Pashtriku.org, 15. 05. 2013 – Në fillim të viteve ’90-të, Ukshin Hoti ka mbajtur shumë ligjerata shkencore për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Më 17.IV.1992, në lokalet e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë ai ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të vitit të IV të degëve: Histori dhe Filozofi-sociologji, të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, e shkëputur nga një seri ligjëratash me titull: “Për çfarë sociologjie politike në Republikën e Kosovës jemi”. Në vijim ju sjellim një pjesë të kësaj ligjerate me titull: “INDIVIDI DHE PROCESI POLITIK”.(Sh.Berisha)
Kolege dhe kolegë të nderuar!
Para afro njëmbëdhjetë vjetëve (ky gjysmë viti që ka mbetur nuk do të mjaftonte për një stabilizim elementar edhe sikur të ishin rrethanat jetësore normale), pra, para gati njëmbëdhjetë vjetëve, në po këtë fakultet, në po këtë degë dhe po në vitin e IV, pikërisht më 21 nëntor të vitit 1981 isha i detyruar ta ndërprisja serinë e ligjëratave me titull “Raporti midis interesit klasor dhe atij kombëtar” që e zhvilloja para moshatarëve tuaj, por jo edhe në lokalet e njëjta. Qëllimi kishte qenë që kolegët tuaj të asaj kohe të njiheshin me natyrën dhe me karakterin e interesave të njërës dhe dhe të kategorisë tjetër, d.m.th. të klasës dhe të kombit, si dhe me mënyrën e artikulimit dhe të realizimit të tyre. Kisha qenë i pakënaqur me njohuritë intelektuale që sundonin në Kosovë për kategorinë e fundit (kombi) dhe në interpretimin e shtangur, dogmatik dhe të shtrembëruar të kategorisë së parë (klasës). Atëbotë, në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë, në Fakultetin Juridik, Drejtimi Juridik Ndërkombëtar, e ligjëroja shkencën mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike (viti III) dhe Politikën e Jashtme të Jugosllavisë (Viti IV). Të njëjtën gjë e bëja edhe në qendrën e atëhershme krahinore për arsimin marksist “Eduard Kardel” në Prishtinë. Ndërkaq, si Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, me përkushtim të plotë iu kisha rrekur punës për vënien e themeleve të shtetësisë së Kosovës. Gjatë kësaj pune, por edhe si anëtar i forumeve të ndryshme të këtij lëmi në të gjitha nivelet (krahinor, republikan, federativ) kisha hasur në vështirësi të ndryshme dhe kisha vëne re mangësi të theksuara, jo vetëm në zbatimin praktik të interesave të sipërpërmendura të klasës dhe të kombit, por edhe në artikulimin dhe në shpjegimin teorik, veçanërisht të interesave të kategorisë së fundit. E dija se këto mangësi nuk ishin vetëm refleksion i situatës së brendshme por edhe i ndërlidhjes me rrethana të jashtme. I specializuar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike e Ekonomike, kisha vendosur të hulumtoja reflektimin e interesave të fuqive të mëdha në një pikë neuralgjike siç ishte Ballkani, dhe doja të mbroja disertacionin e doktoranturës pikërisht rreth mundësive reale të shqiptarëve për të lozur ndonjë rol më aktiv politik, si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë, në dobi të interesave të tyre kombëtare. Për këtë shkak, në atë kohë, së bashku me dy tre kolegë të tjerë, kisha qenë iniciator i organizimit të bisedave tematike në baza interdisiplinare shkencore me të cilat synohej si shquarja e talenteve të reja në fusha të ndryshme të shkencës ashtu dhe avansimi i një mendimi të ri politik që do t’i çante rrugët për zhvillimin e shpejtuar të Kosovës. Besoja sinqerisht se ngecja në zhvillim kishte qenë njëri nga shkaktarët kryesorë të ngecjes në të gjitha drejtimet dhe pasi që kisha pasur rastin ta njihja konkretisht një pjesë të mirë të botës së cilivizuar duke e përcjellur njëkohësisht literaturën politike në 4 gjuhë (dy prej të cilave botërore) që nga mosha njëzet-vjeçare vazhdimisht kam qenë i tmerruar me shkallën e ulët të zhvillimit tonë dhe sidomos me tempon tejet të ngadalëshme të kapërcimit të kësaj gjendjeje. Meqenëse zhvillimi është njëri nga interesat vitale me rëndësi kapitale për çdo komb, ishte e natyrshme që të gjitha këto, dhe veçanërisht seria e ligjëratave me titull “Raporti midis interesave të klasës dhe të kombit” të kishte zgjuar interesimin jo vetëm të studentëve por edhe të politikës në të gjitha nivelet. Ishte ajo një kohë kur tema të tilla të vogla shkaktonin telashe të mëdha, ashtu siç, në realitet, edhe më shkaktuan. Policisë i ishte dashur që në planin praktik ta përcillte aktivitetin tim në tri drejtime: a) në drejtim të aftësimit politiko-shtetëror të Kosovës. Politika e jashtme është njëra ndër tri shtyllat e shtetësisë së çdo shteti (dy të tjerat janë Armata dhe Judikatura) dhe pavarësisht nga fakti që aftësimin organizativ dhe aktivitetet e tilla ne i shihnim në kuadër të marrëdhënieve me botën e jashtme, ishte fare pak e besueshme se ato nuk do të çonin në një politikë të jashtme autoktone, që ishte njëri ndër themelet më të rëndësishme të shtetësisë së shtetit. Kosova nuk definohej si shtet por vetëm si autonomi me ingjerenca federale (element konstituiv i federatës) mirëpo ne këto “ingjerenca federale” dëshironim t’i shihnim gjithëkund, po sidomos në politikën e jashtme. Po qe se politika e jashtme ishte unike për tërë vendin dhe kishte parime të njëjta për të gjithë, sikurse thuhej, nuk kishte ndonjë arsye që midis asaj (Kosovës) dhe federatës të ekzistonte ndonjë ndërmjetësues. Në nivelet më të larta politike, në mënyrë të heshtur pranohej se nuk ishte bash ashtu: se kishte diferenca në interesimin e republikave të caktuara për të zhvilluar raporte dhe marrëdhënie të caktuara me shtete të ndryshme ose me regjione të caktuara të botës, por edhe ne nuk e mohonim një gjë të tillë. Edhe ne kishim interesa të caktuara me vende dhe regjione të ndryshme. Ashtu si do të vendosej për të gjithë duhej të vendosej edhe për ne. Këto teza, natyrisht, përkundrejt rezistencës së caktuar të disa qarqeve politike të Serbisë, gati u pranuan në tërësi dhe u sankcionuan me Kushtetutën e vitit 1974; b) sankcionimi i tyre do të thoshte barazim me republikat në Jugosllavi dhe ky barazim nga kjo fushë gati u arrit (përveç në dhënien e shtetësisë qytetarëve të Kosovës të mërguar në botën e jashtme, gjë për të cilën strukturat politike të Krahinës së atëhershme luftonin me strukturat e Serbisë). Një gjë e tillë e presupozonte luftën për aftësimin organizativ të Kosovës në këtë drejtim dhe gjatë kësaj periode kjo gjë pothuajse u realizua në tërësi; c) në drejtim të hapjes politike të Kosovës me Botën, veçanërisht me Shqipërinë e atëhershme enveriste, e cila qëndronte në raporte të prishura ideologjike me titizmin jugosllav. Duke menduar mbi tezën e përmbajtur në shkrimet e sotme të shtypit në gjuhën shqipe lidhur me atë se titizmi jugosllav dhe enverizmi i Shqipërisë ndodheshin në marrëveshje të fshehur përkitazi me Kosovën, mund të konstatohet se kjo ishte arësye kyçe e raporteve të prishura politike midis tyre. Megjithatë, kjo çështje ndihej si e pazgjidhur, por nuk kishte forcë për inicimin e zgjidhjes së saj konkrete.
Policia gjithashtu e kishte përcjellë aktivitetin tim edhe në dy drejtime tjera teoriko-shkencore: d) e kishte bërë analizën e shkrimeve të mia të kësaj kohe të botuar në «Rilindja», «Medjunarodna Politika», «Përparimi», «Zëri i Rinisë» dhe në botimet e veçanta shkencore; si dhe punën time në Universitetin e Kosovës në Prishtinë dhe në atë të Harvardit në Amerikë, ku gjatë vitit shkollor 1977/78 kisha qëndruar për specializimin e theksuar më herët. Në kuadër të temës, natyrisht se isha interesuar për statusin e mundshëm të Kosovës në të ardhmen, dhe për këtë qëllim nuk kisha përtuar të zhvilloja biseda jo-formale me zyrtarë të administratës amerikane, me ekspertë dhe me teorikë të ndryshëm të atjehit. Me disa prej tyre, që ishin të moshës së afërt, si me Steven Larabee dhe Jeramy Israel, që të dy në dijeni të plotë mbi problemet në Ballkan, ishim zënë edhe miq të profesionit. Na ndanin kahjet e mundshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të çështjes shqiptare. Amerikanët nuk e kuptonin dot se çështja shqiptare vështirë mund të konsiderohej si e zgjidhur në kuadër të interesave sllave.
– UKSHIN HOTI –
Në artikullin “Gishti i trashë i Vëllait të Madh” dhe në tekstin e diskutimit tim në Fakultetin Filozofik të botuar në “Alternativa”-5, 1990, kam treguar mbi esencën e akuzave të policisë dhe të dënimit tim si dënim ilegal i një aktiviteti legal të një individi, por në të vërtetë, hetimet tetë-muajshe në polici, që u zhilluan rreth 5 drejtimeve të përmendura, nuk ishin gjë tjetër veçse një dialog i mundimshëm, herë-herë me dorëza, dhe në shumicën e rasteve pa to, rreth argumenteve, nivelit intelektual-teorik dhe synimeve politike të Kosovës në tërësi. Kisha qenë plotësisht i vetëdijshëm se nuk e kisha bërë asnjë vepër penale, as sipas ligjeve të atëhershme, dhe në funksion të njërit nga kreatorët me rëndësi të politikës në nivele të ndryshme, nuk e kisha pritur burgosjen time. Për veprën politike prisja dënim politik dhe jo penal. Për këtë shkak, pavarësisht nga çmimi që duhej të paguaja për vepër të pabërë penale, kisha vendosur t’i mbroja gjer në fund qëndrimet e mia. Dhe i mbrojta. Konsekuencat e këtij vendimi po i bart akoma edhe sot, pas njëmbëdhjetë viteve, por nuk u pendova ndonjëherë dhe nuk e kam ndërmend të pendohem asnjëherë. “Dorëzat” u hoqën qëmoti; dialogu mbi Republikën përfundoi me aprovimin në Kaçanik të Kushtetutës së Republikës në Shtator të vitit 1991, por “dialogu” akoma nuk ka përfunduar as për sa i përket konstituimit të saj të plotë; as për sa i përket jetësimit të saj dhe as për sa i përket përmbajtjes së saj të ardhshme (demokratike).
Sociologjia Politike ka karakter pragmatik në dobi të shoqërisë. Meqenëse është ashtu, dhe meqenëse më tepër se çdo shkencë tjetër e hulumton lëndën e vet nga rrjedhat e padukshme të ujit nën akullin politik, pastaj meqenëse duke e ligjëruar këtë lëndë u burgosa në vitin 1981 për ta ndërprerë kështu serinë e ligjëratave me titull: “Raporti midis interesit të klasës dhe të kombit”, dhe meqenëse në ndërkohë ngjau shumëçka, u trazuan shumë ujëra, u shua shumëçka e vjetër dhe u lind shumëçka e re, atëherë është e udhës të vazhdojmë aty ku mbetëm para njëmbëdhjetë vitesh. Dhe, si atëherë, ashtu edhe sot do t’a hulumtojmë lëndën e Sociologjisë Politike. Së bashku do t’i shqyrtojmë ato çështje dhe ato tema që do t’i konsiderojmë të dobishme për Republikën e Kosovës. Natyrisht që do të mbështetemi në rezultatet e arritura të shkencës; do ta vëmë re kontekstin e ndryshuar politik të kohës, por as e para dhe as e dyta nuk do të na obligojnë që ta injorojmë realitetin e dhënë dhe nevojat aktuale që i shtron koha. Dhe si atëherë, ashtu edhe sot, nuk do të kemi konsiderata ndaj konsekuencave të mundshme nëse do të paraqiten si të tilla, sepse do të udhëhiqemi me mendimin se për atë nga e cila do të ketë dobi një shoqëri e tërë vlen të rrezikohet konformiteti individual. Është rrezikuar konformiteti i një shoqërie të tërë dhe do të ishte absurde të pretendonim se nuk është ashtu, se nuk po ngjet asgjë. Është duke ngjarë shumëçka dhe pa një logjikë të këtillë nuk mund të ketë kurrfarë avancimi të proceseve politike shoqërore. Po qe se individi arrin të identifikohet me idenë që tërheq përpara, me proceset që lëvizin gjithnjë, në kohën që mishërohet me të, me atë që mezi duket dhe që fshihet prapa perdes së kohës në jetën e përditshme, atëherë normat standarde me të cilat njerëzit jetojnë e humbin vlerën e tyre. Në vend të tyre krijohen norma të reja që i kapërcejnë kufijtë e zakonshëm të kohës dhe standardet e instaluara të historisë. Individi mund t’a ndjejë çastin kur ka ngjarë një gjë e tillë, atë zero-çastin e ngjarjes. Gjatë një procesi politik mund të ketë disa zero-çaste të këtilla. Ato mund të jenë të dhembshme, aq të dhembshme saqë çdo gjë tjetër e humb vlerën e vet të zakonshme, dhe vetë natyra e dhembjes mund të jetë fare e pakapshme nga mendja. Ndoshta në zero-çaste të këtilla vepron instinkti, ndoshta përvoja e akumuluar mentale dhe empirike apo ndoshta perceptimi subkoshient i ligjeve të natyrës dhe të shoqërisë. Për të tjerët kjo nuk është me rëndësi. Ata nuk e dijnë se ç’po ngjet dhe i shohin vetëm reaksionet e jashtme, të cilat doemos duhet t’i përgjigjen kërkesave të çastit dhe orientimit të kohës. Kështu koha, e cila perceptohet si ndërrim sukcesiv i çasteve, prej zero-çastit duket se është vetëm një vazhdimësi e njëtrajtshme e synimeve të përmbajtura në ngjarjet e mëparshme. Pastaj çdo gjë e merr formën e vet të zakonshme, sikur të mos kish pasur dhembje fare, ndonëse gjurma e zero-çastit doemos mbetet në ndonjë pikë të fizionomisë së individit, në ndonjë rrudhë të ballit apo në ndonjë qime të thinjur të flokëve. Lidhur me reaksionet e mëvonshme të këtij zero-çasti, Hegeli do të thoshte: “….se vetëm bota jonë fizike, dhe për aq më tepër, bota e qëllimeve dhe të interesave tona shpirtërore, mbështetet pikërisht mbi këtë kërkesë: që ajo e cila para së gjithash ekziston vetëm si subjektive dhe e brendshme të realizohet në objektivitet, kështu që vetëm te kjo qenje plotësisht e përcaktuar të ndihemi të kënaqur”. Mirëpo Hegeli është një idealist. Ka plotësisht të drejtë përsa i përket anës subjektive, ndjenjave individuale, të cilat shfaqen me avancimin dhe me kapërcimin e realitetit të dhënë, d.m.th., të një realiteti të caktuar. Vetëm se ai nuk ka të drejtë kur botën e qëllimeve dhe të interesave tona shpirtërore e lidh vetëm me subjektin dhe e nxjerr nga ideja absolute dhe kur realiteti objektiv atij i shërben vetëm si terren për realizimin e idesë. Filozofët u përpoqën tepër shumë të përcaktonin se cila ishte e para – ideja apo realiteti. Disa i barazuan që të dyja dhe i lidhën ndër vete, por diskutimi me këtë nuk përfundoi. Akoma edhe sot është duke vazhduar dhe pa dyshim se do të vazhdojë paralelisht me përparimin e shkencës dhe me akumulimin e rezultateve të saj. Mënyra e formimit të botës sonë të brendshme fizike dhe të botës sonë shpirtërore për ne është më me pak rëndësi. Atë e shpjeguan dhe e shpjegojnë të tjerët. Ne do të kënaqemi me konstatimin se bota e tillë formohet në kontakt të vazhdueshëm me realitetin e dhënë objektiv. Nuk do të mërzitemi nëse do të na cilësojnë si materialist, sikur që nuk do të mërziteshim po të na cilësonin edhe si idealist. Për ne është me rëndësi të konstatojmë se realiteti i dhënë objektiv i Kosovës së atëhershme jo vetëm se ishte i mangët, por kurrsesi nuk arrinte ta harmonizonte qëllimin me tempon e ecjes; dëshirën me mundësitë; realitetin me ëndrrën. A ishte vallë viti 1981, (të cilin do t’a konsiderojmë si një zero-çast), bashkë me ngjarjet e atij viti vetëm rezultat i kësaj dis-harmonie midis ëndrrës dhe realitetit; i jazit që thellohej midis objektivave të zhvillimit dhe vetëzhvillimit, apo kishte edhe diç tjetër? A mundet që ngjarjet e atij viti të konsiderohen vërtetë si një zero-çast i historisë? A ishin ato ngjarje vetëm një hallkë e rëndomtë e vargut të proceseve historike apo një hallkë e parëndomtë? A ishte një ndodhi e veçuar nga bota apo një pjesë e botës? Dhe, më në fund, ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi për ne, a thua Republika e Kosovës duhet të ngritet mbi parimin e kontinuitetit apo të ndërprerjes me të kaluarën? Çfarë është më e dobishme dhe më e mundshme për të ardhmen? Në ligjëratat nga Sociologjia Politike ne së bashku do t’i hulumtojmë përgjigjet në shumë pyetje të ngjashme, por hë për hë duhet akoma t’a thellojmë analizën e raportit midis individit dhe procesit politik. Në qoftë se akordohemi me botëkuptimin e Hegelit mbi subjektin si “diçka totale, dhe jo vetëm si diçka të brendshme…por edhe realizimin e asaj të brendshmes në të jashtmen dhe në të”, atëherë është e natyrshme që akceptimi mental i mangësive të realitetit të shkaktojë shqetësim. Dhe shkalla e shqetësimit rritet paralelisht me kuptimin e shkaqeve të ngecjes; ajo është për aq më e madhe sa është i thellë kuptimi i mangësive të realitetit dhe ndodhet në raport të zhdrejtë me kapacitetet intelektuale të kapërcimit të shkaqeve të plota të këtyre mangësive. Ndoshta kjo ndjenjë e fuqishme e manifestuar si shqetësim, si diçka negative për realitetin e mangët, e shtyn individin të veprojë. Efektin shoqëror të këtij veprimi e masin të tjerët dhe masa gjithmonë i përshtatet nevojave të kohës. Mirëpo rezultatet e përgjithshme shoqërore dhe politike mund të shihen edhe vetë. Po qe se individi mbetet në harmoni me ndryshimet pozitive të proceseve politike dhe shoqërore të kohës; po qe se me veprimet e veta i ndihmon avancimit të tyre dhe, duke i arsyetuar ato teorikisht i ndihmon kristalizimit dhe përcaktimit të tyre, kjo doemos do të mbetet vepra e tij që do të ndikojë edhe në kahjen e zhvillimit të tyre: “Jeta kalon në negacion dhe në dhembjen e vet…, -do të thoshte Hegeli, -dhe vetëm në saje të zhdukjes së kundërshtive dhe të kundërthënieve është për vete afirmative. Natyrisht, nëse ajo ngec në vetë kundërthënien, pa e zgjidhur dot atë, atëherë për shkak të kësaj kundërthënieje ajo rrënohet” (G.W.F. Hegel, Estetika I, Beograd, 1975, f. 98). Mirëpo ne nuk do të pajtohemi me këtë natyrisht dhe nuk mund t’a lejojmë rrënimin e jetës. Përmes ligjërimit nga Sociologjia Politike do të luftohet për zgjidhjen e kundërthënieve dhe të kundërshtive. Nuk ekziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë. Ndoshta do të humbet ndonjë betejë, por lufta doemos do të fitohet, sepse kurrnjëherë nuk do të pajtohemi me rrënimin e jetës, bile edhe në qoftë se do të jemi të detyruar që t’a humbim atë.
Kolege dhe kolegë të nderuar,
Në thellimin e mëtejshëm të analizës së raportit midis individit dhe procesit politik qëllimisht akoma nuk jemi duke bërë përcaktime e as definime të qarta. Sociologjia Politike në kohën moderne zatën filloi me analizën e raportit individ-shtet (“Princi” i Machiavellit për herë të parë u botua më 1514), ose të raportit elitë-shoqëri. Vilfredo Pareto, p.sh., librin e tij “Forma ed equilibrio sociale” (Forma dhe ekuilibri shoqëror), për herë të parë e botoi nga nga fillimi i këtij shekulli (1904). Ndërkaq, Gaetano Moska, librin e tij “Teorica dei governi e governo parlamentare” (Teoria e qeverisjes dhe qeverisja parlamentare) e botoi edhe më herët, me 1884, dhe pastaj, më 1923, librin “Elementi di scienza politica” (Elementet e shkencës politke). Koha (fundi i shekullit XIX) dhe vendi (Itali) kanë mjaft rëndësi, sepse preokopimet e autorëve me termat në fjalë i tregojnë çrregullimet në funksionimin e demokracisë në një vend ku zhvillimi industrial ishte i vonshëm. Mirëpo ne akoma do të ndalemi te raporti individ-shoqëri ndër ne në Kosovë dhe ndër shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm sepse ky raport ndër ne akoma është i gjallë dhe proceset janë akoma të papërfunduara, por sepse përmes individëve të caktuar është bërë orientimi i tyre drejt demokracisë. Në artikullin “Bëje ose vdis!” (Fjala, shkurt 1992), është përshkruar një moment i kërcimit kualitativ të procesit në drejtim të dialogut dhe të demokracisë. Përderisa përcaktimi për drejtimin demokratik të zhvillimit të procesit politik ishte i hershëm dhe ishte rezultat i njohurive mbi mangësitë e socializmit në përgjithësi, kapërcimi cilësor në proces ishte edhe rezultat i ndeshjes së vullnetit me realitetin; i konfrontimit të shpirtit me çelikun; i barazimit të jetës me vdekjen. Individi në këtë rast e kishte bërë shquarjen e çastit dhe të racionales brenda atij çasti. Me ca fjali tejet të shkurtëra, në një atmosferë tejet epike siç ishte cermoniali i varrimit të një dëshmori, e kishte artikuluar esencën e çështjes. Pastaj kjo gjë e kishte ushtruar ndikimin e vet të duhur në zhvillimin e mëtejshëm të proceseve. Një gjë të ngjashme e kishte bërë ish-Presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia, por në një atmosferë tjetër, solemne, në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Një komunist i përbetuar i shkollës së Enverit i fliste fjalët që shënonin një kthesë historike në historinë shqiptare, doemos në favor të interesit kombëtar. Për ata që ishin të vetëdijshëm për sakrificën shpirtërore në altar të çastit për hir të kombit, ishte ky fjalim i tij një pamje prekëse dhe njëkohësisht madhështore. Gjithsesi, kjo vetëdije për sakrificën shpirtërore të individit i ngriti në këmbë edhe ata që e ndjenin veten si fitimtarë; përfaqësuesit e demokracisë borgjeze i duartrokitën me dinjitet dhe i shfaqën respekt të duhur njeriut që po shënonte kthesë në historinë e një kombi. Mirëpo ky akt, ndonëse mund të mjaftonte për orientimin afatgjatë të procesit, nuk mund të shkaktonte kthesë radikale në shpirtin e njerëzve të rëndomtë në Shqipëri. Njerëzit e kanë vështirë t’i çrrënjosin bindjet e tyre të rrënjosura me dekada brenda një kohe të shkurtër siç është momenti i tanishëm politik. Për këtë shkak shtytjen vendimtare për një gjë të këtillë e dha Ismaiil Kadareja me aktin e braktisjes së Shqipërisë socialiste dhe të ikjes në Francë. Ky kolos i fushës së artit; gjeni i kombit por jo edhe i popullit (si p.sh., D.Agolli me poemën e tij -“Nënë Shqipëri”); krijues i cili më tepër se kushdo tjetër kishte arritur që t’a lidhte të veçantën me universalen; i cili së bashku me Konstandinin udhëtonte në thellësitë mitologjike të kohës për t’a sjellë Shqipërinë në bashkëkohësi dhe në gjerësinë e planetit (Koncert në fund të dimrit); që i lidhte yjet e largëta të horizontit shqiptar me puset e thella mitologjike të historisë së tij (Ura me tri harqe) dhe i cili nga dashuria e thellë që ushqente për Shqipërinë ia kishte lejuar vetes t’a quante “kuçkë” (Viti i mbrapshtë); ky kolos i letrave shqipe besonte me gjithë mend se do ta thyente rezonimin politik të Evropës mbi shqiptarët. Bile për hir të kësaj, me guxim të madh ishte lëshuar në baltën e shovinizmit evrocentrist dhe pastaj e kishte detyruar veten të sillet si një aventurier i rëndomtë: e kishte braktisur Shqipërinë, siç thoshte, për t’u kthyer në Shqipëri! Me këtë akt përfundimisht politik ai u fut në të panjohurën; koha do të tregojë nëse do të mbetet një romantik i fushës së letrave shqipe apo një profet i politikës.
Ismail Kadare ishte shkrimtar që u rrit së bashku me komunizmin në Shqipëri. Ndonëse shkrimet e tij përshkohen nga fryma bashkëkohore e letërsisë botërore, (vërehet në to një stil i veçantë, i prerë, me mendime të ngjeshura, një primat jo edhe aq i fshehur i kombëtares mbi klasoren), prapseprapë miliona lexues të rëndomtë shqiptarë të veprave të tij e identifikonin atë me komunizmin dhe e konsideronin si vlerë të veçantë të sistemit komunist shqiptar. Komunizmi shqiptar mund edhe të braktisej, por braktisja ishte e rrejshme, iluzore, përderisa Ismail Kadareja akoma mund të identifikohej me sistemin. Për këtë shkak akti i ikjes la vrragë të thella tek admiruesit e tij. Revista «Demokracia Autentike-DeA» që e drejtoja në Lubjanë, në numrin e vet të III-të, në faqen e I-rë e pati botuar me atë rast një poezi të fuqishme të një të riu 20 vjeçar-Ylber Hasanit, të cilit i kishte rënë ndërmend në mënyrë gjeniale ta bënte sintezën e rrotulluar të veprave të Kadaresë: “Dino Sinojmerin, -thoshte ky poet i ri, fuqia e poezisë së të cilit mund të matej vetëm me Republikën e Din Mehmetit, -përsëri duhet vrarë”. Dhe vetëm ky varg i kësaj vjershe mjaftonte për të ilustruar thyerjen e gjeneratave apo zero-çastin, por jo edhe dëshpërimin; pranimin me dinjitet të fatit historik, dhe jo me panik e huti. Për shkak të këtij qëndrimi dinjitoz të rinisë shqiptare; për shkak të këtij akceptimi kategorik, luftarak të fatit të dhënë dhe të asaj krenarie definitive që shprehej përmes vargjeve të këtij të riu, revista «DeA», një revistë përfundimisht politike, e theu traditën e revistave të llojit të vet dhe e botoi vjershën e tij në faqen e parë, me fjalët përcjellëse të kryeredaktorit -“Respekt talentit!”, të cilat në të vërtetë, pa ndonjë prapavijë tjetër, i shprehnin nderim guximit të gjeneratave të reja dhe vendosmërisë së tyre që të ecnin përpara së bashku me kohën. Aty nuk kishte vend për kurrfarë spekulimesh.
Rasti tjetër ka të bëjë me reagimin e një letrari, i cili rininë e vet e kishte kaluar nëpër burgje, dhe i cili për shkak të ngritjes konstante intelektuale më kishte bërë përshtypje. Gradualisht ishim shndërruar në miq të shtrenjtë të luftës. Atëherë kur gati sa nuk ngrinim rrugës për në Lubjanë në minus 30 gradë celzius, një pjesë të mirë të kohës e kalonim në diskutime konstante mbi letërsinë shqiptare. Kishte njohuri eruditi për letrat shqipe, dhe duke e ditur se nuk isha letrar me profesion, me zor të madh i pranonte referencat e mia ndonjëherë qëllimisht sarkastike për letrarët e ndryshëm shqiptarë. Veçanarisht me indinjatë gati të vërtetë e refuzonte konstatimin tim se Kadareja ishte gjeni i kombit dhe jo i popullit dhe shumë më pak i klasës. E donte Shqipërinë por mbi të gjitha e çmonte Kadarenë. Shqipëria dhe Kadareja për të ishin gati sinonime, kurse përmbajtja subkoshiente e tyre, ndonëse e refuzonte, megjithatë ishte socializmi militant shqiptar, dhe atij i bënte përshtypje përmbajtja e fjalës “militant” dhe jo aq vetë komunizmi si i tillë. Për këtë shkak, akti i ikjes së Kadaresë e gjeti të papërgatitur. Ndodhej në Lubjanë dhe më kishte çuar fjalë që t’a kërkoja në telefon, por e dija edhe vetë se duhej t’a kërkoja. Një burrë që dhjetë vite të plota i kishte kaluar në luftë për Republikën, me të cilin kishim përjetuar çaste tejet të vështira të jetës, por të cilave u kishte qëndruar stoikisht; një burrë për të cilin kujtoja se njëherë e përgjithmonë iu kishin tharë lotët dhe nuk mund të qante, tani në receptorin e telefonit mezi e përmbante ngashërimin: “Nuk e besoja, -tha ai me mundim, -se Kadareja mund t’a bënte një gjë të këtillë”. “Qetësohu -i thashë unë, -e bëri ate që duhej bërë, se ishte i detyruar t’a bënte”. Dhe pyetjes së vetes sime se a ishte vërtetë Kadareja i detyruar ta braktiste Shqipërinë, logjika e pranishme brenda procesit politik gjithmonë i përgjigjej pozitivisht. Për këtë shkak mendoja se jo vetëm demokracia shqiptare, por edhe ajo evropiane, Kadaresë ia detyronte nderimin. Një akt i tillë i një gjeniu të mishëruar me kombin nuk ishte tjetër veçse sakrificë shpirtërore në altarin e kombit dhe të historisë. Pavarësisht nga ajo se intimisht asnjëherë nuk munda të pajtohem me një akt të tillë, nuk mund të mos i obligohem me respektin e duhur ndaj sakrificës së tij të vetëdijshme. Kombëtarja në këtë rast e kishte mbisunduar klasoren dhe ishte treguar më e fortë.
Akademik Rexhep Qosja, një figurë tjetër poliedrike e kulturës shqiptare, siç e vlerësuan qarqet letraro-intelektuale në Kosovë, por edhe në Shqipëri, poashtu ndoshta qe i detyruar që për hir të avancimit të proceseve në drejtim të demokracisë ta lëshonte një deklaratë me të cilën atëbotë e rrezikoi autoritetin e vet intelektual te një pjesë e mirë e intelektualëve të rinj shqiptarë. Akademik Qosja nuk ka qenë ndonjëherë enverist. Ai ishte intelektual i lartë dhe me siguri që s’mund të kishte ndonjë nevojë shpirtërore për të deklaruar se “Enveri kishte vdekur për së dyti”. Mirëpo, si duket, nevoja ishte e përmbajtur në proceset politike në Kosovë. Për këtë shkak një deklaratë e tillë dhënë “Zërit të Amerikës” s’ka se si të mos konsiderohet si flijim i vetëdijshëm dhe i qëllimshëm shpirtëror në altarin e Republikës. Në redaksinë e «DeA»-s ato ditë vërshoi një numër i madh reagimesh të nënshkruara nga qindra intelektualë të rinj. Më kujtohet një letër e gjatë, e hapur, drejtuar Akademik Qosjes, dërguar nga një regjion i Kosovës, e nënshkruar prej nja 70 intelektualëve të rinj. Kishin qenë të mllefosur me deklaratën e tij, dhe me një ton të ashpër, me një gadishmëri gati luftarake, insistonin që të kërkonte falje publike, kurse nga unë kërkonin që pa vonesë ta botoja një letër të këtillë. Intimisht nuk pajtohesha me deklaratën e Akademik Qosjes, por as që e dëshiroja botimin e një letre të këtillë. Në vend të saj «DeA» e botoi në tërësi intervistën e tij dhënë «Zërit të Amerikës» dhe përbri kësaj interviste e botoi një reagim të një lexuesi me të cilin në mënyrë korrekte, pikë për pikë, konfrontoheshin idetë, por jo sharjet. Ndërkaq arsyet e mospajtimit tim me një deklaratë të këtillë të Akademik Qosjes ishin dy llojëshe: a) me një anë mendoja se ndryshimet e kërkuara politike drejt demokracisë nuk kishin nevojë për shtytje inxhektive (me inxhekcione), por do të duhej që gradualisht të pasonin vetë, kurse b) nga ana tjetër mendoja se Enver Hoxha, me gjithë kontestimet e veprës së tij, kishte qenë figurë historike dhe se për të vetëm historia do të duhej t’a jepte vlerësimin e vet relevant. Në qoftë se komunizmi në Shqipëri duhej të ishte njëmend i vdekur, mendoja se nuk kishte nevojë të vritej për së dyti nga Kosova. Mirëpo vlerësimet pa dyshim kanë qenë ndryshe dhe kjo deklaratë e Akademik Qosjes ishte një akt guximi individual, me të cilin avancoheshin proceset e ndryshimeve politike në drejtim të demokracisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Për këtë shkak, ajo jo vetëm se ishte pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij poliedrike në sferën e kulturës shqiptare, por edhe akt guximi intelektual-politik që të detyronte respekt. Akademik Qosja, njësoj i madh si Kadareja, e ndante me të qasjen letraro-romantike ndaj problemit shqiptar, ose profetizmin politik, për të cilin do të duhej të fliste e ardhmja e afërt.
Lëvizja e proceseve politike në drejtim të demokracisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, do të ishte tejet dubioze dhe e ndarë me siguri në kategori të veçanta shoqërore, pa kontributin e veçantë të Adem Demaçit, -Bacit, legjendës së gjallë të popullit shqiptar. Ashtu si thotë edhe kënga, ai pjesën më vitale të jetës së vet e treti nëpër burgje dhe kazamate të titizmit jugosllav. I tërë një mekanizëm shtetëror dhe e tërë një makineri ndërkombëtare politike, me decenie të tëra u përpoq gati me sukses të plotë ta heshtte jo vetëm kuptimin dhe qëllimin e qëndrimit të tij nëpër burgje, por edhe vetë atë, ekzistencën e tij. Për këtë shkak figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore; Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli. Për politikën tani e tutje ishte i rrezikshëm, për aq sa ishte i rrezikshëm vetëdijësimi politik i popullit shqiptar. Dhe këtë ai e artikuloi me inteligjencën e tij të mprehtë; me shpjegimet e thjeshta, por definitive dhe të prera; me referencat e tij- shpatë që copëtonin, por që nuk thernin. Demaçi nuk e luftoi në veçanti asnjë armik, por që të gjithë së bashku. E luftoi dhe e mundi çdo kend dhe secilin që deshi t’a pengonte emancipimin e popullit shqiptar. Për këtë shkak figura dhe personaliteti i tij u mishërua me progresin; me çdo lëvizje progresive; me marshin përpara të proceseve politike ndër shqiparët në përgjithësi. Ai nuk i kontribuoi në veçanti asnjë kthese, sepse i shndërruar në popull, i kaloi që të gjitha së bashku me të. Megjithatë, të gjitha kthesat, edhe ajo e përcaktimit për Republikë, si dhe ajo e përcaktimit për demokraci, e vinin re Demaçin. Demaçi i shndërruar vetëm në vete, për të gjitha kthesat, do të ishte njësoj i rëndë, enigmatik, i pazbërthyeshëm dhe i panjohur. Për këtë shkak, madhështia e tij nuk qëndron në të njohurit e tij nga populli, por edhe në të njohurit e popullit në veten e tij. Komuniteti politik evropian me një gjest fisnik, duke ia ndarë çmimin Saharov, deshi ta nderonte, por Komuniteti politik evropian do t’ia ketë borxh gjithmonë respektin, sepse Demaçi i shndërruar në popull nuk mund të nderohet. Ai mund vetëm të respektohet. Për Demaçin mund të shkruhet gjithçka, por mund të thuhet vetëm një: është një histori e gjallë në lëvizje e sipër dhe si e tillë të detyron jo vetëm respektin, por edhe dashurinë; jo vetëm dashurinë, por edhe përcaktimin. Mund të jesh me të, përbri tij apo kundër tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij.
Njëra nga figurat më kontraverze politike shqiptare në ish -Jugosllavinë dhe në kohën e sotme pa dyshim është ajo e Mahmut Bakallit. Për të u shkrua dhe u tha shumëçka, por këtu nuk do të merremi me ato që u thanë dhe u shkruan rreth tij. Do të merremi me theksimin e atyre komponentave të veprimtarisë tij politike që ndikuan në proceset politike, të cilat aktualisht zhvillohen ndër ne dhe do të zhvillohen edhe më tutje. Në pjesën e parë të punimit “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë” (Alternativa-7-8/1990) shprehet mendimi se proceset aktuale politike në Kosovë e në viset tjera shqiptare në Jugosllavi, në Shqipëri, në Ballkan dhe në Evropën Lindore në përgjithësi nuk pikën nga qielli, por kishin një histori të mëhershme dhe nuk mund të vështroheshin ndaras nga kontestacioni i përgjithshëm teorik, praktiko-politik dhe ideologjik midis pjesëve të ndara të botës së atëhershme. Transformimet politike në drejtim të demokracisë në Jugosllavi në shumicën e republikave të saj (Kuçani në Slloveni; Raçani në Kroaci, por edhe vetë F. Tugjmani, ndonëse ish-i burgosur politik, ishte gjeneral i APJ; Kolishevski në Maqedoni; Kosovac në B e H), por edhe në Shqipëri (Ramiz Alia, si lider komunist) u zhvilluan nën udhëheqjen e liderëve titistë (në Jugosllavi) ose komunistë (në Shqipëri). Në Jugosllavi kjo ishte e mundur edhe për shkak se titizmi ishte komunizëm i llojit të veçantë, i cili që nga viti 1948 luajti rol të rëndësishëm në drejtim të demokratizimit të socializmit në përgjithësi. Në Kosovë, një liberalizim i raporteve të ngurta socialiste pati filluar qysh në vitin 1966 (Plenumi i Brioneve), por shkallën e vet më të lartë e arriti gjatë viteve ’70. Pikërisht në ato vite u shënua një ecje përpara në drejtim të emancipimit të kombësisë (si quhej atëherë) shqiptare. Teorikisht, vetë shprehja kombësi e shënonte rritën, fazën kalimtare prej pakicës kombëtare që ishte shprehje standarde e shumicës së shteteve për pjesët e kombeve të huaja të mbetura nën jurisdiksionin e tyre, e gjer te kombi ose kombi-shtet. Me akceptimin e kësaj shprehjeje dhe me zgjidhjet tjera, kushtetuta e vitit 1974 në esencë e kishte sanksionuar një gjendje kalimtare; një gjendje lëvizëse politike drejt forcimit të mëvetësisë së republikave që më vonë u shëndrruan në konstituim të shteteve sovrane në Jugosllavi dhe të shndërrimit të autonomisë së Kosovës në Republikë. Në vitin 1981 kjo kushtetutë (e vitit 1974) mund të abrogohej (gjë që edhe ngjau 8 vite më vonë), ose edhe mund të amandohej në drejtimin e theksuar, por ne në burg e kishim tejet të qartë qysh atëherë se ajo nuk mund të qëndronte edhe më tutje, sepse po të vështrohej vetë Kosova, ishte e qartë se ishte shënuar një rritë e veçantë e forcave të prodhimit që i tejkalonte kufizimet kushtetuese dhe kërkonte rrugë për të ecur më tutje; ishin vënë baza të shëndosha, ndonëse akoma ekstraktive të industrisë; ishte rritur numri i klasës punëtore, ndonëse jo aq sa duhej të rritej; ishte rritur numri i shkollave dhe i shkollarëve (operohej me shifrën rreth 500.000); ishte themeluar Universiteti i Kosovës në Prishtinë me rreth 50.000 studentë dhe ishte krijuar një elitë intelektuale-politike, ndonëse kishte akoma nevoja të mëdha për rritën e mëtejshme, sidomos të elitës tekniko-teknologjike dhe asaj shkencore. Nga ana tjetër, Kosova tashmë i kishte vënë themelet e shtetësisë në politikën e jashtme; në judikaturë dhe në polici; në mbrojtjen territoriale; në planifikim dhe në ekonomi. Në të gjitha këto drejtime proceset nuk ishin kompletuar, por nuk kishte kurrfarë dyshimi se do të kompletoheshin si Republikë. Gjatë tërë dekadës së viteve ’70 Mahmut Bakalli ndodhej në krye të LK në Kosovë e cila esencialisht ishte bartëse e pushtetit politik. Si figurë e rëndësishme politike, politikisht tejet i shkolluar dhe me inteligjencë të veçantë, intelektualisht u rrit së bashku me zhvillimin e proceseve të përmendura politike në Kosovë. Në qoftë se Demaçi mund të konsiderohet i tretur në popull dhe në synimet e tij, Bakalli doemos do të mishërohet me proceset politike të demokratizimit në Kosovë, pa ndonjë zero-çast të veçantë, sepse ato (zero-çastet) ishin të pranishme në orientimin e tij politik origjiner. Në fillim i hendikepuar me autoritetin e luftës të kuadrove të vjetra të luftës, (ishte i ri), së shpejti shpërtheu në vijën e parë dhe u bë njëri nga kuadrot më aktraktivë politikë të Jugosllavisë në Evropë. Në figurën e tij Evropa pas luftës së Dytë Botërore ndoshta për herë të parë në mesin e shqiptarëve filloi të dallonte dhe të shquante të ardhmen demokratike të kësaj treve. Bakalli ishte intelektual i tipit të demokratëve dhe jo komunist. Ai nuk u thellua ndonjëherë në njohjen e teorive marksiste dhe teorikisht sillej në sipërfaqen e titizmit me orientim të qartë liberal në demokraci. Ndoshta edhe për këtë shkak, por ndoshta edhe për shkak se ndodhej në luftë të vazhdueshme me hegjemonizmin e burokratizuar serb, i përjetoi rëndë ngjarjet e vitit 1981. I përjetoi si sulm jo vetëm në politikën e tij, por edhe kundër tij si person. Elitist në sjellje dhe në botëkuptime, megjithatë, gjer në fund u përpoq t’i shpëtonte ngjarjet nga kualifikimet e rënda politike (kontrarevolucion) për të cilat e dinte se do të përcilleshin me dënime të rënda. Ndoshta edhe për t’iu shmangur ndonjë konsekuence të rëndë, e ndonjëherë edhe për të provokuar forca të caktuara politike, e shihte të udhës të lëshonte ndonjë deklaratë ose ta bënte ndonjë sjellje ekzibicioniste me të cilat arrinte ta iritonte një pjesë të rinisë shqiptare, por përfundimisht, ndonëse gjer vonë në heshtje publike, qëndroi fuqimisht në anën e synimeve dhe të kërkesave të popullit. Me mekanizma të padukshëm politikë i ndihmoi dhe i avancoi ato. Jo me letrën drejtuar Zëvendës-Sekretarit të SHBA Lorence Eagelberger, por me një no return të tij, pikërisht atëherë kur duhej, përfundimisht i drejtoi proceset në drejtim të Republikës. Me këtë akt e pamundësoi zhvillimin e tyre në drejtim të luftës qytetare. Mirëpo, njëherit, me këtë akt të tij, me këtë no return d.m.th. jo kthim në gjendjen që do të ishte më pak se Republika, përfundimisht e radhiti veten në vijën e parë të figurave më të shquara politike të popullit shqiptar në përgjithësi. Me Bakallin njeriu me kënaqësi mund të zhvillojë luftë, por pa Bakallin lufta nuk ka ndonjë kuptim. Është koha që ai të kthehet në vendin e tij të merituar.
Kolege dhe kolegë të nderuar,
Me shprehjen proces politik nënkuptohet tërësia e veprimtarisë dhe e raporteve të subjekteve politike dhe të faktorëve të tjerë brenda ndonjë shoqërie globale. Shpeshherë kuptimi i kësaj shprehjeje është i njëjtë me shprehjen sistem politik, sepse që të dyja shprehjet kanë të bëjnë me hulumtimin e jetës politike në ndonjë shoqëri globale. Vetë fjala proces e nënkupton ndryshimin në lëvizje. Individi në proceset e këtilla politike ka rëndësi tejet të madhe dhe kjo rëndësi nuk mund të injorohet, sepse proceset do të vuanin dhe njerëzit së bashku me to. Në kuadër të hulumtimit të lëndës së sociologjisë politike, ne e pikasëm një proces, atë të ndryshimeve në drejtim të demokracisë dhe të Republikës, si dhe rolin e disa subjekteve, jo vetëm me qëllim të ilustrimit të fakteve, por në radhë të parë, me qëllim të shtyrjes së mëtejshme të vetë procesit. Me këtë nuk përfunduam asgjë. Vetëm sa i hapëm dyert për analiza të mëtejshme me shpresë se do të arrijmë atje ku duhet, në kompletimin e fundamenteve të përmbajtjes së Republikës.
Me fat na qoftë udhëtimi dhe faqebardhë caku! Faleminderit.
Prishtinë, më 17.04.1992.