UKSHIN HOTI: VITI 81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË (2)

Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – /Viti ’81 – politika dhe inteligjencia/ – Bartësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 1981 politika zyrtare i cilësoi si armiq dhe kontrarevolucionarë. Në hidhërim e sipër i kishte quajtur edhe pleh. Më vonë u kishte ngjitur nofka tjera si irredentistë, seperatistë, barbarë, terroristë, bile edhe kanibalë. Këta i ishin përgjigjur kësaj politike me një kontestim total të vlerave të saj, me një mllef të pazakonshëm të shprehjes së indinjatës së vet, (që e kishte cytur politikën ta cilësonte si sjellje vandaliste), dhe me një vendosmëri të plotë që të mos thyenin rrugë. Dhe kështu, ndoshta edhe pa dashje, ishin krijuar dy botëra, totalisht të kundërvëna ndaj njëra tjetrës. Bazat e kësaj kundërvënie të ndërsjellë megjithatë kishin qenë paragjykimet ideologjike, të cilat vetë ngjarjet sapo i kishin forcuar gati gjer në ekstremin e fundit. Dhe ato e rëndonin situatën në çdo kohë të zhvillimit të ngjarjeve, gjatë tërë dekadës së fundit. Ndërkaq, esenca kishte qenë diç krejtësisht tjetër. Ajo vazhdimisht shpërthente, sapo politika kujtonte se gjërat ishin qetësuar dhe kishin marrë fund. Kush ishin në të vërtetë bartësit e këtyre ngjarjeve? Të dhënat statistikore mbi përkatësinë profesionale, të gjinisë, të origjinës sociale, të moshës, flasin qartë se pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj – nxënës, me shkolla të mesme të kryera, ose studentë e të rinj të tjerë me diplomë fakulteti, shumica të papunë, por edhe të punësuar. Kishte edhe nga ata që i përkitnin inteligjencies, por ishin të rrallë. Shumica absolute kishte prejardhje fshatare, por kishte edhe punëtorë, si dhe të shtresave të tjera shoqërore, por më pak. Kishte të orientimeve të ndryshme, por i bashkonin synimet dhe situata e njëjtë në të cilën ishin ndodhur. Megjithatë nuk do të merremi me analizën e të dhënave statistikore. Këtë padyshim do ta bëjnë ata që disponojnë me këto të dhëna. Do ta tentojmë ndërkaq përshkrimin e përshtypjeve të fituara nga qëndrimi së bashku me ta.
Nëpër burgje unë vëreja se në shumicën e rasteve ishte fjala për të rinj të etur për çdo lloj të diturisë, por mbi të gjitha për dituritë mbi shoqërinë, politikën, filozofinë, historinë, antropologjinë etj. Pra, pikërisht për ato lloje të diturisë që do t’u ndihmonin në njohjen e vetes së tyre. Shumë nga ata marksizmin e mësonin nga romanet e real-socializmit shqiptar dhe nga përkthimet eventuale të ndonjë vepre të klasikëve të marksizmit, të cilat nuk përmbanin sqarime dhe komentime nga autorë të mëvonshëm. Mbeteshin tërësisht të habitur ndaj vërejtjeve eventuale që ua bëja me qëllim të nxitjes së reaksionit, diskutimit dhe kalimit të kohës. U thoja se po lexonin romane kaubojësh, meqë protagonisti kryesor gjithmonë kishte të drejtë dhe zakonisht e fitonte davanë. Me seriozitet të madh më shpjegonin se ashtu duhej të ngjante. Më jepnin kurajo duke dashur të ma largonin mërzinë. Lexonin me zell të madh dhe bënin shënime me ndonjë laps që arrinin ta fshihnin nga roja e burgut. Burgu ua lejonte romanet por jo edhe lapsat. Kjo gjithmonë më habiste, por kurrnjëherë nuk e mësova të vërtetën mbi atë se përse burgjet në Kosovë nuk e lejonin mbajtjen e lapsave? Zelli me të cilin i merrnin shënimet dhe i shënonin ato ku të mundnin më shtynte të mendoja për lapsin si për një dava të cilën civilizacioni kishte harruar se kur e kishte fituar. Por dukej se civilizacioni akoma nuk kishte zbritur ndër burgjet e Kosovës.

Pavarësisht nga kjo, dukej qartë se zelli i tyre nxitej nga një etje përvëluese, pikërisht përvëluese, për të mësuar për veten dhe për shoqërinë që i kishte dënuar. Natyrisht, e dija se çdo shoqëri i dënonte sjelljet që i tejkalonin ligjet dhe rregullat e caktuara me ligje. Megjithatë, mendoja se ligji kishte qenë tejet i ashpër, sepse prapa etjes së tyre për dituri, prapa «veprave të tyre inkriminuese» nuk qëndronte «sindromi i vetafirmimit» (ndonëse, kishte diç edhe nga kjo), i zakonshëm për mocanikët e tyre gjetiu, por një kurreshtje e padurueshme që vazhdimisht e torturonte mendjen dhe shpirtin e tyre, për të mësuar përgjigjen në pyetjen: përse kishin qenë të varfër, të paintegruar dhe gati të injoruar nga shoqëria? Përse kishin qenë të detyruar të jetonin të ndarë nga etërit e tyre me punë «të përkohshme» në botën e jashtme? Përse nuk kishin guxuar askujt t’ia shtronin ca pyetje dhe përse askush nuk ishte përgjigjur në ato që i kishin shtruar?
Duke i vëzhguar këta të rinj të etur për mësim dhe të vendosur për ta krijuar botën e tyre, më vinte mirë që më 1977 kisha dhënë dorëheqje dhe e kisha braktisur një post relativisht të rëndësishëm politik, ndonëse nuk isha marrë ndonjëherë me politikën e brendshme dhe nuk e bartja asnjë faj për gjendjen që i kishte shkaktuar pyetjet e tyre. Formalisht kisha shpjeguar se dëshiroja të merresha me shkencë, por në esencë më kishin torturuar pyetje të njëjta dhe përgjigjet e ndryshme që e fyenin mendjen njerëzore. Politika as atëherë e as më vonë nuk u kishte ofruar ndonjë përgjigje. I kishte quajtur thjesht armiq dhe kontrarevolucionarë, por nuk ua kishte shpjeguar atë që atyre u interesonte. Në vend të shpjegimit ua kishte dhënë dënimet. Pastaj, për t’u arsyetuar, kishte provuar t’i bindte se kishin qenë të indoktrinuar nga Shqipëria me ideologjinë marksiste-leniniste, por ata nuk e kishin kuptuar këtë. I kishte marrë ca shkrime të tyre, ca vjersha dhe ca tregime që e shprehnin unin e tyre rinor, i kishte gjetur «programet» dhe «pamfletet» e tyre, që e shprehnin unin e tyre rezistent dhe me to kishte provuar t’i bindte (ata, botën dhe veten), se kishin qenë armiq të përbetuar, plangprishës të sistemit e të vendit, por nuk ishte përgjigjur në pyetjet e tyre. Kisha ligjëruar në dy nga fakultetet e tyre, në një shkollë të tyre politike, dhe herëpashere në shumë qendra të tjera, por edhe atëherë kisha vënë re se as inteligjencia humanitare nuk iu kishte përgjigjur pyetjeve të tyre. Sikur ajo të kishte qenë tepër e lidhur me politikën dhe sikur si shumë e synonte këtë lidhje. Të vetmin tekst që e kisha lexuar lidhur me shoqërinë kosovare, e kishte shkruar një grua e huaj, një norvegjeze me emrin Berit Backer («Behind the stone walls») dhe me titullin e veprës (Prapa mureve të gurit) sikur i paloste mendimet e ndonjë sociologu tonë mbi familjet e dasmat atje ku e kishin vendin – prapa mureve të gurit. Të tjera tekste adekuate nuk kishte pasur.
Një pjesë e inteligjencies, veçanërisht albanologë dhe linguistë të tjerë, sikur kishin provuar t’u afronin ca përgjigje. Mirëpo ato në të shumtën e rasteve kishin qenë përgjigje të specializuara, nganjëherë të humbura në detajet e gjuhës dhe të folklorit kombëtar. Për këtë shkak, pa marrë parasysh se kishin tentuar t’ua shpjegonin botën e tyre edhe përmes ndonjë romani dhe të mjaftë përmbledhjeve me poezi, bota e tyre kishte qenë shumë më e komplikuar. Shpjegimeve të gjuhës dhe të letërsisë u kishte munguar dimensioni politik dhe filozofik. Për këtë shkak kishin mbetur të ndjeshëm dhe të paorientuar: midis mundësive që i shihnin, shpjegimeve të pamjaftueshme dhe opcionit shqiptar të Shqipërisë; midis energjisë që akumulohej gjithnjë e më tepër dhe mundësive realisht të pakta për konsumimin e saj, dhe midis vetes dhe botës, e cila u ikte… Bota e Kosovës nuk kishte pasur mundësi të shpjegohet në mënyrë të kënaqëshme vetëm përmes gjuhës dhe letërsisë, ndonëse kjo nuk kishte qenë as e re dhe as e çuditshme. Kishte qenë i çuditshëm pretendimi për një si tejrëndim, prepoderancë të shkencave albanologjike përballë shkencave tjera. Dhe përderisa kjo mund të arsyetohej me nevojën për afirmimin e kombësisë shqiptare, ndonëse nuk kishte ofruar përgjigje të kënaqëshme, mund të kishte qenë në rregull, por që megjithatë nuk do të mund të ishte në rregull po qe se do të shkiste në përzierje të kompetencave, në reduktim të gjithçkafes në këndvështrimin e tyre si të vetmin të drejtë. Në botën e ardhshme të të rinjve kjo seriozisht mund të shkaktonte telashe. Albanologët, linguistët dhe letrarët do të duhej t’i ktheheshin fushëveprimit të tyre – çështjeve të albanologjisë, të linguistikës dhe të letërsisë. Politika nuk është vetëm arti i së mundshmes. Ata që e shohin të tillë e bëjnë vulgarizimin e saj dhe vulgarizimet në politikë rëndom përfundojnë me trauma shoqërore të shoqërisë.
Politika dhe inteligjencia humanitare asokohe, para dhe gjatë vitit 1981, kishin qenë të zëna me gjëra të karakterit gjithëjugosllav, me baza të karakterit gjithëteorik. Nuk kishin pasur kohë t’i lidhnin bazat gjithëpolitike dhe gjithëteorike me interesimin e tyre konkret, me të përditshmen kosovare; nuk kishin pasur kohë ta shquanin gati fare lidhjen dialektike midis universales dhe të veçantës; abstraktes dhe konkretes; teorisë dhe praktikës. Kishin qenë vazhdimisht të fascinuar me teori «të mëdha» të «botës së madhe», me «politikë të madhe» të «vendeve të mëdha». Dukej se kishin imituar e jo krijuar. Kishin qëndruar disi tepër lart dhe dukej sikur kishin përtuar të zbritnin më poshtë. Atje poshtë bota sikur u ishte dukur e vogël, e parëndësishme dhe e huaj, ndonëse vinin pikërisht nga ajo dhe jetonin po aty. Sikur një qëndrim i tillë të reflektonte jo botëkuptimin hegelian mbi masën, por vulgarizimin e këtij kuptimi mbi masën si kope, si grumbull.
Botëkuptimet dhe qëndrimet e këtilla mbështeteshin në monopolin mbi vendet e punës, avancimin në karrierë, mundësitë e krijimtarisë dhe të vetëkrijimit. Ato mbështeteshin mbi monopolin e mjeteve të informimit, në sistemin njëpartiak, dhe në ekskluzivitetin ideologjik, që ndihmoheshin me instrumentet e dhunës së aparatit shtetëror, e sidomos me shndërrimin gradual të policisë (milicisë politike) në instrument diskret të selekcionimit kadrovik, dhe bile intelektual. Politika kadrovike në këtë mënyrë nuk i shërbente interesave shoqërore por të grupeve shoqërore. Privatizimi i saj kishte bërë që kriteriumi i aftësive personale të kandidatëve të ndryshëm për veprimtaritë e ndryshme politike dhe shoqërore të injorohej në favor të kriteriumit të lojalitetit ndaj shoqërisë, më sakt, ndaj grupeve që e identifikonin veten me shoqërinë. Kritika lejohej, por vetëm ajo kritikë që i ndihmonte «së vërtetës» zyrtare dhe përsosjes së saj. Në realitet, e vërteta ishte e mbyllur në shishen e shoqërisë së totalizuar dhe nga aty lëshohej në doza të caktuara, nën kontrollin municioz të «primariusëve» të sektorëve të ndryshëm shoqërorë. Kritika nga pozitat marksiste që e bënin shqiptarët shpejt mund të shpallej enveriste, ose edhe staliniste. E bërë nga serbët, mund të shpallej rankoviqiste, ose edhe informbyroiste. Kështu, shkalla e autocenzurës ndër intelektualë të drejtimit shoqëror dhe humanist doemos ishte e lartë dhe e përdhoste mendjen kreative intelektuale. Për këtë shkak, ndonëse mangësitë e përmendura ishin realitet i vendit në tërësi, shkalla e përdhosjes së të vërtetës dhe e autocenzurës dhe cenzurës intelektuale, për shkak të veçantive të Kosovës, ishte pa dyshim më e larta në vend. Dhe nuk ishin vendimet gjyqësore ato që e përdhosnin të vërtetën (ato mund ta dhunonin), por mekanizmat e padukshëm të manipulimit me opinionin dhe me persona të ndryshëm kritikë. Mundësitë e manipulimit, për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes shoqërore; përvojës së kaluar historike të raporteve shtet – masë, kur masa gati kurrnjëherë nuk e konsideroi shtetin të vetin, për shkak të strukturës së familjes, ku përfaqësuesit e familjeve të mëdha, zakonisht nën ndikimin e të afërmëve të funksionarëve politikë dhe për shumë shkaqe të tjera, në Kosovë dukeshin të pashtershme: ato e paralizonin veprimin e shtetit juridik, dhe kështu, që në start e ngulfatnin talentin dhe i hidhnin në sipërfaqe mundësitë e sundimit të pakufizuar të mediokritetit. Për këtë shkak, ndonëse jeta shoqërore në sipërfaqe dukej stabile, ishte më se evidente se «zjente përbrenda». Kritika kishte heshtur, por heshtja kishte folur.
Në burg, si gjatë hetimeve ashtu dhe më pas, të gjitha mangësitë e përmendura, të gjitha devijimet në zhvillimin shoqëror të Kosovës, i arsyetoja me të drejtë se ato nuk kishin qenë vetëm specifikum i Kosovës, por mangësi të sistemit në tërësi dhe të tërë vendit. E mohoja përzierjen e inteligjencies universitare dhe politike në përgatitjen e demonstratave të vitit 1981 dhe në ngjarjet e tërësishme të atij viti e më pastaj. Jo vetëm se këtë nuk e dija, por sepse vërtetë për këtë isha plotësisht i bindur. Megjithatë, pohoja se inteligjencia universitare ishte me studentët e vet, se nuk mund të ishte kundër kërkesave të tyre legjitime, sepse, logjikisht, nuk mund t’i kundërvihej rritës së vet të natyrshme dhe rritës së tillë të Kosovës. Meqë kushtetuta e vitit 1974 i kishte lënë proceset e konstituimit të shqiptarëve në komb dhe të Krahinës në Republikë akoma të papërfunduara, ishte e natyrshme që inteligjencia në tërësi mos t’i kundërvihej rrjedhës së natyrshme të gjërave. Një kundërvënie e tillë nuk mund të pritej jo vetëm nga ajo, por edhe nga asnjë inteligjenci e botës. Ajo i ishte kundërvënë përdorimit të ekzagjeruar të dhunës dhe tani heshtte, sepse nuk kishte rrugë tjetër për të mos rënë në burg.
Jugosllavia në tërësi ishte vend specifik: strategjikisht – e lidhte Evropën me Azinë, Lindjen me Perëndimin, Paktin e NATO-s me Traktatin e Varshavës; politikisht – i ndante të dy sistemet globale: të kapitalizmit dhe të socializmit; në pikëpamje të kulturës – i gërshetonte tri religjione (katolicizmin, orthodoksizmin dhe islamizmin) dhe dy civilizime (të Perëndimit dhe të Lindjes). Ndërkaq, Kosova, jo vetëm që i reflektonte të gjitha këto kundërthënie e ndikime, por i kishte edhe të vetat, specifike: në pikëpamje strategjike – mund të shndërrohej në garnizon të shkëlqyer ushtarak për ruajtjen e vijave të rëndësishme Lindje – Perëndim dhe anasjelltas; politikisht – reflektonte vetëqeverisjen me socializmin radikal; në pikëpamje të kulturës – jo vetëm që gërshetonte religjionet dhe civilizimet por vetë shqiptarët, megjithëse i mbanin ato në vete me shekuj, kishin arritur të mbeten të vetes. Mbi të gjitha, Kosova i reflektonte kundërthëniet midis zhvillimit dhe ecjes në ngecje. Për këto shkaqe, pozita e saj strategjike, në literaturën ndërkombëtare politike, e përshkruar si «area of potential crises», nuk do të duhej të përkthehej si «hapësirë e krizave potenciale», por si hapësirë e bombardimit permanent të kundërthënieve dhe të ndikimeve në fjalë.
Inteligjencies në Kosovë mund t’i zihej për të madhe se nuk i kishte kapur me kohë kundërthëniet në fjalë, ose se nuk kishte ditur se si t’i zbërthente; nuk kishte pasur veshë më të të ndjeshëm për rrymat e erërave të ndryshme; se u kishte dhënë prioritet gjërave që i kishte konsideruar kapitale dhe i kishin shpëtuar të tjerat edhe më kapitale, por ajo kishte qenë në formim e sipër. Nga të parët e vet ajo nuk kishte trashëguar as ndonjë kapital intelektual dhe as material. Andaj nuk kishte qenë kurrfarë çudie që ishte marrë me vënien e bazave gjithëmateriale (ishte marrë me ndërtimin e shtëpive), gjithëpolitike (ishte marrë me vënien e lidhjeve politike, ndër të tjera) dhe gjithëteorike (ishte marrë me prezentime jokritike të sistemeve të mëdha të mendimit).
As politika dhe as inteligjencia nuk e kishin tentuar sintetizimin real të zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës nga aspekti kritik. Jo vetëm sepse e mendonin të pakohë, por se nuk kishin pasur as forca dhe as hapësirë. Asnjëra nuk kishte provuar që ngjarjet e vitit 1968 t’i vinte në kontekst të kontestacionit të përgjithshëm të atij viti në botë, në Evropë dhe në Jugosllavi. Kishte qenë e natyrshme që kërkesat e atij viti ta shprehnin artikulimin e nevojave të veçanta, por nuk kishte qenë e natyrshme ta injoronin ndikimin e proceseve të përgjithshme dhe zhvillimin e pastajshëm të proceseve të demokratizimit çdokund në botë dhe në Jugosllavi. Edhe politika, edhe inteligjencia, për këtë shkak, jetonin me bindjen se proceset e demokratizimit relativ në Kosovë kishin qenë meritë ekskluzive e secilës veç e veç. Ndërkaq, vetëm insistimi në ekskluzivitetin e kësaj merite kishte qenë meritë ekskluzive e secilës veç e veç. Edhe politika edhe inteligjencia kishin përfituar nga proceset e demokratizimit relativ të Kosovës pas vitit 1968, por kjo u kishte kushtuar shtrenjtë në vitin 1981. Ngjarjet e këtij viti e kishin befasuar edhe politikën edhe inteligjencien, por përderisa politika ishte frikësuar nga mundësitë e panjohura dhe merrej me dënimin e tyre, inteligjencia kishte heshtur, jo se ishte frikësuar nga raprezaliet, por sepse nuk kishte dashur të humbte asgjë: as besimin e masave dhe as pozitën e vet shoqërore. Kishte qenë ky një reaksion tipik i inteligjencies në situata të paqarta, por as politika dhe as inteligjencia nuk e kishin pritur se viti 1981 nuk do të përfundonte me 1981.
Viti ’81 dhe bartësit
Një pjesë e shtypit të vendit (shtypi i Beogradit) e akuzoi ish-udhëheqjen kosovare për paktim me bartësit e ngjarjeve të vitit 1968. Sipas kësaj kritike, midis këtij viti dhe vitit 1981 udhëheqja kosovare i kishte vënë bartësit e ngjarjeve të vitit ’68 në postet kryesore të institucioneve arsimore, shkencore e kulturore, prej nga pastaj e kishin bërë indoktrinimin e rinisë në frymën e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Pavarësisht nga ajo se kjo pjesë e shtypit e identifikonte afirmimin nacional me nacionalizëm dhe synimet për barazi të plotë me irredentizëm dhe separatizëm, do të ishte mirë sikur për këto çështje të flisnin objektivisht dhe pa paragjykime vetë bartësit e tyre. Një gjë e tillë do t’i ndihmonte formimit të pasqyrës së saktë mbi zhvillimin e proceseve dhe nxjerrjes së përfundimeve të shëndosha për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve shoqërore në Kosovë, e sidomos për karakterin e demokracisë që do të ishte e mundshme të zbatohej dhe të aplikohej në Kosovë. Pavarësisht nga kjo, në këtë tekst merret si i saktë pohimi se bartësit e ndryshëm të ngjarjeve të vitit 1968 janë vënë në poste me rëndësi shoqërore, ndonëse jo edhe pohimi se ata qëllimisht e bënë indoktrinimin e rinisë në frymën e nacionalizmit shqiptar, sepse, po të jetë ashtu, atëherë, vështirë se mund të arsyetohet bindshëm drasticiteti i dënimeve dhe heshtja e gjatë e inteligjencies rreth tyre.
Drasticiteti i këtyre dënimeve dhe veçanërisht heshtja rreth tyre, ndër të rinjtë nëpër burgje reflektohej shumë rëndë: nga njëra anë i lëndonte tejet shumë, ndonëse këtë lëndim nuk e shfaqnin hapur. Nga ana tjetër, lëndimi i tillë transformohej në një vendosmëri për të vajtur gjer në fund, pa i marrë parasysh sakrificat, por edhe më shpesh shndërrohej edhe në një tendencë të vetizolimit, të tërheqjes në vete, të zhdukjes së dëshirës për të komunikuar me rrethin e dikurshëm, qoftë edhe me prindërit e tyre. Për këtë shkak, përkrahjen nga Shqipëria e përjetonin në raport me heshtjen në Kosovë. Dhe, në këtë pikë, as politika dhe as inteligjencia nuk kishin treguar ndonjë mençuri të duhur. Ndërkaq, fyerjet që ua drejtonte shtypi, duke i quajtur me emra të ndryshëm, i nxitnin që nëpër fjalorët e tyre që i mbanin me vete ose që i huazonin nga njëri-tjetri (kur u jepej mundësia), vazhdimisht ta kërkonin kuptimin e fjalëve me të cilat etiketoheshin. Ishte me interes të veçantë se pyesnin vetëm atëherë kur nuk kishin shtegdalje tjetër. Nga kjo mund të përfundohej se dëshironin të dukeshin më të pjekur, më të dijshëm, më të rritur. Dëshironin të ishin në nivelin e përmbajtjes së nofkave që ua ngjisnin, por nuk mund të venin përtej moshës. Për këtë shkak, i vëreja duke u skuqur për shkak se ishin të detyruar të kërkonin ndonjë sqarim; duke i mbledhur buzët gjatë leximit të ndonjë teksti që u dukej i vështirë; duke e rrudhur ballin gjatë mundimit për të depërtuar te ndonjë kuptim më i fshehur i ndonjë fjalie, dhe duke buzëqeshur befas kur kujtonin se e kishin gjetur atë që e kërkonin. Shkurt, dukej qartë se të rinjtë nëpër burgje bisedonin me heshtjen, e cila i lëndonte, dhe të cilën nuk mund ta kuptonin.
Në vitin 1981 i kisha parë shokët e tyre në aksion. Kisha qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe midis tyre dhe milicisë. I kisha soditur fytyrat e tyre «të nxira» nga «betejat», të egërsuara, të zbehura nga lodhja apo të skuqura; sytë e tyre – të përlotur nga gasi, por edhe nga dhembja; gjymtyrët – të dërrmuara nga vrapi ose nga përleshjet me të rinjtë tjerë të veshur me uniforma. Nuk kisha mundur t’i mendoja si armiq, si të indoktrinuar, e as si kontrarevolucionarë. E kisha fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga e tërë historia. Për këtë shkak, kur politika me arrogancë kishte kërkuar prej meje që të ndikoja në ndërprerjen e tyre, kisha kuptuar se ajo kishte dështuar. Nuk provova t’i ndërprisja, por as nuk dëshiroja të vriteshin mes vete. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen “më të madhe se nemitja», kisha vendosur të mbetesha pranë tyre. Dhe, mbeta pranë tyre, edhe atëherë kur u vetëlind Kosova, por edhe atëherë kur u vranë dhe kur u inaugurua demokracia.
I vështroja nëpër burgje; i vështroja edhe ata që i mbanin uniformat. Të dy palët më dukeshin të burgosur. Shpirtërisht, – veniteshin ata që i mbanin automatikët dhe uniformat; fizikisht, – rrënoheshin këta që ishin brenda grilave. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen «më të heshtur se nemitja», befas kisha pyetur: në emër të cilës politikë dhe të çfarë principeve politika i kishte quajtur të parët kontrarevolucionarë, ndërsa të dytët i kishte armatosur për t’i ndjekur të parët?
Përse kishte heshtur Evropa?
Këta të rinj, të etur për dije, të lënduar nga heshtja, të rënë në kundërshtim me moshën, por të vendosur që me çdo kusht ta krijonin botën e tyre, kishin qenë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981. Kishin qenë gati fëmijë. Bile, nuk kishin qenë të vetëdijshëm as për peshën e veprave «të inkriminuara», e as për peshën e ngjarjeve që i kishin inicuar. Në bisedën e heshtur me veten e kishin ndërtuar botën e ëndrrave të tyre.
U ishte dukur se e kishin pasur për detyrë t’i kontribuonin krijimit të botës së ëndrrave të tyre dhe nuk i kishin menduar rrjedhimet eventuale as për veten, as për familjen, as për rrethin. Në fillim nuk i kishin kuptuar as vlerësimet politike për atë që kishin bërë. Pastaj ishin habitur me ato që i dëgjonin për veten dhe më në fund, të rezignuar, i kishin besuar vetëm vetes dhe qëllimit të tyre.
Këta të rinj e kishin pasur shpirtin e pastër, të çiltër si rrezja e diellit në mëngjes. As në zemër dhe as në mendje nuk e bartnin të keqen. Ideali i tyre dukej sinonim me të mirën dhe të bukurën. Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njejta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendëta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues.
Kur me ndrojtje më rrëfenin intimisht për botën e tyre mahnitëse; kur me zë të ulët i këndonin këngët e Shkurte Fejzës dhe të Shyhrete Behlulit, melodia e të cilave pothuaj buronte nga thellësia e qenies së tyre, nga ajo pikë ataviste e lidhmërisë së njeriut me tokën; kur i vëreja “meloditë” e kullave të Eifelit të ndërtuara me fije shkrepse, me një durim të pashembullt; kur ëndrrën, këngën, ndërtimin e gjësendeve të vogla — të gjitha së bashku – i shndërronin në art prej të cilit shpërthente ideali i botës së tyre, unë, i shkolluari në metropolet e vendit dhe të botës, ndonëse i katandisur rëndë në burg, gëzohesha kur më konsideronin të vetin. Dhe pastaj më torturonin mendime halucinante:
Më dukej se substrati i tyre shpirtëror përmbante edhe diç nga klithma ushtarake e rrethimit të Trojës, nga kohët e parahistorisë; nga ajo mezokohë, «zonë e përhimtë» midis perëndimit të egërsisë dhe lindjes së civilizimit, të cilin e këndoi Homeri i verbër me një mjeshtri që i kishte tejkaluar epokat dhe kohën në tërësi; diç nga ajo kryeneqësi proverbiale, nga ai kontestacion i normave të huaja, që atëbotë i kishin nxitur dijetarët e shovenizmit antik të Greqisë antike të konstatonin me përbuzje, por edhe me një si përzierje të frikës dhe të admirimit: «këta barbarë të ndotur dardanë që nuk laheshin…», e të cilët, në të vërtetë, kishin menduar në vete: – që nuk donin t’i nënshtroheshin shkëlqimit të botës së tyre antike dhe as mendjes së dijetarëve të tyre të shquar dhe as armës së ushtarëve të tyre të ngritur në nivelin e perëndive.
Më dukej se substrati i tyre shpirtëror përmbante edhe diç nga gjakimi për liri që ishte mbartur edhe nga ushtarët e rënë në fushëbetejat kundër Filipit të Maqedonisë; të atyre të tjerëve që duke kujtuar se e luftonin despotizmin e atëhershëm dhe të mëvonshëm aziatik, i kishin lënë koskat e veta nëpër tërë Azinë, gjer në Indi; që nën flamurin e kushëririt të tyre – Lekës (Aleksandrit të Madh), të birit të Filipit, e kishin bartur famën e armës greke dhe të civilizimit të tyre nëpër të gjitha kontinentet e njohura të botës së atëhershme.
Substrati i tyre shpirtëror padyshim që duhej të përmbante edhe diç nga klithmat e ushtarëve të rënë në luftërat antiromake; duhej të ishte i mbarsur edhe me kontestacionin e civilizacionit të imponuar të tyre, edhe me përbuzjen e atyre perandorëve të Romës me prejardhje nga radhët e veta, e të cilët e kishin bartur flamurin e saj dhe gjenialitetin e vet ushtarak larg, përtej kufijve të Ilirisë – Iliricum-it të vjetër; diç nga gjeniu ndërmarrës i Dioklecianit, Konstandinit të I dhe Shën Jeronimit në Bizantin e vjetër. Kjo shprehej në artin e tyre të kullave të Eiffelit, të ndërtuara nga fijet e shkrepsës e me durim të pashembullt. Ndërkaq, herë-herë, edhe meloditë e thekshme të këngëve që i këndonin, dukej se përmbanin edhe diç nga klithmat e atyre kryengritësve të paepur që kishin qenë të varrosur në «Latrones Dardaniae»; që i kishin detyruar perandorët me prejardhje nga radhët e veta të ndërtonin me kujdes të madh një rrjetë të tërë «stacionesh beneficiare» në Dardaninë e vjetër dhe në Moesia Superior-in e mëvonshëm. Substrati i tyre shpirtëror, pa dyshim përmbante edhe diç nga ata që vazhdimisht i kishin ndihmuar rrënimit të Bizantit, meqë nuk kishin mundur t’i qëndronin dot protokoleve të rënda të oborrit të Cezarëve dhe tatimeve edhe më të rënda të tagrambledhësve të tyre; që i kishin ndihmuar ngritjes dhe pavarësimit të shteteve tjera, duke kujtuar se i ndihmonin edhe vetes, por pastaj, shteti i të tjerëve, mbi gërmadhat e Perandorisë së rrënuar të Bizantit, kishte dashur ta ngriste një Bizant të ri për vete! Ata pastaj përsëri kishin qenë të detyruar t’i kontestonin normat e imponuara, dhe për këtë shkak ishin tërhequr nëpër malet e tyre të thepisura që të jetonin si barinj nëpër kasolla të vogla që i kishin ndërtuar kastile për atë qëllim; ata që pastaj Cari i madh i Kanunit të njohur, si të tillë i kishte përmendur në Kanunin e vet, por për të cilin ata as që kishin dëgjuar.
Nëpër gjakun e tyre, padyshim qarkullonin gjene të të gjitha kohërave, me atë përbërjen e tyre kimike ende të pashkoqitur tërësisht nga shkenca. Ndoshta në shpërndarjen e gjakut nëpër qelizat nervore, në atë pikën e pakapshme ku materia transformohet në mendje, shpirt e frymë, të cilën Kanti plak ishte përpjekur ta përcaktonte, por që pastaj ishte detyruar ta cilësonte si ende të papikësuar nga dijetarë të shkencës, pikërisht prej aty, doemos duhej të ishte bartur në substratin e tyre shpirtëror edhe diç nga kontestacioni i luftëtarëve dhe të vetë atij prijësit legjendar, të cilit në fëmijëri, si peng, ia kishin dhunuar besimin, por që në burrëri dhe në pleqëri ishte shndërruar në simbol të fuqishëm të unit rezistent të të gjithë shqiptarëve të të gjitha kohërave dhe të të gjitha besimeve.
Substrati i tyre shpirtëror doemos e ndiente të gjallë edhe kontestacionin e atij kaçaku nga ana e Drenicës që nuk deshi të pajtohet me «krajlin» e madh dhe pastaj e la amanet që kufomën t’ia hidhnin në ndonjë shpellë të panjohur të gërxheve të Kosovës; dhe të atij plaku zemërbardhë nga Rrafshi i Dukagjinit që e vranë me pabesi në shpellën e Dragobisë dhe i cili për të gjallë të vet nuk ishte pajtuar as me Azinë e as me Evropën dhe që vazhdimisht i kishte përkrahur shkollarët e ndritur të kombit të vet me shpresë se ata do t’ia forconin unin e plotë midis kombeve tjera, por të cilët, përmes agjentëve të paguar, i vrau një nga një mbretthi i vetëshpallur, duke e zhveshur në këtë mënyrë kombin nga mendja e vet e ndritur dhe duke ia mundësuar atij, për këtë shkak, marshimin përpara drejt feudalizmit të agallarëve, të cilin shqiptarët patën menduar se e kishin hedhur përtej detit së bashku me otomanët e urrejtur; përmbante diç edhe nga kontestacioni i fuqishëm i atyre partizanëve të popullit, këtej dhe matanë kufirit, të cilët në emër të hazreti Leninit dhe të hazretëve të tjerë, për 4 vjet rresht, në kushte të pamundshme, e kishin luftuar kuçedrën e çeliktë të fashizmit, duke i ndihmuar me gjakun e tyre aleatëve të luftës, por të cilët, pastaj, në shenjë falenderimi, për pak sa nuk i kishin harruar tërësisht, por që, megjithatë, në fshatin e Bunjajt, ua kishin lënë ta përpilonin letrën e njëkuptimtë, por që ata të cilët e patën nënshkruar e shpallën të dykuptimtë, dhe bile me vehemencë e kontestuan përmbajtjen e saj; atë letrën, e cila në 45 vjetët e ardhshëm është dashur të tregonte nëse shqiptarët e mbarsur me kontestacion të historisë do të silleshin në harmoni me atë mençurinë që në vitet ’20 të këtij shekulli, ua kishte lënë amanet ai komisari i çuditshëm i Ligës së Kombeve…
Pastaj, nga një krismë e fuqishme e derës së burgut që rojet e shkaktonin enkas për t’ua larguar kllapinë të burgosurve, të cilët poeti i madh grek Ricos i kishte komanduar të mërdhinin në acar, por që nuk kishin mërdhirë, i djersitur dhe shpirtërisht i dërrmuar nga vegime të tilla halucinante të kotësisë, më ishte dukur sikur kisha klithur me tërë fuqinë e shpirtit:
O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!
Mirëpo perënditë, të zënë me lojërat e botës së tyre, jo vetëm që nuk e kishin dëgjuar klithmën e tillë, por kishin menduar se nuk duhej ta bënin fare hesap, sepse botërat e tjera, sipas llogarive të tyre, do të duhej të ekzistonin vetëm për ata vetë dhe jo edhe për të tjerët…
Viti ´81 – karakteri i demokracisë
Pikërisht në zemrën e botës së të rinjve të përshkruar më lart qëndron kërkesa për barazi të plotë dhe për liri të ngjashme me atë të kombeve të tjera të Jugosllavisë. Në qoftë se liria nënkuptohet si oportunitet perspektive individuale dhe kolektive, si mundësi e vetëkrijimit të plotë të njeriut, dhe në qoftë se liria për vete «per se», nuk ka ndonjë kuptim, atëherë kërkesa për republikë ishte kërkesë për suazat dhe për instrumentin vetanak të realizimit të saj (lirisë së vetëkrijimit). Nga ky aspekt, spekulimet për manipulimin me bartësit e v. 1981, në qoftë se nuk e kanë burimin tek ata që atë e kundërshtojnë, atëherë kanë të bëjnë me tendencën e rikthimit të pozitave të humbura, d.m.th., në funksionin dhe në karakterin e instrumentit në fjalë, me natyrën e demokracisë së preferuar, me raportet shoqërore që dëshirohen të zhvillohen. Ndonëse kontestohet me vehemencë, spekulimet e tilla janë recidivë e sistemit njëpartiak, të cilësuar ndër ne si sistem monist. Te kritika në gjuhën serbokroate sistemi njëpartiak më shpesh cilësohet edhe si sistem njëmendshmërie (jednoumlja), d.m.th. sistemi i dominimit të një mendimi dhe i kastigosjes së mendimeve tjera. Mirëpo sistemi njëpartiak mbetet sistem njëpartiak (term politik) dhe filozofikisht mund të cilësohej me njëmendshmëri të mendimit. Kështu, edhe në pikëpamje të mendimit, por edhe të praktikës politike, sistemi njëpartiak (i cili mund të ishte, por edhe mund të mos ishte socialist), ishte ekskluziv edhe në mendim edhe në praktikë. I shërbente atyre që e kishin pushtetin dhe përkrahësve të tyre. Ajo që mbeti e pathënë gjatë përdorimit të kësaj terminologjie në të vërtetë ishte refleksion i pasigurisë së aktualitetit politik. Kritika, me fjalë të tjera, edhe pse përpiqej t’i printe zhvillimit të proceseve, nuk ishte fort e sigurt për sa i përket kahjes së mundshme të zhvillimit të tyre.
Ndërkaq kritika në gjuhën shqipe, të dy kuptimet e nocioneve të përmendura («njëpartiak» – «njëmendshmëri»), i përfshiu me nocionin sistem monist, dhe kjo po ashtu nuk mund të mos ishte refleksion i aktualitetit politik. Sistemi monist, si nocion, e ka burimin në filozofi, konkretisht te filozofia monadologjike e Lajbnicit (Gottfried Wilhelm Leibniz, 1646 -1716). Kuptimi filozofik i monadës te Leibnici nuk është vetëm ekskluziviteti, përjashtimi i asaj që nuk është «një», por harmonia, tretja e «jonjëshit» në «një», substanca e pandashme dhe unike, që është burim i vetvetes. Politikisht, Leibnici e kërkonte tejkalimin e copëzimit feudal të Gjermanisë së shekullit XVII në emër të një borgjezie që ishte në lindje e sipër, por akoma të paformuar plotësisht. Ndërkaq, te ne aludohet në shkrirjen e diferencave, të dallimeve të ndryshme shoqërore, dhe të përvojave të ndryshme individuale dhe grupore, në emër të qëllimeve «të nënkuptuara», por që nuk mbrohen botërisht.
Bota e të rinjve të vitit ’81 e akcepton demokracinë si mundësi të shprehjes së mendimit të lirë. Në të vërtetë ajo u lind si e tillë në luftë për realizimin e kësaj mundësie, por ajo nuk mund ta akceptojë demokracinë si zëvendësim të një njëmendshmërie me një njëmendshmëri tjetër; jo si rrotullim të pozitave të mendimeve dominante dhe ekskluzive me mendime të tjera që e synojnë dominacionin dhe ekskluzivitetin e të parëve. Ajo mund ta lejojë absolutizimin realativ të një mendimi shoqëror, në qoftë se ai është rezultat i konkurrencës së lirë të mendimeve, në qoftë se është kulluar përmes luftës së hapur të mendimeve të ndryshme, por nuk mund të pajtohet me mbisundimin e një mendimi, në kohë dhe në hapësirë, në qoftë se atë pozitë e ka arritur dhe e ruan me metoda të vjetra të monopolit të shtypit, me izolimin e heshtur dhe ilegal (joligjor) të bartësve të mendimit të kundërt, ose me përparësitë që vjedhurazi ia ka mundësuar sistemi i vjetër, duke mos i dhënë kurrfarë shansash të tjerëve, bartësve të vërtetë të ndryshimeve.
Dhe – demokracia nuk mund të heshtet me pretekstin e momentit. Bota e të rinjve të vitit ’81 ishte e hapur dhe i barti të gjitha konsekuencat. Andaj, preteksti i «çastit», i «momentit», i «rendit» të realizimit të qëllimeve, nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Gjërat u thanë hapur qysh më ’81. Për këtë shkak, preteksti i momentit mund të ketë ndonjë lidhje të kuptueshme vetëm me strategjinë e zhvillimit të raporteve shoqërore dhe të pozitës shoqërore të mjeteve të prodhimit. Me fjalë të tjera, e ky është kyçi i problemit, jo vetëm ndër ne, por edhe në Evropë, nuk është akoma e qartë se çfarë demokracie synohet?
Në këtë pikë bota e të rinjve të vitit 1981 ndeshet me realitetin. Ajo e kishte të qartë se çfarë nuk deshi:
Ajo nuk e deshi praktikën e zhvillimit të deformuar e të mangët.
Socializmi, në përgjithësi dhe jo vetëm te ne, nuk kishte pasur sukses ta zgjidhte çështjen e demokracisë. Përpjekjet e RSP të Shqipërisë dhe të disa vendeve të tjera që këtë çështje ta reduktonin në pjesëmarrjen aktive të masave në proceset e ndryshme të nxjerrjes së vendimeve, në kushtet e vetëizolimit ndërkombëtar nuk mund të prezentoheshin si të suksesshme; socializmi nuk mundi ta krijonte një bazë mjaft të gjerë e të fortë shoqërore e as ta ndryshonte vetëdijen shoqërore gjer në atë shkallë e cila, pa rrezikun e përmbysjes së rendit shoqëror, do ta mundësonte luftën e hapur të ideve dhe të partive politike; nuk guxoi ta rrezikonte luftën termonukleare dhe ta katandiste njerëzimin në hiç. Për këto e shkaqe të tjera, veçanërisht të lidhura me nevojën e zhvillimit (modernizimit), hoqi dorë nga lufta për eksportimin e revolucionit, të komunizmit dhe për ndryshimin e tërësishëm të raporteve ndërkombëtare (momentalisht, është irelevante, pos për hesape politikaneske, të polemizohet mbi atë se a qe i detyruar apo edhe vetë deshi të hiqte dorë). Mirëpo të flitet për socializmin vetëm si për një eksperiment totalisht të dështuar do të thotë që më së paku t’i krijosh probleme së ardhmes, veçanërisht në kushte të pazhvillueshmërisë.
Prandaj, për shkak të shkallës së zhvillimit të gjithmbarshëm, problemi thelbësor i Kosovës nuk është shkalla me të cilën akceptohet demokracia por zhvillimi. Demokracia doemos do të duhej t’i ndihmonte zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës. Si e tillë është padyshim e mirëpritur dhe e mirëseardhur. Mirëpo me demokraci nuk mund të synohet konservimi i raporteve të vjetra, sepse ato në Kosovë shpesh janë të karakterit feudo-klanor, dhe bile as të karakterit feudo-borgjez. Në qoftë se me demokraci synohet demobilizimi dhe jo mobilizimi i forcave të zhvillimit; në qoftë se, ajo (demokracia), nuk do ta mundësojë (përmes zgjedhjeve të lira), shpërthimin e forcave të njëmendëta kreative; në qoftë se përmes konkurrencës së lirë të ideve, mendimeve dhe mallrave nuk do të mundësohet ndërtimi i vlerave të njëmendëta; në qoftë se, me fjalë të tjera, demokracia, përmes mekanizmave tanimë të njohur, do të reduktohet në formalizëm të thjeshtë për ruajtjen e privilegjeve tashmë të privilegjuara e jo për begatimin e jetës shoqërore dhe politike, ky lloj i demokracisë në Kosovë nuk do t’u duhet as bartësve seriozë të saj, të cilët në Amerikë e propaguan si mënyrë të denjë për jetën e njeriut.
Kosova, me fjalë të tjera, as nuk e ka importuar, e as që mund ta importojë demokracinë. Dhe, nuk mund, gjithashtu, ta eksportojë atë. Ajo nuk mund ta ndërtojë demokracinë në baza të ekskluzivitetit nacional, e as të antikomunizmit. Të provohet e kundërta do të thotë të dhunohet demokracia dhe të provokohet e ardhmja demokratike.
Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit.
Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat.

Krushë e Madhe, 26 Maj 1990

***
(Shkëputur nga libri: “UKSHIN HOTI: FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE – PJESA II – VITI ’81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË”)

_____________
PJESA E PARË:
UKSHIN HOTI: VITI 81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4036
***
PJESA E DYTË:
UKSHIN HOTI: VITI 81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4037

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura