STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (1)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
Të dashur bashkëkombas kudo që jeni,
Nëse duam të bëjmë Historinë e Re të Shqipërisë dhe të Kombit tonë, të ngremë në nivelin më të lartë frymën e patriotizmit, të përmbysim praktikat e vjetra dhe në rrugë pragmatiste të kërkojmë dhe realizojmë rrugët e bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet – komb nën emrin Shqipëri.
Ne ndihemi të mundur dhe të nëpërkëmbur nga historia jonë tragjike, por jo të pajtuar me humbjen. Kjo na motivon të ringrihemi në këmbë dhe të luftojmë për të drejtën tonë kombëtare të mohuar. Ta fillojmë respektimin e kësaj fryme nga vetëvetja.
Është koha e patriotizmit nën simbolin kombëtar Kuq e Zi!
Ju lutem, mund të jepni mendimet Tuaja, nëse ky dokument i plotëson kushtet për t’u pranuar dhe vendosur në bazën konceptuale dhe strukturore të ndërtimit të modelit të Strategjisë Kombëtare dhe Platformës bazë të një Kuvendi Kombëtar në perspektivën e tyre.
Metodologjia e përdorur jep më shumë mundësi, që për herë të parë të realizojmë një institucion mbarëkombëtar, gjithpërfshirës në mbrojtje të Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Elementet përbërës të këtij materiali mund të jenë baza konceptuale dhe strukturore e mundshme e ndërtimit në perspektivë nga institucionet shkencore akademike të Strategjisë Kombëtare të Popullit Shqiptar, të asaj strategjie të munguar për të cilën sot populli shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë ndonjeherë.
Një komb pa vizion dhe strategji, është i detyruar të rrugëtojë në errësirë dhe padije.
Të kontribuojmë të gjithë sëbashku me modesti, për të hedhur bazat e Strategjisë Kombëtare dhe të zgjidhjes në proces të çështjes shqiptare, drejt bashkimit kombëtar dhe shtetit – komb.
Kjo kërkesë modeste mbështet në konceptin shkencor të ndërtimit të një strategjie, e cila duhet të jetë një organizëm i gjallë, i natyrshëm, dinamik dhe në zhvillim për mbrojtjen e Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Ne të gjithë sëbashku mundemi të hedhim nja hap të rëndësishëm drejt strukturës së Srtategjisë Kombëtare, institucionet përgjegjëse të bëjnë detyrën e tyre ndaj Shqipërisë dhe Kombit.
Jeni të mirëseardhur!
Sulejman Abazi NESHAJ
Tiranë, nëntor 2021
Mund të më shkruani në adresën; [email protected]

***
“Atdhetaria dhe humanizmi bëhet me punë e jo me fjalë;
kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues.”
Sami Frashëri
Jemi ende në kohë!
Ka kohë që faktori patriotik dhe inteligjenca kanë shprehur interesimin për nevojën e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare të Popullit Shqiptar. Deri në vitin 2020 jemi përballur me disa botime, të cilat kanë qenë më shumë nisma individuale, sesa përpunim i mendimit kolektiv sesi mendojnë shqiptarët për strategjinë e munguar. Edhe pse ndryshe, botimet në thelb kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për t’ia arritur një qëllimi të mirë.
Në disa raste nuk mund të mos kuptohet një lloj ideologjizimi dhe politizimi i problemit kombëtar. Ky ndikim nuk ka lejuar që botimet të ngrihen në nivelin e kërkuar. Edhe pse të ngjajshme, ato kanë marrë individualitetin pa mundur të zenë vendin e merituar në ndërtimin e strategjisë së mirëfilltë për trajtimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të popullit shqiptar, kudo ku ai jeton.
Pavarësisht titujve të publikuar, ato në thelb kanë bërë përpjekje të trajtojnë çështjen kombëtare shqiptare me interes dhe mund të shërbejnë vetëm si bazë teoriko – praktike dhe metodike për nisma institucionale, për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Sidoqoftë, të nxitur nga kërkesa dhe trajtimi përherë e më shumë i çështjes në opinionin shqiptar, shumë studiues kanë bërë përpjekje të mira për të udhëtuar në hapësirat e konceptualizmit dhe këndvështrimeve të strategjisë, për të sjellë një metodologji të organizimit të mundshëm të lëvizjes kombëtare me strategji gjithpërfshirëse.
Nuk mund të themi se këto materiale nuk janë interesante dhe sfiduese. Ato janë të hulumtuara mirë, me frymë akademike dhe përvojë praktike. Gjithësesi, brenda tyre ato shfaqin kontradikta, të cilat vështirësojnë apo pengojnë përpjekjet për rrugëzgjidhjet e çështjes shqiptare. Përballemi me pengesa artificiale kundër mënyrës shkencore dhe të sigurtë të zgjidhjes së problemit shqiptar.
Ndërsa vazhdojnë polemikat dhe diskutimet mbi modelin e Strategjisë Kombëtare, është krijuar bindja se, pa përfshirjen e institucioneve kërkimore shkencore, të organeve mbështetëse shtetërore, pa pragmatizmin në politikën kombëtare, Strategjia Kombëtare nuk mund të bëhet mjet i dobishëm për reflektim në jetën e kombit. Natyra e saj gjithpërfshirëse është domosdoshmëri jetike për t’i hapur rrugën kombit drejt bashkimit.
Mbi analizën e situatës rajonale dhe faktorëve përcaktues në vendimmarjen ndërkombëtare, nisma drejt Strategjisë Kombëtare synon të argumentojë shkencërisht, pse i duhet strategjia kombit shqiptar përballë strategjive dhe stratagjemave që zbatojnë armiqtë tradicionalë kundër interesave kombëtare të popullit shqiptar.
A mund t’i kundërvihemi me sukses strategjive të tyre armiqësore, pa pasur strategjinë tonë kombëtare?
Çfarë duhet të përfaqësojë Strategjia Kombëtare e Popullit Shqiptar dhe a krijon ajo kushte optimale dhe të perspektivës për zgjidhjen e çështjes kombëtare?
A duhet të jemi në kërkim të zgjidhjes apo thjeshtë për një koceptualizim “të ri” të trajtimit të çështjes shqiptare mbi koncepte dhe emërtime të vjetra?
Përgjigjet e pyetjeve duhet të përkojnë me lëndën kryesore të kërkimeve shekncore dhe përpjekjeve për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare. Ajo duhet të ketë brenda opsionet e mundshme, metodologjinë dhe trajtimin e planifikuar shkencor të mbrojtjes së interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar, duhet të shërbejë si frymë dhe platformë e pasur dhe e organizuar për të mundësuar suksesin në të drejtën tonë juridike e historike.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar, duhet të qartësojë mendimin se çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodh me të ardhmen, duke e kthyer dëshirën për bashkim në kod sjellje dhe nderimi të jetës tonë mbi politikën, ekonominë, potencialin ushtarak, realitetin dhe bindjet tona.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar do të bind njeriun shqiptar që të kuptojë sesa të fuqishëm bëhemi, nëse kjo nismë do të kthehet në program veprimi për t’i thënë ndal padrejtësive dhe shumë pasojave të tjera që na mundojnë në jetën tonë.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar do të bind këdo se, në strukturat përfaqësuese kemi gjëra të tepërta, të padobishme, ashtu sikundër kemi nevojë për gjera të tjera të dobishme që na mungojnë. Të përfshirë nga kompleksi i inferioritetit, jetën tonë e kemi lënë në duart e të tjerëve dhe në mëshirë të fatit.
Filozofia e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare drejt bashkimit të kombit shqiptar duhet të krijojë bindjen dhe të nxisë nevojën e ndryshimit dhe trasformimit rrënjësor, përballë mungesës së vullnetit politik dhe paaftësisë për ta ndërtuar Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar.
Shtrimi i problemit synon skematizimin e çështjes kombëtare në Strategji Kombëtare, të hedhur për veprim si program dhe praktikë, mbështetur në analizën shkencore të situatës kombëtare, rajonale e më gjerë. Për nevoja të sotme dhe të perspektivës, të mos mendojmë me indiferentizëm se kjo mund të jetë e parëndësishme dhe mund të bëhet në një kohë tjetër. Ajo na duhet sot.
Shqyrtimi i varjanteve është i ballafaquar me strategjitë dhe stratagjemat armiqësore, metodat hibride që përdoren kundër interesave shqiptare, duke analizuar më parë natyrën e konflikteve që ka populli shqiptar brenda vetes, me shtetet fqinje dhe më tej. Këto janë detyrime të rëndësishme dhe të ndryshme në qëllimin e tyre. Kundër veprimeve armiqësore hibride ndaj interesave të kombit, sot kërkohet metodologji e re përbashkuaese, e cila mund të jetë e ndarë në mes me një vijë shumë të hollë të domosdoshme pragmatizmi me amanetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Filozofinë Politike të Ukshin Hotit.
Ndërtimi i varjanteve që modelojnë Strategjinë Kombëtare të Popullit Shqiptar mundësojnë përpjekjet për ta kapëcyer këtë vijë të hollë të ndarjes së periudhave, duke iu shmangur ndikimit të shabllonizmit të fryrë me patriotizëm dhe partitizëm, pa rrugëzgjidhje konkrete.
Shoqëria dhe politika shqiptare kanë nevojë për trasformim të thellë psikologjik, metodik dhe shoqëror, për t’iu larguar formave steriotipe të zbatuara deri tani sipas metodologjisë së Lindjes. Duam apo nuk duam, mënyrat e interpretimit nuk kanë sjell zgjidhje edhe kur është sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Nuk ka më vend për inferioritet dhe kompromise politike në dëm të interesave kombëtare.
Realiteti në të cilën ecën çështja kombëtare, është ndryshe nga ajo që populli shqiptar në shtetin amë dhe trojet etnike përjetoi para viteve ’90, ’99 dhe 2001. Këto janë dekada që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit dhe intelektualizmit shqiptar. Megjithatë, të mendohet se proceset tashmë janë kapërcyer pa menduar sesa dëm i bëhet çështjes shqiptare, kjo është e gabuar.
Qëndrimi pragmatist në trajtimin e çështjes shqiptare dhe mundësitë e rrugëzgjidhjeve, janë vërtet diçka e re. Ndryshe nga më para, ato kërkojnë programin shkencor, të pranuar nga akademizmi dhe mbështetur nga institucionet shtetërore. Në mungesë të vizionit dhe strategjisë, konfrontimi politik brenda popullit shfaqet i egër dhe më afër të vërtetës. Mentaliteti dhe psikologjia ecin ngadalë në rrugën e ndryshimit. Gjuha konfliktuale nxit urrejtjen, paragjykimin, militantizmin, separatizmin politik, duke vënë partitë dhe partiçkat mbi Shqipërinë. Kjo është gjuha e urrejtjes dhe shpërbërjes që i kthen perceptimet e realitetit në pamundësi për të gjetur rrugët e së ardhmes.
Së fundi duhet të pranojmë modele të tilla, të cilat nuk kanë si qëllim imponimin itelektual apo egon nismëtare, as denigrim ndaj mendimeve që mbart vetëdija dhe zemra e inteligjencës patriotike shqiptare. Strategjia Kombëtare nuk mund të jetë e dhënë një herë e përgjithmonë. Në proces janë mundësitë që ajo të përsoset në vijimësi në raport me ndryshimin e situatave. Modelet justifikojnë domosdoshmërinë jetike të ndërtimit të saj. Ajo duhet të ndërtohet, të pranohet dhe të aktivizohet si Kushtetutë dhe Pasaportë e Kombit, kundër metalitetit antikombëtar. Strategjia është fryma që do të nxis zemërimin e njerëzve të mirë kundër padrejtësive dhe nëpërkëmbjes.
Çdo përpjekje për të kuptuar apo interpretuar gabim nismat që mund t’i hapin rrugën vizionit strategjik të kombit për shekullin në vazhdim, do të jetë në baraspeshë të plotë me përpjekje të tjera dhe më të mira, të cilat mund të plotësojnë kërkesat bashkëkohore në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Këto nuk janë përpjekje për qëllime politike, as metoda apo metodologji për rrugë pa krye, as për të thelluar diversitetin e mendimit për përçarjen e popullit, por janë thirrje e zëshme për t’u bashkuar në rrugën e të ardhmes dhe ndryshimit.
Jemi ende në kohë të bëjmë më të mirën e mundshme për të ardhmen e Kombit dhe të Shqipërisë. Janë njerëzit dhe koha ato që i hapin rrugën ndryshimit. Nëse të interesuarit mund të gjejnë ngjajshmëri konceptuale mes shumë botimeve, atëherë jemi në rrugë të mbarë në përpjekjet tona të mirëfillta dhe të përbashkëta për të ndërtuar diçka ndryshe, të re dhe me fuqi shpirtërore, e cila mund dhe duhet të zgjojë shqiponjën brenda vetëdijes kombëtare.
Faleminderit
Sulejman Abazi NESHAJ
© Pashtriku.org
(VIJON)
——————————————–
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (2)
PJESA E PARË
Kombi shqiptar përballë gjeopolitikës rajonale e globale
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (2)