Rrapi i Marashit dhe Ura e Gurit në qytetin Muze të Prizrenit

RRAPI I MARASHIT DHE URA E GURIT NË QYTETIN MUZE TË PRIZRENIT

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 9 Korrik 2021

Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidh historikisht bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit. Prizreni me rrethinë ka një sipërfaqe prej 640 km2 me 74 vendbanime me rreth 175,000 banorë dhe ka rreth 400 m lartësi mbidetare

Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Dardanisë dhe si i tillë ruan dëshmi e monumente të lashta nga koha e neolitit, eneolitit, bronzit, hekurit, antikitetit dhe jo vetëm. Në këtë kuadër falë pozitës gjeografike dhe gërshetimit harmonik të monumenteve të të gjitha kohërave historike, Prizreni me plot të drejtë mban epitetin “Qytet muze”.

RRAPI I MARASHIT

Rrapi i Marashit ndodhet në bregun e majtë të Lumëbardhit dhe është pjesë përbërëse e kompleksit të Marashit.

Kompleksi i Marashit gjendet në pjesën lindore të Prizrenit dhe paraqet një simbiozë të këndshme të trashëgimisë natyrore dhe arkitektonike. Fjala Marash në gjuhën e vjetër persishte do të thotë – vend i freskët.

Arkitektura monumentale, tradicionale e orientale së bashku me atë fetare janë vlerat e kulturës materiale të kompleksit. Kompleksin e përbëjnë Teqeja e Tarikatit Saadi, Xhamia e Maksut Pashës, Objekti i Mullirit të Pintollit, Restoranti Marashi, si dhe disa shtëpi tradicionale të shekullit XIX -XX.

Kompleksi i Marashit krijon vazhdimësinë mes Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kalasë së Prizrenit dhe vazhdon me grykën e bukur të Lumëbardhit. Nga Marashi mund të vazhdohet në këmbë rrjedhës së sipërme të lumit, përderisa tani shtegu i cili vazhdon për disa milje për një ecje të këndshme buzë lumit ose për vozitje me biçikletë, është ndërtuar. Shtigjet kanë një terren të përshtatshëm për vrapim bashkë me natyrën e mahnitshme, dhe përfundon në Kalanë e Prizrenit.

Rrapi i Marashit ka një vjetërsi rreth 500 vjeçare dhe është i ngjashëm me Rrapin në Tërsten të Dubrovnikut dhe me Rrapin e Ohrit.

Lidhur me rrapin ekzistojnë shumë të dhëna, të cilat flasin si për origjinën e tij ashtu edhe për ngjarjet historike që kanë ndodhur aty pranë. E dhëna e cila vazhdon të qëndrojë edhe sot është se atë e mbolli i pari i teqes së dikurshme që eksiton në këtë kompleks!

Rrapi i Marashit ka lartësinë 20.90 m, me një diametër të kurorës që shkon në 12 m. Rrethi i trungut të tij në bazë është rreth 3 m., ndërsa fletët i ka të gjata 13 – 14 cm. Me këto dimensione që ka ai paraqet një raritet të rrallë natyror. Lartësia mbidetare e këtij vendi (te Rrapi) është 417 m.

Rrapi është vënë nën mbrojtje ligjore në vitin 1959.

Uji që buron nën rrënjët e Rrapit ka ndikur në rritjen dhe jetëgjatësinë e tij, por mjerisht para një kohe në afërsi të lagjes, pasi u bënë disa punime për hapjen e një tuneli, në të cilin u ndërtua një rezervuar Rrapi ndien mungesën e ujit të mjaftueshëm. Duke u nisur nga kjo gjendje, duket se Rrapi (që ka rezistuar ndër shekuj) nuk ka përkujdesjen e nevojshme!!

URA E VJETËR E GURIT

Sipas disa shënimeve Lumbardhi fillimisht kishte tjetër rrjedhë dhe kalonte pranë secilës shtëpi në formë jazi. Pasi lumi mori këtë rrjedhë që ka sot, ndër vite u ndërtuan shumë ura por më e rëndësishmja prej tyre është Ura e Gurit, e cila gjindet në qendër të qytetit. Në anën lindore të saj është “Ura e Arastës” (*) kurse në anën perëndimore gjendet “Ura e Naletit” (**).

Ura e gurit nga ana e djathtë lidh rrugën ‘Saraçhanë’ që të çon tek Shtëpia e Kulturës “Xhemali Berisha”, ndërsa në anën e majtë shkohet drejtpërdrejt në sheshin Shatërvan, dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë.

Ura e Gurit u ndërtua nga Ali bej Kukaj në shek. XVI (në vitin 1533), me gurë të skalitur e llaç gëlqeror. Ura ka tri harqe, harkun e mesëm ku  rrjedh lumi, dhe dy harqe anësore më të vogla.

Gjatësia e urës së vjetër ishte rreth 30m, ndërkaq ura e sotme (e ndërtuar në vitin 1982) është rreth 17m. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m.

Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103 cm dhe lartësi 160 cm. Gjerësia e trasesë është 4,20 m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40cm që përcjellë nivelimin e saj.

Për shkak të vlerave të mirëfillta historike dhe të trashëgimisë, Ura e Gurit me vendimin nr. 2345, datë 31.12.1948 vihet nën mbrojtje të shtetit.

Gjatë historisë ura ka pësuar disa ndryshime, veçanërisht në vitet ’60 kur u rregullua shtrati i lumit. Me këtë rast mbyllet harku i saj në të majtë të lumit. Në vitin 1963, me rastin e ndërtimit të aksit rrugor (sot “Remzi Ademaj”) u dëmtua harku i anës së djathtë.

Ndërkaq më 17 dhe 18 nëntor 1979 kur ndodhën vërshimet e mëdha, Ura e vjetër u rrënua tërësisht, por më 05.06.1982 nis rindërtimi, ndërsa më 17 nëntor 1982 bëhet inaugurimi i saj.

_______________

*) Ura Arastës u ndërtua në shek. XVIII, dikur ka qenë pjesë e Bezistanit (Çarshi dhe treg i mbuluar). Në të dy anët mbi lumë ka patur lokale. Çarshia e mbuluar ka filluar pranë xhamisë së Sinan Pashës e gjer te Hamami i Mehmet Pashës.

(**) Ura e Naletit ishte një urë druri përmes të cilit kalon uji në anën tjetër të qytetit. Pranë tij u vu edhe një tra druri për të kaluar njerëzit. Pasi gjithnjë lagej nga uji, dimrit ngrihej dhe shpesh herë kalimtarët binin në ujë. Prandaj nga vendorët u quajt Ura e Naletit. Kjo urë sot quhet “Ura e dashurisë”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura