Nga Brahim (Ibish) AVDYLI:
VLERA E PËRJETSHME E MIKROPOEZISË SHQIPE
(Studim për veprën poetike të Prend N. Buzhalës, „Këngëz me errësirë blu“, LENA Grafik, Prishtinë 2022)
1. Themeli i digës poetike
Të shkruash një recension mjaft të denjë për një shkrimtarë të përgjithshëm shqiptarë dhe kritikut mjaft të madh të letrave shqiptare, me 23 vepra poetike; 10 vepra me prozë , ndër to dy roman e tetë me tregime; 70 vepra me kritika, studime, studime monografike e vështrime; 4 vepra publicistiko-historike dhe kulturore; si dhe 18 libra përgatitje për shtyp; këto vepra të shtyjnë të mendosh e të studiosh tërë veprimtarinë e tij, edhe të kritikës dhe të teorisë letrare, që të mund të shkruash disa faqe tekstualisht të këtij studimi.
Dorën në zemër, i kam lexuar nga një herë edhe këto vepra të tij, si p.sh.: „Sizifi pa gurin e tij“ e „Një rê pa atdhe“, tregime me pak fjalë; „Në kapërcyell“, një roman; dhe „Shenjat e kryqëzimit“, rrëfejza të vërteta. Mund të them se nuk mjafton një lexim për të shkruar për këto vepra.
Në të vërtetë, po i vazhdoj shkrimet e gjata, të filluar për veprën me tregime të shkurtra, „Heroi i rrugës“, SHB „Rozafa“, Prishtinë 2017 dhe „Ani i ilirishteve“, poezi, Lena Grafik, Prishtinë 2020. Po i vjen radha veprës me mikropoezi. Vepra poetike „Këngëz me errësirë blu“, mikropoezi, është e sistemuar në 4 ndarje të poezive, me nga një titull sinjifikativ: „E parrëfyer kjo lumturi“; „Para derës së rruzullimit“; „E shqipërishme“; dhe „Shpirti i qetësisë së një peme“. Në radhë të parë, duhet të dimë çka nënkupton në teorinë e poezisë mikropoezia. Na vjen në mendje vepra e njohur e letërsisë moderne, në tërë botën e njohur perëndimore (Gjermani, Austri, Zvicër, Itali e Francë), e Mario Adreotit, „Stuktura e letërsisë moderne“[1], e cila jo vetëm që i ka rrugët e interpretimit të prozës tregimtare dhe të lirikës poetike postmoderne, por edhe strukturën e tyre në tërë letërsinë postmoderne, duke e përfshirë edhe strukturën e prapavijës së thellë tejshkrimore, që i përmban disa figura të rëndësishme të makro-strukturës dhe të mikro-strukurës, e të cilat na e paraqesin funksionin e vërtetësisë së tyre.
“Në një kuptim më të gjerë, eksperimentalja, në lidhje me testimin e mundësive të reja të shprehjes, është një tipar bazë i tërë letërsisë ( së sotme, po them unë) moderne“.[2] – na thotë zotëri Andreoti.
Letërsia bën pjesë në strukturën e mendimeve botërore eksperimentale të re (novatore), edhe kur arrin apo kur nuk e arrin me strukturën e vet, të jetë shprehje e mjeteve të zgjedhura të jetës e qenësisë së qëllimeve të saj. Ajo shpesh mund të jetë një dhunti e mirëfilltë. Mjaft forma të mendimeve të saj nuk janë eksperimentale, por të thëna me artin poetik mjaft bukur e suksesshëm në botën tonë artistike, të cilat njeriu që i përcjell këto risi, i modifikon që në gjenezë. Në të gjitha format e saj, kjo është bazë për tërë poezinë postmoderme. Në fjalorët tanë, të parat fjalë që janë të shënuara për të voglën e të madhen, janë për „mini“ dhe „maksi“. Këtu është minimalizimi i poezisë, por në formën e saj më të zgjedhur.
Çka mund të thotë Prend N. Buzhala për poezinë e tij edhe në formën e vet më të vogël?
Natyrisht mund të quhen thjeshtë poezia minimaliste sot, dhe kjo gjë është minimalizimi në art dhe në letërsi. Minimalizimi është një dukuri e gjerë e artit shkrimor e vizual apo video-filmik. E kemi thënë me vërejtjet tona në dy vazhdime, për tregime të shkurtra, ‘Heroi i rrugës’. Tani, i vjen radha poezisë minimaliste, ‘Këngëz me errësirë blu’,[3] e cila e ka si nëntitull të saj referencën ‘mikropoezi’. Mikropoezia e poetit të madh kombëtar gjithëshqiptar, i ka këto kontura të veçanta të poezisë, e cila i ka themelet veta të ngjeshura; përdorimin e fjalëve të pakta; strukturimin me pak të fjalëve; figurën poetike, e cila ngërthen shumëkuptimësi; dhe sintezën e përvojave të veta jetësore.
Me poezinë minimaliste merren trajtat e shkurtra të poezisë poetike, që ngjasojnë me tanka, vake (wake), haiko japonese, por këto gjuhë të tjera e kanë një strukturë tjetër të tyre. Diga poetike është e veçantë në këtë vepër.
Tri-katër poezi janë të haikut.
Haiku ka rregulla strikte dhe i ka tri vargje. Metrika e saj është e kufizuar edhe në formën e vargjeve: a) 5 rrokje, rreshti i parë; b) 7 rrokje, rrjeshti i dytë; dhe c) 5 rrokje, rrjeshti i tretë. Katër poezitë janë mjaft domethënëse: 2. Haiku, faqe 9; 4. Haiku, faqe 15; dhe 2 së bashku, me një titull, 3. Qumështi prej guri (Haiku buzë Rozafës). Forma tjetër është tanke, p.sh. me 5 vargje, vake (wake), dhe vargje të lira, me minimalizmin e mundshëm të tyre. Janë poezi më të shkurtra.
2. Elipsa poetike dhe vizionare e poetit
Misioni i parë që na jepet gjatë leximit të kësaj vepre poetike, është vetëdijesimi për shkurtesat e vargjeve në përmasat e vlershme të poezive të shkurta. Sikurse proza e tij, nëpër disa përmbledhje artistike me tregime të shkurtra, edhe kjo vepër e plotë artistike, me vargje të tëra që lundrojnë e përbalten nëpër lumin e jetës, plot batica e zbatica, deri në sipërfaqen e mbufatur ndër pezmatime përgjithësisht të kësaj jete, plot përvojë jetësore të poetit, na vinë me pak fjalë, sepse përmbytja nëpër lumin e jetes nuk ua mundëson të flasin më tepër, vetëm aq sa dalin nga pena e poetit. Po e kujtojmë edhe një thënie të këtij autori, i cili thoshte:
„Poeti, duke punuar me fjalën, arrin ta qetësojë stuhinë e mendimeve e të ideve, përmes thënies minimaliste të shprehjes. Ai e rivlerëson rolin funksionalizues të fjalës, gjën prozedime të përshtatshme për të arritur, përmes saj, te thelbi i çështjeve dhe gjërave. Të tilla janë ato edhe kur emërtohen si kronikë, parakallxim, rrufe, rrëfim, metaforë… Ai pranon ta sfidojë fjalën në thelbin e thjeshtësisë së thënies dhe sfidohet prej saj: duke e gjetur edhe te një grimcë e padushme poezinë e fshehur.“[4]
Ndonëse poeti Prend N. Buzhala shkuan në këtë vepër për një shkrimtar tjetër minimalist, e kjo vlen edhe për tërë poezinë e tij minimaliste.
Ai shton më tutje, në këtë faqe:
„Poezia nuk na është vetëm tekst. Shkon më tej: është këndim, por edhe imazh, spektër, tinguj, kundrim, meditim, hapësirë kozmike…“[5]
Siç thotë poeti, do të futemi në emocionet e brendshme të përceptimit e të persiatjeve të tij me fjalën e përdorur racionalisht, në magjinë e botës së poetit. Mikrostrukturat e jetës na shpalosen me ndjeshmëri të vërtetë nëpërmes të fjalës së shkruar, gjithnjë me dashurinë jetësore, që nuk është vetëm dashuria ndaj femrës, por është dashuria ndaj gjuhës së shkruar, në një ATDHE të veçantë, për të gjithë pjesëtarët e vuajtur të tij.
Është elipsa magjike e jetës se provuar të poetit në jetën e përkohshme, me të gjitha krajatat e vetëdijshme jetësore e mendore, të arritura me një përvojë të mjaftueshme në këtë jetë, që arrin ta thotë pikërisht poeti në këtë skaj të jetës, që të tjerët nuk kanë ditur të shkruajnë e me këtë përvojë, dhe as nuk e kanë hasur apo nuk e kanë këtë njohuri të shkrimit.
Po e marrim një eseiste europiane, zonjën Sigrun Hoellrigl, nga Gato-monodesign.de, „Arti i minimalizimit“, e cila na i reflekton këto gjëra, të cilat shtohen gjatë sprovimit të kthimit në film të këtyre poezive minimaliste, me një muzikë të veçantë. Me konsideratë, ajo thotë:
„Edhe mjeshtrit me përvojë dhe me shumë para mund të dështojnë në këtë detyrë, veçanërisht pasi ata gjithmonë duhet të ndërmarrin shumë rreziqe, d.m.th të shtyjnë kufijtë për të krijuar diçka të jashtëzakonshme…“[6]
Poezia minimaliste është në kufi të vrulleve të jashtzakonshme, sepse kur i lexojnë këto vargje të poetit mund të hedhim para syve një bredhje të vetmuar të tij dhe të dëgjojmë edhe një muzikë të trishtë, pastaj t‘i hedhim para syve edhe këto vargje aq sa janë, as më pak e as më tepër, pa i dëmtuar aspak përjetimet tona.
„… Në fakt tashmë duhet të jetë e qartë në konceptin bazë se si mund të arrihet ky minimalizëm…“
Në tërë vizionin e tij poeti ynë, Prend Buzhala e ka arritur këtë minimalizim të artit të madh jetësor dhe të poezisë së tij, që na shfletohet prej faqes së parë e deri në faqen e fundit.
„Poezia është bima e vogël më e ndjeshme në strukturën e përgjithshme që duhet mbrojtur. Arritja e ekuilibrit të duhur është një akt balancues shumë i ndjeshëm.“[7] – konsideron eseistja e njohur, Sigrun Hoellrigl, duke shkruar për poezinë minimaliste.
Poeti ynë, Prend N. Buzhala, e ka të qartë elipsimin e vet poetik nëpër thëniet e tij jetësore.
3. Esenca e poezive të shkurta dhe kuptimi i mikropoezisë
Po të marrim çka është termi sipas etimologjisë, në Wikipedia Org, do të shohim se për vargje të shkurtra është përdorur tanka prej gjysmës së dytë të shekullit të tetë dhe në shekullin e nëntë e dhjetë të erës sonë, kur ajo u bë forma mbizotëruese e poezisë në Japoni, e cila është quajtur waka (vaka), si formë kryesore. Sipas kësaj Web-faqe, në fillim të shekullit njëzetë, nga poeti e kritiku japonez Masaoka është riaktualizuar waka në një deklaratë, e cila duhet të rinovohet dhe modernizohet.
Atëherë kishte tanka 5 njësi, të cilat shpesh na trajtohen si rreshta të veçanta të shprehjeve, të cilat quhen „on“ dhe kanë 5-7-5-7-7 rrokje. Tri rreshtat me 5-7-5 rrokje quhen kami-no-ku (fraza e sipërme), ndësa 2 rreshtat me 7-7 rrokje quheshin shimo-no-ku (fraza e poshtme).[8]
Historiku i tankave, wakave dhe haikut kanë një varshmëri e kundërshti, jo vetëm për format e vargjeve dhe metrikës, por edhe të ideve që kanë ato nëpër shekuj. Me historitë e tyre nuk po merrem aq shumë.
Në fakt, nuk e kam për detyrë të merrem me ato forma të poezisë në këtë recension të gjatë për poetin e madh dhe veprën e tij poetike, Prend N. Buzhalën. Më duhet të theksoj se tanka, waka e haiku vazhdojnë të shkruhet edhe sot, p.sh.: familja perandorake japoneze shkruan tanka për vitin e ri.[9] Poezitë janë më të rralla dhe vetëm te familja perandorake, e pak guxojnë të shkruajnë ata të cilët nuk e posedojnë këtë titull, megjithëse thuhet se këto forma të artit japonez janë të përhapura ndërkombëtarisht. Interpretimi i këtyre poezive, të tankës, wakës dhe haikut, është i lirë nga poetë e përkthyes nga poezia japoneze, të cilët nuk u përmbahen rregullave të saja strikte. Gjuha japoneze është po ashtu gjuhë e veçantë.
Në të vërtetë, e pa plota, e pa thëna ose vetëm e nënkuptuar apo e lënë me qëllim jashtë thënies thelbësore, por që nënkuptohet nga ato që janë thënë kuptimisht, është haiku. Ndërsa tanka është nga pesë vargje të thurura me rrokje të caktuara të fjalëve. Nëse kanë më tepër vargje, ajo nuk është tanke. Pastaj vaka (waka) është tjetër, por e papërdorur në letrat shqipe.
Poezitë janë të përzgjedhura si metafora të jetës njerëzore, të pavarura nga format e ndryshme kulturore dhe sociale të tyre, por strikte sa i përket metrikës së tyre, është ndërveprimi i tyre (tanke, wake e haiku), që rrjedh në një zonë të madhe shoqërimi për interpretimin subjektiv (jo objektiv) të mendimeve, e të cilat lidhen me përmbajtjen e tyre. Ky ndërveprim i këtyre teksteve nga njëra anë dhe imazhit që krijon kjo ndërlidhje reciproke, është kozmosi i vogël, që lidhet me të madhin. Te poeti i madh, Prend N. Buzhala, në veprën me mikropoezi „Këngëz me errësirë blu“, del imazhi kozmogologjik i jetës dhe duhet të studiohet mirëfilli. Mikropoezia e tij është e ndërtuar me 8 vargje, por edhe 5, 6, 7 vargje, që janë poezi lirike, e jo poezi abstrakte (hermetike), të cilat nuk kufizohen nga numri i rreshtave dhe nga numri i rrokjeve, por nga idetë e tyre. Vargjet e tij janë të stilit të lirë, e rrokjet dalin të ndryshme nga poezia në poezi. Këtu nuk janë rrokjet që i klasifikojnë këto poezi, por kuptimësia e tyre simbolike e metaforike, jo e stilit hermetik.
Ato janë të lira, të thjeshta, të thëna lirshëm, por me thënie të ngjeshura me pak fjalë, për të kaluarën apo për të ardhshmen.
Po e marrim një poezi ku poeti shfryen, në pamundësi tjetër:
„E fjalët na qortojnë: shikoni përpara,
e tashmja m’i shprishi zanorët.”
( Poezia „Fjalët e dëmtuara“, Pjesa 1. „Si flasin rrugët“, faqe 105. )
Minimalizimi shquhet si veçanti e këtyre poezive, ndonëse të duket se mos i ka kënduar më parë poeti, por janë origjinale. Të kujtohet muzika e ndërdijes së qenies së mërzitur me vetminë për dore të poetit që këndon vargje të trishta, melankolike, pa kuje, të thëna lirshëm e me kuptim të veçantë, me pikëllime të ndjeshme, por krenare. Të rrjedhin pak lot, ty si lexues, e jo poetit. Po të ishe njëfarë regjisori, i vetëdijshëm si artist i artit, dhe poezia e ka në vetvete artin e shkruar, do ta bënte një film, të ngjeshur me mall të dramës kolektive shqiptare dhe e nxjerrë trininë artistike të jetës.
Pse quhet këngëz dhe pse errësirë blu, e jo e kaltër? Polemikat mund të vinë nga ata që nuk e njohin çështjen. Errësira është blu, e kaltër e çelur, e mesme dhe e mbyllur. Nuk është si thonë disa fjalorë. Kur shikohet qielli, është blu, por nuk është i errët. Kur vdes, e sytë të rrotullohen, ata e kanë të kaltër e deri në blu. Ndërsa i shohim se kur rrotullohen sytë janë të bardhë. Jeta paralele, krahas jetës së përkohshme dhe jetës së përjetshme, është ngjyrë e kaltër në blu, pa ré e pa të zezën, sepse të zezën e mban toka e ferri. Kur vdes njeriu, kalon nga kjo jetë në jetën paralele. Aty pret, sa mbahet vlerësimi. Nëse është mbi gjysma e jetës me të liga, kalove në ferr. Nëse mbi gjysma e jetës është me të mira, shkove në parajsë. Poetët nuk shkojnë në ferr, sepse kanë për ta përcjellë këtë jetë, të cilës fé qofshin.
Errësira blu i përfshin të gjitha ngjyrat e të kaltrës, si në gjuhën angleze. Aty thuhet: e kaltër dhe e çeltë; e kaltër dhe i mesëm; e kaltër dhe e mbyllët. Blu, është tërësisht e kaltër, me tre nuancat.
Errësira blu është aspekti shpirtëror, d.m.th. kozmologjia, si dije e veçantë. Në fjalorin Anglisht-Gjermanisht thuhet: out the blu=aus heiterem Himmel=në qiellin e ngrohtë. Ngjyra blu është e ngrohtë për qiellin, sepse është i ngrohtë kur kalojmë në te, kur ta mbarojmë ciklin e jetës sonë. Kjo jetë është jetë e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është jetë e përhershme.
Togun e fjalëve „errësirë blu“ nuk e kam hasur në asnjë shkrim, vetëm në librin poetik të Prend N. Buzhalës dhe në shqipe, sado që i kam lexuar mija vepra. I pari është Prend N. Buzhala. Prapashtesa „ëz“ është prapashtesë zvogëluese, si p.sh.: pakëz, çikëz, vashëz, etj. e që haset edhe në të folmet arbëreshe. Prendi e përdor „këngëz“ për shpjegimet osmologjikë të filozofisë së thjeshtë në „errësirën blu“, derisa i shkruan këto mikropoezi thellësisht filozofike! Filozofia i ka nëndegët e veta nëpër të gjitha shkencat e krijimet, edhe ato shkrimore. Duhet që ta njohësh filozofinë, që t’i njohësh poetët, autorët, shkencëtarët, etj…
4. Hapësirat e hapura dhe katarsisi i pikëpamjeve të arta
Në këtë përmbledhje të shkrimtarit Prend N. Buzhala, është vetëm poezia postmoderne lirike. Vjersha e parë, që e hap ciklin, „E parrëfyer kjo lumturi“, është „Zbritja shqip nëpër shekuj“.
Për mendimin tim, zbritja është shprehje e gramatikës dhe është e vlershme në matematikë, si p.sh.: pjesëtim, shumëzim, etj. Kjo fjalë në gjuhë, „zbres“, e ka kuptimin „e heq“, minus, sikurse „e shtoj“, plus.
Në gjuhën e përgjithshme kuptimore dhe normale do të duhej të ishte „Dalje shqip nëpër shekuj“. Po këtu thuhet poetikisht dhe ka kuptimin se zbres nga qielli, e nuk del nga nëntoka. Qielli është i pakufi. Thuhet se shpirtrat zbresin nga qielli. Nuk thuhet: „dal nga qielli“ e as „u linda“ prej tij, sepse prej nëne je i lindur, e shpirtrat zbresin andej. Ndërsa nëntoka ka kufizim. Është një planet dhe është i errët në brendi të saj. Fshihet, çdo gjë. Shpirtrat ngrihen e dalin nga nëntoka. Nga nëntoka lindin shpirtrat e mbylltë e në të zezë, me ndikimin e plotë të Kryedemonit. Atyre, u rrahim këmbët fuqishëm për tokë. I ngreh poli negativ i energjisë kozmike, jo poli pozitiv i energjisë kozmike, që e identifikojmë me Zotin e Madh. Ai është në qiell të thellë, në qiellin e ngrohtë, dhe njerëzit që i besojnë atij, mendojnë vetëm pozitivisht me besim të plotë e janë më të lehtë, ecin me hap të lehtë.
Të marrim një gjë, nga kozmologjia: Jezu Krishti është i zbritur në tokë prej qiellit, që kah të rrotullohet njeriu e ka Zotin e Madh dhe çka të prek në tokë, qoftë se çan një copë dru për Zjarr dhe e mendon Hyjniun, e ka pranë vetes Zotin e Madh.
Kur thuhet „Në fillim ishte fjala“, kjo është fjali tekstualisht biblike. Poezia është e thjeshtë, i ka pesë vargje:
„… drita erdhi andej e na u dhurua
E zbriti shqip nëpër shekuj,
ku shpirtat vijnë këndej
nga parajsa dhe ferri.
( „Zbritja shqip nëpër shekuj“, faqe 7. )
Zbritja shqip nëpër shekuj është lindja e njerëzve tanë nga parajsa e ferri, por janë në dije të përgjithshme të Zotit të Madh, Hyjniut. Çdo gjë është që di AI, i Madhi Zot, Hyjniu ynë, dhe ka mëshirë të jashtëzakonshme, por edhe fuqi të gjithmbarshme. Kjo zbritje nga altari i shpirtrave bëhet me lejen e Zotit të Madh. Poeti Prend Buzhala e di se vepra e parë e përmbledhur nga Jezu Krishti dhe e lënë me porosi si e vetmja kopje e gjuhëve të vjetra, të cilën gabimisht e quajnë „Gjuhë KOPTE“, në vend se ta quajnë „Gjuha KOPJE“ dhe deshifrohet SHQIP. Gjuha e vjetër shqipe ka qenë gjuha që e flasin njerëzit e parë në tokë dhe është „Gjuha KOPTE“, e lënë prej të vetmit që fliste atëherë gjuhën arameike, Jezu Krishti, kushërinj të të vjetërve ylliro-shqiptarë të sotëm. Zbritja shqip nëpër shekuj është të zbriturit nga qielli shqip i lindjeve, të ardhurit nga qielli, është të zbriturit poshtë me lejen e Zotit të Madh e Hyjniut. Kjo quhet për fenë katolike „zbritja e njeriut në tokë“.
Vërtet, është kënaqësi kur i përcjell bijtë, pasardhësit, „i rrethuar me zogj e me fëmijë“. Kështu fillohet „Mikropoezi, 1“, që i ka 4 pjesë dhe i pesti është vetë poeti, që këndon, që s‘është tërë i rrëfyer, por ndjehet në secilin varg. Të gjitha mikropoezitë janë kryesisht me nga 4 pjesë, e i pesti nuk figuron, por ndjehet. Ndonjëherë, i ka edhe gjashtë pjesë. E shtata nënkuptohet.
Poeti thotë për vetveten:
„…kur ti mungon,
dhe vjen si një parandjenjë e beftë.
( „Mikropoezi, 1/3. E parrëfyer kjo lumturi“, faqe 10. )
Pjesa që mungon, është parathënia, në të cilën identifikohet edhe poeti, si qenie intelektuale. Një pjesë e vogël e njerëzve, janë të tillë.
Poezia e katërt e mikropezisë së parë është varri i ëndërruar, i cili është i prehur për tërë kohën, ashtu, në qetësi të përjetshme, të gjithë të vdekurit, qoftë edhe kur flet malli i mërgimtarit.
Ku u linde më së pari, dëshiron edhe aty të vdesësh. Edhe mërgimtari dëshiron që të vdesë në atdheun e tij. Është Fjala Shqipe, me shkronja të mëdha, si e vetmja formë e shprehjes së kuptimit të saj, të cilat i ka dëgjuar së pari edhe poeti, dhe është shtëpia e tij, ku u lind:
„… Toka që më ushqeu, më dha ujë,
ku qava, qesha, luajta.
Janë varret e të parëve të mi…“
( „Mikropoezi 1/4. Varri i ëndërruar“, në faqe 11. )
Mikropoezia e dytë fillon me shtegtimet e nëpër tokë, me elegjinë e jetës e ringritjet gjatë jetës së përkohshme, drejt „këngëve të dashurisë“. Dashuria e prindërve të tij e kanë sjellë në këtë jetë, në përpëlitjet e këndshme me magjinë jetësore përmes vdekjes. Midis jetës dhe vdekjes lind dashuria e jonë për këtë jetë, sepse e shohin këtë dritë të madhe kur u lindëm. Vjen dashuria ndaj prindërve, që me mundim na rrisin e na forcojnë me dije. Shprehimisht e duam atdheun, tokën e të parëve tanë, në luftë të përhershme për mbrojtjen e truallit të parëve, me gjuhën e vjetër e të re shqipe. Të vdekurit janë ata të cilët banojnë edhe në qenien tonë.
Fillon katarsisi i jetës sonë dhe atë e ndjejmë tani fuqishëm. Shtatë breza më para nesh jetojnë me ne e ndikojnë në jetën tonë të re, prandaj ne kemi rrezatim të fuqishëm në shtatë brezat e ardhshëm. Është numri SHTATË numri i zotave. NJË është Zoti i Madh, që nuk shihet. Është DRITË! Gjashtë janë Nënzota. Ndërsa, zotat e jetës sonë janë PRINDËT. Të dytë (Babai dhe Nëna) numërohem së bashku, e janë të barabartë. NËNTË është numri i zotave. E merr me mend Zotin e Madh, ndërsa syri ynë e sheh Babain e Nënën. Janë 3 Zota. Në përgjithësi, janë Zoti i Madh, gjashtë Nënzota, Baba (Ati) dhe Nëna (Ama). Bëjnë Nëntë Zota. Kjo gjë del nga metafika, e jo nga fetë. E njoh mirë metafizikën, e jo tërësisht.
„Kur na përshëndesin/nga një rreze dielli.“ – thotë poeti. Këtu është dielli, Zoti i Madh.
„Ti ndien nevojë
të rendësh kundër rrymës
me barkën e thyer të jetës.
( „ Haiku“ , faqe 15. )
Është thënë filozofikisht për jetën tonë, që shkon kundër rrymës, me „barkën e thyer“ nëpër beteja e nëpër vorbullat e fatit. Nga çdo hap, të jetës së provave, e ke nga një gjë themelore të prishtë. I tërë kozmosi është tejet i madh dhe i pa fund, biliona të yjeve të larta, galaktikës blu e të errët, planetëve të tjera e të dyfishtë apo disa fish, e nuk e kapin as teleskopët e mëdhenj, që do të thuhet prej meje, një libër i mrekullueshëm, por i panjohur, në pjesën dërmuese. Planeti tokë e ka këtë jetë, me yllin më të vogël pranë tij, që quhet DIELL.
Poezia e fundit e këtij cikli, „E parrëfyer kjo lumturi“, është ky fat i yni. Në radhë të parë është e pa shpjeguar nga askush.
Poeti na e shpjegon në këtë formë të veçantë të tij, në „Mikropoezi 4“ me 4 nëntituj. E para është „Jeta shpërngulet në përjetësinë e ëndërrimit“, në të cilën zbret dashuria, si qenie e përjetshme, „në rruzullim“, Zotit të Madh, DIELLIT, në këtë botë, DIJES e DITURISË SË PASKAJSHME, kurse të vdekshme, u mbesin të kujtojnë humbjet, plagët, vetminë:
„E jeta shpërngulet në përjetësinë e ëndërrimit,
e, veteveten e shndërron në përrallë të bukur.“
( „Jeta shpërngulet në përjetësinë e ëndërrimit“, faqe 18. )
Hyjnizimi vijën si shprehje religjioze, por ne po e themi për herë të parë se nga vjen Hyji. Duhet të meditojmë për lirinë, kur duhet të gjejmë origjinën e fjalës Hyji. Natyrisht, edhe ne duhet të mendojmë për tiranët, për gjithë të urryerit, që na sfidojnë pa masë këtë mendim për lirinë, sepse ajo është e para, që secili njeri e dëshiron. I kujtojmë dy vargje:
„… për t’i parë deri ku shtrihen Kufijtë e Hyjit
për të dëgjuar ligjërimin e yjeve.“
( „Mikropoezi, 4/2. Aty ku shtrihen kufijtë e Hyjit“, faqe 19. )
Emri Hyji rezulton prej Yjit. Ne kemi zbritur prej Yjit, përmes Hyjit, prej Yllit të dyfishtë Sirri (Sirius). Në gjuhën shqipe e kanë kuptimin e vet. Nuk do koment më shumë. Kufijtë e Hyjit janë në kuptimin e yjeve. Ndër miliona vite na ngjallë ëndrra për të parë këtë Hyjni, edhe atëherë kur „mbyllesh në vetminë e shenjtë“ (një varg i të njëjtës poezi), për të medituar, por ai është kthyer prapë te Ylli. Askush nuk e ka përjetuar asnjëherë këtë dhunti.
„Tek e vështron një zog të vetmuar në degë,
thua: zogjtë nuk dinë të ndërtojnë burgje,
por çerdhe,
ata nuk thurin kafaze, as strehë
por e lënë një hapësirë të madhe kah qielli,
kah dielli,
as rrugë të asfaltuara nuk ndërtojnë,
ata të vetme e kanë lirinë në kaltërsi qielli.
Thua: edhe mendja e gjen lumturinë e saj,
kur fluturon nëpër hapësirë.
Mbeti duke ëndërruar zogjtë e mirë.
( E tërë poezia „3. Lumturia e mendjes“, në këtë cikël, faqe 20. )
Këtu është çelësi: lumturia është vetëm në mendje, e jo tjetër! Gjërat jetësore na vijnë përkundër nesh, por ne i gjejmë ato të mirat, duke e shikuar natyrën. Ato që ndërtojmë janë kundër lirisë sonë: burgjet, kafazet, streha, rrugët e asfaltuara, etj., e nuk fluturojmë aspak në hapësirë, si zogjtë e bukur të maleve tona. Ne punojmë për komoditetin tonë, e këtë na e shkatërrojnë me forcë ushtarët e një ushtrie tjetër, e shtetit okupues. Gjithmonë është dhuna, ajo që na sfidon në realitetin tonë.
„Ky mal është i vemuar si dhimbja“, – thotë në poezinë e fundit të këtij cikli, me të njëjtin emër. „Aty mësova të mos kem frikë nga vuajtja“ (faqe 21), – dhe e gjen çelësin e shpirtit të vet.
Këtë jetë e quajmë „jetë e sprovave“. Kur i kryejmë sprovat, ik shpirti ynë, del nga trupi, fluturon në qiell. Me të gjitha format e provave, shpirti ynë sprovohet dhe kjo del nga bota e përkohshme!…
5. Shpirti i fuqishën lirik në pikëpamje të vlerave jetësore
Çka kuptojmë ne me fjalën „rruzullim“? Rruzullimi është emër i gjinisë mashkullore. Nga fjalori i gjuhës shqipe (ASHSH 2006) kuptojmë se e ka rrënjën rruzull: rruzull, rrúzull/-lli emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; –j(t). Është edhe term në gjeografi; term në astronomi; trup i rrumbullakët; lëmsh, sferë: rruzulli i Tokës (tokësor), lëmshi i dheut, globi. Do të thonë njëkohësisht gjithësia; bota. Le ta dijë gjithë rruzullimi, ta dijë e gjithë bota. Ndërsa poeti është përpara derës së rruzullimit, kur hapet dera tjetër e këtij rruzullimi, bota paralele, bota e përjetshme, amshimi.
Kur dëshiron Hyji apo Zoti i Madh hapet porta e qiellit, ai ndërron jetë. E poeti thotë „hapet dera“ në vend të portës, e dera është objekt i jetës së përkohshme, e në kuptimin religjioz është porta. Edhe në gjuhën e parë të tërë botës, që është Gjuha KOPTE, „Në philim“, ështëphorta, ku shkronja e sotme „f“ është me dy shkonja „ph“. Këtë gjë nuk e logjikojnë akademikët tanë të shkencave dhe nuk i japin në fjalorët e tyre këtë domethënie.
Ky është cikli i dytë dhe mjaft i rëndësishëm. E fillon me poezinë, „E gjithmonshmja“:
„… shkruan fjalët e dobësisë së çastit…
Shënon mëkatet e botës
Si të ishin krejt të tuat,
herën tjetër krijojnë rruzullimin e dashurisë…
… siç e pikturon piktori
Kryeveprën e Ëndrrës,
siç e krijon kompozitori
Himnin e Madh të Kohës.
Asnjë krijim nuk bën pa dorën
Si të ishte një semper creator.“
( „E gjithmonshmja“, faqe 25. )
Këto e shprehin poezinë me fjalë të saj hyrëse. Kreatori është në të gjitha shprehjet për Krijimin, qoftë në vizatim, portrete e piktura; qoftë në muzikë kompozitori, në teatër e në film, në poezi, në prozë, në romane; kreatori i shkrimit, edhe në publicistikë e shkencë. Të gjithë janë kreator, e kanë krijimin, në shenjë të Zotit të Madh, në shëmbëllim të tij, por jo njerëzit t’i krijojnë, se janë përgjithmonë këndej rruzullimit, në jetën e provave. Asgjë nuk bëhet pa dorën e tij. Dora vepron në bazë të mendjes, si çdo gjymtyrë.
Plaga e bekuar është ajo plagë që e kanë të gjithë, në vete. Janë njerëzit e mirë, përkundër njerëzve të ligj, që nuk duan të jenë nëpër sprovat e Zotit të Madh. Në shpirtrat e tyre i mbajnë plagët e krijimit, por njerëzit e mëdhenj dhe artistët i drejtohen Zotit të Madh, ashtu sikurse poeti, i cili ofshan:
„… faleminderit o Zot, për plagët,
sikur të mos isha njeri por gur,
do të vuaja nga mallkimi i vetmisë.“
( „Mikropoezi për jetën, I/1. Plaga e bekuar“, faqe 27. )
Shenja e gjallë del për jetën e gjatë. Nuk e kërkon fajin, por gjatësinë e jetës, sepse çdo njeri është shenjë e vogël e kësaj jete (jetës së përkohshme, jeta e provave, jeta e tokës):
„Ani, zhytu në dëshprim:
është shenjë e gjallë
se e ke dashur shumë jetën.
( „Mikropoezi për jetën, I/2. Shenja e gjallë“, faqe 28. )
Ky është në të vërtetë veli i jetës sonë ( „Mikropoezi për jetën, I/3. Veli i jetës“), sepse nuk hiqet ky vel i jetës, ndonjëherë me dëshpërim; ndonjëherë me dhembje; ndonjëherë me vetmi. Ndonjëherë, kreatori, piktori, etj., ia prish qetësinë ( vargu: „njeriu ia prishi qetësinë“ ). Ky është rreshti i fundit i poezisë „Vizitori në ekspozitën e pikturave“.
Më kujtohet një thënie e bukur e Linda Hutcheon-it, në teorinë e saj:
„Teoria e praktika sërish ndodhen së bashku në artikulimin postmodern të dallimeve.“ [10]
Ky mendim dhe kjo gjë na vjen në shprehje, në poezinë kryesore, me nga 3 pjesë dhe është triptik. Numri tre është numri i tre Zotave, që i numëron njeriu: Zoti i Madh, Baba e Nëna.
Ka të tjera mundësi për të numëruar zotat. Këtu, këto tri poezi e mbulojnë përvojën e dhimbshme dhe na i nxjerrin vetitë kryesore të jetës:
„Qielli e ka
artin e fshehjes së burimit
për të vërtetat që vijnë prej shumë rrjedhash
të pikave të ujit.
Të duhet ta mësosh
Kthimin te etja e ujit
te etja e jetës
është rruga deri në shtëpinë tënde të shpirtit.
( „Burimi/1. Arti i fshehjes së burimit“, faqe 31. )
Kur vdes njeriu, i kthehet tokës. Shpirti është diapazoni i energjisë dhe ikë prej jetës sonë të përkohshme, del dhe shkon nga ne, fluturon në hapësirën e pafund, në jetën e përjetshme. Jetën e përjetshme nuk e shohin, as jetën paralele. Jeta paralele është në mes të jetës së përkohshme e jetës tjetër. Sa mund të lexojmë psikologji, parapsikologji, spiritualizëm, vepra të tjera e të shumta që i tregojnë këto gjëra mjaft të panjohura, edhe për religjionet e ndryshme të botës, atëherë i ndanë këto jetëra, jo sipas një religjioni.
Nëse piktori përpiqet të pikturojë këtë natyrë të veçantë të botës sonë, e religjionet i kanë shpjegime tjera të këtyre dukurive, si. p.sh.: Metafizika, Parapsikologjia, Psikometria, etj., i kanë shpjegimet e veta. Titulli i kësaj poezie është: „1. „Arti i fshehjes së burimit“, ndërsa poezia paraprake „Vizitori në ekspozitën e pikturave“. Pamjen kur e sheh: „njeriu ia prishi qetësinë“, është jeta e jonë (në poezinë paraprake, rreshti i fundit). Veli që e mbanë këtë jetë të ndarë me jetët e tjera është i padukshëm. Njeriu nuk e dallon këtë pëlhure të vetëdijes për botën tjetër, e cila dallohej me syrin e tretë, të cilin nuk e ka sot njeriu. Ai nuk e di se vetë është energji, që lëvizë me gjymtyrë të vetat e të kësaj bote. Edhe dheu, prej të cilit janë të gjithë njerëzit të krijuar prej Zotit të Madhe, përmes trupit të nënës, është një materie relative e energjisë së përgjithshme. Kulmi i kësaj energjie është shpirti. Kjo energji lëviz, mendon, vepron dhe shprehet në jetë aq sa ka kapacitet, me gjymtyrët e tokës. Gjymtyrët i nënshtrohen mendjes e shpirtit.
„Ky burim paska lumin që fluturon“, dhe „Ky sy e paska/burimin e dritës“ – na shprehet vetë poeti (faqe 32).
Pra, ky burim, që derdhet nëpër hapësirë, nëpër vizionet e tij e kujtime, apo edhe të terratisjeve, na e ngjall vetë jetën tonë, jetën e sprovave të përkohshme, na ngjall atë me „dramën e shpirtit“ (faqe 33). Njeriu duhet ta ndjekë zemrën e tij dhe të pranojë ndonjë gabim të mosdijes. Ta njohë atë çka është më mirë e çka është më keq.
Njohja e tij është relative. Qarkullon prej dijes në dituri e prej diturisë në njohjen që dallon prej individit në kolektivitet e prej një kolektiviteti në relacion të kolektiviteve të tjera, deri në pafundësi.
Ne e quajmë „njohje“. Kjo njohje është relative, aq sa e përkrahë shumica e individëve. Duke lexuar poezitë „Këngëz me errësirë blu“, të katër poezitë e Prend Buzhalës, që e mbajnë titullin e tërë librit të mikropoezive të tij, na shkon nëpër mendje biseda që zhvilloi Prendi me mua, në bisedë, në restorantin „Edi-2“, përballë Fakultetit Filologjik, në Prishtinë.
Në pyetje që ia pata bërë, si e mendon ai mikropoezinë, si autor, sepse është filluar një recension dhe do të bëhet një studim, përderisa mikropoezia e tij e meriton një studim të tillë:
„Bukur e ke vërejtur për errësirën blu! Këtu po t’i jap edhe pak ide të mia. Në simbolikën botërore <errësira blu> na sugjeron thellësitë më misterioze, ndonjëherë antinominë e ndonjë cilësie që ndjell prapësi. Është metaforë që nënkupton edhe fuqi e përgjegjësi; blu-ja e errët përcjell fuqi, thellësi dhe elegancë. Ajo e sugjeron parashikueshmërinë, ndodhinë e një ngjarjeje që nuk e pret. Herën tjetër: një ngjarje që ndodh rrallë e përjetohet rrallë. Errësira blu sugjeron edhe trishtimin, dhimbjen, dëshpërimin… por vijnë vargjet që duan të hedhin dritë mbi këtë blu mbi cipën e dhimbjes… shënon bukurinë e qetë të blusë, vetë majën e ëndrrave, që është nuanca e thellë dhe e gjallë në shumëkuptimësinë e saj: blu e errët përfaqëson kuptimin e thellësisë, besimit, besnikërisë, sinqeritetit dhe mençurisë. Blu-të elektrike ose brilante janë mjaft dinamike dhe dramatike – shprehja e fundit e ngazëllimit.“
E di se errësira blu është një imazh figurativ e thellësisht shpirtëror. Pra është „kujtesë me yje“ („Këngëz me errësirë blu“, 1. Kujtesë me yje“, faqe 34 ), sepse ne, e kemi origjinën prej Yjeve, prandaj edhe Gadishullit të parë i kemi thënë Gadishulli Yllirik, e kjo është thënie e imja.
„… secilit na e kujton dashurinë
yjet kur ndiçojnë
vetëm vallëzojnë
e kroi derisa rrjedhë
vetëm dëgjon
si i bie violinave pyelli.“
( Po aty, e njëjta poezi, faqe 34. )
Natyra luan rol në përkujtimet tona dhe parapsikologët na i thonë disa herë se duhet të dalim nëpër pyll e të dëgjojmë zërat e pashtershëm të pyjeve tona dhe të meditojmë pak më mirë se sa mund të merret me mend. Bëhemi guaskë në pyll, që është e rrallë që mbyllet, për të harruar disa gjëra, pastaj hapemi „siç hapet një guaskë“ (rreshti i fundit i poezisë së këtushme):
„Po afrohet anija
e ti harrohesh i humbur në mjegullën e kaltër.
Të shkon mendja të bëhesh një i huaj
Në vendin tënd…“
( Po aty, nga pjesa e dytë e poezisë, e 4 pjesëve, në „Këngëz me errësirë blu/2. Në fashë“ , faqe 35. )
Fasha nënkupton një gjendje të qetë, njëfarë qetësie, sepse mediton edhe i qetë kur je në pyll, kur pushon e je në një prehje, qetësohesh dhe je në fashitje. Ajo që e mendon, është e ardhmja e njeriut të parë nga yjet, mbi çdo gjë, edhe nga pylli, që të imponohet me hije dhe më të errët. Meditimet janë në mendje dhe mendja është e mbushur me anë të padijes, si një mjegullirë. Na është sikur një natë. E nata është në kaltërsinë e errët të qiellit dhe yjeve:
„Është një natë që shqipton një zë të ngrirë
me një këngë tepër të ftohtë
pranë një kishëze të rrënuar
pa kambanë
si thikë akulli
me një psherëtimë shekujsh…
Kushedi pse të pëlqen të zhytesh
në atë hapësirë misteri.“
( „Këngëz me errësirë blu/3. Natë misteri“, faqe 36. )
Kjo gjë na i cilëson me të vërtetë thellësitë misterioze të imazhit figurativ thellësisht religjioze, me një „kishëz të rrënuar“, kur ky fakt i pamohuar i ndjenjave të arta dramatike e dinamike, na dërgon përtej kishëzave, që ka kuptimin e monumentit fetar, pa e caktuar as njërën konkrete e as tjetrën, prej lartësive dhe lashtësive të vjetra shqiptare, e poeti është ai që i shkruan këto poezi, që disa „recensionistë“ nuk janë aq të zgjuar dhe nuk e shohin këtë njeri të denjë, që natyrisht është ia që e shkruan poezinë, ndonëse nuk e thotë këtë gjë në poezitë e tij, si mua që më quajnë një poet me „nuanca kombëtare, familjare, autobiografike në vargëzimet poetike“[11], pa e vërejtur aspak metafizikën, të cilën e bashkoj me filozofinë poetike e kreative.
„Kjo errësirë i vë në pranga njerëzit
është e verbët
është e shurdhër, me shtigje pa dritë
si zemërligësia njerëzore.
E kotë, pasi aty ngihen ëndrrat
si shtjellë me lëvizje shakullore
dhe i gjëjnë rrugët.“
(Poesia e mbramë e mikropoezive me titull, „Këngëz me errësirë blu“/4. Lëvizje shakullore“, faqe 37. )
Kush u vë prangat të gjithë njerëzve, janë ata që i sundojnë njerëzit, prej gjenezës së njerëzimit, që kishte folur shqip, si poeti i këtyre poezive të kësaj vepra, me shqipen e vjetër apo në shqipen e re, por ata nuk u mbahen aspak këtyre „lëvizjeve shakullore“ të shpopullimit të shqiptarëve dhe besimtarëve të vërtetë të besimit, e jo zhytjes së verbët me lutje e me parulla, të cilat nuk i kuptojnë, në gjuhët e tjera konvertuale e konceptuale.
Nuk po ndalem në poezitë e tjera të këtij cikli, e njëra ndër to është „Në shoqëri me të pamundshmem/1. Ftesa e lirisë kah e panjohura“.
Po ndalem në poezinë „Shprishje“ dhe „Pika e zezë“, poezia e fundit të këtij cikli, „Kishat nëpër male“.
„Një përrallë, në librat e shenjte a në jetë
një insekt e mposhti elefantin,
një David e mundi Goliatin?
Jeta jep shembullin e saj
Kur një i ri i përbuzur u bë hero.
Mbajeni në mend këtë të përbuzur.
Mbajeni në mend kombin që përbuzet!“
( „Shprishje/ 1. Mbajeni mend njeriun e përbuzur“, faqe 44. )
Kombi që përbuzet, harrohet! Njeriu i përbuzur, harrohet! Jeta e jep në shembullin e saj, por njerëzit e harrojnë! As në jetë nuk plotësohen të gjitha gjerat jetësore, sepse biliona e biliona njërëz ka globi! Madje as dashuria nuk mund të plotësohet, e as e burrit ndaj gruas. Poeti e ka zemrën përplot me dashuri. Gruaja i beson trupit, e burri e ka trupin përplot me dashurinë e vet, shumë më të madhe se sa për gruan e tij. Ai e do At-dheun; i do njerëzit e tij, pa marrë parasysh se cilit besim ata i përkasin, sepse janë SHQIPTARË; e do pafundësisht JETËN, sepse po jeton, pa marrë parasysh vështirësitë, ngecjet, rrënimet, burgun e veçantë, etj., të bërë nga kriminelët e shtetit okupues, „Jugo-sllavia“ (Sllavët e Jugut, jo shqiptarët!) ; etj.
Ai është i ngritur. Por pushtetarët e vjetër e të rij e injorojnë, nuk e përfillin. I flasin keq dhe ai izolohet, vuan nga kjo gjë, pra i plagoset zemra e nuk flet me asnjërin, deri pas vdekjes, kur kujtohen për të, të gjithë që nuk kujtohen me kohë. Të vdekurit, edhe trupin ia shohin. Ky „tjetër“, ka sekrete. Ata e bartin larg nga njerëzit, nga të njohurit dhe miqtë e tij, që nuk kanë mundësi ta bëjnë të njohur deri sa të vdes, sepse dikush do ta shpallte „fajtor“.
Do të duhet të pajtohet me braktisjen, me izolimin nga të tjerët, me lënien mënjanë, me injorimin nga të tjerët, me pamundësinë që t’ua plotësojë të gjitha dëshirat, e kur nuk ka asnjë mundësi tjetër t’i plotësojë, etj., atëherë plagoset në zemër. Zemra i dhemb dhe e ndjenë në vete këtë dhembje, por vuan e nuk thotë asnjë gjë, sepse edhe „kujtimet iu shprishën“:
„U plagos në zemër,
dhe plagën e fshihte nga bota.
Mësimi i jetës u mësua
pasi u largua nga kjo jetë.“
( „Shprishje/2. Plaga e fshehur nga bota“, faqe 45. )
Ferrin e ndryshimit në jetë e gjen kushtimisht në vetvete:
„Në ecje do pastruar terratisje të së kaluarës
Shpalosja e mrekullisë të pret në shtet të rri.“
( Poezia e fundit të këtij triptiku, „3. Ferr dhe shtegu i ri“, faqe 46. )
Mbyllet ferri apo hapet një shteg i ri, një rifillim, kur dështon një ferr, sepse vendos t’i futesh një gjallërimi të jetës. Duhet ndryshuar jetën, kur nuk mundesh në atë formë. Në të vërtetë, është njeriu i përbuzur apo kombi i përbuzur, i nënçmuar, në të cilën mund të bëhesh edhe hero. Kjo është vet shprishja, humbja e lidhjes së mëparshme dhe hapja e një shtegu të ri. Duhet të fillosh me mësimet e nga pësimet. Këtë gjë e kam thënë edhe në një novelë autobiografike.[12] Ky është një fillim i ri, një fillim tjetër.
Çdo çështje e ka anën tjetër të kundërt. Ana tjetër quhet „Pika e zezë“. Ajo është pas çdo faqe të dukshme, faqja e padukshme. E bardha e ka edhe një faqe të zezë. Në fund të një tuneli të zi, është një pikë e bardhë, – thotë Nëna Terezë. Duhet të posedosh një shpirt të tejkohësh, për të arritur te pika më e panjohur e jetës. Poeti thotë:
Si të dimë për Këngën tuaj Epike,
kur ajo dëgjohet
vetëm nëpërmes shqisës tejkohore
në amfiteatrin ilir me shkallarët në qiell.
Nuk e dimë
a ta lexojmë Lutjen Tuaj
a Kërkimfaljen tonë.
(„Pika e zezë/1.Shqisë tejkohore“, faqe 47. )
Gjithçka duket e parëndësishme, veçanërisht për iluzionistët, madje edhe liria. Po e marrim tërë poezinë, që duhet edhe ju ta lexoni:
„Në kohë zi buke
edhe rrënjë ke ngrënë.
E tash ilusionistët
në tryezën për ngrënie
ta vënë lirinë.
Si liringrënës,
si magjistar,
edhe një bibliotekë
të tërë
e ke zvogëluar sa një kuti shkrepëse,
me fitila që ndezin qiell e tokë.
Dhe gjithçka tjetër për ta shndërruar në flakadan.“
( „Pika e zezë/2. Biblioteka sa një kuti shkrepëse“, faqe 48. )
Pika e zezë në horizont është pikë e beftë, më e rëndësishme, që „e merr në shenjë mendimin tënd“ ( „Pika e Zezë/3. Pikë e beftë“). Edhe kjo mikropoezi është një triptik. Nuk është e vetmja. Pika e beftë është më zhgënjyese, është „shpëtimi i pakuptimtë“, është si „vdekja më e panjohur“. Për ata që vdesin, „më nuk ka siguri.“ Befasia është një tipar i rëndësishëm i jetës së provave.
Golgota vjen në kohët memece:
„Jehojnë kohët e shurdhëta
ilirike,
arbërore.
Diku tjetër do të shihni
vetëm një shenjë,
ndonjë gur themeli
a kryq të përmbysur,
të varrosur thellë nën dhé.“
( „Kishat nëpër male/1. Kohët e shurdhëta“, faqe 53. )
Këto janë golgotat e heshtura iliro-arbërore, pa asnjë tingull kozmik. Me këtë poezi mbaron ky cikël, por hapet dosja e nëndheshme për gjuhën e vjetër shqipe e ylliriane. Ata që e lexojnë këtë studim të gjerë, le t’i kthehen prapë leximit të „Këngëz me errësirë blu“:
„Murgjit qëndrojnë nëpër varre.
Kori i kishës, shumë pashë nën dhé,
nxjerrë melodi të paqarta,
si të tingujve kozmikë.
Më tutje do ta gjeni një gur të përgjakur
Në te, të skalitur një ikonë kryqëzimi-
Rrëfim për golgotat e heshtura.
Kujtimet e fshehta përgjojnë.
Mund t’i shihni vizitorët e fshehur
Sikur përkulen para atij guri.
Dheu memec ligjëruaka!“
( „Kishat nëpër male/2. Golgotat e heshtura“, faqe 54. )
6. Kornizat e tjetërsimit dhe poetika vizionare
Në të vërtetë, errësira blu është për shkrimet e tjera mjaft e rëndësishme, të qiellit të largët nga kuptimet planetare, edhe të meditimeve të tjera. Planeti tokë përfshin edhe gjëra të tjera që kuptohen nga distanca e madhe midis dhembjes, që del nga aftësia e krijuesit dhe shpirtrat në botën paralele.
Bota e përjetshme lidhet me botën paralele dhe botën tonë. Kjo gjë del nga faqja 60. Është poezia „Ekstazë planetare“. As që duan të dinë retë, të cilat po grinden nëpër qiellin e mbushur me bubullima, se këto shpirtra ndodhen nëpër rruzullim. Janë vetëm të vdekurit – thotë poeti- që i numërojnë varret e të gjallëve. Rrotullohen shpirtrat nga të vdekurit te të gjallët:
„… sikur shkruajnë një poezi të tensionuar,
e me baltën lirike
që e krijojnë me furtunat e shiut
përhapin një ekstazë
në të gjithë kontinentin…
Balta dhe ekstaza shkrihen në një,
duke pikturuar furtunën e shpirtit…“
( „Ekstazë planetare“, po kjo faqe, nr.: 60. )
Nga vështrimi kritik del se vargjet janë shkruar nga poeti ynë, një shpirt i gjallë, por i zhvendosur diku në planet dhe gjykon edhe njëherë për botën iliro-shqiptare, në tërë planetin tonë. Ai është i gjallë në hapësirë, i cili e fantazon me vërtetësi të lashtat kohëra ilire, të bëra baltë jashtë kësaj bote, pra nëpër meditime, kur „retë po grinden në qiell“ (rreshti i parë i poezisë).
Duket sikur dhembjet e poetit, me furtunat e shpirtit të tensionuar nga kjo botë, shpallen në tërë planetin tonë, në mënyrën më skofiare dhe e rrokin tërë kontinentin apo edhe tërë planetin tonë në një rruzullim, me krisma të bubullimave e zbrazje të vetëtimave, i pa kënaqur nga jeta. Me të bashkohen „jo të gjallët“, që kanë qenë dikur në këtë botë, por lidhen me bubullimat nëpër krismat ilirike dhe i numërojnë varret e të gjallëve. Në të vërtetë, „Ekstaza planetare“ na është një poezi e rrallë, sikur mjaft poezi të tjera, në tërë këtë cikël, e cila quhet „E shqipërishme“, që del ky emërtim shqiptar dhe i vetëm, i përdorur me qëllim të caktuar nga ana e poetit, e cila, jo vetëm për gjuhën është një fjalë e re, e artikuluar thjesht, dhe i plotëson pikërisht fjalët e reja të shqipes, por edhe kuptimësinë novatore të veprës.
Poetika vizionare e poetit Prend Buzhala, shkon më tej. Nga dhembjet tona e të përditshme, të cilat e rrokin tërë planetin, del njësia planetare e hidhërimeve, që dalin në një ekstazë të madhe për tërë planetin tokë, edhe pse njeriu i ynë nuk e pranon të vërtetën. As nuk e rrok madje as aftësinë krijuese të poetit e nuk i kupton këto premisa mendore.
Ai është si i vdekur për së gjalli. Merr frymë kot dhe numërohet nga të vdekurit. Armiqtë tanë dëshirojnë të na lënë kështu, përkundër hidhërimeve të njerëzve të paktë e të vetëdijshëm, si vetë poeti. Më qartë del një poezi e këtij cikli, për të shenjtën tonë, Shën (Nëna) Tereza, megjithëse ka edhe sa të shenjtër të tjerë, në mes të tyre tetë papë shqiptarë.
Ajo, përkundër vuajtjeve, ishte „gjithnjë e buzëqeshur…“:
„… për ta lehtësuar peshën e vuajtjeve të rruzullimit,…
mbi qiellin e ngarkuar me lotët e botës,…
… me atë rreze hareje,
udhëtonte për ta përkitur me dashurinë e saj
jetën e njerëzve…“
( „ Kantatë për buzëqeshjen e Nënës Tereze“, faqe 61. ),
sepse jeta ka ngelur në gjysmë të rrugës, që në poezinë paraprake, kur:
„jeta është kthyer në mes,
ka ngelur në gjysmë të rrugës,
është fundosur në një ëndërrim.“
( „Kur jeta ngec në gjysmë të rrugës“, tri faqe para kësaj poezia, faqe 58. )
A e dinë ata se jeta jonë po stopohet në mes të rrugës nga të njëjtit; nga ata që po përpiqen të na e ndalin me dhunën e tyre, të vetë qenieve të ulëta të nëntokës së ferrit, që quhen „serbët-serpente“, apo të tjerët, nën ndikimin e këtyre magjive të dhuntisë së përditshme mbi çështjen tonë kombëtare, mbi çështjen e besimit? Natyrisht „po“! Njerëzit kanë ardhur në këtë botë nga rezultati i dashurisë së shenjtë, që nuk është ajo më e vogla, shfrimi i dashurisë me gruan, për ta shtuar jetën me bij e bija, dhe sado që e hidhët duket jeta, ai u lind në këtë tokë të të parëve të tij për ta zbukuruar jetën me të mirat e më të shenjtat: shenjtërinë e jetës. Të gjitha dilemat tona; tri „lem-at“ tona, fillojnë nga këtu, nga „aedët e lashtë ilirë“ (varg nga poezia e parë, „Lema, dilema, trilemë“, në „1. Lema“ ), e cila është trilogjia e vërtetë, e shtuar me një poezi të dytë („2. Dilema/II. E si mund të ketë perëndi pa arbër e shqiptarë“, faqe 64. ). „Edhe nëse ekziston, ai s’është i vërteti“ – thotë poeti.
Çështja shqiptare është çështje e vjetër. Ajo është arbërore. Kemi qenë yllor/yllirian. Ndër yje të qiellit, atje, në hapësirën e madhe, janë zotat. Ne e kemi atë gjuhë. Atje e kishin edhe perënditë gjuhën e vet, gjuhën e vjetër shqipe. Është e para gjuhë, që është shkruar, me shqipen, që e zë në veprën e tij, Herodoti, me mbaresat pellazge, „BEKOS/BUKË“. Ishin frigët/brigët.
Ne i kemi të gjitha besimet, por janë marrë nëpër duar të huajve e neve na quajnë „çobanë dhensh“, të cilët „nuk dimë asgjë!“.
„Na ndihmo, Zoti Ynë,
ç’po ndodh me Kujtesën tonë,
po përpiqen të na e marrin,
me shekujt e rrëmbyer,
me tempujt e zhdukur e të grabitur,
të përgjakur në gjunjë qëndrojmë para TEJE.“
( „2. Dilema/I. Ç‘po ndodh me kujtesën tonë“, faqe 63. )
E si mund të ketë „Perëndi, pa arbër dhe shqiptarë“, me lutjen tonë të braktisur shqip të shpirtit, e ky që na shitet si „Zot“ nuk është Zot i vërtetë, por KRYEDEMON, që zonon jetën tonë të shenjtë. Tri-lema vjen nga kjo gjë themelore, me këta rreshta:
„Degët tash po të mbesin në ajër
Pa trungun e pemës,
infinitivi i kohës të sjell në fillim të rrugës
në rrethin e pambarimtë.
( „3. Trilema“, faqe 65.)
Zemërimi i poetit ngrihet lart edhe kundër fuqive botërore, kundër atyre që janë të rreshtuar së bashku me Gjeneralët, Kryeministrat, Politikanë të mëdhenj të botës, që ndërtojnë „dritare të verbëta“, edhe që prej Kongresit të Berlinit, të cilët, në radhë të parë e dënojnë FJALËN E LIRË (faqe 66-67).
„Arkivolet,
si zarfë e postës,
i dërgohen
gjirit të dheut amë,
me të vetmen porosi:
mos e futni krejt njerëzimin
në kuti.“
( „Terri i syve“, faqe 68. )
Cikli „E shqipërishme“, është një cikël i jashtëzakonshëm, e ndër të tjera është edhe triptiku i veçantë i poezive minimaliste, me të njëjtin emër. „1. Varret mbi supe“ dhe „2. Shkëlqim i moçëm“, janë dy mikropoezitë e këtij triptiku. Të vdekurit e paemëruar, që nuk u dihet askund varri, i bartë poeti nëpër çdo kufi të këtyre shteteve, nëpër të gjitha „shqipëritë“ mbi supe. Kështu nuk ka shkruar askush! Këtë nuk e ka zënë asnjeri, në ciklin kryesor me titullin e tërë ciklit. Një poet i madh që i shkruan poezitë e fundit në këtë kontekst, na është pikërisht Prend Buzhala. Shqipëria është shkapërderdhur e ka rënë në duar të liga, por edhe të politokracisë së Evropës së Bashkuar e të Botës. Kjo politokraci është antishqiptare! Ajo është vazhdim i politikës së Pis-Markut, që në Kongresin e Berlinit, sepse është një gjigant i kësaj „poli (a) tike“, dhe i përbaltur për shqiptarët deri në fund të fjalës.
„Ende Europa s’është e larguar nga ligjet e saj tribale, kur dhumshëm copëton trojet shqiptare në disa shtete ballkanike tribale. Pavarësia e Shqipërisë qe shpallur për të gjitha trojet etnike me 1912!“ – thotë Prend N. Buzhala këtyre ditëve, në thëniet e veta të FB (Facebook).
Në pjesën e dytë e thotë një gjë të paharruar: „Ruajuni nga ai shkëlqim i moçëm!“. Është pikërisht tehu i kritikës së tij drejtuar atyre që e udhëheqin politikën antishqiptare e të dobët, së bashku me serbët e serbofilët dhe të dukurit „shqiptar“, sepse janë servilë të sllavo-orientalistëve të botës.
Shkëlqimi i moçëm është „kurorë diellore/nëpër ilirishtet e arbërishtet/e shqipërishme.“ Ne, po e marrim tërësisht pjesën e tretë të këtij triptiku:
„Qe dy mijë vjet
rapsodët e poetët
thurin Librin e Madh të Ilirisë
librin e Ëndrrës së Madhe
ai s’merr fund asnjëherë.
Ky libër qëndron në krye të botëve
si Zbulesë e Shenjtë,
qëndron në fund të botëve
si Libër i Daljes.“
( „E shqipërishme/ 3. Libri i Madh i Ilirisë“, faqe 74. )
Në qoftë se do të dalin „mbarë“, atëherë do ta dinë ata se cili popull ka qenë ndër më parët në Europën e Bashkuar (EU) dhe populli më i madh pas popullit të Indisë, Frigët/Brigët, që janë populli i parë i shpërdarë nga Ylliria. Poqese nuk duan që ta shohin këtë Libër të Madh të Ilirisë (Yllirisë), atëherë marrin fund këto sakrifica të mëdha të këtij kombi e nuk do të krijohet EU! E thënë shkurt: në daçin mund ta kenë parasysh „Zbulesën e Shenjtë“, e nëse jo, mund të marrin rrugën përtej botës, në pafundësinë e tyre.
Një ndër më të thukëtat është cikli i poezive të shkurtra, me titull „Mos u matni me lirinë e Kosovës“. Sa veta janë sot duke u matur me lirinë e Kosovës e me ne? Sa popuj janë të prirur me antilirinë tonë? Vetëm t’i marrim serbët, janë miliona të prirur edhe natën e ditën për mos lirinë e pavarur të Kosovës, duke i përfshirë të gjitha metodat e sabotimit të kësaj lirie, edhe demonët duke i lutur dhe fenë e kthyer së prapthi. Ne i dimë të gjitha këto gjëra dhe i kemi të përjetuara me shpirt!
Ajo që del prej kësaj poezie të shqipërishme, shkruar e saktë, e kam thënë vetë, madje me shpirt. Njeriu i ynë duhet ta vendosë zemrën e tij si taban dhe vetëm atëherë ta porositë shpirtin e tij ta pyesë mendjen çka do të thotë ajo për këtë gjë dhe pastaj të ketë mundësi që ta peshojë një gjë të tillë zemra. Shpirti yt e ka gjënë kryesore në qenien tënde jetësore. Vjen shprehja latine ( e ata e kanë marrë prej shqipes së vjetër ), që thotë: „njihe vetveten, që ta njohësh botën!“ Pa e njohur vetveten, shpirtin tënd, nuk e njeh botën!
E lëshon mendjen të lodrojë, por nuk mundesh që ta njohësh atë!
Pse?
Sepse mendjen e dirigjon djalli dhe ai më së pari të dërgon kundër vetvetes, kundër çdo gjëje, e kundër të tjerëve!
Shpirti i juaj e vë nën kontroll tërë qenien, e më së pari e pyet zemrën, çka të duket ty mirë, dhe këtë ia dëshiron tjetrit. Çka nuk dëshiron që ty ta bëjë dikush, nuk ia bën as ti askujt, e as tjetrit.
Zemra e ndien këtë masë dhe e mbanë masën jetësore në vevete. Kur vepron pa e pyetur zemrën, vepron dëmshëm e je kudër lirisë së tjetrit e kundër të tjerëve. Kur ta rreh mendja e djallit dhe të përfshinë kjo gjë krejtësisht, si popull konglomerat- „serbët“, je kundër lirisë së Kosovës.
Poezia e parë që na përmbledhë në shqipe e në shqipërime, për të mirën e njeriut, të parëve të botë, siç thuhet „Nephilim“, në Bibël, të pa përkthyer në asnjë gjuhë, të 2500 gjuhëve konvertuale e konceptuale të tyre, ndër të cilat „futet“ me dhunë edhe shqipja e jonë, pas Kuvendit të Manastirit, me 1909, na e thotë edhe kjo poezi e shkurtër, në 7 rreshta:
„Shihni, këtu njerëzit zgjohen
Edhe nga gjumi i përtejvarrit.
E të gjallët duan të jenë si ata,
duke kërkuar hiret e eshtrave të tyre,
kërkojnë ta kenë lirinë e paqës së përjetshme,
si ata.
Vetëm zemra është e lakmu(e)s që mat lirinë.“
( Poezia „Mos u matni me lirinë e Kosovës“, Pjesa 1. „Zemra është lakmu(e)s që e mat lirinë“, faqe 78. )
Poeti bën lojën e tij edhe grafike me fjalën lakmues/lakmus: lakmuesi (“Që lakmon diçka a dikë, që ka lakmi për diçka a për dikë” shënjon poetikisht njeriun pasionant; kurse lakmus (term nga kimia) shndërrohet në figurë letrare; nëse lakmusi përdoret “përdoret në bazë letre filtri, e cila është një nga format më të vjetra të treguesve të pH (mjete për testimin e aciditetit të materialeve). Lakmusi blu bëhet i kuq në kushte acidike dhe letra e kuqe e lakmusit bëhet blu në kushte bazë (d.m.th. alkaline)”[13] atëherë ndryshimi i ngjyrave në letrën e lakmusit sugjeron edhe titullin e librit, si pergamenë, sa herë që pena e shkrimtarit kridhet si në shishen e ngjyrës) në njohje të ejtës e të vetënjohjes, na shfaqet, siç e thotë edhe vetë te shkrimet kritiko-letrare: “qoftë nëpërmes poezisë apo sprovave për një poetikë, qoftë nëpërmes prozës, dramës apo teorisë së shkrimit e të leximit; gjithnjë do të dalë spektri i papërsëritshëm artistik dhe gjithandej do ta takosh të njëjtin univers të fjalës, të gjuhës e të metagjuhës. Gjithnjë do të spikatet veçantia e shenjës së gishtit tregues, pra do ta spikasë shenjën e individualitetit të tij… I shpleksur e i humbur në teksturën e amshueshme (Roland Barthes), tek atëherë krijuesi i fjalës diskurzive do ta ketë ndierë çlirimin e brendshëm të përsiatjeve. Bashkëbiseduesi anonim gjendet përpara librit.”[14]
Liria është e thellë dhe është gjëja kryesore që të gjithë njerëzit e dëshirojnë, pleqtë, gratë, fëmijët, e çdo njëri që merr frymë në këtë botë. Kjo barazohet me Diell. Asnjëherë në jetën e vet kombi shqiptar nuk e ka dashur luftën për të marrë diçka që shkon kundër lirisë së njeriut, i huaj apo afër tij, në saje të Zotit të Madh e Drejtësisë, dhe është mbledhur shuk në vetvete, është bërë skrupull apo troç, për t’ia bërë një panjeriu, që është kundër njeriut, i cili ka zhvatur në të drejtat e tij çdo gjë. Nuk është i dobët për luftë, por ËSHTË NJERI! Këtë e ka bërë vetëm që të evitojë çdo lloj lufte, deri sa të jetë e lejuar prej Zotit të Madh. At-dheu është dhënë amanet prej Atit të parë, brez pas brezi, prandaj shqiptari e kupton këtë fakt të gjallë dhe bën çmos të dijë rëndësinë e atdheut, që nuk guxon të falet nga askush! Liria e Atdheut, është e pafalshme, nuk mund të jepet nga asnjë e panjeri, të lindur me përdhunë në mesin e tij, nga femrat e përdala, të cilat mendojnë në „kutin paburrnisë“, e jo për NJERIUN, me gjuhën e kombit të vet.
Kush e vlerëson atdheun mbi të gjitha, e çmon lart lirinë e tij, e mban vetë liria njërën dorë në Diell, siç thotë poeti Prend Buzhala, në Pjesën 2, „Liria me njërën dorë në Diell“, pra yllin më afërt të tokës, që rrezaton jetë, nuk ka ku ikë njeriu, ose duhet që ta mbrojë këtë tokë, ose duhet të bëhet tradhëtar i atdheut të tij.
A e kuptojnë këtë gjë fundamentale të njeriut e shqiptarëve ata që vinë për ta ngritur dorën e tyre vrastare mbi qenien e vet, të krijuar për hirin e Zotit dhe për nderë të të parëve, që kanë kaluar në përjetësi, duke qenë mjaft të mirë e mjaft të ndalur, por atdheun e kanë dashur si Mic Sokoli, Ramadan Zaskoci, Sylejman Vokshi, e mija të tjerë Yje të Kosovës dhe nuk e kanë kursyer veten e tyre që të mbrojnë këtë truall të parëve, që flet prej fillimit, „Në philim“, gjuhën shqipe, gjuhë e vjetër apo gjuhë letrare, që të jetë përsëri komb! Kombi është tipari i parë; gjuha tipari i dytë, e vendi për t’u kuptuar me njëri tjetrin prej gjuhës amtare, për t’u marrë vesh, për të këmbyer me njëri-tjetrin ato që i do ai, për të tregtuar së bashku, është Arb-dheu:
„Mos u matni me lirinë e Kosovës.
Tek ju shtegtarët e dherave të largëta,
me rroba pelegrinazhi e hire miqsh
mund të ndodhë që zbulon zinxhirët,
dhëmbët dhe të ligën,
edhe kur do të shfaqeni me buzëqeshjen e Njeriut të Lirë.“
( Po aty, pjesa 2, „Liria me njërën dorë në Diell“, faqe 79. )
Shtiren si miq e duan ta grabitin lirinë apo ta falin më tutje lirinë tuaj! Janë armiqtë e brendshëm që falin Lirinë apo armiqtë e jashtëm, që vinë me të gjitha format, edhe „me rroba pelegrinazhi e hire miqsh“, që mund të përdorin ata, për ta pamundësuar Lirinë! A guxon kush të luaj me lirisë tuaj? Askush! E poeti thotë:
„Mos u matni, se njërën dorë kjo liri e ka në diell
Zemrën në thellësinë e damarëve të Arb-dheut“
( Po aty, faqe 79. )
Arbënorët e arbëreshët janë kombi Yllir (jo Illyrian!). Duan të na bëjnë të huajt të marrë në kokë e të mos ia dimë vlerën e madhe këtyre tokave tona. Grekët na bëjnë të marrë me „arvanitas“, latino-italianët me „Illyrian“, turko-iranianët me „arnautët“, por ne jemi arbërorët e vjetër, që jemi të ardhur prej Yjeve dhe e çmojmë Diellin, prandaj ia dimë vlerën Tokës!
Nuk kam mundësi t’i analizoj të gjitha poezitë e këtij libri, sepse të gjitha i kanë vlerat e tyre edhe si veçanti. Po e marr mikropoezinë tjetër triptik, „Kur gjithçka merr kuptimin e dritës“, me tri pjesë.
„Kur jeta të bëhet terr në të gjitha anët,
shih yjet që të shfaqen.
Me vete e bart atë magjinë e fshehtë e jetës
që t’i gjen dyert
e t’i shfaq yjet.“
( „1. Magjia e fshehtë e jetës“, faqe 82. )
Të gjithë njerëzit bëjnë çmos ta fshehin e ta zhdukin të vërtetën, sepse vetë, si „nacionalitete“ janë të krijuar prej teje e mbi ty. Ata duan mirëfilli të të shkatërrojnë e të mbllaçitin për veten e tyre çka duan, por e vërteta është tjetër. Dhe kjo „magji“ shfaqet te yjet, sepse nuk ka mundësi njeriu që t’i shohë. Yjet gjejnë vetë shtegun e fjalës, sikur na thotë poeti, sepse ne kemi zbritur prej Yjeve, yllit sirius (sirri, aureola e jonë).
„E përjeton edhe atë çast
Kur bëhesh një me tokën, qiellin dhe yjët.
Në një e bashkon jetën dhe mosjetën.
E në secilën hapësirë
e ndërton dhomën tënde të zemrës,
domethënë: të dashurisë.
( „2. Banesa e të vërtetës“, faqe 83. ),
thotë poeti, për të vërtetën e jetës, sepse je i lindur me dashurinë e madhe e bën çmos që të evidentosh një shkatërrim të madh prej një nacionaliteti tjetër, të një bashkimi nacionalitetesh mbi kombin tënd, sepse edhe ato i kanë emrat e rrejshëm, por nga demonët janë të ardhur në këtë jetë e me lejen e Zotit të Madh. Në qoftë se duan që të të shkatërrojnë, si komb i parë, që ka ditur t’i themelojnë metropolet e botës, e të mos flasin ndonjë fjalë për veten, si të parët tanë, të jetojnë për punë e jo për „llafe“, atëherë do ta shkatërrojnë veten e tyre, edhe Europën, sot apo nesër. Pse është kështu? Sepse Zoti i Madh u përgjigjet kështu për ndjenjën e shkatërrimit me shkatërrim. Ata, të cilët janë nxitur nga demonët për shkatërrim, do ta shkatërrojnë veten e tyre. Kështu, i shkurtojnë këmbët e tyre. Shkatërrimi e ndjell ligjërisht vetëm shkatërrimin. Le ta vazhdojnë punën e Pis-Markut (Bizmarku), por ashtu do të dështojnë, herët apo vonë. Le ta dinë këtë ligj natyror! E liga, e vjell të ligën. Prandaj, Prend Buzhala i kthehet vetvetes:
„Qenka edhe një Çast Tjetër,
kur del nga një terratisje shpirti
dhe e ndien te vetja shkëlqimin e brendshëm.
Gjithçka duket krejt ndryshe,
gjithçka merr kuptimin e ndritshëm.
Dhe ti bëhesh dëshmitar i kësaj drite.
Mos u kthe me në hapësirën tënde të errët.
( „3. Dëshmitar Drite“, faqe 84. )
Edhe njëherë i kthehet mësimit të madh të historisë, pra që mos i kthehet hapësirave të errëta, por republikës dhe dëshminë e luftës. Është triptiku i famshëm i tij, por më e rëndësishmja është „3. Qumështi prej guri“, e cila i përmbledhë dy haike „buzë Rozafës“. Rosa është një lule më e bukur, e cila neve, shqiptarëve, na imponohet si trëndafili i dashurisë sonë, e cila është e lidhur me fatin tonë në këtë jetë, që i thuhet edhe për dashuri të mirëfilltë.
E kam thënë disa herë se dashuria e jonë është e shumënduarshme, poli- valente=shumë e vlershme, e shumëllojshme. Rozafa e sakrifiko jetën e vetme të saj, dashurinë me burrin e vet dhe dashurinë për djalin e vetëm të saj, i cili ishte prej nënës së bukur e shkodrane, dhe dashurinë mbi jetën, të cilat janë më të domosdoshme për atë grua të denjë shqiptare. Kjo sakrificë e jetës së saj u nevojitej për „lidhje me urën“, të brigjeve të ndryshme, që duhej të lidheshin me jetën e saj. E kjo gjë është njëra nga anët e rrëfimit, të pathëna plotësisht. Cilat janë këto brigje që duhet të lidhen? Një urë ndërtohet me sakrificën njerëzore, e brigjet janë mjaft të rëndësishme! Muri u rrëzohej çdo natë. Natës veprojnë demonët, deri në buzë agu.
Roza është „gruaja prej guri“ (haiku i parë), e cila i mëson të gjitha nënat tona që t’i ushqejnë fëmijët „me qumësht guri“ (haiku i dytë). Është qumështi i qëndresës sonë të madhe, që prej themelimit. Dy haike nuk e përmbushin këtë temë të pashtershme nëpër gojëdhëna e nëpër mitologjinë shqipe. Kur e do një ide të madhe jetësore, e me këtë edhe të „ndërtimit“ të At-Dheut, sakrifikohen më të bukurat e jetës, si nusja e vëllait të vogël e murator, i kësaj bote të prishtë. Ne ishim dhe jemi murator të metropoleve të botës, për të lidhur brigjet, për t‘i bërë të lidhura anët më të palogjikshme të jetës!
Poezitë e tij janë të thjeshta, por lakonike. Duken të shkurta, por befasia e tyre ndërtohet me thënie të papritura. Kjo gjë duket në të gjithë poezinë e tij dhe më së miri po e japim përmes poezisë „Pas perdes së shiut“. Edhe kjo poezi e shkurtër është bërë triptik: me tre shprehet ideja; me tre fillon e mbaron jeta jonë; me tre numërohet jeta jonë dhe Zoti i Madh; me tri forma zbatohet njëra çështje; numri tre është numër i shenjtë e themelor:
„Fshihe pas perdes së shiut
Pikëllimin.“
( „Pas perdes së shiut/1. Pikat e dashurisë“, faqe 91. ),
thotë poeti. Pikat e shiut shikohen pas perdes së padukshme të dashurisë, kur ka vetëm ritme kënge, që ndonjëherë ngjajnë me pikëllimin. Shprehet me pikat e shiut, sepse shiu është ujë që derdhet mbi jetën, që ta përtërijë këtë jetë, si jetë e gjallë, e cila, po të mos ishte shiu i trishtë, do të thahej. Pas tyre e vështron jetën i mërzitur, e mërzia vjen edhe se mbyllesh në vetvete. Nëpër shi, nuk delet. Po i kthehem poezisë së mëparshme, „3. Salvim“, e cila është e treta që e salvon jetën, e bërë jetë e rëndomtë. Ajo vie pas titullit të tri mikropoezive, „Të dëgjosh pa asnjë njeri pranë“: „1. Dështim“, „2. E vështira“ dhe „3. Salvim“:
„… siç dëgjon ylli i vetmuar yllin në skajin e universit,
siç e dëgjon dita natën që nuk e sheh,
siç e ndien vetminë e njerëzimit
të humbur në gjithnajën e paanë.“
( „Të dëgjosh pa asnjë njeri pranë/ 3. Salvim“, faqe 90. )
Zaten, ky është „2. Përqafimi i lules me shkëmbin“, kur janë „dy zogj në degë“, të lidhur me dashuri jetese. Filli i saj vjen prej shkëmbi, që është i dukshëm në kohën e tonë, si i pa shkatërrim; i paharresë; i pagodituri (nëse nuk e godet njeriu me një gjë të veçantë dhe nuk e dëmton koha jonë!); gur i qëndrueshëm në të gjitha kohët (deri sa nuk e cenojnë për shkatërrim faktorët e tjerë!), të cilën vetë poeti ynë e dikton me pak fjalë, te kjo pasqyrë jete, „me një të krisur në mes“ saj. Koha shkon e vjen nëpërmes saj, si një hije e padukshme e jetës, përmes dy vargjeve të fundit:
„E tashmja mungon,
sepse ti s’je aty.“
( Edhe njëherë kjo poezi, „3. Kur s’je ti aty“, faqe 93. )
Poeti është „lulja pranë shkëmbit“, vetëm sa na e përgjon me pikëllim të ndodhurat e jetës e të kohës, pa e parë të tanishmen. Nuk e ka ndjesinë e kohës së tanishme, por kohën e kaluar e të së ardhmes, të cilat i riciklon si njeri i veçantë. Në të sotmen ai jeton, për të dëshmuar jetën.
Na kundrohet koha madhështore e Hyjniut, ku e bukura e tij të ngjall trishtim në jetën tonë të tokës, sepse këtu është kufiri i padukshëm i kësaj jete, e që nuk e kalon dot këtë jetë. Ai ka trup njeriu, prej tokës. Madje, të zgjon trishtim edhe pluhuri i kësaj jete ( dy poezitë: „E përse e bukura të ngjall trishtim“, „Trishtimi i pluhurit“ ), sepse kjo është jeta e përkohshme, plot me ankthe. Na e zbulon poeti këtë jetë midis rreshtave të paktë.
Në poezinë „Kur diçka vdes brenda nesh“, faqe 96, kur Zotin e Madh e ke rrotull teje, siç ka thënë Jezus Krishti, madje që ia dhuron „atë që e ke në zemër“ ( vargu i fundit i poezisë së shkurtër „1. Oh, kjo botë e bukurisë“, në të njëjtën faqe ), siç i lutesh Perëndisë apo Hyjniut, nënzotit që të ka sjellë në këtë botë, që ta lehtësojë këtë dhembje, e cila i ka tri kohë: të kaluarën, të tanishmen dhe të së ardhmes. Numri tre prapë lidhet me tre numrat e Zotave: Zoti i Madh, Baba (Ati) dhe Nëna (Dheu):
„Kjo suitë njerëzish
s’është si suita muzikore,
e të përbashkët e kanë
Kohen e Humbur,
e me makthin e kokëdhimbjeve
i mjafton të tri kohëve.
( „3. Suitë në tri kohë“, faqe 98. )
Këtu përfundon cikli më i gjatë e më i mirë, „E shqipërishme“. Fjala është e thjeshtë, por e përdorur me pedanteri artistike.
7. Fjala e fundme e lirikës së tij
Për të ikur nga të gjitha këto gjëra që të shqetësojnë, është si të ikësh te një pemë, e cila mbillet me dhembje dhe përtëritjen e farës së saj. Fryti nuk vjen pa një pemë, përmes shpirtit dhe truallit të caktuar. Më parë mendohet, mbillet rregullisht dhe rritet, duke e perceptuar kohën, si marrëdhënie të qartë[15], e pastaj mezi i presim të rriten frytet nga fara e mbjellur dhe hijen e kësaj peme. Pema është shpirti i qetësisë, thotë poeti ynë.
Kështu fillon cikli i fundit, „Shpirti i qetësisë së një peme“. Ajo e shpreh dhembjen e poetit, qenësinë e kësaj peme në jetën e përgjithshme, por edhe qetësinë e shpirtit pranë saj, hijen edhe praninë kujtesës.
Poezia „Një kujtesë gri“, është me dy pjesë dhe e bartë nëpër vargje këtë plagë të zemrës, sepse në kujtesën e poetit qëndron një pemë e ngritur edhe kur e zhbëjnë qenien e saj. Shpirti e ka këtë pemë të gjelbër në ndërdijen e vet. Ngjyra gri është ngjyrë e moshës. Përmes saj na dallohet ngjyra e plagës:
„nëpër vjeshtat me ngjyrë argjendi,
na shoqëron e na merr përdore
në kujtesë gri, blu, bardh
tërë ngjyra.
Dallohet ngjyra e plagës,
nëpër shtegun kah kaloi lufta.“
( „Një kujtesë gri/1. Dallohet ngjyra e plagës“, faqe 101. )
Jeta është një luftë e luftën e krijojnë ata të cilët duan të na shkatërrojnë. Ne, e kemi vetëm kujtesën. Kujtesa merr ngjyra të tëra, nga jeta e pasjeta. Kur kalon shpirti në jetën e përtejshme është e bardhë; në kohën që vjen para kalimit nga jeta, është blu; e më vonë, ajo është gri. E këto janë ngjyrat e kalimit të jetës sonë nga jeta e përkohshme, në jetën paralele, kur disa të paktë, i shohin këto ngjyra në jetën tonë, derisa kalojnë andej.
Jeta e përjetshme është amshimi. Trupin e lëmë në tokë, p.sh.: te një pemë, te një lis, etj. Vjetërsia e ka ngjyrën gri.
Në jetën tonë, skulptori, e ka për detyrë të gdhendte kokën e së bukurës. Derisa po i gërryente skulptori sytë, duke dashur që të ringjallë dashurisë e paarritshme me të dashurën e tij, e cila kishte kaluar andej, në amshim, nga të sëmuarit serbo-servil të keqes kohë:
„E vetë harroi
se po e bënte një zgavër në zemër
me gërryerje-kujtesë.“
( „2. Zgavra“, në faqen 102. )
Çka do të thotë kjo gjë? Është kujtesa që e gërryen ai, duke menduar të dashurën. Me këto dy poteza, poeti e bartë rruzullimin e jetës. Nëpër sytë më të mëdha të kujtesës së poetit, artistit, skulptorit, dhe të gjithë atyre që e përcjellin këtë rruzullim të jetës, nëpër imazhin gri, që prej plagëve të kohës, siç e përcjellim në natyrë përmes një peme, me shpirtin që na vlon, por e ruajmë atë gjithnjë të paprishur, që të mos kalojë „andej gardhit“, edhe pse nuk mund ta ruajnë pa e dëmtuar këtë shpirt nga çdo gjë, as nga përpjekjet e liga të botës për ta mbuluar me korruptime të kohës, njeriu e kupton këtë çështje mirëfilli siç na dëshiron jeta, se „liria do zemër të plotë“ (faqe 104), e këtë e them veçanërisht e personalisht, madje në dhjetëra forma të shkrimeve të mia, por, siç e kam thënë, edhe në formën poetike.
„Prokurorët e milicët e së djeshmes“ (po aty), i paramendon edhe poeti ynë, madje që pa gdhirë, kur ata nuk e lanë të qetë të flinte në truallin e jetës së tij, por e arrestuan. E ndanë prej jetës së tij, të sëmurët psiko-fiziko-serbë.
Këtu na zgjohet përsëri jeta në sytë vrojtuesit të jetës, siç ka qenë me „Fjalët e dëmtuara/1. Si flasin rrugët“, ku „e tashmja mi shprishi zanoret“ (faqe 105), por vetëm si „siluetë hologramesh“, në poezinë vijuese „2. Qenia e shndërruar në hologram“ (faqe 106), sepse:
„Peisazhi ruan
epopenë e gjethit të rënë nga dega
e gjethi, në rrotullim e merr me vete
dhe e mbështjell zemrën tonë
nëpër përplasje të reja.“
( „Zemra e mbështjellë me një gjeth“, faqe 109. )
Një konkluzion: zemra ruhet me të gjelbrën e jetës. Kur pushon së rrahuri zemra jonë, pushon edhe jeta. Zemra na mbështillet me një gjeth, sikurse ajo me dhembje e përcjell epopenë e gjethit të rënë nga dega. Jeta është e gjelbër, e vdekja e ka tjetër ngjyrë. Jeta mbushet me të gjelbrën, ndërsa vdekja është e kundërta e saj. Kjo është lirika e fundit e jetës, një peme që mbyllet në kujtesën e shpirtit, në memorien tonë.
Natyra është e krijuar para nesh, e të gjithë njerëzve të rruzullit tokësor. Në qoftë se i kthehemi natyrës, aty na përtërihet jeta. Çdo përplasje e jetës sate, në shoqëri, edhe me të pabesën, e gjënë fillin e saj në natyrë. Mbi çdo dhembje, natyra të ndihmon e të çliron, në rifillim.
Po i ndalemi vetëm pjesës së katërt, „4. Shpirti i qetësisë së një peme“, prej të cilës e merr të cikli i fundit i kësaj përmbledhje, në poezinë „Ritmi i hapave të heshtur“, në të cilët janë mjaft domethënëse edhe pjesët e tjera, si p.sh.: „1. I burgosur në qetësinë vetjake“, „2. Të lanë me djajtë e kësaj kohe“, dhe „3. Nëpër rrugët që nuk kanë sy“. Poeti thotë:
„… jepja fjalës sate zemrën e jetës,
dhuroja shpirtin e qetësisë se një peme,
në kësi rastesh e krijon hapësirën tënde të shenjtë.
Është e vetmja hapësirë e populluar me engjëj
përballë botës së përmbushur me përbindësha.“
( „4. Shpirti i qetësisë së një peme“, faqe 116. )
Bota është e mbushur plot me demonë e përbindësha. Qiellin dot nuk e arrijnë qeniet e egra të mbi tokës, të cilët i ka „lejuar“ Zoti i Madh që të krijohen, për të sprovuar njerëzit, sepse ata janë përgjegjës për jetën e tyre. Midis shumicës së tyre të kthyer kah demonët e përbindëshat, një pjesë e vogël, ndër të cilët është edhe poeti, i cili jeton këtë jetë të përkohshme të tij, i këshillon me shpresën e vetme të jetesës, t’ia dhurojë „shpirtin e qetësisë së një peme“, të atij që është si ai, që ta shpëtoj shpirtin e tij nga kjo botë, sepse, jeta tjetër, amshimi, është „e populluar me engjëj“.
Në njëfarë forme, jeta e këtushme, kjo jetë e botës tokësore, nuk është e populluar nga engjëj dhe është jetë e padurueshme, edhe për poetin tonë.
Është një veçanti, që duhet të shqyrtojmë pak më mirë. Nuk është vonë të thuhet se kjo formë e poezisë, „Kuptimet e çuditshme“, sikurse ajo që kemi vënë fillim, është quartet (katërshe), Quarteti i mikropoezisë është një formë e të rrëfyerit të shkurtër poetik, që e rrëfen autori nga jeta, pa pasur nevojë të theksohet me „unë, unë, unë“. Poezia shqipe është mbushur me formën e parë, veten e parë, dhe ka edhe ndonjë poezi të tilla, por ky nuk është i vetmi qëllim jetësor i poetit. Ka disa që thonë nëpër lokalet „e dyta“, se „e ke shkruar poezi për vete, jo për ne“. Pak shkruajnë në veten e tretë.
Poeti Prend Buzhala shkuan më shumë në veten e tretë, e ai si poet jeton në një cirkull të rrufeshme dhe të ligash, sikurse të gjithë shqiptarët, e nuk ka kohë të ndalet, por shtegton me dhembje, sepse e ndjekin pas, pse ai e thotë të vërtetën dhe e vërteta duhet të nënkuptohet nga këto mikropoezi. Në njëfarë dore, është e pesta, e pa thënë veçanërisht.
Këtu, po ndalemi në mikropoezinë me gjashtë pjesë, pjesën e katërt të tij:
„E dogja edhe këtë fletëz dite,
humbi gjithçka që kisha kënduar,
gjithçka që kisha përjetuar.
Më mbeti vetëm të bëhem qenie prej ajri,
me grimcat e tejdukshme
ta shkruaj anën tjetër të jetës.
Humbjet qenkan ana e vërtetë e gjallimit.“
( Nga „Gur i zhveshur rrufeje/ 4. Ana tjetër e jetës“, faqe 127. )
Fletëzen e ditës e tejkalon poeti ynë, e nuk ka çka të bëjë tjetër me veten e tij, pos të shndërrohet „në një qenie prej ajri“, sepse e tërë jeta e jonë është „gllabëruar“ nga ferri. Nuk është më „përgatitje për parajsë“, e as purgator, por ferr i përbërë nga e tërë bota qeverisëse, që më tepër i ndihmojnë armiqtë tanë, si përbindësha, edhe përmes atyre feve që duan të kapin për këmbësh „zotin“ e tyre, i cili është Kryedemoni, Kryedjalli, të cilin nuk e kuptojnë as qytetarët e tjerë shqiptarë e të botës, se ai nuk është Zoti i Madh. Zoti i Madh ka ekzistuar para feve e para njerëzimit. Zoti i Vërtetë i shikon me shqetësim „krijesat e marra mendsh“ nga Kryedemoni, e nuk i lë ta dinë ata se pranë tyre ishte i Madhi Zot me Syrin e tejdukshëm. Këto gjëra të vërteta, nuk i lënë poetit asnjë vend, pos të pyes thellësisht Zotin e Madh:
„Zot, si e humbi të folurën kjo kohë,
herë erë e shndërruar në zhurmë tingujsh kakofonikë,
herë në kambana shurdhuese alarmesh,
herë bëhet një endacake memece.
Ne mbesim pa rrëfimet e saj.
Koha aty ishte e njeriu nuk e shihte,
njeriu aty gjendej e koha syverbër e kërkonte.
Aty ishte Syri i tejdushëm
që shihte gjithçka.“
( „6. Syri i tejdushëm“, faqe 129. )
Veprën e përmbyll prapë triptiku. Në këtë mikropoezi „Pa fill e pa anë“, pjesa e parë, „1. Atu ku dielli nuk perëndon“, që është e shpërfillur nga mos- jeta, amën e mendimit, që krijon ura të padukshme, është nëna mjaft e mistershme, që krijohet nga truri i njeriut dhe përtërihet nga shpirti. Poeti është shqiptar, ilirian, yllirianë, që i shkruan Andromedës.
Në të vërtetë, Adromeda, është ana tjetër e mendjes (meda, mendja), e cila është andërr/ëndërr, që e sheh vetëm me mendje, ajo është ana tjetër e mendjes, të cilës, i dërgon mesazhe poeti, atje „ku thonë se nuk ka perëndim të diellit“. Që kur jemi lindur, ishte dashuria, thotë poeti ynë. Aty ku nuk ka lindje e as perëndim të Diellit, nuk është kjo jetë dhe është vetëm amshimi. Një fjalë, na e jep çelësin në duar:
„Ndryshe, nga e marrim energjinë e zemrës
Ato thërrime që shdërrohen në dritë fjale.“
( „3. Në fillim ishte dashuria“, fundi i librit, faqe 132. )
Energjinë e zemrës ta japin thërrimet e jetës, që shndërrohen në DRITË. Është brenda nesh SHPIRTI. Në këtë rast, poeti posedon DRITË FJALËSH.
Dritën e fjalës në këtë jetë të përkohshme e kemi nga dashuria për jetën, për tokën, për njerëzit, sa nuk janë të përfshirë nga Kryedemoni, por besojnë në fjalët e Zotit të Madh e njerëzimin.
Ndërsa, duke e mbyllur kopertinën, në faqen e mbramë, e shohim poezinë, artin e fjalës. Po e themi „Pa titull“, sepse nuk ka titull:
„Edhe një aton i lëvizjes sate
shkon në drejtim të panjohur…
… e ti prapë thua:
Lexoje nga larg thirrjen e kësaj grimce.“
Lexojmë kurdoherë thirrjet tua, që nuk janë një grimcë atomi, por energji e pavdekshme krijuese, Prend N. Buzhala.
Të urojmë për këtë libër të rrallë e gjithmonë u lexofshin veprat tua!
Qershor, 2023
[1] [1] Mario Andreotti, „Die Struktur der modernen Literatur“, 4. Auflage, Haupt Verlag, Bern-Stuttgard-Wien, 2009.
[2] Po aty, faqe 375.
[3] Shih, Prend Buzhala: “Në aktin e leximit”, vëllimi XXI, Lena, Prishtinë, 2022, fq. 82.
[4] “Në aktin e leximit”, vëllimi XXIII, Lena, Prishtinë, 2023, fq. 97.
[5] Po aty, f. 85.
[6] Sigrun Hoellrigl, „Arti i minimalizimit“, http://gatomonodesign.de/wordpress/die-kunst-des-minimalismus-die-bezeichung-von-stimmfuehrung-und-timbre-im-poetry-film/
[7] Po në këtë ese, më poshtë, duke folur për poezinë në film.
[8] Etimologjia e tankave dhe wakave, sipas Wipikedia Org, në https://en.wikipedia.org/wiki/Tanka.
[9] Ceremonia e Utakai Hajime, rreth vitit 1950, në Wpikedia Org.
[10] Linda Hutcheon, „Poetika e postmodernizimit/Historia, Teoria, Fiksioni“, OM, Prishtinë, 2013, faqe 106.
[11] Redaktori i veprës sime poetike, Halil Haxhosaj, „Nuanca kombëtare, familjare, autobiografike në vargëzimet poetike“, recension, në veprën poetike „Shtegëtimi i Lirisë“, SHB „Faik Konica“, Prishtinë, 2014.
[12] Brahim Avdyli, „Nëpër telet e zemrës“, novela “Edukatorët e endrrave të mia“, Shoqata e Intelektualëve „JAKOVA“, Gjakovë, 2022.
[13] Sipas librave të kimisë.
[14] Prend Buzhala: “Odeoni i fjalës”, kritika e studime letrare, “Rilindja”, Prishtinë, 2003, f. 429.
[15] Marrëdhënia e faktorit kohë luan rol në materie, e edhe me farën e një gjëje. Ka prova të vërtetuara mbi këtë rol të veçantë të kohës, që prej ilusionistëve e deri te shkencëtarët. Por ua rekomandoj një vepër të shkencëtarit shqiptar, Dr. Kastriot Melyshit, „SHQIPJA-çelësi i zgjidhjes së enigmës KOHË“, Magus, Tiranë, 2019.