SULEJMAN MEHAZI: ALTARI I POEZIVE TË ZGJEDHURA

 Tetovë, 12. 03. 2016: (Qasje poetike: Adem Abdullahu, “Poezi e zgjedhur”, Ylberi plus, Tetovë, 2015) – Shkrimin do ta fillojmë me poezinë “Ia thinjën mjekrën/ që në djalëri./Flokun ia numëruan,/e shumëzuan, e pjesëtuan/ sipas fantazisë shterpe/ tejet e maten/ e tejmatën. /rudhat ia nxorën/në ballin e njomë./e deshën kur ofshante/ e humbte drejtpeshimin,/po prap eci vertikalisht.”Adem Abdullahi, Poezi e zgjedhur, Ylberi plus, Tetovë. 2015. fq.49.
Me këto vargje Ademi poetikisht shpreh flijimet fizike e shpirtërore të djalërisë, por edhe përgatit ardhmërinë me ecjen e tij vertikale duke rindërtuar dhe lashtësinë tonë, por për fat të keq gjithçka në dobi të jetës së shumëzuar e të përpjestuar sipas fantazisë shterpe të armiqëve. Pra, lirisht dhe pa hamendje mund të themi se libri “Poezi e zgjedhur” është altari më i zgjedhur i krijimtarisë poetike njëzet e dy vjeçare të autorit.
Siç e dimë Adem Abdullahu shkruan në të gjitha gjinitë letrare, por arka më e bagatshme dhe më e bukur ku mund t’i gjejmë ushqimet shpirtërore të poetit, janë poezitë. Këtë ai e argumenton në poezinë e tij mjaft domethënëse: “Madhështia / nuk matet në peshore../As me xhepa të thellë./ Thellësia e shpirtit/ është burimi i saj.” (Matja, Poezi e zgjeshur, fq.160). “Thellësia e shpirtit” për poetin është burim i padukshëm e i përhershëm, i gjithkundshëm e i parrënueshëm, me “burime” ndjenjash, vizionesh e idesh, nëpërmjet fjalës së bukur poetike. Thellësia poetike ademiane është lëndë historike e kulturore, e mendimeve dhe përvojave jetësore e identitetit njerëzor e kombëtar, e kujtesës së hidhur e të gëzuar. Domethënia dhe kuptimi i shprehjeve dhe i vargjeve të poezive “Ecja vertikale” dhe “Matja” e “thellësisë së shpirtit” lidhet kushtimisht me lexuesin që të ketë njohuri elementare për konceptin poetik të pozisë. Ja çfarë thotë Rumiu:”Vallë, a e kupton gjendjen e të pjekurit i papjekuri, pak fjalë e me thelb”, pra a i kupton çdokush ecjet vertikale apo matjet sipas thellësisë së shpirtit të poetit me pak fjalë, por me thelb. Gjuhën e shpirtit, nuk e kuptojnë oratorët, atë e kuptojnë vetëm shpirtërorët.

Poezinë e Adem Abdullahut nuk mund ta kuptojnë ata që merren me shprehje bombastike dhe me formën e jashtme të poezisë, por vetëm ata që merren me mbrendësinë apo “thellësinë shpirtërore” të saj. “Ecja vertikale” dhe “Matja” e poetit është e mbuluar me shifra dhe kode poetike: me mjekrën e thinjur, me flokët e numëruara, të shumëzuara e të pjesëtuara, me matjen, tejmatjen e rudhave të balit të njomë.
Madhështia poetike nuk matet as në peshoren e klaneve dhe interesave kulturore, letrare e artistike, por matet nga burimet të thella shpirtërore. Poezia nëse e ka thellësinë dhe fshehtësinë e frymëzimit, nëse e ka kodin apo çelësin poetik atëherë është e mbrojtur nga qëllimkëqijtë. Nëse çdo njeri, apo lexues e kupton poezinë, atëherë kjo nuk është vlerë, po anti vlerë; apo nëse çdokush që ka përpara një ëmbëlsirë dhe i fut duart secili në te, ajo nuk hahet më. Deri sa “Të tjerët kërkojnë lavdinë/ dhe “Lëvdatat ua shtojnë buzëqeshjen, kurse për poetin sharjet poetike, letrare e artistike e përmirsojnë dhe vështirë e hidhërojnë…” shembul e kemi poezinë: “Lavdërimi”,
që thotë: ”Të tjerët kërkojnë lavdinë/sado që njohin vetveten… /Lëvdatat ua shtojnë buzëqeshjen,/kurse mua/sharjet vështirë më hidhërojnë..!”(Poezi e zgjedhur, fq.163. )
Poezia e Adem Abdullahut nuk kuptohet me fjalë, trup dhe formë, por me kuptime, poetit nuk i duhen fjalët por kuptimi i syve, ai këtë e vërteton në strofën e tretë të poezisë me titull: “Nuk më duhen fjalët” fq.124, dhe thotë: “Më shiko ashtu, siç ta ka ënda ty,/mos freno shikimin që më ringjall,/ shikomë ëndshëm, me përkëdheli
lumja ti,/flasim me sy, nuk na duhen fjalë…” Komunikimi me sy e ka kuptimin e bisedës së fshehtë, jo çdokush ta kuptojë, gjëzë të bëhet që mos ta merr vesh çdokush, se me të mbuluarën gjuhë poetike bisedon, me atë të syve.
KONCEPTI FORMAL DHE GJENDJA SHPIRTËRORE POETIKE E ADEM ABDULLAHUT
Fjalorët e ndryshme të gjuhëve poezinë e përkufizojnë si kompozim fjalësh në kuadër të një kuptimi, simbolike, metrike dhe harmonie të caktuar. Sipas kësaj që thamë më lartë shihet se Adem Abdullahut i interesojnë dy gjëra kryesore poetike; subjekti i poezisë, në njërën anë, dhe kuptimi i poezisë që ai synon të shprehë, në anën tjëtër, ndërsa forma e paraqitjes poetike është një prej elementeve ndihmëse, dhe si e tillë për Adem Abdullahun është dytësorë, apo anësore .
Tani do të përpiqemi të shpjegojmë se si forma bashkë me idenë është përshfaqur dhe ka dalë jashtë subjektit poetik.
Si argument poetik e kemi poezinë:”Kërkoma trupin” fq.22.”Po s’të cingëroi telefoni/ e dashur,/po s’të solli letër/ postieri nga unë,/ merr një kurorë në dorë,/ anekënd kërkoma trupin…”
Këtu qartë shihet se shpirti poetik sipas domethënies do të kalojë në trupin poetik, apo te forma e poezisë “merr kurorën e kërkoma trupin” Ky është një lloj miraxhi poetik- shpirti me trupin humben së bashku e bëhen të padukshëm. Pra, në këtë poezi çdo varg përbën një simbolikë që lidhet me një kuptim të caktuar:”Po s’të cingëroi telefoni e dashur, një kuptim të caktuar, kuptimi tjetër i caktuar: “Po s’të solli letër postieri nga unë” dhe, tjetri : merr një kurorë në dorë kërkoma trupin” dhe pikërisht për këtë arsye nuk është e mundur që ato të jenë me kuptime të ndryshme. Artin letrar, poezinë, poeti e ushtron në kuadrin e një koncepti mendor dhe në konceptin e gjendjes shpirtërore. Në këtë gjendje poezia “Kërkoma trupin” është si e dashura e tij, ndërsa shprehjet poetike: “S’të cingëroi telefoni e dashur; s’të solli letër postieri; një kurore në dorë” llogariten si stolisje poetike.
Poezia e Adem Abdullahit ndahet në dy kategori kryesore: 1.ideore dhe 2.formale. Le ta shpjegojmë këtë nëpërmjet kësaj poezie “Kërkoma trupin”, poeti i përngjason shprehjet poetike me njeriun dhe thotë se trupi i tij është ideja, ndersa veshja e poezisë është forma. Domethënë, që një shprehje, në rastin konkret një varg apo poezi, të stoliset mirë duhet të zotërojnë artet.
Disa nga këto arte janë të përqëndruara te fjala dhe njihen si artet e fjalëve; disa të tjera të ideve dhe njihen si arte të ideve. Te artet e fjalëve bëjnë pjesë rima metrika, metafora dhe alegoria. ndërsa te artet ideore hyn urtësia dhe analiza. Ky i takon grupit të dytë të poetëve, të urtësisë dhe analizës poetike, sepse poezia e Ademit është enë poetike, kurse kuptimi brenda saj është uji poetik.
KARAKTERISTIKA KRYESORE E DASHURISË NË POEZINË E ZGJEDHUR
Karakteristika kryesore e dashurisë në poezinë e Adem Abdullahut qëndron në ndërprerjen e lidhjeve me të gjithë të tjerët, përveç se me dashurinë, shembull, “Dashurisë tënde/ I përkushtohem me shpirt./ Gjatë të galtoj me shpresë/e me dritë” (Dashuria, fq.136.) Këtu dashuruesi, poeti, duket se është i vetmuar në kuadrin shoqëror; fillon të humbas veten.
Ai e galdon thellësisht të dashurën, syri i tij fillon të mos shohë asgjë tjetër; në çdogjë ai përjeton ate.”E vetmja gjë që lëviz është shkëlqimi i dashurisë. Poeti si i çmendur vetëm “dashurisë i bën përkëdheli” Ai me anë të dashurisë na ofron një edukatë kuptimore, dhe me elegancë poetike, i afrohet dashurisë me “ngadalë” për t’ia shpalosur dobësitë e saja”. Motivi dhe qëllimi poetik i dashurisë në poezinë e Adem Abdullahut është që i dashuruari të hyjë në procesin edukativ për të edukuar veten dhe lexuesin kuptimisht. Kodi poetik me motive dashurore i Adem Abdullahut është: isha i papjekur, u poqa, e më pas u dogja për shkak të dashurisë.

Tetovë, Shipkovicë – 01. 08. 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura