VEPRIMTARIA E LPRK-së NË KËSHILLIN E RRETHIT TË PRESHEVËS (1987 – 1991)

VEPRIMTARIA E LPRK-së NË KËSHILLIN E RRETHIT TË PRESHEVËS (1987 – 1991)

Veprimtaria në Preshevë e rrethinë, me Bajram Kadriun, alias “Kocin” dhe me shokët e tjerë

Nga Menderes Zeneli

Me “Kocin” jam njohur në vitin 1986, me të cilin kam vazhduar bashkëpunimin në organizim deri me 1999, kur në mbledhjen e Prizrenit LPK-ja bëri transformime. Është njeriu i parë që kam njohur në një organizim ilegal, ku njihej si organizatë Pararojë e O M L K-së dhe organizatë masash të gjera L P R K. Fillimisht me të gati një vit kam mbajt kontaktet veç me pseudonime, ai e kishte pseudonimin “Koci” e unë “Mala”. Gjatë veprimtarisë shiheshim shpesh, gati për çdo javë, me që ishim në Prishtinë. Si studentë të asaj kohe, ai studionte Gjuhë e Letërsi e unë Histori. Po gjatë veprimtarisë sikurse na mësoi përvoja, jo e jona por gabimet të shokëve tanë që kishin ra në burgje gjatë shpërndarjes së trakteve, shkrim parullash apo ndonjë libër që ishte i ndaluar. Kështu u kalitëm, u zgjerua organizimi, por u rrit edhe disciplina nuk binin në kurthet e pushtetit, përkatësisht të UDB-së? Sistemi i organizimit, ku quhej sistemi i tresheve ka dhënë prova, që nuk kishte polici sekrete që mund ta zbulonte!

Me Bajram Kadriun, alias “Koci” materialet, për nevoja organizative nëpër rrethe i shpërndanim bashkë, si: Trakte, komunikata, njoftime për radhët e brendshme të organizatës, “Mendime mbi organizimin” të Nuhi BERISHËS “Qëndresa” të Rexhep Malës, pastaj libra politik, ku përmendej Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, p.sh Titistët, që ishte format i vogël për t‘u shpërndarë më lehtë. Me “Kocin” kemi themeluar celulat, përkatësisht Këshillat e Rretheve të LPRK-së në Preshevë e më pastaj në Kumanovë.

Ata, shokët e Kumanovës sikur hezitonin të merrnin aksione t`i shpërndanin materialet për masat e gjera si trakte, komunikata e materiale të ndryshme, (ku Organizata bënte përpjekje shtrirjen e rrjetit organizativ edhe në Kumanovë), me arsyetimin se rrezikohemi me ra në burg ose ruheshin për më vonë?! Ata paraardhësit tanë të organizimit athua nuk e kanë ditur atë, se çka i gjenë e vuanin dënimet prej kohësh, kishte të burgosur edhe nga Kumanova?!

Deri sa në një numër të “Zërit të Kosovës” i shpërndarë edhe në Kumanovë, njoftonte me një shkrim shumë të dhimbshëm me titull “E mbytën Nexhmedinin” është fjala për një vrasje makabre, ku disa kriminelë, maqedonë, në bashkëpunim me pushtetin e vranë në pikë te ditës Nexhmedinin, që populli e thërriste Neçki. Ishte viti 1988, qëllimi ishte, që të njoftohet popullata atje, se i dhimbsej Nexhmedini! “Koci”, si anëtar i Komitetit Drejtues merrte pjesë në disa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, të LPRK-së edhe jashtë vendit. Zgjerimi i rradhëve vazhdonte kudo, nëpër rrethe po ato rrethe që ishin afër territorialisht bashkëpunonin në mes vete i ndihmonin njëri-tjetrin edhe me pjesëmarrje në aksione p.sh. rrethet Preshevë, Kumanovë, Bujanoc, Kamenicë, Gjilan, Viti, Ferizaj e disa rrethe tjera (do i përmendi një herë tjetër) kemi bashkëpunuar shumë mirë. Gjatë veprimtarisë në ilegalitet me Kocin e shokë të tjerë jam njohur e kemi marrë aksione të përbashkëta si me: Irfan Musmuratin nga Kamenica, Xhevat Qerimin nga Vitia, Skender Hajdarin nga Prishtina, Qemajl Qerimin, Isa Musmuratin, Nezir Berishën, Azememine Musmuratin, Fikrije Berishën, Kadishe Berishën, Teuta Qerimin, e shumë të tjerë…!

Pjesa e dytë e viteve `80, saktësisht pas 1985 organizimi mori hov gati në të gjitha rrethet e Kosovës! Por kulminacioni i suksesit u pa në Mbledhjen Parë të Përgjithshme të LPRK-së më 1987. Veprimtarët, që dolën nga burgjet, disa që kishin dënime më të vogla, për ne që vepronim në atë kohë ishin të mirë pritur në organizim! Pas daljes shumica bashkoheshin me organizatën dhe ishin ndihmesë e madhe. Por jo të gjithë ishin të gatshëm për ta vazhduar aty ku e kishin lënë?! Disa pushteti i detyroi të shkonin në shërbim ushtarak, me që ishin ende të ri në moshë, disa u izoluan ose i shikuan punët e veta?! Disa filluan shpejt e shpejt të dalin në shtetet e Perendimit, si në Zvicër, Gjermani, Austri e gjetiu, bile ata që dolën jashtë, të cilët kishin qenë në burg ia panë “hajrin” atyre viteve të burgut, me dëshmitë e letrat, që i morën me vete, përfituan statusin e të strehuarit politik! Me procedurë të përshpejtuar, ku merrnin përgjigje deri në 6 muaj, se ju ka njohur strehimi i të përndjekurve politik. Merrnin edhe dokumente udhëtimi, mund të shkonin kudo, veç jo në vendin e origjinës. Këtu më poshtë dua t’i trajtoj me shumë seriozitet fillet e organizimit të LPRK-së në Preshevë e rrethinë me dëshmi e fakte emra të përveqëm, proçesëverbalet që janë ende, komunikata, trakte e gjësende, që kanë ardhë nga qendra K. D dhe anëtarët e saj, dhe ata, që personalisht kanë ardhë në ato anë.

Në kujtimet e mia, intervista e shkrime të kohë pas kohëshme ku jam paraqit, kam shprehur edhe format e organizimit, kontaktet, bashkëpunimin gjithandej Kosovës, pa e lënë në harresë as Preshevën. Presheva me rrethinë, që nga themelimi i LPRK-së, ka pas veprimtarë, që militonin brenda saj. Mërgimtarët, që punonin përkohësisht, si në Zvicër, Gjermani, Austri dhe në shtete tjera perëndimore, si dhe student, që studionin jashtë në atë kohë. Ata sillnin materiale të ndryshme, “Zërin e Kosovës”, literaturë si revistën “Shqipëria e Re”, kaseta e filma artistikë të prodhimit të Kino Studio Shqipëria e Re, materiale propagandistike, broshura, libra etj.

Se kush ishin ata, që kishin nëpër duar materiale propaganduese, ku denoncohej regjimi i egër sllav i atëhershëm nuk mund ta di askush, përpos ata vetë ku kanë bërë pjesë në organizim, ku kishte Këshilla Popullor, Këshilla të Rretheve, kanë qenë simpatizant, kandidat apo anëtarë edhe formalisht të Organizatës, qoftë në vendlindje, qoftë në Kosovë dhe viset e saja. Është shumë me vlerë, që secili të shkruaj kujtimet e veta, mos të mbetet në harresë asnjë veprimtari e askujt! Sa i përket Preshevës me rrethinë e them me përgjegjësi morale, se nga viti 1982 deri 1999 numri i atyre, që kanë vepruar ka qenë me dhjetëra! Numri i veprimtarëve ka qenë më i madh, krahasuar me Këshillin e Rrethit të Llozanës në Zvicër, kushtet e veprimit dihen, cilat kanë qenë në Preshevë e cilat në Llozanë (mund ta dëshmoj cilido këtë nga veprimtarët, unë kam veprua nga 1986 deri 1993 në Preshevë, nga 1993 deri 1999 në Llozanë. Po i këthehemi me përpikëri rrjedhave të organizimit në Preshevë e rrethinë (e kam thënë në kujtimet edhe më herët, po këtu do i sqaroj disa sende më hollësishtë).

Në Preshevë e rrethinë tani më kishte njerëz të organizuar në LPRK!. Shokët mbanin lidhje organizative në mes veti. Vlenë të përmendet, se lidhjet me K.D. në Kosovë i mbante Menderes Zeneli, fillimisht me Bajram Kadriun, anëtar i K.D, Irfan Musmuratin nga rrethi i Kamenicës, Xhevat Qerimin, Qemajl Qerimin nga rrethi i Vitisë dhe të tjerë, të gjithë këta veprimtarë të OMLK-së, -LPRK-së. Në shtëpinë e Nijazi Aliut në Preshevë me 1987 Bajram Kadriu (Koci), Irfan Musmurati dhe Xhevat Qerimi kemi themeluar celulën bazë – Këshillin e Rrethit të LPRK-së, fillimisht në këtë përbërje: Nijazi Aliu, Menderes Zeneli, Halim Selimi, Rami Sahiti e pak më vonë Sabit Bajrami, të cilën e ka udhëheqë Menderes Zeneli deri në një mbledhje më të zgjeruar në fund të Janarit 1992. Por rrjeti i Organizatës së Masave ku atëherë quheshin simpantizant, kandidat për aderim në organizatë, ka qenë edhe më, kuptohet ai sistemi i Tresheve, për çështje konspiracioni, që i dinë shokët e organizuar, ku mund edhe të japin një ndihmesë po i kujtuan ato vite të veprimtarisë, qoftë përmes shkrimeve ose ku do ku dëshirojnë ata!

Ndryshimet, që ndodhën në Ballkan e shtetet e Lindjes, nuk mbeti anash as Kosova me viset e saja, pat dhe luhatje edhe te veprimtarët e ilegales, sidomos aty ku puqeshin ana ideologjike dhe zgjidhja e forma e problemit kombëtar shqiptar. Temë në vehte është kjo, do studim e studim…!

Po i kthehemi strukturës organizative në rrethin tonë. Në vitet e `90, veç kishin dalë në sipërfaqe, shoqata dhe një parti me emrin PVD, ku bënin përpjekje për ta ruajtur substancën kombëtare në ato anë. Edhe veprimtarët ilegal mezi i mbijetuan kohës, gjithkund në Kosovë e jashtë saj, ku në raste të këtilla kompetencat e vendimeve ia kalonin degës jashtë vendit të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Të burgosurit e `81-tës e këndej kush më herët e kush më vonë i kishin përfunduar vuajtjet e denimit. Në raste të shpeshta riorganizoheshin nëpër rrethe ose në ndonjë nga strukturat e LPRK-së, kuptohet aty ku gjenin lidhje: Vitet 1990, 1991, vite shumë të ngjeshura, si për veprimtarinë legale në partitë që tani kishin dalë në skenë ose veprimtaria e fshehtë që kërkonte formë të re të organizimit me rrethanat, që ishinë krijuar. Deri sa K.D i LPRK-së bënte përpjekje për ta marr veten, pas shumë takimeve e konsulltave, pasuar edhe nga disa debate të brendshme për shumë arsye, gjë që veprimtarët e asaj kohe mund të ofrojnë një debat të sinqertë! Po një debat i ndodhur në mes Bajram Kadriut (Kocit) e Ramadan Avdiut, alias (Bejta) e Halil Selimit, për pasoj Bajram Kadria nuk u ftua të merrte pjesë në Konferecën e Dytë të Jashtëzakoshme te Mulliri në Prapashticë të Prishtinës, në shkurt 1991.

Bajrami Kadriu u kthye në rrethin e Ferizajit, se a është larguar nga Komiteti Drejtues apo e kanë larguar këtë mund ta sqarojnë vetëm këta, që i përmenda më lartë! Por Bajrami e Xhevati si dy udhëheqësit kryesor të LPRK-së në tetor të vitit 1991 do të jenë bashkë në grupin e parë të njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në stërvitje ushtarake në Shqipëri!

Në vitit 1991 aktivitetet nuk janë ndërprerë asnjëherë në asnjë rreth të Kosovës!

Pasuan shumë ngjarje të ngjeshura: dolën në skenë shumë parti politike vepronin haptas, por ishin kryesisht ish strukturat e atëhershme, veç nëpër komuna dorzonin librezat e LKJ e LS-së e formonin parti, janë të njohura, mos të bezdisemi duke i zënë në gojë shpesh! Ç’është e vërteta edhe disa të burgosur e “hëngrën”, shkuan dhe u antarësuan nëpër ato parti. Nuk shkoi shumë e “u doli boja” por këta idealistat e pakët, që kishin mbet e vazhduan ashtu qysh mundën gjë që u riorganizuan e organizuan, natyrisht patën suksese! Edhe në rrethinën e Preshevës filluam me intezitet të lartë e disciplinë të jashtëzakonshme t‘i zgjerojnë rradhët. Nga K.D.si për të gjitha rrethet edhe te ne vjen një qarkore, ku kërkohej, që t`a njoftojmë qendrën në detaje, se çka kemi si: strukturë organizative, njerëz̈, mjete materjale propagandistike, mjete lëvizëse, makina e shumëçka tjetër. Përgjigjen qendrës ja u kemi dhënë me shkrim. Letrat i kemi në arhivë të K.D. dhe Këshillit të rrethit. Vendosëm t`i thërrasim gati të gjithë ata, që ishin burgosë e donin ta vazhdojnë veprimtarinë në kuadër të LPRK-së. Me shumicën njiheshim nga distanca por nevoja e kërkonte një mbledhje më të zgjeruar. Kishim filluar përgatitjet për emra të ndryshëm, shokë e bashkveprimtarë që do të jenë dhe ku do të merrte pjesë edhe një anëtar i K.D në mbledhje, saktësisht Halil Selimi!

Mbjedhja ishte paraparë të mbahet para Vitit të Ri 1991, për koinçidencë përfaqësuesin e K.D ato ditë e rrëmbejnë Sigurimi i Serbisë në stilin Latinoamerikan e burgosin në Prishtinë, për disa ditë nuk dihet, se ku është natyrisht, se duhet shikuar dhe të tjerëve mos ju kanë ra në gjurmë policia! Mbledhja u shty për më vonë e u mbajt në janar 1992.

Po si erdhi deri te organizimi i një takimi të tillë?

Në verën e vitit 1991, qendra përkatësisht K. D. i LPRK-së me një qarkore, që u përmend më lartë të gjitha rrethet i porosit e ju jep detyra të ndryshme, që organizimi të vazhdoj, pa asnjë hezitim, përkundër ndryshimeve, që ndodhnin me të ashtuquajtur sistem demokratik e nën pushtim! Takimet mes shokëve të organizuar vazhdonin pa ndërprerë i kishim takuar me dhjetëra ish të burgosur, edhe disa, që ishin angazhuar nëpër parti politike, rezultatet ishin të kënaqshme! Vlenë të përmendet, se atë mbledhje të një rëndësie shumë të veçantë, për kohën, vendin, pjesëmarrësit, verifikimin e tyre e kanë përcaktuar Sadik Ademi e Menderes Zeneli. Mbledhja është mbajt në rrugën “Qemal Shehu” nr,18 në Preshevë. Mbledhjen e ka udhëheq Menderes Zeneli, proçesëmbajtës Nijazi Aliu, pjesëmarrës kanë qenë të ndryshëm si: anëtarë të LPRK-së, ish të burgosur, musafirë. Të gjithë ata që kanë qenë aty e ju kujtohet ndonjë send, që ia vlenë për pasurimin e historikut të atyre ngjarjeve të lavdishme të LPRK-së është mirë, që të pasqyrojnë diçka nga ajo kohë. Proçesëverbali i atij takimi është krejtë, se si janë shprehur e paraqitur, është e shkruar me dorë dhe në fund janë nënshkruar të gjithë.

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura