SYLEJMAN PIREVA: SËMUNDJA E TERPISË

Prishtinë, 18. 10. 2013 – Një thënie e popullit tonë thotë kështu: Herën e parë dhe herën e dytë me m’mashtrue, s’ta baj hallall, se herën e tretë n’më mashtrofsh, hallall të koftë! Kështu është edhe kjo puna e fushatës së tanishme zgjedhore në garë për qeveritë e ardhshme komunale të Kosovës, ku ekskluzivisht me përrallat e tyre të pakripë prijnë partitë e gjertanishme në pushtet. Mirëpo si kampione e të gjitha këtyre komunave mund të konsiderohet komuna e Prishtinës. Prandaj dhe gjithë arsenali politik, ekonomik, propagandistik, fantastik…dhe …tik-tik-tik është koncentruar në këtë pashallëk. Sepse po thuhet me të drejtë, ai që arrin ta marrë ‘pashallëkun’ e Prishtinës, e ka të fituar dhe të garantuar edhe perandorinë e shtetit më të ri, më të varfër, më të korruptuar dhe më të përfolur në Europë dhe në botë, të quajtur Republika e Kosovës. Partitë që ia kishin parë lezetin qeverisjes së deritashme (qoftë lokale apo qendrore), dhe ia kishin parë hairin aq shumë sa as vetë s’do ta kenë marrë me mend qysh se i kanë hipur asaj, tash janë zgjuar lugat si të kishin mbërri prej një planeti tjetër dhe sikur të mos i kishim njohur më parë se kush janë. Sytë ju kanë dalë duq dhe kapuç, pa mundur me shti gjumë në sy, vetëm e vetëm qysh t’ia dalin edhe kësaj here për të ardhur edhe një mandat në pushtet! Ani kurrgjë deri tash, çfarë ‘xhevahirësh’ presim të na shpikin e llomotisin në ditët e ardhshme, aq sa kanë mbetur deri në përfundim të fushatës! Dhe kanë të drejtë. Nuk kanë faj. Nuk është pak: në mbrëmje të erresh duke të pikuar çatia, kurse në mëngjes të gdhihesh, hop, e drejt n’pallat! Dhe ç’pallat se: dhjetëra metra gjatë dhe në dymbëdhjetë kat! Nejse, s’është e thënë që kjo të arrihet bash brenda një nate, por po bien fjala, sepse një kësi pallati do goxha kohë deri sa të përfundojë, por para përfundimit të mandatit gjithqysh. Kurse qytetarët e gjorë, ndonëse as gjysma e tyre s’kishin dalë në votime, po shpresonin se ‘të zgjedhurit e popullit” do t’i mbanin premtimet dhe do ta merrnin selametin!… Selametin po, kuptohet, por jo qytetarët, por ‘të zgjedhurit e popullit’! Megjithatë, si popull shpirtbardhë dhe zemërgjerë që është, kishte shpresuar se ‘të zgjedhurit e popullit’ ishin mbushur mend nga mandati i parë se si (s’)duhet qeverisur dhe gabuar sa më pak dhe do të korrigjoheshin në atë të dytin, prandaj dhe mund t’u faleshin mëkatet… Mbushur mend po, që ç’ke me të, por jo për të qeverisur drejt, por për të vjedhur me të dy duart! Dhe nëse në mandatin e parë, kishin vjedhur me njërën dorë, tash me të dyja së bashku!


– Isa i LDK-së dhe Hasha i PDK-së – 

 Premtime të turpshme!
Dhe ja, edhe në këtë fushatë me avazin e vjetër, por këtë herë edhe më i zi, për të na e mbushur mendjen se s’ka as në tokë dhe as në qiell më të mirë se këta që i provuam dhe u dogjëm me ta! Llomotisin duke i premtuar çdo komune dhjetëra e qindra miliona euro, siç është rasti me liderin e partisë demokratike, por vetëm me një kusht(lexo: me bisht!): nëse ia votojnë partinë që ai e udhëheq, thua se ky disponon fabrikën e tij private për prodhimin e parave! Shuma e premtuar dhe e dizajnuar plot mashtrim e trillim, që s’e beson as një fëmijë 6 vjeç, kap shifrën 845 milion. Lind pyetja: ku qenkan fshehur gjithë këto para deri me tash ose nga do të vijnë për të investuar në zhvillimin e ardhshëm të komunave, që kanë aq shumë nevojë, shumica e të cilave deri tash janë qeverisur vetë nga PDK-ja? A mos ato nuk kishin nevojë edhe më parë për këto investime?! Në një shtet ligjor ku funksionon drejtësia, ky njeri me këso sjellje do të përjashtohej nga fushata dhe do të hapej procedura penale kundër tij. Paraqitja e këtij lideri në këtë mënyrë, në këtë kohë fushate, është absolutisht jonormale. Në vend se të kërkojë falje dhe të gjejë ndonjë justifikim për mospërmbushjen e shumë premtimeve gjatë qeverisjes së deritashme të subjektit të tij, qoftë në nivel lokal apo në nivel qendror, ai, pa farë turpi, me kokën lart dhe pa ujë në sy, jep premtime të tjera në hava edhe më të pamundshme dhe më të parealizueshme se ndonjëherë më parë. Por kur po flasim për këto premtime, për një gjë jemi të sigurt: edhe po të kishte shteti i Kosovës në arkën e vet kaq para, sa premton lideri i partisë në fjalë, përmbi gjysma e tyre do të përfundonin në xhepat e tij dhe të pushtetarëve përreth tij. Siç ka ndodhur edhe në mandatet e kaluara.
Isa i isos!
Hiç më pak nuk dallon dhe hiç më larg nuk qëndron as rivali i tij, i partisë me stazh më të gjatë në këtë vend, ai i LDK-së. Ai që ia mbante ison tërë kohën tandemit të tij, ky biçim mund t’ ia ketë shkuar dhe me asgjë s’i ka mbetur borxh. Kjo tashmë dihet botërisht.
Ky njeri që s’ka arritur as për gjashtë vjet t’i mbushë gropat me zhavorr në disa lagje të qytetit, balta e të cilave depërton deri në oborr të komunës, nëse jo edhe deri në rezidencën e tij, e të mos flasim për asfaltimin e tyre që s’janë kurrkund, tani s’ka turp që të llomotisë duke premtuar ‘një Prishtinë multimodale’, ku s’do të mungojë as tramvaji, as treni urbanistik, as kopshti zoologjik, as spitali modern…e çka jo tjetër! Dhe për t’i arritur të gjitha këto, atij i mjaftojnë dy orë pune në zyrën e kryetarit! Sepse gjithë kohën tjetër është i zënë me punë shumë më të mençura prej profesori e akademiku! Kësi kryetari kur të kesh! Lum populli që e ka!
Sëmundja e terpisë!
Nuk di sa janë të vetëdijshëm, por sjellja e ulët në këtë fushatë e këtyre liderëve të apostrofuar vetëm sa nuk të zgjon të vjellat! Sepse po dihet ashiqare qëllimi i tyre: s’është puna që këta zhvatës janë ngopur dhe janë bërë pishman për keqpërdorimin e pasurisë publike dhe përfitimet e shumta personale dhe grupore për një kohë rekord. Jo. Por të rryer dhe me përvojë siç janë, mendjen e kanë qysh të zhvatin edhe më tutje dhe si ta rrisin edhe më shumë buxhetin familjar, në mënyrë që deri në fund të këtij shekulli t’ua sigurojnë jetën familjeve të tyre djalë pas djali! Den baba den! Kjo është diçka! Kësaj i thonë punë! Kësaj i thonë dije! Rrofshin ‘të zgjedhurit e popullit’ të dëshmuar katërçipërisht për zanatin e tyre zhvatës!
Por këtë herë shanset i kanë shumë më të vogla. Siç duket, qytetarët janë vetëdijesuar mjaft mirë sa për të mos gabuar edhe këtë herë. Me vend e ka përdorë populli ynë thënien që e përdorëm në hyrje të këtij shkrimi: herën e parë dhe herën e dytë me m’mashtrue, s’ta baj hallall, se herën e tretë n’ më mashtrofsh, hallall të koftë! No pasaran!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura