Tiranë, 28. 09. 2014: Më 1967, kur Moikom Zeqo nisi studimet në Universitetin e Tiranës, ishte i njohur si notar dhe poet i ri, por i një prerjeje tepër të veçantë. Me kalimin e viteve, ndërsa poezinë e vazhdoi në kahun e rritjes dhuntisë tjetër të tij notit, i dha një drejtim tjetër; zhytjet i komandoi në thellësi të historisë dhe kulturës shqiptare dhe i kryqëzoi dhe në fluturime edhe në lartësitë qiellore të pikturës dhe teologjisë. Mushkëritë e tij ishin të përgatitura për ta mbajtur frymën gjatë në zhytje, që do ta mbushnin veprën e tij gjithë bulëza ajri, pluskitje uji dhe përndritje dielli. Ai erdhi për t’i shtuar shëndetin kulturës shqiptare. Zeqo realizoi një formim dhe kontribut shumëplanësh si asnjë intelektual tjetër i brezit të rij. Me këtë ai “e ktheu” këtë brez, disa breza “prapa” në kohën e rilindësve; rilindësit ishin të tillë. Pikat e takimit janë faqe të hapura në librat e letërsisë për fëmijë dhe në penën aq të përgjegjshme të hartimit të teksteve për shkollat.
Moikom Zeqo duket si i përgatitur në atë kohë dhe i projektuar në të sotmen. Për botën e tij krijuese të çuditëshme, kjo është faqe e veçantë, ai ka lindur në atë botë dhe është i saji, siç është një libohovit i mirë, pavarësisht se nuk ka lindur këtu, por në Durrës, qytetin kyç të Shqipërisë, gjysmë tokë e gjysmë ujë, gjysmë mbi dhe e gjysmë në lashtësi, si për t’i bërë artistët mitologjikë të lindur në të.
Atleti i metaforës
Arti i Moikom Zeqos është figurativiteti i paparë ose kapriçoja e metaforës ashtu si rrapi i Libohovës, që në stinët e lulëzimit, ka shumë zogj se sa gjethe, vepra poetike e Moikom Zeqos, ka më shumë figura se sa fjalë të thjeshta mendime metaforike, se logjike të përditshme, struktura ekstra se lidhje të zakonshme.
Është një individualitet, që dallon që tej. Fantazia e tij poetike është e paparë. E begatë është pak.
Bota e tij është e mbushur me përplasje imazhesh, tërë fluturime zogjsh dhe engjëjsh, me përthyerje drite shumëngjyrëshe një lënde letrare drithëruese.
Ngjyrimet i kanë kaluar vetë gjuhës që ndrin si në qelqet farfuri, konceptimet dhe shprehjet janë si pasqyrat që i hedhin përndritje njëra-tjetrës, gjendja planetare dhe kozmike, që përshkruhet shumë herë nuk mund të realizohej pa këtë furtunë imazheske.
– DR.MOIKOM ZEQO –
Më shumë se sa një realitete jetësore ajo kërkohet e gjendet në mitologji. Botën e nënujit e të nëndheut, botën e dehjes dhe përjetësisë. Qielli është atelieja më e përshtatshme për penelin e këtij autori pa studio të qëndrueshme.
Si nga shprehja por edhe nga logjika hapësira e tij është shpesh mitike. Një poezi që është diçka e tillë realizëm mitik e magjik e kryqëzuar por edhe e përzier bashkë. Kështu mund të përgjigjeshin po të pyesnim e ç’realizimi është kjo poezi?
Moderniteti i saj nuk kërkohet, buron e lind, është gjendje natyrore. Në të janë në një status shumë të veçantë marrëdhëniet mes mendimit dhe gjuhës, kjo kërshëri e pafund jo vetëm në fushën e gjuhësisë por në tërë vëmendjen njerëzore.
Vepra letrare zakonisht lind si një bërthamë dhe kjo bërthamë plotësohet e rritet me fjalët e gjuhës kur shkrimtari rritet e punon. Te Zequa, duket se ndodh diçka tjetër. Vepra lind njëherësh si mendim e gjuhë e figurshme.
Ai nuk mendon thjesht e pastaj të ulet ta përkthejë këtë mendim artistikisht, ai mendon artistikisht, artikulon kështu.
Për talentet më të mira thuhet se janë organe të lindur për poezi.
Në këtë rast autori nuk është lindur por lind poezi.
I lindur për figurativitet, për metaforën, duket se ky njeri nuk flet dot natyrshëm, por vetëm figurativisht. Figurat nëse duken, është ajo që i bën të duket kështu, për të njësuar fjalën dhe mendimin, që në ndërgjegjen e gjuhës të Zeqos, duhet të jenë në një raport tjetër lloj.
Arti dhe shkenca – simbioza e dytë
Kalimi dhe lëvrimi i sferave të tjera të dijes, që kanë lidhje me shkencat, është një gjë tjetër, që dallon veprën e Zeqos.
Filozofia e nxënies dhe kulturimit, është filozofi e jetës së tij, edhe pse duhet pohuar, që edhe motivi dhënës, u shfaq shpejt dhe me shumë kontribute tek ai. Ky mund të jetë shpjegimi privat personal. Por ndoshta ka edhe një tjetër, më të gjerë.
Gjithçka mbi trupin e vendit të tij Zeqo e sheh dhe shpejton të shkruajë; kështu trajton mbishkrimet e Gramatës, tekstet në nëntokën e Durrësit, shenjat e simbolet në gjetjet arkeologjike.
Çdo cep i atdheut të tij për të është rrahur me stampën e germës. Gërma është ameba që ka krijuar botën kulturore shqiptare për të.
Në kontributet e tij ka edhe vepra të pastra e të mirëfillta shkencore si ato me motive arkeologjike etj., por bukurinë e përbëjnë veprat e periudhës së vonë të kryqëzuarat arte e shkencë bashkë, arritje kulturore e kulturizime.
Ja një itinerar tematik: Aspekte të mitologjisë ilire, Panteoni ilir, Princërit e mistikës, Studim për bektashizmin, Onufri, Mes Laokontit dhe Krishtit – Onufri 2, Kështu foli Mona Liza, Syri i Tretë. Motivi kombëtar e patriotik i shtysës për këtë lloj veprimtarie bëhet më i plotë kur gjykon për aranzhimin në vepër të ngjashme me këto si: Migjeni, Paradokset e demokracisë, Rexhep Qosja dhe Çështja Kombëtare Shqiptare, Purgatori Shqiptar, Liriku i tokës, demoni i fjalës – monografi për Dritëro Agollin, Jashtëtokësorët e Shqipërisë.
Me shkruarjen e këtij, s’ka pse të mos e quajmë kështu, vihet re një përzierje e çuditshme e fushave të dijes dhe e stileve të artit: filozofi të thërrmuar e të bashkuara sipas interesave të studimeve, marrëdhënieve të veçanta mes poetit dhe shkencëtarit, estetikë komplekse me një punë voluminoze, pleksje e gjinive deri në përdorimin e reportazhit, shënimeve të udhëtimit e të tjera mjete të gazetarit; shkruan poeti, gjykon mendimtari, ka subjektivizëm, ka vend të lirë për plotësime, oponencë, ose edhe hedhje poshtë të tezave.
Prurja që bie ky lumë dhe veçanërisht shëndeti dhe cilësia e këtij uji të bardhë, është një gjë me vulë në kulturën e sotme.
Një pjesë e kësaj vepre duket sot se nuk është në udhën e vet. Ka edhe s’ka faj autori?
Ai punon, edhe pse estetika e tij kulturore është e vështirë për t’u shpjeguar.
Puna ka mbërritur deri aty sa edhe shënimet, edhe të thënat kthehen në libra.
Madje nuk shkruhen por citohen, fliten e incizohen. Bashkë me estetikën e vështirë ka shumë kurthe mendore për lexuesin. Me kulturologjinë e tij Zeqo tregon, se mendimi, shkenca e talentuar, që e kanë emancipuar kaq shumë artin duke e ndihmuar, duan borxhin e huanë e tyre.
Zeqo eksperimenton me shembullin e tij, bën mrekullira intelekti, luan si zhongler e magjistar me informacionin kulturor.
Ai përzien, shpërthen, vërshon. Atomi dhe molekula, që shpërthen si Hiroshimë energjinë, që nuk mbahet mund të jetë shpjegimi i tre këtyre veprave të këtij autori faqe sui generis një pinjoll i Xhejms Xhojsit, në llojin e vet të kulturës sonë, me presionin e tij të ndërgjegjes, pa fre, pa pika e presje, pa ndalje, madje pa marrë fare frymë. Atëherë të ecë e të bëjë ç’të dojë, se nuk ndal dot.
Njeriu Moikom
Si një iluminist i vërtetë Moikom Zeqo është i pajisur me një karakter e humanizëm të madh.
Në kohën e ndryshimeve epokale në Shqipëri, ndërsa i kishte tërë të dhënat për të rrëmbyer një flamur opozitari, bëri zgjedhje tjetër, u bë një nga liderët e vërtetë të reformimit të së majtës; si studjues i historisë nuk pëlqen përmbysjen, por evolucionin e paevitueshëm.
Nuk kërkoi parti e pushtet, veç atij shpirtëror.
Moikom Zequa është njeriu i shokëve.
Ai është njeri i familjes tek Çabej e Buda, te vajzat e Lasgush Poradecit; pavarësisht moshës, është shok me Shuteriqin dhe të tjerë të mëdhenj të gjallë.
Në 10 vjetshin e fundit të diktaturës komuniste, më të vështirë për Kadarenë ai ishte ndër të rrallët, në mos i vetmi që i bënte shoqëri, në 10 vjetshin e parë të tranzicionit, kur për arsye absurde u vu në vështirësi Dritëro Agolli, ai është ndër miqtë e tij më të mirë, kur Rexhep Qosja vjen në Shqipëri, Moikomi është në rreshtin e parë të atyre që e presin dhe e shoqërojnë.
Në shoqërinë e të mëdhenjve ndihet si te moshatarët. Në mes moshatarëve është vërtet strumbullari, në shtëpinë dhe veprën e tij rrezikohesh të të rrëzojë stuhia e miqësisë së tij.
Shokët e tij të vërtetë mund ta konsiderojnë veten të pasur.
Institucioni ku drejton sot Muzeu Historik Kombëtar, është kthyer prej tij në selinë dhe qendrën më intensive kulturore e artistike të vendit.
Fjalët e mbylljes
Siç e ndjemë të gjithë duhen falënderuar ata që propozuan dhe ata që miratuan, Bashkia e Libohovës dhënien e titullit “Qytetar Nderi”.
Libohova është një ballkon i lartë, ballkonet zbukurohen me statuja dhe të tilla ajo ka.
Sot i shtoi vetes një statujë të gjallë, me të cilën mund të mburret por edhe të zbukurohet se i nderuari i sotëm prej saj, është vizionar dhe i papërtuar në mirënjohje dhe punë.
Prej ndereve të tilla nderohen të gjithë.
Dua ta mbyll me një fakt të jetuar. Para disa muajsh, kur këtu u nderua me këtë titull Abedin Çiçi, ky Moikom i florës dhe i gjelbërimit të cilit Zeqo i puthi duart pas ceremonisë shkuan në Labovën e Libohovës së Kryqit këtu pranë.
Moikomi do të rishihte për kushedi të disatën herë kishën e famshme bizantine.
Njeriu i Perëndisë, Grigor Noti, psallt dhe kujdestar i saj, kur u prezantuam tha.
Ky është Moikomi, e kam këtu.
Ai hapi dhomën e tij në hajat të kishës dhe tregoi tre shkrimet e Moikomit për Kishën e Labovës të vëna në korniza me xham në mur si ikona.
19 maj 2004
*) Thanas Dino, shkrimtar, poet dhe publicist nga Gjirokastra, autor i shume librave në prozë, poezi dhe esse.