Lirikë fundjave
Prishtinë, mars 2024
Ng Rexhep Kasumaj
Të jesh…
Mjafton të jesh
pasditeve
në t’voglën verandë
pa qenë aty
pa një fjalë
nga lodhja e jetës
njëj kohe t’përdalë
Të jesh, mjaft
është
edhe nëse darka
s’ka shijuar gjithaq
e ti s’do t’ia dish
që kafeja
pak e hidhur ish
S’prish asgjë
mjafton të jesh
kur unë zymtas dertoj
e ti,
për hir perëndie
gazit shkrihesh
e qesh
Të jesh, vetëm kaq
mjafton
edhe kur për lulet
trishtesh e mallkon
pse dielli larg dritares
mbas résh të vrugëta
ikë e mërgon
Mjafton të jesh
tek netëve qielli ngryset
sterrë i zez’
ndërsa pa folur ndjekim
atë filmin e dashur
filmin e vjetër
francez
Të jesh, më tepër
aspak
edhe kur mot e stuhi
n’faj më lënë
që shtigjesh blerore
ndonjëherë s’prehesh
mbrëmjes me hënë
Mjafton,
të jesh mjaft është
anise
për ngeshmërinë time
punësh t’vogla kur agon
një grimë ndryhesh
e rënkon
Të jesh, hiç tjetër
dhe n’se tela të mprehtë
parmakëve vuri
i zoti i sh’pisë
e ti pëllumbat vajton
që më s’do t’vijnë
në dramën e vetmisë
Të jesh, më shumë
s’duhet
as kur avioni për atdhe shtrenjtohet, sa i pabesë
e n’heshtje zhytesh
dhe mallin inat merr
pse s’di të vdesë
Sa mjaft të jesh
edhe kur nga miku ynë n’shfaqjen e Operës
të ftuar
ti pak vonohesh
muzgjeve
me shi
Sepse gjithçka dhimbje
është
e dhimbja dashuri…