XHAFER DURMISHI: SI U DENUAN SHABAN KLAIQI E ISLAM RAFUNA PËR `ZËRIN E KOSOVËS`, NË KORRIK 1982 NË GJYKATËN E QARKUT TË GJILANIT

Pashtriku, 4 mars 2021: Shaban Klaiqi e Islam Rafuna – bartësit e parë të Stafetës së Flakës së Janarit
Në nëntor të vitit 1981 Jusuf Gërvalla boton numrin e parë të “Zërit të Kosovës” si organ i “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi”. Në diskutimet se si të dërgohet ky numër në Kosovë, Shaban Klaiqi nga fshati Poliçkë i Komunës së Dardanës dhe Islam Rafuna nga e njejta komunë, e marrin për detyrë nga Jusuf Gërvalla që gazetën e tij ta fusin në Slloveni deri në një vend të caktuar. Gjatë kryerjes së kësaj detyre arrestohen nga policia jugosllave dhe më 3 korrik 1982, dënohen me nga 3 vjet burg, nga Gjykata e Qarkut të Gjilanit.

Të njejtin dënim ua shqipton Gjykata Supreme e Kosovës, më 17 janar 1983, pikërisht në njëvjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Në këtë mënyrë Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna bëhen bartësit e parë të Stafetës së Flakës së Janarit, e janareve që do të vinin më pas. Për Shaban Klaiqin e Islam Rafunën, për këta dy punëtorë të guximshëm të rrethit të Shtutgartit, që kanë bërë e sakrifikuar shumë për Jusuf Gërvallën, për tokën e për qiellin e Kosovës, është folur pak apo gati aspak.

Ballina e numrit të parë “Zëri i Kosovës”- Nëntor 1981.
Për burgosjen e veprimtarëve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna, Jusuf Gërvalla përmes një letre ka informuar edhe bashkëveprimtarin e organizatës LNÇKVSHJ z.Sabri Novosella, i cili asokohe ishte strehuar në Turqi. Jusufi këtë letër e ka shkruar më 14 janar 1982, vetëm tri ditë para vrasjes në Untergrupenbach të Gjermanisë (më 17.01.1982).
Në letrën dërguar S.Novosellës, Jusufi ka shkruar:
“Siç e di, ne kemi pas bërë këndej njëfarë transporti të shtypit. E kemi futur atë në Atdhe, por atje s’i kemi pasur njerëzit që do ta shpërndanin si duhet. Tani, në drejtimin e transportit, kemi pësuar më në fund edhe një disfatë. Me numrin 1 të “Z.K.” dërguam për në Atdhe dy punëtorë. Rruga e futjes së materialit ishte po ajo që kishim ndjekur në tri raste të suksesshme të transportit. Por kësaj radhe puna dështoi dhe ata dy punëtorët ndodhen në duartë e UDB’së. Pas kësaj e kemi shumë vështirë të ndjekim të njejtën rrugë. Tani a ta qajmë materialin që nuk ra në duartë e lexuesit, apo të qajmë njerëzit që na u dëmtuan. Aktualisht s’po i bëjmë ballë dot t’u japim rrugë. Është disfata e parë kësodore qe dy vjet e këtej dhe na ka demoralizuar shumë. Sa patëm zënë të kënaqemi e të marrim krah nga materialet që po na arrinin për revistën, tash u desh të na dilte ky problem.” ( Jusuf Gërvalla, 14. 01. 1982)

Veprimtarët Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna

Me rastin e 28 vjetorit të vrasjes së Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, në faqen www.pashtriku.org, për herë të parë publikojmë aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës – datë 17 janar 1983, ku shpërfaqet veprimtaria e Shaban Klaiqit dhe Islam Rafunës. Le të jetë ky një satisfaksion sado i vogël për z.Klaiqi dhe z.Rafuna. Veprimtari Shaban Klaiqi burgoset edhe në vitin 1989. Ai arrestohet me vendim të Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme nr.330/1, datë 28. 03. 1989, të nënshkruar nga kryeudbashi i Kosovës Jusuf Karakushi, dhe për dy muaj rresht (deri më 25. 05. 1989) përjeton masën e izolimit nëpër kazamatet serbe. (Pashtriku.org, 10. 01. 2010)

* * *
Ap – Kzh. nr. 372/82
NË EMËR TË POPULL IT

Gjykata Supreme e Kosovës – kolegji i përbërë nga kryetari i gjykatës Riza Fazlija dhe gjyqtarët: Tadej Rodiqi, Aqif Tuhina, Durmish Koqinaj dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtoren profesionale Milica Smajli, procesmbajtëse, në çështjen penale të të akuzuarve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna, për veprën penale të pjesëmarrjes në veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ, të kryer si bashkekzekutorë, duke vendosur përkitazi me ankesën e prokurorit publik të qarkut dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarve Zhivana Bersavleviq, paraqitur kundër aktgjykimit P-nr. 34/82 datë 3 korrik 1982 të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, në seancën jopublike të mbajtur më 17 janar 1983, zëvendësprokurori publik krahinor Ndue Selmani, mori këtë
A K T GJ Y K I M
Në rastin e ankesës së prokurorit publik dhe ankesës së mbrojtëses së të akuzuarve, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi P-nr. 34/82 datë 3 korrik 1982 i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit ndryshohet sa i përket zbatimit të ligjit penal, kështu që Gjykata Supreme konstaton se në veprimet e të akuzuarve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna qëndrojnë elementet e veprës penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 3 të LP të RSFJ.
A r s y e t i m i
Me aktgjykimin P – nr. 34/82 datë 3 korrik 1982, Gjykata e Qarkut të Gjilanit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna për veprën penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 1 të LP të RSFJ dhe i ka dënuar me nga tri vjet burgim, duke i detyruar edhe t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale për paushallin gjyqësor prej 1000 dinarësh.
Kundër këtij aktgjykimi ankesa brenda afatit kanë bërë:
– prokurori publik, për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprën penale të pjesëmarrjes në veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ dhe të dënohen më ashpër;
– mbrojtësja, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe të mangët të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i jepet një dënim më i lehtë. Ajo njëkohësisht iu përgjegj edhe ankesës së prokurorit publik dhe propozoj që kjo të refuzohet si e pabazuar.
Zëvendësprokurori publik krahinor Ndue Selmani deklaroi se qëndron prapa propozimit me shkrim që të akuzuarit të shpallen fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ, për të cilën t’u jepen dënime të merituara, ndërsa ankesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar.
Gjykata Supreme shqyrtoi shkresat e lëndës, ekzaminoi aktgjykimin sipas nenit 376 par. 1 të LPP, vlerësoi pretendimet ankimore dhe konstatoi se ankesat janë të pabazuara.
Gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, duke konstatuar se të akuzuarit, gjatë vitit 1981 gjatë kohës që ndodheshin me punë në RF të Gjermanisë, më sakt në firmën “Daimler Benz” në Sindelfingen, u morën me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë, ashtu që u inkuadruan në demonstratat armiqësore të mbajtura në Zurich, në Gjenevë, në Shtutgart dhe në Munih, kurse i akuzuari Islam Rafuna e voziti Nuhi Sylejmanin me veturën e vetë për të shpërndarë thirrje për demonstratat; që të dy këta, në nëntor të po atij viti, së bashku me të tjerët hodhën parullën “Kosova-Republikë” kurse me anë të fishkëllimave ndërprenë koncertin e RTP’së, që ishte organizuar për nder të Ditës së Republikës, kurse më 13 dhjetor 1981 nga Nuhi Sylejmani morën në dorëzim 1000 ekzemplarë të “Zërit të Kosovës”, botim i organizatës armiqësore në emigrim “Fronti i Kuq” dhe u përpoqën që ata t’i sjellin në RSFJ, por më 14 dhjetor 1981 u zunë nga milicët e postkomandës së milicisë së hekurudhës të Lublanës.
Këtë gjendje faktike gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në radhë të parë në mbështetje të deponimeve të të akuzuarve. Ata gjatë hetimeve pranuan se morën pjesë në demonstratat armiqësore, duke mohuar i akuzuari Shaban Klaiqi pjesëmarrjen në demonstratat e Gjenevës, kurse i akuzuari Islam Rafuna, pjesëmarrjen në demonstratat e Munihut. Me atë rast që të dy këta deklaruan se nuk kishin pasur dijeni që demonstratat të ken qenë të organizuara nga organizata armiqësore në emigrim “Fronti i Kuq”, porse shkuan për të marrë pjesë mbasi ishin ftuar me thirrje që i kishin marrë, i pari tek porta e banesës së vet, kurse i dyti nga Nuhi Sylejmani.
Për pjesëmarrjen e të akuzuarit Shaban Klaiqi në demonstratat e zhvilluara në Shtutgart dhe në Munih në shkresa ndodhen edhe fotografitë e tij.
Për këto arsye dalin të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtëses se i akuzuari Shaban Klaiqi “kishte shkuar të interesohej të gjente punë për të vëllan” e se i akuzuari Islam Rafuna, ndonëse shoqërohej me Nuhi Sylejmanin, nuk mori pjesë në asnjërën nga demonstratat e zhvilluara.
I akuzuari Islam Rafuna deklaroi në seancën kryesore se para demonstratave të zhvilluara në Shtutgart e kishte vozitur Nuhi Sylejmanin deri në Grubingen dhe ai kishte një çantë me vete, por ky nuk e dinte se ç’kishte brenda. Mirëpo, nisur nga deklarata e të akuzuarit se ky edhe më parë i ishte përgjegjur disa herë kërkesës së Nuhi Sylejmanit, të cilit i kishte dhënë veturën dhe e kishte vozitur vet tri herë, duke supozuar se këto udhëtime kishin lidhje me demonstrata, mund të përfundohet se ai kishte dijeni se në çantë ndodheshin thirrjet për të marrë pjesë në demonstrata, të cilat i shpërndau Nuhiu. Lidhur me këtë gjykata e shkallës së parë përmban arsye bindëse, të cilat i pranon edhe kjo Gjykatë.Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se koncerti i RTP’së, me rastin e Ditës së Republikës, qe ndërprerë në fillim të tij, për shkak se spektatorët, ndër të cilët edhe i akuzuari, filluan të hedhin parullën armiqësore “Kosova-Republikë!”, dhe duke fishkëlluar, gjë që çoi në interve- nimin e policisë Gjermane.
I akuzuari Shaban Klaiqi u mbrojt gjatë gjithë procedurës se nuk kishte marrë pjesë në futjen ilegale të revistës “Zëri i Kosovës” në RSFJ dhe se të akuzuarin Islam Rafuna e njohu për herë të parë në Postkomandën e Milicisë së Lubjanës.
Mirëpo, sipas deklaratës së të akuzuarit Islam Rafuna, këta të dy, duke mbartur valixhen dhe çantën ku ndodhej materiali që e kishin marrë prej Nuhi Sylejmanit, ishin nisur së bashku nga RF e Gjermanisë, duke i respektuar udhëzimet e pranuara.
Në bazë të këtyre rrethanave e duke pasur parasysh faktin se i akuzuari Islam pikërisht nën ndikimin e Nuhi Sylejmanit filloi të merret me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë, mund të përfundohet se të akuzuarit e kishin të ditur se për çfarë materiali ishte fjala. Këtë konkluzion e përforcon edhe fakti se të akuzuarit, gjatë udhëtimit, ndërronin trenat, kurse për të hyrë në vendin tonë zgjodhën trenin që shkonte për në Kardelevë, që kontrollohet më pak, në krahasim me trenat që shkojnë drejt Kosovës.
Për këto arsye mund të konstatohet se mbrojtësja e të akuzuarve e kundërshton aktgjykimin pa baza për shkak të vërtetimit të gabuar e të mangët të gjendjes faktike.
Nisur nga gjendja faktike e vërtetuar, Gjykata Supreme vlerësoi se gjykata e shkallës së parë mbi këtë gjendje ka zbatuar gabimisht ligjin penal, duke i shpallur fajtorë të akuzuarit për veprën penale të propagandës armiqësore të parashikuar nga neni 133 par. 1 të LP të RSFJ.
Qëndron fakti se të akuzuarit, me veprimtarinë e tyre, sulmuan ato vlera shoqërore që janë nën mbrojtjen e dispozitës së nenit 133 par 1 të LP të RSFJ. Mirëpo në këtë rast nuk është kontestues as fakti se të akuzuarit tentuan të futin revistën në fjalë në RSFJ nga një vend i huaj, nga RF e Gjermanisë, në të cilën, siç u tha edhe më sipër, morën pjesë në demonstratat armiqësore dhe në pengimin e koncertit të RTP-së, kurse i akuzuari Islam Rafuna edhe në vozitjen e Nuhi Sylejmanit për të shpërndaë thirrjet për demonstratat e zhvilluara në Shtutgard.
Revista “Zëri i Kosovës” i organizatës armiqësore emigrante “Fronti i Kuq” dhe ajo përmban shkrime me karakter propagandues armiqësor kundër bazave të shoqërisë vetëqeverisëse socialiste dhe rendit e sigurisë së RSFJ.
Prandaj, në veprimet e të akuzuarve, sipas konstatimit të kësaj gjykate, qëndrojnë elementet e veprës penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 3 të LP të RSFJ.
Për këtë arsye del i pabazuar pretendimi i prokurorit publik se me veprimet e sipërme të akuzuarit kanë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ. Kjo vepër penale i ka dy forma kryesore: hyrjen në lidhje me një shtet të huaj ose emigrante ose me një grup njerëzish, dhe ofrimi i ndihmës për kryerjen e veprim- tarisë armiqësore.
Në rastin konkret nuk është provuar që të akuzuarit kanë qenë anëtarë të organizatës armiqësore “Fronti i Kuq”, që të kenë pasur dijeni që kjo organizatë t’i ketë organizuar demonstratat dhe që njëri nga udhëheqësit e saj të jetë i përmenduri Nuhi Sylejmani, si dhe që të kenë njohur vëllezërit Gërvalla.
Mbasi nuk është provuar që të akuzuarit të kenë hyrë në lidhje me organizatën armiqësore të përmendur dhe me udhëheqësit e saj dhe, siç u tha edhe më tepër, mbasi këta kryen veprimet e përshkruara në paragrafin 3 të nenit 133 të LP të RSFJ, nuk mund të pranohet pretendimi i prokurorit se në veprimet e tyre qëndrojnë elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ.
Vendimin për dënimin e kundërshtojnë si të pa baza si prokurori publik, ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarve.
Duke u dhënë të akuzuarëve dënimin me nga tri vjet burgim, gjykata e shkallës së parë u njohu atyre si rrethana lehtësuese: pagjykueshmërinë e mëparshme, qëndrimin e mirë para gjykatës dhe gjendjen familjare. Dënimi i dhënë sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, i përgjigjet peshës së veprës dhe shkallës së përgjegjësisë penale të të akuzuarve dhe si i tillë ai është i domosdoshëm që të arrihet qëllimi i dënimit, i parashikuar nga dispozita e nenit 33 të LP të RSFJ.
Nga sa u parashtrua dhe në mbeshtjetje të nenit 387 par. 1 të LPP u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.
GJYKATA SUPREME E KOSOVËS NË PRSIHTINË
Ap – Kzh. nr. 372/82 Më 17 janar 1983

Procesmbajtëse Kryetar i kolegjit
Milica Smajli Riza Fazlija

______________
D O K U M E N T E


Faksimili i aktgjykimit të Shaban Klaiqit e Islam Rafunës

Aktvendimi nr.330/1, datë 28. 03. 1989, për arrestimin e Shaban Klaiqit,
i nënshkruar nga Sekretari Krahinor për Punë të Brendshme – Jusuf Karakushi.
(Këtë aktgjykim për botim në “Pashtriku.org” – e përgatiti Xhafer Durmishi )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura