XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (12)

Pashtriku, 21 korrik 2020:
Ushtrimet ushtarake në Prishtinë dhe koordinimi mes fshatrave
Këshilli i Rrethit për Kastriot, kishte marrë qëndrimin që stërvitjet ushtarake t’i bëjë në Kosovë, ku dhe filluan përgatitjet për strategjinë luftarake dhe përdorimin e armës, ushtrimet kryheshin nën drejtimin e Shemsi Veselit. Kjo ka ndodhur mes vitit 1991-92.

Ushtrimet u mbajtën në Prishtinë. Këshilli në fjalë siguroi materialin përgatitor në armatim dhe përdorimin e tij, ky material u sigurua nga Këshilli Popullor i Bardhit të Madh (nga Isak Qolli). Mësimet i ndoqën: Xhemajl (F) Kelmendi, Ejup Thaçi, Isak Qolli, Sylejman Qyqalla, Idriz I.Bajqinca, Nexhmedin S.Gërguri, Zeqir I. Berisha, Fadil Mirena dhe Mustaf Krasniqi. Në Shipitullë filloi mësimi konkret, ku ishte i tërë materiali ushtarak i siguruar nga këshilli i Bardhit të Madh, ndërsa në Çyçavicë filloi ushtrimi i gjuajtjes me armë, nga Këshilli i Rrethit të Kastriotit dhe i Fushë-Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe është vazhduar me organizimin, ku u vendos që të lidhen tërë fshatrat me së paku me nga një anëtar. Në Grabovcin e Epërm, kanë shkuar Mustafë Krasniqi dhe Ejup Thaçi, janë takuar me Hysni Mjekun.Aty u pa se dhe ata kishin një interesim për të vepruar në këtë drejtim. Në Sibovc, Musa Kelmendi, u takua me udhëheqësin e fshatit, mirëpo edhe këtu u pengua nga udhëheqësit e LDK-së.
Burgosja e Xhavit Hazirit, shkaktoi një shkëputje, ndërprerjen e lidhjes (komunikimit) në mes K.RR për Kastriot me Qendrën (LPK). Kjo shkëputje u ndërpre deri kur Hashim Thaçi e vizitoi Ejup Thaçin në shtëpinë e tij në Stanovc. Kjo vizitë erdhi diku në pranverë të vitit 1995, duke u bazuar se H.Thaçi me Ejup Thaqin njiheshin nga studimet në Fakultetin Filozofik. Nga ky takim z.H.Thaçi kërkon nga Ejup Thaçi që, K.RR i Kastriotit përkatësisht anëtarët e këtij këshilli të kalojnë në një formë të organizimit ushtarak. Pastaj pasoi takimi i dytë i tyre në Prishtinë. Në këtë takim, i cili u mbajt në Arbëri (Prishtinë), Hashim Thaçi e njoftoi Ejupin me Sokol Bashotën si person përgjegjës i caktuar për koordinim të punëve dhe organizim në formimin e formacionit ushtarak.
Ky organizim përbëhej nga: Isak Qolli, Ejup Thaqi, Idriz. I. Bajqinca, Emin Mirena (LPK), Skënder Muharremi etj. Kah fundi i vitit 1997 me kërkesë të Sokol Bashotës kemi organizuar takimin në mes tij dhe Xhavit Hazirit. Ky takim u mbajt kokë me kokë në shtëpinë e Isak Qollit. Me kërkesë të SHP të UÇK-ës, në verë të 1998, në Malishevë, mbahet një takim me Xhavit Hazirin, të cilin e organizon dhe e shoqëron ky njësit.
Pas Mbledhjes së IV-të LPRK, e cila e mori emrin LPK pësoi prapë një goditje të madhe, ku shumë shokë të organizatës u arratisën, ndër ta dhe unë, Mustafë Krasniqi. Në këtë valë ndjekjesh u burgos Xhavit Haziri, Ramadan Pllana etj.

1) Fushata e arrestimeve të veprimtarëve të LPK-së
Që nga 2 gushti i vitit 1993 filloi një fushatë e egër e arrestimeve të veprimtarëve më të devotshëm të LPK-së si: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Ramadan Pllana, Nehat Selimi, Rexhep Avdiu e Shemsi Veseli në Prishtinë, Ismet Mahmuti, Hajredin Hyseni, Faik Ajeti në Besianë, Behajdin Allaqi e Binak Berisha në Prizren, Hysen Gegaj, Shefki Muqaj e Ilaz Kadolli në Therandë, Islam Mulaku e Ajet Berisha në Vushtrri, Bajrush Xhemajli në Ferizaj, etj. Arrestimit kanë arritur që t’i shmangen Ramadan Avdiu, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Ekrem Jashari, Halil Selimi, Mustafë Krasniqi, Ibish Neziri, Hidajete Krasniqi, Adrian Krasniqi, Ilmi Muzaqi, Xhemajl Pllana etj.
Rrethimi dhe arrestimi i dytë i Ramadan Pllanës
Më 7 gusht 1993 u rrethua lagjja e familjeve tona në Shtruerë! Të gjithë familjet tona me fëmijë, gra e burra, u detyruan që tërë natën të qëndronin në oborr. Ramadani maltretohet dhe prangohet në prezencë të familjarëve, ndërsa dhoma e tij kontrollohet në imtësi, ku u bënë shumë shkatërrime sendesh e objektesh. Unë me familjen time të ngushtë, nuk ndodhesha në shtëpi, prandaj i shpëtova burgosjes duke kaluar në ilegalitet dhe gjysmë-ilegalitet. Me këtë rast dera e dhomës time hapet me bajoneta dhe për pak ka shpëtuar pa u therr nëna ime e cila kishte tentuar të hapte derën e të shihte se kush ishte. Në dhomë ndodhej dhe motra ime me fëmijë dhe dy vajza të rritura të vëlla Ibrahimit. Në prezencë të tyre e kishin shqyer diplomën time të fakultetit, duke i thënë nënës time, se kjo diplomë nuk do t’i duhej më Xhemajlit. Ramadani e vuajti dënimin në burgun e Dubravës, ku ka qëndruar së bashku me shokët e Grupit të LPK-së dhe të grupeve tjera, ku ishte dhe Ukshin Hoti me të cilin kishte krijuar lidhje shumë miqësore.
Gjatë procesit të gjykimit u fol hapur se LPK po përgatitej për luftë të armatosur për Liri
Në seancën e mbrojtjes së të akuzuarave kam qenë prezent dhe unë me familjarët e të akuzuarave. E kam dëgjuar fjalën e mbrojtjes së Xhavit Hazirit dhe gjithë të tjerëve. Ata, burrërisht dhe hapur i kanë shprehur qëllimet dhe veprimet konkrete lidhur me furnizimin me armë dhe përgatitjen për luftën e armatosur kundër okupatorit serb.
Aktakuza e pushtuesve kundër 19 atdhetarëve shqiptar më 01 dhjetor të vitit 1993.
Në bazë të nenit 45 al. 2, pika 3 e ligjit, AKTAKUZË kundër: 1.Xhavit Hazirit, 2. Ismet Mahmutit, 3. Hajredin Hisenit, 4. Faik Ajetit, 5. Raif Çelës, 6. Sali Mustafës, 7. Sali Salihut, 8. Nehat Selimit, 9. Ahmet Haxhiut, 10. Ramadan Pllanës, 11.Islam Mulakut, 12. Ajet Berishës, 13. Bajrush Xhemajlit (Deputet i Parlamentit të Kosovës), 14. Sanije Aliut, 15. Ramize Avdullahut, 16. Shemsi Veselit, 17. Rexhep Avdiut, 18. Skender Hajdarit, dhe 19. Hamit Zeqirit. Më 25 shkurt 1994, në Prishtinë u shpall Aktgjykimi i 19 shqiptarëve, të cilët u dënuan me gjithsejtë 80 vjet burg.
Me nga 10 vjet burg u dënuan Ismet Mahmuti, Hajredin Hiseni e Raif Çela. Deputeti i Parlamentit të Kosovës Bajrush Xhemajli (ishte deputet i pavarur i komunës së Ferizajt-vërejtja ime) u dënua me 8 vjet. Me nga 5 vjet u dënuan Xhavit Haziri, Faik Ajeti, Sali Mustafa, Sali Salihu e Shemsi Veseli. Ramadan Pllana u dënua me 4 vjet burg. Me nga 3 vjet u dënuan Nehat Selimi e Remzie Abdullahu. Nga 2 vjet burg iu shqiptuan Islam Mulakut e Ajet Berishës. Ndërsa me nga 1 vit burg u dënuan Sanie Aliu, Skënder Hajdari e Hazir Zeqiri. Ndaj të akuzuarit Ahmet Haxhiu, për shkaqe shëndetësore është ndërprerë paraburgimi dhe është veçuar procedura penale, kurse për Rexhep Avdiun paditësi ka hequr dorë nga akuza. Pra ky gjyq i kontrolluar nga Serbia gjatë këtij procesi që zgjati afro tre muaj, i shqiptoj gjithsejtë jo më pak se 80 vjet burg për shkak të kualifikimit nga ana e gjyqit serb se këta të akuzuar i përkisnin organizatës ilegale “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.
2) Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Më 17.11.1994 Arau, Zvicër, u lëshua Komunikata e Parë ushtarake. Kryesia e LPK-së, pas këmbënguljes të grupeve të armatosura brenda vendit, merr vendim për fillimin e lëshimit të komunikatave, në të cilat merret përsipër autorësia e tyre. Pas një diskutimi të përimtuar Kryesia, duke pasur parasysh edhe propozimet e grupimeve ushtarake në terren, mori vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Komunikata u vendos të mbajë nr.11. Në këtë Mbledhje morën pjesë: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Gafurr Elshani. Kryesia e LPK-së ka vendosur për stemën e UÇK-së, të cilën e punuan Gafurr Elshani dhe Adnan Asllani.
Nënshkrimi i Marrëveshjes Millosheviq – Rugova për lirimin e objekteve shkollore!
Më 1 Shtator 1996, u nënshkrua “marrëveshja” për “përmirësimin” e kushteve të arsimit në Kosovë. Kjo “marrëveshje mbante nënshkrimin e Sllobodan Millosheviqit si kryetar i Jugosllavisë dhe të Ibrahim Rugoves si person privat. Marrëveshja u nënshkrua me ndërmjetësimin e shoqatës “Shën Egjidio” nga Vatikani. Kjo marrëveshje asnjëherë nuk u realizua në praktikë, për më keq Serbisë iu dhanë disa privilegje nga Bashkësia Ndërkombëtare duke ia hequr disa sanksione ekonomike që i ishin venë për situatën në Kosovë. Prof. Dr. Ejup Statovci ishte në ballë të studentëve në protestat kundër regjimit serb! Ideja për fillimin e demonstratave të studentëve kishte lindur në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997 nga bisedat dhe analizat e shpeshta që kishin bërë studentët Albin Kurti, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajqi dhe Nazmi Muzlijaj, së bashku me Rektorin e UP-së Dr. Ejup Statofcin. Në gusht të vitit 1997, studentët në Prishtinë filluan organizimin e protestave, sepse autoritet serbe nuk e kishin zbatuar marrëveshjen e vitit 1996. Studentët kishin lidhje me anëtarët e SHP të UÇK-së, dhe harmonizonin qëndrimet e tyre ndaj çështjes kombëtare. Studentët u përkrahen fuqishëm nga Rektori Ejup Statovci dhe profesorët patriotë të UP-së, përkundër shumë pengesave, arritën që më 1 Tetor të vitit 1997, të organizojnë protesta në Prishtinë. Protestat bënë jehonë në gjithë botën demokratike, me to filloi edhe zbërthimi i fatit të Kosovës së pushtuar, ngase nga ai vend dhe nga ajo datë historike, e 1 Tetorit 1997, filloi edhe zgjidhja e ardhmërisë së vendit tonë, për t’u përmbyllur me fitoren e lavdishme të luftës së UÇK-së.
Protesta për lirimin e objekteve shkollore në Vushtrri
Pas lirimit nga burgu, Ramadan Pllana vazhdon punën në arsim, në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Pra në vitin shkollor 1996/1997, përsëri filloi punën si profesor i gjuhës frënge dhe latine. Ka udhëhequr Këshillin e Arsimit për komunën e Vushtrrisë. Ka qenë Kryetar i Parë i Këshillit për Financa të Vushtrrisë, anëtar i Kryesisë së KDMLNJ, anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve etj. Së bashku me kolegët ka udhëhequr protestat për lirimin e objekteve tona shkollore, ndër të cilët ishin: R.Bilalli, F.Përquku,Sabit Kadriu, Salih M Salihu, Shaban Krasniqi, Fadil Beqiri, Xhemajl Pllana, Bekë Beka,Sahit Parduzi, Hilmi Hajra, Selman Mustafa, Syleme Gogoli, Syzana Merovci,etj.
Universiteti i Prishtinës me procesin mësimor nëpër shtëpitë shkolla ishte e vetmja rezistencë e pa armatosur, pas atyre të lëvizjeve kombëtare që organizonin luftën deri në çlirimin e vendit. Studentët dhe shumica e profesorëve në krye me rektorin Ejup Statofcin, në kohërat e vështira që kalonte Universiteti i Prishtinës organizuan protesta paqësore, për rikthimin e objekteve universitare nga pushtuesi serb. Vitet 1996-1997, kur realizoheshin takimet mes politikanëve shqiptarë të kryesuar nga LDK-ja dhe ata serbë, për përmirësimin e arsimit në Kosovë, UPUSP-ja dhe Rektori Ejup Statovci ishin skeptik lidhur me funksionimin e këtyre marrëveshjeve.
VIJON …
___________
Referencat:
1 Sejdi Gega dhe Fazli Veliu,LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim,themeluese e UÇK
2 Sejdi Gega dhe Fazli Veliu,LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim,themeluese e UÇK
____________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (11)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10272

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura