Prishtinë, 02. 02. 2015 – Ajo çfarë po ndodh qe disa javë e muaj me migrimin shumicë të të rinjve shqiptarë të Kosovës, veçmas hovin që ka marrë prej se u dha “sihariqi” i koalicionit qeveritar midis partive PDK-LDK-LS (lista serbska), aq sa është tronditëse për secilin njeri normal të këtij nënqielli, po aq është e dënueshme! E dënueshme për kë?! S’do mend, për kë tjetër, përveç atyre që kanë qeversur dhe po qeverisin keq dhe e kanë pru këtë gjendje që e kemi sot. Ata që e mbajnë mend mirë egzodin e Bllacës, pesëmbëdhjetë vjet më parë, ndonëse në kohë lufte, se luftë ishte, as atëherë s’mund ta merrnin me mend dhe të besonin se ajo që po përjetonin ishte diçka normale, e le më sot kur Kosova është shpallur shtet, me vulë dhe nënshkrim, i njohur ndërkombëtarisht nga 108 shtete! Dhe aq më e pabesueshme, kur fatlumnisht Kosova nuk është në gjendje lufte me asnjë shtet. Mirëpo, nolens volens, kjo po ndodh para syve tanë dhe para syve të gjithë botës! Dhe… kurrgjë kurkujt?!
Prandaj thirrjet e Isa Mustafës, në rolin e kryeministrit të këtij shteti, drejtuar herëpasherë këtyre fatkëqinjve që vazhdojnë të shpërngulen, kinse këto migrime janë ilegale (sic!), tingëllojnë aq bajate dhe falco, sa nuk ia mbushin mendjen askujt se janë të sakta dhe të sinqerta! Të shiten bileta në të gjitha stacionet e autobusve të qyteteve të Kosvës në pikë të ditës; të dihen saktësisht të gjithë autobusët me firmë dhe me emër e mbiemër se të kujt pronar janë dhe ku janë të regjistruar dhe për ku shkojnë e vinë; të na i shfaqin kamerat për çdo mbrëmje në ekranin e televizorit skenat tmeruese me fytyra të përlotura, me fëmijët foshnje të shtrënguar në gjoks duke u shtyrë për të zënë ndonjë vend të lirë në autobus; dhe të thuhet se këto janë ‘migrime ilegale’, kjo është hipokrizi e llojit të vet dhe shumë cinike!
Ikja nga Kosova e pavarur…!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Dhe si nuk është hiprokrizi dhe tepër cinike thirrja bajate dhe falco e këtij njeriu, të parit të qeverisë, kur asnjë fjalë tjetër nuk është në gjendje ta shqiptojë, përveç se ‘migrimet janë ilegale’, qoftë madje një nga premtimet e shumta, siç propagandonte gjatë fushatës zgjedhore, se po të vijë ai në pushtet, do t’i hapë mbi 120 mijë vende pune?! Mirë që nuk kishte shkuar më larg, zëvendësi i tij, Thaçi, i cili kishte premtuar 200 mijë! Prandaj, lexues i nderuar, vlerëso ti vetë se me çfarë soji njerëzish është duke u qeverisur ky vend! Qysh do që të jetë, ky kryeministër do të përmendet në histori si një damkë e urryer e këtij populli që në këtë periudhë ka pësuar një tragjedi kombëtare si rrallë ndonjëherë tjetër në të kaluarën!
Afër mendjes se ky kryeministër, kësisoji, del se është i dështuar dhe jo vetëm në këtë rast! Çfarë mund të thuhet për këtë dai, kur një ministër serb, siç është ai Jablanoviç, të cilin e ka caktuar vetë, na e fyen historinë e popullit tonë, madje historinë më të re (siç është fyerja e nënave të Gjakovës), se gjëja ai nuk ditka për masakrën serbo-çetnike mbi burrat, djemtë dhe vajzat shqiptare të Kosovës, e posaçërisht të qytetit të Gjakovës dhe po ky kryeministër nuk ka bythë që ta shkarkojë?! Ky ministër edhe mund të shkojë një ditë, sepse as që ka shans tjetër për të mbetur në këtë post, por sa vlen kjo pastaj nga ky kryeministër, kur shkarkimi i serbit Jablanoviç është dashur të harrohet deri me tash, e jo për shkak të mosveprimit dhe fodullëkut të këtij kryeministri, u desht të përgjaken qindra protestues e policë?! Sepse…fundja, a nuk ka ky kryeministër punë më të mençura, se sa të harrohej tashmë ish ministri Jablanoviç (sic!)?!
Le ta dijë mirë ky kryeministër (si njeri i parë i kësaj qeverie), se herët a vonë, duhet të përgjigjet për (mos)veprimin e tij si fajtori nr. 1, për gjithë atë që ka ndodhur dhe nuk ka ndërmarrë asgjë për të mos i përjetuar këto ngjarje të hidhura në historinë më të re të këtij vendi, kur dihet se mu për shkak të fodullëkut të tij, u organizuan të gjitha ato protesta, sepse as që kishte nevojë për kaq shumë rixha?! Pra, ky kryeministër, a s’ është i dështuar?!
Por le të kthehemi edhe një herë në fillim. E di që ndoshta kjo do t’iu duket pak e tepërt, por nëse jo deri me tash, protestat do të jenë të pashmangshme për së shpejti një ditë, edhe për çështjen e migracionit, përkatësisht shpërnguljen masive të fatkëqinjve tanë të shumtë të cilët po ikin larg e më larg atdheut për të gjetur një ekzistencë më të sigurt! Shpërngulja do të jetë aq më tepër e stimiluar, nëse kryeministri Mastafa dhe qeveria e tij vazhdojnë që këtë fatkeqësi kombëtare ta shikojnë duke bërë sehir dhe nuk ndërmarrin sa më shpejt diçka në gjetjen e një projekt-plani emergjent që do të ndikonte sado pak në zvogëlimin e kësaj fatkeqësie që ka përfshirë thuaja çdo të dytën familje kosovare, nëse jo edhe më shumë.
E di që jeni fare skeptikë se diçka e tillë do të ndodhë në të ardhmen më të shpejtë, ose se do të ndodhë fare, por atëherë më thuani ju lutem, cili është hairi i këtij kryeministri?! Ju kuptoj që përgjigjen e keni në maje të gjuhës!… Rruga e mbarë i qoftë!