DR.JAKUP KRASNIQI: KUTE EKTREMISHT TË NDRYSHME PËR KRIME LUFTE?!

Prishtinë, 12. 02. 2016: Ambasadori britanik Ruairi O’Connell paska thënë: “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”.
Pajtohem me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar – Ruairi O’Connell-i, se “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”. Por, a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin kupola e krimit (pas shefave të tyre), ishin pjesë e pandashme e krimit dhe e gjenocidit në tri luftëra shkatërruese në ish Jugosllavi (në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe po ata sot të jenë shpresë e integrimeve evropiane e euro-atlantike? Pse dy kute të ndryshme edhe për çështje (krime) që nuk mund të krahasohen bash me asgjë? Mos të harrojmë, për një shekull, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar nga dëbimi e shfarosja.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.

Sipas kësaj logjike, ku duhet të jetë Nikoliq-i, Presidenti i Serbisë, Vuçiq-i, Kryeministri i saj dhe Daçiq-i, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish zëdhënësi i Millosheviq-it? Apo atyre u lejohet çdo gjë, pse janë bijë të “popullit hyjnor” se kështu dëshirojnë ta quajnë veten politikanët dhe akademikët serb në Beograd.
Madje, ku duhet të jenë, kryepersonazhet e Raportit të Dick Martit të kthyer në Rezolutë të KE-së, mbi një bazë kryekreje të shpifur – të trafikimit të organeve (vërtetë një krim i tmerrshëm po të jetë bërë), mbi kryegënjeshtrën e shekullit të ri?! Nëse një ditë do të “guxoj” të dali e vërteta mbi këto gënjeshtra të shpifura të miqve të Millosheviq-it e të politikës së tij, Këshilli i Evropës dhe ata që e votuan dhe e besuan atë gënjeshtër të shpifur do të turpërohen, siç po turpërohet Kisha Katolike (Vatikani) pas pesë – gjashtë shekujve, për turrën e druve ku u dogjën mendjet e lira të kohës, vetëm pse e thanë një të vërtetë shkencore për botën që i rrethonte.
Pse Bota demokratike, bota që i di dhe i njeh mirë mundësit e veprimit e të operimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e heshtë të vërtetën e luftës së Kosovës? Për ne shqiptarët është e qartë, atë/ato krim/e të tmerrshëm që e/i kryen serbet (se vetëm ata i kishin mundësit), po ua veshin shqiptarëve. Po, për krimet, gjenocidin dhe dhunimet e qindra mijëra shqiptarëve e shqiptareve (në shtëpitë e tyre) kush duhet të përgjigjet?
Vërtetë, ka ende njerëz në politikë, në medie e në diplomacinë evropiane, që nuk e dinë të vërtetën e luftës se Kosovës?
Unë thjeshtë nuk besoj! Le të thuhet e vërteta e ndjekjeve politike të njerëzve patriotë në Kosovë, sado e hidhur që të jetë! A nuk po bëhet kjo për të njollosur krye vlerën e lirisë se shqiptarëve – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Sivjet bëhen 103 vjet nga sakatimi (më shumë se përgjysmimi) i pamëshirshëm i Shqipërisë së katër Vilajeteve dhe i shqiptarëve nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
Mos diçka ogurzezë po u përgatitet përsëri shqiptarëve (tani në Bruksel) edhe me miratimin e Isës dhe të Hashimit dhe e përkrahësve të tyre të verbër? Të cilët, interesin e brezave të së ardhmes e kanë qitur në anekënd publik, për interesat personale të tyre? Ku e kanë vendin këta njerëz? Mos të tillët, vendin e kanë në krye të shtetit? Pse po u duhet rikthimi i Serbisë në Kosovë? Dhe shih për ketë duhet t’ i mbajmë, Isën dhe Hashimin në pushtet.
Pse po i mbështesni veprimet e tyre të çoroditura, për të lënë zjarrin e ndezur në Ballkanin e trazuar? Të njëjtën gjë e patën thënë të urtit në vitin 1912/13. “Mos i copëtoni shqiptarët se do ta leni një vatër zjarri të hapur”! Koha tregoi se ata patën të drejtë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura