RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (28)

Nga Asllan Muharremi

Përshëndetja me njerëz të dashur

Nga Spitali i Prishtinës e mora një taksi dhe pak pa ra terri arrita në Hade. E luta taksistin të ndalej në hyrje të fshatit dhe pasi zbrita nga makina u nisa në drejtim të brendisë së fshatit. Nga aty kalova nëpër fshat dhe zbrita poshtë në një rrugicë që do të më shpinte nën shtëpinë e dajës Isë. Më duhej të mos kaloja afër shtëpisë së dajës Salih. Kisha frikë se po takoja ndonjë njëri gjatë rrugës, që do të më njihte, ndonëse e mbaja një fashë të bardhë në kokë e bardhë?!

     Hyra në oborr të shtëpisë së dajës Isë dhe trokita në derën e shtëpisë. Kur më panë  se u ktheva u gëzuan të gjithë. Dajës Hajrë nga gëzimi ju mbushën sytë me lot.

     ‒ Kur mora vesh se të kanë dërguar në Beligrad, e pata humbur besimin se do të na ktheheshe i gjallë, – më tha daja Hajrë dhe i fshiu lotët.

     Të nesërmen, Qamili ka ardhur me makinën e tij më ka dërguar përsëri në Spitalin e Prishtinës.

     Pas kontrollimit që më kanë bërë mjekët më kanë thënë se gjithçka është mirë dhe se sipas mendimit të tyre sëmundja është mundur. Ata m’i hoqën penjtë nga plaga dhe më thanë që përsëri të lajmërohesha për një kontroll pas një jave. U përshëndeta me mjekët dhe u ktheva  përsëri në Hade.

      Tek daja Isë dhe Hajrë (ata jetonin ende së bashku)  i bëmë disa fotografi që t’i kemi si kujtim. Gjithashtu tek daja Isë e kam lënë edhe një fotografi që e pata bërë në Beograd, ku unë e kisha të mbështjell kokën me një fashë të bardhë.

  • Prishtinë, e hëne, më 4 prill 1983: Së bashku me Ferki Morinën, shokun e përpjekjeve për lirinë e Kosovës.

Po atë mbrëmje pata biseduar me Selveten që të më ndihmonte për të rënë në kontakt me Bedri Selmanin në Mitrovicë. Asaj ia pata dhënë numrin e telefonit të shtëpisë së Bedriut. Ditën e nesërme, Selvetja më njoftoj se kishte biseduar me Bedrin dhe ia kishte lënë porosinë.

     Ditën e tretë apo të katërt jam larguar nga shtëpia e dajës Isë. Familjes së dajës Isë u premtova se do të kthehesha sërish një natë tjetër para se të merrja udhën e përtej bjeshkëve!

***   

      Në mbrëmje jam kthyer sërish në Gllavotinë. Sheremetit dhe Elhames ju mbushën sytë me lot nga gëzimi, kur më panë, pas njëzet e gjashtë ditësh qëndrimi në spital. Më thanë se vazhdimisht ishin njoftuar për gjendjen time shëndetësore, por tani ndjeheshin shumë të lumtur që po më shihnin të shëruar dhe të ringjallur.

      I gëzuar që po më shihte përsëri në këmbë, Sheremeti, nisi të më tregoi:

      ‒ Unë e kisha humbur fare shpresën se do ta mbijetoje sëmundjen. Vetëm prisja se kur do të marrë “ora e ligë”. Madje kisha bërë plan që nëse vdes të të varros në oborr të shtëpisë sime!

     Unë nuk mund ta mbaja vetën dhe fillova të qesh, ndërsa Sheremetit iu mbushën serish sytë me lot.

      ‒ Unë për vete se kam pasur ndërmend  të vdes,‒ i thashë Sheremetit, i cili më shikoi me habi dhe dhe m’u bashkua në të qeshurën time. 

      Sheremetin e kam njoftuar se po afrohej dita e përpjekjes për largim nga Kosova.

      Atë mbrëmje Sheremeti më ka njoftuar se si një ditë gjersa po kalonte afër shtëpisë së Hoxhës së Vogël, mbi shkollë të Gllavotinit dhe afër një gardhi e gjen domarin (mirëmbajtësin)e shkollës, Hajdar Miftarin, duke shikuar në drejtim të shtëpisë së Hoxhës së Vogël. Meqë Hajdar Miftari zihet ngusht, Sheremeti e pyet se ç’ishte duke shikuar në drejtim të shtëpisë së Hoxhës dhe Hajdar Miftari i përgjigjet: “Më kanë thënë me ruajt dhe të shikojë se mos po vjen djali i Beh Mihaliqit te Hoxha..”

      Sheremeti më tha:  E dija se është një informator ai Hajdar m…

      Është interesant të theksohet se Hajdar Miftari nga Beçuku është nip i Zhilivodës dhe tezak i Xhevat H. Bajramit!

     Të nesërmen, në afërsi të Bivolakut jam takuar me Ferkiun. Edhe kësaj radhe si zakonisht ai erdhi me kohë në takim. U përqafuam me mall të madh. Ferkiun e njoftova se si kisha kaluar në Beograd dhe se çka më kishin thënë edhe mjekët në Prishtinë. Gjithashtu e njoftova edhe për shëndetin tim dhe se ndjehesha mirë dhe i përtërirë.

      Gjatë  takimit Ferkiu më ka njoftuar për gjendjen dhe zhvillimet lidhur me mundësinë e largimit nga Kosova: 

     “Behxhet Ahmeti ka udhëtuar në Turqi dhe e ka rregulluar çështjen e pasaportës. Atje ai i ka lënë dy fotografi. Në shtëpinë e Sabri Novosellës e kishte harruar letërnjoftimin dhe ishte shqetësuar pak, por i thash të mos shqetësohej për këtë. Këto ditë ai duhet ta merr pasaportën nga njeriu i shokëve të Lëvizjes. Ne mendojmë se nuk duhet pritur shumë dhe duhet bërë përpjekje për largimin tënd nga Kosova. Nuk duhet harruar se UDB-a nuk është dorëzuar në përpjekjet e saj për prangosjen tënde. Edhe pas lirimit të Vehbi Mujës dhe shokëve të rrethit të tij, ajo po punon për të ra në gjurmë. Enver Maxhuni dhe Zeqir Sadria nuk janë duke lënë gur pa lëvizur për të të gjetur, por edhe për ta thyer familjen tënde, ndaj të cilës është duke u bërë presion i madh. Behës po i thonë udbashët dhe njerëzit e tyre se “dorëzimi i Asllanit nuk paraqet asnjë rrezik për të dhe të ardhmen e tij! Shokët e tij i kemi liruar dhe me Asllanin i kemi vetëm dy-tri fjalë! Se Asllani nuk ka nevojë të largohet e të humbet nga Kosova e të tjera përralla udbeske”.

       Me Ferkiun morëm vesh që unë t’i kontaktoja të gjitha shokët dhe të përshëndetesha me ta. Gjithashtu, unë duhet t’i përgatisja shokët se me cilin do të mbanin lidhje pas largimit tim. Ferkiu do të punonte me tim vëlla, Shabanin, dhe do ta përdorte atë për të mbajtur lidhje me disa nga shokët që gjer me tani kisha mbajtur lidhje unë. Me Ferkiun u morëm vesh se kur do ta takoja edhe Xhemën, pak para largimit tim.

***

  • Në familjen e Xhafer Durmishit: Mustafë Majaci (i ati i Xhaferit), Shaban Muharremi (vëllai i Asllani Muharremit), Jashar Durmishi (me bluzë të kuqe) dhe Xhevat Durmishi me një fëmij në prehër

Shtëpia e parë që do ta vizitoja para se të largohesha nga Kosova ishte shtëpia e Mustafë Majacit (i ati i Xhafer Durmishit). Kalova nga Gllavotini nëpërmjet urës së Silnicës afër Prelluzhës. Aty e vazhdova rrugën pranë brigjeve të Silnicës, nëpër rrafsh, gjersa e kalova hekurudhën dhe dola në libar. Pasi kalova nëpër arat me të mbjella arrita tek Lagja e Durakëve dhe e kalova urën mbi Llap. Nëpër rrugica kalova deri tek shtëpia e  Mustafë Majacit.

     Fatmirësisht dera e oborrit qëlloi e hapur dhe u futa brenda në oborr. Trokita lehtë në derën e odës dhe nga oda doli baca Mustafë i cili  u gëzua shumë kur më pa. Më futi në odë, por pas pak më tha të shkojmë në shtëpi sepse druante se mos po vinte ndonjë mysafirë i papritur. E ëma e Xhafës, Habibja, u gëzua kur më pa. Ajo më tha:

    ‒ Sa mirë bëre, që erdhe edhe tek ne! Kur të pashë, u gëzova, sikur të më kishte ardhur Xhaferi!

      Gjatë qëndrimit në shtëpinë e Mustafë Majacit, Xhevati më bëri një kontroll të veshit dhe ma nxori nga veshi një fashë, që ende kishte ngelur aty, dhe që mjekët do të ma hiqnin në vizitën e planifikuar të pas disa ditëve.

     Të nesërmen, u përshëndeta me familjen e Xhafës. Deri afër rrugës automobilistike Vushtrri – Prishtinë, që ishte sipër arave, më përcolli baca Mustafë.

      Nga aty, kalova në Stanofc të Epërm tek Bahtir Haradinaj, i cili fatbardhësisht qëlloi në shtëpi dhe menjëherë më urdhëroi të hyja në dhomën e miqve. Ky ishte takimi ynë i parë pas disa muajsh. U gëzuam shumë që u takuam përsëri. Bahtiri, kishte dëgjuar se policia ma kishte rrethuar shtëpinë, por nuk dinte asgjë tjetër dhe më kishte pritur se do ta kontaktoja. 

      Dikur pasdite, u kthye  nga puna i vëllai i tij, që nuk më njihte se kush isha. Bahtiri më prezantoi se isha shok i studimeve. Gjatë bisedës, i vëllai i Bahtirit  nisi të na e tregonte historinë e rrethimit të shtëpisë sime, që kishte dëgjuar nga një shok i tij:

      ‒ Një shok në punë më ka treguar se policia dhe ushtria e kishin rrethuar në tre rrathë një student në fshatin Mihaliq! Përkundër rrethimit, studenti kishte arritur ta çante rrethimin! Ai, sipas shokut,  kishte lidhje me Shqipërinë!

     Unë dhe Bahtiri i lëshuam një shikim të shpejtë njëri-tjetrit.

      ‒ Nuk besoj se e kanë rrethuar në tre rrathë! I rrisim gjërat ne nganjëherë. Nuk besoj as në atë të dytën se ai Studenti paska lidhje me Shqipërinë! Edhe kjo duhet të jetë propagandë e UDB-ës, – i thashë vëllait të Bahtirit!

      Gjatë qëndrimit në shtëpi të tij, Bahtirin e njoftova për planet që kisha dhe se ndoshta, për një kohë, ky do të jetë takimi ynë i fundit. Bahtir Haradinaj më përcolli nga fshati. Para se të ndahemi, i nxori nga xhepi dyzetë marka gjermane dhe m’i dha, me zor!

      Pas përshëndetjes me Bahtirin u nisa në drejtim të fshatit Dumnicë e Ultë, ku e kishte shtëpinë Shyqëri Imeri. Atë ditë, deri pasdite qëndrova tek Shyqa. I ati tij, baca Emin më priti shumë mirë. Nuk i fola asgjë për hallin që kisha, sepse nuk kisha dëshirë ta shqetësoja se me kë po i shoqërohej i biri.

      Gjatë qëndrimit deri pasdite vonë, edhe Shyqën e njoftova me planet që kisha. Atë e njoftova se pas largimit tim nga Kosova, shokët e Lëvizjes do ta kontaktojnë dhe se së bashku me ta ai do ta vazhdon veprimtarinë që e kishim nisur së bashku.

     Më përcolli deri në fund të fshatit dhe pastaj unë ika në drejtim të shtëpisë sime, që kishte tre muaj që nuk e kisha vizituar.

      Duke u kthyer nga Shyqa e duke kaluar lumin Silnicë, që ishte rritur dhe kishte dal nga shtrati, pas shirave të mëdha të atyre ditëve, në ujë më bie revolja që e kisha më vete. Revolja më ra nga brezi gjatë përpjekjes që bëra për t’i përvjel pantallonat. Ajo ishte e nipit tim, Idriz Selmani. Pas shumë përpjekjeve dhe një kërkimi të gjatë, e gjeta në fund të ujit. Ia fshiva ujin dhe e futa përsëri në brez, pastaj i lëshova një të sharë trupit tim, që më ishte bërë vetëm asht e lëkur dhe që nuk m’i mbante pantallonat e le më këtë revole kaq të rëndë!

     Në fushën pranë lumit Silnica, në mes lumit dhe Hekurudhës Mitrovicë – Fushë Kosovë, qëndrova derisa nis të errësohej dhe po e vështroja nga larg fshatin tim të dashur dhe Qyqavicën legjendare që i rrinte fshatit si kurorë. Pothuajse të gjitha arat e mbjella me grurë ishin korrur. Misri ishte rritur sa të mbulonte.

                  ***

      Para muzgut u nisa në drejtim të Mihaliqit tim të dashur. E kalova rrafshin dhe hekurudhën dhe ju ngjita kodrës përpjetë. Pas pak dola tek udhëkryqi pranë varrezave të fshatit. Isha i veshur me rroba të punëtorëve të Termocentralit Kosova, që kishin ngjyrë të kaltër dhe e mbaja një kapele të zezë (beretë). Mbaja edhe syze dielli të errëta për çdo të papritur, por edhe shikoja me kujdes mos po hetoj ndonjë njeri, me qëllim që t’u shmangem takimeve me ndonjë bashkëfshatar timin. Kur arrita tek shtëpia e xha Lifit, dëgjova tupanin që po binte  në Stanofc të Ultë dhe e kuptova se ishte kohe e iftarit. Ma merrte mendja se në atë kohë shumica e njerëzve ishin ulur pranë sofrave dhe po hanin darkën dhe se asnjërit  nuk i shkonte mendja të shikonte se kush po lëvizë nëpër rrugën e fshatit. Ndoshta edhe spiuni që kishte për detyrë ta përcillte shtëpinë  time në atë kohë ishte i zënë, – pyeta vetën time.  Vazhdova të ecja me të shpejtë nëpër rrugën kryesore të fshatit dhe shumë shpejtë arrita para dyerve të oborrit. Jam kacavjerrë mbi dyert e oborrit dhe kam hy brenda në oborr. Syzet më ranë dhe u thyen. U ofrova afër shtëpisë dhe nga jashtë i pashë se ishin duke ngrënë darkën dhe se së bashku me ta ishte edhe nipi ynë, Idriz Selmani. Nuk vonoj shumë dhe Shabani doli jashtë në oborr. U përqafuam me njëri-tjetrin. Shabani më tha të futesha në  dhomën e fjetjes.

     Takimi me nënën, Skënderi, motrat dhe Idrizin ishte mjaftë i prekshëm. U përqafuam me njëri-tjetrin. U gëzuam shumë që po shiheshim pas rreth tre muajsh dhe pas gjithë atyre ngjarjeve që në njëfarë mënyre na kishin prekur të gjithëve.

     Nuk vonoi shumë dhe e kuptova se nëna ishte në dijeni për gjendjen time shëndetësore. Ajo fliste më mua dhe nuk m’i ndante sytë. Pas pak, ajo më luti ta ktheja pak kokën, në mënyrë që ajo të më shikonte se, a më ishte mbyllur plaga prapa veshit.

     Më vinte keq për të gjitha shqetësimet që i kisha krijuar! Vazhdimisht i thosha se isha mirë dhe se nuk kishte arsye të shqetësohej për shëndetin tim, por kisha përshtypjen se ajo vazhdonte të ishte shumë e shqetësuar dhe e përfshirë nga një ankth i madh.

      Gjatë gjithë kohës sa kam qëndruar në shtëpi, dikush nga familja ka qëndruar në oborr dhe ka shikuar mos po i afrohet ndokush shtëpisë sonë.

      Meqë  Rrema20 dhe Nushi21 ishin shumë të vegjël dhe unë kisha frikë se ata mund të flasin me ndonjë bashkëmoshatarë të tyre, më duhej t’i shmangesha takimit me ta.

      Megjithëkëtë ata kishin diktuar se dikush po fshihej në dhomën e gjumit ku po qëndroja unë. Gjatë një dalje të nënës nga dhoma ku qëndroja unë, Nushi kishte bërë përpjekje për t’u futur në dhomë. Nëna e kishte penguar të futet në dhomë, por kjo si duket vetëm se e kishte shtuar edhe më shumë kureshtjen e Nushit për t’u futur në dhomë. Pas shumë përpjekjeve Nushi i kishte thënë nënës:

     -Ju po hani diçka, aty brenda në dhomë…?

      Në atë rast nëna e kishte pyetur se çka kishte dëshirë t’i jepte për të ngrënë, por kjo se kishte ndihmuar. Megjithëkëtë Nushi ishte shumë këmbëngulës dhe dëshironte të hynte gjithsesi në dhomë.

      Pas pak, nëna hyri brenda dhe më njoftoi se, Nushi ishte këmbëngulës dhe dëshironte patjetër të hynte në dhomën ku ishim ne. Atëherë u morëm vesh që  nëna të vinte së bashku me Nushin në dhomë dhe të qëndronte në dhomë disa minuta, ndërsa unë të qëndroja i fshehur në një dollapë rrobash në dhomë. Kështu edhe bëmë.

      Mirëpo ditën e nesërme, Nushi, u fut  në dhomën e ditës, krejt papritur dhe ballafaqimi me njëri-tjetrin na befasoi të dyve. Nushi u befasua aq shumë sa kur më pa se unë kisha lëshuar mustaqe e ktheu kokën në drejtim të derës dhe iku andej nga kishte ardhur. Unë përfitova nga rasti dhe u fsheha prapa një muri që e ndante dhomën e ditës dhe kuzhinën.

     Për ta mashtruar Nushin, Skënda22 i futi gishtërinjtë në hi dhe ngjyrosi një parë mustaqe dhe i doli Nushit në korridor për ta mashtruar se gjoja kishte qenë Skënda që kishte qenë dhomë kur Nushi e kishte parë me mustaqe dhe jo ndonjë tjetër! Skënda më tha pastaj se Nushi nuk e kishte pranuar asnjëherë se kishte qenë Skënda, por i kishte thënë se ai që e kishte parë kishte qenë  Cani.25

      Gjatë qëndrimit në shtëpi nëna ma tregoi një histori të sjelljes së Enver Maxhunit ndaj saj, mëngjesin e 7 prillit 1983, pas hyrjes  brenda në shtëpi:

      ‒ Çfarë shqiptari i pashpirt ishte, Enver Maxhuni!? Ma tregonte revolen dhe më thoshte se “me këtë revole dhe këtë dorë kam me ta vra Asllanin, sapo ta gjej!”

     Nëna lëshoi një frymë të thellë dhe nuk tha tjetër gjë.

     Gjatë bastisjes së shtëpisë, Enver Maxhuni i kishte kërkuar nënës që t’ua gatuante një kryelanë dhe nëna ju kishte përgjigjur:

     ‒ Ty ta kisha gatuar një kryelanë me zeher!

      Nëna ime më ka treguar gjithashtu se menjëherë pas largimit tim nga shtëpia dhe gjersa policia gjendej ende në rrugë para dyerve të oborrit, ajo ishte ofruar afër avllisë dhe në rrugë e kishe parë Xhevat. H. Bajramin, i cili çuditërisht atë mëngjes mbante kapuç të bardh në kokë! Nëna më tha se Xhevat H. Bajrami kishte ardhur nga shtëpia e tij dhe kur ishte ofruar afër shtëpisë sonë u kishte thënë policëve:

   ‒ Pse s’po e lini rehat, djalin?! A e dini, se në katund nuk ka djalë ma të mirë se Asllani!  

      Kështu, “burrërisht” kishte folur edhe Hasan Mustafa atë mëngjes kur “rastësisht” kishte hasur në polici tek dyert e oborrit tonë!

     Ardhja e Xhevat H. Bajramit me kapuç të bardhë në kokë ditën e rrethimit dhe kërkimi i tij për të më takuar dy-tre ditë para se të më rrethonte policia, fliste vetë se kjo sjellje e fqinjit tim ishte shumë e çuditshme dhe e dyshimtë.

***

      Shabani më ka treguar edhe dy ngjarje interesante ato ditë sa qëndrova në shtëpi:

      ‒ Shefi i UDB-ës në Mitrovicë, Faruk Mehmeti, në përpjekje për të rënë në gjurmë, niset tek shtëpia e burrit të hallës sime, Bahtir Selmani, në lagjen e Bajrit. Meqë merr vesh se Bahtiri ndodhej në fshatin Cërrnushë, kryeudbashi e merr me vete edhe zagarin e tij Sylejman Arifi dhe ngjitet përpjetë deri në fshatin Cërrnushë.  Pasi arrin tek shtëpia e vendlindjes së Bahtirit, e pyet njërin nga anëtarët e familjes, që ka qëlluar aty, se ku ndodhej Bahtiri dhe nga ai merr vesh se ai ishte tek Livadhi i Ukut. Farku Mehmeti dhe Sylejman Arifi bëjnë një shëtitje nëpër ahishtë, deri poshtë në Gjytet dhe pastaj kthehen nëpër qarrishtë dhe rrotull e dalin tek Livadhi i Ukut.23

      SipasShabanit, në rastin e takimit të shefit të UDB-ës dhe këlyshit të tij me Bahtir Selmanin ishte zhvilluar ky dialog:

      ‒ Bahtir, na ndihmo ta gjejmë Asllanin! Nuk po na duhet shumë, vetëm pak punë kemi me të dhe pastaj e lëshojmë, ‒ i thotë Faruk Mehmeti.

      Bahtir Selmani e lëshon një të qeshur dhe ju përgjigjet udbashëve:

      ‒ Unë po e kuptoi se po të duhet jo pak por shumë, sepse  për pak nuk ishit ngjitur deri këtu, por fatkeqësisht unë nuk mund t’ju ndihmoi, sepse nuk e di se ku ndodhet.

      Faruk Mehmeti dhe spiuni i tij e kishin ulur kokën dhe ishin larguar që andej.

     Ngjarja tjetër, kishte të bënte me Shabanin. Dy ditë para se të rrethohej shtëpia, Shabani kishte qenë duke shkuar në Prishtinë. Gjersa po e priste autobusin në Obiliq, i ofrohen dy persona të panjohur dhe e kapin për krahu. Shabani i pyet njerëzit e panjohur se kush ishin dhe pas këmbënguljes së tij që të mos vazhdonte të ecte kah e urdhëronin, ata i thonë se janë policë dhe e urdhërojnë që të vazhdonte të ecte në drejtim të Stacionit të Policisë në Obiliq. Arrijnë në Stacionin e Policisë dhe e vendosin në një dhomë. Aty e marrin në pyetje dhe e mbajnë deri në mbrëmje!

      Ky lajm, po ma shtonte bindjen se UDB-a ka qenë në kërkimin tim qysh para 7 prillit 1983 dhe, sipas të gjitha gjasave, ky kidnapim i Shabanit është bërë gabimisht, duke më kërkuar mua!

      Pak orë para se të largohesha nga shtëpia pata një bisedë në katër sy me prindërit e mi. Atyre u fola për planet që kisha. I njoftova se do të bëja përpjekje për t’u larguar nga Kosova. Gjithashtu, i pyeta se çfarë mendimi kishin për këtë çështje? Edhe ata ishin të një mendje me mua dhe kjo më gëzoj shumë.

      Nënës ju afrova dhe e përqafova.

      ‒ Gjithçka do të rregullohet,‒ i thashë.

      ‒ Në dorë të Zotit, ‒ më tha dhe mori frymë thellë.

      Më në fund erdhi edhe çasti i përshëndetjes me anëtarët e familjes. U përqafova me të gjithë. U thashë, që në vendin tim, t’i përqafojnë dhe puthin në të dyja faqet edhe Rremën dhe Nushin. Gjithashtu, i inkurajova që të bëhen të fortë sepse një ditë do të kthehem dhe se liria do të vijë patjetër edhe në Kosovën tonë.

      Shabani doli nga oborri i shtëpisë, shikoi mirë rreth shtëpisë se mos kishte ndonjë njëri dhe u kthye dhe  më tha të ecim dhe ne dolëm nga oborri. E kaluam rrugën dhe përroin dhe u ngjitëm batallakut përpjetë, afër e përkrah, Sokakut Qorr. Para se të ndaheshim, Shabanit i thashë që t’i vazhdonte kontaktet me Ferkiun… Diku kah mesi i batallakut u ndalëm me Shabanin dhe i thashë që ai të kthehej. U përqafuam shumë me njëri-tjetrin dhe u ndamë.

     Shabani u kthye në shtëpi, ndërsa unë vazhdova rrugës përpjetë. Para se të hy në pyll e ktheva shikimin kah shtëpia ime dhe po e shikoja… Pas pak çastesh ika dhe u futa në pyll. Diku pas një gjysmë ore arrita në folenë time, tek Sheremeti në Gllavotinë/Bivolak.

***

     Ishte fillimi i korrikut. Vera kishte ardhur me të gjitha të mirat dhe natyra kishte marrë një pamje të mrekullueshme. Atë ditë isha në shtëpi të Sheremetit dhe mezi po prisja të vinte nata e ta takoja shokun tim të dashur Bedri Selmani. Bedriut i kisha çuar fjalë ta merrte trenin e fundit nga Mitrovica dhe të zbriste nga treni në Plemetin. Aty i kisha dhënë fjalën se do ta prisja.

      Pas orës dhjetë të natës dola nga shtëpia e Sheremetit.   Parabellin  e futa në brez e u nisa në drejtim të Stacionit të Trenit në Plemetin. Nga Gllavotini kisha rreth gjysmë ore udhë.

    Treni erdhi me kohë dhe Bedri Selmani zbriti nga treni. Prita gjersa  u larguan udhëtarët në drejtimet e tyre dhe eca në drejtim të qendrës së Stacionit të Trenit. Bedriu më pa se ku isha dhe u nis drejtë meje. U përqafuam me mall të madh dhe u larguam nga Stacioni i Trenit afër vijës hekurudhore. Aty gjetëm një vend të përshtatshëm, u ulëm dhe nisëm takimin tonë.

    Bedriu, ishte nja pesë-gjashtë vjet më i ri nga unë dhe e kuptoja se ajo që  më kishte  ndodhur mua i kishte shkaktuar shqetësime edhe atij dhe shqetësimi ishte rritur edhe më shumë meqë ai nuk ka ditur se ku ndodhem dhe se a do të arrija të largohesha… Të gjitha këto shqetësime unë po i shihja dhe po i kuptoja nga biseda me të.

     Me Bedri Selmanin qëndruam së bashku deri në mëngjes. Atë e njoftova se do të largohesha ditët e ardhshme nga Kosova. Gjithashtu, me Bedriun u pajtuam që ai ta vazhdonte aktivitetin me shokët që kishte, por këtë ta bënte me kujdesin më të madh të mundshëm. Mos të kërkonte lidhje me Lëvizjen, por të priste gjersa të kthehej Rexhep Ahmeti nga shërbimi ushtarak.

***

     Të nesërmen isha tek familja e dajës Isë. Ishin mbledhur të gjithë dhe po më prisnin. Pos familjes së daje Isë dhe dajës Hajrë për t’u përshëndetur erdhën edhe Qamili dhe Selvetja.

     Pak para se të largohesha, Mirvetja e dajës Isë, më njoftoi se Selvetja kishte diçka për të folur me mua. Të gjithë dolën nga dhoma dhe ngela i vetëm me Selveten.  

     Isha kureshtar të mësoja se ç’do të më thotë Selvetja. Nuk vonoi shumë dhe Selvetja më tregoi se çka dëshironte të bisedonte me mua.

     ‒ A ka mundësi ta mësojë emrin e shokut për të cilin me ke pas folur dikur, apo ta di adresën e tij, sepse dua të njihem me të?

      Unë ngela i shtangur dhe i habitur dhe vetëm po e shikoja! Nuk më kujtohej se për cilin shok kisha folur me Selveten. Pas pak e “gjeta” në kujtesë emrin e shokut. M’u kujtua se me Selvetën kisha biseduar para një viti. Prandaj më duhej të bisedoja me shokun, para se t’ia komunikoja emrin e tij.

    ‒ Do të flas me shokun dhe do ta njoftoj për propozimin tënd, – i thashë Selvetës dhe kështu e mbyllëm këtë çështje.

***

     Takimet e mia me Xhemën, gjithmonë, kanë qenë të këndshme dhe të rëndësishme për mua. Por, tani që isha ilegalë dhe UDB-a më kërkonte kudo, një takim me Xhemën, për mua, ishte edhe një privilegj. Xhema, gjithmonë më kishte ndihmuar të gjeja rrugëdalje nga situata të ndryshme dhe për këtë arsye e pritja me padurim ta takoja. S’kishte gjë, se do ta takoja natën dhe do të bisedoja me te duke shikuar mos po lëviz ndokush afër nesh… Kështu kishim bërë gjithmonë edhe në të kaluarën dhe për shumëçka kjo nuk ishte risi.

     Xhemën dhe Ferkiun do t’i takoja aty ku i kisha takuar edhe shumë herë më parë, afër hekurudhës, në mes fshatit Resnik dhe Shtitaricë.

      Nga Bivolaku deri në Reznik eca në këmbë. Në vendtakim arrita pak para kohe. Xhema dhe Ferkiu erdhën së bashku. U përqafuam me mallë të madh me njëri-tjetrin dhe biseduam për shumë çështje, por më së shumti për të ardhmen e afërt që na priste. Edhe Xhema më dha mbështetje që të largohesha nga Kosova, së paku për një kohë e gjersa ta merrja vetën me shëndet… Meqë Xhema dhe Ferkiu i njihnin lidhjet e mia dhe e kishin të qartë se me cilët shokë do të vazhdonin punën, u pajtuam që ata t’i mbajnë lidhjet me shokët e krahut tim.  

      Lidhur me vazhdimin e kontakteve me Vehbi Mujën, shokëve u shpreha mendimin tim që ata të tregoheshin shumë të kujdesshëm dhe të mos e kontaktonin për një kohë. Shokët i njoftova se Vehbi Muja menjëherë pas lirimit më kishte çuar fjalë se kishte shprehur dëshirën të më takonte e të më sqaronte se çfarë kishte ndodhur,  se për çka e kishte pyetur UDB-a, se çka dinte UDB-a  për veprimtarinë tonë, por unë e kisha refuzuar një takim të tillë për shkak të disa lajmeve që kisha mësuar lidhur me të vëllain  e tij, Rexhep Muja.2

     Para se të ndaheshim me njëri-tjetrin, Xhemën e njoftova me propozimin e Selvetes. Duke më dhuruar një buzëqeshje, Xhema më dëgjoi me vëmendje. Në fund të rrëfimit tim me pyeti:

    ‒ Po, ti ç’i the Selvetës?

     ‒ Ajo që i thashë ishte se do ta njoftoj shokun tim për propozimin tënd dhe do t’ia them emrin tënd e pastaj shoku le të vendos se a do t’ju takojë apo jo,‒ ju përgjigja Xhemës.

     ‒ Unë e kisha hallin e shëndetit tënd, ndërsa ti na u paske marrë me shkuesi! ‒ u përgjigj Xhema dhe na bëri të qeshnim të treve.

    ‒ Unë kam mendime shumë të mira për Selveten. Të tjerat, ju bie ju t’i njihni e zhvilloni me tutje, – i thashë Xhemës dhe e lamë aty këtë bisedë.

      Pas pak u përqafuam shumë e shumë me Xhemën dhe i ngritëm grushtet e u ndamë me njëri-tjetrin. Nuk nxorëm lot, por mua zemra po më rrihte dhe nuk di se si shpëtova pa ia plas vajit si një fëmijë!

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura