UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (V)

Pashtriku.org, 15. 05. 2018: Metodat e mëtejshme për njësimin e kombit/shtet – Formimi dhe forcimi i shtetit multinacional Sovjetik vetëm në mbështetje të katër metodave të përmendura pa mbështetjen e proceseve të tjera integrative do të ishte i pafrutshëm. Në instancën e fundit do të rezultonte në formimin e një mekanizmi të pashpirtë që do t’i koordinonte pjesët e saj të ndryshme, por i cili gjithmonë do të rrezikohej nga tejveprimi i njërës ose pasiviteti i tjetrës. Për këtë shkak, teoria dhe praktika politike sovjetike i ndihmonte proceset integrative të cilat, në instancën e fundit, është dashur të rezultonin në formimin e një kombi sovjetik që do ta mbështeste shtetin multinacional sovjetik. Këto metoda të tjera kanë të bejnë me a) përkrahjen e proceseve integrative të popullsisë dhe me përzierjen e përbërjës nacionale të republikave, të regjioneve dhe të krahinave nacionale. Ndonëse është i ngjashëm me parimin e amalgamimit të kombeve nuk është identik me të. Amalgamimi është parim më i lartë dhe lidhet me vendimin e vullnetshëm për ta pranuar tjetrin në një komb të bashkëformuar. Ndërkaq, proceset e migracionit dhe të përzierjes së popullsisë janë derivative, praktike dhe sovjetët i quanin “internalizim i shtetësisë nacionale sovjetike”.

Me këtë shprehje i nënkuptonin “proceset objektive historike të akumulimit në rritje e sipër të karakteristikave të përbashkëta të formave dhe të metodave të operimit me shtetësinë nacionale të kombeve dhe të nacionaliteteve sovjetike” (USSR Academy of Sciences. vep.cit.f.221). Andaj, është e qartë se me këtë proces synohej formimi i një kombi sovjetik. Ndërkaq, me procesin tjetër, -të internacionalizimit, -që përcaktohej me përmbajtjen e vet klasore, synohej në plan të brendshëm -përmbajtja e njëjtë klasore e kombit të tillë sovjetik, dhe në plan të jashtëm -ambienti i përshtatshëm për ekzistimin politik të kombit të tillë/shtetit sovjetik, eventualisht, formimi i ndonjë imperiumi proletar në krye me BRSS: b) principi i barazisë kombëtare i përmendur më lartë duhej të përcillej me përpjekje për nivelizimin e zhvillimit të tyre ekonomik. Mirëpo, meqë kjo tregohej e pamundshme, sepse lufta për eliminimin e veprimit të ligjit mbi zhvillimin e pabarabartë ekonomik (shkencërisht e argumentoi Marksi) e nënkuptonte stagnimin relativ të vullnetshëm të kombeve të zhvilluara (“ndërkaq të fortit me qejf nuk heqin dorë nga forca” = Bertrand Russel), atëherë proceset integrative në nivel ekonomik i ngjanin atyre që e bënin përzierjen e popujve: u formuan rreth 19 regjione ekonomike që nuk ishin baras me njësitë autonome. Një regjion i tillë ekonomik ose i përfshinte disa sosh (njësi autonome) ose një njësi autonome ndahej në disa regjione ekonomike. Në këtë mënyrë, regjionalizimi ekonomik në të vërtetë ishte në funksion të proceseve integrative sovjetike, dhe jo aq në funksion të qëllimeve ekonomike. Kjo bëri që Kennan-i të konstatonte se ekonomia e popujve jo-rusë, e sidomos e atyre jo-sllavë, ishte e lidhur me rusomëdhenjtë.: c) Proceset e tilla integrative përkraheshin edhe me zhvillimin e lidhjeve reciproke kulturore të kombeve dhe të nacionaliteteve sovjetike. Lidhjet kulturore e “reflektonin unitetin e interesave të njeriut punues të të gjitha nacionaliteteve”, andaj, sipas Sovjetëve “nuk është thjesht e arsyeshme që të shquhen faktorët etnikë dhe të bëhen çfarëdo ndryshimesh në format e shtetësisë nacionale Sovjetike” (vep.cit.f.190). Ndërkaq, kundërthënien midis shtetësisë nacionale (që e presupuzon principin territorial-kombëtar dhe forcimin e elementeve nacionale në federatën Sovjetike) dhe të kategorisë një komb/një shtet, duhej ta zbërthente aplikimi i principit të centralizmit demokratik me të cilin rregulloheshin interesat e ndryshme nacionale dhe esenca klasore e shoqërisë sovjetike në ndërtim e sipër. Se si dukej në praktikë zbatimi i këtij principi (centralizmi demokratik) s’ka ndonjë nevojë të komentohet. U pa nga vetë ndryshimet në linjën e përgjithshme politike gjatë zhvillimit socialist të BRSS; d) Metodë tjetër me rëndësi për avancimin e proceseve integruese ishte dhe akoma është përdorimi i gjuhës ruse si lingua franca e nacionaliteteve sovjetike. Përdorimi i rusishtes në rend të parë zbatohet në organet e shtetit: “Organet e shtetësisë nacionale, -siç thonë sovjetikët, -gjithnjë e më tepër e përdorin jo vetëm gjuhën amtare të nacionaliteteve indogjene, por gjithashtu edhe rusishten si mjet të komunikimit. Ky funksion bi-lingual i organeve të shtetësisë nacionale është trend i rëndësishëm për internalizimin e mëtejshëm të formës nacionale të shtetësisë së popujve të BRSS”. Fjala internalizim këtu e ka kuptimin e akceptimit vullnetar të rusishtes si lingua franca të nacionaliteteve të ndryshme, por edhe kuptimin e akceptimit të natyrshëm, të paimponuar, të ngritur në nivel gati të gjuhës amtare, për nacionalitetet jo-ruse. Në këtë mënyrë, zhvillimi i bi-linguizmit të nacionaliteteve sovjetike shndërrohet në “proces të natyrshëm të zhvillimit linguistik të popujve sovjetikë” (vep.cit.f.188). Kishte, natyrisht, edhe forma të tjera që u ndihmonin proceseve integruese në Bashkimin Sovjetik, por këto ishin më të rëndësishmet dhe nga to nxirreshin edhe të tjerat.

Populli /kombi/-shtet Sovjetik

Thelbin e proceseve të këtilla integrative e përbënte ligji i “lulëzimit dhe i afrimit” të popujve, të cilin Sovjetikët e cilësonin si jashtëzakonisht pozitiv: “Procesi i zhvillimit të shtetësisë nacionale-thoshin ata -është në rend të parë i determinuar me interakcionin e dy ligjeve të përgjithshme: e para, me lulëzimin e mëtejshëm dhe gradual të kombeve Sovjetike, dhe e dyta, me zhvillimin e përgjithshëm dhe me përmirësimin e demokracisë socialiste gjatë ndërtimit të komunizmit” (vep.cit.f.183). Veprimi i këtij ligji i nënshtrohej prioritetit të klasores mbi nacionalen dhe të internacionales mbi nacionalen. Sa i përkiste aspektit nacional të çështjes (principi i formacionit nacional-shtetëror), ai e nënkuptonte vetëm faktin se “një territor i caktuar integral duhet të jetë i banuar në mënyrë kompakte me anëtarët e ndonjë nacionaliteti të caktuar (ndonjëherë me dy ose tri nacionalitete të tilla), që mund të formojnë, qoftë shumicën relative, qoftë atë absolute, ose pak a shumë, një pjesë të rëndësishme të popullatës”. Mirëpo shteti, sipas teorikëve sovjetikë, nuk mund të formohet, e as të ekzistojë vetëm me këtë kusht; principi nuk mund të zbatohej në mënyrë të njejtë, si në socializëm ashtu edhe në komunizëm, ku tani një kohë të gjatë “veproi procesi i natyrshëm progresiv i forcimit të mobilitetit dhe i ngritjes së natyrës multinacionale të popullsisë nëpër republika dhe çarqe”(ibd.) Në këtë mënyrë bëhej e qartë se shteti Sovjetik e synonte krijimin e një kombi të vetëm sovjetik. Sigurisht nën presionin e shembullit amerikan, ku pohohej se tashmë ishte krijuar një melting pot (kazan tretës) për pjesëtarët e kombeve të ndryshme që jetonin atje, teoria dhe politika sovjetike bukur heret, qysh në vitet 60, u ngut të konstatojë se populli /kombi/ sovjetik tashmë ishte formuar. Çfarë ishte populli sovjetik sipas këtij konstatimi? “Populli Sovjetik -pohon Akademia e Shkencave të BRSS -në rend të parë, është një kolektivitet integral socialist (faqe 20 rreshti 5, -fjala e dytë e palexueshme) i cili i ka karakteristikat e përbashkëta të jetës së vet ekonomike, politike, ideologjike dhe shpirtërore dhe e ka përbashkësinë e interesave dhe unitetin e qëllimeve që realizohen si rezultat i aktiviteteve të përbashkëta të anëtarëve të barabartë të këtij fenomeni. Në rend të dytë është bashkësi social-klasore që karakterizohet me përbashkësinë e jetës ekonomike, strukturës sociale, të sistemit shoqëror-politik, ideologjisë marksiste-leniniste, me përmbajtjen socialiste të kulturës, me mënyrën e jetesës dhe traditat, me psikologjinë nacionale, me lingua franca të përbashkët dhe me vetëdijën e përbashkët mbi përkatësinë e vetëm një atdheu unik dhe një bashkësie të re historike. Në rend të tretë, populli sovjetik është një etnitet unik i formuar prej llojllojshmërisë nacionale dhe prej kombeve, nacionaliteteve dhe grupeve të ndryshme nacionale” (vep.cit.f.219). Populli i tillë sovjetik i mbështetur nga shteti sovjetik në të vërtetë e përbën kombin/shtet sovjetik ose së paku, synimet e qëllimit të tillë në realizim e sipër. Nga ato nuk u hoq dorë as me ndryshimet demokratike në Bashkimin Sovjetik. Aq më tepër, në BRSS llogaritet se me to mund të pritet forcimi i kësaj tendence.

Kritika e thelluar-aspekti teorik

Parashtrimi i tillë i metodave dhe i instrumenteve për realizimin e zhvillimit kardinal të politikës dhe të teorisë politike -komb/shtet sovjetik, nuk është bërë me qëllim që të quhet si utopik e as përpjekjet për zgjidhjen e çështjes nacionale atje nuk do të cilësohen si kamuflim ideologjik. Tek e fundit, shumë teorikë jshtë BRSS megjithatë konstatojnë njëzëri se rusët, duke e tentuar asimilimin e të tjerëve, morën nga ata, (d.m.th. nga nacionalitetet jo-ruse), shumë veti kulturore. Ndërkaq, në tendencat e tanishme pa dyshim është e pranishme edhe frika për të ardhmen e largët, kur shtimi demografik i popullsive jo-ruse eventualisht mund t’i “gëlltisë” rusët, pikërisht si në Indi, ku pushtuesit eventualë, gati gjithmonë shndërroheshin në të pushtuar dhe asimiluesit në të asimiluar. Mirëpo, tani për tani, këto gjëra ndodhen larg realitetit të mundshëm. Synimet e tilla për formimin e kombit/shtet sovjetik nuk cilësohen si utopi e kamuflazhë, për shkak se proceset atje akoma nuk kanë përfunduar, ndonëse duken qartazi të dështuara dhe për shkak se synimet për realizimin e qëllimeve të tilla janë njësoj prezente edhe tek pala tjetër siç u pa nga teoritë e parashturara të proveniencës përendimore dhe kudo në botë. Ndryshimet e preferuara në Evropë nuk e vënë në pyetje qëllimin, por vetëm metodat. Sa i përket qëllimit, komunistët e besonin lindjen e ardhshme të parajsës komuniste dhe për aq mbetën të mashtruar. Ndërkaq të tjerët i besuan metodat, qëllimin e nënkuptonin, dhe nuk e lodhnin mendjen me përmbajtjen e tyre (thelbësisht të njejtë). Moslodhja e mendjes për inteligjencien e kombeve të vogla është një luks që kushton shtrenjtë. Për këtë shkak, vërejtjet nga aspekti i kritikës së thelluar të aspektit teorik të çështjes ndoshta do t’i ndihmojnë mendimit të drejtë.

Teza mbi prioritetin e klasores në raport me nacionalen, e cila esencialisht do të thoshte se zhvillimi i përgjithshëm i kombeve dhe i nacionaliteteve Sovjetike, në pikëpamje të formës ishte nacional dhe në pikëpamje të përmbajtjes -socialist, d.m.th. klasor, e gjente mbështetjen e vet në teorinë marksiste. Mirëpo teoria marksiste këtë teori e kishte vënë në kontekst të qëllimit revolucionar: proletariati si subjekt -bartës i revulucionit, kudo ishte njësoj dhe kudo e kishte qëllimin e njejtë-përmbysjen e borgjezisë. Proletariati, megjithatë, këtë funksion mund t’a kryente vetëm si klasë e kombit të vet. Konstituimi si klasë e kombit të vet nuk e nënkuptonte formalizimin e vetive kombëtare, relativizimin e interesave të veta kombëtare dhe nënshtrimin e tyre ndaj interesave të tjera (internacionaliste), por arritjen dhe realizimin e atyre interesave me luftën e përbashkët të klasave, në suazat e kombeve individuale dhe në ambientin e përbashkët ndërkombëtar. Në frymën e teorisë së vet, sovjetikët i ndihmonin lëvizjet revolucionare të Botës së III-të, por gjithnjë në kontekst të kujdesit për reakcionin e palës tjetër (amerikanëve), i favorizonin grupet e caktuara por ndihma e tyre rrellëherë ishte në nivel të nevojave reale. Ndërkaq, në plan të brendshëm, në kushtet kur proletariati e kishte marrë pushtetin, theksimi tej mase i klasores e kishte për qëllim shpejtimin e proceseve integruese në kuptim të asimilimit të shpejtuar e jo të tretjes së vullnetshme të tyre siç shpjegonin sovjetikët. E presupozonte ekzistimin e një qendre dhe të një administrate të centralizuar, formimin e një kombi/shtet me një gjuhë të vetme – rusishten, në fillim si lingua franca, e më vonë si gjuhë e vetme për të gjithë pjesëtarët e të gjitha kombeve dhe nacionaliteteve sovjetike; e nënkuptonte një botë ku rusishtja do të dominonte si gjuhë e vetme komunikimi ose së paku do të shtyhej baraz me anglishten; një imperium proletar rus në suaza të planetit, që ishte pikërisht e kundërta e ëndrrës anglosaksone: imperiumi borgjez anglosakson me sundimin e anglishtes. Rusët, me fjalë të tjera, nuk e luftonin imperializmin me qëllim të çrrënjosjes së eksploatimit, por me qëllim të barazimit me të. Socializmi nuk u konsiderua qëllim në vete, e as për dobi të njerëzimit, por vetëm instrument i forcimit të interesave vitale të kombit rus të shkrira në interesat vitale të shtetit sovjetik. Kjo gjë, sikurse dhe te pala tjetër, e vërteton tezën se sistemet e mëdha të mendimit gjithmonë janë globale, dhe nuk kufizohen në suaza nacionale, e as regjionale. Mbeten humane për aq sa mund t’i shërbejnë njerëzimit në përgjithësi, dhe jo vetëm kombeve të veçanta, ose po qe se tregohen humane për këto të fundit, mund të jenë të dobishme edhe për njerëzimin, por jo duke e tretur individualitetin e popujve dhe të kombeve.

Në çastin kur marksizmi në BRSS dhe në vendet e real-socializmit dhe të socializmit në përgjithësi, detyrimisht ishte shndërruar në teori sunduese të shoqërisë së dhënë, revulucionariteti i saj (i teorisë) doemos duhej të reduktohej në komponentën e ndërtimit socialist, d.m.th. në të kuptuarit e këtij realitetit (politik) si vazhdimësi e revulucionit. Përndryshe, po të mbetej vetëm si teori e pushtetit, sikurse që ndodhi, do të shndërrohej në teori të status-quo-së politike. Do t’i ngjante, siç i ngjau, teorive të tjera globale (krishterizmit, islamizimit), të cilat e ndanë fatin e njejtë të transformimit prej teorive revolucionare në ato të status quo-së. Do të dështonte nga domosdoshmëria e zhvillimit të proceseve shoqërore dhe duket se dështoi: Bota e mileniumit që vjen nuk mund të jetë botë e atij që na braktis.

Mirëpo, proceset shoqërore askund nuk u zhvilluan në mënyrë lineare; askund nuk përfunduan në mënyrë kategorike, të pastër; askund nuk u zhdukën pa gjurmë. Andaj, ato vazhdojnë të koekzistojnë; të thyhen ndër vete; të papërfunduara dhe pa mundësi që të përfundojnë përfundimisht. Mençuria konsiston në faktin që të ndihmohen mendimet dominante që e çajnë rrugën përpara dhe e zhvillojnë shoqërinë në tërësi.

Rusët dhe sindromi i sigurisë

Në plan të politikës së jashtme, insistimi mbi prioritetin e klasores përkundrejt nacionales doemos duhet vështruar në kontekst të mundësive për realizimin e një qëllimi të tillë. Mundësitë e një shteti të madh janë gjithashtu të mëdha. Për këtë shkak teza e këtillë deomos paraqitet në funksion revulucionar-ekspanzionist në plan të jashtëm (imperium proletar) dhe në funksion të forcimit të Unionit Sovjetik, në plan të brendshëm;- të ekzistimit të një qendre të caktuar, të një force drejtuese-shtytëse. Teoria sovjetike, në kontekst të këtij konstatimi, e theksoi rolin e veçantë të kombit rus në formimin, por edhe në konsolidimin e Unionit Sovjetik. Ajo e bënte këtë sepse, sipas saj, Revolucioni i Tetorit kishte shpërthyer më parë në Rusi, e pastaj ishte zgjeruar edhe tek të tjerët, sepse kombi rus, në Rusinë Cariste, kishte qenë më i zhvilluari dhe zhvillimi i tij i kishte ndihmuar edhe të tjerët, dhe sepse kishte pasur merita kolosale në mundjen e fashizmit gjatë Luftës së II-të Botërore. Të gjitha këto fakte, nga aspekti i qëllimit të sotëm, mund të kontestohen, por mjafton të konstatohet se teoria sovjetike që e pretendonte mbështetjen në marksizëm, në këtë mënyrë kishte rënë në pozitat e teorive mbi maksimalizimin e fuqisë: krijimi kombit/shtet sovjetik; proceset e përshkruara integruese; rusishtja si lingua franca etj. e kishin vetëm një drejtim -atë të rusifikimit të nacionaliteteve të tjera sovjetike dhe asimilimin e tyre e jo atë të forcimit të identitetit të tyre dhe as të zhvillimit. Shoqëria e përzier sovjetike rusët i kishte bartës të saj, pikërisht si edhe tek amerikanët: shoqëria e përzier amerikane -anglezët i kishte bartës të saj. Ideologjia komuniste dhe teoria marksiste në këtë mënyrë ishin vënë në shërbim të aspiratave dhe interesave vitale të kombit rus.

Mirëpo në nivel praktik-politik, formimi dhe forcimi i shtetit sovjetik filloi si formim dhe forcim i pushtetit të klasës. Shteti konsiderohej aparat dhune në duart e klasës (punëtore). Në këtë masë roli i ideologjisë dhe teorisë nuk mund të reduktohej tërësisht në kamuflim të interesave ruso-mëdha. Më vonë shteti u konsiderua si aparat gjithëpopullor “i cili i shprehte interesat dhe vullnetin e punëtorëve, fshatarëve dhe intelegjencies së të gjitha kombeve dhe nacionaliteteve (shih N. Pashiq, Uporedni Politicki Sistemi, Beograd, 1978, f.206), por të cilin e karakterizonte nënshtrimi rigoroz i të gjitha republikave ndaj principit të centralizmit demokratik edhe në ekonomi dhe në të gjitha aktivitetet tjera”(ibd.). Shteti i tillë Sovjetik nuk do të mund të funksiononte pa përfaqësimin, së paku simbolik, të nacionaliteteve jo-ruse në organet e pushtetit. Sipas një tabele që e bënë z. Brzezinski dhe S.P.Huntington (shiko tabelën!), përfaqësimi i nacionaliteteve jo-ruse në organet e larta të pushtetit dhe të PK të BRSS ishte shumë më i ulët se sa pritej. Nga ana tjetër u vu re një rënie konstante e këtij përfaqësimi në krahasim me periodën e Leninit; një disproporcion i madh midis përfaqësimit të kombeve sllave dhe jo-sllave dhe në fund, një tendencë që kombet jo-sllave të përfaqësohen më tepër në organet reprezentative, të cilat cilësoheshin si “organe dinjitoze (dignified), e jo në ato ekzekutive, të cilësuara si institucione efikase të pushtetit (efficient organs of power). Për këtë shkak, ndonëse do të ishte e arsyeshme të besohej se ideologjia komuniste nuk u vu menjëherë në shërbim të interesave shteto-mëdha ruse, ajo ngjau paralelisht me forcimin e organeve të reja, dhe roli i tillë forcohej paralelisht me forcimin e pushtetit. Sipas faktit të rënies së përfaqësimit të nacionaliteteve jo-sllave në organet e larta të pushtetit sovjetik; sipas veprimit të ligjit mbi zhvillimin e pabarabartë ekonomik i cili për shkak të logjikës inherente të përmbajtur në të dërgoi në thellimin e diferencave të zhvillimit dhe jo në zhdukjen e tyre, dhe sipas shumë indikatorëve të tjerë, duket se atje komunizmi nuk dështoi befasisht, por qe braktisur gradualisht, dhe pikërisht atëherë kur trumbetohej se kishte triumfuar plotësisht. Ky konstatim është me rëndësi, jo për të kundërshtuar modën (është bërë modë të festohet dështimi i tij), e as për të apeluar kthimin e tij (se nuk mund të jetë i njëjtë), por për perceptimin e drejtë të së ardhmes. Popujt nuk janë kalamaj që vazhdimisht të manipulohen. Vetëdija e tyre është në rritje e sipër dhe ajo do të materializohet si e vërtetë për veten pavarësisht nga forca totalitare e aparatit të shtetit.

Duket sikur përfaqësimi i nacionaliteteve jo-ruse, e sidomos jo-sllave, e ka patur funksionimin përcjellës të eleminimit të vetmisë ruse, të mosmbetjes vetëm, të një sigurimi shpirtëror kolektiv të materializuar si politikë. Paralelisht me forcimin e rusëve si komb, reduktohet përfaqësimi i nacionaliteteve jo-ruse dhe jo-sllave. Sindromi i tillë i sigurimit të rusëve duket të mos jetë i rastit. Lidhet me pozitën e tyre gjeografike dhe gjeopolitike. Dikur vendet imperialiste të Evropës pushtimet dhe zgjerimet imperiale i bënin duke qenë të sigurt në Evropë. Ndërkaq, Rusia Cariste zgjerohej duke e shtyrë vazhdimisht kufirin e vet, përderisa në vitin 1650 (shek. XVII) nuk u konfrontua me Kinën në Azinë Qendrore dhe më vonë, (shek. XIX) në lumenjtë Usur dhe Amur, për të përfunduar në konfrontimin me fuqitë tjera imperialiste në territorin e Kinës (shek. XX). Përpjekjet e saj për të depërtuar në ujërat e nxehta të Oqeanit të Qetë gjatë shekullit XIX dhe gjatë fillimit të shek. XX u kundërshtuan nga Japonezët, nga Kina dhe nga fuqitë imperialiste të Evropës, veçanërisht nga Britania e Madhe, e cila i frikësohej rrezikimit të rrugës për në Indi (koloni e saj). Në këtë mënyrë pati dështuar plani i supozuar se Rusia Cariste e kishte ndërmend të formonte një punkt të ri të perandorisë në Lindjen e Largët dhe të delte në detin e nxehtë kinez (shih Harrison E. Sulisbury, The War Between Russia and China, Pen Books, London, 1969. f.19). Dalja në ngushticën e Beringut (1784) nuk ishte supstitucion për të parën dhe nuk paraqiste rrezik për interesat amerikane, me të cilët, pas blerjes së Alaskës, i ndante ngushtica e Beringut.

Rusia Cariste u formua si shtet dy-kontinental (me kokën në Europë dhe me trupin në Azi): “E ndarë -shkruan një disident Sovjetik, -ajo e stimulon sulmin, por e bashkuar, e stimulon ekspanzionin në të gjitha drejtimet” (shih Vernon V. Aspaturian, The Soviet Union as an Actor in the International System, në Roy C. Macridis, ed. Foreign Policy in World Politics, V-th ed. Prentice-Hall, Inc. Engelwood Cliffs, New Jersey, 1976, f.165). Mirëpo kjo ngjet jo vetëm sepse BRSS i zë dy gjysma të dy kontinenteve, siç mendon Aspaturian, por edhe sepse e posedon pikën kyçe të Euro-Azisë (me regjionin e gjerë rreth Uralit). Duke filluar nga kjo, sigurimi fizik i Rusisë dikur në mënyrë decidive lidhej me hapësirën tokësore që e synonin Aziatikët, si p.sh. sulmi i mongolezëve gjatë shek. XII-të, por edhe gjermanët nga Evropa, me sulmet sukcesive gjatë historisë. Ndërkaq, sigurimi psikologjik lidhej me nevojën për centralizimin e pushtetit shtetëror (faktori subjektiv).

Sipas Halford J. Mackinder (vepra klasike: “Democratic Ideals and Reality”, New York, Holt Rinehart and Winston, 1942):

“Ai që e sundon Evropën Lindore, komandon me Heartland-in (Heart land=zemra e dheut), në kuptimin e gjerë -EuroAzia ose ujdhesa botërore; në kuptimin e ngushtë=regjion i gjerë kufitar midis dy kontinenteve i pikasur rreth Uralit); ai që e sundon heartland-in e komandon ujdhesën botërore, dhe ai që e sundon ujdhesën botërore, komandon me botën” (vep. cit.f.150).

Këto botëkuptime ekstreme të determinizmit gjeografik nuk mbetën pa u reflektuar edhe te liderët e nacionalizmit gjerman të cilët “Drang nach Osten-in” e tyre (Depërtimin drejt Lindjes), d.m.th. drejt BRSS, e kuptonin si të drejtë të natyrshme të kombit në ekspanzion (gjermanëve) e të industrializuar pas rivalëve të tyre në Perëndim (Franca, Britania). Mirëpo edhe më herët (qysh në shek. XIX) rivaliteti me gjermanët do të jetë bazë e një miqësie dhe e aleancave të shumta ruso-franceze, por edhe e pretendimeve të herëpashershme për të formuar një cordon sanitair rreth Gjermanisë, dhe i cili do të pretendonte t’i lidhte kombet sllave dhe të zgjatej gjer në Adriatik (Entente-a e Vogël midis dy luftërave botërore), ose si imperializëm carist, të depërtonte në Bosfor dhe mundësisht të vendosej në Stamboll (Konstatinopol) prej nga do t’i kontrollonte Dardanelet (viti-1877 gjer në Luftën e I-rë Botërore).

Pretendimet dhe synimet e këtilla të imperializmit carist dhe kundërthëniet me imperializmat e imperatorive të tjera (britanikët, francezët, më vonë amerikanët në rolin e trashëgimtarit të interesave britanike) u reflektuan edhe në BRSS, por tani ideologjia komuniste ishte më rigoroze; shteti Sovjetik-më i fortë dhe drejtimet e zgjerimit më të theksuara: Stalini e vendosi kontrollin e shtetit sovjetik mbi tërë Evropën Lindore, pos në Jugosllavi, që e humbi në v. 1948, dhe në Shqipëri, në vitet 60. Stalinistët tjerë më vonë e vendosën kontrollin e shtetit Sovjetik në Kubë (ku orthodoksizmi doktrinar i Fidel Castros gërshetohej me orthodoksizmin fetar të grekëve); në pjesë të Lindjes së Mesme (veçanërisht ku kishte orthodoksë, si në Liban e Siri), në Afrikë (poashtu te shtresat sunduese orthodokse në Etiopi) e gjetiu. Në Evropë kontrolli i shtetit Sovjetik mbi Evropën Lindore arsyetohej me interesat e sigurimit të shtetit Sovjetik, por me një fjalor ideologjik komunist, i cili në të vertetë mund të përkthehej si interes i sigurimit të regjimeve komuniste (të cilat ishin të imponuara dhe të cilat nuk i donin popujt e këtyre vendeve). BRSS më vonë nga kjo hoqi dorë. Por prej cilës gjë nuk hoqi dorë dhe akoma nuk mund të heqë dorë?

Sovjetizimi i interesave ruse

BRSS sipas Kushtetutës së v. 1977 definohet si shtet unik federativ multinacional … që e mishëron unitetin shtetëror të popujve, i bashkon të gjitha kombet dhe nacionalitetet me qëllim të ndërtimit të përbashkët të komunizmit (shih Zbirka Novijih Ustava, Savremana Administracija, Beograd, 1979. f.135). Tani atje ndryshimet zhvillohen në drejtim të akceptimit të demokracisë, por ato nuk mund të bëhen duke mohuar menjëherë çdo gjë socialiste, në mos për asgjë tjetër, atëherë për shkak se shtresat e zhvilluara burokratike gjatë viteve të zhvillimit socialist do të duhej t’a mohonin veten dhe vullnetarisht do të duhej t’ia lëshonin pozitat shoqërore dhe shtetërore të tjerëve; do të duhej të krijohej një strukturë tjetër e organizimit shtetëror dhe do të duheshin shumë gjera të tjera. Për t’u arritur këto gjëra në thelb të “perestrojkës” dhe të “glasnostit”-it, do të duhej të ishin revolucioni dhe jo reformat. Andaj, meqë në thelb të tyre janë reformat e jo revolucioni, d.m.th. përmirësimi i raporteve shoqërore dhe jo çrrënjosja e tyre radikale, atëherë mbetet të shihet nëse mund të priten ndryshime në përcaktimin e interesave vitale të shtetit sovjetik. Tani për tani është vështirë të priten ndryshime të tilla.

Duke filluar nga elementet përbërëse të shoqërisë sovjetike, Vernon V. Aspaturian është i mendimit “se BRSS-ja në marrëdhëniet ndërkombëtare është e pajisur (në të vërtetë, e dhuntuar=endowed) me një shumësi identitetesh” (multiple identities) dhe se e “zbulon veten si agregat të pesë personaliteteve të institucionalizuara dhe të ndërvarura: . . . 1) të shtetit; 2) të partisë; 3) të kombit rus; 4) të kombeve jo-ruse (variabël) dhe 5) të bashkësisë multinacionale (vep.cit.f.153). Për këtë shkak, Bashkimi Sovjetik, shkruan Aspaturian “duhet deomos t’i artikulojë interesat e konstituentëve shoqërorë brenda sistemit shoqëror-politik në harmoni me strukturën lëvizëse të pushtetit dhe të prioriteteve. Kjo nga ana e vet, -shton ai, -doemos duhet të koordinohet me kërkesat e nacionaliteteve brenda rendit multinacional sovjetik dhe të harmonizohet me interesat e shteteve të tjera komuniste në nënsistemin ndërkombëtar (d.m.th. brenda vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës), para se të veprojë brenda sistemit të përgjithshëm ndërkombëtar (vep.cit.f.154). Siç është theksuar më herët, përfaqësimi në organet e larta të pushtetit sovjetik i nacionaliteteve jo-ruse nuk ka qenë gjithaq i theksuar, por megjithatë ekzistonte. Dhe nuk ishte proporcionalisht i njëjtë në të gjitha organet qendrore të pushtetit Sovjetik (gati fare nuk i përfshinte organet ekzekutive). Kjo do të thotë se nacionalitetet jo-sllave nuk luanin ndonjë rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të shtetit. Për këtë shkak, por duke u nisur nga komponenta historike, edhe Aspaturian mendon se BRSS në rend të parë funksiononte si trashëgimtar dhe rojtar i interesave të kombit rus dhe i vlerave të tij. Në këtë kuptim kombi rus bile i ka “universalizuar” normat kulturale të rusëve si norma sovjetike dhe këtë e ka bërë në emër të progresit e jo në emër të rusifikimit të tyre (vep.cit.f.157). Interesat e kombit rus shteti sovjetik gati i ka realizuar në tërësi. Megjithatë, Aleksandër Solzhenjicin pikërisht nga pozita e këtij kombi më vonë do t’a bëjë njerën nga kritikat më të fuqishme kundër sovjetizimit të kombit rus. Në qoftë se fshatarët gjithkund janë bartësit e kombit dhe të kombëtares, e të këtillë, mendon Solzhenjicini, sidomos ishin në Rusi, atëherë pikërisht fshatarët e pasur (kulakët, siç i quajti Stalini) e luajtën një rol të tillë prioritar. Shkatërrimi i dhjetëra milionë kulakëve gjatë kolektivizimit në kohën e Stalinit, por edhe sovjetizimi i rusëve më vonë, kanë ndikuar në humbjen e shpirtit të kombit rus. Solzhenjicini, duke rënë në pozitat e errëta të misticizmit feudal, ua tërhoqi vërejtjen sovjetikëve mbi veprimet e mundshme retroaktive të historisë (shiko artikullin e tij të fuqishëm nga fjalimi famoz në Harvard më vitin 1978). Duke e dëgjuar këtë fjalim një ditë të vrënjtur me re e shi, i ulur mbi shkallët e bibliotekës së Harvardit, e vëreja se Solzhenjicini me mjekrrën e tij të gjatë, të nxiste përfytyrimin e një prifti rus që e kërkonte perëndinë, i vetmuar në horizontin e gjerë të stepes. Këtë fjalim të tij me të cilin i krahasonte sistemet e botoi revista Foreig Affairs, Spring, 1980. Me fjalë të tjera, ajo që me gjenialitetin e shkrimtarit botëror e vërente Aleksander Solzhenjicini ishte e lidhur me frikën instiktive nga sovjetizimi edhe i vetë sovjetizuesve (rusëve). Solzhenjicini e preferonte ri-orthodoksizimin e shpirtit rus dhe jo sovjetizimin e tij. Mirëpo frika e Solzhenjicinit ka të bëjë me sistemin ku artikulimi i interesave nuk bëhet vetëm përmes kanaleve të instaluara të pushtetit, por edhe përmes luftës së brendshme për pushtet. Në kuptimin global, duke e marrë parasysh realitetin teknologjik, nuklear e termonuklear dhe të bartjes interkontinentale të ngarkesave të tilla, qëllimet e politikës së jashtme sovjetike u reduktuan me kohë në maksimalizimin e fuqisë, të prestigjit dhe të pozitës së favorshme ndërkombëtare të vendit, e jo në proletarizimin ndërkombëtar. Konflikti i v. 1948 me Jugosllavinë dhe ai i viteve ’60 me Kinën dhe me Shqipërinë, ndikuan në drejtim të kristalizimit të konceptit të sigurimit në BRSS: parafytyrimi mbi rrezikimin permanent të sigurisë së BRSS u zëvendësua me perceptimin e sigurisë permanente, të rrethuar me vende miqësore socialiste, e më vonë edhe kjo u braktis. Siguria tani u mbështet mbi fondin e armatimit; vizioni fiks i Stalinit dhe i stalinizmit mbi koekzistencën midis dy kampeve të papajtushme ndërkombëtare u zëvendësua me akceptimin e rrugës jo-kapitaliste të zhvillimit (që akoma nuk u braktis, por që do të braktiset); doktrina mbi domosdoshmërinë fatale të luftës qëmoti u braktis në favor të kondominiumit, por edhe të modus-vivende-ve të ndryshme. Me fjalë të tjera, qëllimet universaliste ideologjike i erroduan vlerat e brendshme (sepse nuk mund të realizoheshin). Një ploitikë reale e jashtme e presupozonte ekzistimin e drejtpeshimit midis interesit nacional (në këtë rast sovjetik) dhe universalizmit ideologjik. Gjatë një kohe (prej Kongresit XX të PK të BRSS) një gjë e tillë e mundësoi paraqitjen e dy tendencave në politikën e jashtme sovjetike: 1) të njërës, që nuk hiqte dorë plotësisht nga premisat staliniste të politikës së jashtme dhe 2) tendencës së dytë, që ngulte këmbë në një vlerësim më “nacional” të situatës ndërkombëtare dhe të detyrave të politikës së jashtme sovjetike: “Perestrojka” dhe “Glasnosti” esencialisht janë mbisundim i tendencës së dytë. Proceset integruese të Evropës i ndihmojnë asaj. Mirëpo çështja e inkuadrimit të BRSS në Evropën e Bashkuar është çështje e komplikuar në vetvete, e cila do të zhvillohet varësisht nga ajo se sa BRSS interesat e sovjetizuara ruse do t’i perceptojë si interesa sovjetike e jo ruse, d.m.th. si interesa të të gjitha kombeve dhe nacionaliteteve të Bashkimit Sovjetik, e jo vetëm si interesa të kombit më të madh ose të një grupacioni kombesh (të kombeve sllave). Pavarësisht nga dëshira që t’i afrohet standardeve Evropiane, Bashkimi Sovjetik nuk është vetëm shtet evropian por edhe aziatik. Edhe po të dojë, ai nuk mund të heqë dorë nga një detyrë ambivalente që i imponohet: si një shtet edhe aziatik, do ta marrë me vete edhe Azinë, apo do të shkëputet prej saj? Me fjalë të tjera, evropeizimi i Evropës e nënkuptonte evropeizimin edhe të Bashkimit Sovjetik, ndërsa evropeizimi i BRSS e nënkuptonte evropeizimin (të përkthyera si sovjetizim) të pjesës aziatike të tij, por në mënyrë indirekte edhe të Azisë. Ky do të duhej të ishte shkaku i vërtetë i shqetësimit të letrarëve sovjetikë si Solzhenicini: do të orientohen për në Evropë apo do të mbeten në Azi? Dy shalqinj është gjë e vështirë të mbahen në një dorë, por kjo u përket sovjetikëve dhe jo neve. Ndonëse konsekuencat e vërteta të tilla do të jenë temë e shqyrtimit në artikujt tjerë që pasojnë mbi Evropën, tani është e udhës të konstatohet se është joserioze të manipulohet mbi dekompozimin e mundshëm të BRSS. Reflektimi i këtyre tezave në Kosovë nuk është në interesin e Kosovës. Ajo ka detyra të tjera që mund t’i realizojë dhe të cilat ajo do t’i realizojë vetëm duke e akceptuar drejt vendin e vet në nënsistemin dhe në sistemin e mendimit dhe të realitetit politik. (Lubjanë, Mars 1991)
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Pashtriku.org, 14. 05. 2013 – Metodat e mëtejshme për njësimin e kombit/shtet – Formimi dhe forcimi i shtetit multinacional Sovjetik vetëm në mbështetje të katër metodave të përmendura pa mbështetjen e proceseve të tjera integrative do të ishte i pafrutshëm. Në instancën e fundit do të rezultonte në formimin e një mekanizmi të pashpirtë që do t’i koordinonte pjesët e saj të ndryshme, por i cili gjithmonë do të rrezikohej nga tejveprimi i njërës ose pasiviteti i tjetrës. Për këtë shkak, teoria dhe praktika politike sovjetike i ndihmonte proceset integrative të cilat, në instancën e fundit, është dashur të rezultonin në formimin e një kombi sovjetik që do ta mbështeste shtetin multinacional sovjetik. Këto metoda të tjera kanë të bejnë me a) përkrahjen e proceseve integrative të popullsisë dhe me përzierjen e përbërjës nacionale të republikave, të regjioneve dhe të krahinave nacionale. Ndonëse është i ngjashëm me parimin e amalgamimit të kombeve nuk është identik me të. Amalgamimi është parim më i lartë dhe lidhet me vendimin e vullnetshëm për ta pranuar tjetrin në një komb të bashkëformuar. Ndërkaq, proceset e migracionit dhe të përzierjes së popullsisë janë derivative, praktike dhe sovjetët i quanin “internalizim i shtetësisë nacionale sovjetike”.

VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura