Shkup, 10 shtator 2020: Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në prani të presidentit të ShBA-së Donald Tramp u interpretua në mënyra të ndryshme.
Pushtetarët dhe qeveritarët, kryesisht e arsyetuan, ndërkaq partitë politike opozitare të Kosovës e hodhën poshtë dhe e shpallën tradhti të interesave kombëtarë. Opozita politike e Shqipërisë marrëveshjen e sipërthënë e përshëndeti, por pa dhënë ndonjë koment më të gjerë. Analistët politikë e analizuan rastin, varësisht nga fakti se mercenarë dhe shërbëtorë të kujt janë. Marrëveshjen e komentojnë edhe pjatalarës, byrektorë, qebaptorë, shoferë kamioni. Këta as e kanë parë dhe as e kanë lexuar. As që e kuptojnë përmbajtjen, vlerën apo rëndësinë e saj. Kështu ndodh me çdo marrëveshje, madje kudo në botë.
* * *
“Çështja” e Kosovës doli komplekse:
– Kryetari i Serbisë A. Vuçiq thotë prerë: “Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”;
– Pesë shtete, anëtare të BE-së – Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës;
– Rusia dhe Kina, dy fuqi të mëdha me të drejtë vetoje në OKB, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Pa u njohur nga pesë vendet e BE-së që ende s’e kanë njohur, Kosova nuk do të mund të bëhet pjesë e saj. Pa u arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë, Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e OKB-së.
Kosova nuk duhet me çdo kusht të synojë për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Kosova mbase mund të ekzistojë edhe jashtë ndonjë organizmi ndërkombëtar, por me kusht që të jetë nën përkujdesjen politike, ekonomike dhe ushtarake të ShBA-së dhe të Gjermanisë. Jashtë BE-së dhe OKB-së dhe pa përkujdesjen e Uashingtonit dhe të Berlinit, Kosova mund vetëm të vendnumërojë. Vendnumërimi i Kosovës është në dëm të saj.
S’ka fuqi në rruzullin tokësor, pos ShBA-së:
– që mund ta bindë Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë e saj të tokave apo integritetin territorial;
– që mund t’i bindë pesë vendet e lartpërmendura të BE-së për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur;
– që mund t’i bindë Rusinë dhe Kinën që të mos e parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
E gjithë bota e di se shqiptarët Amerikës nuk mund t’i thonë jo. Ata shqiptarë që pandehin se mund t’i thonë jo Uashingtonit, duhet të tregojnë:
– si do ta detyrojnë Serbinë për ta njohur Kosovën shtet;
– si do t’ia dalin me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë;
– si do t’ia bëjnë me Moskën dhe Pekinin që mund ta pengojnë Kosovën në OKB.
* * *
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 kanë kaluar dymbëdhjetë vjet. Që atëherë, lidhur me njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë, BE-ja nuk ka bërë asnjë hapë para. Hap para në këtë pikëpamje s’ka bërë as administrata e presidentit Barak Obama.
Brenda këtyre 12 vjetëve Kosova nuk shënoi ndonjë zhvillim ekonomik të theksuar, Serbia ndërkaq u forcua – politikisht, ekonomikisht dhe ushtrarakisht.
Po të analizohen rrethanat në kohën e Konferencës së Rambujesë dhe rrethanat e sotmet, do të mund të konstatohet:
– Në atë kohë Serbia ekonomikisht ishte e rrënuar;
– Rusia dukej e pakonsoliduar dhe e pavendosur:
– ShBA-ja ishte superfuqi e një bote njëpolare.
– Çështja e Kosovës u mbështet nga ShBA-ja, nga Gjermania, nga Britania e Madhe, nga Franca, nga Italia dhe nga mbarë bashkësia ndërkombëtare;
– Shqiptarët ishin një, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët; ideal kishin lirinë dhe demokracinë.
Sot rrethanat kanë ndryshuar:
– Serbia është më e konsoliduar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht;
– Rusia hiqet më e konsoliduar dhe më e vendosur;
– ShBA-së i duhet të veprojë në një botë bipolare;
– Mbështetja e shteteve të sipërthëna për shqiptarët, përkatësisht për Kosovën ka kohë që është zbehur,
– Shqiptarët nuk janë një si dikur, janë të ndarë dhe të përçarë. Ideal s’e kanë më lirinë, demokracinë por pasurimin brenda natës.
Në dhjetëvjeçarin e fundit Serbia:
– I forcoi marrëdhëniet me Moskën dhe me Pekinin;
– Hyri në rrugën e konsolidimit ekonomik;
– Tërhoqi investime nga Rusia, nga Kina, nga Gjermania, nga Franca, nga Turqia etj.
– Krijoi vende të reja pune, e nisi ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore moderne,
– E pajis ushtrinë e vet me armatime, kryesisht nga Rusia.
Serbia ia bëri me dije Uashingtonit dhe Berlinit: “Po qe se çështjen e Kosovës nuk e zgjidhni me një kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës, atëherë Serbia do të lidhet me Rusinë dhe Kinën dhe që të dy do t’i sjellë në Ballkan”.
Nuk duhet harruar se interesat e ShBA-së dhe të fuqive të tjera të Perëndimit nuk lidhen vetëm me shqiptarët. Interesi i tyre është që të lidhen edhe me Serbinë. Një fuqi e madhe përkufizon interesa politikë, ekonomikë dhe strategjikë.
Perëndimorët e kanë përkëdhelur Serbinë për dy arsye:
– e para, për interesat ekonomikë të tyre; dhe
– e dyta, për ta reduktuar ndikimin rus mbi Serbinë.
* * *
S’ka dyshim se lëvizje të konsiderueshme ka bërë edhe Kosova. Por ato duken të pamjaftueshme.
Mbështetja e fuqive perëndimore për shqiptarët është zbehur vitet e fundit për arsye të caktuara, si:
– Periudha e pluralizmit në botën shqiptare zgjatë pafundësisht. Shqiptarët ende s’kanë dalë nga faza e tranzicionit;
– Shqiptarët nuk manifestuan aftësi shtetformuese të duhur;
– Procesi i ndërtimit të shtetit ligjor dhe të sistemit demokratik zvarritet pafundësisht, (Pa ekonomi, fjala demokraci është nocion fiktiv);
– Korrupsioni dhe veprimet e paligjshme të politikanëve dhe të pushtetarëve shqiptarë gjatë periudhës së trazicionit mori përmasa dramatike me pasoja tragjike për shoqërinë;
– Nepotizmi në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve u shndërrua në pandemi;
– Politizimi dhe partizimi i çdo organizmi publik mori përmasa tronditëse;
– Pasurimi brenda natës i politikanëve dhe i pushtetarëve mori përmasa shqetësues për shoqërinë;
– Krijimi i hordhisë së analistëve politikë – mercenarë dhe shërbëtorë të shtetit, të pushtetarëve, të qeveritarëve dhe të partive politike mori dimension grotesk;
– Vënia e mediumeve nën frena të rrepta pushtetarësh që të përkujton veprat e Xhorxh Oruellit (Georg Orwell, emri i vërtetë Eric Arthur Blair, 1903-1950).
– Zhdukja e klasës së mesme të shoqërisë dhe krijimi i kastës së samurajve;
– Shpërfillja e profesionalizmit dhe avancimi i diletantëve partiakë;
– Nëpërkëmbja e normave etike dhe faforizimi i poltronëve, i oportunistëve, i konformistëve dhe mediokërve.
Krejt kjo s’është, as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Në rrethana të tilla shqiptarët zunë vendin e parë në kontinentin e vjetër me vrasje, me hakmarrje, me gjakmarrje, me ngujim, me hajni, me divorce, trafikim qeniesh njerëzore, me kontrabandë armësh dhe lëndësh narkotike, me përqindje të lartë vdekjesh në aksidente rrugore. Pasojë e këtyre skenave beketiane është dyndja masive e popullsisë, shpërngulja e të rinjve, ikja e trurit, shpopullimi i trojeve shqiptare. I madh e i vogël, ikin, i marrin rrugët pa kthim të botës. Tani na vinë irakianë, sirianë dhe afganistanas. Ndërkohë, idealistët do të vazhdojnë të thonë: “Jemi bij të ilirëve dhe popull autokton”.
Për të mos mjaftuar e tërë kjo, në trojet shqiptare u shfaqën do grupe që vajtën në Siri dhe në Irak për t’iu bashkëngjitur ISIS-it. Këndej kërkon ndihmën e perëndimorëve për Kosovën, në anën tjetër përfshihesh në një luftë që s’ka të bëjë me ty, e që është kundër interesave perëndimorë.
Shqiptarët duhet ta rrisin cilësinë në arsim dhe ta zhvillojnë sistemin shëndetësor. Me dekada shqiptarët e Kosovës, kundrejt shumave të mëdha vijnë për mjekim në spitalet publike apo private të Shkupit.
* * *
Pa ShBA-në, Kosova s’do ta kishte lehtë të mbrohej vetë. Por angazhimi amerikan për mbrojtjen e saj, me siguri ka çmim. Me fjalë të tjera, është në interes të Uashingtonit që ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të arrihet një zgjidhje në mënyrë që Kosova të mos ketë nevojë për mbrojtje nga jashtë.
Marrëveshja e Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë nuk është historike. Nuk mund të jenë historike marrëveshjet ekonomike. Historike janë kryesisht marrëveshjet politike. Do të merrej si historike një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do të nënkuptonte njohjen e ndërsjellë. Do pjesë të kësaj marrëveshjeje i hyjnë në punë Trampit për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit të vitit në vazhdim. Për shembull:
– Njohja e Kosovës nga Izraeli, e në veçanti vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Kjo ka rëndësi për botën hebraike në ShBA;
– Në pikëpamje energjetike, Serbia pothuajse 100 për qind varet nga Rusia. Pas kësaj marrëveshjeje, sa u përket nevojave energjetike, Serbia do të jetë më pak e varura nga rusët. Sipas kabinetit të Trampit, Serbia me këtë i largohet Moskës dhe i afrohet Perëndimit.
Pak gjasa ka që Serbia ta zhvendosë ambasadën e vet prej Tel-Avivit në Jerusalem. Madje një gjë e tillë nuk parashikohet në dokumentin serb. Kjo parashikohet vetëm në dokumentin e Kosovës.
Marrëveshja ekonomike ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Abdulla Hotit dhe kryetarit të Serbisë A. Vuçiqit, fare nuk i hyn në punë qytetarit apo votuesit amerikan.
A do të realizohet kjo marrëveshje, apo do të mbetet një letër pa vlerë?! Po sikur më 3 nëntor të ngadhënjejë Xho Bajdeni, atëbotë ç’do të ndodhë me të?!
Ka analistë eminentë në ShBA që thonë se në këtë marrëveshje nuk ka humbës. Serbia me këtë marrëveshje nuk ka dalë humbëse. Ka kohë që Beogradi i vardiset Trampit. Ç’prej kohësh përpiqet t’ia mbushë mendjen se serbët kanë qenë për të dhe jo për oponentët e tij. Kabineti i Trampit qëmoti ka thënë: “Uashingtoni do të pranojë çdo marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët”. Në krahasim me qëndrimin e administratës amerikane paraprake, për Kosovën ky qëndrim paraqet një hap prapa. Qëndrimi i administratës paraprake vërtet ishte i paluhatshëm, por ishte edhe i pafrytshëm. Administrata e Barak Obamës brenda dy mandateve nuk ia doli ta mbyllte çështjen e Kosovës sipas planit të Marti Ahtisarit.
Infrastruktura rrugore moderne i nevojitet çdo vendi dhe rajoni të botës. Por, duke marrë parasysh faktin se ekonomia serbe është shumë më e fortë se ajo e Kosovës dhe se eksporti serb në Kosovë ka qenë shumë më madh se importi, atëherë ekziston rreziku që këto autostrada dhe hekurudha të shpejta që do ta lidhnin Kosovën me Serbinë – ta shndërrojnë Kosovën në neokoloni serbe.
* * *
Prishtina duhet t’i kërkojë Beogradit që t’i japë fund gjenocidit të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Nga bisedimet e Brukselit s’duhet pritur gjë. Ato do të mbyllen pa një rezultat përfundimtar. Nuk ekziston subjekt politik evropian. S’ka marrëveshje përfundimtare pa Uashingtonin. Kërkesa e Beogradit për një marrëveshje kompromisi nënkupton krijimin e një entiteti serb në Kosovë, e një republike serbe, e një dodik-republike.
S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i detyrojë shqiptarët për të krijuar në tokën dardane shtet brenda shtetit.
Postime të Lidhura
PËRPARIM DEMI: MORALI I NDJENJAVE TË NDALUARA!
Bukuresht, 21. 03. 2014 – Si çdo njëriu që arrin në moshën time, kur flitet për dashurinë më…
TAFIL DURAKU: TA KRIJOJMË DHE TA RUAJMË ENERGJINË, PËR TA BËRË SHQIPËRINË
Burojë, 18. 02. 2016: Janë shumë motive të forta shqiptare që më bënë t’i hyj kësaj teme bosht…
SHERADIN BERISHA: TRATHTIA S’KA BRIRË! KONTRATA E HASHIM THAҪIT ME GORANËT – PËR THEMELIMIN E ‘OPSHTINSKA GORËS’!!!
Pashtriku.org, 09. 06. 2014 – Më 26 nëntor 2013, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi – në cilësinë e…
PËRVJETORI I MASAKRËS SË DUBRAVËS NË KOSOVË
PËRVJETORI I MASAKRËS SË DUBRAVËS NË KOSOVË U bënë 24 vjet që nga 22 maji i vitit 1999,…