ISA MULAJ: NJË DOSJE ‘KRIMESH’ TË IBRAHIM RUGOVËS NË KOMUNIZMIN MONIST DHE ATË PLURALIST

Pashtriku.org, 11. 07. 2012 – (Rilindja: Përkushtim dhe trishtim (Recension) – Autor: Bajram Kabashi, Botues: Prograf, Prishtinë, 2001, f. 440). Libri mbulon shumë lëmi kritike të jetës dhe veprimtarisë në Kosovë ndërmjet periudhës 1982-1999 si politikë, luftë, arsim, terror, shantazhe, intriga, diferencime, nepotizëm dhe keqpërdorime në Rilindje, por edhe në Shqipëri prej rënies së komunizmit deri më 2000. Informatat që popullsia i merrte gjatë asaj kohe ishin më së shumti në formë interpretimesh nga ata që kishin qasje në mjetet e informimit si radio, TV, dhe shtypin ditor alternativ. Shtypi ditor alternativ ishte gazeta Bujku si vazhdimësi e Rilindjes që dilte pas mbylljes së kësaj të fundit më 05 korrik 1990 deri në dhjetor 1998 (në këtë kohë kishin dalë edhe Koha Ditore dhe Kosova Sot), dhe në Shqipëri ku ende botohej Rilindja me emër të pandryshuar. “Gazeta Bujku në të vëretë ishte gazeta Rilindja që nuk lejohej të botohej me këtë emër. Këtë e kanë pasur parasysh edhe organet okupuese serbe, por paraqiteshin kinse nuk dinin gjë” (f.119).
Transformimi i Rilindjes në feudalizëm e bujkrobë, dhe epilogu trishtues
“Rilindja”, është ky një emër i madh dhe shumë domethënës në çfarëdo kuptimi. Shqiptarët më së miri e mbajnë mend si periudhë historike me emrin “Rilindja Kombëtare” që u dha atyre një indentitet kombëtar më të formësuar. Në këtë shkrim vështrohet një Rilindje tjetër në një pjesë të territoreve shqiptare, atë në Kosovë. Është fjala për gazetën e vetme të përditshme me këtë titull në gjuhën shqipe gjatë periudhës së komunizmit dhe sundimit të dhunshëm serb. Autori është ish-gazetar i kësaj gazete prej vitit 1982 e deri në fund të ekzistencës së saj në dhjetor 1998.

Kopertina e librit

…………………………………………………….

Rilindja ishte një rilindje në komunikimin masiv dhe përpjekjve për avansimin e identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve në Kosovë që kanosej nga dy lloj grupesh. I pari dhe kryesori ishte pushteti komunist jugosllavo-serb, kurse i dyti ishte ai i servilëve shqiptarë të tyre brenda në Rilindje me lidhje në shërbimin e sigurimit famëkeq UDB. Grupin e tretë e përbënte një grup gazetarësh, ku përfshihej edhe Autori si personazh kryesor i librit, me orientim kah anticensura për interesin afatgjatë të shqiptarëve. Në këtë trekendësh kishte përplasje të vazhdueshme në raportin e forcave 2:1. Beteja e filluar me demonstratat e vitit 1981 që pasoj me represalje të mëdha ku u burgosën aktivistët dhe disidentët kyç, po vazhdonte në një front tjetër me qëllim të njëjtë – atë të luftës nëpërmjet lapsit për vetëdijësimin e popullsisë. Ishte ende koha e diferencimeve indeopolitike që kishte përfshirë edhe disa gazetarë në Rilindjes si të dyshimtë ose jo aq sa duhet të dëgjueshëm, ku u kërkohej anëtarësimi në LKJ (Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë). Autorit i bëhet presion për anëtarësim në LKJ se përndryshe nuk mund ta kryej detyrën dhe ushtroj profesionin e tij. Ai edhe është marrë në biseda informative rreth shkrimeve të tij. Pasojat e mundshme për Autorin në Rilindje gjithmonë i neutralizonte Ali Sutaj. Nuk kaloj shumë kohë dhe disa gazetarë, përfshi edhe Autorin, u përjashtuan nga LKJ për shkak se e kishin nënshkruar Apelin 215 të intelektualëve për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës. Pikërisht nga “Rilindja” filloj dhe rrjedhi procesi i dorëzimit të librezave të Partisë dhe braktisjes së saj.

Autori i librit

……………………………………………………………..

Libri mbulon shumë lëmi kritike të jetës dhe veprimtarisë në Kosovë ndërmjet periudhës 1982-1999 si politikë, luftë, arsim, terror, shantazhe, intriga, diferencime, nepotizëm dhe keqpërdorime në Rilindje, por edhe në Shqipëri prej rënies së komunizmit deri më 2000. Informatat që popullsia i merrte gjatë asaj kohe ishin më së shumti në formë interpretimesh nga ata që kishin qasje në mjetet e informimit si radio, TV, dhe shtypin ditor alternativ. Shtypi ditor alternativ ishte gazeta Bujku si vazhdimësi e Rilindjes që dilte pas mbylljes së kësaj të fundit më 05 korrik 1990 deri në dhjetor 1998 (në këtë kohë kishin dalë edhe Koha Ditore dhe Kosova Sot), dhe në Shqipëri ku ende botohej Rilindja me emër të pandryshuar. “Gazeta Bujku në të vëretë ishte gazeta Rilindja që nuk lejohej të botohej me këtë emër. Këtë e kanë pasur parasysh edhe organet okupuese serbe, por paraqiteshin kinse nuk dinin gjë” (f.119). Përse Serbia e lejonte daljen e Bujkut, Autori e sqaron kështu: “Kosova të vetmin pushtet faktik e kishte administratën pushtuese serbe, e në rastin e Bujkut, udhëheqja e dhunshme serbe e njohur me emrin Panorama [në pallatin e shtypit të Rilindjes] me ndihmën e disa udhëheqësve të gazetës ka vjelë tatime të majme dhe një profit tjetër që është ndarë ndërmjet disa udhëheqësve serbë dhe shqiptarë. Kështu vazhdimisht deri pak para se të përfundonte viti 1998” (f.125). Në libër tregohet edhe për rrogat deri në 4.600 marka për disa gazetarë kosovarë si korrespondent në Shqipëri dhe Zvicërr që ishin të lidhur me “klanin”, ndërkohë që shumë gazetarëve tjerë në po të njëjtën gazetë (Bujku) si Autorit i cili kishte punuar dy vite pa marrë asnjë rrogë, u mungonin kushtet elementare të punës dhe jetës. Në faqe 192 shfaqet një foto e Autorit, i ulur këmbëkryq në kauç pranë makinës së shkrimit të vënë në një karrige të thjeshtë druri, me këtë sqarim: “Në funksion të informimit, edhe kur ballfaqohesha me mungesën e kushteve elementare të punës: Duke shkruar për gazetën Rilindja në banesën private në ish lagjen Taslixhe të Prishtinës (fotografuar më 30.05.1995)”. Për poshtërimin e mundit dhe sakrificës jepen argumente të bollshme sa edhe për oportunizmin dhe keqpërdorimin e mjeteve dhe misionit të informimit nga të tjerët brenda të njëjtës gazetë. Në mes tjerash, është e trishtueshme se përkundër represionit serb ndaj popullsisë, ndikimi politik i LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) si pasardhëse e LKJ-së në udhëheqësinë e gazetës e kishte transformuar Rilindjen në feudalë dhe bujkrobë. Po shkëpusim një nga citatet që tregojnë këtë degjenerim dhe shpërfytyrim: “Në njërën anë angazhoheshim t’i jipnim zemër popullit që poshtërohej nga Serbia e në anën tjetër ishim dyfish të poshtëruar nga pushtimi serb dhe poshtërimi i klaneve drejtuese të gazetës. Këta të ashtuquajtur gazetarë, redaktorë dhe kryeredaktorë të Rilindjes, gjithmonë ardhjen në krye të gazetës e kanë kuptuar afrim te qypi i arit, tek prona e tyre, tek pasurimi që mund ta arrinin nga angazhimet tejet sakrifikuese të ‘bujkrobërve’! Dhe, mendoj se edhe vetë zëvëndësimi i emrit të Rilindjes, pikërisht me emrin Bujku për gazetën e përditshme gjatë atyre viteve, vetvetiu ka folur për këtë farë mentaliteti të ulët. Ishin të tjerët që i korrnin frytet e punës së madhe ‘lavërtare’ të ‘bujqve’” (f. 124).
Cilat janë disa nga ‘krimet’ e Ibrahim Rugovës si komunist dhe ‘demokrat’?
Rolin e padiskutueshëm në shumicën e të zezave që e mbërthyen Kosovën prej mes viteve 1980-ta e këtej e kishte LDK-ja, ideologu i saj Ibrahim Rugova dhe familja e tij. Rrustem Rugova ishte nga familja e Ibros, gazetar i Rilindjes dhe korrespondent i saj nga Istogu, një bashkëpunëtor i hapur dhe i zellshëm i UDB-së serbe. Siç rrëfen Autori, vëllai Salih Kabashi kishte pasur një polemikë me piktorin çetnik nga Tivari Sava M. Laban në revistën javore të Beogradit NIN kur ky fundit i sulmonte figurat kombëtare shqiptare të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Azem Bejtës. Rrustës i kishte mbetur hatri fort për reagimin e Salihut kundër fyerjeve të çetnikut kundër heronjëve shqiptarë. Disa vite më herët para kësaj ngjarje, Rrusta kishte zhvilluar një bisedë me Salihun dhe fotografine për Rilindje të cilën nuk e kishte botuar. Në vend se ta dorëzonte në Rilindje, Rrusta e kishte dorëzuar fotografinë e Salihut në UDB-në e Pejës, ku pas arrestimit Salihun e torturojnë dhe një UDB-ash i thotë: “Ja si je bërë tashti si mut, e çfarë bukuroshi ke qenë!” (f. 41). Të tilla ishin intrigat e Rrustës. Por lulë Rrusta çka ka qenë Ibra (Ibrahim Rugova) gjatë regjimit serbo-komunist. Jemi ende me familjen e Rugovës rreth Rilindjes; ende nuk i ka ardhur radha të zezave në ‘demokraci’.
Ibra ishte një komunist, por vetëm për interesa të serbëve dhe kundër shqiptarëve. Si kritik letrar, është i njohur për pasqyrimin e shëmbëlltyrës së “shokut Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”, anipse Tito nuk ka qenë kurrfarë letrari a publicisti; gjithsej i ka pasur 4 vjet shkollë. Gjatë viteve 1980-ta fshesa serbe kishte filluar një ofensivë të egër kundër Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës me pasoja shkatrruse për kulturën shqiptare të cilën redaktori i këtij Enti, Abdyl Ramaj, me të drejtë e kishte quajtur librocid. Komisioni për Kulturë i LKK-së (Lidhjes Komuniste të Kosovës) kishte ndërhyrë për heqjen në mënyrë të prerë nga planprogrami i gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe historisë veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Ali Podrimjes, Rushit Ramabajës, Arif Demollit e shumë të tjerëve. Pas këtij vendimi Autori boton një raport përmbledhës në Rilindje. Shqetësimet e opinionit publik ishin shumë të mëdha. Dhe çka ndodhi menjëherë. “Një ditë më pas u mbajt mbledhja e Komisionit për Kulturë të LSSP-së (Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës), ku posaqërisht i pakënaqur ndaj shkrimit tim qe treguar Ibrahim Rugova, i cili qysh shkroi Rilindja të nesërmen, e shprehte shqetësimin e tij për ‘mënyrën e paraqitjes së çështjes nga ana e gazetarit në gazetë’! Nëse deri atëherë nuk kishte ndonjë gisht politik a policor të drejtuar ndaj meje, problematizimi që Rugova i bënte çështjes, respektivisht mospajtimi i tij i pakuptueshëm me raportin tim gazetar ndikoi që të vihesha në shënjestrën politike edhe më shumë” (f.73). Pas reagimit të Rugovës, gazetari menjëherë ftohet për bisedë informative tek shoku Ekrem Arifi (kryetar i Konferencës Aksionale të LKK-së). Ishte Ali Sutaj ai që e kishte shpëtuar gazetarin nga pasojat e mundshme për ‘veprimtarinë armiqësore’ – vetëm pse e informonte publikun për librocidin në kulturën shqipe në favor të së cilës dukuri këmbëngulte Ibra. Aliu i bënte me dije Autorit se ke bërë mirë, por ruaju ngapak se vjen koha e zbardhjes së kësaj errësire. I tillë ishte kërcënimi nga xhelati komunist i coft Ibrahim Rugova por që i kishte prapa ata që do ta ruanin edhe më vonë si sytë e ballit (UDB-në serbe) dhe nuk duronin pushtet tjetër shqiptar në Kosovë gjatë viteve 1990-ta pos të këtij jo shqiptari të cilin vetëm njohja e gjuhës shqipe e ka identifikuar si të tillë se asgjë tjetër nuk e lidhte me këtë identitet. Nëna e Rugovës quhej Savka Radulloviq nga Prijepolje e Malit të Zi e cila në fshatin Cerrcë njihej si nëna Sofë, kurse babai i vërtetë dyshohet se ishte një rom me emrin Ramadan. Babain e supozuar të Rugovës ose bashkëshortin e Sofës, Ukën, e ka eliminuar LNDSh-ja (Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare) për shkak të lidhjes së tij me miqtë serbo-malazez. Eliminimi i tij ka ndodhur 11 muaj para se të lindte Ibrahim Rugova, ndërsa fanatikët e LDK-së mundohen të gënjejnë se Ukën e kanë vrarë çetnikët (miqtë e tij), çka nuk është e vërtetë.
Kur Serbia mbylli shkollat shqipe në Kosovë ose uzurpoj objektet publike, arkitekti i planit për organizimin e mësimit nëpër shtëpia private ishte Halim Hyseni, drejtor i Entit Pedagogjik të Kosovës. Si në çdo moment të rëndësishëm të organizimit proshqiptar, ishte Ibra ai që e kundërshtonte një nismë të tillë. “[M]ësimin alternativ nëpër ‘shtëpitë-shkolla’ e kundërshtonte Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, meqenëse konsideronin se është ‘më mirë të lejohet humbja e një apo dy viteve shkollore, se sa që për shkak të insistimit për mbajtjen me çdo kusht të procesit arsimor, të provokohet politika pushtuese serbe, dhe ashtu të nxitet lufta në Kosovë!” (f. 77). Ja se çfarë vizioni largpamës kishte Ibra dhe LDK-ja për popullin. Donte të na linte të gjithëve analfabetë. Kur filloj mësimi alternativ dhe u bë shumë e qartë se nuk ishin në pyetje një apo dy vite, ishte Rugova ai që me çdo kusht donte ta përvetësonte një proces të tillë për qëllime propagandistike. Në fillim e kishte kundërshtuar haptas dhe me forcë, tash “me përkrahësit e vjetër dhe të rinj nuk donte ta lejonte asnjë ndryshim, duke konsideruar funksionimin e tillë të procesit edukativo-arsimor si ‘institucionin më të rëndësishëm të realizimit faktik të shtetësisë së Kosovës’!…politika e Rugovës shkonte rrugës tjetër; ajo angazhohej për një rini shkollore e studentore të heshtur, të përkulur, pra për pacifikimin praktik të saj, mu ashtu qysh i është përshtatur gjithmonë Serbisë”! (f.78-79). Kthehet përsëri shoku Ibro i LSPP-së për t’i dalë në udhë Autorit rreth punëve administrative brenda Rilindjes/Bujkut duke urdhëruar që arka e saj të mos hapet pa kurrfarë kontrolli pas dyshimit se kryeredaktori i ri i LDK-së Ruzhdi Demiri i ka tretur 100.000 marka gjermane.

Ibrahim Rugova

……………………………………….

Lufta e komunistit proserb Ibro kundër alternativave politike shqiptare ishte shumë e efektshme. Opozita kryesore e LDK-së në fillim të viteve 1990-ta ishte UNIKOMB-i (Partia e Unitetit Kombëtar) që udhëhiqej nga intelektuali i madh shqiptar i fushës së shkencave politike, Ukshin Hoti, dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PShDK) e udhëhequr nga Lazër Krasniqi, siç e cilëson Autori, një njeri me natyrë kryengritëse. Ukshini kishte specializuar në universitetet amerikane në Çikago, Harvard dhe Uashington D.C. Ukshinin të cilit edhe sot nuk i dihet fati dhe kapacitetin e tij intelektual nuk kanë mundur ta durojnë as Serbia e as dora e zgjatur e tyre LDK me Ibron. “Ukshini ndër të tjera pati deklaruar [në fjalën e mbrotjes para gjyqit të mbajtur më 29 shtator 1994 në Gjykatën e Qarkut në Prizren] se: ‘Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës (lexo drejt: me kërkesën e LDK-së dhe Ibros personalisht)” (f. 189). Pas eliminimit nga PShDK të Lazër Krasniqit, Rugova absorbon këtë parti si dhe atë Liberale të Gjergj Dedajt. Ndryshe, Rugova me ndihmën e pushtetit të Millosheviqit do t’i burgoste Mark Krasniqin dhe Gjergj Dedajn po të mos bëheshin vegël e tij. Për burrë të mirë nuk e ka lënë kurrë. Çështje ishte vetëm nëse Ibra kishte zotësi për të ekzekutuar vendime të çuditshme që i kishte në mendje, çka vërehet edhe me kërcënimin publik kundër Autorit në një rast tjetër, ku shkaku i një pyetje shumë të logjikshme nga gazetari ishte ndërprerë konferenca për shtyp:
– Zoti kryetar, Ju vazhdimisht e theksoni se Kosova është në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare. A mund të na i përmendni disa prej rezultateve të kësaj vëmendjeje?
– Duhet me pasë kulturë komunikimi…Kosova nuk ka brina. Kur t’i ban brinat, do ta shohish
! (f.208).

……………………………..

Lexoni dëshminë në faqen 208 të librit “Rilindja…”

……………………………………..

Për më tepër lexoni të plota faqet 208 – 209 të librit “Rilindja…”

…………………………………………………………….

Politikës dhe filozofisë rugoviane pacifiste të pakuptimtë ku me shqiptarët pushteti serb eksperimentonte si të donte, i kishte dhënë grusht të fortë një dash i një bariu shqiptar nga Pozharani i Vitisë, i cili sipas lajmit të botuar në Ekspres-Politika të Beogradit me brirët e tij kishte lënduar rëndë e lehtë katër serbë, njërin prej tyre rëndë. Autori më të drejtë satirizon se dashi patriot ua kishte shpëtuar shqiptarëve.
Publiku kosovarë, por edhe ai në shtetet tjera, edhe sot i mban mend disa qëndrime tejet skandaloze të Ibros rreth UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) si “dorë e zgjatur e Serbisë”, “pjellë e UDB-së” e shumë etiketime e fyerje tjera. Autori duke qenë në rrjedhat e të gjitha atyre deklarimeve më tepër se kushdo tjetër, sjellë fakte plotësuese të qndrimeve të Ibros prej cinizmi të padurueshëm duke e përdorur shprehjen “të frustruarit” për ushtarët e UÇK-së edhe kur këta dilnin publikisht dhe vriteshin duke luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe. “Simpatia për aksionet e tyre [UÇK-së] gjithnjë e më shumë ndihej në popull, për aq sa propagandën e zezë ndaj tyre e udhëhiqnin fanatikët e LDK-së, të cilën guerilën e re e paraqisnin si ‘dorë të zgjatur të Serbisë’ dhe ‘serbë që vrasin serbë, për t’ua lënë fajin shqiptarëve!” (f. 234). Nëse shumica e shqiptarëve të Kosovës janë aq të vërbër në kokë sa ta vlerësojnë të zezën si të bardhë, atëherë, siç e kam theksuar shpesh në disa shkrime (unë, jo Autori i librit) ekzistenca e kombeve dhe popujve tjerë gjithmonë është përparësi edhe për vetë shqiptarët për t’i ndihmuar ta bëjnë këtë dallim dhe për mbrojtjen e së mirës nga e keqja. Autori ka pasur rastin t’i përcjellë hulumtimet e disa psikologëve e psikiatërve norvegjez (Autori gjendet në Norvjegji prej prillit 1999) me njerëzit nga rajoni i luftës në Kosovë. Ju e dini se çka janë psikologët dhe psikiatrët. Kur një mik i Autorit zhvillonte bisedë me një psikiatër, ky i fundit i thotë: “Kam lexuar diku se lideri juaj [Ibra] ushtarët e UÇK-së, ata që kanë dalë të luftonin për Atdhe, i ka quajtur të frustruar [i ka quajtur edhe me emërtime tjera më të zeza!]! Po, ata kanë qenë të frustruar, sepse u ka munguar liria! Po, mirë, lideri Rugova ka jetuar në liri që s’paska qenë i frustruar!?, na thoshte me habi” (f.147). …. Propaganda e LDK-së po vazhdonte edhe në kulminacionin e përndjekjes së shqiptarëve nga Kosova kur Adnani më 20 prill 1999 në një intervistë për të përditshëm “Fakti” të Shkupit kishte deklaruar se “Rugova ka vendosur të qëndroj këmbëkryq në Kosovë, aty ku edhe i ka rrënjët”. Kuptohej qartë se cilat rrënjë – të Shërbimi i Sigurimit Serb i cili “[H]erë ia hapte gojën [Rugovës] për të shqiptuar ndonjë mendim palidhje, ndërsa herën tjetër e bënte të shkulej së qeshuri – histerikisht – nga kënaqësia pasi vendit të tij ‘s’i kishte ndodhur kurgjë! Mirëpo, ai gjest i vullnetit të mirë të Serbisë shprehej me faktin se Adnan Merovcin e kishte dërguar t’i rivinte kontaktet me udhëheqës të tjerë të LDK-së në Shkup…” (f. 391). Një inskenim nga grupi humorist “Stupcat” për stilin e bashkëpunimit ndërmjet Adnan Merovcit dhe Ibrahim Rugovës gjatë takimeve dhe prezentimeve të ndryshme, mund ta shikoni nga kjo adresë:

……………………………………………

Mësimi nga “filozofia rugoviane”
Rilindja: Përkushtim dhe trishtim është një pasqyrë reale koxha ndryshe i ngjarjeve që shumica prej nesh i kemi marrë në formë shabllone pa i parë dhe përjetuar si Autori. Gjersa Kosovën po e brente në çdo anë pushteti i dhunshëm serb, brenda në Rilindje/Bujku paturpësisht vazhdonin keqpërdorime të mëdha, përvetësimi i rezultatit dhe poshtërimi i të tjerëve për interesa individuale e klanore, ose siç thonë shpesh njerëzit zgjate Zot kët mot, ani pse ishte mot shumë i ligë që do të sillte pasoja edhe më të mëdha kolektive. Për marre nuk linin gjë pa bërë (sikur sot shumica e mediave) duke mos e ditur përgjegjësinë e informimit të publikut. Në këso raste, veprimet e armikut të jashtëm (pushtetit të dhunshëm të Serbisë) ishin të pritshme në një kohë të caktuar për t’u japur mësim bashkëpunëtorëve keqpërdorues në Rilindje se dielli i tyre eksploatues ndaj bashkëkombasve të vet përendon në momentin kur pushteti i huaj nuk ka më interes prej tyre dhe nuk do t’i kursej as ata dhe as që do të ketë ndonjë konsideratë për dobitë që i kanë sjellë. Të gjithë pa dallim i kishte hedhur në baltën e Bllacës në tokën e askujt ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë në fillim të prillit 1999. Vetëm aty kishte vend për të gjithë pa diskriminim dhe diferencim. Në këtë ‘bashkim’ kishte çdo lloj njeriu dhe profesioni; të mençur, budallenjë, akademikë, profesorë, politikanë, gazetarë, studentë, nxenës, biznesmenë, të varfër, gra, fëmijë, pleq. Autori tregon se pikërisht të pasurit dhe ndonjë ‘vizionarë’ i Rilindjes ishin ata që vraponin më së shpejti në marrjen e bukës humanitare. “[Behluli] u ngrit rrëmbimthi të siguronte bukë. U mundova ta takoja, por nuk munda për shkak të tollovisë së madhe. Kurrë se kisha parë Behlulin [Behlul Jasharin, gazetarin e njohur të Rilindjes dhe njëri ndër shokët më të mirë të Autorit që atëherë punonte edhe si korrespondent i ATSh – Agjencisë Telegrafike të Shqipërisë nga Prishtina] aq të shqetësuar. Aq shumë ka qenë i dhënë pas profesionit sa që ndodhte që tërë ditën rrinte pa futur gjë në gojë. Tash Behluli ishte i uritur! Tri vite më herët Behluli e pati botuar një reportazh imagjinativ në Bujkun e vitit të ri [1996], një shkrim mjaft optimist me të cilin e parashihte çlirimin e Kosovës, që duhet të ndodhte një vit pë vonë [1997], andaj me raportin e tij imagjinativ për ardhjen e lirisë në Kosovë njoftonte nga kati më i lartë i Pallatit të Shtypit, aty ku sipas imagjinatës së tij ishte hapur një restorant luksoz. Atëherë i pata thënë se raportin e tillë imagjinativ, me të cilin do ta njohtosh ATSh-në, ndoshta do të kesh rast ta bësh nga Kukësi! Kur e pashë në Bllacë, doja t’i thoja që t’i raportonte ATSh-së prej atyhit…”.
I ndodhur vazhdimisht nën shantazhe dhe kurtha që nga komunizmi monist dhe ai pluralist (ky i fundit i shqiptarëve), përndjekje të familjes (burgosjen e vëllait Salih Kabashi, po ashtu publicist dhe themelues i gazetës Alternativa-Republika) një moment kritik që ka munduar t’ia ha kokën gazetarit (Autorit) ia vlen të mbahet mend. Ai i vrasjes së katër shqiptarëve nga familja Hoxhaj në fshatin Uçë të komunës së Istogut në mbrojtje të shkollës shqipe (atëherë të organizuar nëpër shtëpi private). Autori në cilësinë e gazetarit, edhe më herët kishte dërguar rreth dyzet shkrime në Rilindje prej të cilave ishin botuar vetëm pesë – gjashtë! Për rastin e Uçës përgatit një raport me shumë hollësi dhe kishte arritur të siguroj emrin e policit vrasës serb që ishte nga Osojani i komunës së Istogut. Redaksia i kishte hequr shumicën e atyre detajeve dhe e kishte gjymtuar dukshëm shkrimin sa që nuk ngjante me atë të Autorit, por e kishte lënë emrin e kriminelit serb. Ndonëse emri i vrasësit, siç pajtohet edhe Autori, ishte në rregull, heqja e detajve tjera dhe spikatja e emrit ka mundur t’i kushtojë shtrenjt gazetarit nga vrasësi të cilin e kishin transferuar në stacionin policor të Gurrakocit (vendlindja e Autorit) ‘pa qëllim’. “Sa herë që qëndorja atje [në shtëpi, në Gurrakoc], ai [vrasësi serb] më përcillte dhe mundohej ta gjente rastin dhe çastin për të më veçuar…shihej se donte të më hakmerrej” (f.161). Hakmarrja me siguri se do të vinte po të mos vritej vrasësi gabimisht në Klinë nga policia serbe ku e kishin transferuar me detyrë. Vrasësi kishte dalë natën pranë stacionit policor në Klinë i dehur për të shkrepur një batare. Kolegët e tij duke menduar se janë sulmuar nga UÇK-ja shtijnë në drejtim të tij duke e këputur përgjysmë me plumba.
Kjo është vetëm një hyrje rreth sakrificës së gazetarit në kohët historike për popullin e tij që mbeti i painformuar dhe i pa përgatitur rreth tragjedisë së pashmangshme që do t’i vinte si kolektiv. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot në mentalitetin e këtij populli si rezultat i moszhvillimit dhe emnacipimit të trurit, e sidomos në sferën e lapsit dhe komunikimit masiv. Po të bëjmë një analogji të gjendjes së sotme të kësaj lëmie me atë periudhë, mund të themi se e njëjta praktikë vazhdon me metoda të ngjashme. Është acaruar dhe thuajse pranuar si ‘vlerë’ veprimtaria e oportunizmit, nepotizmit, korrupsionit, poshtërimit, vjedhjeve dhe përvetësimit të rezultateve të të tjerëve. Pësimi kur populli masovikisht e pa veten të hedhur në baltën e Bllacës për vdekje të ngadalshme (dhe nëpër male tjetërkund) nuk i ka sjellë kurrfarë mësimi. Është po ky popull që lejon të futen nenet 37, 38, dhe 39 në Kodin Penal të Kosovës me të cilat parashihet penalizimi i gazetarëve. Është po ky popull (mendohet për shumicën) që u cilëson si budalla, të marrë, psikopat e çka mos tjetër sa herë që ju e denonconi dhe luftoni të keqen e përbashkët. Dashamirët më të mëdhenj, duke përfshirë edhe ata brenda familjes, mund t’iu këshillojnë: “Kqyri punët tua e mos i shti veti therrë n’kamë t’shonsh”, ndërsa në rast se edhe bëheni viktimë e sakrificës për kauzë të drejtë, ka gjasa të nxjerrin “vlerësimin” se “mirë ia kanë bërë se iu krujke pa nevojë”. Kjo të bënë të pendohesh e të turpërohesh skajshmërisht pse je pjesë e këtij populli dhe kombi. Pyetja më e shpeshtë në shumë raste është: “A thua, pse unë ekzistoj në këtë kohë, u përkas këtyre njerëzve; pse i njëjti si jam kështu nuk më ka rastisur të jem kinez, indian, anglez, apo i çfarëdo populli tjetër por i këtij”? Testoni dhe analizoni me kujdes mentalitetin e këtij populli duke filluar nga anëtarët e familjes. Bisedoni seriozisht me ta. Çdo kund e hasni atë mentalitetin se “s’ka mujt ai me i kqyr punt e veta po me ia ba vetit”. Në bazë të kësaj logjike, të gjitha ato vrasje, masakra dhe flijime që janë bërë në Kosovë, janë të arsyetuara me atë se viktimat s’kanë mujt me i kqyr punt e veta! Por e vërteta reale është krejt ndryshe. Qindra mijëra njerëz që u hodhën në një trekendësh balte brenda ditëve që nuk kanë mundur ta imagjinojnë as fantazerët më të mëdhenj, e ka vetëm një sqarim preciz – te mentaliteti i ultë e i poshtër i popullit “me i kqyr punt e veta”. Pse ky popull nuk i shikonte punët e veta por shkonte për të vdekur kolektivisht në baltën e territorit asnjanës? Nëse dreqi ekziston në realitet, ai ka gjasa të jetë vetëm në shpirtin e këtij mentalieti të mprapshtë të shumë shqiptarëve që përqeshin, përbuzin dhe poshtërojnë sakrificën e lapsit në luftimin e së keqes kolektive.
Pas masakrës në fshatin Uçë, po t’i kishte ndodhur ndonjë hakmarrje me pasoja tragjike Autorit, të tjerët që nuk janë prekur drejtpërdrejtë nga ai rast, do të shpreheshin: “Ia ka bërë vetes se iu krujke atina me shkru kur i dike pasojat”, pikërisht siç thonë edhe sot shumica e popullit (ju lutem secilit testojeni këtë mentalitet). Ndërkaq, kur i godet hataja, shprehen dhe ankohen sikur plaka 90 vjeçare pas masakrës në Uçë: “Kuku çka i ka gjetë prej shkaut! Kemi pas kujtue se mà nuk do t’na vret dora e shkaut, por qe, ia nisi apet. Kallxoi krejt dyjes, n’mujsh, çka po na bon shkau”! (f.154). Këtë kod në mentalitetin e shumicës dërmuese të shqiptarëve e kam kuptuar, por nuk jam në gjendje ta sqaroj sa duhet (sepse ka elemente të dreqit brenda!) dhe nuk po mundem t’ia gjejë tharmin e tij. Në rastet kur dikush ua masakron gjysmën e familjes, gjysma e mbetur do të kërkojnë nga Bajram Kabashi dhe Isa Mulaj t’i “kallxojnë krejt dyjes” se çka ka ndodhur. Në të kundërtën ose kur i ndodh tragjedia tjetërkujt dhe Bajrami ose Isa bien viktimë të hakmarrjes pikërisht se kanë dashur ta denoncojnë jo për “krejt dynjanë” por së paku brenda popullit të tyre, shumica do të shprehen kështu: “Po na dhimbsen shumë, veç me fol t’drejtën edhe kanë lyp, se kanë mujt me mshel gojën e me i kqyr punt e veta”. Por nëse tash vjen shkau i bënë këta sallatë me thika e bajoneta, kërkojnë Bajrama e Isa ku janë e ku s’janë me i kallxu krejt dyjes se veç shqiptarëve nuk mjafton! E di një metodë që e ka praktikuar NKVD-ja për zhbërjen ose zhdukjen e një mentaliteti të ngjashëm, por nuk mund ta elaboroj pa qenë i sigurt se ekziston vendosmëria e shumë njerëzve për zbatimin e saj në Kosovë. Në mungesë të zbatimit të kësaj metode, serbët përsëri mund t’i bëjnë bashkë shqiptarët në trekendëshin e baltës ku ka vend për të gjithë, ta zëmë, pas 120 viteve! Mirëpo, duke e ditur se historia në kohë nuk përseritet me skenare të njëjta, atëherë është e sigurt se serbët nuk do t’i hedhin shqiptarët në baltën e Bllacës, por do t’i mbysin krejt brenda në Kosovë! Plani i serbëve është qind për qind kështu dhe i realizueshëm sepse ne duhet t’i kqyrim punët tona deri në momentin kur të na lënë ata! Vetëm rreziqet e jashtme shpesh herë e kanë çrregulluar këtë mentalitet të çuditshëm të këtij populli prej ‘kanibalizmit të brendshëm’, por nuk kanë qenë në gjendje t’i jepin ndonjë mësim sepse vetë populli nuk do të mësoj edhe nëse zhduket si qenie. Mbi të gjitha, është për t’u dhimbsur vendi i bukur me shkëmbinj, fusha, pyje, kaça, manaferra, se populli jo derisa nuk i merr gjërat nga këndvështrimi real dhe nuk ka kontakt me realitetin e ngjarjeve të kësaj bote.
Isa Mulaj, Prishtinë, 10. 07. 2012

………………………………………………….

( ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura