TAHIR GECAJ: NË PRANVERËN 1981 NIS RRËNIMI JUGOSLLAVISË (II)

Gjatë 1 prillit 1981, si në Prishtinë ashtu edhe në qëndrat tjera të Kosovës, të rinjtë nuk qenë vetëm. Populli ishte me ta edhe gjatë ballafaqimeve të tyre me aparatin represiv serbo’jugosllav, të përbërë nga njësitet speciale të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, ndërkaq në mbrëmjen e asaj dite, kur makineria ushtarako’policore serbe bëri përpjekje ta bllokojë turmën e demonstruesve në qëndër të Prishtinës, që përbëhej prej rreth 100 mijë vetëve, populli pavarësisht nga përbërja klasore e sociale, ua hapi dyert të rinjve demonstrues dhe i shpëtoi nga masakra, që ua kishte pregatitur makinëria ushtarako’ policore serbe…
5. Fryma gjithëpopullore e demonstratave
Periudha 15 ditëshe mes Demonstratave të 11 dhe 26 Marsit 1981, mbetet ndër më të rëndësishmet, shikuar nga aspekti i mënyrës së organizimit të palëve të konfrontuara: Grupimeve të ilegalës shqiptare, të dobësuara në masë nga burgosjet e herëpashershme, që vepronin nga ilegaliteti i thellë, e, të cilat me fillimin e Demonstratave të 11 marsit, e panë shansin për ta shtuar ndikimin në rininë studentore dhe për t`i plasuar platfomat e tyre politike; shërbimeve sekrete jugosllave, për të cilat dihej se brenda Kosovës vepronin së pakut pesë sosh, dhe, të cilat, kishin infiltruar dhe aktivizuar në radhet e demonstruesve një numër informatorësh, qoftë për t`u dhënë demonstratave kahjen e dëshiruar, qoftë për të kryer detyra e veprime konkrete; shërbimeve të huaja informative, të cilat, pa dyshim nuk rrinin duarkryq, nga se qysh në vitin 1979, një qëndër e huaj informative me ndikim, e kishte parashikuar Kosovën si qëndër të mundshme të turbullirave të mëdha të karakterit ndërnacional, trazira ato që do të mund të çonin deri në konflikte të pakontrolluara në tërë Ballkanin e edhe më gjerë, si dhe faktorit kryesor-Popullit shqiptar mbi dy milionësh, që dëshironte të bëhej zot i vetës dhe i lirisë së vet. Pra, gjatë asaj periudhe të shkurtër dy javore, një përbërje e forcave përafërsisht të këtilla, mbi të cilat mbizotëroi forca e popullit shqiptar dhe vetëdija e tij për t`u çliruar, bënë garë për të pasur ndikim në ngjarjet e mëdha që priteshin, në ngjarjet që, siç u vërtetua më vonë, do ta fillojnë epokën e unitetit real kombëtar shqiptar lidhur me domosdonë e pavarësimit nga Serbia.
Përkundër indikacioneve, që bëjnë me dije se shumë faktorë pretenduan të kenë gisht në Demonstratat e mëdha të vitit 1981, pjesëmarrja masive e faktorit popull, me të gjitha strukturat, të të gjitha moshave dhe pa dallim gjinie, do të jetë ai që do t`ua japë vulën e përgjithmonshme dhe do t`i cilësojë, si kryengritje të përgjithshme popullore shqiptare, që rezistoi aktivisht me mjete paqësore kundër politikës antishqiptare, që udhëhiqte shteti serbo-jugosllav. Shikuar realisht, organizatori kryesor i Demonstratave të vitit 1981, demonstratave që, me një shpejtësi prej rrufeje, morën karakter gjithëpopullor, ishte dhe mbeti vetëdija politike e popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur, vetëdije ajo e krijuar gjatë përpjekjeve e luftrave shumëshekullore, qoftë për të ruajtur qenien, individualitetin dhe identitetin e vet, qoftë për t` u çliruar dhe për të krijuar shtetin e vet në tokat dhe trojet etnike shqiptare.
Ishin disa mijëra mësues e mësuese shqiptare të të gjitha niveleve shkollore, anë e kënd Kosovës, para e pas vitit 1966 – ata që, me punën dhe sakrificën e tyre në procesin edukativo’arsimor, e fisnikëruan qenien e gjeneratave të reja dhe e përgatitën rininë shkollare në rrafshin kombëtar, dhe, pa dyshim, rezultatet e asaj pune kolosale dolën në pah, si në Pranverën e vitit 1981 ashtu edhe gjatë periudhave të mëvonshme, deri në çlirimin e Kosovës; ishin kuadrat e specializuara, që vepronin në institucionet pedagogjike, në entet e botimeve të teksteve shkollore e kudo tjetër, – ato që në rrethanat e presionit të vazhdueshëm politiko’ administrativ kishin arritur t`i pasuronin plan’ programet mësimore të të gjitha niveleve shkollore me përmbajtje kombëtare; ishte pra, vetëdijësimi kombëtar gjatë procesit edukativo’arsimor, si edhe edukimi tradicional kombëtar, si shkollë specifike kombëtare, mbi domosdonë e daljes nga robëria serbe, ndër faktorët kryesorë, që Demonstratave të vitit 1981, ua hoqën “Vellon ideologjike” (2), dhe u dhanë orientimin kombëtar, orientim ai që u manifestua si me pjesëmarrjen masive të të gjitha strukturave shoqërore në demonstrata ashu edhe me përkrahjen unanime të kërkesës për Kosovën Republikë, e natyrisht edhe me dislokimin e tyre nga Prishtina në të gjitha qytetet dhe në shumicën e komunave të Kosovës, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni. Jo njëherë, gjatë atyre ditëve të mëdha kombëtare, ndodhi që në radhet e para të demonstruesve të viheshin të rinj e të vjetër, punëtorë e fshatarë, gra shtëpiake e eintelektuale, e madje edhe fëmijë të mitur.

Demonstrata e 1 prillit 1981 në Prishtinë.

Gjatë 1 prillit 1981, si në Prishtinë ashtu edhe në qëndrat tjera të Kosovës, të rinjtë nuk qenë vetëm. Populli ishte me ta edhe gjatë ballafaqimeve të tyre me aparatin represiv serbo’jugosllav, të përbërë nga njësitet speciale të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, ndërkaq në mbrëmjen e asaj dite, kur makineria ushtarako’policore serbe bëri përpjekje ta bllokojë turmën e demonstruesve në qëndër të Prishtinës, që përbëhej prej rreth 100 mijë vetëve, populli pavarësisht nga përbërja klasore e sociale, ua hapi dyert të rinjve demonstrues dhe i shpëtoi nga masakra, që ua kishte pregatitur makinëria ushtarako’ policore serbe. Përkrahja masive e popullit ndaj demonstruesve, la të kuptohej se Demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, hapën një kapitull të ri të luftës politike, në të cilën pritej se do të përfshiheshin të gjitha strukturat shoqërore shqiptare.
6. Demonstratat i shuan me zjarr
Populli shqiptar në kuadër të ish’Jugosllavisë, edhe pse për nga numri ishte i treti, pas serbëve e kroatëve, i shpërndarë në tri republika, trajtohej si pakicë kombëtare, dhe ai status i dhunshëm që i ishte imponuar, sankcionohej me ligjet e nivelit federativ, republikan e krahinor, sipas të cilave, cilado përpjekje që do të bëhej për ta ndryshuar atë status, qoftë ajo në kuadër të organeve të atëhershme zyrtare, qoftë në mënyra të tjera, konsiderohej si përpjekje për rrënimin e bazave të shtetit dhe të pushtetit jugosllav. Nisur nga qëndrime të këtilla, ai pushteti i shpalli Demonstratat e rinisë shqiptare të vitit 1981, si armiqësore dhe kontrarevolucionare dhe kundër tyre i aktivizoi mekanizmat partiako-administrativë dhe policoro’ushtarakë, me anën e të cilëve demonstratat e qeta i shou me zjarr, duke vrarë e plagosur me dhjetra e qindra të rinj shqiptarë, që kishin zgjedhur demonstrimin publik si metodë për t`i shprehur kërkesat për më shumë liri e barazi, kërkesa të cilat mund të realizoheshin vetëm me Kosovën Republikë, të barabartë me republikat tjera, në kuadër të Federatës jugosllave.
Në natën mes 1 e 2 prillit të vitit 1981, në aeroportin e Prishtinës, zbritën aeroplanët ushtarakë me forcat speciale federative. Ndërkaq në mëngjesin e 2 prillit të gjitha qytetet dhe komunat e Kosovës u gdhinë të rrethura dhe të bllokuara nga njësitë ushtarako’ policore federative, të armatosura me mekanizëm të rëndë, ndërkaq mbi qytetet e Kosovës fluturonin ulët avionet luftarakë jugosllavë. Në ndeshjet e asaj dite mes demonstruesve shqiptarë duarthatë dhe forcave jugosllave, rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve e fshatrave të Kosovës, u lanë me gjak. Zyrtarët jugosllavë, patën pohuar se gjatë Demonstratave ishin vrarë 11 veta, ndërkaq sipas vlerësimeve të botuara në shtypin e huaj bëhej fjatë për rreth 100 të vrarë.
Më 2 prill 1981, organet zyrtare politike e shtetërore serbo’jugosllave, e shpallën Gjendjen e shtetrrethimit dhe e aprovuan Ligjit mbi Gjendjen e jashtëzakonshme. Me aprovimin e atij ligji dhe me përshtatjen dhe aprovimin e ligjeve të tjera, që e mbështesnin atë, pushteti jugosllav ua krijoi rrethanat e përshtatshme mekanizmave represivë për të ndërmarrë fushatë të gjerë kundër popullatës shqiptare. Mekanizmat represivë të atij sistemi: policia sekrete dhe ajo publike, gjyqësia hetuese dhe ajo e ekzekutivës, të inspiruar dhe të udhëzuar nga udhëheqjet e larta partiake e shtetërore, e vunë në veprim tërë arsenalin e metodave të dhunës e të terrorit, të gërshetuar njëkohësisht me propagandë e luftë psikologjike kundër popullit shqiptar si tërësi brenda shtetit të atëhershëm.
Format e dhunës u shtrinë ndaj të gjitha strukturave shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, duke i shpallur a priori si të dyshimtë të gjithë si një dhe si armiq potencialë të gatshëm për minimin e rrënimin e shtetit dhe sistemit të tij politik. Struktura e shqiptarëve të dyshimtë, të cilës i takonin pjesëmarrësit e Demonstrtatave dhe të shkolluarit, gjatë atmosferës së tërbimit antishqiptar dhe pas saj, qe zgjeruar në sajë të dosjeve të periudhës 1945-1966, të dosjeve të mëvonshme, si dhe të dokumenteve të arkivuara në kishat dhe në manastiret ortodokse serbe gjatë periudhës se Jugosllavisë së Versajës, duke i vënë në veprim edhe teoritë morbide mbi trashëgiminë e veprimtarisë antishtetërore, të cilësuara si gjene të trashëguara antiserbe (3) për t`i shpallur si të dyshimtë të gjithë shqiptarët në tërësi. Të dyshimtë i shpallën të gjithë ata shqiptarë, për të cilët strukturat udhëheqëse të organeve partiako’shtetërore serbe presupozonin se në rrethanat e caktuara mund të merrnin anën e demonstruesve dhe të ngriteshin kundër shtetit e sistemit jugosllav. Prandaj, ishte vërtet i madh numri i shqiptarëve, që iu nënshtruan masave të trajtimit policor të policisë sekrete. Gjatë përiudhës 1981’1987, sipas pohimeve të zyrtarëve jugosllavë, trajtimit policor iu nënshtruan rreth 600 mijë shqiptarë të Kosovës.
Ditëve të mëpasme ishin vërejtur Lëvizje të mëdha trupash nga zonat ushtarake të Nishit dhe të Shkupit, të cilat marshonin në drejtim të Kosovës. Ato kishin zënë pozitat kyçe rreth Prishtinës, në të cilën konsiderohej se mund të ndodhnin turbullime të mëtejme, por edhe rreth të gjitha qyteteve të tjera të Kosovës. Në tërë Kosovën kishte filluar mobilizimi i rezervistëve ushtarakë dhe formimi i njësiteve të policisë rezervë. Në kolektivat punonjës dhe në bashkësitë lokale i kishin aktivizuar forcat e mbrojtjes territoriale dhe në frymën e asaj gjendje kishin caktuar kujdestarinë e rregullt në institucionet, që konsideroheshin të një rëndësie të posaçme. Në të njëjtën kohë, grupe të përbashkëta aktivistësh të Kosovës e të Serbisë i vizitonin komunat dhe bisedonin me anëtarët e partisë dhe me popullin me qëllim të demaskimit të demontsratave dhe të kërkesave të shprehura në to, duke insistuar që populli të distancohej nga rinia studentore dhe nga kërkesat e tyre, qofshin ato edhe të natyrës sociale.
Duke u ballafaquar me një makineri të fuqishme represive politiko’administrative, studentët dhe rinia shqiptare e Kosovës e vuri në sprovë botërisht sistemin politik të ish’shtetit jugosllav dhe ua hoqi maskën tërësisht parimeve themelore, mbi të cilat mbështetej deklarativisht ai sistem, siç ishin: „Bashkim’vëllazërimi, barazia dhe bashkëjetesa mes kombeve e kombësive“ etj., parime ato, të cilat propaganda zyrtare, i kishte lëshuar në ullim, duke i përdorur si mashtrime ordinere për t`i hudhur hi syve turmës së gjerë popullore, dhe njëkohësisht duke synuar krijimin e opinionit të rrejshëm ndërkombëtar për Jugosllavinë si shtet demokratik, në të cilin gjoja nuk ekzistonte kurrfarë shkeljeje e të drejtave kombëtare e njërëzore të përfaqësuesve të kombeve e të kombësive në atë shtet.
Gjatë dhe pas Demonstratave të vitit 1981, ai sistem i vetëquajtur demokratik, jo vetëm që nuk u soll në mënyrë demokratike ndaj kërkesave paqësore të studentëve shqiptarë për më shumë liri, barazi e demokraci, por pikërisht ai dhe aparati i tij administrativo-politik, i lau rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës me gjakun e të rinjve shqiptarë, duke pretenduar qoftë për ta shkelur guximin e tyre qytetar, qoftë për t`i pënguar që ta thonë mendimin e tyre, hapur e pa droe, me dinjitet dhe me vendosmëri mbi gjendjen reale në të cilën gjendej populli shqiptar dhe mbi aspiratat e tij. Rinia shqiptare e Kosovës, pavarësisht nga masakra që u ushtrua mbi të, e tha me guxim se shqiptarët e Kosovës me vise doemos duhej ta gëzonin statusin e kombit shtetformues në Jugosllavinë e atëhershme, status i cili mund të sigurohej vetëm me avansimin e statusit të Kosovës nga Krahina autonome në Republikë të pavarur, në kuadër të Federatës së atëhershme. Rinia shqiptare madje dha paralajmërimin se nëse ai status nuk do të mund të arrihej në sajë të marrëveshjes brendafederative, shqiptarët atë do ta fitojnë vetë, pavarësisht nga mjetet që do të detyrohen t`i përdorin. (Parulla: ”Republikë – Kushtetutë o me hatër o me luftë!“)
7. Klika e dëgjueshme shqiptare
Udhëheqja serbo’jugosllave gjatë viteve të pushtetit të saj, që nga viti 1945, kishte investuar mjete e mund për krijimin e një “klike” të dëgjueshme shqiptare, me anën e të cilës do të arrinte realizimin e qëllimeve të veta përkitazi me shqiptarët dhe Kosovën. Duke përdorur metoda të rafinuara me një spektër të gjerë veprimesh, si në aspektin e krijimit të rrethanave të një jete të shfrenuar e mondane, pjesë përbërëse dhe e planifikuar e të cilës kishin qenë edhe martesat e imponuara me gratë serbe, por edhe me kërcënime e mbjellje frike, – udhëheqja serbe, vërtet kishte arritur të krijojë një kategori monstrumësh shqiptarë, të cilët, ngadal por sigurt, gjatë viteve i shndërruan në një oligarki kosovare, të dëgjueshme dhe të dresuar për ta përdorur në rolin e langonjëve, që e ndjekin, por edhe që ia sjellin gjahun gjuetarit.
Gjatë periudhave kohore, në rastet kur ngjarjet në Kosovë nuk rridhnin sipas parashikimeve të udhëheqjes serbe, oligarkia kosovare në krye me Ali Shukriun, Kolë Shirokën, Sinan Hasanin e ndonjë tjetër, nuk kishte nevojë për instruksion a dresim të ri. Atyre s`u duheshin instruksionet, por u duhej ndërsimi. Ndërkaq, secila prej fjalive të dokumentave partiake, nga cilido nivel qoftë, ishte ndërsyese kundër shqiptarëve të Kosovës, në veçanti kundër rinisë studentore dhe një pjese të shtresës intelektuale shqiptare. Dhe, oligarkia e kishte bërë punën e vet: të gjithë të dyshimtit për të cilët supozohej se në qenien e vet bartnin „Gjene antiserbe“ ose i kishte burgosur ose i kishte suspenduar nga puna dhe i përgjonte për t`i burgosur. Kosovën e kishin pacifikuar me hekur e zjarr. Diferencimi ishte në vazhdim. Kuadrat e besueshme e kishin filluar veprimtarinë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Pa përfunduar ai vit, i dhanë dënimet e para shëmbullore.
Në pranverën e vitit në vazhdim (1982), qenë mbajtur kongreset e konferencat partiake dhe kongresi i Komunistëve jugosllavë, në të cilin qe aprovuar „Ptatforma politike mbi Kosovën“. Në mbështeteje të qëndrimeve të atij dokumenti antishqiptar, në udhëheqjet partiake ishin zgjedhur kuadrat e reja, të verifikuara si besnike për realizimin e politikës së partisë në pushtet dhe të organeve zyrtare serbe e jugosllave. Në kuadër të ndërrimeve të tilla, edhe njëherë ishte bërë përtrirja e organeve partiake e shtetërore të Kosovës, duke i sjellë në vendet udhëheqëse pikërisht disa individë që kishin treguar gatishmëri për t`u konfrontuar me linjën kombëtare dhe me bartësit e saj, individë të clët edhe në rrethana të tjera kishin mbajtur qëndrim antishqiptar. Kuadrat e tilla, duke pasur për mbështetje Ptatformën politike, e intensifikuan fushatën e ndjekjes së specialistëve shqiptarë nga administrata shtetërore, nga jurisprudenca, nga arsimi e edukimi, nga mjetet e informacionit, nga ekonomia, pra nga të gjitha fushat e jetës shoqërore të Kosovës për t`i sjellë në vendet e tyre njërëzit që i plotësonin kushtet mbi përshtatshmërinë moralo’ politike.
Represaljeve dhe fushatës antishqiptare i bëhej propagandë, si në mjetet serbe e jugosllave të informacionit, ashtu edhe në ato në gjuhën shqipe. Këto të fundit, në veçanti ishin të pamëshirshme ndaj shqiptarëve që gjendeshin në arrest për „kundërrevolucion „ dhe që nxireshin para gjyqeve jugosllavo’shqiptare. Komentatorëve të redaksive në gjuhën shqipe shpeshherë nuk u mjaftonin shpifjet e UDB’es, të cilat, zakonisht mirrnin formën zyrtare përmes aktakuzave e vendimeve gjyqësore, por i ofendonin dhe i sulmonin edhe me arsenalin e vet të gënjështrave e fyerjeve, duke i përqeshur publikisht dhe duke i quajtur armiq të popullit të vet. Sulmet më brutale nëpërmjet shtypit do t`ia bëjë inteligjencës së burgosur, ajo gjeneratë gazetarësh që në atë profesion kishte startuar përmes përshtatshmërisë ideo’politike, do të thotë në sajë të përcaktimit antishqiptar.
Udhëheqja shqiptare e Kosovës, sidomos një pjesë e saj, që cilësohej si e dalë nga lufta, ishte zënë e befasuar me vendosmërinë që kishin shfaqur studentët dhe të rinjtë shqiptarë për t`i realizuar të drejtat e popullit të vet. Duke qenë se me veprimet çlirimtare të rinisë shqiptare, asaj udhëheqjeje i rrezikoheshin pozitat dhe privilegjat që gëzonte, ajo ishte angazhuar me tërë qenien kundër të gjithë atyre, që kishin marrë guximin për t`ua prishur ëndërrat mbi „Zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të Jugosllavisë“. Ajo udhëheqje nuk ishte e vetëdijshme se po ai zjarr që e ndizte për ta djegur rininë shqiptare, do ta prekte edhe atë vetë, madje pa kaluar shumë kohë, dhe do ta hudhte në harresën e historisë.
Gatishmëri të patundje për t`i përdorur të gjitha mjetet kundër popullit shqiptar shfaqte sidomos treshi i përbetuar antishqiptar: Ali Shukria, Sinan Hasani dhe Kolë Shiroka, ndonëse nuk kishin ngelur larg tyre edhe ca të tjerë, të vjetër e të rinj. Megjithatë ata përbënin bërthamën që veproi me urrejtje kundër kombit të vet, duke mos menduar për pasojat e mëvonshme që do të dalin nga ato veprime të shumanshme antishqiptare të drejtuara dhe të ndërmarra me bindje e vetëdije, duke shpresuar se do të arrinin të rehabilitoheshin para padronëve beogradas. Ata nuk menduan për pasojat e mëvonshme, prandaj me veprimet e tyre e ndihmuan Serbinë për të përgatitur terrenin për gjithato krime që i bëri, gjatë demonstratave dhe më vonë, ndaj popullatës shqiptare dhe pozitës kushtetuese të Kosovës.
Udhëheqja shqiptare ndonëse e pat të qartë se ç`domëthënie politike kishte vlerësimi mbi “Ndodhjen e Kontrarevolucionit në Kosovë”, ajo, jo vetëm që nuk u ngrit kundër një vlerësimi të tillë politik, por përkundrazi atë e përkrahu dhe e trumbëtoi publikisht dhe për të treguar gjest besnikërie ndaj Beogradit. Ajo u ngrit hapur dhe pa lëkundje kundër synimeve çlirimtare të popullit të vet. Ndonëse, në mesin e asaj udhëheqjeje, pat edhe të tillë, që në intimen e tyre nuk u pajtuan me vlerësimin makabër politik mbi “Ndodhjen e kontrarevolucionit në Kosovë”, dhe me meritën e të cilëve, ai vlerësim ishte „zbutur“, në „Tentim kontrarevolucioni“, – është i padyshimtë fakti se atyre u mungoi guximi personal e qytetar për t`i përkrahur kërkesat e studentëve shqiptarë dhe për t`u deklaruar për domosdonë e avansimit të statusit politik të Kosovës në republikë të barabartë me republikat tjera në kuadër të Federatës.
Pra, për fat të keq, edhe njëheherë, u vërtetua se në radhën e udhëheqjes shqiptare nuk u gjend së pakut një individ i vendosur për të vepruar sipas parimit themelor të një burrështetasi, dhe, për ta përkrahur kërkesën për Republikën e Kosovës, qoftë në emër të tij personal qoftë të udhëheqjes në tërësi, veprim ai me të cilin do t`i zvogëlohej udhëheqjes serbo-jugosllave hapësira politike për t`i bërë dhe arsyetuar gjithë ato krime kundër popullit shqiptar gjatë dhe pas Demonstratave të mars’prillit 1981. E ato krime qenë të shumëta, që nga vrasjet e plagosjet e qindra vajzave e djemve shqiptarë e deri te dënimet afatgjata e afatshkurtra të rreth 13 mijë (4) të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë në mbi 25 mijë vite burg.
Se kuadrat udhëheqëse shqiptare e kishin të qartë domethënien e vlerësimit politik mbi „Ndodhjen e kontrarevolucionit“, flet fakti se disave syresh akoma nuk u ishin shlyer nga kujtesa viktimat e Kryengritjes shqiptare të Drenicës dhe pasojat e saj, të cilën udhëheqja serbo-jugosllave e kishte cilësuar si „kontrarevolucion“, në sajë të cilit e kishin aplikuar pushtetin ushtarak për ta pënguar realizimin e Rezolutës së Bujanit dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ata i dinin edhe pasojat që kishte pësuar populli hungarez, nga i ashtuquajturi „kontrarevolucion“ i vitit 1955; i dinin pasojat që i kishin pësuar popujt çekë e sllovakë nga i ashtuquajturi „kontrarevolucion“ i vitit 1968; ata e kishin të qartë se çfarë do ta priste popullin shqiptar gjatë viteve të ardhshme. E dinin, por kishin pasur shpresë se do ta shpëtonin vetën dhe pozitat në të cilat gjendeshin vite të tëra.
Një pjesë e udhëheqjes politike të shqiptarëve të Kosovës, e cila, në sajë të besnikërisë ndaj Beogradit kishte arritur të qëndrojë në nivelet krahinore të pushtetit, që nga viti 1945, kishte bërë përpjekje gjatë gjithë periudhës së pasluftës për të krijuar vetëdije të rrejshme ndër shqiptarët gjoja mbi barazinë e tyre me popujt tjerë të Jugosllavisë, e në këtë kuadër kishte trumbetuar edhe „zgjidhjen definitive“ të çështjes shqiptare në Jugosllavi, edhe përkundër faktit se shqiptarët në atë shtet trajtoheshin si pakicë kombëtare dhe se ishin të ndarë në katër njësi federative.
Ngjarjet e më pasme treguan se udhëheqja shqiptare e Kosovës, jo vetëm nuk bëri përpjekje për t`iu kundërvënë vlerësimit politik mbi „Kontrarevolucionin“, por përkundrazi atë nocion kobndjellës e pasuroi me disa specifika vendëse, të cilat nuk do t`u kujtoheshin padronëve të tyre nga Beogradi, dhe me të cilat ai u bë edhe më shkatërrues ndaj çdo vlere shqiptare. Udhëheqja kosovare, duke tentuar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, iu kundërvu në mënyrë indirekte tezës së lansuar nga Beogradi mbi „Infiltrimin e armikut në të gjitha institucionet e sistemit”, sepse ajo tezë e bënte përgjegjëse pikërisht udhëheqjen shqiptare, nga se ajo ishte bartëse e politikës së kuadrave në Kosovë. Ajo i kishte vendosur, vite me radhë, në vendet kyçe të institucioneve krahinore, kryesisht individët që ishin në farefisni apo në marrëdhënie të tjera me të dhe të cilët supozohej se ishin edhe të verifikuar si besnikë ndaj sistemit e shtetit. Prandaj, për t`iu shmangur „fajit“, udhëqja kosovare shfaqi kontratezën mbi “Organizatorët e Demonstratave, që rridhnin nga familjet bashkëpunëtore të okupatorit”, tezë ajo me të cilën udhëheqja shqiptare bënte përpjekje ta heqë barrën e “fajit” nga vetja, por edhe t`i shpetojë njërëzit e saj të punësuar në ato organe.
Bartëse të asaj teze qenë kuadrat e vjetra kosovare, ato që ishin të cilësuara si të dala nga lufta, ato që e kishin shpëtuar lëkurën e vet, duke shkelur mbi viktimat e luftës së Drenicës; ato që ishin përbiruar nëpër spastrimet e Inforbyrosë, nëpër shpërnguljet masive të shqiptarëve ne Turqi, nëpër Aksionin e për mbledhjen e armëve të vitit 1955’56, nëpër Demonstratat e vitit 1968’të etj. Ato supozonin se me tezën e zbuluar do t`i kalonin edhe Demonstratat e vitit 1981, madje pa “ferrë në këmbë”, pasi që e kishin gjetur fajtorin në “Forcat e dështuara gjatë LNÇ’së”. Ato kuadra, me gjasë, e kishin nuhatur se pas parullave të rinisë shqiptare për „Kosovën’Republikë“, pas kërkesave për më shumë liri e barazi të shqiptarëve me të tjerët, pas kërkesave për më shumë demokraci, mirëqenie e zhvillim më të vrullshëm ekonomik të Kosovës, pas kërkesave për pavarësim dhe shkëputje të përjetshme nga Serbia, ishte shprehur diç më shumë se sa kërkesa për konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës jugosllave, se kërkesa e vërtetë dhe reale ishte ajo e krijimit të shtetit shqiptar në kufinjtë e etnikë. Këtë qëllim ata donin gjithsesi ta pengonin, por, natyrisht ata i kishin edhe qëllimet tjera, sepse kishin vërejtur që, gjatë periudhës së shkuar, ishte shtuar dukshëm numri i kuadrave të arsimuara në Universitetin e Kosovës, kuadra ato, të cilave u dronin se mund t`ua rrezikonin monopolin e vendeve udhëheqëse dhe vazhdimësinë e udhëheqjes klanore. Prandaj, dukej se e kishin pritur atë rast si të volitshëm, i cili ua mundësonte qërimin e hesapeve me kuadrat e shkolluara, që kishin shfaqur prirje për mendim të pavarur nga politika ditore përkitazi me pozitën e shqiptarëve të Kosovës në kuadër të Federatës. Në fakt ajo tezë i kishte sinjalizuar UDB’ës nevojën e rishqyrtimit dhe riaktivizimit të dosjeve të hartuara mes viteve 1945’1966 për të gjitha ato familje shqiptare që kishin qenë të evidentuara si armiqësore ndaj Jugosllavisë, e familje të tilla me dosje të hapura të asaj periudhe kishte shumë. Prej gjithsej 150 mijë dosjeve të hapura mes atyre viteve, 50 mijë kishin të bënin me çështje politike.
Tezën e lansuar nga udhëheqja kosovare, udhëheqja serbo’jugosllave e pranoi në heshtje, duke patur qëllime të caktuara, të cilat mund t`i realizonte pikërisht në bazë të saj, por pasi e shfrytëzoi deri në maksimum duke burgosur ca prej intelektualëve që supozohej se u përkisnin familjeve të tilla, e hudhi si të padobishme, nga se aprovimi i një teze të tillë, për udhëheqjen jugosllavo’serbe do të nënkuptonte lënien anash të “Përzierjes së Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë”, si dhe të “Nxitjes së të rinjve shqiptarë për organizimin e demonstratave kundër shtetit”. Ndërkaq, po të hiqej mundësia e ndikimit të Shqipërisë për organizimin e demonstratave dhe të indoktrinimit të bartësve të tyre me ideologjinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, udhëheqja serbo-jugosllave nuk do t`i realizonte qëllimet e parapara me „Platformën politike për Kosovën“ dhe nuk do të mund t`i shpallte të rinjtë dhe intelektualët e burgosur shqiptarë, si“Marksistë’leninistë të indoktrinuar me iedeologjinë e Partisë së Punës së Shqipërisë”.
Ishte e njohur se udhëheqjes jugosllavo’serbe i duhej doemos vlerësimi politik mbi “Përzierjen dhe ndikimin e Shqipërisë qoftë për organizimin e demonstratave qoftë për vazhdimin e tyre”. Udhëheqja serbo’jugosllave ishte e bindur se përmes atij vlerësimi, do të mund ta neutralizonte interesimin e institucioneve ndërkombëtare përkitazi me represionin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë, ashtu sikundër edhe ndodhi në të vërtetë, gjatë viteve në vijim. Në fakt, udhëheqja jugosllavo’serbe, krahas qëllimit kryesor për qetësimin e popullit shqiptar të Kosovës me mjete represive, synonte edhe shmangien e vëmendjes së institucioneve ndërkombëtare për numrin aq të madh tëtë rinjve shqiptarë të vrarë dhe të burgosur, si dhe për ta ruajtur reputacionin e fituar me gënjështra e propagandë për Jugosllavinë, si shteti i vetëm i taborrit socialist, i cili gjoja e kishte zgjidhur problemin e barazisë kombëtare në shtetin shumëkombësh, në sajë të sistemit politik të “Vetëqeverisjes socialiste”.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura