Pashtriku.org, 26 shtator 2017: Këto ditë në Shtypshkronjën ‘Blendi’, Shoqëria ‘Lëvizja’ ka botuar librin: “SYRI I SHQIPONJËS – Kujtime e përjetime” të autorit Ilaz Kadolli. Recensues i librit është Emrush Xhemajli, ndërsa redaktor Abdyl Kadolli. Libri ka 231 faqe.
Në vijim ju ftojë t’i lexoni vlerësimet e recensentit, E.Xhemjali dhe të redaktorit, A.Kadolli.
***
Libri Syri i Shqiponjës i veprimtarit dhe luftëtarit Ilaz Kadolli është në funksion të informimit të drejtë për luftën heroike të UÇK-së dhe në veçanti të edukimit atdhetar të brezit të ri shqiptar.
Ky libër është një rrëfim tepër interesant për Luftën çlirimtare, sa që nuk kemi pasur rast të lexojmë diçka të ngjashme deri më tash. Pjesa për veprimet ushtarake të UÇK-së dëshmon sesa me përkushtim kanë luftuar ushtarët dhe eprorët e UÇK-së, duke mos pasur kohë për kalkulime politike gjatë luftës. Luftëtarët e lirisë ishin të frymëzuar me idealin për çlirimin e vendit, duke zhvilluar veprime luftarake dhe hakmarrjen për vuajtet e popullit e shokët e rënë dëshmorë.
Në këtë libër mund të mësohet si janë planifikuar, mbështetur e zhvilluar aksionet luftarake të njësitit Syri i Shqiponjës të UÇK-së kundër forcave okupuese serbe. Aty duket qartë si zhvillohej lufta e kombinuar: frontale me ripozicionime për shkak të forcave të pabarabarta në luftime dhe luftës guerile me aksione të befasishme të sulmit e tërheqjes në prapavijë të armikut.
Në rrëfimet e autorit dalin në pah të gjitha kategoritë e palëve ndërluftuese në dy kampet e mëdha. Pra, të gjithë ata që ishin për luftën çlirimtare dhe të gjithë ata që ishin kundër saj. Një veprimtar i ri politik kishte vërejtur me të drejtë se shumë pak po shkruhet për veprimet luftarake e heroizmat e UÇK-së dhe po shpifet shumë kundër saj, sikur ajo nuk paska bërë asgjë kundër okupatorit.
Ky botim është i mirëseardhur pikërisht në këtë kohë kur kanë vërshuar shpifje e botime kundër UÇK-së, si në Serbi, ashtu edhe nga disa shqipfolës sharlatanë, që për motive të ulëta denigrojnë vlerat e luftës historike të UÇK-së. Libri Syri i Shqiponjës i Ilaz Kadollit për Luftën çlirimtare është jo vetëm një informacion burimor për heroizmat e UÇK-së, por edhe një dëshmi historike për studiuesit tanë të Luftës së lavdishme të UÇK-së.
Emrush XHEMAJLI
Prishtinë, korrik 2017
***
Libri publicistik ‘Syri i shqiponjës’ i Ilaz Kadollit është një testament burimor, një jetëshkrim i identifikuar me idealin e lirisë dhe përkushtimin sublim për kurorëzimin e saj. Në këtë botim përjetohen Demonstratat historike ’81, nga doli Lëvizja Popullore e Kosovës, një organizëm politiko-ushtarak për çlirimin kombëtar. Aty do të njihni portretet morale të veteranëve të orëve të para të kësaj Lëvizjeje kombëtare, si ideologë e strategë të shquar, mbledhjet historike, veprimtarinë e thellë ilegale, burgjet e rënda dhe flijimet e tyre sublime. Syri i shqiponjës ka parë gjithë dramën e luftës çlirimtare, organizimin e formacioneve të reja ushtarake, odisenë e furnizimit me armatim dhe ndeshjen me ofensivat e egra armike dhe heroizmin në fushëbeteja. Libri Syri i Shqiponjës është një dëshmi historike për luftën e pastër të UÇK-së, disiplinën dhe përgjegjësinë, rreshtimin e drejtë me aleatët e natyrshëm dhe një përvojë e re historike. Syri i shqiponjës vëzhgon e sulmon gjenocidin barbar serb me plaçkitje, djegie, përdhunime, masakrime të popullsisë civile, vrasje të të burgosurve, humbje të pengjeve e kufomave dha eksodin biblik të spastrimi etnik. Autori është dëshmitar dhe aktor i dramës së re historike, ku reflektohen edhe sfidat diversive për ngjyrimin ideologjik e fetar të UÇK-së, disfatizmi politik dhe prapaskenat politike të pasluftës me intriga pushtetore. Rrëfimet e autorit grishin jo vetëm ata që kanë zhvilluar e përjetuar luftën, por edhe ata që e kanë vëzhguar nga bregu. Aty lexuesi sheh shumë anë të panjohura të Luftës çlirimtare dhe kupton çmimin e shtrenjtë të lirisë. Abdyl Kadolli
***
KUSH ËSHTË ILAZ KADOLLI
Ilaz (Ilaz) KADOLLI lindi më 23.11.1959 në Bukosh të Therandës. Ka mbaruar më 1984 Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka dhënë më 2002 në Prishtinë. Ilaz Kadolli ishte pjesëmarrës aktiv në Demonstratat gjithëpopullore më 1981 dhe udhëheqës e organizator i Demonstratave 1982-1983 në Prishtinë. Ishte anëtar – themelues i Lëvizjes Popullore të Kosovës më 1982 dhe anëtar i Kryesisë së LPK-së brenda vendit në vitet 1982-1999. Është bashkëveprimtar me veteranët e Lëvizjes: Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Afrim Zhitia, Fadil Vata, Ahmet Haxhiu, Enver Topalli, Gafurr Elshani, Emrush Xjemajli, Ramadan Avdiu, Behajdin Allaçi etj., dhe pjesëmarrës aktiv në mbledhjet e përgjithshme të LPK-së brenda vendit. Ishte i burgosur politik më 2 gusht 1993 dhe i dënuar me 2,5 burgim të rëndë nga regjimi pushtues serb. Është themelues i njësiteve guerile të LPK-së gjatë viteve 1989-1993.
– Themelues e pjesëmarrës aktiv i Luftës Çlirimtare të UÇK-së.
– Themelues i Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut (komandant për moral dhe politikë).
– Kuadër udhëheqës në ZOP (prokuror lufte dhe udhëheqës i Gjykatës ushtarake).
– Themelues e kuadër udhëheqës i njësitit special diversant ‘Syri i Shqiponjës’ të ZOP-it gjatë viteve 1998-1999. Pas çlirimit të Kosovës ishte nënkryetar i parë i komunës së Therandës në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës më 1999. Ka punuar oficer i lartë i TMK-së në Zonën II Mbrojtëse në Prizren më 2000-2003 (shef i Shërbimit informativ G2). Nga gushti 2003 ushtron profesionin e avokatit në Prizren, ku jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijët.
Postime të Lidhura
VIRTUOZI ANASTAS KONDO
VIRTUOZI ANASTAS KONDO Nga Ingj. Ahmet Ҫollaku, Tiranë 17. 10. 2022 “Zakonisht njerëzit janë të prirur të besojnë…
ARBEN GJINAJ: PËRUROHET NË VJENË ROMANI NË GJUHËN GJERMANE “1803†I AUTORIT BESIM XHELILI
Vjenë, 18 dhjetor 2018: Shkrimtari nga Tetova me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xheli, të premten në…
PASHTRIKU: NË TIRANË U MBAJT SIMPOZIUMI I II-të NDËRKOMBËTAR ‘PELLAZGËT, GJUHA DHE PASARDHËSIT E TYRE’
(Pashtriku.org, 13. 11. 2012) – Më 9 e 10. 11. 2012, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në…
MSc.ALBERT HABAZAJ: KRITIKË ANTOLOGJIKE PËR LETËRSINË BASHKËKOHORE NË VLORË
Vlorë, 30 shtator 2020: Pasthënie për librin “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritikë letrare 3” e autorit Eqerem CANAJ…