Shkup, 26 Prill 2020: Federiko Garsia Lorka (1898-1936) është poet dhe dramaturg spanjoll. Lindi në Fuentevaqueros të Granadës. Ishte bir i një pronari tokash nga Andaluzia. Në moshën 20-vjeçare vajti në Madrid për të ndjekur studimet për drejtësi dhe letërsi. Ishte shok i ngushtë me kompozitorin andaluziuan Manuel de Fala (Manuel de Falla, 1876-1946). Njihej me piktorin e famshëm Salvador Dali (Salvador Domingo Felipe Jacinto Dali, 1904-1989), të lindur në Katalonjë, i cili ishte edhe një nga surrealistët më të njohur të shekullit XX.
Si poet, Lorka do ta pasurojë poezinë me përvoja moderne, e sidomos me ndjeshmërinë e hollë për ritmin dhe ngjyrat. Ishte promovues i avangardës evropiane midis dy luftërave botërore por edhe poet i lidhur ngushtë me traditën e poezisë kombëtare.
Muzikën e mësoi te Manuel de Fala, i cili ia mbolli dashurinë ndaj këngës popullore (cante jond) andaluziane, duke e udhëzuar njëherazi të mbledhë thesarin popullor.
Me të shkuar në Madrid në vitin 1919, atje u njoh me intelektualët spanjollë të kohës. Prej vitit 1929 deri në vitin 1930 qëndroi në SHBA dhe vizitoi Kubën. Pas kësaj u kthye në republikën e sapo shpallur të Spanjës.
Me ftesë të profesorit të vet nga Granada, i cili ishte udhëheqës dhe ideolog i socialistëve spanjollë Fernando de los Riosa (1879-1949), Garsia Lorka bëhet drejtor dhe animator artistik i teatrit studentor shëtitës La Barraca, me të cilin i përshkon edhe rajonet më të largëta të Spanjës. Sa ishte në këtë detyrë, i vuri në skenë veprat e klasikëve spanjollë. Përhapi edhe idenë për rolin shoqëror të teatrit.
Gjatë luftës civile në Spanjë (1936-39) ndodhej në Granadë. Aty e arrestuan dhe e pushkatuan forcat fashiste të gjeneralisimus Frankos.
* * *
Garsia Lorka ishte poet, dramaturg, aktor, recitues, piktor dhe muzikant. Ishte krijues letrar me arsimim të gjithanshëm, i ndikuar: nga tradita letrare e vendit të vet, nga poezia popullore, nga dadaizmi dhe nga surrealizmi. Por, ai gjithmonë mbeti origjinal, me vulën vetjake të theksuar. Ishte i respektuar në krahinën e vet të Andaluzisë. Për vlerat që kishte, fitoi mirënjohje të shumta, kështu që ushtroi ndikim të madh ndaj bashkëkohësve të vet.
Përmbledhja e parë me poezi “Mbresat e peizazheve” (Impresiones y paisajes, 1918) është shkruar në stilin e traditës së realizmit deskriptiv nën ndikimin e Antonio Maçados dhe të romancierit e eseistit spanjoll Azorini (Jose Martinez Ruiz, 1873-1967).
Edhe pse e kënduar në mënyrë romantike, pikëlluese dhe impresioniste, përplot shqetësime rinore, përmbledhja tjetër “Libër poezish” (Libro de poemas, 1921) tanimë i paralajmëron karakteristikat e poezisë së mëvonshme të Lorkës: dashurinë e madhe për natyrën dhe vendlindjen, sensibilitetin, ndjenjën për muzikën e vargut, metaforat figurative dhe inventive.
Pason përmbledhja “Poezi” (Canciones, 1927) e cila i përfshin vargjet e shkruara në vitet 1921-1925. Tani poeti paralajmëron përmbledhjen “Romancero cigane (Romancero gitano, 1928) e cila deri në vitin 1936 u botua gjashtë herë. Vargu i “Romancero cigane” është tetërrokësh, ndërsa vargu i vëllimit “Poema e këngës së thellë”, është i thyer.
Në veprat e para, Lorka kryesisht është meditativ. I përvetëson teknikat avangardiste dhe i përputh me skemën e poezisë popullore.
Përmbledhja tjetër përmban 18 romanca për ciganët e Andaluzisë, për pasionet e tyre burimore, për besimet e tyre dhe dorëzimin fatalist fatit tragjik. Në poezitë e kësaj përmbledhjeje bashkohen elementet lirike, dramatike dhe narrative të shprehjes poetike.
Veprat e tjera, e sidomos përmbledhja më e njohur “Romancero cigane”, të shkruara në vitet 1924-1927, përbëjnë fazën andaluziane të shkrimeve të tij, për arsye se poeti i përdor motivet e këngës të vendit të vet, gjallëron romancën, krijon metaforikë burimore dhe autentike, ndërsa personazheve cigane u jep një gjest teatral dhe tiparin e tragjizmit fatal. Këto poezi janë shembull klasik recitimi.
Në librin”Poemë e këndimit të thellë” (Poema del cante jondo, 1931) Lorka ka bashkuar me sukses përvojën e poetit modern dhe këngën popullore andaluziane.
Kompozimet e vogla të tij nuk i imitojnë ligjet metrike dhe strukturën rigoroze të tekstit të këngës popullore, por e pasqyrojnë shpirtin e Andaluzisë, të përjetuar në mënyrë poetike nëpërmjet këngëve, njerëzve dhe peizazheve, në pamjet dhe në simbolet e vuajtjes së thellë e të dhimbshme.
Gjatë qëndrimit të poetit në Amerikë, lindi përmbledhja “Poeti në Nju-Jork” (Poeta en Nueva York, 1940), me oden e njohur kushtuar lirikut amerikan Uolt Vitmen (Walt Whitman, 1819-1892), i cili në të gjallë përjetoi mohime totale por edhe lëvdata të mëdha. Përmbledhja e sipërthënë u botua pas vdekjes në Meksikë. Në këto poezi, të afërta me surrealizmin, poeti e përjeton Amerikën si një kaos të qytetërimit modern pa vlera njerëzore.
Poeti shkroi elegji me rastin e vdekjes së mikut të vet toreador “Vajë për Injacio Sançez Mejiasin” (Llanto por Ignacio Sanchez Mejias, 1935). Pasojnë krijimet “Gjashtë poezi galicie” (Seis poemas galegos, 1935) të shkruara në dialektin galician. Vijnë përmbledhjet e gazeleve dhe të kasideve për dashurinë e parealizuar “Cikli i Tamaritit” (Divan del Tamarit, 1936).
Lorka i kushtoi një kujdes të madh krijimit të veprave teatrale, sidomos pasi u kthye prej Amerike. Me krijime vlerash artistike të larta, teatrit spanjoll i solli famë botërore. Vepra e parë dramatike “Magjia e fluturës” (El maleficio de la Mariposa, 1920) trajton në mënyrë ironike temën e dashurisë së papranueshme. Premiera e kësaj pjese teatrale u shfaq në teatrin Eslava të Madridit, por nuk korri sukses.
Pason romanca popullore për heroinën legjendare nga Granada “Mariana Pineda” premiera e së cilës u shfaq në vitin 1927 në Barcelonë. Pas kësaj vijnë farsa “Këpucarja e çuditshme” (La zapatera prodigiosa, 1930) dhe “Don Perlimpini shfaq dashurinë ndaj Belisës në kopshtin e vet” (Amor de Don Perlimpin con Belisa en su jardin, 1931).
Më pas Lorka shkroi tekstin për teatrin e kukullave “Altari i Don Kristobalit” (Retablillo de Don Kristobal, 1931), komedinë romantike “Dona Rosita e pamartuar ose të folurit e luleve” (Dona Rosita la soltera o El lenguaje de las flores, 1935).
Me dramat e veta më të fuqishme, Garsia Lorka del se është poet i pasionit njerëzor dhe i vuajtjes, i drejtpërdrejtë dhe figurativ. Personazhe kryesore të tragjedive të tij janë gratë, dashuria, senzualiteti dhe amësia e tyre, përfshi edhe ngarkesat e tyre me paragjykimet shoqërore dhe fetare.
Drama më të njohura të Garsia Lorkës janë “Dasma e përgjakshme” (Bodas de sangre, 1933). Kjo është një ndër veprat më të fuqishme të teatrit botëror. Bëhet fjalë për pasionin, rivalitetin, vrasjen dhe instinktet. Në dramën “Jerma” (Yerma, 1934) flitet për fatin e zi të një gruaje që s’mund të bëhet nënë.
Vjen drama “Shtëpia e Bernarda Albës” (La casa de bernarda Alba, 1936). Shfaqjen skenike të saj autori nuk e përjetoi. Flitet për një nënë e cila pesë vajzat e saj që e duan jetën, i mban të mbyllura, në një atmosferë të errët. Në dramat e veta, Garsia Lorka përsëri i kthehet botës popullore, andaluziane.
Garsia Lorka është poeti spanjoll më me vlerë i shekullit XX i cili me instinktin krijues spontan bashkon vlerat tradicionale të letërsisë spanjolle, të thesarit popullor dhe të rrymave moderne të kohës së vet.
* * *
Romanca dhe romancero – Romanca është një prej llojeve më të hershme të lirizmit, që shfaqet qysh në shekullin XV. U përhap në hapësirën gjeografike të gjuhëve romane, përfshi dhe Spanjën, nga ciganët që e shoqëronin me vegla muzikore dhe valle. Në fillim, romanca ishte krijim poetik i thjeshtë, me temë sentimentale dhe i përshtatshëm për t’u kënduar ngase hartohej në varg tetërrokësh.
Romancero shërben për të emërtuar një vëllim poetik me romanca spanjolle.
Në periudhën e romantizmit spanjoll, romanca u bë një ndër llojet më të përdorura. Atë e përdorën poetë të mëdhenj të poezisë moderne spanjolle, si: poeti dhe dramaturgu spanjoll Antonio Maçado i Ruiz (Antonio Machado y Ruiz, Sevilë, 1875-1939, Collioure, Francë), tregimtari, eseisti dhe poeti spanjoll Miguel Unamuno (Miguel de Unamuno, Bilbao, 1864-1936, Salamnaca), poeti spanjoll, i cili më 1936 emigroi në Amerikë, Huan Ramon Himenez (Juan Ramon Jimenez, 1881-1958). Por, shkëlqim të posaçëm i dha romancës spanjolle Garsia Lorka.
* * *
Lufta civile në Spanjë – Pas krizës së madhe ekonomike, në prill të vitit 1931, forcat majtiste të Spanjës i fituan zgjedhjet. Pas kësaj, Spanjën e shpallën republikë, ndërsa mbretin Alfons XIII (1886-1941) e dëbuan. Ishte bir i arqidukeshës austriake Maria Kristina, me prejardhje nga dinastia e Habsburgëve. Alfonsi XIII Ishte i martuar me mbesën e mbretëreshës Viktoria të Britanisë.
Në vitin 1936, koalicioni Frontin Popullor i përbërë prej socialistëve, komunistëve dhe republikanëve përsëri i fitoi zgjedhjet.
Një grup djathtistësh i quajtur Falanga Spanjolle, në krye me gjeneralin Francisko Franko (Francisko Franco Bahamonde, 1892-1975) u nis nga Afrika veriore me një numër të madh ushtarësh, për të përmbysur qeverinë majtiste në Spanjë.
Socialistët dhe komunistët mbronin republikën, ndërsa fashistët e Frankos, ishin kundër republikës. Në vitin 1936 shpërtheu konflikti civil i përgjakshëm që zgjati deri në vitin 1939.
Në krye të majtistëve, midis tjerëve qëndronte edhe Dolores Ibaruri, i njohur me pseudonimin “La Pasionaria” (Isidora Dolores Ibarruri Gomez, 1895-1989). E quanin “Lule e zjarrtë” (Pasiflora) e Luftës civile të Spanjës. Në moshën 20-vjeçare u martua me minatorin Julian Ruiz, me të cilin pati 6 fëmijë.
Gjenerali Franko u kishte apeluar mbrojtësve të republikës: “Do të hyj në Madrid me katër kolona. E pesta më pret aty”.
Me një fjalim të mbajtur nëpërmjet Radio Madridit, La Pasionaria i ishte përgjigjur: “Los fascistas no pasaran! No pasaran! (Fashistët nuk kanë për të kaluar! Nuk kanë për të kaluar). Revolucionarja e kuqe u shndërrua në mit. Astronauti sovjetik Neujmin, një asteroid që sa ishte zbuluar, e emërtoi “Dolores”.
Pas fitores së Frankos, La Pasionaria u largua nga vendi dhe e kaloi jetën në mërgim. Pas vdekjes së diktatorit, u kthye në Spanjë dhe erdhi në krye të Partisë Komuniste.
Që atëherë, me shprehjen “kolonë e pestë” nënkuptohet ajo pjesë e popullit që i mirëpret në vendin e vet trupat ushtarake të huaja. Si të tillë, cilësohen si tradhtarë. Ata të cilët e kanë zmadhuar peshën e “kolonës së pestë”, një president amerikan i ka quajtur “kolonë e gjashtë”.
* * *
Lidhur me Luftën civile të Spanjës, qeveria shqiptare aderoi në projekt-konventën franceze për të mos u përzier në punët e atij vendi.
Trupat e Frankos mbështeteshin nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste, ndërsa mbrojtësit e republikës u mbështetën nga 60.000 vullnetarë nga 53 vende të botës. Midis tyre kishte edhe vullnetarë shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe 23-vjeçari Petro Marko (1913-1991). Ky mbërriti në Spanjë në vitin 1936 me një grup prej 40 shqiptarësh. Ka të dhëna që thonë se numri i shqiptarëve ka qenë 34. Ai hyri në repartin Garibaldi të brigadave ndërkombëtare. Me Skënder Luarasin (1900-1982) filluan botimin e një reviste njëzet faqesh në shqip “Vullnetari i lirisë” që doli vetëm në dy numra.
Në një kongres shkrimtarësh të mbajtur në Valencie më 1937, Petro Marko takoi Ernest Heminguein (1899-1961). Aty ishin edhe Aleksei Tolstoj (1882-1945), Ludvig Ren (Ludwig Renn, 1889-1979), Ana Zegers (Anna Seghers, 1900-1983), Andre Malro (Andre Malraux, 1901-1976) dhe Pablo Neruda (1904-1973).
Përvoja e Luftës civile të Spanjës i shërbeu Petro Markos si bazë për romanin e tij “Hasta la vista”.
Pjesëmarrës të tjerë të kësaj lufte ishin edhe Mehmet Shehu, Emrush Myftari, Iljaz Pashai etj. Në fushëbeteja ranë: Asim Vokshi, 28-vjeç nga Gjakova, Dhimitër Kosta, 40 vjeç nga Leskoviku, i cili përfundoi në kampet e përqendrimit të Gjermanisë, Musa Fratari, 27 vjeç nga Përmeti, Ramiz Varvarica, 38 vjeç nga Peshkopia, Teni Konomi, 26 vjeç nga Korça, Thimo Gogozoto, 24 vjeç, nga fshatrat e Pargës në Çamëri, Urfi Agolli, 23 vjeç nga Dibra, Xhemal Kada, 26 vjeç nga Peja, Zef Hoti, 30 vjeç nga Shkodra.
* * *
Forcat naziste gjermane dhe ato fashiste italiane, me kërkesën e Frankos e bombarduan qytetin Gernika. Tragjedinë e qytetit, në vitin 1937 piktori dhe skulptori spanjoll Pablo Pikaso (Pablo Picasso, 1881-1973) e paraqiti në pikturën “Gernika” (Guernica). Vepra legjendare u krijua në shtëpinë e piktorit në Paris. Është me përmasa: 776.6 X 349.3 cm. Më 1939 “Gernika” u dërgua në ShBA. Është ekspozuar në shumë metropole të botës. Në vitin 1981 u kthye në Spanjë dhe u vendos në muzeun “Reina Sofia” të Madridit.
Postime të Lidhura
BESIM XHELILI: ARTISTËT SHQIPTARË ME EKSPOZITË TË PËRBASHKËT NË VJENË TË AUSTRISË
Vjenë, 12 nëntor 2018: Vjena si një qendër me histori dhe traditë të pasur sa i përket artit,…
GJOKË DABAJ: 4 KOINCIDENCA TË HABITSHME TE “LISISTRATA” E ARISTOFANIT
(Durrës, 19. 02. 2013) – Janë 4 personazhe kryesorë: Vetë LISISTRATA, kryeprotagonistja, KALONIQI, gruaja e parë që Lisistrata…
10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT PASKAN LINDUR DITËN E SAKRIFICËS DHE DINJITETIT
Nga Prof.dr.Albert HABAZAJ, Vlorë – qershor 2024 “Kush kërkon dekorata, nuk i meriton; kush i meriton nuk ka…
DR.VAXHID SEJDIU: GJUHA AMTARE!
Zvicër, 13 prill 2018: Çdo qytetarë e ka për obligim moral dhe kombëtar të ruaj për vete dhe…