TAHIR GECAJ: NË PRANVERËN 1981 NIS RRËNIMI JUGOSLLAVISË (III)

Në rrethanat e pasdemonstratave shqiptare të vitit 1981, udhëheqja serbe e mobilizuar rreth realizimit të programit afatgjatë serb për krijimin e „Serbisë së Madhe“, ndërmori fushatë të gjerë politike, administrative dhe propagandistike për t`i vënë demonstratat në funksion të qëllimeve dhe të synimeve politike serbe. Edhe grupacioni tjetër në kuadër të Federatës, i ashtuquajtur si “Klani titist” me orientim projugosllav, veproi në të njëjtën mënyrë, duke synuar vënien e Demonstratave të rinisë shqiptare në funksion të forcimit të unitetit brenda udhëheqjeve të nivelit federativ, republikan e krahinor.
8. Atakohet sistemit edukativo – arsimor
Univeristeti i Ko¬sovës, si burim nga i cili dilnin kuadrat e shkolluara shqiptare, ishte vënë në shënjestër të masave politiko’administrative të udhëheqjes serbe. Parullat e lansuara në mediat serbe, sipas të cilave ishin “të ndërshëm“ vetëm shqiptarët e pa shkolluar, flisnin qartë për synimet që do të arrinte politika serbe, por edhe për luftën psikologjike që zhvillonin për të bërë diferencimin brendashqiptar dhe për të nxitur konflikte brendashqiptare. Prandaj, s`ishte kurrfarë befasie synimi i tyre për rrënimin e Univertsitetit, institucionit themelor për krijimin e vetëdijës kombëtare, të cilin e cilësonin si “Kështjellë të nacionalizmit shqiptar”. Sulmi në Universitetin bëhej me moton se plan’programet e lëndëve mësimore, që kishin të bënin me gjuhën, historinë dhe traditën kombëtare shqiptare, kishin përmbajtje nacionaliste dhe, sipas tyre, me ato përmbajtje ishin inspiruar demnostruesit shqiptarë. Krahas diferencmit ideo-politik dhe masave administrativo që ndërmirreshin kundër kuadrave shqiptare që punonin në Universitet, kishte filluar edhe fushata propagandistike e përmasave të mëdha antishqiptare. Shtypi dhe publicistika serbe botonte pamflete me të cilat cenohej gjuha, kultura dhe historia kombëtare shqiptare.
Fushtata e tillë politike, administrative dhe propagandistike kundër arsimit dhe shkollës shqipe në tërësi, e Universitetit dhe kuadrave universitare në veçanti, shoqërohej me suspendime nga puna të kuadrave të spikatura shkencore. I ashtuquajturi proces i diferencimit ideo’politik kishte marrë përmasa lemëritëse: punëtorët e arsimit që nga shkollat fillore deri në Universitet përjashtoheshin nga procesi mësimor, kurse një numër i madh nxënësish e studentësh, që kishin marrë pjesë në demonstrata ose që rridhnin nga familjet e vlerësuara si të papërshtatshme politikisht, përjashtoheshin nga shkollat e fakultetet, ndërkaq tehu i mllefit serb synonte ta presë arterien kryesore të arsimit dhe të edukimit të gjeneratave të reja shqiptare, ta shuajë Universitetin e Kosovës, si gurrë të krijimit të vetëdijës kombëtare shqiptare, kundër së cilës pushteti serb kishte luftuar gjithnjë, madje me të gjitha mjetet. Prandaj ajo ishte arsyeja që Universitetin e shpallën „Kështjellë të nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar“. Ai ishte bërë “Ferrë në sytë” e pushtetit serbo’jugosllav, nga se inteligjenca shqiptare e rritur dhe e krijuar në rrethana pak më të shlira politike, pas aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, kishte dhënë sinjale se nuk do të jetë e dëgjueshme dhe se nuk do ta ndiqte verbërisht politikën antikombëtare që udhëhiqej me dyer të hapura.
Komiteti krahinor i LK të Kosovës edhe para Demonstratave, por posaçërisht pas tyre, e kishte analizuar disa herë radhazi gjendjen politike në Universitet dhe kishte konstatatuar se ai institucion ishte zhvilluar në mënyrë jokritike dhe të pa plan, se ekonomia e Kosovës nuk mund ta bartte finansimin e numrit aq të madh të studentëve, se tekstet universitare e shkollore, në veçanti ato të gjuhës e të letërsisë dhe të historisë kombëtare ishin të ngarkuara me romantizëm nacional, se kuadri universitar ishte zgjedhur në disharmoni me politikën kadrovike dhe se një pjesë e tij nuk posedonte cilësi moralo’politike. Vlerësime të ngjashme ekzistonin edhe për planprogramet e shkollave të mesme dhe për kuadrin mësimor, për Entin e Teksteve dhe të Mjeteve mësimore, si edhe për Institutin albanologjik, Institutin e historisë dhe për ndonjë institucion tjetër. Theksohej poashtu se në disa fakultete shprehej edhe monopolizimi i politikës kadrovike në baza nacionale me çka bëhej i pamundur përfaqësimi i barabartë i kuadrave të kombëve dhe të kombësive, si dhe puna kërkimore’shkëncore në shkencat humanitare ishte kthyer nga e kaluara.
9. Inferioriteti i „Ajkës“ kulturore
Një pjesë e intelektualëve shqiptarë, që kishin zënë pozita në hierarkinë e pushtetit jugosllav apo që gjendeshin pranë tij, në organet dhe në forumet e LKJ’së, në institucionet e arsimit, të kulturës, në mjetet e informimit publik etj., gjatë periudhës 1980’90’të, mbajtën qëndrim inferior ndaj burgosjeve të të rinjve studentë, nxënës e intelektualë dhe dënimeve të tyre në procese politike. Ata qëndruan inferiorë dhe nuk bënë as më të voglën përpjekje për ta demistifikuar praktikën policore të gjykimeve dhe të dënimeve në mbështje të „fakteve të inskenuara”. Se a ishte ai inferioritet i shkaktuar nga bindjet vetiake të asaj shtrese, të krijuara nga mosdyshimi në sistemin „human“ socialist’vetëqeverisës, të cilit i shërbenin, apo heshtja e tyre, ishte pasojë e bindjeve vetiake se „faktet“ që i ofronin gjykatat kundër “kundëre volucionarëve” shqiptarë, ishin të bollshme, sa që dënimet në seri prej 10 e më shumë vitesh, nuk zgjonin kureshtjen e asaj strukture intelektuale, që gjithnjë mëtonte të kuptohej si „Ajka dhe vetëdija e shëndoshë e kombit“, apo ishte ajo mospëfillje si pasojë e frikës dhe drojës për ta shpëtuar lëkurën e vet, mbetet gjithnjë çështje e hapur, por ajo sjellje asesi s`mund të ngelë e pagjykuar në aspektin e etikës dhe moralit intelektual. Por, sidoqoftë asaj shtrese nuk do t`i shkojë për nderë ajo heshtje prej varri për gjithato krime që i bëri Serbia gjatë atij dhjetëvjetëshi. Çuditërisht e njëjta strukturë, mbase e përtrirë më forcat e reja të dala nga gjeneratat e shkollës së “podrumeve”, mbajti të njëjtin qëndrim edhe gjatë luftës çlirimtare dhe bartësve të saj: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?!

Tahir Gecaj gjatë gjykimit (autor i këtij studimi)

Nëse nuk do të duhej befasuar për sjelljen e ca prej intelektualëve që ishin të bindur në sistemin socialist’vetëqeverisës dhe, të cilët, vërbërisht besonin se në atë sistem nuk mund të ndodhinin deformime të tilla, siç ishin proceset e montuara politike dhe, të cilët, me bindje i besonin gjithato kurdisje, që i interepretonte shtypi i përditshëm, dilte befasues fakti se ekzistonte brenda atij grupacioni një “Klan i mbyllur”, i cili këto çështje i përcillte me shpërfillje dhe mosinteresim total, për të mos thënë edhe me përbuzje. Për të tillët, fati i disa mijëra të rinjve shqiptarë, që sistemi i kishte destinuar për ta çuar një pjesë të madhe të jetës në burgjet serbe nuk kishte ndonjë rëndësi. Ata i kishin vënë për rrugë punët e veta individuale dhe familiare dhe, aq u bënte, se ç`ndodhte rreth tyre. Ata e kishin përqafuar tërësisht qëndrimin politik, sipas të cilit, „Forcat progresive i qeronin hesapet me irredentistët shqiptarë”. Ata e përdornin shprehjen „E kanë lypur e kanë gjetur“ dhe „Ç`na duhet neve të përzihemi në këto punë“.
Zotërimi i kësaj logjike, pat për pasojë heshtjen e opinionit publik kosovar. Asnjë fjalë, asnjë shprehje pakënaqësie përkitazi me gjithato procese politike dhe për gjithata të rinj, që dënoheshin me shumë vite burg, sipas direktivave të partisë në pushtet. Edhe më keq qëndronte puna me disa prej gazetarëve shqiptarë që raportonin nga seancat e mbyllura të gjyqeve politike. Atyre nuk u mjaftonin montimet e gënjeshtrat e prokurorëve e gjykatësve (ndonjë prej të cilëve e bëjnë të njëjtën punë edhe tani?!) kundër të rinjve që dënoheshin, por bënin edhe zbulime vetiake, si „shtesa krijuese“, që quheshin vështrime e komente, në të cilat sjelljet dinjitoze të të rinjve para gjyqit, i cilësonin si „sjellje të turpshme„ e herë-herë edhe si „pafytyrësi“ e të akuzuarve, që merrnin guximin t`i mbronin bindjet e veta politike.
Gazetarët e tillë e shkelnin dinjitetin e të akuzuarve në të njëjtën mënyrë siç e shkelte edhe policia serb’jugosllave trupin e tyre. Të tillët madje i fajësonin demonstruesit shqiptarë për prishje rehatie dhe për dhënien e shansit Serbisë për ta prishur status quo’në e asaj kohe. Të tillët nuk patën guxim të ballafaqohen me të vërtetën se nuk qenë demonstruesit e as demonstratat e studentëve dhe të inteligjencisë shqiptare ata që i dhanë shansë dhe e nxitën Serbinë për ta nisur hapur dhe me të gjitha mjetet luftën antishqiptare, por qe politika e projektuar antishqiptare e kreut serb për tokën e Kosovës si pjesë të Serbisë, të cilës në rrethanat e atëhershme i shkonte për shtati heshtja dhe sjellja me qyqarllëk e strukturave udhëheqëse shqiptare të Kosovës, në të cilat bënin pjesë edhe intelektualët e apostrofuar, si dhe përkrahja që çoi deri në tradhëti, që ato struktura i dhanë Serbisë, duke e ndihmuar dhe duke ia lehtësuar veprimet antishqiptare. Deri sa intelegjencia e vendeve Perëndimore, e ngriti zërin e arsyes, duke i marrë në mbrojtje pjesën më të [i]madhe të të dënuarve politikë shqiptarë, edhe pse nuk posedonte informacione të duhura, një pjesë e inteligjencisë kosovare nuk çau kokën, por u mbyll në gëzhojën e vet.
Përkundër këtyre kategorive shoqërore, populli shqiptar, që e përjetonte në lëkurën e vet brutalitetin dhe dhunën që ushtronte ndaj tij pushteti, nuk u mashtrua nga propaganda serbo’jugosllave, përkundrazi ai e kishte kuptuar që në themel se propaganda, që ushtrohej kundër fëmijëve të tij, ishte një metodë veprimi antishqiptare e pushtetmbajtësit dhe e veglave të tij. Populli nuk heshti, por përkundrazi iu kundërvu propagandës dhe luftës psikologjike, në mënyrën e vet origjinale, ngadal por sigurt, duke i vënë në veprim mjetet e veta institucionale të traditës, të cilat i kishte përdorur si shpëtimtare të qenies së vet kombëtare gjatë qëndrimit nën okupim. Populli u rrjeshtua pa hamendje në anën e bijëve e bijave të veta, duke i përkrahur me tërë qenien e vet në luftën e tyre për liri, për pavarësi dhe bashkim të popullit shqiptar në një shtet shqiptar, në kufinjtë etnikë. Fenomeni i heshtjes së pjesës më të madhe të inteligjencës shqiptare kuandruall terrorit serb, do të ishte gabim të heshtej në emër të ndonjë qëllimi. Përkundrazi atë lypset analizuar në mënyrë objektive, duke e gjykuar si dukuri që prek në intimën e moralit kombëtar, në mënyrë që në të ardhmen mos të përsëriten fenomene të tilla. Në kihet parasysh se intelegjenca e vendeve Perëndimore e tubuar rreth organizatave humanitare e ngriti zërin e arsyes, duke i marrë në mbrojtje pjesën më të madhe të të dënuarve politikë shqiptarë, një pjesë e madhe e inteligjencisë kosovare, dështoi mbase turpërisht.
10. Institucionet e posaçme
Në rrethanat e pasdemonstratave shqiptare të vitit 1981, udhëheqja serbe e mobilizuar rreth realizimit të programit afatgjatë serb për krijimin e „Serbisë së Madhe“, ndërmori fushatë të gjerë politike, administrative dhe propagandistike për t`i vënë demonstratat në funksion të qëllimeve dhe të synimeve politike serbe. Edhe grupacioni tjetër në kuadër të Federatës, i ashtuquajtur si “Klani titist” me orientim projugosllav, veproi në të njëjtën mënyrë, duke synuar vënien e Demonstratave të rinisë shqiptare në funksion të forcimit të unitetit brenda udhëheqjeve të nivelit federativ, republikan e krahinor. Në këtë plan, edhe makineria propagandistike serbo’jugosllave me qëllim të krijimit të alibisë para opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare, e filloi fushatën propagandistike për t`i shpallur Demonstratat shqiptare si rrënuese të bazave të sistemit dhe të shtetit jugosllav, që do të çonin deri te ndryshimi i dhunshëm i kufinjve dhe shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia për t`u bashkuar me Shqipërinë. Kështu, duke e orientuar dhe mobilizuar opinionin e brendshëm kundër shqiptarëve të Kosovës, “Klani titist”, arriti për ca kohë, t`i shmangë qytetarët jugosllavë nga problemet reale me të cilat ndesheshin, si dhe t`i evitojë turbullirat sociale, që ishin në prag.
Në kuadër të interesave të të dy grupacioneve, kreu serb me përkrahje të plotë të organeve të Federatës, arriti t`i legalizojë dhe t`i institucionalizojë qëndrimet e veta për Kosovën, duke e marrë njëkohësisht aprovimin e plotë të udhëheqjeve partiake e shtetërore të republikave të tjera, jo vetëm për t`ia lënë duart e lira në Kosovë, por edhe për ta ndihmuar me të gjitha mjetet për t`i qeruar hesapet me shqiptarët. Atij i shkonte ndorësh edhe vlerësimi politik i demonstratave nga udhëheqja e lartë partiake jugosllave si „Tentim kontrarevolucioni i irredentistëve dhe separatistëve shqiptarë“. Pra, udhëhqja serbe i kishte rrugët e hapura për t`i aktivizuar të gjitha mekanizmat dhe për t`i ndërmarrë të gjitha masat e mundshme politike, administrative dhe ushtarake kundër popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni e Mal të Zi, duke pasur si pikësynim themelor rrënimin e pozitës kushtetuese të dy krahinave autonome, të cilat gëzonin status të dyfishtë, si pjesë përbëse të Serbisë dhe si elemente konstituive të federatës.
Udhëheqja serbe, i theksonte në veçanti gjoja pëngesat që i shkatonte qenia e krahinave si elemente konstituive të Federatës, në aspektin e aprovimit të Planit unik të zhvillimit ekonomik të republikës së Serbisë. Ndonëse në deklarimet publike, gjithnjë e theksonin edhe problemin e Vojvodinës, krerët serbë nuk kishin shqetësime të shumta rreth saj, sepse atje kishin arritur qysh më kohë ta ndryshonin strukturën e popullsisë në dobi të asaj serbe, prandaj problemi kyç dhe kryesori për ta kishte qenë dhe mbetej Kosova shqiptare, popullsinë e të cilës nuk kishin mundur ta shpërbënin me kurrfarë masash as programesh, ndonëse kurr nuk i kishin ndërprerë veprimet kundër saj.
I përkrahur nga udhëheqja federative, menjëherë pas demonstrateve, kreu serb i zbuloi “dy armë” të fuqishme kundërshqiptare: Vlerësimin politik të demonstratave si “Tentim kontra revolucioni të nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë” dhe “Shpërnguljen e serbëve dhe të malazezëve me presion nga Kosova”. Mbi ato dy leva të fabrikuara në mbështetje të programeve afatgjata serbe, u ngrit tërë politika antishqiptare, që do të arrijë kulmin me heqjen e autonomisë së Kosovës, në vitin 1989.
Partia në pushtet dhe mekanizmat e saj, i shfrytëzuan Demonstratat e rinisë shqiptare për të krijuar një rrjetë institucionesh të posaçme, qëllimi themelor i të cilave ishte veprimtaria antishqiptare. Kështu, në nivelet republikane e federative ishte krijuar rregullativa juridike, në sajë të cilës ishin vënë në veprim ca ligje speciale që aplikoheshin vetëm në Kosovë dhe me to sankcionoheshin, si veprime inkriminuese, veprimet normale dhe të ligjshme për popujt tjerë të atij shteti. Çdo veprim i shqiptarëve si kolektivitet, apo i përfaqësuesve të tyre, si grupacion apo si individë, u nënshtrohej rregullave të sjelljes në mbështetje të ligjeve speciale, sipas të cilave ata ishin e duhej të ishin të përndjekur e të diskriminuar dhe të bëheshin plaçkë në duart e pushtetit dhe të shtetasve të tjerë të Jugosllavisë së asaj kohe. Shërbimet speciale serbo’ jugosllave, pas Demonstratave të vitit 1981, bënë hulumtime edhe në arkivat e kishave dhe të manastireve ortodokse të Deçanit, të Pejës, të Graçanicës, të Deviqit e të Prizrenit etj., nga të cilat i nxorën të dhënat për shumë familje shqiptare, të evidentuara si antiserbe, që nga viti 1913’të.
Siç është e ditur, kishat dhe institucionet tjera ortodokse serbe, që nga okupimi i pjesëve të tokave shqiptare, pos përpjekjeve të pandërprera për asimilimin e popullatës shqiptare, u morën në mënyre të vazhdueshme edhe me vrojtimin dhe arkivimin e të dhënave për popullsinë shqiptare, duke e vënë misionin fetar në funksion të pushtetit serb dhe të shërbimeve të tij sekrete. Krahas dosjeve të tilla të nxjerra nga arkivat kishtare, pushteti serb me përkrahjen e treshit antishqiptar: Ali Shukria, Sinan Hasani dhe Kolë Shiroka, e bëri riaktivizimin e bazave dhe të informatorëve të vjetër të OZN’ës e të UDB’ës, në të gjitha mjediset e Kosovës, baza ato, në të cilat bëhej grumbullimi dhe selekcionimi i informacioneve, në bazë të rrënjve familiare, shkallës së arsimimit, e të karaktertistikave të tjera, për familjet dhe për individët e përkatësisë shqiptare, të clët, supozohej se në momentin e caktuar mund të merrnin anën e „nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë“, siç i quanin me fjalorin politik, të rinjtë e shkollave të mesme, studentët dhe një pjesë e inteligjencisë shqiptare, të implikuar, në cilëndo mënyrë qoftë, në Demonstratat e pranverës së vitit 1981.
………
Referencat
1. Akademia e Shkencave e Shqipërisë–Kosova në Vështrimin Enciklopedik, Botimet Toena,Tiranë 1999. Faqe 122.
2. Fakti se platformat politike, por edhe emërtimet e disa prej grupeve ilegale mbështetëshin në teorinë marksiste – leniniste, shfrytëzohej nga pushteti jugosllav për t`u dhënë demonstratave karakter ideologjiko-politik të importuar nga Partia e Punës së Shqipërisë. Propaganda e tillë kishte për qëllim kamuflimin e kërkesës për «Kosovën- republikë“, si dhe shmangien e vëmendjes së Perëndimit ndaj dhunës, terrorit dhe masave administrative të ndërmarra kundër rinisë dhe inteligjencës shqiptare të Kosovës
3. Teza morbide mbi “Gjenet e trasheguara antiserbe” ishte përmendur në njërën prej mbledhjeve të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, pas Demonstratave të vitit 1981
4. Numri i të rinjve dhe intelektualëve të dënuar pas Demonstratave të rinisë shqiptare të vitit 1981, nuk dihet saktësisht. Në ca prej botimeve madje edhe në gjuhë të huaja filitet për 22 mijë shqiptarë të dënuar penaklisht për “kontrarevolucion”
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura