XHELAL ZEJNELI: QIRIAZËT – GJERASIMI, GJERGJI, SEVASTIA DHE PARASHQEVIA

Shkup, 8 mars 2021: Familja patriotike Qiriazët është me prejardhje nga fshati Magarovë. Prej këtu u shpërngulën dhe u vendosën në Tërnovë afër Manastirit. Më vonë u vendosën në qytet, që në atë kohë ishte qendër e Vilajetit të Manastirit.
Babai Dhimitër Qiriazi, me profesion zdrukthëtar dhe nëna Maria kishin dhjetë fëmijë, shtatë djem dhe tri vajza: Tashko, Konstandini, Gjerasimi, Gjergji, Naumi, Kristo, Pandeli, Fanka, Sevasti dhe Parashqevi. Manastiri i asaj kohe ishte një qytet me përbërje etnike të përzier. Megjithëkëtë, Qiriazët i ruajtën traditat shqiptare, fëmijët ndërkaq u ritën në frymën e dashurisë për gjuhën amtare.
Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Qiriazët dhanë një ndihmesë të madhe për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nga kjo familje dolën edukatorë, botues dhe personalitete publike. Anëtarë të caktuar të Qiriazëve, me veprimtaritë e tyre ndihmuan në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Katër anëtarë të kësaj familjeje ishin pjesë e protestantëve të hershëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.
Gjerasimi, Gjergji dhe dy motrat Sevasti e Parashqevi, si veprimtarë të lëvizjes kombëtare, lanë gjurmë në historinë dhe në kulturën shqiptare.
* * *
GJERASIM QIRIAZI (Manastir, 1858 – 1894) – Ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, shkrimtar, rilindës. Shkollën fillore greke e ndoqi në Manastirin e tij të lindjes. I anëtarësuar në Bashkësinë Ungjillore të Manastirit dhe me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), iu dha mundësia që në vitet 1878-1882 të studiojë në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samiokov të Bullgarisë. Në vitin 1883 punoi në Korçë si misionar ungjillor i Shoqërisë Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society). Ishte edhe shpërndarës i librave të kësaj shoqërie në Shqipëri dhe në Maqedoni. Krahas shpërndarjes së diturive fetare në gjuhën shqipe, përhapi edhe abetaret, librat dhe gazetat laike shqiptare. Nisi të shkruajë edhe një gramatikë të shqipes dhe të predikojë në gjuhën shqipe.
Më 12 nëntor të vitit 1884, gjatë rrugës malore Korçë-Manastir u sulmua nga komitët dhe u mbajt peng për gjysmë viti. Rrëfimi për gjashtë muajt e këtij kalvari është përkthyer anglisht nga John Wallace Baird nga Manastiri.
Hapja e së parës shkollë shqipe në Korçë më 1887, të njohur zyrtarisht, e frymëzoi Gjerasimin dhe të motrat Sevastian e Parashqevinë të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900), e sidomos të misionarëve amerikanë dhe anglezë, morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetor 1891 hapën në Korçë të parën shkollë shqiptare për vasha. Verën tjetër u shpërngulën në një ndërtesë më të madhe që mund të merrte më shumë nxënës. Hapjen e kësaj shkolle, që në krye të herës, hierarkia greke e kundërshtoi me fanatizëm
Në vitin 1892 Gjerasimi formoi shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore” të Korçës. Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe, shkroi skica, dialogë, tekste shkollore dhe kompozoi këngë. Shumicën e krijimeve të tij i përmblodhi i vëllai, Gjergji, i cili i botoi ato në antologjinë “Hristomathi a udhëheqës për çdo shtëpi shqiptari” (Sofje, vëll. I, 1902, vëll. II, 1907). Këtu Gjergji përfshiu edhe dy krijime të veta dhe katër fjalime të së motrës, Sevastisë. Krijime të tjera të Qerasimit u botuan në përmbledhjen “Këngë të shenjtëruara për faltoret shqipe” (1924). Gjerasim Qiriazi konsiderohet si një nga pedagogët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai la pas studime me vlerë që u përmblodhën dhe u botuan në librin “Shkrime pedagogjike të Gjerasim Qiriazit” (1966). Njëherazi, është edhe themelues i letërsisë shqiptare për fëmijë në shekullin XIX. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq nga pushtetarët osmanë dhe nga klerikët e Megali Idesë greke.
Gjerasimi Qiriazi vdiq më 4 janar 1894, në moshën 36-vjeçare, nga pleuriti që e kishte marrë gjatë kohës kur ishte zënë peng.
* * *
Më 1892 themelon shoqërinë Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë. Familja e tij i përkiste besimit ortodoks. Më 1877 Gjerasimi lë ortodoksizmin dhe përqafon besimin e kishës protestante, në atë kohë, e panjohur në Shqipëri. Kishte raporte me tre misionarë protestantë shqiptaro-amerikanë që kishin ardhur në Shqipëri më 1973. U martua me Athina Mikelidhi-n, e cila ishte e bija e pastorit të kishës ungjillore të Selanikut. U lindi djali i vetëm Stefani. Gruaja e Gjerasimit, Athina, vdiq më 1891, disa muaj pas lindjes së djalit. Stefani ka vdekur në ShBA më 1959 duke lënë pas gjashtë fëmijë.
Më 1933 qeveria e A. Zogut e ndaloi veprimtarinë e shkollave ungjillore në Korçë. Më 1940, në kohën e pushtimit nazifashist të Shqipërisë, Kisha Ungjillore e Korçës u shpërnda. Pas rënies së komunizmit, tempujt fetarë në Shqipëri u rihapën. Filloi edhe veprimtari ungjillore shqiptare.
Kërkesa e Gjerasimit dërguar më 1887 Portës së Lartë, për njohjen e ungjillorëve shqiptarë, ishte refuzuar. Ajo që u refuzua në atë kohë, u realizua pas më se një shekulli, më 22 nëntor 2010. Kjo ditë, për protestantët shqiptarë konsiderohet si ditë e shënuar.
Më 1987 Gjerasimit u dekorua post mortem me titullin “Mësues i Popullit”, ndërsa më 1992 iu dha “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”.
* * *
GJERGJ QIRIAZI (Manastir, 1868 – Manastir, 1912) është veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Ashtu si i vëllai Gjerasimi, ndoqi shkollën greke në vendlindje, në Manastir. Vazhdoi studimet në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samokov të Bullgarisë. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society).
Pas vdekjes së të vëllait Gjerasimit më 1894, Gjergj Qiriazi punoi për vazhdimin dhe mbajtjen në këmbë të Shoqërisë Biblike të Manastirit dhe të Shkollës Shqipe të Vashave në Korçë dhe mori në dorë drejtimin e shkollës së lartpërmendur. Në vitin 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit ku u vendos për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Në vitin 1909, Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën shqipe “Bashkim’ i kombit” dhe shquhej për veprimtarinë e tij politike.
Si sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “Bashkimi” të Manastirit luajti rol sidomos për organizimin dhe për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Manastirit (1908). Mori pjesë në komitetin e fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” të themeluar në vitin 1905 nga veprimtari i Rilindjes Kombëtare, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit (1908) – Bajo Topulli (Bajram Topulli, 1873-1930). Përpos Bajo Topullit, në themelimin e këtij komiteti morën pjesë edhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare Gjergj Qiriazi, Halit Bërzeshta (1840-1909), Fehim Zavalani (1859-1935) etj.
Gjergj Qiriazi dha ndihmesë të rëndësishme për përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore. Është autor i parë i tekstit të mirëfilltë të fizikës në gjuhën shqipe “Fisika” (Bukuresht 1899), me të dhënat më të reja në fushën e fizikës. Përpos hristomathisë së të vëllait, Gjerasimit – “Hristomathi” (1902 dhe 1907) në dy vëllime, me pjesë letrare didaktike, 640 faqe, Gjergj Qiriazi botoi një përmbledhje me poezi fetare me titullin “Kënkë të shenjtëruara” (Sofje 1906). Si publicist, në artikujt e vet trajtoi çështje kulturore dhe shoqërore dhe i botoi në organet e shtypit të kohës.
Tregoi interesim për dorëshkrimet e lëvruesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895). Gjergj Qiriazi vdiq në Manastir më 30 dhjetor 1912.
* * *
SEVASTI QIRIAZI-DAKO (Manastir, 1871 – Tiranë, 1949) – është veprimtare e lëvizjes kombëtare. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Është motër e Gjerasimit, Gjergjit dhe Parashqevit. Shkollimin e mesëm e kreu në gjuhën angleze, në shkollën e Shoqërisë Biblike të Manastirit. Në vitet 188-1891 kreu studimet në Kolegjin Femëror amerikan (Womens College) të Stambollit. Me t’u kthyer në Shqipëri, me ndihmën e të vëllait, Gjerasimit, më 15 tetot 1891 hapi në Korçë “Shkollën Shqipe të Vashave”, e cila ishte e para shkollë kombëtare për vajza. Në vitet 1905-1906, në Universitetin (Kolegjin) Oberlin të Ohajos (Ohio, ShBA), kreu disa kurse kualifikimi për pedagogji. Përsëri u kthye në krye të shkollës së vashave në Korçë. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shkollë ende njihej me emrin e familjes Qiriazi. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin arsimor të Elbasanit dhe u zgjodh anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore. Ky komision ishte formuar nga shoqëria “Përparimi”.
Është thënë se në vitin 1912 ka botuar në Manastir një gramatikë të shqipes për shkollat fillore dhe ka redaktuar disa tekste historie për historinë botërore, për historinë e Shqipërisë etj. Bashkëpunoi me udhëpërshkruesen, etnografen, piktoren, antropologen, humanisten britanike, mike e shqiptarëve, Edit Durham (Mery Edith Durham, Londër, 1869 – Londër, 1944) për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në arenën ndërkombëtare, në vitin 1913.
Në vitin 1915, nga atdhetarët shqiptarë me qendër në Uorçster (ShBA), u zgjodh kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare. Hartoi një varg memorandumesh, që në emër të partisë që kryesonte, iu dërguan forumeve ndërkombëtare. Në to flitej për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (Korçë, 1878 – Tiranë, 1941) dhe me të motrën Parashqevinë, Sevasti Qiriazi-Dako vajti në Rumani dhe prej andej emigroi në ShBA. Në vitin 1902 Kristo Anastas Dako kishte kryer në Bukuresht matematikën.
Sevasti bashkëpunoi me Parashqevinë për botimin e revistës së përdyjavshme politike, historike, gjuhësore, letrare, pedagogjike dhe kulturore “Yll’i Mëngjesit” (The Morning Star, 1917-1920). Revista drejtohej nga Parashqevi Qiriazi dhe dilte në Boston (ShBA). Numri i parë doli më 15 janar 1917. Vijoi me ndërprerje deri në numrin 45. Një pjesë e shkrimeve ishin frëngjisht ose anglisht.
Në vitin 1921, Sevasti Qiriazi-Dako u kthye në mëmëdhe, ku bashkë me të shoqin Kristo Dako dhe me të motrën Parashqevinë, iu përkushtua institutit arsimor “Kyrias”, të çelur prej tyre në Tiranë dhe Kamzë. Sevasti Qiriazi-Dako vdiq në Tiranë në vitin 1949.
Sevasti Qiriazi_Dako është dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut”, me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike” dhe me “Urdhrin e Lirisë”.
* * *
PARASHQEVI QIRIAZI (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) ishte veprimtare e Lëvizjes Kombëtare, gazetare, publiciste, pedagoge. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Autore e abetares së parë shqipe të shkruar me alfabetin e Manastirit. Është e para femër shqiptare, autore tekstesh. Është e para femër shqiptare që krijoi një projekt arsimor.
Lindi në Manastir, më 2 qershor 1880. Ishte më e vogla prej dhjetë fëmijëve të familjes. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Manastir. Në vitet 1900-1904 studioi letërsinë në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Womens College apo American College for Girls) që vepronte në kuadër të Robert College. Në vitin e fundit të studimeve u caktua kryetare e organizatës studentore. Pasi kreu studimet u kthye në Shqipëri dhe e filloi punën si mësuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë. Më vonë u bë edhe drejtuese e saj. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit (1908), bashkë me Filomena Bonatin dhe Fineas Kenedi* (Phineas Bareber Kennedy, 1867-1963). Me këtë rast, Parashqevi përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar”, që këndohet edhe sot. Më 16 apo më 21 janar 1909 themeloi në Korçë të parën shoqëri të gruas shqiptare që u quajt “Yll’ i mëngjesit”. Në vitet 1909, me shkronja të alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit, tekstin “Abetare për shkollat e para”. Më 1911 teksti u ribotua në Manastir, ndërsa më 1915 kjo abetare u ribotua edhe në ShBA.
Shënim: Fineas Kenedi (Phineas Bareber Kennedy) ka lindur në ShBA. Ishte predikues në kishën ungjillore protestante shqiptare, të themeluar më 1892 nga Gjerasimi. Fineas Kenedi mori pjesë në Kongresin e Manastirit në cilësi të vëzhguesit. Kenedi shërbeu në Korçë në vitet 1908-1939. Pas kësaj, bashkë me familjen, u kthye në Amerikë.
* * *
Në vitin 1912 Parashqevi ndoqi disa kurse kualifikimi, përkatësisht studimet pasuniversitare master në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Po atë vit (1912) hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në qershor 1913, në Universitetin e Oberlinit përfundoi studimet master pasi mbrojti temën “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Mori gradën akademike M. A., d.m.th. master i edukimit (master of education). Më 1913 botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë” (The School for Girls – Kortcha, Albania) e cila në vitin 2014 u ribotua në formën elektronike nga Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, me parathënie të Dana Marie Stucky (1951-2018).
Në vitin 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, u largua nga Shqipëria. Po atë vit mori pjesë në formimin e organizatës “Lidhja Kombëtare” në Sofje dhe u zgjodh sekretare e saj. Bashkëpunoi me veprimtarin e lëvizjes kombëtare dhe demokratike dhe para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë Themistokli Gërmenjin* (1871-1917) dhe me Kristo Anastas Dakon (1878-1941) për botimin e gazetës “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (1915-1916) në Sofje.
Shënim: Në vitet 1916-1917 Themistokli Gërmenji u kthye nga bullgaria në Shqipëri. organizoi forca të armatosura për ta çliruar nga pushtuesit grekë krahinën e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së jugut. Politikanë të huaj që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë trilluan akuza të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve. U dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.
* * *
Në vitin 1917 Parashqevi mori pjesë në themelimin e partisë politike “Partisë Kombëtare Shqiptare” në Uorçester (ShBA). Kjo parti kombëtare shqiptare u themelua në gjirin e mërgimtarëve ekonomikë shqiptarë të atjeshëm. Vazhdoi të vepronte deri në mesin e vitit 1920. Kryetarë të kësaj partie qenë Sevasti Qiriazi-Dako dhe Kristo Dako. Partia u shpreh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë së tokave të shtetit shqiptar. si dhe për rishikimin e kufijve të tij.
Më 15 mars 1915 revista amerikane “The Oberlin Review” shkruan se në vitin 1913, Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A. M. – Artium Magister apo Master of Arts.
Në vitet 1917-1920 Parashqevi qëndroi në ShBA. Në Boston Mass themeloi dhe drejtoi revistën dyjavore “Yll’i Mëngjesit”. Ajo u bë kryeredaktorja e parë femër në historinë e shtypit shqiptar. Në revistë ajo e kishte edhe rubrikën e vet “Fleta e editorit”. Në rubrikën e saj botoi një varg punimesh lidhur me arsimin dhe edukatën. Gazeta doli në vitet 1917-1920. Bashkë me Kristo Dakon, Parashqevi drejtoi shkollat e natës për mërgimtarët shqiptarë në Masaçusets të ShBA-së, në gjuhën shqipe dhe angleze.
Në vitin 1919, si delegate e Partisë Kombëtare Shqiptare të shqiptarëve të Amerikës, mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte e vetmja delegate femër që merrte pjesë në atë konferencë. Këtu Parashqevi Qiriazi dha një ndihmesë të vyer për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Më 1921 u kthye në mëmëdhe dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Institutit Femëror “Kyrias” në Tiranë dhe Kamzë. Ky institucion punoi në vitet 1922-1933 dhe u shndërrua në një nga shkollat e mesme më serioze në Shqipëri.
Më 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review” përsëri shkruan se Parashqevi Qiriazi, në vitin 1913, në departamentin e arsimit të Kolegjit të Oberlinit, ka marrë gradën akademike master.
Më 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe motrat Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut”. Më 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet.
Më 1943, e cilësuar si antifashiste, Parashqevi u internua nga Gestapoja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Banjicë afër Beogradit. Pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe.
Më 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”, ndërsa më 1962 u dekoruan me “Urdhrin për veprimtari patriotike”. Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970. Në vitin 1987 u dekorua post mortem me titullin “Mësuese e Popullit”.
Për historinë e shkollës shqipe është me vlerë studimi i Parashqevi Qiriazit “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipërinë” (The development of schools in the Turkish Empire and an ideal system of education for Albania). Këtë tezë e mbrojti në qershor të vitit 1913 në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Në vitin 1919 studimi u botua në Boston në gjuhën angleze në librin e Kristo Dakos “Albania, the master key to the Near East“ (Shqipëria, çelës i enigmës për Lindjen e Afërt), si pjesë e shtojcës E, në faqet 248-266. Ky studim, i përkthyer në shqip, ndodhet në veprën “Trashëgimi social-pedagogjike (Motrat Qiriazi)” të studiuesit të arsimit dhe pedagogut Shefik Osmani (Shkodër, 1923 – Tiranë, 2012).
Vepra të Parashqevi Qiriazit
– “Himni i alfabetit kombëtar” 1908;
– “Abetare – për shkollat e para” 1909, 1911, 1915;
– “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri” 1913;
– “Shkolla e vashave – Korçë“ 1913 (The School for Girl – Kortcha, Albania) 1913;
– “Një sistem shkollor për zhvillimin e arsimit në Shqipëri” 1920;
– Përktheu dhe botoi tregimin “Evangjelina” të Henry Longfellow, 1923;
– “Shkolla e parë shqipe e vajzave“ (Kujtime) 1963;
– Në kuadër të monografisë “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” 1972, botohet në Tiranë libri “Kujtime nga Kongresi i Manastirit” i autores Parashqevi Qiriazi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura