Letra e dorëheqjes nga Redaksia e ZiK-ut dhe KQ i LRSHJ-së, dërguar:
KOMITETIT QENDROR TË LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI
Të dashur shokë,
po ju shkruaj fare përngut, sepse ndoshta do të më duhet që së shpejti ta lëshoj këtë shtet e pastaj ku me dijtë se a do të kem mundësi t’ju lajmërohem apo jo.
Siç e dinë anëtarët e KQ në Redaksi, mbrëmë unë u largova nga Redaksia e “Zërit të Kosovës”, kjo nënkupton se unë nuk mund të jem më as anëtar i Komitetit Qendror. Atë që e bëra mbrëmë në Redaksi kam dashur ta bëj në takimin e Komitetit Qendror, por rrethanat ishin të tilla sa që kjo nuk bënte të zgjatej më.
Natyrisht në këtë hap më ka shtyrë klima që është krijuar, një klimë aq e padurueshme, një klimë aq pak revolucionare. Unë me shembullin tim konkret, ndoshta për dikënd kjo do të duket sërisht metodë kristiane, desha t’ju bind se nuk jam njeri i ofiqeve e i kolltuqeve, por luftëtar i thjeshtë i Kosovës me të mirat dhe me të metat e mia, që s’i kam fshehur kurrë para shokëve të mi. Në këtë ndarje pak si të jashtëzakomshme por edhe të pritur nga unë, të paralajmëruar para shumë muajsh e shoh të nevojshme t’ju them diçka, por koha s’po lejon ndaj po ndalem si vijon:
Pavarësisht nga kundërthëniet që kemi pasur në luftë e sipër, unë gjithnjë do t’ju konsideroj si shokë të mirë dhe kurrë para askujt nuk do të lejoj që të mohohet e të nëpërkëmbet atdhedashuria juaj dhe çdo përpjekje që do të bëni për të mirën e popullit tonë.
Kudo që të më qesë jeta, unë do t’u mbetem besnik gjer në vdekje idealeve tona të përbashkëta, për të cilat kanë derdhur gjakun e tyre të shenjtë shokët tanë të vuajtjeve e të përpjekjeve.
Te të gjithë ata njerëz që më ka rënë rasti t’i njoh e t’i takoj në jetë, kurdoherë do të ngjall, do të nxis dashurinë ndaj Lëvizjes dhe respektin ndaj udhëheqësisë së saj.
Si njeri që merrem ngapak me shkrime gjithmonë do të përpiqem t’i mbetem besnik frymës revolucionare, sipas së cilës vepruam e luftuam së bashku për disa vjet me radhë.
Të jeni të sigurt se në çfarëdo rrethanash të vështira që të më qesë jeta, unë në çdo moment do t’i mbetem besnik betimit që e kemi dhënë së bashku, pra çdo sekret i Lëvizjes, çdo veprimtari e saj për mua janë dhe do të mbeten të shenjta. Në këtë kurrë të mos keni as dyshimin më të vogël.
Jam i sigurt se veç kërkesës së popullit edhe ky akt i imi do të kontribuojë që mes jush të ketë unitet të plotë mendimi e veprimi, se do të ketë harmoni revolucionare.
Ju përshëndes luftarakisht, shokë, dhe nga zemra ju dëshiroj sukses!
Xhafer SHATRI, më 31 janar 1985
(Burimi: Faridin Tafallari – Terror, dhimbje, qëndresë, 1997, faqe 252)
_______________
PËRJASHTIMI I IBRAHIM KELMENDIT NGA KQ i LRSSHJ-së), MË 10. 02. 1985 PËR DEKONSPIRIME, DISKREDITIM TË XHAFER SHATRIT, KEQPËRDORIMIN E NDIHMAVE DHE JO VETËM!
Nga mbledhja e KQ të LRSSHJ-së, më 10. 02.1985
DORËHEQJA ME SHKRIM E XHAFER SHATRIT DHE PËRJASHTIMI I IBRAHIM KELMENDIT NGA KOMITETI QËNDROR I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (KQ i LRSSHJ-së), MË 10. 2. 1985
Nga Sheradin Berisha
Më 10 shkurt 1985, Xhafer Shatri dha dorëheqje me shkrim, ndërsa KQ i LRSSHJ-së e përjashtoj atë për gabime e lëshime politike, duke shkelur vijën ideologjike marksiste – leniniste, m-l. Ndërkaq Ibrahim Kelmendi përjashtohet nga KQ i LRSSHJ-së, për shkak të thashë e thënave në mesin e punëtorëve, dekonspirime të sekreteve të KQ të LRSSHJ-së, mbjelljes së frymës përçarëse në vetë KQ; mospërgjegjësisë ndaj punës; përpjekjet e tij për diskreditimin e Xhafer Shatrit, dhe mbi të gjitha për keqpërdorimin e ndihmave për Kosovën, duke mos sjellur në fond asnjë qindarkë!!!
Sheradin Berisha © Pashtriku.org