UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (1)

Pashtriku.org, 15. 05. 2105 – (Kumtesë e paraqitur në Simpoziumin Shkencor të Akademisë së Shkencave të Republikës së Kosovës, të mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit 1991 me temën: “Shqiptarët dhe Evropa – dje, sot dhe nesër” dhe që në realitet është pjesa e fundit nga seria e artikujve me titull të përbashkët “Kosova dhe Evropa”)
Shtrirja e problemit
Sipas parametrave statistikorë të botës së sotme shqiptarët janë popull relativisht i vogël për kah numri, por i shpërndarë gati në të gjitha anët e globit. Thuhet relativisht për shkak se kjo varet nga çasja dhe definicioni i asaj që nënkuptohet me fjalët popull dhe komb. Po t’i qaseshim problemit p.sh., nga aspekti antropologjik, atëherë shqiptarët do të bënin pjesë ndër popujt mesatarë për kah numri, madje ndoshta ndër popujt mesatarisht të mëdhenj për kah numri, dhe do ta zinin një vend sigurisht jo ndër të fundit. Xheson Klej (Jason W. Clay), një antropolog i angazhuar në studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kombet i definon si “…grupe njerëzish me identitet të fortë kulturor dhe politik që janë të vetëdefinuara dhe të njohura nga të tjerët … grupe të cilat e kanë ushtruar kontrollin politik të fatit të tyre në të kaluarën (gjer në njëfarë shkalle) dhe të cilat kontrollin e tillë të fatit të tyre akoma e shohin si strategji të mundshme të së ardhmes…” Për ndryshim nga termat: popull indogjen (grupe distinkte kulturore që e kanë okupuar një regjion të caktuar shumë para ardhjes së imigrantëve ose grupeve koloniste), popull fisnor (tribal), grup distinkt kulturor që e ka ruajtur një ndjenjë të fortë të identitetit, (me gjuhë dhe me kulturë të ndarë nga të tjerët), të bazës territoriale dhe të një organizimi socio-politik të vetëmjaftueshëm që nga koha para krijimit të shteteve moderne; grup etnik (grupe distinkte kulturore brenda shtetit, që e ruajnë identitetin e tyre kulturor duke akceptuar dhe njëkohësisht duke operuar); brenda suazave institucionale dhe politike të shtetit, kombet i ruajnë institucionet e domosdoshme sociopolitike me të cilat e qeverisin veten; mund t’i kenë pushtuar të tjerët ose dhe mund të jenë pushtuar prej të tjerëve, por kufijtë shtetërorë rrallë herë janë shprehje e sipërfaqeve tradicionalisht të okupuara prej kombeve. “Për këtë shkak kohëve të fundit është shtuar termi kombi-shtet i cili reflekton dëshirën për krijimin e identiteteve të reja që korrespondojnë me kufijtë aktualë, por jo edhe të drejtë, politikë. Jason W. Clay pohon se gjatë procesit të formimit të shteteve, brenda tyre u përfshinë edhe rreth 600 milionë njerëz që u takonin kombeve të cilat nuk merrnin pjesë, ose vetëm pjesërisht merrnin pjesë, në kontrollimin e shtetit, por që gjithsesi nuk ishin bartës të tij. Këta njerëz klasifikohen në reth 10.000 kombe, përbëjnë mbi 10% të popullatës botërore dhe u takojnë rreth 30-40% tö sipërfaqes dhe të resurseve të përgjithshme të globit (shih Jason W. Clay,The Ethnic Futur of Nations, Third World Quaterly, October, 1989). Nga këto kombe, vetëm rreth 500 gjer 1000 syresh mund ta mbrojnë veten po të kenë armë. Të tjerat i nënshtrohen rrezikut të eksterminimit, ndërsa shekulli që pason do të vendosë për fatin e përgjithshëm të tyre (ibd.).

Ukshin Hoti në Tribunën politike “Kosova dje, sot dhe nesër” që u mbajt më 12 shtator 1991 në fshatin Kushtrim (ish’Billushë) të Prizrenit.

Ndërkaq qasja jonë ka të bëjë me definimin e shqiptarëve të konstituar si komb-shtet, në mesin e kombeve-shtete të tjera. Nga ky aspekt mund të thuhet se jemi një popull relativisht i vogël për kah numri, por jo edhe popull numerikisht i vogël. Shqiptarët fizikisht janë të aftë për mbrojtjen e vet dhe shekulli që pason duhet t’u hapë rrugë të reja për rritën dhe zhvillimin e tyre.
Në mënyrë të koncetruar dhe në një territor kompakt jetojnë në Shqipëri dhe në viset jugore të Jugosllavisë (Kosova, Maqedonia Perëndimore, në Serbinë jugore /Preshevë dhe Bujanovc/ dhe në Mal të Zi). Viset shqiptare në Jugosllavi gjeografikisht konsiderohen kompakte. Ndërkaq nga aspekti administrativo-politik janë të ndara në katër republika: (Serbi, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi) dhe në Shqipëri si shtet-amë. Synimi për një sovranitet shtetëror të republikave në fjalë çështjes shqiptare në Jugosllavi i jep një dimension të ri. E vë atë në kontekst të kërkesës për bashkimin e kombit, ashtu siç e parashtron Akademik R. Qosja (Zëri i Rinisë, nr. 1400-1401, 27 Prill-4 Maj 1991, “Çështja shqiptare dhe Jugosllavia”). Ndërkaq, në këtë punim fillohet nga premisa se Jugosllavia edhe më tutje do të ekzistojë si shtet dhe se kjo gjë nuk e përjashton mundësinë e shqyrtimit akademik të të gjitha varianteve dhe aspekteve të zgjidhjes së çështjes shqiptare në përputhje me synimet, me kohën dhe me mundësitë.
Vlerësimet e përgjithësuara statistikore theksojnë se shqiptarët në Jugosllavi përbëjnë rreth 40% të popullsisë së tërësishme shqiptare. Ndërkaq, duket se popullsia e përgjithshme shqiptare jashtë kufijve të shtetit-amë, Shqipërisë, është më e madhe. Ky fakt ka rëndësi të veçantë politike në radhë të parë për vetë shqiptarët, ndërkaq ai peshon edhe mbi politikën globale të fuqive në Evropë.
Shqipëria viabël
Nga ana tjetër, territori ku jetojnë sot shqiptarët rreth kufijve të shtetit amë, për kah sipërfaqja (mbi 10. 000 km/2. vetëm në Kosovë; X Km/2. në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi), ndërsa po të merrej parasysh edhe territori i Çamërisë (Epiri) në Greqi, do të duhej të ishte mbi gjysma e territorit të Shqipërisë (mbi 28.000 Km/2). Duket qartë se politika globale Fuqive të Mëdha në të kaluarën nuk e përgjysmoi Shqipërinë, siç mund të dëgjohet ngandonjëherë, por e reduktoi në një Shqipëri viabël, siç do të thoshte Arben Puto (shih “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha”, Tiranë, 1978) për interesat e drejtpeshimit të forcave në Evropë. Shqipëria viabël e kishte kuptimin e ekzistimit të një prapavije të mjaftueshme për mbrojtjen e portave detare dhe të aftësisë për mbajtjen e vetes pa shpenzime të fuqive. Mirëpo ajo nuk i përmbushte aspiratat legjitime të popullit shqiptar. Nga ky aspekt mund të thuhet se çështjen shqiptare e krijuan Fuqitë e Mëdha dhe se ato, normalisht, edhe do të duhej t’a zgjidhnin. Mirëpo Fuqitë e Mëdha nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa patur interesa të veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të këtillë nga vetë faktori politik shqiptar. Në të kaluarën, duke qenë prezent në vetëdijen politike shqiptare, por edhe objektiv evident i kombinimeve të ndryshme të strategjisë politike të Fuqive të Mëdha, zgjidhja e kësaj çështjeje u aktualizua herë pas here, por akoma mbeti për t’u zgjidhur. Problemi është kompleks dhe i ndërlikuar. Konsiston nga ajo që të dihet se a është e mundshme zgjidhja definitive e çështjes, si është e mundshme dhe në çfarë kohe?
Diaspora shqipare
Jashtë vend-koncentrimit dhe të origjinës së tyre në Ballkan, shqiptarët më së shumti u shpërngulën në Turqi. Ka vlerësime të ndryshme mbi numrin e shqiptarëve në Turqi, por nuk ka shënime të sakta statistikore mbi këtë. Në radhë të parë për shkak se Turqia në regjistrimet e veta statistikore nuk i shënon si të veçantë, por të gjithë ata që nuk deklarohen turq i shënon si të tjerë ose ardhacakë. Të tjerë atje janë edhe kurdët (vlerësohet se janë rreth 12 milionë), kurse ardhacakë janë edhe muslimanët e Bosnjës (numri i tyre vlerësohet prej 500 mijë vetave gjerë në një milion). Megjithatë, në saje të disa iniciativave dhe hulumtimeve të mëhershme shkencore te ne në Kosovë, numri i shqiptarëve në Turqi, të vetëdijshëm për përkatësinë e vet kombëtare, që e flasin gjuhën shqipe dhe që janë të gatshëm që në mënyra të ndryshme t’i mbrojnë interesat vitale të popullit të vet, vlerësohet në mbi një milion veta (më sakt, rreth një milion e dyqind mijë veta). Ky numër gjithsesi mund të kontestohet, por nuk mund të kontestohet historia e tyre 500 vjeçare në kuadër të Perandorisë Otomane (do të ishte, p.sh., interesant të vlerësohet numri hipotetik i shqiptarëve të asimiluar gjatë kësaj periode); nuk mund të kontestohen dyndjet e shqiptarëve për në Turqi: me rastin e luftërave të ndryshme Ruso-Otomane; me rastin e mundjes së armatave turke në Ballkan dhe të tërheqjes së tyre për në Turqi (aleancat anti-osmane të Ballkanit, luftërat ballkanike; Lufta e Parë Botërore; transferimi për në Turqi i “turqëve” grekë nga Çamëria dhe nga viset tjera (viti- 1923) dhe tani as që mund të kontestohet shpërngulja e shqiptarëve me presion politik dhe ekonomik në periodën midis dy luftërave botërore dhe në periodën pas Luftës së II-të Botërore). Kur të kihen parasysh këto fakte, numri i sipërpërmendur prej rreth 1.2 milion shqiptarëve në Turqi, bile përkundrejt rrethanave të ndryshme me ndikim në vetëdijen e tyre (p.sh. shkalla e indentifikimit në bazë të religjiozitetit), mund të konsiderohet optimal. Vende tjera të ngulitjes së shqiptarëve janë Evropa Perëndimore, Amerika dhe Australia. Në vitin 1976, derisa ndodhesha në postin e Sekretarit të atëhershëm për marrëdhënie me botën e jashtme, një zonjë nga Australia (drejtoresha e bibliotekës së shtetit nga Victoria) m’u pat drejtuar me lutje që t’i ndihmonim me libra në gjuhën shqipe për lexuesit shqiptarë në Melburne për të cilët vlerësonte se ishin mbi 40.000 veta. Në saje të këtij numri vlerësoja asokohe se në gjithë Australinë do të duhej të ishin rreth 100.000 veta me origjinë shqiptare. Aq më tepër, për shkak se Melburne-i vërtetë ishte njëri ndër qytetet e mëdha, por jo edhe i vetmi qytet i madh australian, dhe për shkak se konsideroja që shqiptarët e shpërngulur nuk ishin njerëz që i përtonin vendosjes edhe në komunitetet më të vogla të Australisë. Ndërkaq për numrin e shqiptarëve në Amerikë janë dhënë shpeshherë vlerësime të ndryshme që sillen prej 100.000 gjer në 500.000 veta. Mirëpo meqë vetëm në qytetin e New York-ut vlerësohet se ndodhen mbi 30.000 shqiptarë nga Kosova, është pak e besueshme se në gjithë kontinentin e Amerikës të ndodhen më pak se 500.000 shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare. Kur këtij numri të shqiptarëve të shpërngulur në vendet anglosaksone dhe në Amerikën Latine i shtohet numri gati i njëjtë i shqiptarëve të shpërngulur dhe të vendosur “përkohësisht” në Evropën Perëndimore, fitohet një shifër gati po aq me rëndësi sa edhe ajo në Turqi. Me fjalë të tjera, popullsia e përgjithshme shqiptare për kah numri nuk është edhe aq pa rëndësi. Në relacion me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe të Ballkanit, ajo në përgjithësi nuk është as dukshëm më e vogël dhe as e fundit. Komponenta e tillë të imponon nevojën për zgjidhjen e çështjes shqiptare në pajtim me nevojat për zhvillim dhe për integrimin e vet në Evropë. Shifrat megjithatë u përmendën për të theksuar nevojën e precizimit të tyre të mundshëm në interes të shtjellimit të mëtejshëm të temës.
Për një politikë gjithëshqiptare
Me siguri duke i marrë parasysh edhe këto fakte, Peter Prifti, një profesor amerikan me prejardhje shqiptare, në librin e tij «Albania» (botimi i vitit 1978, në Boston, Massachussettes) kur flet për politikën shqiptare, pos Shqipërisë dhe Jugosllavisë (shqiptarët në Jugosllavi) e thekson edhe faktorin e tretë -shqiptarët në Amerikë, dikur të organizuar rreth «Vatrës» së Nolit, më vonë rreth revistës «Dielli» e tani edhe në një lobby të veçantë shqiptar në Kongresin e SHBA. Shqiptarët në Australi, Evropë dhe në Turqi, me përjashtime në kohë, para vitit 1981 duket se nuk mund të ushtronin ndonjë ndikim të veçantë në politikën e qeverive të vend-qendrimit të tyre dhe vështirë se mund të flitet për ta si për ndonjë faktor kontinuitiv në mbrojtje të interesave politike gjithëshqiptare. Tani mërgata shqiptare në përgjithësi duket se me të drejtë konsiderohet si një faktor i veçantë politik që mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Zgjerimi i demokracisë në tërë Evropën këtë gjë do të duhej ta mundësonte më tepër, me kusht që të ketë kujdes për mosimponimin e zgjidhjeve të ndikuara nga vend-qëndrimi i tanishëm i tyre. Shqiptarët e diasporës shqiptare, me fjalë të tjera, nuk mund të jenë bartës eventualë të një politike gjithëshqiptare. Ndërkaq Shqipëria, për shkak të peshës politike që ka shteti në suaza ndërkombëtare politike, nuk mund të jetë bartëse e një politike që mund t’a rrezikonte cilësimin e vet si politikë që i cënon normat ndërkombëtare juridike dhe politike të sjelljes së shteteve. Këto norma, pavarësisht nga ndryshimet në Evropë, akoma janë në fuqi.
Nga ana tjetër, në qoftë se me nocionin komb nënkuptohet përmbajtja anglo-saxone e tij, d.m.th. kombi i konstituuar si shtet (nation-stat) atëherë do të ishte fare e natyrshme dhe e logjikshme që Shqipëria të jetë bartëse e një politike gjithëshqiptare, sikundër që është e natyrshme dhe e logjikshme që shumica absolute e shqiptarëve të diasporës shqiptare ta synojnë qëllimin e bashkimit, por duke mos e rrezikuar ekzistencën e vet si komb, dhe të shtetit amë -Shqipërisë. Në këtë kuptim mund të flitet për interesat vitale të kombit: a) të ekzistojë si komb; b) si komb i konstituuar në shtet -Shqipëri, dhe c) të bashkohet. Në thelb të definimit të një politike eventuale gjithëshqiptare ndodhet pikërisht komponenta e bashkimit, por gjithnjë duke mos e vënë në pyetje ekzistimin e Shqipërisë si shtet-thelb i gjithë shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Andaj, çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare. Si një pikësynim ideal, në shqyrtimet serioze politologjike nuk mund të kontestohet. Brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike Shqipëria është dhe duhet të jetë bartëse e një politike të tillë.
Si e tillë, d.m.th. si synim gjithëshqiptar, ishte prezent që prej fillimit të vetëdijësimit nacional shqiptar. Luftërat anti-Osmane të Skendërbeut vështirë që mund të zhvishen nga kjo komponentë. Nga ana tjetër, luftërat e shumta Iliro-Romake, nga të cilat veçohen ato të Teutës dhe të Pirros në Epir dhe të Dardanëve me Filipin e Maqedonisë, kishin karakter të mbrojtjes së territoreve të veta, të vetes së tyre dhe të mënyrës së jetesës -komponenta këto me rëndësi të shtetësisë dhe jo të fisnisë. Një nga teorikët e mëdhenj amerikanë -Hans J. Morgenthao (shih “Shteti dhe interesat vitale të kombit”) vë re se kombet formohen në raport me të huajt. Në qoftë se kjo vërejtje është e saktë (nuk ka ndonjë arsye që të mos jetë e saktë), atëherë së bashku me procesin e formimit të shtetit, historikisht është ngadalësuar edhe procesi i vetëdijësimit nacional. Ka mbetur gjuha si element kontinuitiv i kombit. Historia shqiptare duket sikur dëshmon fuqimisht se gati çdo qoshe e tokës së dikurshme ilire (tani jugosllave) në përgjithësi, e sot shqiptare në veçanti, sikur të kishte pasur një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për romakët, pikërisht sikurse më vonë për bizantinët, turqit, rusët, gjermanët, italianët, francezët etj. Gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, d.m.th. gjatë kohës së konstituimit të shteteve nacionale në Ballkan, sërish erdhën në shprehje interesat globale të Fuqive të Mëdha. Në konfrontimin dhe thyerjen e ndërsjellë të interesave të dy grupacioneve të fuqive të mëdha: të Boshtit Tripartitësh (Austro-Hungaria, Gjermania dhe pjesërisht-Italia) dhe të Aleancës (Rusia, -gjer me 1917, Britania e Madhe dhe Franca), si dhe të satelitëve të tyre të instrumentalizuar në Ballkan, erdhi gjer te reduktimi i Shqipërisë në një Shqipëri viabël. Ndër shqiptarët, natyrisht, formimi i Shqipërisë u pagëzua si fitore e madhe e faktorit politik shqiptar. Gjatë Luftës së II-të Botërore, Konferenca e Bujanit, me rezultatet praktike të luftës, u vu në kontekst të një potezi taktik-luftarak të aleatëve të luftës, meqë aleatët kryesorë (Churchill-i dhe Roosvelt-i) qenë marrë vesh që në prag të luftës për ripërtëritjen e Jugosllavisë në kufijtë e saj të paraluftës. Dukej sikur autonomia e pasluftës e Kosovës të ishte, pos tjerash, edhe një si kompromis midis qëndrimeve të Kominternës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe qëndrimeve të padefinuara të qeverive anglo-saxone që ndikoheshin nga grekët dhe nga qeveria mbretërore jugosllave në ekzil për copëtimin e Shqipërisë midis Veriut dhe Jugut. Kjo gjë më pastaj, në kontekst të interesave globale të superfuqive, rezultoi në forcimin e autonomisë së Kosovës (viti 1974) dhe në kërkesën për konstituimin e saj si Republikë e barabartë me të tjerat në Jugosllavi (viti 1981). Ndërkaq, në Shqipëri, pas prishjes me Kinën, rezultoi në një izolim dhe bllokadë të lidhjeve politike me botën, duke u distancuar njësoj si nga njëra, ashtu edhe nga superfuqia tjetër.
Konteksti jugosllav i Republikës së Kosovës
Republika e proklamuar e Kosovës me Kushtetutën e Kaçanikut natyrisht nuk ishte zgjidhje definitive e çështjes shqiptare. Republika e Serbisë e refuzon njohjen e Republikës së Kosovës si ndërprerje dhe shkëputje e lidhjeve me të, por edhe si vazhdimësi të sundimit të po atyre forcave titiste. Në kontekst të konfederalizimit eventual të Jugosllavisë sipas modelit Kroato-Slloven, një Republikë e Kosovës me status konfederal brenda bashkësisë jugosllave, për rezonimin e tanishëm politik të Serbisë është e papranueshme. Serbia gjithashtu ka shprehur mospajtim kategorik me Republikën e Kosovës të barabartë me të tjerat në një federatë të modernizuar jugosllave. Nga ana tjetër, një koncept i tillë për zgjidhjen e krizës jugosllave, në pjesën veri-perëndimore të vendit u cilësua si “Serbosllavi” dhe Republika e tillë e Kosovës, së bashku me konceptin e federatës së modernizuar (APJ, Serbia, Mali i Zi), duket se do të refuzohet me qejf edhe nga këto pjesë të vendit, edhe për shkak se në barazpeshën eventuale midis Veriut dhe Jugut jugosllav, ajo do të rëndonte në jug për shkak të problemeve të zhvillimit me të cilat ballafaqohet. Tani për tani konfrontimi në mes të këtyre koncepteve në nivel jugosllav akoma nuk ka përfunduar. Duket sikur paraqitet rreziku real që të përfundojë në një luftë qytetare me përmasa të gjëra brenda Jugosllavisë dhe në dezintegrimin e saj të tërësishëm. Mirëpo një gjë e tillë mbetet për t’u parë. Objektivisht gjërat janë shumë më të komplikuara se sa duken në jashtësinë e tyre: 1) sepse Jugosllavia u krijua si shtet edhe me synimet e brendshme të forcave të caktuara brenda popujve të saj dhe u konfirmua si e këtillë edhe në Luftën e II-të Botërore; 2) sepse proceset e bashkimit të Evropës duket se nuk do ta synojnë dezintegrimin e aktorëve të saj. Suprimimi i kufijve në gjithë Evropën është tendencë e pashmangshme. Mirëpo, tani për tani, ndërkaq nuk dihet se sa do të zgjasë kjo tani për tani/, një gjë e tillë, po qe se do t’a përfshinte edhe Bashkimin Sovjetik, do të rezultonte në instancën e fundit në mbisundimin e sllavizmit (rusëve) në të, dhe me një gjë të tillë ka pak gjasa se do të pajtoheshin edhe fuqitë e tjera Evropiane , dhe 3) për shkak se një përzierje e tillë e pakontrolluar në Evropë, në aspektin social do të shkaktonte konsekuenca që nuk mund të parashikohen. Për këto shkaqe me siguri të plotë mund të konstatohet se njëra nga cilësitë kryesore të ndryshimeve të gjertanishme politike në Evropë, por edhe e atyre që do të pasojnë, pavarësisht nga mënyra e manifestimit të tyre, është zhvillimi i tyre i “dozuar”, nën kontroll, por edhe kontrollimi i orientimit të tyre social, pluralizmi politik, sistemi shumëpartiak, parlamenti, zgjedhjet e lira, do të duhej ta amortizonin tehun e mprehur politik që ka rezultuar si pasojë e pakënaqësive të grumbulluara me decenje të tëra. Kjo gjithmonë do të thotë se ndryshimet në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë edhe Jugosllavinë e Shqipërinë, janë duke u zhvilluar së paku jo me kundërshtimin e subjekteve të dikurshme politike të këtyre shteteve. Nga një aspekt i përgjithshëm i shqyrtimit të gjërave mund të thuhet se të gjitha këto shtete e synojnë arritjen e efikasitetit të sistemit pa e dëmtuar fuqinë e vet të brendshme dhe pozitën ndërkombëtare. Pozita ndërkombëtare e BRSS, p.sh., mbështetet në strukturën e krijuar socio-politike (pozita prioritare e rusëve në raportet ndërnacionale); në shtresën e priviligjuar të tekno-menaxherisë, të oficerëve të policisë dhe të armatës dhe në armatimin nuklear-raketor. Nga ky aspekt shthurja e Traktatit të Varshavës duket më tepër braktisje, dhe nuk do të thotë dobësim me rëndësi i pozitës ndërkombëtare të BRSS. Për këtë shkak dhe për shkaqe të tilla, ngjarjet e tanishme në Jugosllavi, dhe reflektimi i tyre në Republikën e Kosovës, duket se e kanë për qëllim ri-rregullimin e raporteve të brendshme politike dhe jo dezintegrimin e tyre. Në të mirë të këtij konstatimi flet edhe ndryshimi e objektivave të politikës së jashtme të SHBA.
Motivet e ndryshimeve politike
Në vlerësimin e motiveve për ndryshimin e objektivave të politikës së jashtme të SHBA dhe në nënyrë indirekte të ndryshimeve të tanishme në Evropë, autorët eminentë amerikanë që moti, por tani gjithnjë e më tepër, e theksojnë stagnimin dhe rënien e fuqisë ekonomike amerikane: “Dështimet e ndryshme të politikës amerikane-shkruan Stejnli Hofmën (Stenly Hoffmann), profesor me kompetencë i sistemit politik në Harvard, -i kanë rrënjët në vendin që vërtetë e vendos rënien amerikane jo në zgjerimin e tepruar imperial, as në ndonjë rënie katastrofale të figurave agregate të burimeve materiale, por në komponentat e brendshme të fuqisë -kursimi i ulët, investimet e pamjaftueshme produktive, veçanërisht në sektorët kryesorë; në obsesionet e buisness-it me profite afatshkurtra; në sistemin e varfër të edukatës teknike dhe mbi të gjitha, në aftësinë e pamjaftueshme të mobilizimit të resurseve të brendshme dhe jo të prekshme që rezultojnë nga gjendja e keqe e infrastrukturës amerikane (veçanërisht e asaj urbane), rezistenca popullore ndaj tatimeve dhe mungesa e udhëheqjes” (shih Stanley Hoffman, A New World and its Troubles, Foreign Affaires, Fall 1990). Ndërkaq, kur është fjala për stagnimin ose rënien e fuqisë ekonomike amerikane duhet pasur kujdes se nuk është fjala për parametra klasikë të matjes së rritës ekonomike.
Në të vërtetë fjala është për ngecjen prapa në konkurrencë me japonezët. Kështu Inman dhe Burton vërejnë se me prodhime të elektronikës konsumuese (p.sh. fonografi, gypat katodialë, radiot, akceptorët televizivë, magnetofonat, tranzistorët, videot, video-kasetat, etj.) kompanitë amerikane në vitet ’70 mbulonin rreth 90% të tregut amerikan, por tani mbulojnë vetëm 1-10% të tij. E njëjta gjë, sipas tyre, ka ngjarë me zbulimet e mëvonshme në fushën e teknologjisë, me gjysëmpërquesit (semiconducters) të përbërë nga silikoni, germaniumi apo galium arsenidi; pastaj me superpërquesit (superconducters), me përquesit e elektricitetit pa humbje të energjisë; me TV të definuar lart (high definition TV), një emër që i rrjedh nga qartësia e fotografisë, dhe me ca zbulime të tjera nga sfera e elektronikës. Meqë luftën konkurrente me japonezët (plus Koreja Jugore, Tajvani dhe Singapuri) rreth vetëm disa prodhimeve me rëndësi nga kjo fushë gati e humbën, amerikanët tani kanë ardhur në përfundimet si vijojnë: 1) se fuqia kompetitive e industrisë amerikane nuk është rrezikuar vetëm në industrinë dhe teknologjinë klasike (p.sh. industria automobilistike), por edhe në atë të avancuar; 2) se problemi nuk qëndron te mungesa e hulumtimeve bazike, fundamentale mbi teknologjinë e avancuar, por te aftësia e aplikimit të shpejtë të zbulimeve teknologjike (përparësia e pushtimit dhe e mbajtjes së tregut); 3) se gjithnjë imponohet si imperative nevoja e riorientimit programor dhe institucional të qeverisë drejt teknologjisë komerciale (term me të cilin përfshihet ndihma e qeverisë në shkurtimin e kohës së nevojshme për aplikimin e zbulimeve shkencore dhe teknologjike në praktikë) /shih Admiral B.R. Inman-Daniel, F. Burton, Jr. Technology and Competitiveness: The New Policy Frontier, Foreign Affairs, Spring 1990/. Mirëpo gjërat do të mbeteshin të paqarta sikur të ishin të veçuara nga aspekti politik. Interesimi për “përkthimin” e hulumtimeve fundamentale në produkte dhe procese me dobi ushtarake dhe ekonomike në planin politik në SHBA u reflektuan në nevojen për riorientimin e disa objektivave të politikës së jashtme amerikane: nga ato tradicionale (ekcepcionalizmi, antikomunizmi, liberalizmi ekonomik botëror) në ato bashkëkohore, por ende tërësisht të padefinuara. Tani kujdesi tradicional për sigurimin nacional, pos çështjeve të strategjisë politike dhe ushtarake, duhet njësoj të drejtohet në çështje strategjike të ekonomisë: “Atje ku është fjala për teknologji të avancuar nuk është më e mundur të trajtohen si çështje të ndara politike mbrojtja dhe ekonomia”. Për dekadën e ardhshme të viteve ’90 dhe për më vonë veçohen si me rëndësi të veçantë zbulimet në sferën e: 1) Bioshkencave (Biosciences), të cilat përfshijnë biologjinë molekulare dhe atë celulare.
Në qoftë se në gjysmën e parë të shekullit XX zhvillimi i shkencave fizike (teoritë mbi atomin, teoria e Kant-it dhe fizika bërthamore) i kanë ndihmuar kuptimit të natyrës, botëkuptimit mbi materien dhe energjinë, atëherë shkencat biologjike po i ndihmojnë sot kuptimit të jetës: “duke na lejuar të krijojmë forma të ndryshuara (alternative) të jetës; duke e bërë të parëndësishëm dallimin midis asaj që është natyrale dhe sintetike dhe duke ngritur çështje të rëndësishme me implikacione ndërkombëtare rreth të drejtave dhe kufizimeve të tyre të përshtatshme në fushën e pronësisë e të lidhura me “intervenimet në natyrë” (shih Keneth H. Keller, Science and Technology, Foreign Affairs, Fall. 1990). Megjithatë, ajo që zhvillimet teknologjike në këto shkenca i dallon me të parat ka të bëjë me çështje të jetës. Bioshkencat janë të lidhura ngushtësisht me bujqësinë dhe me shëndetësinë, d.m.th. me fusha të një sensibiliteti të madh politik dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme sociale; 2) zbulimet dhe zhvillimet teknologjike në sferën e shkencës mbi materialet (material science) nuk janë më me pak rëndësi. Kjo shkencë i lidh përparimet në hulumtimet solide fizike që kanë për qëllim të kuptuarit fundamental të sjelljes së materies së kondenzuar me prodhimin e materialeve me cilësi shpesh të parëndomta (shiko veprën e cituar më lart). Këto materiale, si p.sh. çipet për përçues elektronikë, tani një kohë janë duke shkaktuar revolucion të vërtetë në prodhimet e idustrisë elekronike; 3) Ndërkaq, ndikim të madh në politkën e SHBA, por edhe të fuqive të tjera, kanë pasur zbulimet teknologjike në sferën e informatave (teknologjia informatike). Kjo teknologji konsiston në të mbledhurit e informatave përmes senzorëve, teknikave imagjinative e telefotografive, pastaj procesimit, deponimit në kompjuterë, dhe transmetimit të tyre përmes rrjetave të komunikimit e radio-lidhjeve. Meqenëse themeli i taktikës dhe strategjisë ushtarake konsiston nga komandimi, kontrolli, komunikimi dhe informimi (C3+1) është e natyrshme rëndësia që i kushtohet zbulimeve teknologjike të kësaj sfere. Ato, d.m.th. zbulimet në këtë sferë, tani e kanë rrezikuar jo vetëm privatshmërinë e individit, por edhe të shtetit.
«Autobusi» i Hoffmann-it dhe konsekuencat e shkencës
Marrë globalisht, avancimet në hulumtimet shkencore-teknologjike kanë rezultuar në rritjen e sovranitetit nacional të shteteve. Në kushtet e lehtësimit të komunikimit midis personave (individëve) është reduktuar shumë aftësia e kontrollimit të shpërndarjes së informatave. Zbulimet shkencore gati nuk është më e mundur që të ruhen për vete dhe të përdoren vetëm në dobi të maksimalizimit të fuqisë së shteteve të veçanta. Informata akoma mund të jetë burim i fuqisë, por fuqia ndahet tani midis shumë subjekteve. Në plan të gjerë, zbulimet në fushën e shkencës dhe të teknologjisë, për shkak të avancimeve informatike, kanë pasur efekte të dyfishta negative: nga një anë i kanë nxitur orekset dhe aspiratat e të tjerëve për mënyrën dhe për standardin e njëjtë të jetesës (të cilin e shohin në ekranet e TV-së), kurse nga ana tjetër, janë ngushtuar mundësitë e tokës për mbajtjen e civilizacionit (Gaia-hipotezat), sepse në njërën anë është duke u shkaktuar debalansi ekologjik, kurse në anën tjetër janë duke u shumëfishuar efektet negative të rritës demografike të njerëzimit. Nga këto dhe nga shkaqe tjera të lidhura me to, si Keneth Keller, poashtu edhe Stanley Hoffmann, Admiral Inman etj., janë të mendimit se humbja e monopolit në udhëheqjen teknologjike dhe ngecja në formimin e infrastrukturës socioteknike, logjikisht do të duhej t’i detyronte ShBA-të të tërhiqen në vete dhe t’i kushtohen arritjes së këtyre objektivave. Mirëpo në ndërkohë gjërat kanë ndryshuar. Në një anë, për shkak të zvogëlimit drastik të kohës së nevojshme për aplikimin e zbulimeve shkencore dhe teknologjike (gjersa dikur për disa zbulime duheshin rreth 40 vjet për t’u aplikuar në praktikë, tani kjo gjë bëhet gati në formë paralele) dhe për shkak të disperzimit të qendrave të diturisë (dituria nuk është më monopol i një fuqie), kurse nga ana tjetër, për shkak të thellimit të diferencave midis Veriut dhe Jugut, të rëndësisë së problemeve që duhen zgjidhur në nivel planetar (Gaia-hipotezat), u imponuan si të domosdoshme: 1) vendosja e një sistemi të ri të sigurimit në Evropë i cili do t’ia mundësonte asaj të merret me problemet e theksuara planetare.
Kjo gjë logjikisht ta imponon përfundimin se çështja shqiptare do të duhej të zgjidhej përfundimisht dhe jo vetëm pjesërisht. Sistemi i ri i sigurimit në Evropë do të mund të mbështetej në NATO-n e reformuar e jo edhe më tutje të dominuar nga SHBA-të, në një organizatë evropiane të mbrojtjes dhe në një organizëm të krijuar nga Konferenca mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë; 2) një marrëveshje për forcimin e regjimit për moszgjerimin e armëve nukleare dhe për kufizimin e shitjes së armëve dhe të teknologjisë së avancuar, dhe, 3) të një pajtimi mbi ndarjen e fuqisë midis aktorëve të organizatave ndërkombëtare ekonomike dhe financiare të SHBA, Japonisë dhe Bashkësisë Evropiane. Meqenëse resurset e shteteve të zhvilluara “janë zënë midis nevojave dhe pritjes së popullit të tyre, si dhe frikës prej kaosit të jashtëm” (S. Hoffmann), ato, me qëllim që t’i shmangen këtij kaosi, në botën e organizuar në mënyrë policentrike duhet t’i fusin BRSS dhe Kinën, në qoftë se kjo e fundit një ditë do t’a shndërrojë potencialin e vet të madh në fuqi efektive. Ndërkaq, polet e këtij policentrizmi janë të pajisura me lloje të ndryshme të fuqisë ushtarake (Sovjetikët), ekonomike dhe financiare (Japonezët dhe Gjermanët) demografike, (Kina dhe India), ushtarake dhe ekonomike (SHBA). “Bota i përngjan një autobusi, -shkruan Stanly Hoffmann -shoferi i të cilit, ekonomia globale, nuk e ka kontrollin e plotë të makinës, po edhe vetë është jashtë kontrollit, në të cilin fëmijët -popujt, joshen t’a shtypin qoftë frerin, qoftë gasin, kurse të rriturit -shtetet, janë udhëtarë të brengosur. Një lidhje pasagjerësh ndoshta nuk do të mjaftojë për t’a mbajtur autobusin në rrugë, por akoma nuk ekziston ndonjë zgjidhje më e mirë” (Stanly Hoffmann, vep. cit.).

(VIJON…)

_____________
PJESA E PARË:
UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4038
***
PJESA E DYTË:
UKSHIN HOTI: SHQIPTARËT DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4039

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura