XHELAL ZEJNELI: SHQIPËRIA – TËRMETI VDEKJEPRURËS

Shkup, 1 dhjetor 2019: I madh e i vogël, në këmbë për Shqipërinë
Një gjuhë e një racë
Një flamur e një gjak

Fatkeqësia natyrore – tërmeti, që e goditi Shqipërinë, ishte tmerrshëm. Kudo u panë skena apokaliptike. Flamuri i Gjergj Kastriotit, si rrallë në historinë politike të kohës më të re, në hapësirat e NATO-s valoi hijerëndë, në gjysmë shtize.
Që në çastin e goditjes, qeveria shqiptare u vu në veprim me të gjitha potencialet që i kishte në dispozicion. Ishte në krye të detyrës.
Konfliktet politike midis partisë në pushtet, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, gjatë ditëve tragjike u lanë mënjanë.
Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama si dhe shefi i opozitës, Lulzim Basha treguan se asnjë interes personal, konjuktural apo partiak nuk është përmbi interesin e shtetit apo të kombit.
Tërmeti katastrofik goditi me tërë forcën e vet dy ditë para festës së madhe të Pavarësisë. Megjithëkëtë, kryetari I. Meta dhe kryeministri E. Rama, të bërë bashkë, Ditën e Flamurit nuk e lanë pa e shënuar, qoftë edhe simbolikisht.
Si gjithmonë gjatë zezonave, edhe në rastin e kësaj goditjeje tmerruese, shqiptarët reaguan si një komb. Tragjedinë e përjetuan me dhimbje të thellë.
U ngritën në këmbë: Shqipëria, Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët, diaspora shqiptare në ShBA dhe në Evropë.
Çdo individ, çdo fshat dhe çdo qytet shqiptar në rajon dhe në diasporë treguan një ndjenjë të thellë solidariteti.
U solidarizuan, aq sa mundën dhe aq sa ditën: nxënës, studentë, mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, vajza e djem, gra e burra, të rinj e pleq, shoqata joqeveritare, shoqata të bamirësisë, bujq, blegtorë, zejtarë, intelektualë, politikanë, organet e pushtetit vendor të të gjitha hapësirave shqiptare në Ballkan.

U mobilizuan në shkallë kombi shkollat fillore, shkollat e mesme, universitetet.
Solidaritet në shkallë kombi treguan edhe spitalet, mjekët, infermierët, farmacistët.
U solidarizua edhe bota e sportit: sportistët, klubet sportive të të gjitha niveleve.
Reaguan përnjëherë edhe yjet e estradës muzikore, artistë, këngëtarë me famë në shkallë kombi si dhe yjet shqiptare me famë botërore.
Të gjitha mediumet, në shkallë kombi – gazetat ditore, studiot televizive, radiostacionet, mediumet elektronike, portalet – pandërprerë e njoftuan publikun me të gjitha ndodhitë që ndërlidheshin me dramën tragjike.
Për t’i dërguar ndihmat e grumbulluara në zonat e goditura, u vunë në veprim pronarët e mjeteve të transportit.
Nga të gjitha trojet etnike, u dërguan ndihma: mjete monetare, artikuj ushqimorë, barna apo medikamente, produkte higjienike, veshmbathje, shtretër, ndërresa shtretërish, batanije, rekuizita gjumi etj.
Shumë hotele, në shkallë kombi, në hapësirat hoteliere të tyre i strehuan qytetarët të mbetur nën qiell të hapur.
Shumë qytetarë të trojeve etnike i çelën dyert e shtëpive dhe i strehuan të mbeturit pa kulm mbi kokë.
Si gjithmonë, edhe këtë herë u solidarizua edhe bota e biznesit në Shqipëri, në Kosovë në Maqedoni dhe në diasporë – Shefqet Kastrati, Lazim Destani, Bexhet Pacolli etj. Ky varg është i gjatë. Mirënjohje e madhe dhe respekt i thellë për të gjithë të tjerët që nuk arrijmë t’i përmendim.
Në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe kudo ku ka shqiptar në rruzullin tokësor, gjatë ditëve të zisë, ora e historisë u ndal. Me shpirtin dhe mendjen kah Shqipëria, u ndalën të gjitha ceremonitë, përfshi edhe dasmat martesore.
Si gjithmonë, edhe këtë herë, Kosova tregoi se është zemra e shqiptarisë.
Ushtria heroike e Kosovës, orët e para të dridhjeve apokaliptike, u vu në vijën e parë të frontit të përballimit me gjëmën.
Edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 kundër pushtuesve serbë, shqiptarët vepruan si një komb i bashkuar. Në Shqipëri, nga jugu në veri, u strehuan 600.000 shqiptarë të Kosovës, ndërsa në Maqedoni, 360.000.
I tërë kombi shqiptar ndjen dhimbje të thellë për 51 personat q humbën jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
I tërë kombi shqiptar i trimëron të lënduarit që ndodhen të shtrirë nëpër spitale që ta marrin veten sa më parë.
* * *
Që në çastin e goditjes së fuqishme, ndërhynë me ekipet profesionale të shpëtimit të gjitha shtetet e rajonit, shtetet e Bashkimit Evropian, shtete të Evropës Lindore si dhe shtete nga shumë vende të tjera të botës. Ata punuan me vetëmohim. Kombi shqiptar u është mirënjohës.
Autoritetet amerikane thanë: “… si gjithmonë gjatë historisë, edhe këtë herë, ShBA-ja është pranë Shqipërisë, pranë shqiptarëve…”
* * *
Në situata të këtilla ndodhin edhe lëshime, gabime dhe abuzime.
Në situata të këtilla, të gjitha punët mbase është më mirë që të gjitha veprimet të bashkërendohen nga një qendër. Kjo duhet të jetë qendër shtetërore.
Edhe pse roli i individit, i shoqatave joqeveritare apo i shoqatave bamirëse është i jashtëzakonshëm, megjithëkëtë në situata të këtilla duhet vepruar si shtet dhe jo si kryetar shteti, si kryeministër, si shef i opozitës apo si kryeministër që pritet ta marrë detyrën.
Në situata të këtilla, duhet të jetë më i organizuar:
– grumbullimi i ndihmave;
– seleksionimi dhe sistemimi i ndihmave;
– transporti dhe dërgimi i ndihmave;
– dorëzimi dhe shpërndarja e ndihmave.

Shtabet e krizës apo të emergjencës duhet t’i krijojë shteti apo pushteti vendor.
Çdo shqiptar ka dashur dhe dëshiron të solidarizohet. Kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme që meriton mirënjohje dhe respekt të thellë. Megjithëkëtë, mbase është më mirë që ndihmat të dërgohen në marrëveshje me autoritet e Tiranës. Autoritetet e Shqipërisë duhet ta dinë më mirë se çfarë ndihme duhet dërguar, në çfarë sasie, me çfarë dinamike dhe në çfarë intervali kohor.
Dërgimi i paorganizuar i ndihmave, i çfarëdo ndihme qoftë, mund ta ndërlikojë punën e autoriteteve të Tiranës. Ambasadori i Kinës pyeti: “Na tregoni se ç’është prioritare që t’jua dërgojmë menjëherë?”
Në situata të tilla nevojiten kryesisht: ndihma monetare, artikuj ushqimorë, barna apo medikamente, preparate higjienike, shtretër, ndërresa shtretërish, tenda, veshmbathje, mundësisht të reja.
Nuk duhet harruar se ndihma nga këto të sipërthënat kanë dërguar dhe dërgojnë – në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar – edhe shtetet e botës. Shtetet e botës dërgojnë edhe ekspertë të sizmologjisë, inxhinierë ndërtimi, arkitektë etj.
* * *
Konfliktet politike në botën shqiptare janë të një intensiteti të lartë, si në asnjë vend tjetër të rajonit.
Bota shqiptare duhet t’i kushtojë rëndësi parësore kodit etik. Shthurja morale e individit apo e grupit të caktuar, s’është në dobi të kombit.
* * *
Shqiptarët në të gjitha trojet etnike duhet t’i kushtojnë rëndësi planit urbanistik. Duhet t’u jepet fund ndërtimeve pa leje, ndërtimeve pa kritere arkitekturore dhe mbindërtimeve. Zonat e goditura nga tërmeti shkatërrimtar janë rajone sizmike. Rrjedhimisht, edhe ndërtimet në këto zona duhet të jenë sipas standardeve që u përgjigjen ndërtimeve në zonat sizmike.
S’ka qytet në botën shqiptare ku nuk ka ndërtime në kundërshti me planin urbanistik. S’ka qytet në hapësirat shqiptare ku nuk janë bërë abuzime gjatë ndërtimeve, ku nuk janë bërë ndërtime shtesë apo mbindërtime. Të gjitha këto farë ndërtimesh janë bërë në kundërshti me kriteret, normat dhe standardet arkitekturore. Një ndërtese, të ndërtuar një herë, nuk mund t’i ngulet as edhe një gozhdë e vetme, e jo më t’i shtohen asaj edhe katër-pesë kate të tjera.
Përgjegjësi për kaosin ndërtimor e mban pushteti vendor, pushteti qendror, biznesmenët, projektuesit, inxhinierët e ndërtimit, arkitektët. Në situata të tilla vihet në qarkullim ryshfeti, mita, korrupsioni. Pasojat e këtij kaosi dikush e paguan me jetë. E paguajnë me jetë familje të tëra. Pasojat i vuan, për një kohë të gjatë, i tërë një komb.
* * *
Për t’i kapërcyer pasojat e tërmetit shkatërrues dhe vdekjeprurës dhe për ta rikthyer jetën normale në zonat e goditura, duhet shpresuar se bashkësia ndërkombëtare do të solidarizohet në mënyrë konkrete me ndihma financiare të duhura. Kombi shqiptar do t’i jetë mirënjohëse botës.
Çdo shqiptar, në Ballkan dhe në diasporë, duhet të vazhdojë të ndihmojë me mjete monetare. Për të ndihmuar, duhet të heqësh dorë nga një shpenzim i caktuar që nuk është aq i domosdoshëm. Pa e privuar veten nga një dëshirë e caktuar, nuk mund të ndihmosh.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura