XHELA ZEJNELI: RËNIA E MURIT TË BERLINIT DHE KONSTELACIONI I RI GLOBAL

Shkup, 15 nëntor 2019: Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, d.m.th. më 1945, Gjermania u nda në katër zona të cilat zotëroheshin prej forcave të armatosura të shteteve – aleate të luftës së sapo përfunduar: ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1949, zonat që zotëroheshin nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u bashkuan dhe prej tyre u themelua Republika Federale Gjermane apo Gjermania Perëndimore.
Ndërkaq, zona e kontrolluar prej Bashkimit Sovjetik u shndërrua në shtet të veçantë – Republika Demokratike Gjermane ose Gjermania Lindore. Me fjalë të tjera, prej një shteti gjerman u krijuan dy sish.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas vitit 1947, marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Perëndimit dhe BRSS-së filluan të tensionohen. Me fjalë të tjera, midis tyre filloi ajo që në historinë politike njihet si luftë e ftoftë. Të dyja palët synonin të zbatonin politikën e forcimit të pozicioneve vetanake dhe të dobësonin pozicionet e palës kundërshtare, duke përdorur për këtë qëllim të gjitha masat e mundshme, përpos luftës.

Më 4 prill 1949, ministrat e Punëve të Jashtme të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Belgjikës, Danimarkës, Francës, Islandës, Italisë, Kanadasë, Luksemburgut, Holandës, Norvegjisë dhe Portugalisë nënshkruan në Uashington një pakt të sigurisë kolektive që u quajt Organizatë e Paktit Veri-Atlantik (NATO). Në vitin 1952 këtij pakti i aderuan Greqia dhe Turqia, ndërsa në tetor të vitit 1955 edhe Gjermania Perëndimore. Pakti hyri në fuqi më 25 gusht 1949. Më vonë pakti u zgjerua në 15 shtete (sot i ka 29 shtete).
Më 14 maj 1955, një pakt i ngjashëm u themelua edhe në lindje të kontinentit. ndërmjet BRSS-së, Polonisë, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Gjermanisë Lindore dhe Shqipërisë. U quajt Pakti i Varshavës ose Traktati për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë.
* * *
Më 13 gusht 1961 filloi ndërtimi i murit të Berlinit. Thonë se ndërtimi ka zgjatur një ditë. Ka të dhëna që thonë se ndërtimi i tij ka zgjatur dy ditë. Në të vërtetë, ky mur është ndërtuar në faza dhe ka zgjatur me vite. Brenda një periudhe 25-vjeçare, rrethoja me tela gjembash u zëvendësua me mur betoni, me fusha të minuara dhe me kulla vrojtimi. Pas vitesh ndërtimi në faza, muri i Berlinit ka arritur një gjatësi prej 155 km. Në të ka pasur 302 kulla vrojtimi.
Muri ka qenë simbol i luftës së ftoftë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ShBA-së dhe BRSS-së, NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Muri i Berlinit ka qenë pjesë e perdes së hekurt midis lindjes së kontinentit dhe perëndimit të tij.
Idenë e ndërtimit të murit e dha Qeveria e Gjermanisë Lindore e Valter Ulbrihtit (1893-1973). Vendimi për ndërtimin e murit u miratua edhe nga udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushçov (1894-1971). Në të vërtetë, muri ishte barrierë e dytë midis Berlinit perëndimor dhe Gjermanisë Lindore. Me të u mbyll plotësisht kufiri ndërmjet Berlinit lindor dhe perëndimor. Kufiri ndërmjet dy shteteve gjermane mbeti i mbyllur 28 vjet.
* * *
Më 26. VI. 1963, d.m.th. 22 muaj pas ngritjes së murit të Berlinit, qytetin e vizitoi presidenti i ShBA-së Xhon Kenedi (1917-1963), me ç‘rast foli para një mase prej 450 mijë njerëzve. Të tubuarve, Kenedi u tha se ShBA-ja e mbështet Gjermaninë Perëndimore, e në veçanti Berlinin perëndimor, duke shtuar: “ Para 2000 vjetësh ka qenë krenari të thuhej Civis romanus sum – Unë jam qytetar i Romës. Sot, në botën e lirë, thirrja që të bën krenar është Ich bin ein Berliner. Ndaj po ju them se edhe unë jam një berlinas”.

Më 12. VI. 1987 Gjermaninë Perëndimore e vizitoi edhe presidenti amerikan Ronald Regan (1911-2004). Me këtë rast ai nuk la pa e parë edhe Derën e Brandenburgut ku qëndroi 26 minuta. Para qytetarëve të tubuar, midis tjerash thotë: “Sekretar i Përgjithshëm Gorbaçov, po qe se punoni për paqe, për prosperitet të Bashkimit Sovjetik dhe të Evropës Lindore, po qe se jeni për paqe, prosperitet dhe liberalizim, ejani te kjo derë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë derë! Zoti Gorbaçov rrëzojeni këtë mur!”
* * *
Muri i Berlinit është shembur pas 9 nëntorit 1989, përkatësisht në periudhën e viteve 1989-1990. Shembja e tij shënon fillimin e mbarimit të luftës së ftoftë, gjë që çoi drejt ribashkimit të Gjermanisë. Më 3 tetor 1990 Gjermania Lindore u bë pjesë e Republikës Federale Gjermane. Me fjalë të tjera, të dy shtetet gjermane u ribashkuan. Kryeqytet i shtetit të ribashkuar përsëri u bë Berlini.
* * *
Në vitin 1983, presidenti Regan paralajmëroi Nismën e Mbrojtjes Strategjike që u quajt luftë e yjeve (Star Wars). Ajo kishte të bënte me ndërtimin e satelitëve të luftës që do të qarkullonin në orbitën e Tokës me qëllim asgjësimi të raketave balistike sovjetike para se ato të qëllonin shënjestrat e përcaktuara.
Në fushën e armatimit, Bashkimi Sovjetik nuk mund të mbante hapin me ShBA-në. Pakti Varshavës u shpërbë.
Më 26.12.1991, me Deklaratën 142-H të Presidiumit të Sovjetit Suprem Kombëtar të BRSS-së, perandoria e kuqe shpërbëhet edhe formalisht. Me deklaratën e sipërthënë u njoh pavarësia e 12 republikave të Bashkimit Sovjetik. Një ditë më parë, presidenti Mihail Gorbaçov dha dorëheqje, ndërsa kodet e lëshimit të raketave bërthamore ia dorëzoi presidentit rus Boris Jelcin (1931-2007).
Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), i themeluar pas Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit (1917) të udhëhequr nga Lenini (Vladimir Iliç Ulanov, 1870-1924) ka qenë në realitet perandori e kuqe komuniste e dominuar kryekëput nga rusët. Ideologjia komuniste, socialiste, marksiste-leniniste dhe internacionaliste s’ka qenë asgjë më pak se pansllavizëm. Diktatori Stalin (Josip Visarionoviç Xhugashvili, 1879-1953) i cili nuk ishte rus por gjeorgjian, bashkë me stalinistët e tjerë të tipit të Brezhnjevit (Leonid Iliç, 1906-1982) i kolonizuan, jo vetëm popujt e Bashkimit Sovjetik, por edhe të gjitha shtetet e Evropës Lindore. Në të vërtetë, Polonia, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania, prej vitit 1945 deri në vitin 1991 kanë qenë nën pushtimin e egër rus. Shqipëria u shkëput nga kthetrat e ariut të veriut në vitn 1961, ndërsa më 1968 nga Pakti i Varshavës doli edhe formalisht.
Ra muri i Berlinit dhe nuk vonoi shumë ra edhe imperializmi rus, ranë totalitarizmi, diktatura, tirania, autokracia, despotizmi dhe pansllavizmi bolshevik.
Pas këtij ndryshimi historik popujt morën frymë lirë. Mbi të gjitha – individi.
* * *
Pas rënies së murit të Berlinit, ribashkimit të Gjermanisë, prishjes së Paktit të Varshavës dhe shthurjes së BRSS-së, i erdhi radha edhe Jugosllavisë.
Jugosllavia e pas Luftës së Parë Botërore quhej edhe Jugosllavi e Versajës. Ajo ishte krijim artificial i Konferencës së Paqes në Paris (1919), e mbështetur kryesisht nga Franca. Jugosllavinë e Pashiqit (Nikola Pashiq, 1845-1926) dhe të karagjorgjeviqëve e quanin edhe burg të popujve, siç e quanin edhe Monarkinë Austro-Hungareze. Me sulmin gjerman mbi Jugosllavinë, ajo u shemb si një kullë prej letre.
Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore u quajt ndryshe edhe Jugosllavi e AVNOJ-it (KAÇKJ). E quanin edhe Jugosllavi e Titos. Ajo nisi të marrë tatëpjetën në vitin 1981, pas protestave të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara.
Edhe Memorandumi i akademikëve serbë (1986) është quajtur nekrolog i Jugosllavisë së Titos.
Prej 20 deri më 22 janar 1990 në Qendrën Sava të Beogradit u mbajt Kongresi XIV i jashtëzakonshëm i LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë). Gjatë zhvillimit të punimeve të tij u ballafaquan konceptet e delegatëve të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë si dhe atyre të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Përfaqësuesit sllovenë kërkuan konfederalizimin e Partisë dhe të shtetit, ndërsa përfaqësuesit serbë ngulën këmbë për centralizimin e Jugosllavisë. Asnjë propozim i delegatëve sllovenë nuk u pranua nga delegatët serbë. Propozimet serbe ndërkaq, u miratuan me “shumicë” votash. Boshti Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) ekzistonte natyrshëm. Nën trysninë e Beogradit, anën e Millosheviqit e mbanin rëndom edhe delegatët e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe të Vojvodinës.
Në një rast, votimi nuk rezultoi sipas skenarit serb, për arsye se, krahas delegatëve të Kosovës, edhe ata të BH-së u rreshtuan në një vijë me ata të Sllovenisë dhe të Kroacisë. Njëri prej komunistëve maqedonas – Dr. Vasil Tupurkovski (1951-) u ngjit në podium dhe i rezignuar konstatoi: Fitoi koalicioni joparimor (Pobedila je neprincipijelna koalicija). Me fjalë të tjera, rreshtimi i delegatëve të Kosovës përbri atyre të Sllovenisë dhe të Kroacisë, për Tupurkovskin paraqiste koalicion joparimor!!
Në natën e 22 janarit, pas dy ditë pune dhe konfliktesh verbale të ashpra, delegatët sllovenë e lëshuan sallën e kongresit.
Kërkesës së komunistit serb Millosheviqit që Kongresi të vazhdojë punën edhe pa delegatët sllovenë, iu kundërvunë ashpër delegatët kroatë, duke thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, edhe ata do ta lënë sallën.
Me këtë, pas 45 vjet udhëheqjeje, Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë u zhbë si flluskë sapuni. Epilogu i këtillë i Kongresit ishte vendimtar për shthurjen e Jugosllavisë së AVNOJ-it.
Më 25.VI.1991 Lubjana shpalli Deklaratën e pavarësisë. Pasoi lufta 10-ditëshe e APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë) kundër njësive territoriale sllovene. Më pas, Beogradi tha: “Meqë në Slloveni nuk ka serbë, ajo edhe mund të shkëputet nga Jugosllavia”.
Menjëherë pas Sllovenisë, në qershor 1991, pavarësinë e shpalli edhe Kroacia, gjë që hyri në fuqi më 8.X.1991. Me arsyetimin se në Kroaci jetojnë 580.000 serbë, APJ-ja, e komanduar kryesisht prej gjeneralëve serbë, si dhe njësitë paramilitare serbe, u vunë në veprim për ta parandaluar shkëputjen e saj. Nga fundi i vitit 1991, pas një lufte të ashpër ndërmjet Kroacisë dhe forcave serbe, de facto Serbisë, një e treta e territorit kroat mbeti jashtë kontrollit të Zagrebit. Më 15.I.1992, me angazhimin e Gjermanisë, vendet anëtare të BE-së e njohën Kroacinë si shtet të pavarur.
* * *
Rrugën e shkëputjes nga amalgama e sllavëve të jugut e mori edhe Kosova. Më 2 korrik 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën “Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave”. Më 7 shtator 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën nën Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kosovës, e cila e sanksiononte “Republikën e Kosovës si një shtet demokratik të popullit shqiptar dhe të pakicave kombëtare”. Ndërkaq, prej 26 deri më 30 shtator 1991 u mbajt referendumi mbi pavarësinë e Kosovës. Rezoluta mbi pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës u miratua njëzëri nga votuesit.
Nga fundi i vitit 1994 i filloi veprimet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga marsi i vitit 1998, veprimet e armatosura të UÇK-së morën pamjen e një lufte të vërtetë çlirimtare.
Më 6 shkurt 1999, me nismën e Grupit të Kontaktit për Jugosllavinë, në kështjellën Rambuje afër Parisit filluan bisedimet shqiptaro-serbe për zgjidhjen e krizës. Ndërmjetësues ishin përfaqësuesit e ShBA-së, të BE-së dhe të Rusisë – Kristofer Hill, Volfgang Petriç dhe Boris Majorski.
Projekti i marrëveshjes që duhej të arrinin palët në bisedime, i hartuar nga ShBA-ja, përmbante:
– Kosova do të mbetej pjesë e Jugosllavisë Federale, por do të gëzonte një “autonomi substanciale;
– Në Kosovë do të organizoheshin zgjedhje demokratike, ndërsa çështja e pavarësisë do të diskutohej pas tre vjetësh;
– Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, në Kosovë do të vendoseshin forcat e NATO-s.
Udhëheqësit serbë nuk e pranuan marrëveshjen. Në fund të shkurtit, d.m.th. pas 17 ditëve, bisedimet dypalëshe, me tertium interveniens – u ndërprenë. Dështimi i tyre tregoi se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në rrugën paqësore. Sapo rifilluan bisedimet, në Kosovë shpërthyen luftimet. Më 19 mars 1999, delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e hodhën poshtë.
Në mars të vitit 1999, diplomati amerikan Riçard Hollbruk (1941-2010) u takua për herë të fundit me Millosheviqin (1941-2006) në Beograd dhe ia ofroi këtij rastin e fundit që ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, sipas së cilës:
– Kosova do ta rifitonte autonominë e humbur;
– UÇK-ja do të çarmatosej; ndërsa
– në Kosovë do të vendoseshin forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Zjarrvënësi i Ballkanit e refuzoi diplomatin amerikan.
Më 22 mars 1999 forcat serbe nisën ofensivën e madhe të spastrimit etnik dhe brenda një kohe të shkurtër dëbuan nga Kosova rreth një milionë shqiptarë, të cilët u vendosën kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Më 23 mars 1999 NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve në Kosovë dhe në Serbi, që zgjatën 78 ditë, përkatësisht deri në 11 qershor 1999. Më 10 qershor 1999 forcat pushtuese ushtarake serbe nisën tërheqjen nga Kosova. Po atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën e cila parashikonte vendosjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë. Më 12 qershor 1999 u vendosën në Kosovë Forcat Ushtarake të NATO-s (KFOR). Që nga ky moment, Kosova u vu nën administrimin e OKB-së.
Më 10 qershor 2007 e vizitoi Shqipërinë presidenti amerikan Xhorxh Bush (1946) dhe që andej paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë.
* * *
Në kohën e luftës së ftoftë Bashkimi Sovjetik, krahas ShBA-së, iu imponua botës si superfuqi. Rënia e murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Paktit të Varshavës dhe zhbërja e Bashkimit Sovjetik determinuan ndryshimin e raportit të forcave, si në Evropë, ashtu edhe në planin global. Në rrafshin politik, ekonomik dhe ushtarak krijohet një konstelacion i ri.
Nga shpërbërja e BRSS-së doli një Rusi e dobët dhe e pakonsoliduar. Në planin global superfuqi mbeti vetëm ShBA-ja. Gjermania e ribashkuar bëhet fuqia e katërt ekonomike në botë, duke marrë në BE edhe rolin udhëheqës. Sot, Rusia e Vladimir Putinit (1952-) synon të forcohet. Megjithëkëtë, në planin global ajo ka rol dhe ndikim politik, ekonomik dhe ushtarak të reduktuar.
Shqiptarët në Ballkan, duke mos qenë popull sllav, janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së dhe të gjermanëve. Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet forcimin e faktorit pro-shqiptar.
Shpërbërja e BRSS-së ndërkaq dhe dalja prej saj e një Rusie të pakonsoliduar, paraqiste dobësimin e faktorit pro-serb.
Gjermania e ribashkuar dhe e fuqishme si dhe ShBA-ja si fuqi e vetme në planin global, shkojnë në favor të kauzës shqiptare. Ndërkaq, shpërbërja e BRSS-së dhe dalja prej saj e një Rusie të pakonsoliduar nuk shkonin në favor të ideologjisë serbomadhe.
Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet një fazë historike – të papërsëritshme për kombin shqiptar në gadishull – për ta zgjidhur çështjen kombëtare, historikisht të drejtë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura