SYLEJMAN KRASNIQI: NË 50 VJETORIN E DEMONSTRATËS TË 27 NËNTORIT 1968 NË PRISHTINË

Prishtinë, 30 Nëntor 2018:
Takimi ishte në ora 16 pa pesë minuta!
Ishte ditë e ftohët nëntori. U takuam pikërisht në orën 12 tek plepat, prapa ndërtesës së kuvendit komunal. Unë dhe Nehati erdhëm në Prishtinë, nga miniera e qymyrit të Bellaqevcit (ku punonim qe më shumë se një vit) me autobusin zyrtar të Kombinatit, kurse Nuhiu erdhi nga shkolla e mesme ekonomike. Osmanin e gjetëm aty duke na pritur. Pas përshëndetjeve dhe pyetjeve të zakonshme, Nuhiu i tregoj Osmanit se si venin punët me organizim në shkollën ekonomike. Ndësa Osmani na dha detyrë, mua dhe Nehatit, që të shkojmë në shkollën Normale dhe t’iu themi shokëve që mos të vonohen por, menjëherë pas provave që kishin për dramën “Besa” të Sami Frashërit, të cilët po e përgatitnin për t’a shfaqur me rastin e 28 nëntorit, të vinin sa më parë në oborrin e fakultetit filozofik. Kurse ju të dy, tha Osmani, pasi të pushoni pak merrni sa më shumë shokë dhe shihemi tek vendtubimi.

Me Osman Dumoshin njiheshim nga shkolla e mesme teknike. Ishim e njejta gjeneratë veçse Osmani mësonte për makineri kurse unë dhe Nehat Ramadani mësonim për elektroteknikë. Nga shkolla e mesme kishim mbetë shokë të mirë. Të dy klasët tona bashkëpunonim mes veti. Bile edhe në pushime verore, nëpërmjet të shoqatës së ferialistëve të shkollave të mesme, shkonim në bregdet bashkë. Me Nehat Ramadanin njiheshim nga klasa e parë e shkollës së mesme. Nehati ishte nga Tërrnofci i Madh. Që në fillim të vitit shkollor, Nehati, na u imponua si shok i mirë me sjelljet e tija shembullore.

– Osman Dumoshi –

Me Nehatin shkuam në shkollën Normale për të çuar porosinë e Osmanit në vend. Aty i gjetëm duke bërë provat e fundit të dramës “Besa”. Përgjegjëse e grupit ishte Sofije Isaku, një shoqe e imja me të cilën ishim në të njejtën klasë në shkollën fillore. Ajo sikur na e lexoj mendimin se pse kishim shkuar. Na tha se do të jemi në kohën e caktuar në vendin e duhur. Me Nehatin u ndamë në qendër tek trekëndëshi. Unë shkova në shtëpi kurse Nehati në banesë. Kombinati ia kishte ndarë një banesë për beqarë në qendër të qytetit tek kompleksi “Avalla”. Pas pushimit shkova kah banesa e Nehatit dhe bashkë dolëm për në oborrin e fakultetit filozofik. Kur u afruam pranë vendit të tubimit e pamë se masa e madhe e studentëve tashmë kishin dalë në rrugë. Osman Dumoshi me grupin organizativ ishin në rreshtin e parë të demonstruesëve, ashtu si e do rregulli. Kur na pa neve na e bëri me dorë që të futemi edhe ne në atë rresht. Nuk e hetuam se a ishte ky gjest dënimi pse ishim vonuar për disa minuta apo ishte shprehje e afrisë tonë si shokë dhe gjeneratë? Nuk e kundërshtuam dhe u rreshtuam me të parët. Në atë moment filluam të përleshemi me policinë e cila na e kishte zënë udhën tek “Tre Sheshirat”. Masa e madhe studentore nuk kishte të ndalur. Fuqishëm defiluam nëpër qendër të qytetit. Shkuam edhe tek burgu i Prishtinës me brohoritje për lirimin e Adem Demaçit. Tek ndërtesa e “Avallës”, e cila ishte pronë e Kombinatit, nga dhomat e katit të tretë (ku banonin sërbë dhe malazezë) një plumb e goditi për vdekje të riun Murat Mehmeti nga lagjja Tophane.
Qendra e qytetit u mbush me demonstrues, por edhe me policë. Nëpër qendër erdhën me shpejtësi edhe disa cisterna me ujë për t’i shpërnda demonstruesit. Zjarrëfikësit, me vrushkuj uji mundoheshin t’i shpërndanin protetuesit. Një nga zjarrëfikësit iu vërsul me vrushkull uji, në atë të ftohtë nëntori, një shokut tonë por Afrim Loxha si dragua, me shpejtësi rrufeje ia rrëmbeu gypin e ujit dhe e drejtoi nga policët. Protestat nuk kishin të ndalur nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës. Aty nga ora 19 e 30 minuta arrita në shtëpi sepse e kisha porosinë nga Osmani që t’i dëgjoja lajmet e para të radio Prishtinës. Ishte koha kur njerëzit dilnin nga xhamitë ku i kishin “falur taravitë” sepse ishte muaji Ramazan dhe dita e “Lejle Kadërit”. Nëse nuk gabohem ishte ditë e enjte. “Iftari” ishte në orë 16 e 30 minuta, kurse ata që kanë agjërua kanë hangër bukë vetëm pas orës 20. Sa më kujtohet mua disa nga shokët që agjëronin deri atëherë, me atë ditë janë përshëndetur përgjithmonë me agjërimin dhe me Ramazanin. Lajmi i parë, në radio Prishtinën, ishte për demonstratat studentore në Prishtinë dhe në disa qytete të Kosovës. Foli vetë drejtori i Radio Prishtinës i cili demonstratrat i cilësoi si të qeta dhe të padhunshme. Ditën e nesërme, sigurisht me urdhër nga lartë, demonstratat u cilësuan ndryshe nga ato që i kishte vlerësua radio Prishtina natën e parë.
Të nesërmen e demonstratave, dhe në ditët në vijim, njerëzit mirreshin vetëm me vlerësimin dhe gjykimin e protestave të djeshme. Secili gjykonte me shijen e vetë. Shumica dërmuese thojshin se diçka e tillë është dashtë të ndodh. Këto ishin demonstartat, protestat, shprehja e paknaqësisë ndaj situatës apo ndonjë formë tjetër e reagimit, të domosdoshëm. Ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar ngritej zëri i popullit të pakënaqur me robërinë dhe shfrytëzimin kolonial, pas përfundimit të luftë së dytë botërore. Për rininë e njomë studentore dhe të shkollave të mesme ishte një provim i vështirë, por i dhënë me sukses të plotë. Nga kjo demonstratë u zgjua ndjenja kombëtare dhe u mposht frika për refuzimin e së keqes edhe nga punëtoria. Vetëm disa ditë pas demonstratave pushteti filloi të bëjë propagandë se po ngjallet nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptarë. Nëpër tubime që i organizonte pushteti nëpër bashkësi lokale ose nëpër kolektive punuese për t’i denuar demonstratat filluan të ngrisin kokën edhe aktivistët partiak dhe shtetërorë të dënuar ose të denoncuar në Plenumin e Brioneve dy vjet më parë. Ata menduan se u erdhi momenti për të rehabilituar veten dhe vijën e tyre politike.
Mbaj mend kur në një mbledhje të aktivit politik të ish-KXEMK-së (Kombinati Xehtar Energjetik Metalurgjik e Kimik), tani KEK-u, e cila u mbajt në sallën e Drejtorisë së atëhershme të Kombinatit (në të njejtën sallë ku ishte Sllobodan Millosheviqi njëzetë vjet më vonë) gjarpinjët e Rankoviqit tentuan ta rehabilitojnë kohën e deformimeve dhe të torturave ndaj shqiptarëve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Aleksandër Rankoviqit. Më kujtohet rasti kur duke hyrë në sallën e mbledhjes, në koridor, u takova me mësuesin tim të paharruar nga shkolla fillore, të ndjerin Ismail Dumoshi, i cili kur më pa mua, më ndali në një qoshe të koridorit dhe më tha turqisht “sen syleme hiq bishe” që dmth: ti mos e merr fjalën fare. Porosinë e morra seriozisht por nuk e kuptova arsyen se pse më kufizoi në diskutim? Ndër të tjerë diskutantë e morri fjalën edhe Nexhmedin Kuçi, ish shef për kuadra në kombinat. Ndër të tjera ai, duke vështruar në sallë nga rreshti në rresht, tha se këtu, në këtë sallë, unë po shoh fytyra që i kam parë atë ditë në demonstratë. Unë, nga frika se e ka me mua, fillova të strukesha mbas kokave të njerzëve të rreshtit para meje. Pas përfundimit të diskutimit të tij e morri fjalën Ismail Dumoshi i cili, pa ngurim, e bëri një dialog të ashpër me Nexhmedinin. Nga i ke parë ti ato fytyra në demonstratë shoku Nexhmedin, e pyeti Ismaili? Isha në mesin e demonstruesëve dhe i kam pa nga afër e mua syri nuk më rren, ia ktheu me nervozizëm Nexhmedini. Pra, shoku Nexhmedin, edhe ti paske qenë pjesëmarrës a? Jo, unë kam qenë me detyrë, ia ktheu tjetri me rrëmbim. Por ndoshta edhe ai që e ke parë ti ka pasë ndonjë detyrë në mesin e demonstruesëve? Vetëm pas dy dite e zbërtheva dialogun e mbledhjes. Kishte qenë përpjekje për t’i denoncuar Ismail Dumoshin dhe Hysen Rakovicën (të ndjerin) si pjesëmarrës në demonstratë dhe eliminimin e tyre nga proqesi i arsimit në shkollën e mesme, e cila prodhonte kuadra mjeshtrie për nevoja të kombinatit por edhe edukonte breza të cilët pastaj i detyronin edhe ekskavatorët gjigant të flisnin dhe të punonin vetëm shqip. Nga kjo përpjekje doli edhe një e vërtetë tjetër: se Ismail Dumoshit, dhe shokëve që e rrethonin, pushteti i atëhershëm nuk ua kishin besën…
Nga fundi i muajit dhjetor të po atij viti u mbajt një mblejdhje e LKJ-së për anëtarë të ish-Kombinatit në të cilën morri pjesë Veli Deva (kryetar i komitetit krahinor të LKJ-së). Mbledhja u mbajtë në sallën e madhe të shtëpisë së Armatës e cila ishte pranë hotelit “Grand”. Synimi ishte që të njoftohen anëtarësia, por edhe populli, se rreziku nga përsëritja e turbullirave kishte kaluar dhe se tashmë ishte “mundur” armiku. Në tubim u paraqitën me fjalime edhe dy-tre pjesëtarë të ministrisë së brendshme të kohës së Rankoviqit të cilët ishin nga Kastrioti dhe deshën ta alarmojnë partinë për “lëshimet” që u janë bërë shqiptarëve dhe se shqiptarët e keqpërdorën “mirësinë” e Sërbisë dhe të Jugosllavisë. Pas këtyre e morri fjalën Veli Deva. Posa doli tek katedra e nxorri revolen nga brezi dhe e vuri në foltore. Në mes tjerash më kanë mbetë në kujtesë përafërsisht këto fjali: Deformimet që janë bërë në kohën e Rankoviqit nuk mund të rehabilitohen kurrë. Ti, Stevë Gullani por edhe shokët e tu, mos mbani shpresa se ka ardhur koha për rivlerësim të atyre deformimeve. A e dini ju, iu drejtua sallës, se situata është shumë serioze. Ne po mundohemi që t’a mbajmë situatën nën kontroll e dikush këtu, në mesin tonë, dhe u drejtua nga parafolësi, mundohet që të hedh vaj në zjarr. A e dini ju se në paktin Nato stërvitjet ushtarake tani po mbahen në gjuhën shqipe dhe se emigracioni shqiptarë (pra ballistët) kanë lëshua thirrjen se të gjithë shqiptarët, kudo që janë nëpër botë, të vijnë sa më shpejtë në Europë, dhe mundësisht sa më afër Ballkanit. Pas fjalës së Veli Devës situata u qetësua por disi të pranishmit mbetën të hutuar dhe gojëhapur nga ato që iu dëgjuan veshët. Duke dalë nga salla shokët, mes veti, pyeteshin a dëgjove edhe ti se çka tha Veli Deva apo më bënë veshët? Çka ka të bëjë me ne pakti Nato? Pse atje bëhen stërvitjet në gjuhën shqipe? A janë të gjitha këto në dobi tonën apo janë vetëm skenare për interesa të fuqive të mëdha? Mos kjo ka të bëjë edhe me daljen e Shqipërisë nga pakti i Varshavës? Ku jemi ne në këtë mes?

– Ismail Dumoshi –

Dy-tri javë pas demonstratave studentore filloi një fushatë e anëtarësimeve në parti. Qëllimi ishte që të rinjët të angazhoheshin në parti dhe në aktivitete partiake në mënyrë që mos të binin dhe mos të mbeteshin në duar të “irridentës”. Në minierën e qymyrit të Bellaqevcit u propozuan disa punëtorë të ri për anëtarësim. Dy nga të propozuarit ishin pjesëmarrës të demonstratës së 27 nëntorit. Në tubimin ku u bënë propozimet për anëtarësime ishte edhe një sërb nga Vojvodina i cili kishte ardhë në Prishtinë si kolon para LDB-re. Ai, me të dëgjuar emrat e këtyre dy të propozuarëve, tha se nëse këta të dy pranohen në parti unë demonstrativisht do t’a dorëzoj librezën e partisë sepse nuk mund të rri në të njejtën parti me irridentën dhe po flitet dhe dyshohet që ata edhe janë pjesëmarrës në demonstratë. Me të dëgjuar këto fjalë drejtori i minierës, Sami Kusari (tani i ndjerë), iu drejtua Lubomir Avramoviqit (kolonit nga Vojvodina) se nëse kjo që thua ti është e vërtetë rastin paraqite në polici, por mendoje mirë se, nëse nuk ke argumente, do të kesh telashe. Unë e di se ti me disa shokë, sa kam qenë unë në udhëtim zyrtar, keni bërë lista me demonstrues të mundshëm nga punëtorët e minierës tonë në përpjekje për njollosjen e kuadrove të reja shqiptare. Bile keni thënë se edhe drejtori ynë është burgosur si demonstrues, edhepse keni qenë në dijeni se unë isha në udhëtim zyrtar në Gjermani dhe për atë shkak kam mungua në punë për disa ditë. Nga ky shkak kam bindjen se këto që i thua ti dhe i thonë të tjerët janë vetëm trillime. Në parti nuk do të mbahet askush me dhunë por as nuk do të mundeni të pengoni zgjerimin me anëtarë të ri sepse partia ka nevojë për freskim. E për shpifjet që i bën ti ndaj kuadrove të reja në parti ato e kanë zanafillen tek puna e palodhshme e tyre në minierë. Ty, dhe shokëve të tu, ata po iu pengojnë vetëm pse po shkruajnë shqip dhe po e shfrytëzojnë një të drejt kushtetuese që, edhe po të duam ne, nuk mundemi të ua ndalim. Mbeta i befasuar me drejtorin e ri të minierës i cili nuk lejoi që të njollosen teknikët e ri dhe ua hapi rrugën entuziastëve për punë dhe veprim…Më vonë e kuptova se drejtori im, Sami Kusari, dhe mësuesi im i shkollës fillore, Ismail Dumoshi, ishin shokë të pandashëm dhe se e kishin marrë për detyrim që Kombinatin, me patjetër, t’a kthenin për së mbari…
***
Për ngjarjet të cilat kanë lënë gjurmë në histori ose i kanë shpejtua proqeset shoqërore duhet të shkruhet dhe të zbërthehen. Edhe për 27 Nëntorin e vitit 1968 në Prishtinë dhe në shumicën e qyteteve të Kosovës duke përfshi këtu edhe qytetet shqiptare në Maqedoni, sepse edhe ato dikur Kosovë ishin, është shkruar dhe do të shkruhet përherë. Kësaj here u mundova t’i shenojë në letër ngjarjet dhe pasojat që sollën ato demonstrata në një segment të vogël të industrisë së Kosovës si përjetues i atyre ndodhive. Por edhe punëtoria e Kosovë, secila në mënyrën e vetë, kanë dhënë mjaft në çdo etapë të zhvillimeve pozitive për kombin. Natyrisht se në këto kontribute rol të madh kanë pasë edhe individët e caktuar dhe në kohën e caktuar. Rol të pamohueshëm në përgatitjen dhe drejtimin e fuqisë pozitive tek punëtoria e Kombinatit-KEK-ut, para dhe pas demonstratave të 1968, ka patur Ismail Dumoshi, Sami Kusari dhe gjenerata e organizatorëve të demonstartave të 27 nëntorit si: Afrim Loxha, Nehat Ramadani (tani të ndjerët), Iliaz Pireva etj., të cilët në atë kohë punuan dhe vepruan në Kombinat. Puna dhe mundi i tyre ishte dhe mbeti forcë shtytëse dhe busollë orientuese deri në riokupimin e egër fashist sërb me futjen e masa të dhunshme në shtator të vitit 1990. Masat e dhunshme ishin “dhuratë” e punëtorisë së Kombinatit të atëhershëm sepse vetë kreu i masave të dhunshme, Petar Kostiqi, në një mbledhje të drejtorisë së dhunshme tha se masat u futën pasi nuk patëm mundësi që t’a thyejmë kurrsesi këtë punëtori të rebeluar.
Kjo qëndresë dhe rezistencë e punëtorisë së Kombinatit e ka zanafillën tek demonstratat studentore të 27 Nëntorit 1968.
Sylejman Krasniqi tel: 044-169-049
Prishtinë, më 25.11.2018  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura