Shkup, 21 shtator 2020: Zhan-Batist Pokëlen (Jean-Baptiste Poquelin, Paris, 15 janar 1622 – Paris, 17 shkurt 1673) është komediograf francez, aktor dhe drejtues teatri. Është një nga komediografët më të mëdhenj të Francës dhe të letërsisë botërore. Shkroi komedi, farsa, tragjikomedi dhe komedi-balet. I takon epikës së klasicizmit. Pseudonimin Molier vetë ia vuri vetes. Lindi në një familje tapiceri të kamur të mbretit. Kreu drejtësinë. Hoqi dorë nga karriera e juristit dhe u bë aktor. Në Paris e themeloi shoqërinë teatrore “Teatri i lavdishëm” (L’Illustre Théâtre) për të cilin i përshtaste komeditë italiane. Me këtë teatër dymbëdhjetë vjet i përshkoi provincat e Francës. Në fillim shkruan farsa. Komeditë e para i ka në vargje. Ka shkruar një mori pjesësh në prozë dhe në vargje. Është përfaqësues i klasicizmit. E qesëndisi shoqërinë e atëhershme, paragjykimet e shtresave, çoroditjen e shtresës fisnike dhe makutërinë e borgjezisë. S’i iku dot as dënimit të dyfytyrësisë së klerit katolik. Molieri, komedinë italiane të intrigës e zhvilloi në komedi shoqërore dhe në komedi të zakoneve me prapavijë tragjikomike në të cilat madhësia e komikes arrin përmasat e tragjikes.
Në vitin 1660 e mori teatrin mbretëror në Paris. Në të, bie në sy ndikimi i komedisë erudite (commedia erudita), i komedisë së artit (commedia dell’arte) si dhe ndikimi i komediografëve antikë romakë, si për shembull i Plauti (Titus Maccius Plautus, 254/251 – 184 para K.).
Në vitin 1643 Molieri i ri filloi ta mbajë pseudonimin e tij dhe përfundimisht ia ktheu shpinën karrierës së butlerit dhe dekoruesit të oborrit. Pas fëmijërisë dhe rinisë, të kaluar në Paris Molieri qëndroi një kohë të gjatë në Francën jugore dhe perëndimore. Aty u zhvillua gjeniu i tij komik. Në vitin 1658 u kthye në Paris. Një viti më vonë korri sukses të madh me komedinë “Preciozet qesharake”. Ky sukses shënon edhe fillimin e famës së tij. Është e para pjesë e rëndësishme e tij. Deri atëherë kishte shkruar vetëm disa farsa pa ndonjë vlerë të madhe. Pas këtij triumfi filloi në të vërtetë periudha krijuese e Molierit. Me trupën teatrore u vu nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të oborrit dhe realisht u bë komediograf mbretëror.
Molieri ishte shkrimtar, regjisor dhe aktor. Ky mjeshtër i madh i të qeshurit, mbase më i madhi në tërë letërsinë botërore, vdiste duke tallur sëmundjen, mjekët, marrëzitë njerëzore madje edhe vdekjen. Më 17 shkurt 1673, para se perdja para tij të lëshohej për së fundi herë, atij ende i kishte mbetur forca e gjeniut të tij të jashtëzakonshëm që edhe me pamjen e zbehtë dhe me ngërçet e fytyrës, në grahmat e fundit, të çonte të qeshësh pa u përmbajtur.
* * *
Lindi në Paris më 15 janar 1622. Ishte bir i Zhan Pokëlenit (Jean Poqueilin, 1595-1669) dhe i Mari Krese (Marie Cressé, 1601-1632). Nëna i vdiq kur ai ishte dhjetë vjeç. Pas vdekjes të së ëmës jetoi me të atin mbi “Pavillon des singes”, në rrugën “Saint-Honoré” në pjesën e pasur të Parisit. Babi i tij ishte dekorues i oborrit dhe e kishte titullin e batlerit mbretëror. Molieri adhuronte letërsinë dhe shkrimin. Është e mundur që arsimimin ta ketë filluar në shkollat fillore të Parisit. Studioi drejtësinë në kolegjin prestigjioz jezuit Collège de Clermont, aktualisht “Liceu Luigji i Madh” (Lycée Louis-le-Grand). Këtë shkollë e frekuentonin djemtë e aristokratëve. Ndoqi edhe mësimet e filozofit, priftit katolik, astronomit dhe matematikanit francez Pjerë Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) i cili ishte udhëheqës i një grupi intelektualësh të Parisit, me mendim të lirë.
Në vitin 1631 Zhan Pokëleni bleu prej mbretit Luigji XIII pozitën “shërbyes i rëndomtë i mbretit dhe tapicier” (valet de chambre ordinaire et tapissier du Roi). Më 1641 të njëjtën pozitë e mori edhe i biri. Titulli kërkonte vetëm tre muaj punë dhe një shpenzim fillestar prej 1200 livrash. Të hyrat vjetore nga kjo punë arrinin një shumë prej 300 mijë livrash. Duke punuar në këtë mjedis ai mund të lidhte një numër të konsiderueshëm kontratash fitimprurëse.
Aty kah viti 1642 Zhan Pokëleni mësoi për avokat province, mbase në Orlean. Por nuk ka shënime ta ketë kryer shkollimin. Deri atëherë, Molieri e ndiqte planin e babait. Në Collège de Clermont shoqërohej me fisnikërinë dhe dukej sikur karriera e tij ishte paracaktuar në zyrë.
* * *
Tani do të fillojë veprimtaria e tij në teatër. Në vitin 1643, në moshën 21-vjeçare, Molieri lë shtresën sociale të vet dhe përcaktohet për karrierë në skenë. Me t’u larguar nga i ati, lidhet me aktoren e shquar Madlenë Bezhar (Madeleine Béjart, 1618-1672), me të cilën më 1643 themeloi Illustre Théâtre (Teatri i Lavdishëm). Më vonë këtij teatri iu bashkëngjitën edhe vëllai dhe motra e Madlenës. Në vitin 1645 grupi i ri teatror bankrotoi. Për shkak të aftësive për aktrim dhe njohurive juridike, Molieri u bë udhëheqës i grupit. Për marrjen me qira të teatrit, grupi u zhyt në borxhe. Teatri ndodhej në fushën e sportit jeu de paume, një sport i ngjashëm me tenisin. Pronarit të teatrit i kishin një borxh prej 2000 livrash. Për shkak të borxhit Molieri u arrestua. Nuk dihet saktë se kush i lau borxhet: babai i tij apo dashnori i njërës prej aktoreve të grupit. Sidoqoftë, pas njëzet e katër orëve arresti me burg, u lirua dhe iu kthye grupit të aktorëve. Tani filloi ta përdorë pseudonimin “Molier”. Supozohet se ka qenë i frymëzuar nga një fshat i vogël me të njëjtin emër në Midë – emërtim kolokvial për Francën jugore, afër vendbanimit Le Vigan. Është e mundur ta ketë ndërruar emrin për ta mbrojtur babanë nga turpi se ka në familje aktor.
Nën sundimin e mbretit të Francës Luigjit XIV (Louis XIV, 1638-1671) shteti më nuk i nënçmonte aktorët si dikur. Megjithëkëtë, vazhdoi të ndalonte varrosjen e tyre ditën.
Shënim: Luigji XIV sundoi në vitet 1643-1715. E quanin Luigji i Madh (Louis le Grand) ose Mbreti i Diellit (Le Roi Soleil).
* * *
Pas arrestimit, ai dhe Madlena, me grupin e ri teatror e filluan turneun nëpër provincën e Francës. Atje luante role dhe filloi të shkruajë farsa e komedi intrigash sipas mënyrës italiane. Kjo zgjati 12-13 vjet. Në fillim të këtyre viteve u angazhua në trupën e Sharl Dyfrenit (Charles Dufresne, 1611-1684). Më vonë e themeloi trupën e vet. Duke korrur sukses me trupën, Molieri siguroi sponsorimin e dukës së Orleanit, Filipit I (Philippe I, d’Orléans, 1640-1701, vëlla i Luigjit XIV). Nga ajo kohë janë ruajtur disa shfaqje. Më të rëndësishme janë “Çamarroku ose çdo gjë në kohën e vet” (L’Étourdi, ou le Contretemps) dhe “Doktori i dashuruar” (Le Docteur amoureux). Në to Molieri u largua nga ndikimi i madh i improvizimit italian të commedia dell’arte* dhe tregoi prirjen e vet për qesëndisje.
Shënim: Në epokën e renesancës shumë komedi u shkruan sipas modeleve klasike të cilat respektoheshin me përpikëri. Kjo formë e komedisë diturake dhe tradicionale e quajtur comedia erudita, nuk i përgjigjej më shoqërisë së ndryshuar dhe njerëzve me pikëpamje krejt të tjera. Si kundërshti e komedisë së tillë dhe bazuar në teatrin popullor të zhvilluar, zhvillohet në Itali commedia dell’arte e cila shtrihet në shekujt XVI-XVIII. Ky lloj komedie ndikoi edhe te Molieri, Shekspiri etj.
* * *
Gjatë udhëtimeve të veta Molieri u takua me Armandin, princin Konti (Armand de Bourbon, prince de Conti, 1629-1666), guvernator i Langdokut, i cili u bë protektor (sponsor) i tij. Tani grupit ia vuri emrin e vet. Miqësia midis tyre u ndërpre kur Konti, i infektuar nga sifilisi, u përpoq të mjekohet në mënyrën religjioze. Këshilltarët fetarë i thoshin që ta ndërpresë mbështetjen financiare të grupit teatror të Molierit dhe t’u bashkëngjitet rivalëve të tij, grupeve Parti des Dévots dhe Compagnie de Saint Sacrement.
Në Lion iu bashkua grupit aktorja dhe balerina Zonjusha Du Park (Mademoiselle Du Parc apo Marquise-Thérèse de Gorla, 1633-1668), e njohur si Markezë. Asaj i vardisej, por pa sukses, dramaturgu francez, përfaqësues i tragjedisë klasiciste Pjerë Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684). Më vonë ajo u bë dashnore e dramaturgut francez Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699) i cili në tragjeditë e veta i shtjellonte sidomos personazhet femra.
Zhan Rasini ia ofroi Molierit tragjedinë e vet Théagène et Chariclée që është një prej veprave të tij të para pas lënies së studimit të teologjisë. Por Molieri nuk deshi ta shfaqë, edhe pse e mbështeste Rasinin për ta vazhduar karrierën artistike. Me të mësuar Molieri se Rasini tragjedinë ia kishte ofruar edhe grupit teatror Hôtel de Bourgogne, ishte zemëruar.
Në vitin 1658, pasi bëri emër, Molieri u kthye në Paris. Për ta promovuar veten në radhët e aristokracisë dhe për ta ngritur autoritetin e vet në kryeqytet, disa javë qëndroi jashtë qytetit. Pjesët teatrore i shfaqte në Luvrë me qira. Para mbretit e shfaqi tragjedinë “Nikomedi” (Nicomède) dhe farsën* “Doktori i dashuruar” (Le Docteur amoureux) të Pjerë Korneit. Iu dha titulli “Trupa e Zotëriut” (Troupe de Monsieur). “Monsieur” ishte titull nderi i vëllait të mbretit, Filipit I, Dukë i Orleanit. Me ndihmën e Monsieur-it grupit të tij iu lejua që në sallën e madhe të Petit-Burbon ta ndajë teatrin me grupin e njohur italian Commedia dell’arte, Tiberio Fioreli, të quajtur Scaramouche, personazh i klounit në shfaqjet italiane commedia dell’arte. Grupet i shfaqnin pjesët në net të ndryshme.
Ndonëse i parapëlqente tragjeditë të cilat përpiqej t’i përkryente me Illustre Théâtre, Molieri u bë i njohur me farsat e tij të cilat rëndom janë shkruar në një akt dhe janë shfaqur pas tragjedisë. Disa nga këto farsa janë shkruar vetëm pjesërisht dhe janë shfaqur në stilin e commedia dell’arte të improvizuar, me konturë të shkurtër të thurjes (ital. canovaccio). Molieri ka shkruar edhe dy komedi në vargje. Duke mos qenë aq të suksesshme, ato nuk konsiderohen aq të rëndësishme. Më vonë iu përkushtua komedive muzikore në të cilat dramën e ndërpret poezia ose vallëzimi.
Suksesin e parë të madh e arriti me komedinë “Preciozet qesharake ose Spitullaqet” (Les Précieuses ridicules, 1659). Premiera u shfaq në Petit-Burbon më 18 nëntor 1659. Në të për herë të parë i përdori mjetet e farsës për satirën e zakoneve të caktuara dhe të moralit të kohës së vet. Përqesh shprehitë shoqërore të caktuara dhe raportet e atëhershme në Francë.
Studiuesit thonë se veprimi i kësaj komedie bazohet në veprën “Rrethi i grave” (Le Cercle des femmes, 1656) të shkrimtarit francez Samyel Shapyzo (Samuel Chappuzeau, 1625-1701). Pikësëpari Molieri përqesh Akademinë Franceze, grupin që e kishte krijuar me dekretin mbretëror kardinali Rishelie (Armand Jean du Plessis de Richelieu, 1585-1642, burrë shteti francez), për t’i përcaktuar rregullat e teatrit të dobët francez. Akademia rekomandonte njësinë e kohës, të veprimit dhe të stilit të vargut. Molieri shpesh ndërlidhet me shprehjen “castigat ridendo mores” (kritiko nëpërmjet humorit) që e kishte krijuar bashkëkohësi i tij Zhan dë Santel. Kjo shprehje gabimisht është konsideruar si fjalë e urtë apo proverb klasik latin.
Shënim: Farsë – shaka, hokë; është pjesë skenike në vargje, më vonë edhe në prozë në të cilën trajtohet një temë e rëndomtë lidhur me të metat dhe me sjelljet e pazakonshme të njerëzve. Është një komikë e lirë, herë-herë edhe vulgare. U paraqit në mesjetë në Francë. Ishte i popullarizuar sidomos pjesa e vëllimshme me rreth 1600 vargje e autorit të panjohur “Farsë për avokatin Pathelin” (rreth vitit 1465). Në kuptimin figurativ, farsë do të thotë fjalë ose veprim me karakter tallës të vrazhdët dhe të pahijshëm.
Skeç: (angl. sketsc) – dramë e shkurtër, kryesisht me një akt, pjesa më e madhe të cilës bazohet në efektet skenike të jashtme; pjesë teatrale, shfaqje teatrale; vepër letrare e shkurtër në prozë; tregim i shkurtër; pjesë muzikore e shkurtër.
* * *
Në vitin 1662, në moshën 40-vjeçare Molieri u martua me Armandë Bezhar, e mbiquajtur Zonjusha Molier (Armande Béjart, dite Mademoiselle Molière, emri i plotë Armande-Grésinde-Claire-Élisabeth Béjart, 1640 ose 1645 – 30.11.1700). Ajo ishte aktore komedie në periudhën Grand siècle*. U martua me Molierin në moshën 17-vjeçare. Njëmbëdhjetë vjet ka qenë bashkëshorte e tij. Kishin dy djem dhe një vajzë: Louis Pocquelin (19.01.1664 – 11.11.1664), vajza Marie-Madeleine Esprit Pocquelin (4.08.1665 – 23.05.1723) dhe Pierre Jean-Baptiste Armand Pocquelin de Molière (15.09.1672 – 1. 08.1672).
Kumbar i djalit të tyre të parë që u lindi në vitin 1664 e që vdiq pa bërë motmot, ishte mbreti Luigji XIV. Nuk dihet saktë se kur dhe ku lindi ajo. S’dihet në ishte bijë apo motër e Madëlenë Bezhar-it (Madeleine Béjart). Sipas disa të dhënave, nënë e Armandë Bezhar-it është Madëlenë Bezhar-i. Armandë Bezhar-i vdiq në Paris më 3 nëntor 1700 në Rrugën « Turen » (rue de Touraine).
Shënim: Grand Siècle (Shekulli i Madh) u quajt epoka e Luigjit XIV. Është periudhë e shkëlqimit më të madh të Francës, kur u bë fuqia sunduese e Evropës në vend të Spanjës dhe doli në krye në fushën e kulturës. Me kardinalin Rishelie si kryeministër në vitet 1624-1642, autoriteti i monarkisë u afirmua dhe u arrit një shkallë e lartë e unitetit të brendshëm. U krijua e para ushtri moderne e rregullt në Evropë. Shkëlqimi dhe madhështia e oborrit të Versajës mbështetej në taksat e rënda mbi shtresat e varfra. Pas vdekjes së mbretit, në shekullin XVIII pasoi një atmosferë e trazuar.
Më vonë, Armandë Brzhar martohet me Isak-Fransua Gerin-in, zotëri i Estrishesë (Isaac-François Guérin, sieur d’Estriché). Përpos tre fëmjëve që i kishte me Molierin, ajo kishte dy fëmijë edhe me burrin e dytë: Marie Poquelin dhe Nicolas-Armand-Martial Guérin.
Molieri shkroi për Armandën një numër të madh rolesh, përfshi edhe atë të Selimenës (Célimène) te «Mizantropi» (Le Misanthrope). Talenti i saj, aq tragjik sa edhe komik, njihej nga shumë bashkëkohës të saj. Për personalitetin kundërthënës dhe për jetën e vet ajo flet në një biografi të romanizuar, «Aktorja e famshme e komedisë» (La Fameuse Comédienne), tejet helmues për vendin e saj, e shkruar me elegancë dhe e ribotuar shumë herë, e që paraqet rëndësi për shekujt në vijim,
Molieri lëngonte nga tuberkulozi në mushkëri. Supozohet se është infektuar në burg që i ri. Një prej çasteve më të njohura të jetës së tij ka qenë ai i fundit, i shndërruar në legjendë. Gjatë realizimit të shfaqjes së tij të fundit ka pësuar kolaps për shkak të sulmit të kollitjes. Me këtë rast ka nxjerrë gjak nga goja (hemoptizia). Kjo komedi-balet përmbante pika të pasura vallëzimi të përcjella me muzikën e kompozitorit francez të epokës së barokut Mark-Antoan Sharpentie (Marc-Antoine Charpentier, 1643-1704) e cila për ironi, quhej “I sëmuri imagjinar” (Le Malade imaginaire). Molieri ka ngulur këmbë ta përfundojë rolin e vet. Por në vazhdim përsëri pëson gjakderdhje dhe sërish përjeton kolaps. E dërgojnë në shtëpi. Pas disa orëve, natën e 17 shkurtit 1673, pa iu dhënë bekimi, vdes. Dy klerikë e refuzuan ftesën për t’i shkuar, ndërsa i treti nuk mbërriti në kohë. Komediografi heretik, Molieri, për komedinë “Shkolla për gra” (L’École des femmes) ishte akuzuar për blasfemi i cili shanë dhe fyen hyjninë.
Supersticioziteti apo besëtytnia se ngjyra e gjelbër u sjell artistëve fatkeqësi buron prej shfaqjes së tij të fundit gjatë së cilës Molieri mbante rroba të gjelbra.
Sipas ligjeve franceze të asaj kohe artistëve nuk u lejohej të varroseshin në tokën e shenjtë të varrezave. Megjithëkëtë, e veja e Molierit, Armanda iu lut mbretit që burrit të saj t’i mundësohej varrim i rëndomtë. Mbreti u pajtua dhe Molierit u varros, por natën dhe pa shërbimin solemn, në varrezat “Shën Jozef“ (Saint-Joseph), në pjesën e destinuar për foshnjat e papagëzuara.
Në vitin 1792 mbetjet mortore të tij u mbartën në muze, ndërsa në vitin 1817 u varros në varrezat Père Lachaise të Parisit, pranë varrit të tregimtarit dhe poetit francez, të mbrojtur prej personaliteteve aristokrate të larta, Zhan dë La Fonten (Jean de La Fontaine, 1621-1695).
* * *
Padroni i komedisë franceze ka shkruar: farsa dhe komedi, komedi satirike, komedi mitologjike, komedi-balet, komedi teatri, komedi zakonesh.
Në komedinë “Shkolla për burra” (L’École des maris, 1661), me mjete të komedisë së intrigës ballafaqon Sganarelin, si përfaqësues të moralit të vjetër shtrëngues, me Izabelën, e cila rreptësisë i përgjigjet duke i vënë “brirë” Sganarelit. Me këtë Molieri filloi rrënimin e gjendjes komike stereotipe, me thirrjen e vet të ngjyrosur me hedonizmëm libertin, për ta respektuar dhe për ta pranuar natyrën me mençuri. Shpejt pas kësaj, ithtarët e tij filluan të flasin për natyrshmërinë e pakapërcyeshme të tij e cila nuk buron aq nga karikimi i realitetit – si në farsë apo në commedia dell’arte – sa nga të qenët karikaturalë të personazheve të marra nga realiteti. Komikes së tij nuk i nevojiten maska as teprime. Talljet më spirituale njëherazi janë edhe më të natyrshme, janë rezultat i vëzhgimit subtil (të mprehtë) të karakterit njerëzor në të gjitha nuancat e tij. Për këtë arsye, personazhet maniake të Molierit, edhe kur mbajnë emër të njëjtë (emri Sganarel shfaqet në shtatë komedi), nuk krahasohen me tipat e komedisë dell’arte, por, ndonëse të ngjashme, janë karaktere me renditje të ndryshme të fiksimeve. Këta tipa gjithmonë i luante Molieri vetë, sikundër i luante edhe variantet e tyre (Arnolfi, Orgoni, Harpagoni, Zhurdeni, Argani). Shpesh edhe i mbronte, përpos kur ishte fjala për fanatizmin apo dyfytyrësinë. Ky lloj natyrshmërie dhe kthjelltësie përputhej me kulturën galante të atëhershme të oborrit, të oborreve aristokrate dhe të salloneve të Parisit.
Për këtë qëllim dhe në bashkëpunim me kompozitorët e atëhershëm, Molieri krijoi një lloj të ri, komedinë-balet. E para prej 12 komedive-balet, “Ngatërrestarët” (Les Fâcheux, 1661) u shfaq në kështjellën Vo (Vaux). Midis komedive-balet të porositura nga Luigji XIV, më e njohur është “Borgjezi fisnik” (Le Bourgeois gentilhomme, 1662).
Krahas këtyre veprave, Molieri nis të shkruajë komedi të mëdha karakteresh. E para është “Shkolla për gra” (L’École des femmes, 1662). Në të Anjesa e re, e shtyrë nga dashuria e vërtetë, përjeton një metamorfozë të çuditshme në prani të Arnolfit të rreptë dhe religjioz. Me këtë komedi fillon beteja e rëndë e Molierit me qarqet fetare.
Në një atmosferë të tillë lind “Tartufi” (Tartuffe, 1664). Është një komedi në të cilën, krahas karaktereve tanimë të njohura, shfaqet fetari i rrejshëm i cili për përfitim personal e nxit zotin e shtëpisë, pra mikpritësin e vet Orgonin, për fanatizëm fetar. Pas premierës në Versajë (Versailles) qarqet bigote (fetarë fanatikë) ia dolën të imponojnë ndalimin e saj. Pas një sërë korrigjimesh, lutjesh dhe bishtnimit pesëvjeçar të mbretit, vetëm më 1669 Molierit iu dha leja për ta shfaqur komedinë e vet më të famshme.
Ndërkohë u shkruan dhe u shfaqën edhe dy komedi të mëdha: “Don Zhuani” (Dom Juan, 1665) dhe “Mizantropi” (Le Misanthrope, 1666). Edhe “Don Zhuani” shkaktoi skandal dhe shpejt u hoq nga repertori. Moralistëve të rreptë nuk u pëlqente që në vend të Don Zhuanit të shfrenuar dhe liberal, Molieri përqeshte Sganarelin fetar dhe të kufizuar. Don Zhuanin e çon në ferr vetëm pas mëkatit të dyfytyrësisë.
“Mizantropi” është komedi e lustruar salloni, është dramë e mizantropit mendjemprehtë Alcestit, i cili është i dashuruar te një koketë (lozonjare, nazemadhe) po aq mendjemprehte, por të sipërfaqshme. Kjo komedi shkaktonte të qeshurat fine që vinin nga shpirti. Këtë e kishin konstatuar qysh bashkëkohësit.
“Mjek kundër vullnetit” (Le Médecine malgré lui, 1666), “Amfitrioni” (Amphitryon, 1668), “Zhorzh Danden” (George Dandin, 1668), “Koprraci” (L’Avare, 1668), “Dredhitë e Skapenit” (Les Fourberies de Scapin, 1671), “Gratë e ditura” (Les Femmes savantes, 1672) janë komeditë më të njohura që i shkroi Molieri në vitet e fundit të jetës, duke kombinuar edhe më tej shumë lloje të komikes.
Komedia-balet – Në vitin 1661, Molieri solli stilin e komedisë-balet në kontekstin e veprës “Ngatërrestarët” (Les Fâcheux). Këto balete ishin formë kalimtare e performansave të vallëzimit midis baleteve të oborrit të Luigjit XIV dhe artit të teatrove profesionalë që u zhvillua gjatë fazës zhvillimore të përdorimit të teatrit pro-skenik. Komeditë-balet u zhvilluan rastësisht kur Molieri ishte i angazhuar për të realizuar shfaqjen teatrore dhe baletin për nder të Luigjit XIV, ndonëse nuk kishte trupë madhësie të duhur. Për ta plotësuar kërkesën, Molieri vendosi që baletin ta kombinojë me shfaqjen teatrore, derisa aktorët pushonin pak dhe i hiqnin kostumet. Ky veprim plot rrezik doli i suksesshëm dhe Molierin deri në fund të jetës e angazhuan të krijojë edhe dymbëdhjetë komedi-balete të tjera. Gjatë krijimit të komedive-balet Molieri bashkëpunoi me koreografin francez Pjerë Boshan (Pièrre Beauchamp, 1631-1705). Boshani kodifikoi pesë pozicione baleti të shputave dhe të duarve dhe pjesërisht ishte përgjegjës për krijimin e notacionit (sistemit të notave) të vallëzimit Boshan-Fej.
Molieri bashkëpunonte edhe me vallëzuesin, koreografin dhe kompozitorin francez Zhan-Batist Lili (Jean-Baptiste Lully, 1632-1687; i lindur me emrin italian Giovnni Battista Lulli) i cili pesëmbëdhjetë vjet mbizotëroi në operën e Parisit. Në vitin 1661 themeloi me Lilin (Lully) komedinë-balet. Nën komandën e Lilit (Lully) baleti dhe opera ia dolën të bëhen arte profesionale. Komeditë-balet, vallëzimin e lidhën ngushtësisht me muzikën. Aksioni i tyre i shfaqjes teatrore dhe stili i vazhdimësisë qartas i ndante nga shfaqjet e baleteve të oborrit, të asaj kohe. Përveç kësaj, në baletet e komedive, nga vallëzuesit dhe nga aktorët pritej që gjatë paraqitjes në shfaqjen teatrore, të kenë role të rëndësishme. Po kështu, në komeditë-balet janë shoqëruar edhe vallëzuesit dhe oborrtarët e stërvitur në mënyrë profesionale.
Madje në komedinë “Martesë me detyrim” (Le Mariage forcé, 1664) të Molierit, Luigji XIV e ka luajtur rolin e egjiptianit. Edhe në shfaqjen e fundit të tij “Dashnorët e mrekullueshëm” (Les Amants magnifiques, 1670) u paraqit si Neptuni dhe Apoloni.
Në teatrin e vet, Molieri ishte shkrimtar, regjisor, drejtor dhe aktor i pasionuar. Shumë komedi të fazës së tij të parë gjatë rrugëtimit nëpër provincën franceze, kanë humbur. Por 34 prej tyre janë ruajtur. Vdiq pas reprizës së tretë të komedisë së vet të fundit “I sëmuri imagjinar” (Le Malade imaginaire, 1673) në të cilën e luante rolin kryesor.
U bë një prej miteve më të mëdhenj të teatrit francez dhe atij botëror. Brenda opusit tejet të pasur dhe të llojllojshëm, krijoi komedinë e madhe klasiciste të karaktereve. Regjistrat e qeshjes në shfaqjet e komedive të tij janë tejet të pasur: nga qeshja popullore buçitëse deri te ajo fine e brendshme.
Në mënyrë racionale kujdesej për rregullat në fuqi të klasicizmit. Njihte Plautin dhe Terencin, Aristotelin dhe Horacin.
Shënim: Tit Makcie Plauti (Titus Maccius Plautus, midis 254 dhe 251 deri në 184 para K.) komediograf romak; Publie Afer Terenc (Publius Terentius Afer, Kartagjenë, rreth 195 deri 159) komediograf romak; Aristoteli (384-322 para K.) filozof antik grek dhe teoricien letrar, nga Stagira e Maqedonisë antike, nxënës i Akademisë së Platonit; Kuint Flak Horaci (Quintus Horatius Flaccus, 65 – 8 para K.) poet romak.
* * *
Edhe pse mendimtarët konvencionalë, liderët religjiozë dhe ekspertët mjekësorë të kohës së Molierit e kanë kritikuar punën e tij, idetë e tyre nuk kanë mundur ta zbehin suksesin e tij, gjerësisht të shtrirë në publik. Dramaturgët e tjerë dhe kompanitë në Angli dhe në Francë filluan ta emulgojnë stilin e tij dramatik. Punimet e Molierit vazhduan të bëjnë jehonë pozitive në Anglinë e shekullit XVIII, ndonëse në atë kohë nuk janë pritur mirë në Francë. Por, gjatë restaurimit francez në shekullin XIX, komeditë e Molierit u popullarizuan edhe para publikut dhe kritikës franceze.
Për individualizmin jokonvencional që kanë portretizuar, romantikët kanë qenë të mahnitur me dramat e tij. Interesim për Molierin dhe për shfaqjet teatrore të tij vazhduan të tregojnë edhe dijetarët e shekullit XX. Ata studiuan spektrin e gjerë të çështjeve që ndërlidhen me të. Shumë kritikë tani e lëvizin fokusin e vëmendjes së tyre, nga implikimet filozofike, fetare dhe morale të komedive të tij në hulumtimin më objektiv të qasjes së tij ndaj komedisë.
Në vitin 1714, punimet e Molierit i përktheu në anglisht në prozë, Xhon Ozel, ndërsa Kurtis Hiden Pejxh ishte i pari që përgatiti përkthimin e plotë në anglisht të vargjeve të Molierit. Në vitin 1908 u përkthye në anglisht “Tartufi” (Tartuffe). Që atëherë, përkthime të çmuara kanë bërë poeti dhe përkthyesi letrar amerikan Riçërd Vilbur (Richard Wilbur, 1921-2017), Donëld M. Frejm e të tjerë.
Në kujtimet e veta me titull “A Terrible Liar”, artisti kanadez Hjum Kronin (Hume Blake Cronyn, 1911-2003) shkruan se në vitin 1962, artisti dhe regjisori anglez Lorens Olivie (Laurence Kerr Olivier, 1907-1989), në një bisedë me të, e kishte kritikuar Molierin. Kronini i ka thënë Oliviesë se ka ndërmend ta luajë rolin kryesor në “The Miser”. Ky ia kthen: “Molieri? Qesharake sikur varri i hapur i një bebeje”. Lidhur me incidentin Kronin thotë: “Mund ta merrni me mend sesi u ndjeva. Për fat të mirë, doli se ai nuk kishte të drejtë”.
Molieri u kushtonte kujdes të gjitha shijeve të kohës së vet: që nga përdhesja popullore, nëpër sallonin e Parisit deri te oborri mbretëror.
Në komeditë e veta futi elemente të farsës popullore mesjetare, të komikes së shkrimtarit francez, një ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të renesancës, Fransua Rable (François Rabelais, 1494-1553), të commedia dell’arte italiane, por edhe analizën e thelluar psikologjike dhe të karakterit, karakteristike kjo për moralistët e mëdhenj klasicistë të kohës së tij.
Veprat e Molierit, që në shekullin XVII janë lexuar dhe janë luajtur kudo në Evropë. Është i pranishëm edhe sot në të gjitha skenat teatrore të botës.
* * *
Komedia “Tartufi” denoncon hipokrizinë religjioze. Bëhet fjalë për “klerikun” Tartuf, i cili kishte fituar besim të madh nga Orgonit. Në të vërtetë, ai s’ishte veçse një gënjeshtar. Vepra fillon kësisoj: Zonja Pernelë shkon për vizitë tek i biri. I kritikon të gjithë anëtarët e shtëpisë ngase nuk ia dinin vlerat Tartufit, i cili për të ishte njeri i shenjtë dhe i zellshëm. Të tjerët nuk pajtoheshin me të. Për ta ai ishte një gënjeshtar dhe dyfytyrësh. Ajo nuk pajtohet me mendimin e tyre. Largohet duke u thënë t’i ndjekin rregullat e Tartufit. Pas largimit të zonjës Pernelë, Kleanti dhe Dorina vijnë në përfundim se Tartufi e kishte mashtruar Orgonin.
Djali i Orgonit, Damisi dëshiron të dijë nëse i ati vazhdon ta lejojë martesën e Marianës me Valerin, ngase edhe ai donte të martohej me motrën e tij. I kërkon Kleantit që ta pyesë Orgonin lidhur me premtimin që kishte dhënë për martesën. Kur kthehet Orgoni në shtëpi, Kleanti nuk i bën dot asnjë pyetje për arsye se e kishte pyetur shumë herë për Tartufin, i cili ia kishte trullosur mendjen. Ai fare nuk interesohej për gruan e vet e cila atë ditë nuk ndjehej mirë dhe ende rrinte shtrirë. Në një rast të volitshëm Kleanti e pyet Orgonin lidhur me martesën, por ai s’i jep dot përgjigje dhe e ndërron temën. Ai sjell ndërmend diçka. Në ç’mënyrë do ta kishte Tartufin më pranë vetes? Ta martonte me Marianën. Lidhur me këtë synim e njofton Marianën. Ajo, ndonëse dashuron Valerin, nga respekti ndaj të atit, nuk e kundërshton atë.
Pasi shkon Orgoni, Dorina e qorton Marianën për moskundërshtimin e të atit. Vjen Valeri dhe fillon të grindet me Marianën për miratimin e martesës. Sapo i dëgjon, Dorina afrohet dhe u thotë se do të bëjë çmos për ta pamundësuar këtë martesë.
Elmira kishte një plan tjetër të fshehtë. Shkon te Tartufi për t’i thënë që të mos e pranojë martesën me Marianën. Tartufi ndërkaq fillon ta shprehë dashurinë që ndjente ndaj Elmirës. I propozon të jenë të dashuruar fshehurazi. Rastësisht i dëgjon Damisi dhe e qorton Tartufin.
Kur vjen Orgoni, ia tregojnë ngjarjen që kishte ndodhur. Ai në vend që t’i besojë Damisit dhe Elmirës, i beson Tartufit. Damisin e dëbon nga shtëpia, kurse tërë pasurinë e vet ia lë në dorë Tartufit. Për t’ia dëshmuar të vërtetën Orgonit, Elmira i thotë që të fshihet nën tavolinë dhe të dëgjonte. Ajo e thërret Tartufin dhe hiqet sikur ishte penduar për refuzimin e propozimit të tij. Tartufi ia falë dhe përsëri fillon me fjalët e dashurisë. Tanimë bie në grackë.
Më në fund Orgoni i sheh gabimet e veta dhe pendohet. Del nga tavolina dhe i thotë Tartufit të largohet nga shtëpia. Por Tartufi ia bën me dije Orgonit se me nënshkrimin që kishte bërë, pronar i vetëm i shtëpisë tani ishte vetë ai. Më vonë Orgonit i kujtohet dhe i flet Elmirës për disa dokumente që ia kishte lënë në dispozicion Tartufit, duke shtuar se ato do t’ia ulnin autoritetin në gjykatë. Kur vjen Tartufi me policët për ta arrestuar Orgonin, ndodh diçka tjetër.
Mbreti e kishte kuptuar tashmë hipokrizinë e Tartufit dhe policët që i kishte dërguar ishin për të dhe jo për Orgonin. Vjen edhe zonja Pernelë dhe bindet me të vërtetën. Kësisoj tërë pasuria sërish i kthehet Orgonit.
Personazhet: I zoti i shtëpisë, burri i Elmirës, nëna e Orgonit, vëllai i Elmirës, shërbëtorja e Marianës, djali i Orgonit dhe Elmirës, vajza e Orgonit dhe Elmirës, i dashuri i Marianës, bashkëshortja e Orgonit.
* * *
Veprat:
Veprat më të rëndësishme të Molierit janë Koprraci, Tartufi, Mizantropi, Don Zhuani. .
“Mjeku fluturues” (Le Médecin volant, 1645), farsë në një akt në prozë;
“Xhelozia e Barbujesë” (La Jalousie du Barbouillé, 1650), farsë në një akt në prozë;
“Çamarroku ose çdo gjë në kohën e vet” (L’Étourdi ou les Contretemps, 1655), komedi në pesë akte, në vargje;
“Inati i të dashuruarve” (Le Dépit amoureux, 16.12.1656), komedi në pesë akte, në vargje;
“Doktori i dashuruar” (Le Docteur amoureux, 24.10.1658), komedi në një akt, në prozë;
“Preciozet qesharake” (Les Précieuses ridicules, 18.11.1659), komedi në një akt, në prozë;
“Brinari imagjinar” (Sganarelle ou le Cocu imaginaire, 28.5.1660), komedi në një akt, në vargje;
“Don Garsia i Navarit” (Dom Garcie de Navarre ou le Prince jaloux, 4.2.1661), komedi heroike në pesë akte, në vargje;
“Shkolla për burra” (L’École des maris, 24.6.1661), komedi në tre akte, në vargje;
“Ngatërrestarët” (Les Fâcheux, 17.8.1661), komedi-balet në tre akte, në vargje;
“Shkolla për gra” (L’École des femmes, 26.12.1662), komedi në pesë akte, në vargje;
“Xhelozia e Reneut të Madh” (La Jalousie du Gros-René, 15.4.1663);
“Kritika e shkollës së femrave” (La Critique de l’école des femmes, 1.6.1663), komedi në një akt, në prozë;
“Improvizime Versaje” (L’Impromptu de Versailles, 14.10.1663), komedi në një akt, në prozë;
“Martesë me detyrim” (Le Mariage forcé, 29.1.1664), komedi në një akt, në prozë;
“Reneu i Madh, fëmijë i vogël” (Gros-René, petit enfant, 27.4.1664);
“Princeza e Elidës” (La Princesse d’Élide, 8.5.1664), komedi galante në pesë akte, në vargje dhe në prozë;
“Tartufi” (Tartuffe ou l’Imposteur, 12.5.1664), komedi në pesë akte, në vargje;
“Don Zhuani” (Dom Juan ou le Festin de pierre, 15.2.1665), komedi në pesë akte, në prozë;
“Dashuria e mjekut” (L’Amour de médecin, 15.9.1665), komedi në tre akte, në prozë;
“Mizantropi” (Le Misanthrope ou l’Atrabilaire amoureux, 4.6.1666), komedi në pesë akte, në vargje;
“Mjek kundër vullnetit” (Le Médecin malgré lui, 6.8.1666), komedi në tre akte, në prozë;
“Melisert” (Mélicerte, 2.12.1666), komedi heroike pastorale në dy akte, në vargje,
“Pastorale komike” (Pastorale comique, 5.1.1667);
“Siciliani” (Le Sicilien ou l’Amour peintre, 14.2.1667), komedi në një akt, në prozë;
“Amfitrioni” (Amphitryon, 13.1.1668), komedi në tre akte, në vargje;
“Zhorzh Dandeni” (George Dandin ou le Mari confondu, 18.7.1668), komedi në tre akte, në prozë;
“Koprraci” (L’Avare ou l’École du mensonge, 9.9.1668), komedi në pesë akte, në prozë;
“Zoti dë Pursenjak” (Monsieur de Pourceaugnac, 6.10.1669), komedi-balet në tre akte, në prozë;
“Dashnorë të çuditshëm” (Les Amants magnifiques, 4.2.1670), komedi në pesë akte, në prozë;
“Borgjezi fisnik” (Le Bourgeois gentilhomme, 14.10.1670), komedi-balet në pesë akte, në prozë;
“Psika” (Psyché, 17.1.1671), tragjedi-balet në pesë akte, në vargje;
“Intrigat e Skapenit” (Les Fourberies de Scapin, 24.5.1671), komedi në tre akte, në prozë;
“Kontesha e Eskarbanjasit” (La Comtesse d’Escarbagnas, 2.12.1671), komedi në një akt, në prozë;
“Femrat e ditura” (Les Femmes savantes, 11.3.1672), komedi në pesë akte, në vargje,
“I sëmuri imagjinar” (Le Malade imaginaire, 10.2.1673), përzierje komike e muzikës dhe e vallëzimit në tre akte, në prozë;
Postime të Lidhura
XHELAL ZEJNELI: SAMUEL BEKETI – NDËRTUES I SHKATËRRIMEVE!
Shkup, 30 shtator 2019: Samuel Beketi (Samuel Barclay Beckett, Foxrock afër Dublinit, 13.4.1906 – Paris, 22.12.1989) është romancier…
MUHARREM ABAZAJ: GJUHA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR (PRO DHE KUNDËR EQEREM ÇABEJ’it
Tiranë, 5 dhjetor 2017: Kohët e fundit studiuesi i mirënjohur M. Zeqo, ka botuar një shkrim i cili…
NË ZYRIH TË ZVICRËS U PROMOVUA LIBRI I ALEKSANDËR ÇIPËS “DHEAS TË FJALËS”
Në Zyrih të Zvicrës u promovua libri i Aleksandër Çipës “Dheas të fjalës” Shkruan: Vaxhid Sejdiu Libri “Dheas…
DR.ERMIRA YMERAJ: FJALA DHE FALJA NË KANUN
Shkodër, 2 tetor 2019: Për Seminarin XI Ndërkombëtar të Albanologjisë Universiteti i Tetovës,…