XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (4)

Prishtinë, 28 Maj 2020: Demonstratat revolucionare gjithëpopullore të vitit 1981
Në Pranverën e vitit 1981 shpërthyen demonstratat popullore me kërkesën dhe parullën kryesore “Kosova Republikë”, e cila kishte për qëllim barazimin e Kosovës me 6 republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 kanë qenë:
Pozita e pabarabartë e shqiptarëve në Jugosllavinë titiste, pasi që edhe numerikisht ne ishim në vendin e tretë në RFSJ, për më keq neve na kishin ndarë copa-copa nën sundimin e Republikave Jugosllave (Serbi, Maqedoni, Mali Zi), pastaj shkaqet tjera ishin edhe prapambetja ekonomike, kulturore e arsimore në krahasim me republikat tjera, varësia e dyfishtë e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe Jugosllavisë.

Këto demonstrata, së pari i filluan studentët e Universitetit të Prishtinës më 11 Mars 1981. Regjimi serbosllav, ndaj këtyre demonstrimeve dhe kërkesave u përgjigj me terror shtetëror. Demonstratat i shtypi me polici dhe ushtri duke e vënë në lëvizje rrugëve edhe armatimin e rëndë.Dhe për pasojë u vranë dhjetra,u plagosën qindra dhe u burgosën mijëra veta gjatë dhe pas demonstratave. Në qershor 1981, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi e Nezir Myrtaj me grupin e tyre të fshehtë kishin lëshuar në qarkullim platformën për organizimin e mëtejm me titull: “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”.
Në këto teza jepen argumentet që flasin se Kosovës i takon statusi i Republikës në Federatë, se ajo është e arritshme dhe se populli i Kosovës ka potencial të luftojë për fitimin e saj. Demonstratat e Pranverës së vitit 1981, neve veprimtarëve të LNÇKVSHJ-së, (pas burgosjes dhe dënimit të Ramadan Pllanës me shokë) na kishin zënë në riorganizim e sipër, prandaj pjesëmarrja dhe kontributi ynë në këto demonstrata ka qenë më tepër i natyrës spontane. Pa dyshim që edhe shpërndarja e trakteve, pamfleteve, revistave, botimeve të ndryshme dhe shkrimi i parullave nga ne e ka pasur ndikimin e vet.

Nga kush dhe si u organizuan Demonstratat e 2 Prillit 1981 në komunën e Vushtrrisë
Demonstratat studentore në Prishtinë kishin zgjuar ndjenjat e rinisë dhe popullit shqipatar në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare,prandaj duke e parë rrezikun e përhapjes së kësaj fryme në gjithë Kosovën dhe në trojet shqiptare,udhëheqja policore dhe ushtarake serbosllave kishte organizuar bllokimin e Prishtinës nga viset tjera të Kosovës.Kjo ka ndikuar në organizimin e demonstratave nëpër komunat tjera. Më 1, 2 dhe 3 Prill 1981 demonstratat më mëdha janë mbajtur në Prishtinë, në Vushtrri dhe në Podujevë. Iniciativën për organizimin e demonstrative në komunën e Vushtrrisë më 2 Prill 1981 e kanë marrë në duar punëtorët e NN “Kosova” të Vushtrrisë.Në krye të këtij organizimi ka qenë Ilmi Muzaqi,punëtor i NN “Kosova” në Vushtrri,mik dhe bashkëveprimtar i Ramadan Pllanës, në kuadër të LNÇKVSHJ-së,të udhëhequr nga Metush Krasniqi dhe Jusuf Gërvalla me shokë.
Ky organizim është bërë në menzën e punëtorëve të NN “Kosova” nga këta punëtorë: Ilmi Muzaqi,Jakup Shyti, Bajram Latifi ,Nebih Sejdiu, Bislim Bajrami etj.
Sipas marrëveshjes ata do të marshonin drejt fabrikave me qëllim që t’i bashkangjiteshin dhe punëtorët e këtyre organizatave punuese si: Fabrikës së Konfesionit “Polet”, Fabrikës së Ngjyrave dhe Llaqeve “Extra”, Fabrikës së Llamarinës “Llamkos” dhe nxënësit e klasëve të larta të gjimnazit “Muharrem Bekteshi”të Vushtrrisë.
Kështu që nga mensa e punëtorëve të NN”Kosova”,në ora 13 e 30, janë nisur punëtorët e kësaj organizate punuese. Kësaj demonstrate iu kanë bashkangjitur punëtorët e organizatave punuese të lartëcekura dhe qytetarët e komunës së Vushtrrisë. Mirëpo kur kanë arritur në oborrin e gjimnazit,këta kanë parë se nxënësit e këtij gjimnazi ishin ngujuar nga drejtoria e shkollës dhe strukturat udhëheqëse partiake e komunale të Vushtrrisë.
Edhe këtu si gjatë gjithë rrugëtimit janë brohoritur këto parulla: “Kosova Republikë”,”Vetëvendosje”, ”Trepça punon Beogradi nderton”, ”Lironi të burgosurit politik”, ”Poshtë tradhtarët” etj. Me këte rast nxënësit e kësaj shkolle e kanë thyer bllokadën e vendosur,duke kërcyer nga dritaret e shkollës dhe duke iu bashkangjitur masës së demonstruesëve të tubuar. Për thyerjen e kësaj bllokade kontribut të madh, ndër të tjerë kanë dhënë këta nxënës:Mehmet Muzaqi,Idriz Muzaqi,Xheraldina Buçinca, Muharrem Muzaqi, dhe nxënës të tjerë.
Ndërsa, demonstrata e 3 Prillit në Vushtrri është organizuar nga student, nxënës,punëtorë, individ dhe nga popullata e qytetit.Me këte rast ndër më të dalluarit në këto demonstrate kanë qenë: Ruzhdi Hyseni,Ali Januzi, Bali Dervishi, Afërdita Dervishi, Dinore Curri, Makfire e Hanife Makiqi, Natyra Haziri, Afërdita Berisha, Fatmire Kutllovci,Vlora Pantina, Zeqir Murati,Xhevat Deliu,Veli Abazi etj.
Në ndërkohë armiku për t’i shuar demonstratat masive të popullatës,kishte aktivizuar dhe helikopterët duke sjellur forca të mëdha policore nga Beogradi.Kështu që dhuna ndaj Rinisë Shqiptare kishte eskaluar, duke shkaktuar të vrarë e plagosur ndër të rinjë, të reja e ndër të moshuar.
Në demonstratat 2 e 3 prillit 1981 nga komuna e Vushtrrisë kishte pesë të vrarë:Naser Hajrizi dhe Salih Abazi (u vranë më 2 Prill në Prishtinë), më 3 prill, në Vushtrri janë vrarë: Ruzhdi (Abit) Hyseni dhe Salih (Ajet) Zeka,ndërsa Veli Abazi(28) vdes më vonë si pasojë e dhunës së forcave policore e ushtarake serbe. Numri i të plagosurve ka qenë më i madh,ku ndër të tjerë ishin: Ali Januzi, Ajtene (Mehmet) Gorani, Sadete (Rushiti) Pllana, Mevlude Ademi, Myrvete Mulaku, Driton Grabanica, Ismet Pllana, Medo Ibroviqi, Shaip Rrustemi etj.
Dënimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1981
Edhe në komunën e Vushtrrisë shërbimi i sigurimit Jugosllav filloj aksionin për zbulimin dhe dënimin e organizatorëve të këtyre demonstratave. Gjatë verës së vitit 1981 u arrestuan dhe u dënuan me qindra e mijëra demonstrues e organizatorë të demonstratave. Vetëm në komunën e Vushtrrisë ishin rreth 200 të dënuar për kundërvajtje dhe rreth 600 të evidencuar në listat e shërbimit të sigurimit si organizatorë ose si pjesëmarrës të këtyre demonstratave.

Veprimtari Ilmi Muzaqi 

Kështu që si organizator të “Kundërrevolucionit”nën akuzën e veprës penale gjatë vitit 1981 janë burgosur ose janë dënuar këta persona:
Më 1981 janë dënuar: Bali I Dervishi, 13 vjet burg, Dinore Curri,11 vjet burg, Ilmi A Muzaqi, 10 vjet burg, Gani Maxhuni, 8 vjet burg, Jakup N Shyti,8 vjet burg, Zenun Gjocaj,7 vjet burg, Xhevat Deliu, 6.6 vjet burg,Bislim H Bajrami,5 vjet burg, Bajram Sh Latifi, 5 vjet burg,Nebih A Sejdiu,5 vjet burg, Zeqir F Murati, 5 vjet burg,Nazmi Hyseni,4 vjet burg, Shemsedin J Mustafa, 2 vjet e 4 muaj burg, Tahir Z Krasniqi, 20 muaj burg,Shefqet Dushi,1,5 vjet burg,Vehbi H Hyseni,105 ditë burg, Azem R Hajdini,3 muaj burg, Selman M Ferizi, 2 muaj burg, Remzi M Haradinaj,2 muaj burg,Fazli Jetullahu, 2 muaj burg, Faik R Morina,2 muaj burg, Brahim Rr Delia, 2 muaj burg,Abaz B Hyseni,3 muaj burg, Afërdita B Dervishi, 2 muaj burg,Kahriman A Aliu,2 muaj burg Kamer Rrukiqi,Zeqir T Morina 40 ditë burg, Ismet H Makiqi, 40 ditë burg,Shefki S Dibrani,2 javë burg,Lutfi S Shyti,26 ditë burg, Skender U Uka, disa ditë burg …, Ruzhdi H Hyseni,14 ditë burg etj.
Nxënës të burgosur në vitin 1981: Daut N Rashani (1963) dënohet me 6 vjet burg,Afrim Zekolli,disa ditë burg,Hazir Maxhuni, disa ditë burg,Jeton I Maxhuni,2 javë burg,Shefki Xh Maxhuni, disa ditë burg,Ylber I Zabërgja, disa ditë burg.
Të “izoluar” nga komuna e Vushtrrisë më 1981 ishin: Zenun Gjocaj,2 muaj burg,dhe largim nga puna, Xhemajl I Pllana, mbi 2 muaj burg dhe largim nga puna,Kamer Rrukiqi,2 muaj burg dhe largim nga puna,Behgjet Krasniqi, 2 muaj burg, Ferki Morina, Mustafë Shyti, 1 muaj burg,7. Asllan Muharremi,1 muaj burg, Ismet Saraqi, 21 ditë, Çerkin Ismaili,disa ditë burg dhe suspendim nga puna etj.
Edhe gratë dhe vajzat e komunës së Vushtrrisë janë dëshmuar në përpjekje e sakrifica për të drejta dhe për çlirim kombëtar. Ato krahas burrave,djemëve e prindërve të tyre u rreshtuan për Liri dhe për Pavarësi të Kombit dhe trojeve tona stërgjyshore. Në demonstratat e vitit 1981,vajzat tona iu kanë prirë demonstratave masive të 2 dhe 3 Prillit,Për këte janë dënuar dhe kanë vuajtur burgje të rënda: Dinore Curri, Makfire e Hanife Makiqi, Natyra Haziri (Punëtore të NT “Polet”), Dinore Curri,dënohet me 13 vjet burg, Afërdita Dervishi (ish nxënëse), u mbajt për 60 ditë, burg, ”Izolim”, Afërdita Berisha, Fatmire Kutllovci, Vlora Pantina. Shumë vajza të tjera janë marrë në pyetje,janë hetuar dhe janë maltretuar me ditë të tëra.
Dënimet e veprimtarëve pas vitit 1981 në rrethin e Vushtrrisë
Në vitin 1982 dënohen dhe Rexhep Mehmeti me 8 vjet burg, Shefqet Dibrani me 5 vjet burg. Në vitin 1985, dënohen Jusuf Shaqiri me 4.6 vjet burg, Bahri Shaqiri me 2.6 vjet burg, Bislim Shaqiri me 1.6 vjet burg, Bahtir Haradinaj me 1.6 vjet burg.

Veprimtarja Dinore Curri

Në vitin 1986 dënohen, Abdullah Zhegrova me 10 vjet burg, Enver Rama me 5 vjet burg, Xhavit Zhegrova me 5 vjet burg, Abdyrrahim Maxhuni me 5 vjet burg, Luan Badivuku, me 1.6 vjet burg. Në vitin 1993 u burgosën dhe u dënuan: Ramadan Pllana u dënua me 4 vjet burg. Me nga 2 vjet burg u dënuan Islam Mulakut e Ajet Berishës.
Në vitin 1995 arrestohet dhe dënohet Idriz Asllani me 15 vjet burg,ndërsa Ali Januzi dënohet me 15 vjet burg,në mungesë.Këta dy veprimtar i takonin grupit të UÇK-së,të udhëhequr nga Adem Jashari.
Më 2 Prill 1981 më arrestuan në Vushtrri
Me 2 Pril 1981, sapo e përfundova mësimin u nisa drejt qendrës të qytetit, isha me mbesën, Fahrijen dhe Makfireten, vajzë e kushëririt (nxënëse-fëmijë). Afër ndërtesës së KK, ishte stacioni i policisë, aty vërejta Burhan Prishtinën, inspektor i lartë i Sigurimit jugosllav, i cili sapo më pa, ua bëri me shenjë disa policëve, të cilët menjëherë më ndaluan dhe më dërguan në Stacionin e policisë e pastaj më përcollën në burgun e Mitrovicës. Në hyrje m’i morën dokumentet, rripin, orën dhe më dërguan në një dhomë vetmie, të vockël, të ngushtë, me një dritare shumë të vogël dhe tepër të lartë për të parë diçka! Vetëm rrezet e diellit i shihja mëngjeseve. Brenda kishte tre shilte dhe dy batanije tepër të vjetra, të cilat as për kafshë nuk do duhej të përdoreshin, një “kibëll” (qyp i madh) për nevoja fiziologjike dhe asgjë tjetër. Unë kisha dëgjuar për dhoma vetmie, por tani po e provoja dhe vetë. Në mëngjes më hapën derën e metaltë të dhomës, e cila krijonte një rrapëllimë tepër të vrazhdët dhe tepër shqetësuese. Dola dhe po shihja, nga para e nga mbrapa nga dy policë me pushkë automatike, në gjendje gatishmërie dhe një gardian burgu po më përcillnin, mua “armikun” e rrezikshëm të Jugosllavisë, për në tualet! U bë një muaj që po qëndroja në atë birucë të betontë, me ushqim pa kalori, tre shilte tepër të forta dhe dy batanije kafshësh të vjetra që nga Lufta e Dytë Botërore! Në një nga ditët e qëndrimit në vetmi, sapo më futën në birucë, i buzëqesha njërit nga gardianët (Ismet…) që po më përcillte, ndërsa ai më pyeti kërcënueshëm : « Përse u qeshe?!… » ishte mirësjelljeje !, – iu përgjigja! Ndërsa ai më tërhoqi vërejtjen se po e përsërita do ta pësoja keq.
– Nuk do ta përjetosh më, – ia ktheva. Mirësjellja ime ishte dhe udhëzim i dokumenteve të organizatës sonë, për të përfituar simpatinë dhe nga gardianë e policë. Një ditë më thirrën në zyrat e burgut dhe më dhanë një vendim në të cilin shkruante se unë duhet të qëndroja në vend të “caktuar” dhe në afat të pacaktuar” për shkak të dyshimit të bazuar, se unë isha një person me rrezik potencial të prishjes së rendit shoqëror të Jugosllavisë. E bëra një ankesë, por përgjigjja e tyre ishte se ankesa është e pabazuar, prandaj duhet të qëndroja në “vendin e caktuar”! Dhe ky “vendi i caktuar” sipas vendimit mund të ishte edhe ndonjë hotel apo në lokal i ngjashëm ?!…
Kënga e studenteve,e vajzave dhe grave të burgosura po çante muret e burgut
Kënga e studentëve dhe vajzave të burgosura po çante muret të burgut gjatë qëndrimit në këtë burg, kënaqësinë më të madhe e kam ndier kur dëgjoja këngë shqipe nga vajzat studente të Shkollës së Lartë Teknike, që ndodhej fare afër burgut dhe vajzave e grave tona që ishin burgosur gjatë demonstratave. Po kumbonte burgu nga zëri i ëmbël i tyre me këngët e bukura të kohës që këndoheshin nga Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli etj. Kjo tregonte se rinia jonë po zgjohej e po piqej për ditët më të vështira të luftës për liri e për bashkim kombëtar. Për familjen dhe për shokët nuk dija asgjë, nuk kishim shtyp e as mundësi tjetër informimi!

Veprimtarja Aferdita Dervishi

Vendosja në një dhomë me shokët e ilegales
Në një nga ditët e majit më nxorën nga dhoma e vetmisë dhe më dërguan në një dhomë tjetër, ku kishte disa krevate dykatëshe. Për çudinë, time dikur ma thyen vetminë, aty e sollën edhe Ferki Morinën, një nga shokët e idealit! Megjithëse, nuk e kisha parë për më tepër se një muaj, kjo ishte nga befasitë që nuk na gëzoi fare, as mua e as Ferkiun! Për më keq, ne për disa ditë me radhë gjatë shëtitjeve kishim dëgjuar zhurmime shpuese nëpër ndërtesën e burgut, prandaj dyshonim se ishin instaluar aparate përgjuese. Megjithatë, ne u përqafuam dhe po bisedonim tërë ditën për tema nga më të ndryshmet, luanim lojëra “mos u hidhëro njeri”, dilnim së bashku në tualet e në shëtitje. Të njëjtën gjë e kishin bërë dhe mes Asllanit dhe Shaqir Selmanit. Bashkimi në një dhomë me shokët nuk ishte ndonjë e mirë për ne. Prandaj me të drejtë ne dyshonim, se po na përgatitej ndonjë proces i montuar për të na dënuar. Që ditën e parë kur dolëm në tualet, ne u morëm vesh për bisedat që do të bënim, sepse ishim të sigurt, se po përgjoheshim, prandaj na kishin bërë bashkë dhe se bisedat tona po incizoheshin.
Në bodrumin e madh me veprimtarë të qështjes kombërare
Diku pas një jave kur, mbase u bindën, se nuk po dilte gjë nga ajo punë, na dërguan në “Odën e Madhe”, kështu e quanim bodrumin e madh, ku na bashkuan dhe me shumë veprimtarë të tjerë, kryesisht ish të burgosur më të vjetër se ne. Aty jemi takuar me të madhin Ali Aliu (Kelmendi) nga Presheva, i cili si i ri kishte marrë pjesë në LNÇ dhe kishte luftuar për çlirimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ishte ekonomisti i parë në Kosovë, kishte përjetuar burgje të rënda, si në Goli Otok etj., pastaj aty gjetëm dhe Kadri Halimin, Enver Talin, Selatin Novosellën, Asllan Kastratin, Hazir Shalën, Sami Dërmakun, Ali Pecin, Idriz Dakën, Nezir Vishajn, Asllan Muharremin, Jakup Rexhepin, Ismajl Smakiqin, Bislim Bajramin, Shaqir Selmanin, Bali Dervishin, Jakup Shytin, Qerim Spahiun, etj. Më ka rastisur që gjatë ndërrimit të dhomave, në korridore kam takuar shokët tanë, Mustafë Shytin, Ilmi Muzaqin e ndonjë tjetër. Pas disa ditësh e kuptova se Ismajl Smakiqi, Bislim Bajrami dhe Jakup Rexhepi e kishin të hapur aktakuzën si pjesëtar të LNÇKVSHJ-së! Ndërsa, Ilmi Muzaqi, Bali Dervishi, dhe Dinore Curri gjithashtu e kishin të hapur aktakuzën me mundësi dënimi deri me vdekje sepse, që në ditën e demonstratave ka pasur dhe demonstrues të vrarë, prandaj këta duhej të ndëshkoheshin. Në bisedë e sipër me Jakup Rexhepin dhe Bislim Bajramin më doli dhe një “befasi”! Se unë e paskësha dhe një vëlla tjetër në burgun e Mitrovicës?! Se, ai vëllai im u paskësh thënë atyre se « ne jemi tre vëllezër të burgosur » etj etj. I pyeta se cili ishte ky vëlla i imi që qenka këtu në burg?! Ata sikur nuk i bindeshin asaj që thosha unë !… Megjithëse unë nuk i njihja mirë asnjërin, këmbëngula që ta dija se cili na qenka ky vëlla i imi dhe aq trim që na qenka?! Më në fund ata më treguan se ai ishte J.P. Mua më erdhi keq kur i dëgjova, sepse ai nuk ishte vëlla i imi. Pastaj si t’i shpjegoja secilit, sepse as i njihja e as ju besoja deri në fund. Për Ismajl Smakiqin kisha përshtypje të mirë, prandaj e pyeta se mos kishin folur gjë për çështje politike me J.P. sepse vetë ky deklarim i rrejshëm i tij tregon se ai dhe soji i tij janë “burgosur” me direktiva të caktuara, prandaj duhet pasur kujdes me kë rrini e çka flisni. Se çfarë kanë folur me J.P. vetëm ata e dinë?!.Megjithatë edhe kjo mënyrë e burgosjeve e kishte të mirën e vet, sepse ne patëm rastin të njiheshim me shumë veprimtarë e atdhetarë të dëshmuar, me të cilët më pastaj dhe kemi bashkëpunuar. Në një nga ditët e majit filluan të na e sillnin gazetën “Rilindja”, por ishte e çuditshme, se si e masakronin me zhiletë duke prerë të gjitha informatat e mundshme për neve! Në një rast e gjeta një shkrim lidhur me masat disiplinore dhe ideopolitike që po ndërmerreshin ndaj nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë. Ndër ta isha dhe unë, ku shkruante se Xh. Pllana u përjashtua nga LKJ, anëtar i së cilës nuk kisha qenë asnjëherë! Me këtë rast Bacë Ali Aliu, si me shaka më tha se si shpërblim, sapo të lirohemi nga burgu, kam me ta gjetur një nuse! Një tjetër ditë në gazetën ”Rilindja” lexuam një lajm me titull interesant “Policia vrau kriminelët dhe shpëtoi pengjet”, gjoja se Tahir dhe Nebih Meha i paskëshin zënë peng anëtarët e familjes së vet, ndërsa këta (policia) i paskësh shpëtuar ata?! Me të lexuar “Rilindjen” dhe lajmin për luftën e Nebih dhe Tahir Mehës me policinë më 13 maj 1981 në Prekaz, njëri nga të burgosurit (A. H.), thirri me zë:” Eu ju lumtë pushka!” Pasoj një heshtje sepse këtij njeriu, nuk po i besonte askush nga të burgosurit në bodrumin e madh.
Në fillim të javës së parë të qershorit, më ftuan për bisedë në një zyrë brenda burgut. Aty e gjeta Hasan Mehmetin, inspektor i lartë i sigurimit jugosllav, i cili pas disa pyetjeve, jo të mundimshme, më ofroj një shkresë të shtypur, të cilën duhej ta nënshkruaja. Aty nuk kishte diçka qëia vlente të rrezikoja prandaj e nënshkruajta, sepse e njëjta gjë po ndodhte dhe me ata që ishin liruar para meje, kështu ndodhi dhe me mua, prandaj të njëjtën ditë më liruan nga burgu! Disa ditë më herët ishin liruar edhe Ferkiu e Asllani!
Pas daljes nga burgu, administrata e shkollës ku punoja më njoftoi se më kishin pezulluar nga e drejta e punës në arsimor, ndërsa “vëllai” i burgosur” J.P. përsëri po vazhdonte punën në arsim.
1. Lufta e Tahir e Nebih Mehës me forcat elite të policisë jugosllave
Më 13 maj 1981,me qëllim të arrestimit, forca të mëdha policore kishin rrethuar shtëpinë e Tahir e Nebih Mehës. Për të demonstruar forcën dhe për të thyer çdo lloj rezistence shqiptare, ata kishin zgjedhur pikërisht 13 majin, ditën e policisë jugosllave. Mirëpo timat e Prekazit, jo vetëm që nuk ishin dorëzuar por “mysafirët” e paftuar i kishin pritur dhe iu kishin përgjigjur me zjarr.Të njëjtën përgjigje ua kishin dhënë dhe mjeteve tjera: tankeve dhe helikopterëve të armikut. Megjithëse të dhënat e sakta, si gjithë herë jan fshehur, policia serbe ka pranuar se u vranë këta policë: Milanko Pejoviq,Muhamet Selmanaj,Salih Hasanoviq,Vojo Tubiq,ndërsa u plagosën: Jovica Milaçiq, Vlado Stepanoviq dhe Boshko Palija. Pas luftës një ditore dhe pas pushimit të krismave të armëve të Tahir e Nebih Mehës, në ora 21, u dha lajmi se të dy heronjtë e ri të Drenicës ishin të vrarë.
Kërkesa popullore për statusin e Republikës u bë kërkesë dhe e jona
E kemi kemi analizuar shumë herë me shokët dhe, kemi ardhur në një përfundim se edhe ne duhej ta mbështetnim këtë kërkesë e cila ishte me e realizueshme për kohën dhe për rrethanat specifike, nëpër të cilat po kalonim si komb,sepse tashmë kërkesa “Kosova-Republikë” kishte fituar simpatinë e popullit andaj edhe për për faktorin ndërkombëtar do të ishte më e lehtë për ta mbështetur. Në favor të analizave tona doli edhe Radio Tirana, e cila po transmetonte artikujt e “Zërit të Popullit” ku hapur mbështetej kërkesa për statusin e Kosovës Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, sepse ne, artikujt e “Zërit të Popullit” i kuptonim edhe si qëndrime të shtetit shqiptar. Prandaj duke marrë parasysh vullnetin e popullit, duke vlerësuar qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të luftës tonë për barazi në kuadër të federatës jugosllave, ne vendosëm për realizimin e Republikës së Kosovës si hap i parë dhe i mundshëm, drejt bashkimit tonë kombëtar. Kërkesa “Kosova-Republikë” e kishte rritur dhe e kishte zgjeruar frontin e luftës sonë dhe se pas kësaj kërkese nuk ishim vetëm ne dhe organizatat tjera politike që vepronin ilegalisht, por ishte pjesa dërmuese e popullit, intelektualëve dhe një shtresë e klasës politike të Krahinës. Ndërsa qëndrimi serbo-jugosllav ndaj kësaj kërkese ishte tepër i egër dhe tërësisht antishqiptar. Udhëheqja federative Jugosllave ishte treguar e pafuqishme para presionit serbomadh. Burgjet Jugosllave ishin stërmbushur me të rinj e të reja shqiptarë. Kosova ishte mbërthyer nga forca të njësive elite speciale jugosllave, emisarë politikë serbë e shërbëtorë shqiptar, me qëllim të nënshtrimit të popullit shqiptar në luftën e tij të drejtë për liri, barazi dhe për Republikë.
Ne po zbatonim sistemin e organizimit në treshe
Prandaj, përballë këtij terrori shtetëror serbo-jugosllav, ne duhej t’i tregonim popullit tonë, se lufta jonë për liri dhe barazi ishte e drejtë, e ligjshme dhe e pathyeshme deri në realizimin e plotë të saj. Mirëpo nga ne, kërkohej jo vetëm përpjekje e guxim për veprim, por edhe zgjuarsi dhe vigjilencë e shtuar, sepse tashmë ishim të vëzhguar nga sigurimi shtetëror dhe fare lehtë edhe mund të binim në burgje. Mirëpo, për ne, ishte e pamjaftueshme vetëm shpërndarja e shtypit ilegal, si “Bashkimi,” “Lajmëtari i lirisë”, “Liria” dhe literaturës e materialeve tjera prandaj gjatë një takimi mes meje, Asllanit dhe Ferkiut, vendosëm që ta zgjerojmë aktivitetin tonë dhe të fillojmë me shkrimin e parullave, ku do të dominonte kërkesa “Kosova-Republikë!”.
Ferkiu dhe Asllani blenë ngjyrë të kuqe metalike dhe i kanë shkruar disa parulla “Kosova-Republikë”, në muret e shkollës së Mesme “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri dhe në muret e disa shtëpive nëpër qytet, në muret e shkollës fillore të fshatin Lumi i Madh, parulla “Kosova-Republikë” dhe “Poshtë tradhtarët!” Mandej në rrugën automobilistike, Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, një parullë “Kosova-Republikë” me gjatësi katër-pesë metra. Në kishën ortodokse serbe të fshatit Lummadh, qëllimisht nuk kemi shkruar. Me këtë gjest, ne donim t’u tregonim serbëve nga Kosova, se nuk kishim asgjë kundër tyre, dhe se propaganda serbe një akt të tillë, mund ta përdorte si argument për ta nxitur popullatën minoritare serbe kundër nesh. Shokë tjerë kanë shkruar edhe në vende tjera. Gjatë shkrimit të parullave kemi përdorur dorëza dhe këpucë, që nuk i kemi përdorur asnjëherë më parë, gjithashtu kemi qenë të maskuar me kapele dhe rroba të vjetra dhe pas mbarimit të aksionit të gjitha mjetet e përdorura i kemi fshehur në një vend të caktuar dhe larg shtëpive tona.
VIJON …
_____________
Referenca:
1. Dokumentar tematik, “Tre breza çlirimtarësh” dhe emision folklorik muzikor me këngë të trimërisë,TV Dielli
***
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (3)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10072

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura