LIRIA KA EMËR, „KOSOVË E PAVARUR“!

LIRIA KA EMËR, „KOSOVË E PAVARUIR“!

Nga Hamdi Hysuka *) Pashtriku 16 shkurt 2023

15 vjet pavarësi për Kosovën, 15 vjet luftë dhe përpjekje për bashkim kombëtar. Veprimtari të shumta u zhvilluan në kuadër të 17 shkurtit 2008, ditës së Pavarësisë së Kosovës. Me këtë frymë dhe ndjenjë kombëtare, në një nga sallat e Albergo Italia, Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit”, me qëndrim në Novara të Italisë, zhvilloi simpoziumin “Liria ka emër”. Merrnin pjesë oficere e Diasporës në Konsullatën Shqiptare Milano, znj. Luljeta Çobanaj, konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati, konsulli z. Besnik Maxhera, kryetari i Lobit Euro Atlantik Shqiptar me qendër në Lorach të Gjermanisë, z. Shykri Ymeri; prof. Ndue Shabaku, familja e artistëve Drita Gega (Qokaj), kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, z. Ligor Shyti me sekretarin, Janaq Jano; kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, z. Hamdi Hysuka; përfaqësuesja e Gazetës “Rrënjët”, znj. Fitije Picari; skulptori Ilirjan Xhixha, stafi i mësuesve të shkollës “Ura” Blerina Lika, Etleva Lika, Ana Dyrmishi, kryetarja e Shoqatës “Tirana”, znj. Etleva Rrapa, artistja dhe modelistja shqiptare me banim në Novara, znj. Gentiana Genty me moderatorin e Radios “Novara Città”, Alessio Marrara, arkitekti italo-shqiptar z. Giorgio Rubolino, poeti Fatmir Gjata, përfaqësues të institucioneve kulturore të Novarës, z. Giuseppe Aquila, poeti i Novarës z. Raffaele Lacaruso etj.

Në nisje të simpoziumit u mbajt një minut heshtje për të humburit e tërmetit në Turqi e Siri. Pas nderimit të simbolit kombëtar “Himni i Flamurit” dhe urimit të mirëseardhjes, kryetarja e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, znj. Trandafile Molla, foli për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe kremtimin e 15-vjetorit si shtet sovran, i lirë e demokratik.

-Të shfletosh historitë dhe të hysh në faqet e librit të madh të asaj epopeje të lavdishme, -theksoi kryetarja, -nuk do të arrinim të tregojmë makabrat dhe krimet e bëra nga dora gjakatare, e pashpirt, e  politikës së egër për spastrim etnik e Millosheviçit; nga makina militare e bashkëpunëtorëve dhe kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur bota, pas kampeve të përqëndrimit të luftës së dytë botërore, bishat dhe egërsirat e kriminel Arkanit. Mos të harrojmë Opojën, Mitrovicën e Drenicën, Gjilanin e Prishtinën, Prizrenin e Gjakovën, Pejën e Bllacën, Llapshunicën e Fushë-Kosovën, Sllatinën e Vitinë.

-Nuk heshtnin malet, -shtoi ajo, -nuk heshtin lumenjtë që trufullojnë me dallgë të fuqishme për makabrat e bëra mbi nënat dardane heroike, mbi torturat në trupin e brishtë të vajzave  e motrave tona kosovare, të gjakosura, të dhunuara e të hedhura në Valbonë. Zëri i tyre nga honet e thella kumbon… Nga kjo mbledhje e vogël studiuesish për çeshtjen e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës le të dalë mesazhi i zemrave tona dhe le ta dëgjojë jo vetëm Italia, Shqipëria, Kosova, Brukseli, por mbarë bota! Se liria ka emër, atë të luftëtarēve tē lirisë, UÇK-së dhe atyre që ranë për liri!

Punimet e simpoziumit vazhduan mes atmosferës së nxehtë të emocioneve. Për të risjellë në kujtesë sakrificat e mëdha, rrugën e mundimshme, odisenë e popullit hero të Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë më 17 Shkurt 2008, foli z. Myftar Gjonbalaj, zv. kryetar i BShASh “Zëri i Mërgimtarit”, një ndër emrat e mirënjohur që dha kontribut në pritjen e të dëbuarve shqiptarë të Kosovës nga trojet e tyre.

-Për vite me radhë, -tha Gjonbalaj, -qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e pastrimit etnik nga regjimi mizor e gjakatar i Millosheviçit, të këtij kasapi të Ballkanit, të cilat rezultuan me luftën çlirimtare gjatë viteve 1997-1999. Lufta mori fund pas operacionit 78-ditor të forcave të NATO-së duke shkatërruar forcat serbe në fund të vitit 1999.

Pas Ditës së Lirisë, më 12 Qershor 1999, kur në Kosovë nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shpallja e Pavarësisë u arrit më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në atë mbledhje të jashtëzakonshme, përmes deklaratës së nënshkruar nga deputetët, me përjashtim të serbëve, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, duke realizuar dëshirën shekullore të shqiptarëve për pavarësi.

Nga ajo ditë Ballkanit iu shtua dhe një shtet i ri, Kosova, e cila u njoh menjëherë nga shtetet mike në botë. Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke u bërë Kosova shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor, ishte kurorëzim i rrugëtimit të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Por bilanci i fitores së luftës ishte tragjik. Kosovës martire i vinte era tokë e djegur, se forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve. Mëse 12 mijë njerëz rezultuan të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, afër 1 milion të dëbuar, shumica drejt Shqipërisë…

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, gur themeli i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Tashmë Kosova këndon këngën e paqës, edhe pse mjegullnajat rreth saj nuk janë larguar. Akoma Beogradi nuk rresht së ngrituri barrikada, në Ibër, mbi udhët e Veriut të Mitrovicës etj. Por, siç është shprehur heroi i mendimit, Ukshin Hoti, “Një Serbi që mban të pushtuar Kosovën, nuk është e lirë as vetë”.

Siç shkruan Zymer Mehani, poet, publicist e kritik letrar, Kosova është çerdhe e trimërisë, djep i Dardanisë, vatër e barotit, gjaku i Kastriotit, Kulla e Jasharëve, zemra e shqiptarëve, fjala e besës, shqipe e flamurit, tel i çiftelisë, zjarr i dashurisë, kënga lahutare, shqipja dykrenare, gjaku i martirëve, lule e ilirëve, fushë me lulëkuqe, kopsht me burbuqe, kënga jonë kreshnike, zemër heroike, gërshet i Dadës Shotë, besa jonë arbërore, e jona tokë stërgjyshore.

Në vitin e largët, 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, poeti i madh atdhetar, Aleksandër Stávre Drenova (Asdren), shkroi në variantin gegnisht një poezi të fuqishme patriotike, kushtuar Kosovës, me mesazh aktual: “Një trup bànie anembanë Shqypninë”. Kosova e asaj poezie është vendi që ka sy lirie, që rrit trima shqiptarìe, që shtrihet në pjesën hapësinore të bukur të Ballkanit dhe që ka pasuri të pamasë:

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnisë,

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnisë

ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,

si vashë e virgjër, nuse sikur je

dhe malet me borë, mbi krye i ke kunorë!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnisë

ti ke pas kjen’ mbretnesha e Rumelisë,

nalt mbaje kryet tand si gjithmonë,

diftou e zonja, koha sot e don

ti t’çohesh përsëri n’luftë t’mbarë për liri!

Edhe vargjet “Vendit tem”, e poetit Martin Camaj, sikur lexojnë mendimet e shqiptarëve dhe shpalosin amanetin e një populli të tërë:

Kur të vdes le të bahem bar,

në malet e mija, në pranverë, në vjeshtë do të bahem farë.

Kur të vdes, le të bahem ujë

e fryma e eme avull, në fusha do të bij si shi.

Kur të vdes, le të bahem gur

në skajin e vendit tem, të qëndroj gjithmonë kufi…

Pas 28 Nëntorit 1912, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 17 Shkurti i vitit 2008 i Pavarësisë së Kosovës, është dita më e madhe shqiptare. Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, z. Diamant Kastrati, u shpreh:

-Veprimtaria ishte e rëndësishme, sepse mban gjallë ndjenjën tonë kombëtare dhe bën lidhjen mes institucioneve të Republikës së Kosovës e Republikës së Shqipërisë me institucionet italiane përmes asociacionit, në këtë mes Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” këtu në Novara. Gjeneratat e reja t’i mësojnë se njohuritë tona, përpjekjet tona, gjërat që i kemi kaluar në jetë, t’i përcjellim dhe te gjenerata të tjera, që dhe ata të dinë se ndryshe është kur e dëgjon në një simpozium, në një konferencë apo takim dhe ndryshe kur e lexon në libra. Pra, kur i kombinon të dyja, leximin me pjesëmarrjen në një konferencë, takim, apo simpozium, gjërat janë më të besueshme.

Kryetari i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, me qëndrim në Lorak të Gjermanisë, z. Shukri Ymeri, ngriti zërin për çështjen kombëtare dhe shfaqi pikëpamjen e tij rreth kësaj çështjeje që prek popullin shqiptar në çdo skaj të globit.

Nga Shqipëria nderuan me pjesëmarrje në simpozium dhe referuan kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, z. Ligor Shyti dhe kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi”  Mat, z. Hamdi Hysuka.

-Shtetësia e Kosovës vazhdimisht sfidohet, -theksoi z. Shyti, -madje sfidohet edhe në këto momente. Pra, ka qënë një nga sfidat që ne kemi patur. Fakti që ish-udhëheqësit e UÇK-së, momentalisht gjenden në dhomat e specializuara në Hagë, është një nga sfidat e radhës, të cilën shpresojmë se do ta kalojmë me sukses.

Çeshtja kombëtare, patriotike, ishte muzë frymëzuese për penën e poetëve. Fjala poetike shtoi dozat e guximit në zemrat që ndjejnë etje për liri. Vargjet e shkruara nga Ali Podrimja kumbuan si më i forti kushtrim për popullin liridashës kosovar:

Me shekuj kam shitur gjakun,

e rritur jam me gjakun e shitur…

Kosova është gjaku im që nuk falet!

Liriku shkodran, Artan Lika, një nga artistët nismëtarë të krijimit të BShASh “Zëri i Mërgimtarit”, me interpretimin e këngës “Për ty atdhe” përmalloi pjesëmarrësit aq shumë, sa ua lehtësoi peshën që mbartnin në zemër.

Hijeshia e valleve popullore, bukuria e folklorit tonë, u pasqyrua në interpretimin me elegancën e shtojzovalleve në mrizet e bjeshkëve nga valltarja e mirënjohur e skenave, znj. Drita Gega me vajzën e saj, Stella.

Pjesë e BShASh “Zëri i Mërgimtarit” janë emrat më të rinj të krijimtarisë shqipe, nismëtarët e krijimit të kësaj shoqate, e cila qëllim kryesor ka ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të traditave të popullit të lashtë, siç është populli ynë. Znj. Mimoza Selmani (Doku) dhe z. Tomorr Dyrmishi, sekretar i Shoqatës, me pasion e dashuri për fjalën e bukur, i kushtuan vargje prekëse atdheut, tokës mëmë.

*     *     *

 Dy festa Pavarësie kanë shqiptarët, të Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë dhe të Kosovës më 17 Shkurt 2008. Por, siç thotë kënga:

Nga do që të shkoj, t’eci ditë e natë

m’pyesin zogjët e malit, nuk më lën’ rehat

m’pyesin ato m’pyesin, sikur nuk e dinë

ku shkojnë kosovarët, pse n’Kosovë nuk rrinë.

Detit po të shkoj, dita bëhet natë

m’pyesin valët e detit, nuk më lën’ rehat

m’pyesin ato m’pyesin, sikur nuk e dinë

ku shkojnë ulqinakët, pse n’Ulqin nuk rrinë.

Sharrit po të ngjitem, t’eci ditë e natë

m’pyesin zogjët e malit, nuk më lën’ rehat

m’pyesin ato m’pyesin, sikur nuk e dinë

ku shkojnë tetovarët, pse n’Tetovë nuk rrinë

m’pyesin ato m’pyesin, sikur nuk e dinë

ku shkojnë preshevarët, pse n’Preshevë nuk rrinë.

Nga do që të shkoj, njeri i pa fat

ëndrrat për atdhe nuk më lën’ rehat.

m’zgjojnë ato m’zgjojnë dhe sikur e dinë

zemra ime m’thotë të kthehem në Prishtinë!

“Çdo gjë që të themi ne, është e zbehtë. Gjuha nganjëherë nuk është e përgatitur për ngjarje kaq të rralla”. Kështu është shprehur për këtë ngjarje madhështore që lartëson kombin tonë, shkrimtari Ismail Kadare. Por, siç theksoi moderatoja Eglantina Likaj, nëpërmjet gjuhës sonë të bukur, nëpërmjet artit, përjetësuam madhështinë e kësaj ngjarjeje.

Në veshët e shqiptarëve kudo që ndodhen, duhet të kumbojë porosia e Heroit Kombëtar, Skënderbeu: “Shkopinjtë e brishtë, një e nga një, janë lehtësisht të thyeshëm edhe nga një fëmijë i vogël, por të bashkuar, as forca e burrave më të fuqishëm nuk i thyen dot!”

*) kryetar i Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat.

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura