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar bashkëjetesën. Tradhëtia nuk ka brirë dhe fatkeqësisht kjo dëshmohet nga individë që përkrahin intrigat politike, pa kurfarë studimi shkencor të faktorëve që janë pro dhe kundër cështjes shqiptare në rajon.
- Kosova Lindore, pjesë e trungut shqiptar
Kreu 61 – Dora e shteteve shqiptare në këtë hapësirë duhet të jetë e kujdesshme, me kontribute të dobishme dhe rezultate. Popullsia shqiptare ka qenë shembulli i qëndresës kundër depërtimit serb, por sot krahina është e ekspozuar ndaj rrezikut të coptimit, ç’pronësimit dhe asimilimit. Veçanërisht situata në Medvegjë është pika e dhimbjes kombëtare dhe esencialisht e qëndrimit të papaftë të politikës shqiptare në mbrojtje të interesave kombëtare.
Nuk mund të rrihet “në pritje të zgjidhjeve pa zgjidhje”. Popullsia shqiptare ndjen dhunën dhe terrorin shtetëror të Serbisë, duke emigruar drejt perëndimit. Me mijëra qytetarë shqiptarë, ish – luftëtarë të UÇPMB, i nënshtrohen persekutimit sistematik për braktisjen e vendbanimeve.
Vendimet afatshkurtra kanë dështuar në qëllimin e tyre. Kuvendi Kombëtar duhet të denoncojë shtetit të Serbisë për politikat ç’kombëtarizuese kundër shqiptarëve dhe do të kërkoj me forcë respektimin e të drejtave të njeriut në reciprocitet me trajtimin e popullsisë serbe në Republikën e Kosovës.
Kërkesa bazë synon mbështetjen pa kushte të kësaj popullsie dhe të idesë së krijimit të krahinës me tre komuna shqiptare, të integruara në një institucion politiko – juridik. Është detyra e Strategjisë Kombëtare të programoj korrigjimet e gabimeve të së kaluarës. Kërkesa synon “institucionin e rehabilitimit dhe rikthimit të popullsisë” së larguar, ç’vlerësimin e pasivizimit të adresave, rritjen e mbështetjes së shteteve shqiptare duke hapur Konsullatën Shqiptare në Medvegjë dhe vendosjen në veprim të Fondit të Kontributit Kombëtar për ndërhyrje të programuar ekonomike në krahinë.
- Perspektiva e shqiptarëve në Malin e Zi
Kreu 62 – Brenda territorit të Malit të Zi janë përfshirë trevat etnike shqiptare me popullsi 30. 439 banorë, e cila zë 5.3 % të numrit të popullsisë së përgjithëshme dhe deri në 8% të territorit. Popullsia shqiptare i është nënshtruar proçesit të gjatë të asimilimit. Nëpërmjet përfaqësimit, ajo është e organizuar në proçesin e qëndresës dhe ndjek me vëmendje konfliktet që veprojnë në dëm të çështjes kombëtare.
Zgjidhja e çështjes shqiptarëve në këtë shtet është interes strategjik kombëtar dhe proces dinamik i Strategjisë Kombëtare. Ajo vlerëson të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe përfshirjen e tyre në veprimtaritë me karakter kombëtar.
Faktori shqiptar duhet të unifikojë veprimet politike në interes të mbajtjes së referendumit popullor për vetëvendosje dhe autonomi territoriale, kundër asimilimit, mohimit të të drejtave elementare kombëtare e njerëzore, duke krijuar kushte për formalizimin e kufijve me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, duke krijuar mundësi për shkrirjen shpirtërore, ekonomike dhe etno – kulturore.
Strategjia Kombëtare duhet të parashikojë mbështetjen dhe inspirimin e të drejtave të popullsisë shqiptare në Malsinë e Madhe, duke siguruar të gjithë përparësitë e integrimit shpirtëror me dobi prapavepruese të federalizimit dhe më pas, të formalizimit të kufijve, duke respektuar të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.
- Rizgjimi i vetëdijes kombëtare në krahinën e Sanxhakut
Kreu 63 – Krahina me kryeqendër Pazarin e Ri ka qenë historikisht hapësirë shqiptare, e aneksuar në historinë e saj të dhimbshme me gjenocid, asimilim, me dhunë e zjarr dhe hekur. Jeta social – politike e popullsisë në krahinë duhet të integrohet drejt Republikës së Kosovës, përmes aktualizimit të rezultateve të referendumit të vitit 1992.
Strategjia Kombëtare e vlerëson rizgjimin e krahinës së Sanxhakut si interes madhor kombëtar, duke nxitur veprimtaritë atdhetare që burojnë nga Platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Politika shqiptare duhet të kërkojë mbështetjen e shtetit të Turqisë për hapjen e arkivave të ish – perandorisë Osmane, për të plotësuar vërtetësinë e dosjes politike që kërkon zgjidhje.
Synimi mbështet të drejtat e popullsisë në Sanxhaknë kushtet e rizgjimit të vetëdijes kombëtare, të të drejtave etno – kulturore, gjuhësore dhe tradicionale, të krijimit të lidhjeve të forta shpirtërore e historike, të mbështetura këto në nevojat e popullsisë në fushën e arsimit, traditës, artit, kulturës, të cilat forcojnë lidhjet shpirtërore me popullsinë shqiptare në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, duke parashtruar nxitjen e procesit të Rilindjes Kombëtare. Gjeneratat e reja në krahinë duhet të ndjejnë dorën e shteteve shqiptare për rritjen e vetëdijes kombëtare, si proces i pandalshëm. Shkenca shqiptare ka detyrimin të argumentoj dhe propogandoj historinë e krahinës dhe lidhjet e saj të padiskutueshme me Historinë e Popullit Shqiptar. Popullsia në Sanxhak duhet të dijë se, ata kanë një atdhe, një histori, një të ardhme, të lidhur me perspektivën e kombit për liri dhe prosperitet.
- Arbëreshët në Itali dhe arvanitët në Greqi
Kreu 64 – Çështja e arbëreshëve dhe arvanitëve, gjuha dhe kultura e tyre, vetëdija kombëtare me të cilën ata ruajnë me fanatizëm traditat disashekullore, është mësim me vlera kundër indiferentizmit politik dhe akademik ndaj tyre. Kujdesi që tregon komuniteti dhe shteti italian, për të respektuar gjuhën dhe traditën etno – kulturore, duke realizuar organizimin administrativ të jetës shoqërore, është një qasje mjaft pozitive, me ndikime në drejtime të tjera ku jeton popullsia arbërore.
Shoqëria shqiptare duhet të ketë synime të qarta për arbëreshët, të drejtuara në proçesin e përfshirjes etno – kulturore, të lëvizjeve për krijimin e komunitetit të përbashkët me lidhje të fuqishme me emigracionin shqiptar në Itali, për rizgjimin dhe sendërtimin e vetëdijes kombëtare. Nuk është e tepërt hapja e televizionit në gjuhën shqipe në rajonet e banimit të tyre.
Kjo përvojë pozitive duhet të ngrihet në lartësinë e saj kundër qëndrimit të Greqisë ndaj pakicave shqiptare dhe popullsisë Arvanite që jeton në shtetin grek. Kjo popullsi e vënë në vështirësitë e kohës dhe përballë presionit ultranacionalist dhe fetar, vazhdon të ruajë me fanatizëm traditën, gjuhën e vjetër shqipe, duke u bërë objekt i goditjes, grabitjes dhe ngritjes së “historisë” së tyre mbi shtylla mashtrimi.
Strategjia Kombëtare, me synime të qarta dhe të larta të krijojnë lidhjet e nevojshme shpirtërore dhe institucionale, duke nxitur rikthimin e tyre tek gjuha, kultura, tradita dhe historia e tyre e vërtetë.
- Diaspora dhe Emigracioni shqiptar
Kreu 65 – Organizimi dhe suksesi i Diasporës dhe Emigracionit shqiptar në botë do të jetë vlera konkrete e ndërgjegjësimit të popullit shqiptar kudo ku jeton, për t’u orientuar drejt rrugëve të realizimit të aspiratës shekullore për identitet dhe bashkim kombëtar. Kjo pjesë e fuqishme e popullsisë shqiptare janë rezerva kombëtare, me bindjen dhe kontributin e të cilës kurikula e kombit shqiptar dhe e shtetit – komb – Shqipërisë, nuk do të jetë kjo e sotmja.
Ata janë të bindur se në këtë Shqipëri të pazot, është harruar legjitimiteti i të drejtës dhe të vërtetës mbi historinë dhe të ardhmen. Në këto kushte njerëzit e mirë me sytë dhe mendjen nga atdheu, e kanë të vështirë të bëhen faktor në jetën institucionale ekzekutive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Humbja e lidhjeve dhe kontakteve të institucioneve me shqiptarët kudo në botë, janë humbje e madhe e energjive të fuqisë kombëtare. Fatkeqësisht organizimet politike dhe atdhetare kanë rënë pre e mërive dhe mosmarrëveshjeve të nxitura nga politika konfliktuale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Ndasitë politike ushtrojnë presionin e tyre duke dëmtuar jetën komunitare.
Në mendimin logjik të njerëzve atdhetar që sot jetojnë larg trojeve etnike, të sendërtuar në konceptin e pastër filozofik dhe juridik mbi imazhin e institucioneve shtetërore shqiptare, me dëshirën për të respektuar shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës, ajo përballet me zhgënjime prej efekteve të padobishme të samiteve formale mbi “rregullat e etikës kombëtare” të mbushura me patriotizëm fals.
Doktrina politike integruese e Diasporës dhe Emigracionit me jetën shqiptare, e shpallur me bujë në dy Samitet e Tiranës dhe Prishtinës, është përballë prapaskenave mbi raporteve të padrejta të marrëdhënieve të shteteve shqiptare me këtë pjesë vitale të kombit. Modeli i keqpërdorimit të potencialeve kombëtare shkakton reagim.
Atdhedashuria, mbështetja pa rezerva e jetës shqiptare, nxitja e vetëdijes kombëtare, kontributi i pakursyer financiar mund të ndikojnë pozitivisht në ekuilibrin e jetës politiko – shoqërore, përmes politikëbërjes së dobishme. Morali njerëzor, krakteri dhe ndjesia kombëtare, nuk mund ta përtypin lehtë zhgënjimin. Pasojat shkarkohen mbi mungesën e bashkërendimit kombëtar, të cilat tentojnë të fikin gjeneratorët politik të çështjes kombëtare shqiptare.
Strategjia Kombëtare duhet të vlerësojnë potencialet dhe të drejtat e shqiptarëve në Diasporë dhe Emigracion. Ato duhet të synojnë në mënyrë të programuar bashkimin shpirtëror të shqiptarëve nëpër botë dhe mbajtjen e lidhjeve të tyre të fuqishme me trojet etnike.
Përgjegjësia morale dhe kombëtare i takon klanit të vjetër dhe të ri shqiptar veçanërisht në SHBA, i cili ka mundësi të jashtëzakonshme dhe ndikim të fuqishëm përmes institucioneve politike amerikane për reformimin e politikës shqiptare. Në orientimin e tyre drejt trojeve shqiptare ky klan nuk duhet të ndajë qëndrimet, kur është fjala për pamundësinë e lidhjes dhe kontributit të politikës mbi interesat kombëtare.
Të nxisin dhe sigurojnë koordinimin e veprimtarisë integruese të lobit Euroatlantik shqiptar në botën perëndimore, duke i kthyer përfaqësuesit e tij në ambasadorët e vërtetë të çështjes shqiptare në Botë, të frymëzuar nga atdhedashuria dhe fryma e shqiptarizmit.
(VIJON)
© Pashtriku.org
————————
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (6)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
https://pashtriku.org/strategjia-komb%d1%91tare-e-popullit-shqiptar-6/