SULEJMAN MEHAZI: DIALOG MISTERIOZ ME ‘KRYEMINISTRIN’…?!

Tetovë, 18. 01. 2016:
Projekti: Branitellat dhe Shkupi 2014
“Ç`kanë aq Idhuj të mermertë?
Ç`kanë aq Zotër të ngurosur?
Që s`lëvizin, që nuk kanë
Mundësi për t`u fjalosur?”
“Ekskursioni teologjik i Sokratit”, Lasgush Poradeci

Nuk do bisedoj politikisht me ju, zotëri kryeministër, pasi nuk jam politikan dhe nuk i takoj asnjë partie politike. Le të flasin me ty, ata, të koalicionit! Po pirola të qoftë, si duket edhe me këta të koalicionit po e luan mirë lojën politike, duke nëpërkambur e duke i mashtruar sa më rëndë, e më thellë. Po, e di, se këtë shkrimin tim nuk do ta merrni parasysh, parasysh e merrni vetëm mendjemadhësinë dhe krekosjen tuaj, sepse “Kështu bëjnë Perandorët/ kështu mbretërit-lubi,/Kryeshtetasit kështu,/Shtrydhin popullin e zi.”(Lasgush Poradeci)
E di se nuk mundemi me ty politikisht. i fortë je. Me ty, do bisedojmë vetëm fshehtazi apo mbylltasi. Po e nis dialogun tim misterioz me ju kryeministër. I mistershëm je, kryeministër, dhe, atë tepër. Pse, do pyesish? Ja të përgjigjem! Po sa gjëra të fshehta keni bërë, sa e fshehtë dhe e mistershme është lufta e 2001, marrëveshja e Ohrid, Shkupi 2014, enciklopedia, sa të mistershme mbeten vrasjet e tua, regjistimi i popullsisë, anëtarësimi në Nato dhe në Bashkimin Evopian, sa i mistershëm mbeti shteti juaj (jonë) për emrin, gjuhën dhe kishën tuaj autoqefale ortodokse,

Të pyes zotëri kryeministër, a e di ç’është politika? Po do thoni kurvë. Po a e di, ti, se kurvat me vete kanë detin më të thellë në botë. A e di se shumica e politikanëve janë mbytur në këtë det, sikur që je duke u mbytur ty. Po, a e kupton se me çfarë është i mbushur ky det? Me gënjeshtrat e tua. Mundohesh ta bindish popullin për të forcuar fronin tënd kryeshtetas, por “ Unë e di, se, në një kohë, populli ka për t`u ngritur, Perandorë e Kryeshtetas porsi bar për t`i kositur.” (Ekskursioni teologjik i Sokratit, Lasgush Poradeci) Po, ty ,zotëri, a e kupton fjalën Kryeministër? Po si jo, si nuk e kupton, të kesh pushtet apsolut jo vetëm ndaj populit tim, po ndaj çdo gjëje . T`i duash, ata, intelektualë që heshtin për ca poste të imëta, për ca tituj shkencore të rrejshëm , e që të përkulen, të bësh çfarë të duash me ata që të kundërshtojnë. Të luash me popullin si maca me miun.
Po, prej se je gjallëruar kaq shumë, prej kujt e more këtë forcë? Zotëri, çdo kryeministër gjallërohet prej votës së popullit. Po populli prej kujt gjallërohet, a nuk gjallërohet prej shtetit tuaj? Jo zotëri, populli gjallërohet prej statuave dhe Idhujve të vendosura në Shkup, të cilët “Thjesht kanë trup e shtat,/Kanë kraha, kanë duar,/Kanë kokë-po nuk kanë,/Tru e mënd për të menduar” (Lasgush Poradeci), Pse nuk bëhesh i mirë, i drejtë, i autoritetshëm për gjithë nacionalitetet e shtetit tënd.
A e di, zotëri kryeministër, se, vetëm arsyeja, është udhëheqëse e autoritetit të mbretërise suaj, kurse zëvendëse e së mirës është drejtësia ndaj të gjithë popujve të kësaj mbretërie, ndërsa prefektura e kësaj mbretërie duhet të jetë kujdesi ndaj dëshmorëve i njëllojtë sikurse i branitellave të tu. Kryeministër sipas teje do të thotë kallje. Orrigjina e kryeministrave me mentalitet kalljeje janë ata që luajnë me zjarrin, origjina e tyre rrjedh prej djegies e shkatërimit,.
Po, të pyes, zotëri, se, a e di nga e ka orrigjinën djalli? Nga zjarri. Mos je dhe ti i kësaj orrigjine, për shkak se dhe vet djalli nuk e di orrigjinën e gjuhës, kombit dhe fesë së vet. Dhe ai ështe pa identitet kombëtar, gjuhësor e fetar, pa identitet moral, etik e estetik. Prandaj, kryeministrat e tillë ditë e natë janë të ndezur e të kallur, për të djegur vetveten, partinë dhe popullin e vet. Çdo kryeministër që e kërkon djegien dhe zjarrin, nesër apo në të ardhmen do të jetë i dënuar prej ndëshkimeve të llojllojshme: politike, shoqërore, sociale, nacionale, popullore e historike shtetërore. Zotëri kryeministër, po të pyes ty, se, a e di, a e kupton se çdo me thënë dëshmor, të vdesish në frontin e luftës, të vdesish vullnetarisht?
A e di dallimin e branitellave të tu dhe të deshmorëve tanë, a? Të tregoj nëse nuk e di. Branitellat e tu kanë mbrojtur shtetin duke i mashtruar me para të majme, me benificione të pakufishme materiale, e aspak shpirtërore. Po, ndoshta dhe pa vullnet, pa dëshirë, ndoshta nga frika e juaj kanë mbrojtur shtetin tuaj artificial. Prandaj, bujaria, e branitellave të tu rrjedh nga paraja, kjo bujari e përlyer me pasuri i takon interesit material
Po dëshmorët tanë e di kush janë?! Janë ata, që pa farë interesi material, vullnetarisht, duke sakrifikuar vetveten dhe shpirtin dolën të mbrojnë tokën e tyre të coptuar nga ju. Bujaria, e dëshmorëve, është e shumllojshme dhe e shumanëshme: është sakrificë fizike-trupore, që u takon luftëtarëve; bujaria tjetër është shpirtërore, sepse u takon të dashuruarve të atdheut, prandaj sakrifikuan shpirtin vullnetarisht pa interesa karieriste e materiale. Zotëri kryeministër mos u bëni koprac, sepse orrigjina e kopracisë suaj është nga djalli, kopracisë suaj duhet t`i kundërviheni me bujari.
Gjaku i dëshmorëve shqiptarë është i pastër si uji i burimit, prandaj është më i vlefshëm se gjaku i branitellave të tu. Origjina e dëshmorëve është nga pastërtia, e tyre, sepse bëjnë pjesë në grupin e të vetflijuarve. Vetëflijimi i dëshmorëve shpreh simbolikën e tokës, kombit dhe gjuhës sonë dhe janë kode heroike. Në platformën e kryeministrit tonë branitellat dhe dëshmorët janë të ndarë në dy drejtime: e parmja dhe e prapmja. Kryeministrat, e mirë, e të mençur këto dy drejtime i bashkojnë në një, kurse të padijturit, gjithmonë do ta thonë pjesën e prapme të fjalës dhe e hedhin veten dhe popullin në zjarr.
Faleminderit kryeministër për këtë ndarje të dëshmorëve nga branitellat! Pse? Sepse pas njëzet viteve politikë, për herë të parë partitë shqiptare i ke bërë tok, të bashkuar. Të jesh i sigurt, kryeministër, se dëshmorët me gjakun e tyre të pastër, do ta shuajnë ketë zjarr, me siguri. Ditët e fundit je shumë nervoz, e kaluar qoft, kryeministër, derisa nuk thua:”Popujt ende s`janë sgjuar,/Po n`u sgjofshin – janë shumë,/Dhe prandaj mbi ne do derdhen/Me vërshim të math si lumë.”(Lasgush Poradeci)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura