UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (II)

Pashtriku.org, 12. 05. 2013 –  “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta”. Po shqiptarët? “Janë të shpërblyera me arsye dhe me vetëdije”. Po zyrtarët? “Dhe ndaj njëri tjetrit duhet të sillen në frymën vëllazërore”. Po raportet serbo-shqiptare, të cilat qysh moti e kanë tejkaluar një frymë të tillë, si mund të zhvillohen më tutje? (Nga Neni 1 i Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut të OKB, 1948. Ndërhyrjet e autorit U.H.)
2. PRAPAVIJA E QASJES
Titulli “Kosova dhe Evropa”, pa dyshim që duket, dhe në të vërtetë edhe është pretencioz, por jo me qëllim. Duket sikur me të nënkuptohet vajtja e drejtpërdrejtë e Kosovës në Evropë, pavarësisht nga Jugosllavia dhe pavarësisht nga Shqipëria. Po të shqyrtoheshin gjërat nga një pikëvështrim i veçantë, i stërholluar e ironik, dhe po të ishte çështja më pak e ndjeshme, do të lejohej një komentim i veçantë, ndoshta tragjikomik, por në esencë i vërtetë: këto dy shtete nuk qenë të afta as t’a zgjidhnin problemin dhe as të merrnin parasysh vullnetin e kosovarëve. Kosovarët andaj qysh heret, po sidomos në vitin 1981, vendosën ta merrnin fatin e tyre në duart e veta, dhe të vetmuar, por të vendosur, u nisën drejt Evropës! Mirëpo, puna është të arrinin atje. A do të mund t’ia lejonin këto dy shtete ecjen e saj të vetmuar për në Evropë? Dhe a do ta mirëpriste si të tillë Evropa? Dhe, së fundi, a është vallë i njëmendët vullneti i tyre për të ecur të vetmuar për në Evropë? Për këto shkaqe, gjatë leximit të kësaj serie të artikujve dhe të autorëve kompetentë për çështjet e Evropës, lexuesi me siguri do të bindet se titulli i përbashkët i tyre vetëm duket pretencioz, por në realitet nuk është i tillë. Tema për të cilën është fjala është aq e vjetër sa edhe vetë historia e vetëdijësuar politike shqiptare, por gjithashtu sa edhe vetë vetëdijësimi i proceseve integrative të Evropës. Megjithatë këta artikuj nuk merren me historinë e vetëdijësuar politike shqiptare. Me të do të duhej të merreshin institucionet adekuate të shoqërisë. Iniciativa e Institutit Albanologjik në Prishtinë p.sh. që të organizojë një simpozium shkencor mbi temën “Shqiptarët dhe Evropa, dje dhe sot” është pikërisht ajo që do të ishte me interes për historinë e vetëdijësuar politike shqiptare. Historia e vetëdijësuar politike shqiptare i nënkupton interesat kombëtare për të cilat dihet në të kaluarën, për të cilat është shkruar dhe shkruhet në mënyrë analitike dhe për të cilat është bërë tashmë një sintezë kompetente teorike, me qëllim të vënies së tyre në kontekstin aktual politik dhe në kontekst të zhvillimit të proceseve politike në të ardhmen. Dhe kjo është aq më parë e nevojshme dhe me rëndësi kapitale, për shkak të ndryshimit radikal të kontekstit politik të vetë aktorëve – bartës të interesave të tilla kombëtare (rënia e përcaktimit ekskluziv komunist, akceptimi i pluralizmit politik) dhe për shkak të ndryshimit të ambientit ku këta aktorë dhe ato interesa mund të veprojnë (afirmimi i proceseve integrative të Evropës). Këto dy gjëra -aktorët (shtetet, kombet), dhe ambienti i veprimit të tyre, Evropa, bota, në të vërtetë e përbëjnë atë që quhet politikë e jashtme e shteteve, e cila gjithmonë niset nga interesi vital i kombit, dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare politike, ku interesat e tilla vitale thyhen, realizohen ose mbeten si të tilla.
Konotacioni “Dje” dhe sidomos “Sot” në titullin e simpoziumit të menduar shkencor të Institutit Albanologjik këto gjëra sigurisht që i nënkupton. Tema e serisë së artikujve që ndodhet në duart e lexuesit ka të bëjë me atë që nënkuptohet me “Sot” dhe gjithsesi me atë që nënkuptohet me “nesër”. Mirëpo as “Sot” dhe as “Nesër” nuk mund të nënkuptohen pa “Dje-në”. Për këtë shkak, aktualizimet e së kaluarës në këto tekste bëhen gjithmonë në kontekst të së ardhmes.
Qasja e problemit
Mirëpo politika, për fat të keq, është një shkencë dhe një veprimtari shoqërore për të cilën shumë njerëz të painformuar as për njërën dhe as për tjetrën e konsiderojnë veten si kompetent. Në këtë pikë politika barazohet me poezinë. Sikurse që në poezi çdo vjershëtar nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë, çdo njeri që merret me të nuk bëhet automatikisht edhe njohës i saj, dhe aq më pak, njohës i shkencës mbi politikën ose i shkencave politike. Dallimi konsiston në faktin se si duket, për t’u marrë me politikë, në rrethana të caktuara ia mësyejnë më tepër njerëz se sa në poezi. Ndoshta për shkak se u duket më lehtë ta provojnë “patriotizmin” e tyre, apo për shkak se është në natyrën e njeriut të ngazëllehet me mendimet e veta edhe atëherë kur ato i shërbejnë vetëm atij e jo edhe të tjerëve, ose ndoshta edhe për shkak se politika u duket një fushë aq e gjerë e veprimtarisë shoqërore sa që u duket e pamundshme të mos gjejnë bashkëmendimtarë për një mendim apo ide të veten. Duket sikur njerëzit në përgjithësi nuk e njohin karakterin e shkencave politike dhe e bëjnë përzierjen e aspekteve të ndryshme të saj. Dhe ky nuk është vetëm një gabim i rëndomtë i njerëzve në përgjithësi. Ai është një gabim tipik që e bënte dikur, dhe akoma e bën, edhe pjesa më e madhe e inteligjencisë, e cila nuk është marrë ndonjëherë seriozisht me hulumtime politike. Mjafton vetëm një vështrim sipërfaqësor i shtypit të ditës, por edhe i shkrimeve dhe i deklaratave me pretendime ca më serioze nga lëmi i politikës, për të konstatuar se zakonisht nuk bëhet dallimi themelor midis politikës si veprimtari shoqërore dhe politikës si shkencë, se nuk janë të qarta definicionet mbi termat e ndryshme politike dhe mbi nocionet e saj, se mungojnë njohuritë themelore mbi dukuritë dhe proceset e ndryshme politike dhe se shpeshherë mungon plotësisht vetëdija mbi konsekuencat e mundshme të këtyre gabimeve. Shumica e njerëzve, duke dashur artificialisht të paraqiten si njohës të mirë të politikës, as që japin për të kuptuar me ndonjë fjalë apo fjali se shqyrtimit të ndonjë problemi eventual politik i qasen nga aspekti i shkencës apo i profesionit të vet me të cilin merren. Ndërkaq, ata të cilët dikur merreshin me shkrime politike, juridike, sociologjike, filozofike etj., të cilët shpeshherë në mënyrë artificiale në qarqe të caktuara i konsideronin si kompetentë të këtyre lëmenjve, ndonëse akoma u duhej edhe shumë punë për t’u bërë vërtetë kompetentë, në qoftë se nuk kanë qenë të heshtur me dhunë, tani sikur kanë heshtur vetë. Mund të ketë ndodhur kjo ndoshta për shkak të rrebeshit të kritikës së një praktike dhe një teorie të thyer, të cënuar në “pacënueshmërinë” e saj, dhe të dështuar gati në tërësi. Ndoshta për shkak se akoma nuk janë të gatshëm që postulatet e teorive të dikurshme t’ia nënshtrojnë rivalorizimit të kritikës së vetëdijësuar politike dhe akoma presin ditë më të mira. Dhe ndoshta për shkak se akoma dëshirojnë ta ruajnë “pacënueshmërinë” e “teorive” të tyre të vogla për të provuar “ringjalljen” në ditët e mëdha! Ato, dmth. “ditët më të mira” dhe ato “më të mëdha”, me siguri se do të vijnë, por vetëm në kontekst të luftës së ideve dhe jo në kontekst të absolutizimit të tyre me dhunë, në kontekst të afirmimit të vlerave të njëmendëta dhe jo në kontekst të imponimit të gjysmëvlerave dhe të gjysmë-ideve, në kontekst të hulumtimit të së vërtetës dhe jo në kontekst të hulumtimit të mundësive për të afirmuar gënjeshtrën në vend të së vërtetës, në kontekst të luftës për progresin e njëmendët të shoqërisë dhe jo në kontekst të ruajtjes së pozitave të pamerituara në shoqëri. Demokracia këtë tani do të duhej ta bënte të mundshme, madje edhe të domosdoshme.
Ata nuk do të duhej ta ndjenin veten të prekur nga dështimi i një praktike e cila edhe ashtu në vete e përmbante dështimin. Fuqitë e veta intelektuale, përvojën politike, vizionin e botëkuptimeve të veta progresive do të duhej t’i vinin në shërbim të ndërtimit të raporteve të reja demokratike. Ata do të duhej ta dinin më mirë se të tjerët se e vjetra nuk mund të kthehet. Çdo kohë i ka të vërtetat e veta, por ato të vërteta që ngriten mbi mohimin e gjithçkafes edhe vetë do t’i mohojë e ardhmja. Ato nuk mund ta pretendojnë kurrsesi amshimin. Megjithatë askujt nuk duhet t’ia hajë mendja se brenda raporteve të reja demokratike dhe brenda suazave mbi të vërtetën e një kohe do të mundet që për një kohë të gjatë, ashtu si përpara, ta përvjedhë praktikën e vjetër të kanibalizmit intelektual, të vrasjes që në start të talenteve. Ajo “Der Geist” e Hegelit, të cilën e pretendoi të amshuar dhe të përjetshme, ajo sentenca e bukur e Goethes se “Intelekti e njeh intelektin” që doli nga thellësitë e gjeniut të tij letrar, le të lejohet të interpretohet si -intelekti do të duhej t’i shërbente popullit dhe jo vetëm vetes, dhe gjithsesi më pak egoizmit individual. Talenti le ta prodhojë talentin dhe jo ta ngulfasë atë.
Nofkat dhe demokracia
Nga ana tjetër, me dashje ose pa dashje, shumë të tjerë u përfshinë në vorbullën konvulzive të historisë. Këtyre nuk u ha mendja se e rrotulluan dynjanë. Këta natyrisht e dijnë se fjala është për demokracinë dhe jo për imitimin e saj, se ndërtimi i së resë nuk mund të fillojë nga hiçi, se nuk mund të mbështeten në mohimin kuturu të gjithçkafes, se nuk mund t’i mohojnë rezultatet e arritura të një periode të tërë të zhvillimit në emër të një periode tjetër. Këta e dijnë se një gjë e tillë nuk do t’i përngjante historisë por vetëm një gjurulltie historike. Brenda së vjetrës gjithmonë ka qenë e pranishme e reja. Ajo me të cilën nuk duhet pajtuar është praktika e vjetër politike dhe jo rezultatet pozitive të asaj praktike. Janë metodat e vjetra politike që, duke ngecur prapa nevojave dhe kërkesave, e frenuan edhe zhvillimin, jo vetëm në një moment të caktuar, (në momente të caktuara mund të shkaktohen përmbysjet, “rrotullimet” e pozitave, ndërrimi i raporteve etj.), por gjatë gjithë kohës. Në qoftë se në fillim i ndihmuan paksa zhvillimit e kohës, koha pastaj i tejkaloi. Ky ishte një fat, një ligjshmëri e zhvillimit shoqëror gjatë historisë. Mirëpo kjo ligjshmëri nuk guzon të shërbejë si pretekst për t’i frenuar proceset pozitive, as për të arsyetuar pasivitetin e dikurshëm apo aktual, indiferencën, shmangien nga lufta. Nuk ishte faji i të tjerëve që praktika e vjetër politike dhe arsyetimi i saj intelektual në emër të komunizmit, me qëllim apo pa qëllim, nuk deshi ose nuk diti t’i prijë kohës. Për këtë shkak, këta do të pajtohen me gjithçka të ndershme (metodat e pandershme nuk mund të të çojnë drejt realizimit të qëllimeve fisnike) që i ndihmojnë ndërtimit të së resë, ngritjes së popullit. Këta nuk mund të pajtohen as me intencat e vetëdijshme ose të pavetëdijshme, as me synimet e qëllimta ose të paqëllimta dhe as me metodat e menduara ose të pamenduara që e frenojne ecjen përpara. Dhe për shkak të këtij qëllimi të tyre nuk mund të përjashtohen nga jeta shoqërore me metodën e vjetër të etiketimit më parë si irredentist e nacionalist, kurse tani si “të kuqë”, “komunistë” e “marksistë-leninistë”. Disa, si duket, kujtojnë se demokracia është pronë e tyre private. A thua demokracia doemos duhet të ngritet mbi mohimin total të së djeshmes, apo është fjala për tentimin që të vazhdohet e djeshmja nën vellon e demokracisë?
Këto “nofka”, në kontekst të faktit se kush kujt ia vë, në kontekst të kuptimit real të përmbajtjes së tyre dhe të qëllimit të kohës dhe të rrethanave historike, janë punë tejet joserioze: komunistët e dikurshëm të sistemit i etiketojnë bartësit e njëmendët të demokracisë, ata që që i kontribuan fuqimisht lindjes së saj, dhe ua mohojnë të drejtën e pjesëmarrjes në jetën shoqërore të demokracisë, me pretekstin e “majtizmit” të tyre. Në emër të kujt dhe të çkafit e bëjnë një gjë të tillë? Në momente serioze talljet nuk kanë vend. Demokracia u akceptua në mënyrë plebiscitare nga të gjithë, andaj, ku mund të ndodhet mbështetja dhe qëllimi i “nofkave” të tilla? Këta, si duket edhe Abraham Linkolnin, po të ishte gjallë, dhe po të deklaronte si qëmoti, se “demokracia është në shërbim të popullit e për popullin” padyshim do ta merrnin për “të majtë”. Ndërkaq, Jawaharlal Nehru-në, mbase do ta merrnin edhe për një “marksist-leninist”, meqë kishte lindur në një vend të pazhvilluar dhe meqë kishte pasur guxim që në autobiografinë e tij të shkruante se “Politika ime i takon klasës sime, borgjezisë”, për të konkluduar më vonë me pikëllim, pas një përshkrimi të kushteve të llahtarshme të kategorive të ndryshme të popullsisë indiane, se “e kuptova më shumë se kurdoherë më parë se sa kishim qenë të ndarë nga populli ynë dhe sa kishim jetuar, punuar dhe agjituar në botën tonë të vogël dhe të izoluar nga ai” (shih Jawaharlal Nehru, An Autobiography, Allied Publishers, 1961, New Delhi). A mos kishte bërë ai ndonjë akt militant “prej komunisti” kur e kishte lënë amanet që afër urnës me hirin e tij në Nju Delhi të shkruheshin fjalët: “Isha në shërbim të popullit të Indisë”? Dhe së fundi, a nuk ia vunë edhe Fan Nolit, demokratit tonë revolucionar, nofkën “bolshevik”! Më në fund, a është real dhe i mundshëm anatemimi i një sistemi të tërë mendor, ndalimi me ligj i së majtës, dhe a thua nuk do të rezultonte një gjë e tillë në riaktivizimin e tij, në kushte të ndryshuara, si një vulgatë e fuqishme në një Evropë të ardhshme, akoma të palindur? Duket sikur nofkat dhe demokracia nuk mund të ecin së bashku.
Korrektësia e qasjes
Nga ana tjetër, në qoftë se është e naryrshme dhe si dukuri e rëndomtë që në fazën fillestare të së resë të kritikohet e vjetra, kjo nuk mund të shërbejë si pretekst për ta arsyetuar mungesën e korrektësisë në sjellje. Ata që e bëjnë këtë punë me ngazëllimin e konsiderueshëm prej fillestari do të duhej ta kishin të qartë programin e tyre, përmbajtjen e qëllimeve që i synojnë dhe atë që duan t’a arrijnë. Ndër ne, p.sh., është e qartë se dëshirohet ndërtimi i shoqërisë pluraliste, por sikur nuk është plotësisht e qartë se shoqëria pluraliste nuk mund t’ua mohojë të tjerëve (që nuk mendojnë njësoj), të drejtën e pjesëmarrjes në jetën politike. Është e qartë se dëshirohen zgjedhjet e lira, por sikur nuk është plotësisht e qartë se ato e nënkuptojnë edhe të drejtën e të tjerëve për të votuar dhe për t’u zgjedhur në votime. Sikur harrohet se lindjes së demokracisë i kontribuan edhe punëtorët, edhe fshatarët, bile në radhë të parë ata. Çfarë pluralizmi politik do t’ishte ai i cili përfaqësuesve të tyre nuk do t’ua mundësonte shprehjen e lirë të mendimit, luftën sindikale për interesin e klasës punëtore?
Në Jugosllavi akoma mungojnë përgjigjet e plota për shumëçka. Fajësimi i komunizmit edhe si ide edhe si praktikë e deformuar e realitetit shoqëror, in abstracto, për të gjitha të këqiat, duket se është i ngutshëm, jo-frytdhënës, jo-bindës dhe jo i plotë. Gjithsesi është fjala për një qasje jokorrekte. Një Jugosllavi qe ndërtuar tashmë një herë mbi themele të rrejshme, ose, përkatësisht, të deformuara më vonë. Do të ishte një tragjedi e vërtetë, në vargun e tragjedive të kaluara të popujve të saj, në qoftë se edhe ndërtimi i një Jugosllavie të tretë, me republikën e barabartë të Kosovës brenda, do të ngritej mbi themele poashtu të rrejshme për të ardhmen. Në Jugosllavi gjithashtu është akceptuar pluralizmi politik në frymën e kohës. Andaj është iluzion të ëndërrohet kthimi i sistemit njëpartiak në çfarëdo forme dhe me çfarëdo preteksti. Përcaktimi për demokraci ka qenë edhe rezultat i njohurive se monizmi politik nuk ka mundur ta zgjidhë çështjen fundamentale të të drejtave të njeriut, ose pse nuk ka pasur kohë, ose sepse është deformuar teoria. Tani kjo nuk ka më rëndësi. Në anën tjetër, edhe studjues seriozë të demokracisë në Perëndim e kanë të qartë tashmë se kuptimi i demokracisë ka nevojë të zgjerohet. “…Kërkesa për demokraci ishte dhe mbetet aq e thellë dhe kuptimplote sa që e zgjeron kuptimin e vetë demokracisë. Duhet të ecim jashtë demokracisë politike parlamentare dhe të ekonomisë shtetërore në mënyrë që ta përfshijmë “demokracinë civile” në shoqërinë civile. Do të thotë se pjesëmarrja demokratike dhe kërkesat e përfshijnë, por edhe e zgjerojnë, kuptimin e saj përtej kufizimeve institucionale të demokracisë politike parlamentare dhe të demokracisë ekonomike…Kuptimi ynë i demokracisë andaj, kërkon revidimin dhe zgjerimin e saj”(shih David Brown, Ethnic revival: perspectives on state and society, në Third World Quaterly, Oct 1989). Dhe, kuptimi ynë i demokracisë, tani për tani, konsiston nga kërkesa që të respektohet pluralizmi politik dhe institucionet tjera të demokracisë.
Uni dhe autorësia
E gjithë kjo që u tha më sipër nuk është gjë tjetër pos një diskutim në prapavijë për Europën. Eshtë pak e besueshme se të gjitha këto, e gjithë kjo luftë politike, mbi edhe nën rrogoz, është apo janë të rastit, incidentale, të paqëllimta. Edhe supozimet në formë të premisave se njerëzit nuk e duan, ose edhe se nuk e njohin politikën, vetëm kushtimisht mund të jenë të vërteta. Njerëzit mund të të duan ose edhe të të mos duan. Dhe mund ta njohin ose jo politikën, por zakonisht ngjet edhe e para edhe e dyta, edhe të duan edhe nuk të duan. Të duan atëherë kur kanë ndonjë dobi prej teje dhe kinse të duan atëherë kur je në pozitë të nxjerrësh gështenja nga prushi për ta. Ndërkaq nuk të duan fare atëherë kur u thua: “Mjaft më! E tepruat!” Bile fillojnë edhe të të urrejnë nëse papritmas mbeten në zall, pa marrë parasysh faktin se dikur mund t’i kesh dëgjuar nëpër burgje duke pëshpëritur: “Hidhjani fajin atij se është komunist e nuk e dënojnë!” Ndërkaq ty mund të të kenë dënuar në ndërkohë me 9 vjet burg, ndërsa ata do të kenë vazhduar të sillen akoma gjer më sot sipas shembullit të Judës, apo në stilin e vargjeve plot vrer të Nolit të Madh:
“Vareni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,
Se na ndreq shtrembëritë, edhe kurrë s’na rren,
Se e do vegjëlinë, e tiran’ e urren:
Kryqësoje Pilat, Në Kalvar, Golgotha!”
Njerëzit mund edhe të të urrejnë, sepse ashtu në të thatë, nuk mund të notojnë më tutje. Ndërkaq ata do të dëshironin të notonin ashtu, hipur kaluar mbi ty, pa asnjë falenderim, ngase falënderimi eventual do t’u dukej fyerje, përulje, varësi e mëtejshme nga përparësia jote dhe jo e tyrja. Dhe pastaj sërish do të kujtohen vargjet e Nolit, dhe sërish, pikërisht si atëherë gjatë atij dimri të madh të vitit 1978 mbi varrin e tij në Boston, do ta pyesje veten: “Përse edhe këtë nuk e pranuan tërësisht në radhët e veta? Përse e kishin lënë të vetmuar në varrezat e Forest-hill-it? Dhe ishe përgjigjur vetë, po atë mbrëmje, në atë disko-kafenë e Harvard-squerit, ku midis tingujve shurdhues të një muzike moderne, e kishe kërkuar qetësinë e shpirtit. Atë mbrëmje të kishin munduar shumë pyetje, por Noli të ishte përgjigjur vetëm pjesërisht:
“Vrajeni se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron dhe çliron, dhe forcon varfërinë
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje Pilat, në Kalvar, Golgotha!”
Pastaj i shqetësuar me intensitetin e mendimeve që të vërshonin trurin, i mbërthyer me mallin e vendjetesës sate Prishtinës dhe i mërzitur me përfytyrimin e bisedës që mund ta kishe pasur me priftin e atëhershëm të Kishës, mezi konstatove se nuk e njihje Nolin, se po të ishte ndryshe, qysh atëherë do t’i kishe ditur ato cytjet e brendshme, motivet e vërteta, të cilat një prift si ai nga shkrepat e Ballkanit, e kishin detyruar ta zgjidhte Amerikën, atë copë bishti të Evropës që e tentonte shndërrimin në kokë të saj, për vendjetesë për pjesën e jetës që i kishte mbetur për ta jetuar? Çfarë do të ishte ai dhe çfarë Shqipëria, po ta kishin pranuar ashtu siç ishte, politikan ” të shenjtëruar” me shpirt kryengritësi?
Shumica e njerëzve i di përgjigjet dhe di ta vlerësojë korrektësinë e sjelljeve të veta, por nuk e preferon pranimin e jo-korrektësisë. I duket virtut edhe atëherë kur nuk është veçse ligësi. Ata vazhdimisht akuzojnë, në vend se të mendojnë. Disa akuzojnë sepse në shkrimet e gjertanishme i kisha paraqitur të padijshëm, kurse të tjerët akuzojnë se i “ke ngritur lart pa sens të mjaftueshëm politik”. Ndërkaq e vërteta është se nuk kishe polemizuar me ta. E kishe mbrojtur tezën politike se të rinjtë e moshës 18-24 vjeçare, që i kishe takuar nëpër burgje, por edhe jashtë tyre, nuk mund të kishin qenë, edhe po të kishin dëshiruar, njohës të thelluar të sistemeve komplekse të mendimit dhe se andaj, politika e dënimeve të tyre të rënda nuk kishte qenë me vend. Për çfarë sensi politik mund të ishte fjala në argumentimin e një prototipi, qoftë edhe të një gjenerate? A nuk preferohet vallë pjekuria politike e çdo gjenerate? Dhe si mund të pritet integrimi në Europë pa pjekurinë politike të bartësve të këtij integrimi?
Pastaj filluan të nxirrnin në shesh gjëra të parëndomta: veprimet e motivuara me një politikë të caktuar të një kohe deshën t’i arsyetojnë dhe t’i relativizojnë me mistifikimin e shtetit në kohën tjetër. Në qoftë se me një tezë të tillë synohej bindja e të tjerëve, atëherë ç’u duhej vallë të thirreshin në dëshminë e të vdekurve për të arsyetuar veprimet e të gjallëve? Dhe po të ishte ashtu siç thuhet, atëherë si shpjegohet fakti që si redaksia e “Zërit të Rinisë” ashtu dhe redaksitë e gazetave të tjera në gjuhën shqipe, si edhe ato të vendit në tërësi, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme gjatë më tepër se 9 vitesh të plota, të bisedonin edhe me palën tjetër, me atë të dëmtuarën? Pretekstet e ndryshme dhe të llojllojshme sikur e kanë për qëllim të shënohen në librin e Ginisit. Ato nuk mund të shërbejnë për të ndriçuar të vërtetën dhe nuk janë në funksion të saj. Ekziston apo nuk ekziston akoma cenzura e shtypit ndër ne? Ndoshta një ditë duhet të jepen përgjigje në këto pyetje dhe ndoshta ato janë të lidhura me vetë karakterin e demokracisë që synohet të ndërtohet: demokraci që do të mbështetej ekskluzivisht në formalizmin logjik apo demokraci që do ta demokratizonte shoqërinë në tërësi? Përmbajtja e konceptit të parë është e shtytur nga jashtë. Përmbajtja e të dytit buron nga vendi. Është e drejtë e secilit të zgjedhë rrugën e tij, por jo në kurriz të tjetrit, dhe as në kurriz të së vërtetës. Asnjë superioritet teknologjik i armatimit të huaj nuk do të përdoret në funksion të bllokimit të së vërtetave shoqërore. Ata që dikur një gjë të tillë e bënin pa përtesë, pikërisht ndeshja e logjikës formaliste me realitetin gjithnjë e më tepër po i detyron të kuptojnë se vazhdimi i kësaj politike do të ishte në dëm të të gjithëve, por më parë në dëm të vetë atyre. Demokracia që do t’i përsëriste përvojat jonjerëzore të raporteve shoqërore nuk është demokraci por neofashizëm. Shqiptarët u përcaktuan për diç tjetër dhe ajo do të ndërtohet, deshën apo nuk deshën të tjerët. Akceptimin e një demokracie të tillë do ta bëjë edhe Evropa, pavarësisht nga dëshira e atyre që deshën të imponojnë zgjidhje të tjera.
Më në fund akuzonin se në shkrimet me të cilat vazhdimisht synohej gjetja e përgjigjeve e jo thellimi i krizës, theksohej ca si tepër uni autorial. Këtë nuk e bënin më parë (atëherë kur kur mungonin përgjigjet, sepse nuk lejoheshin, në mendime të shtrembëruara) por e bëjnë tani me pretekstin e depersonalizimit të së vërtetave shkencore. Megjithatë mund të kenë të drejtë, por duhet kuptuar se Politika Ndërkombëtare është një disiplinë e veçantë shkencore, me metodë të theksuar të kontributit personal të atyre që kanë një përvojë të tillë. Një shfletim vetëm sipërfaqësor i shkrimeve nga kjo lëmi mjafton që të përfundohet se duke e bërë sintetizimin e përvojës në harmoni me ngritjen profesionale të autorit synohet gjetja e rregullave të caktuara të sjelljes së aktorëve ndërkombëtarë dhe shquarja e ligjshmërive që i kushtëzojnë ato. Për këtë shkak, njëri nga ekspertët e njohur të kësaj disipline shkencore, duke u përgjigjur në vërejtje të ngjashme shkruan: “Por nuk ekzistojnë shtigje njëmend të shkurtra, nuk ka rrugë mbretërore për të arritur gjer ke njohuritë, dhe gjithmonë na duhet të mësojmë nga përvoja praktike dhe studimi i së kaluarës ku vetëm disa mund të kenë sukses; është një shfaqje vërtetë e rrallë një njeri që në vetvete e bashkon njëherësh përvojën praktike me shkollarin kompetent” (shih Charles McClelland, International Relations: Wisdom or Science? në James N.Rosenau, Internatinal Politics and Foreign Policy, The Free Press, Macmillan Publishing Co.In.New York,1969).
Në rrethanat e ndryshuara politike, vështrimi mbi “Kosovën dhe Evropën” nuk është përgjigje ndaj askujt, përveç ndaj atyre që e preferojnë manipulimin me injorancën; nuk e rrezikon askend, përveç ëndrrave të pabazuara të cilësdo palë të interesuar (ndoshta edhe të vetvetes) dhe nuk e pretendon ekskluzivitetin e kompetencës, përveç në relacion me inkompetencën. Për këtë shkak, porosia që të mos merrja përgjegjësi mbi vete ishte e tepërt dhe ambivalente: ata që dikur nuk merrnin kurrfarë përgjegjësie mbi vete, tani do të dëshironin të delnin me merita, por meritat nuk u takojnë atyre, sepse nuk i patën. Ato thjesht i takojnë popullit, sepse ai e barti barrën e luftës, të vuajtjeve dhe të gjakosjes. Populli e di kontributin e secilit veç e veç, sikurse edhe qëllimin e atij kontributi. Lëreni popullin të vendosë vetë për besimin e tij, sepse historia askujt nuk i fal asgjë. Evropa e tij nuk është ajo e lugetërve të kohëve të shkuara, por është Evropë e gjeneratave të ardhshme që do të dijnë t’i lidhin fijet e holla, të padukshme, të krenarisë kombëtare, të bujarisë dhe të fisnikërisë me rrezet e holla të universit, të kohës dhe të perspektivës. Hapësit eventualë të mundësive të këtilla le të jenë mendjendritur dhe le të kenë rrugë të mbarë! (Lubjanë, më 19.I.1990)

(VIJON…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura